Shoaib Malik

Fragment i shkëputur nga Shoaib Malik,  Islam and Science (Islam and Contemporary World Series, no. 2. Sarajevo: Center for Islam in the Contemporary World and Center for Advanced Studies, August 2025), fq. 20-46

Vitet e fundit, fusha e Islamit dhe Shkencës ka kaluar nëpër diversifikime të ndryshme, falë studiuesve nga disiplina të ndryshme, që kanë kontribuar duke u bërë pjesë e një sfere gjithnjë e në rritje kërkimi. Kjo pjesë e punimit nuk ka për qëllim të paraqesë konkluzione përfundimtare, por të rendisë diskutime dhe mundësi kyçe që janë shfaqur në debatet bashkëkohore. Teksa fusha zgjerohet, mendimtarët janë duke eksploruar mënyra të tjera përmes së cilave mendimi islam mund të ndërthuret me kërkimin shkencor, duke shpënë drejt një marrëdhënieje më të pasur dhe më të nuancuar. Në vend që të paraqesë një pikëpamje të vetme e të stabilizuar, pjesa që vijon e punimit tonë do të vërë në dukje disa nga sferat e mëdha të përfshirjes, siç janë për shembull mënyra se si kuptohet veprimi hyjnor, roli i natyralizmit metodologjik, natyra e mrekullive, ashtu si dhe debatet bashkëkohore rreth evolucionit, fizika kuantike, antropologjia teologjike dhe bioetika islame. Këto diskutime mbeten të hapura, me studiues që propozojnë modele, interpretime dhe korniza të ndryshme për të shpjeguar dhe dhënë zgjidhje marrëdhënies së ndërlikuar midis Islamit dhe shkencës moderne.

 

Modelet e Veprimit Hyjnor

Modelet e Veprimit Hyjnor janë korniza teologjike që shqyrtojnë se si Zoti ndërvepron me botën. Në zemër të këtij diskutimi janë dy konsiderata themelore: natyra e Zotit dhe ajo e krijimit. Këto ide formësojnë kuptimin tonë për mënyrën se si agjencia hyjnore kuptohet në marrëdhënie me rendin natyror dhe përvojën njerëzore. E para, natyra e Zotit, shqyrton se si fuqia, dituria dhe prania hyjnore operojnë në botë. Disa tradita teologjike theksojnë se fuqia e Zotit ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme, duke mbikqyrur dhe udhëhequr çdo detaj të krijimit, kurse disa të tjera besojnë se proceset natyrore Zoti i lejon të shpalosen në përputhje me disa ligje të mirëpërcaktuara paraprakisht. Ky diskutim ngre gjithashtu pyetje rreth mrekullive, nëse ato paraqesin një ndërhyrje të drejtëpërdrejtë hyjnore që i shkelin ligjet natyrore, apo nëse ky veprim hyjnor është më fin, duke vepruar në përputhje me këto ligje.

Idea e dytë, natyra e krijimit, përfshin çështjen që ka të bëjë me kuptimin nëse universi, pasi është krijuar, operon i pavarur apo mbetet plotësisht në varësi të furnizimit dhe drejtimit të plotë e të vazhdueshëm të Zotit. Disa perspektiva diktojnë se krijimi ndjek një sistem ligjesh që Zoti i ka krijuar por që te të cilat nuk ndërhyn në mënyrë të vazhdueshme, kurse disa të tjera argumentojnë se bota nuk mund të ekzistojnë apo funksionojë pa vullnetin e vazhdueshëm të Zotit. Larmia e përgjigjeve ndikon në interpretimet teologjike që u japim fatkeqësive natyrore, agjencisë natyrore dhe shtrirjes së kontrollit hyjnor rreth shpalosjes së ndodhive dhe ngjarjeve.

Kur shqyrtojmë se si Zoti ndërvepron me botën, na shfaqet një spektër pikëpamjesh. Nga njëra anë, disa besojnë se Zoti e skicoi universin, e vuri në lëvizje dhe e lejoi të funksiononte i pavarur në përputhje me ligjet natyrore që i përcaktoi. Kjo pikëpamje, që shpesh lidhet me deizmin, e sheh Zotin si një skicues të largët që pasi e krijon, nuk ndërhyn më në krijimin e tij. Një tjetër qëndrim i këtij spektri, propozon se Zoti dhe shkaqet natyrore operojnë së bashku. Ndërkohë që bota ndjek ligjet dhe proceset natyrore, veprimi hyjnor është vazhdimisht i pranishëm, duke i furnizuar dhe udhëhequr këto procese, pa i pezulluar domosdoshmërisht. Kjo perspektivë, agjencinë hyjnore e balancon me parashikueshmërinë e botës natyrore, duke i parë ligjet natyrore si instrumenta nëpërmjet të cilave Zoti vepron në mënyrë të vazhdueshme. Ideja e konkurrencës dikton se Zoti dhe shkaqet natyrore operojnë së bashku. Në fund kemi edhe një qëndrim të tretë, i njohur si okazionalizëm, sipas të cilit shkaqet natyrore nuk kanë ndonjë fuqi apo pushtet real, sepse gjithçka ndodh vetëm për shkak dhe falë vullnetit të Zotit. Në këtë perspektivë, nëse një gjethe bie nga pema, nuk ndodh për shkak të forcës së rëndesës por sepse Zoti dëshiroi që ajo të binte në atë moment të caktuar. Ata çfarë ne perceptojmë si ligje natyrore janë thjesht struktura të veprimit hyjnor, pa asnjë pushtet të pavarur në krijim.

Këta tre modele nuk janë shterues, por gjithsesi paraqesin disa nga qëndrimet kyçe në diskursin rreth veprimit hyjnor. Veç tyre ekzistojnë edhe perspektiva të tjera, ndër të cilat disa ofrojnë disa pikëpamje më të nuancuara, që kombinojnë elemente nga disa modele bashkë. Por për voli studimi, jemi fokusuar vetëm te këto të treja, duke i gjykuar si të mjaftueshme për të ilustruar vijat e përgjithshme të debatit në fjalë. Kështu, çdo perspektivë ngre çështje të rëndësishme: a e përshkruan shkenca mënyrën se si bota operon në të vërtetë, apo thjesht se si Zoti ka zgjedhur të veprojë? A janë mrekullitë përjashtime nga ligjet natyrore, apo vetë këto të fundit janë reflektim i vullnetit të vazhdueshëm të Zotit? Shqyrtimi i këtyre çështjeve na ndihmon që në kuptimin tonë për botën, të marrim në konsideratë si besimin ashtu edhe arsyen.

Të njohim tradita teologjike dhe filozofike është themelore, duke pasur parasysh se këta modele të veprimit hyjnor janë diskutuar gjerësisht si në kontekstin islam ashtu dhe në sfonde më të gjera intelektuale. Disa studiues argumentojnë se konceptet teologjike klasike mbeten të rëndësishme dhe mund të riinterpretohen në dritën e debateve bashkëkohore në fushën e Islamit dhe Shkencës. Disa të tjerë besojnë se kemi nevojë për korniza të tjera mendimi për t’u dhënë zgjidhje sfidave moderne me natyrë shkencore dhe filozofike. Ky debat vazhdon t’i japë formë pyetjes së pyetjeve, se si ta kuptojmë veprimin hyjnor, ku siç e thamë, disa e vënë theksin te distancimi i Zotit nga krijimi, e disa të tjerë theksojnë përfshirjen e Tij të vazhdueshme e të drejtëpërdrejtë në të.

 

Natyralizmi metodologjik

Natyralizmi metodologjik (NM), një parim kyç në shkencë, dikton se shkencëtarët duhet ta shpjegojnë botën përmes shkaqeve natyrore, pa iu referuar të mbinatyrshmes. Idea që qëndron prapa NM-së është se shkenca merret me atë që mund të vrojtohet, matet dhe testohet, pra me gjëra si objektet fizike, proceset natyrore dhe marrëdhëniet shkak-pasojë që ndodhen në botën natyrore. Por përpara sesa të njohim nga pranë NM, është e dobishme ta dallojmë nga botëkuptimi i Natyralizmit Ontologjik (NO), që është një ide e ndryshme por që gjithsesi lidhet me të. NO pohon se gjithçka që ekziston ështe pjesë e botës natyrore – pra nuk ka vend për ndonjë gjë të mbinatyrshme – dhe se realiteti konsiston vetëm në gjëra fizike që qeverisen nga ligje natyrore. Nëse jeni një natyralist ontologjik, ju besoni se nuk ekziston asgjë e mbinatyrshme, si Zoti, engjëjt apo mrekullitë. NO shkon përtej shkencës, për të artikuluar një qëndrim se si funksionon vetë realiteti.

Në dallim nga ai, NM nuk mban ndonjë qëndrim nëse gjërat e mbinatyrshme ekzistojnë apo jo. Përkundrazi, ai thjesht shprehet se, nisur nga qëllimet shkencore, ne duhet t’i përmbahemi shpjegimit të gjërave vetëm përmes shkaqeve natyrore. Kjo do të thotë se kur shkencëtarët studiojnë botën, ata përpiqen të gjejnë shpjegime që përfshijnë ligje dhe procese natyrore, sepse gjëra të tilla mund t’i testojnë dhe vrojtojnë. Kurse NM është praktik. Është si një rregull që shkencëtarët ndjekin: “Nëse nuk mund ta vrojtojmë apo masim, nuk mund ta përfshijmë në shpjegimet tona.” Ai nuk thotë se Zoti apo forcat mbinatyrore ekzistojnë, por i mjafton të artikulojë se shkenca, për nga natyra e saj, fokusohet te bota natyrore.

Në kontekstin e Islamit dhe Shkencës, NO përjashtohet menjëherë sepse bie në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me zemrën e besimeve islame, siç janë ekzistenca e Zotit, e engjëjve dhe mrekullive. Meqë NO pohon se bota natyrore është e gjitha e prekshme, fokusi në përgjithësie është mbi NM. Ekzistojnë dy lloje Natyralizmash Metodologjikë që është e rëndësishme t’i kuptojmë: Natyralizmi i Brendshëm Metodologjik (NBM) dhe Natyralizmi i Përkohshëm Metodologjik (NPM). NBM argumenton se shkenca, për nga natyra, nuk mund të merret kurrë me të mbinatyrshmen sepse natyra e saj është të shohë vetëm drejt botës natyrore. Duke pasur parasysh këtë, NBM sugjeron se shkenca është për nga natyra e kufizuar në studimin e vetëm atyre gjërave që mund të vrojtojmë dhe testojmë, ndaj çdo shpjegim që përfshin të mbinatyrshmen del jashtë kësaj kornize. Por ky është një qëndrim disi i ngurtë. NPM është disi më fleksibël, ngase ai argumenton se shkenca nuk ka nevojë të marrë në konsideratë shkaqet e mbinatyrshme. Ajo shprehet se përgjatë historisë, shpjegimet natyrore kanë funksionuar mirë për të shpjeguar botën, ndaj dhe shkencëtarët nuk kanë kurrfarë nevoje për të marrë në konsideratë edhe shpjegimet rreth të mbinatyrshmes. NPM e lë të hapur mundësinë që nëse një shkak i mbinatyrshëm mund të testohet shkencërisht, ai mund të merret në konsideratë, paçka se diçka e këtillë deri më tani ende nuk ka ndodhur.

Debati midis NO dhe NM (apo NBM dhe NPM) është i rëndësishëm për arsyen se parashtron pikëpyetje rreth limiteve të shkencës dhe atij që mund ta konsiderojmë si një shpjegim legjitim. Disa arsyetojnë se kufizimi i shkencës te vetëm shpjegimet natyrore do të thotë se kësisoj neglizhohen aspekte të rëndësishme të realitetit, veçanërisht në rastet kur besojmë te gjëra si mrekullitë apo ndërhyrjet hyjnore. Të tjerë arsyetojnë se t’u qëndrosh besnik shkaqeve natyrore është thelbësore për të përforcuar bindjen se shkenca duhet të mbetet e fokusuar vetëm te gjërat që mund t’i testojmë dhe vrojtojmë.

Për shembull, në diskutimet rreth fesë dhe shkencës, dikush që beson te NO mund të arsyetojë se shkenca tashmë e ka vërtetuar se nuk ka kurrfarë nevoje për shpjegime të mbinatyrshme. Por në të njëjtën kohë, dikush që mbështet NM mund të arsyetojë se shkenca thjesht e studion botën natyrore, kurse çështjet rreth të mbinatyrshmes ua lë filozofisë apo teologjisë. Për ta mbyllur, Natyralizmi Metodologjik na ndihmon se si ne e kuptojmë botën shkencërisht. Ai u mundëson shkencëtarëve të fokusohen te gjetja e shpjegimeve të besueshme dhe të testueshme e dukurive natyrore, pa u përfshirë në çështjen e ndërlikuar nëse forcat e mbinatyrshme ekzistojnë apo jo.

Mrekullitë

Diskutimi rreth mrekullive natyrshëm rrjedh nga qëndrimet rreth MAD dhe NM, për shkak se ai thellohet në natyrën e ndërhyrjes hyjnore në botë. Në teologjinë islame, mrekullitë zënë një vend qendror, shpesh të para si shenja të fuqisë së Zotit dhe një mënyrë për të vërtetuar vërtetësinë e mesazhit profetik. E megjithatë, koncepti i mrekullive ngre pikëpyetje të thella filozofike dhe teologjike, veçanërisht në dritën e kornizave shkencore moderne. Ato, në traditën islame, në përgjithësi kuptohen si ngjarje të jashtëzakonshme që sfidojnë rendin natyror, të kryera nga Zoti përmes profetëve dhe të dërguarve, si prova të autenticitetit të tyre. Vetë Kur’ani përshkruan mrekulli të ndryshme, siç janë hapja e Detit të Kuq në rastin e Moisiut, shërimi i të sëmurëve nga ana e Jezusit dhe, më i rëndësishmi nga të gjithë, vetë shpallja e Kur’anit, të cilin myslimanët e konsiderojnë një mrekulli të përhershme. Këto ngjarje-mrekulli konsiderohen si ndërhyrje të drejtëpërdrejta hyjnore që i tejkalojnë marrëdhëniet normale shkak-pasojë që i gjejmë në botën natyrore.

Brenda kontekstit të MAD, mrekullitë paraqesin sfida ndaj kuptimeve konvencionale të mënyrës se si Zoti ndërvepron me krijimin. Në modele si konkurrentizmi apo okazionalizmi, mrekullitë mund të shihen si momente kur Zoti përkohësisht alternon strukturat natyrore pa e prishur varësinë e vazhdueshme të krijimit nga vullneti hyjnor. Por megjithatë, për modele si deizmi, që dikton se Zoti nuk ndërhyn pasi vë botën në lëvizje, mrekullitë shndërrohen në problematike, sepse duket se janë në kundërshtim me premisën e mosndërhyrjes. Marrëdhënia midis mrekullive dhe NM e rrit akoma dhe më shumë ndërlikueshmërinë e çështjes. NM gjykon se shkenca, për nga vetë natyra e saj, dukuritë brenda botës natyrore i shqyrton duke përdorur shkaqet natyrore. Sipas NBM, ajo duhet t’i përjashtojë në mënyrë të plotë shpjegimet e të mbinatyrshmes, duke i vendosur kësisoj mrekullitë jashtë sferës së shqyrtimeve shkencore. Për besimtarët kjo paraqet një tension, sepse NBM mrekullitë i trajton ose si të pamundura, ose si të parëndësishme për shpjegimin shkencor, qëndrime që bien në kundërshtim me mësimet fetare që pohojnë realitetin dhe vërtetësinë e tyre.

Një qasje alternative është NPM, e cila lë hapësirë për mundësinë që disa ndodhi, siç janë mrekullitë, mund t’i tejkalojnë shpjegimet natyrore, pa e shkelur parimin se shkenca mund të shqyrtojë vetëm shkaqet natyrore. NPM nuk e mohon mundësinë e mrekullive, por sugjeron se ato gjenden përtej shtrirjes së metodave shkencore. Kjo qasje e pranon se ndërkohë që shkenca mundëson njohje domethënëse rreth funksionalitetit të botës natyrore, mundet nga ana tjetër të mos t’i zotërojë mjetet e nevojshme për t’i shpjeguar dhe vlerësuar plotësisht interpretimet hyjnore. Në mendimin islam, mrekullitë nuk janë thjesht anomali të mbinatyrshme; ato janë shenja të thella të veprimit hyjnor. Por megjithatë, marrëdhënia me shkencën moderne nxit dhe shkakton interpretime të ndryshme. Disa studiues myslimanë qëndrojnë te pikëpamja tradicionale, duke besuar se mrekullitë janë reale dhe se ndodhitë e mbinatyrshme nuk bien ndesh me shkencën, për vetë faktin se ato gjenden jashtë kufijve të njohjes shkencore. Ky qëndrim afrohet më shumë me NPM, duke lejuar kësisoj bashkekzistencën e shqyrtimit shkencor dhe besimit te veprimi hyjnor përmes mrekullive.

Të tjerë, disi më skeptikë ndaj mrekullive, sugjerojnë se qëndrueshmëria dhe konseguenca e ligjeve natyrore nënkupton se mrekullitë ose nuk ndodhin ose janë thjesht ndodhi natyrore që ne nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Kjo qasje, më e afërt me NBM, mrekullitë i minimizon apo i riinterpreton në një mënyrë që të përshtaten me kufijtë e natyralizmit. Për shembull, hapja e Detit të Kuq mund të shihet jo si një pezullim i mbinatyrshëm i ligjeve natyrore, por si një ngjarje natyrore e përcaktuar në mënyrë hyjnore për të ndihmuar Moisiun dhe pasuesit e tij. Kjo pikëpamje rreket të ruajë domethënien teologjike të mrekullive, duke qenë gjithashtu në harmoni me kornizën natyralistike të shkencës. Kjo perspektivë mund të argumentojë se rrëfimet tradicionale të mrekullive janë simbolike apo alegorike, të cilat u shërbejnë qëllimeve teologjike dhe jo atyre historike. Për ta mbyllur, diskutimet rreth mrekullive në kontekstin e Islamit dhe shkencës ilustrojnë një tension më të gjerë midis besimit te veprimi hyjnor dhe themeleve të njohjes shkencore moderne. Për shumë myslimanë, mrekullitë shërbejnë si të dhëna të fuqishme të rolit aktiv të Zotit në botë, duke përforcuar besimin te providenca hyjnore. Në të njëjtën kohë, këto ngjarje sfidojnë kufijtë e asaj çfarë shkenca mund të shpjegojë, duke nxitur debate të vazhdueshme rreth mënyrës se si besimi fetar dhe njohja shkencore duhet të ndërthuren mes tyre, kur vjen puna për të kuptuar të jashtëzakonshmen.

Determinizmi dhe Indeterminizmi

Debati midis determinizmit dhe indeterminizmit është themelor si për shkencën ashtu dhe për filozofinë, veçanërisht në kuptimin e njohjes së natyrës së universit dhe mënyrës se si ai operon. Ai është gjithashtu domethënës në kontekstin e Islamit dhe shkencës, ku çështjet rreth kontrollit të Zotit mbi krijimin, vullnetin e lirë dhe paracaktueshmërisë së ngjarjeve natyrore kanë një rëndësi qendrore. Për ta eksploruar këtë debat, është e rëndësishme të bëjmë dallimin midis mekanikës së Njutonit dhe asaj të kuanteve, duke pasur parasysh se këto dy paradigma shkencore ofrojnë pikëpamje thellësisht të ndryshme sa i përket rendit dhe paracaktueshmërisë së universit.

Mekanika njutoniane, e zhvilluar nga Sër Isak Njuton në shekullin e shtatëmbëdhjetë, është një sistem determinist. Sipas fizikës njutoniane, universi operon si një makinë e mirëstrukturuar, i qeverisur nga ligje të mirëpërcaktuara universale. Nëse ne njohim gjendjen e një sistemi në një moment të caktuar në kohë – si pozicioni apo shpejtësia e objekteve – në parim mund t’i parashikojmë gjendjet e tij të ardhshme me një siguri absolute. Me fjalë të tjera, e shkuara dhe e tashmja përcaktojnë të ardhmen. Pikëpamja deterministe botës natyrore i vesh një nivel të lartë parashikueshmërie, duke sugjeruar se pasi është vënë në lëvizje, universi operon sipas një strukture të ngurtë shkak-pasoje. Natyra deterministe e mekanikës njutoniane ka mundësuar një model të fuqishëm tashmë që prej disa shekujsh, duke i dhënë formë njohjes shkencore dhe duke ndikuar mënyrën se si njerëzit mendojnë rreth botës natyrore. Ajo duket se konfirmon praninë e një universi të karakterizuar nga një rend dhe rregull i jashtëzakonshëm dhe i paracaktuar, që mund të kuptohet plotësisht përmes arsyes dhe vrojtimit. Në kontekstin e Islamit dhe shkencës, një model i tillë mund të afrohet me pikëpamjet teologjike që Zotin e shohin si Krijuesin që ka themeluar një univers të strukturuar që qeveriset nga ligje hyjnore. Por megjithatë, ajo ngre edhe disa sfida teologjike: nëse gjithçka është e parapërcaktuar, çfarë roli luan vullneti i lirë në veprimin njerëzor? A ka vend për ndërhyrje hyjnore apo mrekulli brenda këtij sistemi të përcaktuar?

Sidoqoftë, në fillim të shekullit të njëzet, u shfaq mekanika kuantike, që e sfidoi me themel botëkuptimin determinist. Në nivel subatomik, mekanika kuantike paraqiti një element të indeterminizmit, duke sugjeruar se jo të gjitha ngjarjet në univers janë të paracaktuara. Sjellja e qelizave, siç janë elektronet dhe protonet, drejtohet nga probabilitetet dhe jo nga siguritë. Për shembull, Parimi i famshëm Heisenberg i Pasigurisë, dikton se është e pamundur ta dimë njëherazi pozicionin ekzakt dhe çastin specifik të një thërrmije. Kjo do të thotë se gjendja e ardhshme e një sistemi kuantesh mund të parashikohet vetëm me një probabilitet të caktuar.

Mekanika kuantike kështu paraqet një model që është brendashkrueshmërisht probabilistik dhe jo deterministik. Ky indeterminizëm sugjeron se në nivelet më të thella të realitetit, ekziston gjithmonë një nivel paparashikueshmërie. Për shumëkënd, ky ndryshim ngre pikëpyetje të mëdha rreth natyrës së shkakësisë dhe masën në të cilën universi mund të njihet dhe kontrollohet. Në kuptimin e teologjisë islame, indeterminizmi kuantik mund të duket se ofron një fleksibilitet më të lartë rreth asaj çfarë njeriu mendon rreth veprimit hyjnor dhe vullnetit të lirë, duke qenë se jo gjithçka është ngurtësisht e parashikueshme nga ligjet natyrore. Ai njeh dhe pranon hapësirën në të cilën vullneti i Zotit apo zgjedhjet njerëzore mund të ndërveprojnë me botën natyrore në mënyra që nuk ndjekin struktura të ngurta deterministe. Sidoqoftë, kontrasti midis determinizmit njutonian dhe indeterminizmit kuantik nuk kufizohet vetëm në këto dy korniza shkencore. Për shembull, në fundin e shekullit të njëzet, ishte edhe teoria e kaosit ajo që gjithashtu i sfidoi pikëpamjet e panegociueshme deterministe. Pavarësisht se kjo teori operon brenda sistemeve deterministe (si në mekanikën njutoniane), ajo gjithsesi tregon se disa sisteme të caktuara komplekse, siç janë për shembull strukturat e motit, mund të jenë tejet të ndjeshme ndaj gjendjes fillestare, duke na shpënë drejt rezultateve të paparashikueshme. Kjo shpesh njihet edhe si “efekti flutur,” sipas të cilit ndryshime të vogla mund të kenë pasoja të mëdha e të paparashikueshme. Edhe pse jo indeterministe në kuptimin e kuanteve, kjo teori gjithsesi nënvizon kufijtë e parashikueshmërisë edhe brenda sistemit determinist, duke e ndërlikuar edhe më shumë debatin.

Në diskursin e Islamit dhe Shkencës, debati midis determinizmit dhe indeterminizmit bart një peshë të konsiderueshme teologjike. Teologjia klasike islame është përballur herët me çështjet e kontrollit hyjnor dhe lirisë njerëzore, veçanërisht në diskutimet rreth kaderit (paracaktimit hyjnor) dhe veprimit njerëzor. Modelet deterministe si mekanika njutoniane mund të mbështesin pikëpamje që universin e shohin si të qeverisur plotësisht nga ligjet e mirëpërcaktuara të Zotit, por ato ngrenë gjithashtu pikëpyetje se si këtë vullnet të lirë ta pajtojmë me përgjegjësinë morale. Inditerminizmi kuantik, nga ana tjetër, mund të shihet se na ofron një mënyrë që sovranitetin hyjnor ta pajtojmë me ekzistencën e vullnetit të lirë, duke marrë të mirëqenë një botë në të cilën jo çdo ngjarje apo ndodhi është fikse apo e paracaktuar. Paparashikueshmëria e mekanikës kuantike mund të mundësojë një mënyrë për të menduar rreth veprimit hyjnor nëpërmjet një mënyre që respekton si ligjet natyrore ashtu edhe mundësinë e mrekullive apo ndërhyrjes hyjnore.

Gërshetimi i determinizmit dhe indeterminizmit me shqetësimet teologjike i shton kështu një tjetër shtresë ndërlikueshmërisë së dialogut tashmë mjaftueshëm të gjerë midis Islamit dhe shkencës. Paparashikueshmëria e mekanikës kuantike mund të ofrojë një mënyrë për të menduar rreth veprimit hyjnor nëpërmjet një mënyre që respekton si ligjet natyrore ashtu edhe mundësinë e mrekullive apo ndërhyrjes hyjnore. Anasjelltasi, pikëpamjet deterministe vazhdojnë të ofrojnë një vizion të një universi që karakterizohet nga një rend, rregullsi dhe qëllimshmëri e përsosur, cilësi këto që reflektojnë urtësinë hyjnore. Për ta mbyllur, ky debat nuk vlen vetëm për funksionimin e botës natyrore, por gjithashtu edhe rreth mënyrës se si myslimanët kuptojnë marrëdhënien e Zotit me krijimin dhe shtrirjen e lirisë njerëzore brenda këtij plani hyjnor.

Fizika kuantike

Edhe pse fizikën kuantike e kemi përmendur pak më lart, është e udhës të theksojmë se si Basil Altaie, një studiues i shquar i fushës, shqyrton marrëdhënien midis teologjisë klasike islame (kelamit) dhe fizikës kuantike moderne. Vepra e tij jo vetëm që argumenton se Islami dhe shkenca janë të përputhshme mes tyre, por se teologjia islame mund të kontribuojë në mënyrë aktive te diskutimet shkencore, veçanërisht në të kuptuarit e natyrës së lëndës dhe shkakësisë. Një ndër idetë kyçe që ai përfton nga kelami është ajo e el-xheuher el-fard (therrmija e pandashme). Sipas atomizmit eshari, i gjithë realiteti fizik përbëhet nga blloqe të vegjël e diskretë që nuk mund të ndahen më tej. Këto qeliza ekzistojnë vetëm sepse Zoti i rikrijon vazhdimisht në çdo moment. Idea në fjalë u zhvillua si përgjigje ndaj fizikës aristoteliane, e cila supozonte se lënda mund të ndahej pafundësisht.

Altaie arsyeton se koncepti klasik islam i therrmijes së pandashme i ngjan shumë asaj që ne sot e njohim si mekanika kuantike. Fizika moderne na tregon se në shkallën më të vogël, universi nuk është më pafundësisht i ndashëm, sepse lënda përbëhet nga thërrmija të kuantizuara, që do të thotë se ekziston një limit themelor deri në ç’pikë gjërat mund të zvogëlohen. Kjo është në harmoni me pikëpamjen e kelamit, se realiteti është i përbërë nga njësi diskrete dhe jo nga një lëndë e vazhdueshme. Veç kësaj, mekanikën kuantike ai e lidh me okazionalizmin. Këtë lidhje ai e avancon duke arsyetuar se Zoti jo thjesht e furnizon universin, por e rikrijon në çdo moment. Kjo do të thotë se çdo moment i ekzistencës është në varësi të plotë nga vullneti hyjnor, gjë që përputhet me natyrën probabilistike të mekanikës së kuanteve, në të cilën thërrmijat nuk kanë trajektore fikse e të përcaktuara, por ekzistojnë brenda një game gjendjesh potenciale.

Mekanika kuantike e sfidon pikëpamjen klasike njutoniane se universi ndjek disa ligje fikse e të përcaktuara, duke paraqitur konceptin e pasigurisë: në një nivel të caktuar, ne nuk mund ta parashikojmë plotësisht sjelljen e çdo qelize. Për shembull, Parimi Heisenberg i Pasigurisë tregon se ne asnjëherë nuk mund ta dimë në të njëjtën kohë pozicionin ekzakt dhe momentin specifik të thërrmijës. Altaie sugjeron se kjo pasiguri reflekton rastësinë e vetë krijimit: ashtu siç thërrmijat ekzistojnë brenda një game mundësish përpara se të vrojtohen, po njësoj edhe bota e krijuar qëndron në këmbë për shkak se Zoti zgjedh vazhdimisht ta furnizojë në çdo moment.

Ky rikrijim i vazhdueshëm është në harmoni me doktrinën e ripërtëritjes atomike të kelamit (texhdid el-khalk), e cila konstaton se universi nuk ka një ekzistencë të pavarur e të vazhdueshme, por është pandërprerazi i ripërtërirë nga veprimi hyjnor. Vepra e Altaie sugjeron se kjo pikëpamje teologjike gjen mbështetje te mekanika kuantike, ku realiteti, në nivelin e tij më themelor, është si dinamik ashtu dhe rastësor. Qasja e tij është domethënëse sepse tregon se konceptet teologjike islame nuk janë të tejkaluara apo të parëndësishme. Në vend që thjesht të përpiqet ta përshtasë Islamin me shkencën moderne, ai argumenton se teologjia islame ofron një vëzhgim të vlefshëm që mund të na ndihmojë të kuptojmë çështje të thella filozofike te mekanika kuantike, siç janë natyra e realitetit, shkakësia dhe veprimi hyjnor. Prandaj vepra e tij inkurajon si shkencëtarët ashtu dhe teologët që të përfshihen në një dialog kuptimplotë, në vend që thjesht t’i shohin shkencën dhe fenë si forca kundërshtare mes tyre. Në këtë mënyrë, teologjia islame jo thjesht përshtatet me shkencën moderne, por e pasuron në mënyrë aktive atë, duke i ofruar disa perspektiva të freskëta rreth disa mistereve më të thella të universit.

Evolucioni

Ndoshta diskutimi më intensiv dhe i urryer në fushën e Islamit dhe Shkencës është evolucioni. Kjo jo vetëm për shkak se ky i fundit është një teori e ndërlikuar dhe shumëpërmasore, por gjithashtu edhe pse prek disa aspekte thellësisht domethënëse të teologjisë dhe besimit islam. Evolucioni ngre pikëpyetje rreth veprimit hyjnor, mrekullive, origjinave të njerëzimit dhe marrëdhënies midis shkencës dhe tekstit të shpallur. Në thelb, në teorinë e evolucionit konvergojnë disa nga sferat më sfiduese të debatit në marrëdhënien midis besimit dhe arsyes. Veç kësaj, evolucioni është shndërruar në një pikë fokale, veçanërisht përmes perspektivës së Ateizmit të Ri. Figurat në këtë lëvizje shpesh këtë teori e kanë përdorur si një armë për të sfiduar besimin fetar, duke arsyetuar se ajo ofron një shpjegim natyralistik të origjinave të jetës që nuk lë hapësirë për besimin te krijimi hyjnor. Kjo vetëm se e ka intensifikuar debatin brenda botës myslimane, në të cilin disa teorinë e evolucionit e shohin si një kërcënim të drejtëpërdrejtë për zemrën e doktrinës islame, veçanërisht për aspektet që lidhen me origjinat njerëzore dhe rolin e Zotit si Krijues i të gjithë jetës. Këto tensione e ngarkojnë në mënyrë të posaçme diskutimin, duke e shndërruar jo thjesht në një debat akademik, por në diçka që godet themelet e besimit fetar, identitetit dhe diskursit midis shkencës dhe fesë.

Evolucioni, si një teori shkencore, ofron një shpjegim për mënyrën se si jeta në Tokë ka ndryshuar dhe është diversifikuar me kalimin e kohës. Për ta kuptuar më mirë, le ta ndajmë këtë çështje në tre koncepte kyçe: në ato të kohës së thellë, prejardhjes së përbashkët dhe mekanizmave të evolucionit.

Koha e thellë ka të bëjë me hapësirën e gjerë dhe pothuajse të paimagjinueshme kohore gjatë së cilës evolucioni ka ndodhur. Toka është rreth 4.5 miliard vite e vjetër, kurse jeta ka filluar rreth 3.5 miliard vite më parë. Evolucioni nuk është një proces i shpejtë; ai ndodh gradualisht, përgjatë miliona e ndoshta edhe miliarda viteve. Kjo periudhë e stërgjatë kohe ka mundësuar grumbullimin e ndryshimeve të vogla në organizmat e gjallë, duke shpënë kësisoj në formimin e specieve të reja. Koha e thellë është vendimtare për teorinë e evolucionit, sepse paraqet një kornizë në të cilën kanë ndodhur këto ndryshime të ngadalta dhe graduale, që kanë shpënë drejt diversitetit të jetës që shohim sot.

Prejardhja e përbashkët konsiston në idenë se të gjitha organizmat e gjallë ndajnë një origjinë të përbashkët. Sipas teorisë evolucionare, që të gjitha speciet që ekzistojnë sot kanë rrjedhur nga forma më të hershme jete. Nëse gjurmojmë historinë evolucionare të çdo specieje në të kaluarën sa më të largët, shohim se që të gjitha format e jetës, qofshin njerëz, kafshë, bimë apo edhe mikro-organizma, lidhen mës tyre përmes një paraardhësi të përbashkët. Ky koncept na ndihmon të shpjegojmë ngjashmëritë që shohim midis specieve, edhe pse në ditët tona ato duken tejet të ndryshme.

Mekanizmat e evolucionit shpjegojnë se si këto ndryshime kanë ndodhur me kalimin e kohës. Dy forcat kryesore që i kanë nxitur ato kanë qenë mutacionet e rastësishme dhe përzgjedhja natyrore. Mutacionet janë ndryshime të zakonshme në ADN-në e një organizmi, e ndërkohë që shumë prej tyre nuk kanë ndonjë efekt, disa mund të shpien drejt tipareve të reja, që një organizëm mund ta pajisin me një avantazh në raport me mjedisin ku gjendet. Përzgjedhja natyrore, nga ana tjetër, është një proces nëpërmjet të cilit organizmat me tipare më të mira përshtaten më mirë me mjedisin e tyre, e për rrjedhojë kanë më shumë gjasa të mbijetojnë dhe të riprodhohen. Me kalimin e kohës, këto tipare avantazhuese shndërrohen në më të zakonshme brenda një popullsie. Së bashku, mutacionet mundësojnë lëndën e parë për evolucionin, kurse përzgjedhja natyrore vepron si mekanizmi që përcakton cilët tipare do të trashëgohen. Këta tre parime shkencëtarët i përdorin për të shpjeguar se si speciet ndryshojnë dhe përshtaten me mjedisin e tyre, duke shpënë kështu drejt një jete plot diversitet, që ka evoluar në jetë përgjatë miliarda viteve.

Në diskursin mysliman rreth evolucionit, studiuesit kanë artikuluar qëndrime të ndryshme që i qasen në disa mënyra kësaj teorie shkencore, veçanërisht origjinës njerëzore. Këto pozicione, duke filluar nga refuzimi i menjëhershëm deri te disa qasje disi më integruese, reflektojnë interpretime dhe përparësi të ndryshme teologjike. Katër qëndrimet kryesore të myslimanëve rreth teorisë së evolucionit janë Kreacionizmi, Përjashtimi Njerëzor, Përjashtimi Adamik dhe Jo Përjashtimi.

Kreacionizmi paraqet refuzimin më të drejtëpërdrejtë të teorisë së evolucionit, veçanërisht lidhur me qeniet njerëzore. Mbështetësit e këtij refuzimi besojnë se që të gjitha speciet, përfshirë njerëzit, janë krijuar nga Zoti ashtu siç janë në formën aktuale, pa kaluar përmes ndonjë procesi evolucionar. Kjo perspektivë i ka rrënjët në interpretimet literale të teksteve fetare, siç është Kur’ani, i cili krijimin e Ademit dhe të të gjitha krijesave të tjera të gjalla i përshkruan si akte të menjëhershme të vullnetit hyjnor. Kreacionistët shpesh argumentojnë se teoria evolucionare, veçanërisht idea se njerëzit ndajnë një prejardhje të përbashkët me kafshët, bie në kontradiktë të qartë me këto narrativa skriptuale. Ky pozicion rreket t’i refuzojë zbulimet e shkencës moderne mbi evolucionin dhe mbetet i panegociueshëm në bindjen se qeniet njerëzore dhe të gjitha format e tjera të jetës, janë rezultat i veprimeve të drejtëpërdrejta e të veçanta të krijimit.

Përjashtimi Njerëzor, edhe pse është disi më pranues ndaj evolucionit, për njerëzit ka një status të veçantë. Ky pozicion e pranon zhvillimin evolucionar të të gjitha specieve të tjera, por vlerëson se njerëzit janë krijuar veç, prandaj dhe nuk ndajnë aspak një origjinë të përbashkët me kafshët. Përjashtimi Njerëzor lë hapësirë për mundësinë se Zoti përdori proceset evolucionare për të shkaktuar diversitetin e kafshëve dhe jetës bimore, por këmbëngul se njerëzit janë një krijim i veçantë dhe përjashtim nga zinxhiri natyror. Ky pozicion rreket të pajtojë aspekte të teorisë së evolucionit me mësimet islame, duke ruajtur një kufi të panegociueshëm sa i përket origjinës njerëzore.

Përjashtimi Adamik ngrihet mbi pranimin e evolucionit njerëzor, por ruan statusin e veçantë teologjik të Adamit. Mbështetësit e kësaj pikëpamjeje pranojnë se njerëz apo homini të hershëm mund të kenë evoluar përgjatë proceseve natyrore, por argumentojnë se Adami (dhe Eva) ishte një krijim i veçantë i Zotit. Përjashtimi Adamik, në dallim nga Përjashtimi Njerëzor, lë hapësirë për mundësinë se pasardhësit e Adamit mund të jenë përzierë me hominë të tjerë, duke e vendosur kësisoj Adamin brenda një kornize evolucionare, duke ruajtur gjithsesi krijimin e tij si një akt të veçantë të ndërhyrjes hyjnore. Krijimi i tij shihet si një ngjarje teologjike kyçe, që përfshin një ndërprerje nga proceset pastërtisht natyrore të evolucionit. Ky pozicion hap shtegun për integrimin e teorisë së evolucionit me narrativën Kur’anore, duke ruajtur një rol domethënës për veprimin hyjnor në krijimin e qenies së parë njerëzore.

Kurse të argumentojmë se nuk ka asnjë kontradiktë të brendashkruar e të lindur midis teorisë së evolucionit dhe mësimeve islame, pra të besosh se nuk ka Përjashtim, do të thotë të besosh se narrativat e krijimit të përmendura në Kur’an duhet të kuptohen në mënyrë metaforike apo alegorike. Për mbështetësit e këtij qëndrimi, Zoti përdori evolucionin për të shkaktuar të gjithë diversitetin dhe larminë e jetës. Qëndrimi i Jo Përjashtimit paraqet gjykimin më përfshirës, sepse përkrahësit e tij mbështesin plotësisht idenë se qeniet njerëzore, si të gjitha format e tjera të jetës, janë produkt i evolucionit nëpërmjet një prejardhjeje të përbashkët. Duke arsyetuar se nuk ekziston një kontradiktë e lindur midis teorisë së evolucionit dhe mësimeve islame, ata sugjerojnë se narrativa Kur’anore e krijimit duhet të kuptohet në mënyrë metaforike apo alegorike. Për ta, Zoti përdori evolucionin për të shkaktuar të gjithë diversitetin dhe larminë e jetës. Udhëzimi dhe vullneti i Zotit shihen se kanë operuar përmes proceseve natyrore dhe evolucioni kuptohet si një manifestim i rendit hyjnor. Kjo pikëpamje thekson fleksibilitetin dhe aftësinë e teologjisë islame për të mirëpritur në gjirin e saj dijen shkencore, duke propozuar se feja mund të zhvillohet krahas zbulimeve të reja, pa e humbur bërthamën e saj shpirtërore.

Secili nga këta pozicione reflekton një mënyrë të ndryshme qasjeje ndaj tensionit midis teologjisë islame dhe kuptimit shkencor të origjinës njerëzore. Debati i vazhdueshëm brenda botës myslimane rreth evolucionit e vë theksin mbi larminë e mendimit se si ta pajtojmë më së miri besimin fetar me shkencën moderne, veçanërisht sa i përket krijimit dhe unicitetit të qenieve njerëzore.

Antropologjia teologjike

Antropologjia Teologjike, një nga zhvillimet më të reja në fushën e Islamit dhe Shkencës, është studimi i natyrës njerëzore dhe unicitetit të saj në raport me Zotin dhe krijimin nga një perspektivë teologjike. Ajo u shfaq teksa avancimet e fundit në fusha të caktuara shkencore i sfiduan teologët të merreshin me çështje të reja dhe komplekse rreth natyrës njerëzore dhe vendit të saj në univers. Ajo shtron pyetje themelore si për shembull: Çfarë do të thotë të jesh njeri? Çfarë i bën njerëzit të ndryshëm nga krijesat e tjera? Në teologjinë islame, njerëzit konsiderohen kulminacioni i krijimit të Zotit, të pajisur me arsye (‘aql), vullnet të lirë (ikhtiyar) dhe një status të veçantë si mëkëmbës (khalifa) në Tokë. Kur’ani e thekson këtë rol unik, duke këmbëngulur mbi aftësinë njerëzore për gjykim moral, përgjegjësi dhe rritje shpirtërore. Kryesore për antropologjinë teologjike islame është koncepti se njerëzit janë krijuar nga Zoti për një qëllim të caktuar, e që është ai i adhurimit dhe nënshtrimit ndaj Tij, ashtu si dhe janë të pajisur me cilësitë fizike dhe shpirtërore që i dallojnë nga pjesa tjetër e krijimit.

Teksa zhvillimet shkencore dhe teknologjike vazhdojnë të përhapen, nuk janë të pakta fushat që paraqesin sfida apo thërrasin për një riinterpretim të këtij kuptimi klasik. Midis tyre mund të përmendim evolucionin, Inteligjencën Artificiale dhe mundësinë e inteligjencës jashtëtokësore, të cilat kanë paraqitur ndërlikime të reja për antropologjinë teologjike islame.

Evolucioni paraqet një sfidë serioze, sepse vë në pikëpyetje kuptimin tradicional të origjinës njerëzore. Ndërkohë që mësimet islame vlerësojnë se njerëzit janë krijuar drejtëpërsëdrejti nga Zoti, ai beson se njerëzit ndajnë një prejardhje të përbashkët me speciet e tjera, nëpërmjet proceseve biologjike që kanë ndodhur në rrjedhën e miliona viteve. Ky tension ngre pikëpyetje të thella teologjike. Për shembull, nëse njerëzit kanë evoluar nga specie më të hershme, si ta pajtojmë këtë me konceptin Kur’anor se ata janë krijuar në mënyrë të veçantë pikërisht nga Zoti? Për më tepër, çfarë do të themi për statusin e mëkëmbësit (kalifes) nëse paraardhësit tanë ishin pjesë e një mbretërie kafshësh? Në veçanti, idea se tiparet njerëzore si arsyeja dhe agjencia morale mund të jenë zhvilluar në mënyrë graduale, e sfidon pikëpamjen se këto cilësi kanë qenë të lindura dhe të veçanta që nga fillimi.

Inteligjenca Artificiale, një zhvillim më i vonë, paraqet gjithashtu disa sfida domethënëse për antropologjinë teologjike islame. Teksa programet e kësaj Inteligjence po shndërrohen në gjithnjë e më të sofistikuara, disa kanë ngritur pikëpyetjen se a do të munden ato një ditë të ushtrojnë cilësi të jashtëzakonshme, si ato të arsyetimit, vendimmarrjes dhe gjykimit moral, të cilat gjithmonë janë parë si tradicionalisht njerëzore. Teologjia islame, intelektin dhe vullnetin e lirë historikisht i ka parë si cilësi të lindura e të dhëna nga Zoti, që i dallojnë njerëzit nga kafshët dhe qeniet e tjera. Por Inteligjenca Artificiale i sfidon teologët duke u imponuar pyetjen: Nëse makinat mund të kopjojnë aftësitë konjitive njerëzore, si do ta përkufizojmë unicitetin njerëzor? A mundet një makinë që proceson të dhëna dhe merr vendime në mënyra të ndërlikuara dhe të ngjashme me ato të njeriut, të mund të konsiderohet moralisht përgjegjëse dhe shpirtërisht e besueshme? Edhe pse Inteligjenca Artificiale nuk zotëron një shpirt apo një vetëdije në mënyrën se si i zotërojnë njerëzit këto cilësi, apo së paku deri në masën që shtrihen konceptet tona aktuale, aftësitë e saj gjithnjë e më të mëdha kërkojnë një rivlerësim të asaj çfarë do të thotë të jesh njeri në një botë ku makinat mund të pasqyrojnë sjellje të ngjashme me ato njerëzore.

Inteligjenca jashtëtokësore është një tjetër fushë që e sfidon antropologjinë teologjike islame. Nëse jeta inteligjente do të gjendej diku tjetër në univers, do të vinte në pikëpyetje rreth statusit të veçantë dhe unik të njerëzve brenda krijimit. Kur’ani flet për gjerësinë e kozmosit dhe larmisë së krijimeve të Zotit, që disa studiues i ka shtyre të sugjerojnë se ekzistenca e qenieve të tjera të ndjeshme është e mundshme brenda teologjisë islame. Gjithsesi, zbulimi i jetës inteligjente jashtëtokësore do t’i detyronte teologët ta rivlerësonin rolin e njerëzimit si kalifi i zgjedhur i Zotit në Tokë. Nëse do të ekzistonin, a do të kishin këto qenie të tjera përgjegjësitë e tyre morale dhe shpirtërore? Si do të përshtateshin me planin hyjnor dhe cila do të qe marrëdhënia midis njerëzve dhe këtyre krijesave inteligjente? Pyetje të tilla antropologjinë teologjike e shtrijnë përtej planetit Tokë dhe sfidojnë kufijtë e unicitetit njerëzor.

Në secilin nga këta raste, sfida thelbësore ndaj antropologjisë teologjike islame konsiston në ripërkufizimin e asaj çfarë njerëzit i bën të veçantë në një univers që përherë e më shumë duket se popullohet nga forma të tjera inteligjence, qofshin ato natyrore apo artificiale. Këto debate na ftojnë që të bëhemi pjesë e një përfshirjeje më të thellë me konceptet e teologjisë klasike dhe të reflektojmë rreth mënyrës se si mund të përshtaten për të qenë të vlefshme për realitetet e shkencës dhe teknologjisë moderne.

Bioetika islame

Fusha në zhvillim dhe komplekse e bioetikës islame kërkon që sfidat etike të paraqitura nga biomjekësia moderne të zgjidhen brenda kornizës së të drejtës dhe teologjisë islame. Teksa teknologjitë mjekësore përparojnë me shpejtësi, çështje si transplantet e organeve, inxhinieria gjenetike, teknologjitë riprodhuese dhe përkujdesja për dhënien fund të jetës janë shndërruar në kryesore në debatet e zhvilluara në botën myslimane. Duke u pasuruar si nga burimet klasike islame ashtu dhe nga dituria bashkëkohore, kjo fushë rreket të shqyrtojë mundësitë e zbatimit të parimeve fetare në realitetet e reja mjekësore, me qëllim që të ruhet dinjiteti njerëzor, të ekuilibrohen detyrimet morale dhe të respektohet shenjtëria e jetës.

Në zemër të bioetikës islame gjenden koncepte kyçe që derivojnë nga Kur’ani, Suneti (thëniet dhe praktikat e Profetit Muhamed) dhe jurisprudenca shekullore islame (fikhu). Këto burime mundësojnë parime etike që udhëzojnë zgjedhjet që duhen bërë në dritën e sfidave biomjekësore. Prej tyre mund të përmendim maslahanë (konsideratën e dobisë dhe interesit publik), darurën (domosdoshmërinë), makasid al-shari’a (objektivat e të drejtës islame) dhe masat parandaluese (sadd al-dhari’a). Këta parime përcaktojnë rregullat rreth disa çështjeve komplekse, ndërkohë që tregojnë njëfarë fleksibiliteti në disa të tjera, në varësi të kontekstit. Një ndër temat më të debatuara në bioetikën islame është lejueshmëria e teknologjive riprodhuese si fertilizimi in-vitro, surrogacia dhe shqyrtimi gjenetik. Dëshira për pasardhës në traditën islame është diçka që theksohet dhe mungesa e lindshmëria shpesh për çiftet myslimane shihet si një sfidë e thellë. Përdorimi i fertilizimit in-vitro është përgjithësisht i lejuar, për aq kohë sa ndodh përmes lëndës gjenetike të bashkëshortit dhe bashkëshortes. Megjithatë, surrogacia, veçanërisht në rastet kur përfshin një palë të tretë, është diçka që refuzohet gjerësisht, para së gjithash për shkak të gjenealogjisë (nasabit) dhe përçarjes potenciale të strukturave të familjes, gjëra këto themelore për të drejtën islame. Shqyrtimi dhe modifikimi gjenetik janë gjithashtu dukuri që ngrenë dilema jo të pakta. Diagnoza gjenetike e pre-implantimit (PGD) shpesh pranohet, me kushtin që të ndalohet kalimi çrregullimeve gjenetike serioze. Por shqetësime të mirëfillta ngrihen rreth përdormit të teknologjive të tilla për qëllime jomjekësore, siç janë tiparet e përzgjedhura si inteligjenca apo gjinia. Dijetarët detyrohen të gjejnë ekuilibrin midis dobive potenciale të modifikimit gjenetik dhe rreziqeve që mos të ndërhyhet te krijimi i Zotit (khalk Allah).

Përkujdesja për çështjen e dhënies fund të jetës është një tjetër sferë ku dijetarët diskutojnë lejueshmërinë e heqjes dorë nga aparaturat dhe trajtimet që e mbajnë në jetë pacientin në rastin e sëmundjeve të pashërueshme. Parimet islame e theksojnë shenjtërinë e jetës, e për rrjedhojë pozicioni bazë është ruajtja e saj me çdo kusht kur është e mundur. Megjithatë, jurisprudenca islame lë hapësirë për një kuptim më të nuancuar dhe jo aq bardhë e zi të dallimit midis zgjatjes së jetës dhe zgjatjes së procesit agonizues të vdekjes. Shumë dijetarë argumentojnë se nëse trajtimi mjekësor shndërrohet në të kotë dhe vetëm se i shton vuajtjet e pacientit, është e lejueshme që pacienti të lejojë që vdekja t’i vijë në mënyrë natyrore. Përdorimi i teknologjive si ventilatorët, tubat ushqyes dhe masa të tjera që mbështesin jetën, vlerësohet në raport me cilësinë e jetës që ato mundësojnë dhe gjasat e shërimit. Në shumë rregulla islame, ajo që ka rëndësi është nëse trajtimi e mbron jetën (hifz al-nafs) apo zgjat vuajtjen pa asnjë nevojë. Sidoqoftë, eutanazia apo vetëvrasja e vullnetshme, janë plotësisht të ndaluara në të gjitha shkollat juridike islame.

Transplantimi i organeve është një tjetër fushë që ka provokuar diskutime të gjera bioetike. Në fillim ishin të shumtë juristët islamë që e kundërshtuan këtë praktikë, nisur nga shenjtërimi i trupit njerëzor, veçanërisht pas vdekjes. Por sidoqoftë, shuma e dijetarëve të ditëve tona, veçanërisht ata që janë pjesë e këshillave të gjera islame si Akademia e Fikhut, e lejojnë atë në disa kushte të caktuara. Këto kushte përfshijnë ato ku arsyetohet me domosdoshmërinë e ruajtjes së jetës, me garancinë që personit dhurues nuk i bëhet asnjë dëm, ashtu si dhe duke marrë pëlqimin e familjes së këtij të fundit. Kurse sfera ku palët ndahen është përkufizimi i vdekjes. Dijetarët myslimanë kanë debatuar nëse vdekja e trurit mundet apo jo të konsiderohet e vërtetë në përputhje me të drejtën islame, në një kohë kur përkufizimet tradicionale të vdekjes janë ato që dëshmojnë ndalimin e rrahjeve të zemrës dhe frymëmarrjes. Ndërkohë që disa dijetarë vdekjen e trurit e kanë pranuar si legjitime, të tjerët kanë argumentuar se proceset fizike të trupit, si rrahja e zemrës, duhet gjithashtu të pushojnë së funksionuari që vdekja të shpallet përfundimtare.

Kufijtë etikë të inxhinierisë gjenetike dhe klonimit janë më pak të stabilizuar në bioetikën islame, duke pasur parasysh shfaqjen relativisht të vonë të këtyre teknologjive. Në përgjithësi, dijetarët janë të kujdesshëm rreth një procedure të tillë, veçanërisht kur bëhet fjalë për alternimin e gjeneve njerëzore apo krijimin e organizmave gjenetikisht të modifikuar (GMO-të). Qëllimi kryesor në këtë mes është ruajtja e dinjitetit njerëzor dhe të sigurohet se ndërhyrja njerëzore nuk i tejkalon prerogativat hyjnore. Dijetarët ndahen mes tyre midis ndërhyrjeve terapeutike që kanë për qëllim të korrigjojnë defektet gjenetike dhe atyre që synojnë zgjerimin e disa tipareve të caktuara njerëzore, të cilat shpesh shihen si problematike. Klonimi, veçanërisht ai njerëzor, nga dijetarët myslimanë shihet gjerësisht si një shkelje e rendit natyror të krijimit. Frika është se kjo nismë mund të shpjerë në pasoja të paparashikueshme që shkatërrojnë strukturat familjare dhe identitetin njerëzor, shenjtëri këto të rrënjosura thellë në etikën islame.

Bioetika islame operon brenda një konteksti global dhe shumëdisiplinor. Këshilla të ndryshëm të fiqh-ut dhe organe bioetike, si Akademia Islame e Fikhut (një organ në varësi të Organizatës së Bashkëpunimit Islam), diskutojnë rregullisht për shqyrtimin e çështjeve bioetike. Këto këshilla shpesh bashkëpunojnë me mjekë profesionistë, shkencëtarë dhe ekspertë ligjorë për të zhvilluar udhëzime që reflektojnë vlerat e të drejtës islame në zgjidhjen e çështjeve mjekësore bashkëkohore. Arabia Saudite, Irani, Malajzia dhe shtete të tjera e kanë përfshirë në sistemet e tyre shëndetësore bioetikën islame, gjë që ka ndikuar si në politikat shëndetësore ashtu dhe në specifikat ligjore. Për shembull, dijetarët fetarë të Arabisë Saudite kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në hartimin e politikave rreth transplantimit të organeve dhe shëndetit riprodhues, duke u siguruar së këto fusha të mbeten brenda kufijve të parimeve islame.

Në kontekstet perëndimore, ku myslimanët shpesh janë pakica, ka një kërkesë gjithnjë e në rritje për kornizat bioetike, që t’i respektojnë si kufijtë fetarë ashtu dhe ata sekularë. Bioeticienë myslimanë si Aasim Padela dhe Mansur Ali, ndër të tjerë, kanë kontribuar në mënyrë domethënëse për t’i bashkuar këto dy botë, duke kërkuar dhe përkrahur politika që i respektojnë normat islame, edhe në rastet kur diskutimet rreth bioetikës shtrihen në sfera të reja. Konferencat, iniciativat kërkimore dhe buletinet akademike ofrojnë platforma ku bioetika islame diskutohet në nivelet e forumeve globale, duke ofruar një mënyrë për dijetarët dhe mjekët myslimanë t’u japin drejtim ndërlikimeve morale të biomjekësisë. E ardhmja e bioetikës islame me gjasa ka për ta zhvilluar edhe më shumë bashkëpunimin midis dijetarëve fetarë, profesionistëve të fushës mjekësore dhe bioeticienëve.

Një nga sfidat e vazhdueshme në këtë mes është balancimi i traditës me panoramën gjithnjë e në zhvillim të teknologjisë mjekësore. Teksa përparime si CRISPR, Inteligjenca Artificiale në përkujdesjen shëndetësore dhe biologjia sintetike zënë gjithnjë e më shumë hapësirë, dijetarët myslimanë përballen me detyrimin për të përcaktuar se si kufijtë e etikës klasike t’i përshtasin në skenarë të paprecedent. Kjo nuk kërkon vetëm interpretimin e teksteve ligjore, por edhe bashkëpunimin me ekspertë mjekësorë, me qëllim që të kuptohen plotësisht implikimet e teknologjive të reja.

Veç kësaj, ekziston edhe një dialog në rritje rreth rolit të bioetikës islame në diskutimet rreth bioetikës globale. Teksa çështjet bioetike shndërrohen në më të ndërlidhura mes tyre, dijetarët myslimanë po përfshihen përherë e më shumë me kornizat e gjera etike, të tilla si Deklarata Universale mbi Bioetikën dhe të Drejtat Njerëzore, për të gjetur gjuhën e përbashkët pa humbur shenjestrën nga vlerat islame. Bioetika islame mbetet një fushë në zhvillim, por që rëndësia e së cilës është e pamohueshme. Teksa shoqëritë myslimane vazhdojnë të përballen me dilema të ndërlikuara bioetike, nevoja për përfshirje kuptimplotë dhe të mirëmenduar si me traditën islame ashtu dhe me shkencën moderne vetëm do të rritet. E ardhmja e bioetikës islame me gjasë ka për të zhvilluar një bashkëpunim më të madh midis dijetarëve fetarë, profesionistëve mjekësorë dhe bioeticienëve, duke siguruar kësisoj që udhëzimi etik mbetet i rëndësishëm në epokën e ndryshimit të shpejtë teknologjik.

Përfundime

Kjo përmbledhje e shpejtë e panoramës bashkëkohore tregon se sa në të larmishme dhe dinamike është shndërruar fusha e Islamit dhe Shkencës, me studiues që trajtojnë çështje që variojnë nga fizika dhe etika teorike deri te evolucioni, jeta jashtëtokësore dhe interpretimi i mrekullive Kur’anore. Ndërkohë që ajo vazhdon të rritet, shkak për këtë është edhe mbështetja që ajo merr nga një infrastrukturë e fortë intelektuale.

Një pjesë kyçe e këtij zhvillimi është zgjerimi i burimeve të posaçme akademike. Botimi i kolanës Elementët në Islam dhe Shkencë nga shtëpia botuese e Universitetit të Kembrixhit, seria e parë e mikrografeve të dedikuara fushës, ofron studime konçize dhe të aksesueshme që nxisin debate kyçe dhe diskutime përherë e më të shumta. Ndërkohë, Palgrave Macmillan ka bërë publike serinë e parë dhe të plotë monografike dhe enciklopedinë mbi Islamin dhe Shkencën, duke mundësuar një trajtim të thellë studimor të temave madhore e duke shërbyer si një referencë themelore për studiuesit. Këto iniciativa shënojnë një hap domethënës në themelimin e Islamit dhe Shkencës si një sferë e mirëfilltë kërkimi, duke siguruar kështu që studiuesit të kishin një infrastrukturë të domosdoshme akademike për ta zhvilluar më tej fushën në fjalë.

Por megjithatë, pavarësisht këtyre përparimeve, mbështetja institucionale për Islam dhe Shkencë mbetet mbetet jo e duhura. Fusha më e gjerë e Shkencës dhe Fesë, formësuar kryesisht nga shqetësimet e krishtera teologjike që prej viteve 1960, ka përfituar nga një infrastrukturë e mirartikuluar akademike, përfshirë qendra të dedikuara kërkimore dhe tekste të shumta gjithëpërfshirëse. Si Qendra Ramsey në Universitetin e Oksfordit ashtu dhe Universiteti i Edinburgut janë shfaqur si mjedise drejtuese për kërkimin në fushën e Shkencës dhe Islamit, duke mundësuar hapësira për bashkëpunim akademik me atë të Islamit dhe Shkencës. Sidoqoftë, Edinburgu ka shënuar një hap domethënës jo vetëm në pëfshirjen e Islamit dhe Shkencës në programin shkencor të Shkencës dhe Fesë – i ofruar si online ashtu dhe nëpër auditore – por edhe duke mundësuar mbikqyrje akademike për programe doktorale në fushën në fjalë. Kjo shënon një zhvillim madhor në rritjen institucionale të fushës, duke mundësuar që studiuesit e ardhshëm të kenë akses në trajnime të strukturuara akademike në Islamin dhe Shkencën, në nivele vërtet të avancuara.

Teksa fusha vazhdon të rritet, sfida për t’u kapërcyer mbetet thellimi në përfshirjen si në traditat teologjike islame ashtu dhe në shqyrtimin shkencor bashkëkohor, duke mbushur hendeqet midis diturisë historike, mendimit shkencor modern dhe realiteteve të bashkësive myslimane. Ndërkohë që Islami dhe Shkenca është ende në procesin e përcaktimit të kufijve, infrastrukturës akademike, njohjes institucionale dhe trupës diturore, gjasat janë se ka për t’u shndërruar në një sferë përherë e më të gjallë studimi brenda diskursit më të gjerë të shkencës dhe fesë.

Përktheu: Klajd Bylyku

 

 

 

 

Tags: , , , , , , Last modified: 29/03/2026
Close