Imam Gazaliu

Fragment i shkëputur nga libri i imam Gazaliut me titull: “Minhaxhul Abidin”; Darul Ishaat, Karachi 1998, f. 130-136

 

Ruajtja dhe përmirësimi i zemrës është një çështje shumë e rëndësishme. Meqenëse gjendja e zemrës ndikon në të gjithë pjesët e tjera të trupit, pastrimi dhe reformimi i zemrës është një sipërmarrje më e vështirë se çdo gjë tjetër. Tani unë do përmend pesë parime të cilat nëse ndiqen, në dashtë Zoti, zemra do të përmirësohet.

 

Parimi i parë

 

Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra” (40:19). Ai gjithashtu ka thënë: “…Allahu e di çka në zemrat tuaja…” (33:51), po ashtu në një tjetër ajet kuranor lexojmë: “Vërtet, Allahu e di mirë ç’kanë në gjokset e tyre” (3:119).

Siç e shihni Allahu i Lartësuar e ka përsëritur të njëjtën gjë disa herë në librin e tij, në mënyrë që ajo të ngulitet thellë në zemër. Fakti që Allahu njeh çdo sekret të kraharorit është element i mjaftueshëm që njeriu të kultivoj drojën ndaj Tij. Ne duhet të ndjehemi të turpëruar përpara Zotit për idetë e mbrapshta të cilat fshehim në zemra, sepse Allahu është i Gjithëdijshëm.

 

Parimi i dytë

 

Profeti i nderuar (a.s.) ka thënë në një hadith: “Allahu i Lartësuar nuk sheh tek fytyrat tuaja, pamjet e jashtme të juajat, por Ai sheh zemrat dhe veprat tuaja“.

Nëse dikush e mban veten të pastër e të krekosur por harron pastërtinë e zemrës, kjo është për të ardhur keq. Do të ishte më mirë për të që të mbante zemrën e tij të pastër dhe tërheqëse për vëmendjen e Allahut (xh.sh.). Është shumë e trishtueshme që zemra e këtij individi është bërë objekti i vesveseve të shejtanit, ideve dhe mendimeve të liga ndërsa ai ia dedikon të gjithë vëmendjen zbukurimit të pjesëve të jashtme të trupit duke u përpjekur t’ia fsheh publikut veset që fshihen në trup.

 

Parimi i tretë

 

Zemra është kryesuesja e të gjithë pjesëve të tjera të trupit, të cilat i binden zemrës siç i binden vartësit udhëheqësit. Nëse udhëheqësi ose mbreti është në rrugë të drejtë edhe vartësit rrjedhimisht do të ndjekin rrugën e drejtë. Profeti (a.s.) ka thënë: “Në trupin e njeriut gjendet një pjesë mishi, nëse ajo është e shëndoshë i gjithë trupi është i shëndoshë, por nëse ajo prishet i gjithë trupi prishet gjithashtu. Kjo pjesë mishi është zemra.

 

Përmirësimi i gjithë trupit varet nga zemra. Për këtë arsye përmirësimi i zëmrës është një detyrë me lartë se të tjerat.

 

Parimi i katërt

Zemra është depozituesja e gurëve të çmuar shpirtërorë ku më i rëndësishmi prej tyre është “njohja e Allahut (xh.sh.), e cila është mjet për fitimin e suksesit dhe përparimit në të dy botët. Zemra është ajo gjë përmes së cilës njeriu i garanton vetes një vend nderi tek Zoti. Një tjetër dhunti fisnike që ka lidhje me zemrën është edhe “pastërtia e qëllimit (nijetit)” në adhurim dhe devotshmëri. Nga “sinqeriteti i qëllimit” varet dhënia e shpërblimit apo dënimit. Gurët e tjerë të çmuar që kanë lidhje me zemrën janë dija dhe urtësia, të cilat janë shenja të dinjitetit dhe përsosmërisë njerëzore, sjelljes së mirë dhe karakterit të lartë. Sjelljet e hijshme e pajisin njeriun dhe madhështi dhe superioritet. Unë kam folur në lidhje me këto çështje në librin tim “Urtësitë në çështjet fetare”. Meqenëse zemra është depozita e kaq shumë gurëve të çmuar atëherë ajo duhet ruajtur nga të gjitha vuajtjet dhe shkatërrimet në mënyrë që ajo të mbetet e shpëtuar dhe e shëndoshë nga të gjitha dëmet dhe sulmet e liga.

Parim i pestë

Kur mendoj thellë për realitetin e zemrës si shqisë shpirtërore kuptoj gjithnjë e më shumë se ajo zotëron pesë aspekte që nuk gjenden në asnjë pjesë tjetër të trupit. Këto janë si më poshtë:

  1. Armiku përpiqet gjithnjë të kequdhëzoj zemrën. Ajo është një vatër frymëzimi si dhe synim i pëshpëritjeve të shejtanit. Engjëlli dhe Shejtani që të dy përpiqen të bëjnë për vete zemrën.
  2. Zemra nuk gjen asnjëherë qetësi absolute. Si urtësia ashtu edhe epshet e sulmojnë atë me armët e tyre në çdo kohë. Në këtë mënyrë ajo është shndërruar në një fushëbeteje për dy. Për këtë arsye është e nevojshme që të kufizosh çdo armik brenda limiteve të tyre duke ushtruar kontroll të rreptë dhe vigjilencë.
  3. Zemra mbetet gjithnjë e rrethuar me pengesa dhe gardhe të cilat bien mbi të si një breshëri shigjetash. Ky proces është i pandalshëm dhe jashtë mundësive njerëzore për ti dhënë fund atij. Zemra nuk është si syri që mund ta mbyllësh në raste rreziku dhe ta hapësh pasi ai të ketë mbaruar, ajo nuk gjendet në ndonjë vend të paarritshëm apo në vendosur në errësirën e natës në mënyrë që të mbetet e sigurt nga sulmet e armikut. Ajo nuk është si gjuha e cila mbrohet nga dhëmbët dhe buzët. Zemra është pikësynimi i vesveseve dhe mendimeve të ndryshme dhe njeriu nuk ka fuqi ti zmbrapsë ato. Kjo është arsyeja që për të ruajtur zemrën nevojitet një punë dhe përpjekje e madhe, veçanërisht për të kundërvepruar ndaj ideve dhelparake që e sulmojnë atë.
  4. Zemra është shumë e prirur dhe e ndikueshme nga ndryshimi dhe joshja dhe në mënyrë të vazhdueshme ajo është pre e dyshimeve dhe vesveseve të çdo lloji. Zemra në gjuhën arabe quhet “kalb”, që do të thotë ndryshim. Ajo i nënshtrohet ndryshimit minutë pas minute me ide dhe mendime të reja të cilat hynë dhe dalin prej saj. Duke pasur parasysh këtë nëse zemra devijon nga rruga e drejtë atëherë kjo është një gjë shumë serioze. Efekti më minimal i devijimit të zemrës është që ajo anon nga mëkati ndërsa efekti maksimal është vulosja e zemrës. “Përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh dhe një nga mohuesit” (Kuran 38:74). Me fjalë të tjera, Iblisi e kundërshtoi urdhrin e Allahut për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës. “Por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pos dëshirave të veta” (Kuran 7:176). Ai (Ibilisi) u bë fajtor për një krim të urryer për shkak se ndoqi epshet e tija. Në një tjetër ajet kuranor Allahu (xh.sh.) thotë: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet e tyre nga e vërteta, sepse ata nuk e besuan atë (Kuranin) herën e parë. Ne do t’i lëmë ata që të bredhin të verbër në humbje e mosbesim” (Kuran 6:110). Kjo është arsyeja përse njerëzit të cilët zotërojnë thellësi shpirtërore mbeten shumë të kujdesshëm në lidhje me gjendjen e zemrës së tyre dhe janë gjithnjë të gatshëm ta reformojnë atë duke qenë të përunjur dhe të nënshtruar. Në Kuran lexojmë: “Kanë frikë nga Dita kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara” (Kuran 24:37). Uroj që Allahu i Lartësuar të na bëjë të gjithëve të marrim mësim prej këtij ajeti. Problemi në lidhje me reformimin e zemrës është shumë i  rëndësishëm. Në të njëjtën kohë parimet që duhen përvetësuar për të përsosur zemrën janë të rrezikshme dhe të vështira, si dhe në disa raste mund të bëhen shkak për degradimin e saj. Kështu që ne duhet ti njohim këto rreziqe dhe vështirësi në mënyrë që ti shmangim ato gjatë përpjekjes për të reformuar zemrën tonë. Ka shumë mënyra për ta reformuar zemrën dhe ne nuk mund ti përmendim të gjitha në këtë libër. Dijetarët e shquar, gjithsesi, kanë përmendur një pikë të rëndësishme në lidhje me këtë çështje, përfshi nëntëdhjetë e nëntë virtyte për të pastruar zemrën dhe hapat që duhen ndjekur për ti aktualizuar ato.

Përktheu: Rezart Beka

 

Tags: , , , , Last modified: 16/10/2014
Close