Ibn Ataullah el-Skenderi

 

Burimi: Ibn Ataullah al-Sekenderi, “Sufism for Non-Sufis?: Ibn ’Ata’ Allah al- Sakandari’s Taj al-’Arus”, trans. Sherman Jackson (Oxford: Oxford University Press, 2012)

 

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të të gjithë qenies dhe ardhjes në ekzistencë. Përshëndetjet e Tij qofshin mbi Muhamedin tonë shembullor, familjen e tij dhe mbi të gjithë sahabët. Ky është libri, “Taxh el-Arus: udhëzime për rafinimin e vetvetes”, nga Shehu, Imami dhe bashkuesi i dy shkencave, sheriatit (i cili rregullon sjelljen e jashtme) dhe hakikatit (i cili adreson realitetin e brendshëm) Taxh el-Din Ebu el-Abbas Ahmed b. Ataullah el-Sekenderi, Zoti e mëshiroftë! Dhe bekimet dhe përshëndetjet e Tij qofshin mbi Muhamedin tonë shembullor dhe të gjithë sahabët e tij. Amin.

O robërit e Allahut, kërkoni në çdo kohë nga Allahu frymëzimin dhe fuqinë për t’u penduar. Në të vërtetë, Zoti ju ka ftuar në këtë, duke thënë: “Dhe pendohuni Zotit, të gjithë ju, O Besimtarë, mbase mund të keni sukses.” [24:31] Dhe Ai tha, “Me të vërtetë Zoti i do ata që pendohen vazhdimisht, dhe Ai i do ata që pastrojnë vetveten”. [2: 222] Dhe Profeti tha: “Në të vërtetë, i pendohem Zotit shtatëdhjetë herë në ditë”.

Tani, nëse dëshiron të arrish pendimin, në asnjë moment të jetës nuk duhet të privohesh nga reflektimi. Reflekto për ato që ke bërë gjatë ditës. Nëse e sheh se i je bindur Allahut, falënderoje Zotin për këtë. Nëse e sheh se ke qenë i pabindur, qortoje veten, kërkoji Allahut falje dhe drejtoju Atij me pendim (teube). Në të vërtetë, nuk ka audiencë më të dobishme me Zotin se sa ajo në të cilin je kritik ndaj vetes. Por mos e qorto veten duke qenë në gjendje gazi dhe të qeshure. Përkundrazi, qortoje veten duke qenë në një gjendje serioziteti dhe ndershmërie, duke qenë i ngrysur, me një zemër të rëndë, kokëulur dhe i turpëruar. Nëse e bën këtë, Zoti do ta zëvendësojë trishtimin me lumturi, turpërimin me dinjitet, errësirën që të ka përfshirë me nur, si dhe velin që të pengon shikimin e brendshëm me zbulim shpirtëror (keshf).

Në bazë të autoritetit të Sheh Makin el-Din el-Esmer (vd. 692/1293), i cili ishte një nga shtatë kutbet: “Në fillim të të jetës sime, kam pas qepur për të siguruar jetesën. I shënoja fjalët e mia gjatë ditës dhe natën e merrja veten në llogari. Zbulova që fjalët e mia ishin të pakta. Kurdoherë që gjeja fjalë të mira, e lavdëroja Zotin dhe e falënderoja. Kur gjeja përveç kësaj, pendohesha para Zotit dhe kërkoja faljen e Tij.” Ai vazhdoi ta bënte këtë derisa u bë kutb, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Dije se nëse ke një agjent që e merr veten në llogari dhe e quan veten përgjegjës, nuk do të kesh nevojë t’i kërkosh llogari, sepse ai e bën atë vetë. Por nëse ai është neglizhent, do ta marrësh në llogari, do ta konsiderosh përgjegjës dhe madje edhe do ta ekzagjerosh çështjen. Në një mënyrë të ngjashme, të gjitha veprimet e tua duhet të ndjekin interesat e Zotit. Dhe nuk duhet të mendosh se do të bësh ndonjë gjë për të cilën Zoti nuk do të të thërras për të dhënë llogari dhe të të konsideroj përgjegjës.

Kur një person kryen një gjynah, kjo shoqërohet me errësirë. Në të vërtetë, mosbindja është si zjarri dhe errësira është tymi i saj. Është si dikush që ndez zjarrin në një dhomë për shtatëdhjetë vjet. A nuk mendon se çatia e asaj dhome do të nxihet? Në të njëjtën mënyrë, zemra është nxirë nga mosbindja. Dhe asgjë nuk e bën atë të pastër përveç pendimit ndaj Zotit. Poshtërimi, errësira dhe të pasurit një perde ndërmjet teje dhe Zotit janë shoqëruese të natyrshëm të mosbindjes. Por kur pendohesh para Zotit, efektet e këtyre mëkateve zhduken.

Neglizhenca nuk mund të gjej asnjë rrugë për tju kapluar përveçse përmes pakujdesisë suaj në ndjekjen e shembullit të Profetit. Dhe nuk do të lartësoheni para Zotit, përveç nëse ndiqni shembullin e Profetit. Tani, ndjekja e shembullit të tij, merr dy forma: të jashtme dhe të brendshme. Forma e jashtme është në çështje të tilla si namazi, agjërimi, zekati, haxhi, xhihadi dhe të ngjashme. Forma e brendshme është që lutja jote të karakterizohet nga një lidhje me Zotin dhe recitimi jot i Kuranit të jetë një soditje rreth Tij. Pra, kur kryen një veprim bindjeje siç është namazi ose recitimi dhe nuk gjen as lidhje e as reflektim, dije që je të prekur nga ndonjë sëmundje e brendshme, qoftë ajo arrogancë, mendjemadhësi ose ndonjë sëmundje e ngjashme. Në të vërtetë, Zoti thotë: “Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogance në Tokë, kështu që edhe kur të shohin çfarëdo shenje, nuk do ta besojnë atë “. [7:146] Në raste të tilla, do të ngjasosh me një person që është i mbështjellë me ethe, në gojën e të cilit sheqeri merr një shije të hidhur. Por (edhe në këtë kontekst), mosbindja në një gjendje turpërimi dhe njohja e nevojës së dikujt për udhëzim është më mirë sesa bindja në një gjendje mendjemadhësie dhe arrogance.

Allahu thotë, në lidhje me thënien e Ibrahimit, Mikut intim të Zotit, mbi të dhe mbi Profetin tonë Muhamed qofshin më të mirat e përshëndetjeve dhe paqes më të plotë, “Ai që më pason mua, është i fesë sime”. [Kuran 14: 36] Kjo nënkupton që kushdo që nuk e ndjek atë nuk është prej tij. Zoti tha, në lidhje me thënien e Nuhut, paqja qoftë mbi të dhe mbi Profetin e përzgjedhur, “Me të vërtetë djali im është nga familja ime”. [Kuran 11: 45] Kësaj Zoti iu përgjigj, ” O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe”. [Kuran 11: 46] Kështu, veprimi i ndjekjes së dikujt e bën ndjekësin sikur të ishte një pjesë e atij që ndiqej, edhe nëse nuk është i lidhur me gjak, siç ishte rasti me Selman el-Farisiun, siç tregohet nga thënia e Profetit: “Selmani është një anëtar i familjes sonë.” Dihet, natyrisht, që Selmani ishte një Persian. Por për shkak të angazhimit të tij për të ndjekur Profetin, Pejgamberi shprehu këto fjalë fisnike për të, në mënyrë që të na udhëzojë në këtë drejtim. Ashtu siç ndjekja e dikujt krijon një lidhje, mungesa e saj rezulton në shkëputje.

Allahu e ka mbledhur tërë mirësinë në një shtëpi dhe e ka bërë çelësin e saj ndjekjen e Profetit. Pra, ndiqni Profetin duke qenë i kënaqur me atë që të ka siguruar Zoti, duke evituar dhe kufizuar kënaqësitë e kësaj bote dhe duke lënë atë që nuk të shqetëson, prej fjalëve dhe veprave. Kujtdo që i hapet dera e ndjekjes së Profetit, kjo është një tregues i dashurisë së Zotit. Në të vërtetë, Zoti thotë: “Thuaj, (O Muhamed) nëse e doni Zotin, atëherë më ndiqni; Zoti do t’ju dojë dhe do t’ju falë mëkatet tuaja. Dhe Zoti është falës, i mëshirshëm. ” [3: 31] Pra, nëse doni të kërkoni tërë mirësinë, thoni, “O Zot, unë të kërkoj dhuratën e ndjekjes së të Dërguarit tënd, në fjalët dhe veprat e tij”. Dhe kushdo që e dëshiron këtë, duhet të braktisë padrejtësinë ndaj shërbëtorëve të Zotit, si për nderin ashtu edhe për prejardhjen e tyre. Në të vërtetë, nëse njerëzit do të gëzonin siguri nga padrejtësitë e njëri-tjetrit, të gjithë do të shpejtonin te Zoti. Por atyre iu është penguar ta bëjnë këtë, si një debitor, lëvizja e të cilit është e kufizuar nga frika e mbledhësve të borxheve.

Dije që nëse do të merrje favoret e një mbreti dhe do të jepej akses i ngushte tek ai dhe më pas dikush, të cilit i ke borxh para, vjen duke ti kërkuar ato, do të bezdiseshe, edhe nëse shuma do të ishte e vogël. Atëherë, si e imagjinon veten kur të vish në Ditën e Gjykimit dhe qindra mijëra njerëz vijnë duke kërkuar dëmshpërblim për shkeljet e ndryshme që ke bërë kundër tyre në mënyrën e marrjes së parave të tyre, duke kundërshtuar nderin e tyre, ose të tjera gabime të tilla? Cila do të jetë gjendja jote?

I pikëlluari me të vërtetë është ai që mëkatet dhe pasionet e tij mishore e shkatërrojnë atë deri në atë pikë sa ta shndërrojnë atë si një pagure bosh. Ky është mjerani patetik ushqimi dhe dëshirat trupore të të cilit nuk janë hiç më shumë se mbushja e tualetit të tij dhe kënaqja e bashkëshortit/es. Kjo do të ishte kështu edhe nëse gjithë kjo do të ishte prokuruar dhe ekzekutuar në mënyrë të ligjshme!

Kështu, stacioni i parë është pendimi. Dhe asgjë që bëhet më pas nuk pranohet në mungesë të pendimit.

Një person i cili merret me sjellje mëkatare është si një tenxhere krejt e re nën të cilën një flakë ndizet për një periudhë kohore, si rezultat i së cilës fundi i saj nxihet. Nëse nxitoni ta lani atë, kjo nxirje do të pastrohet. Por nëse e lë atë dhe gatuan vazhdimisht në të, kjo nxirje do të bëhet pjesë e saj deri në atë pikë sa të zë shtresë dhe larja nuk do të jetë më e dobishme. Pendimi është ai që largon blozën nga zemra, aq sa prej saj shfaqen vepra që bartin aromën e të qenit të pranuara nga Zoti. Prandaj, vazhdimisht drejtoju Zotit me pendim. Dhe nëse e arrini këtë, koha juaj do të shpenzohet mirë. Sepse kjo është një dhuratë nga Zoti që Ai e vendos në këdo që të dëshirojë midis shërbëtorëve të Tij. Një shërbëtor i lodhur, i përulur mund ta arrijë atë ndërsa zotëria e tij jo; një grua mund ta arrijë atë ndërsa burri i saj jo; një i ri mund ta arrijë atë, ndërsa ai i avancuar në vite jo. Pra, nëse e arrini pendimin, (ta dini se) Zoti ju ka bërë juve objektin e dashurisë së Tij, në përputhje me thënien e Tij, “Me të vërtetë Zoti i do ata që pendohen vazhdimisht dhe Ai i do ata që pastrohen.” [2: 222]

 

[…]

 

Por vetëm ai që e di vlerën e një sendi është i lumtur prej tij. Kështu, nëse do të hidhje një smerald në një tufë kafshësh, vështirë se do të preferohej prej tyre. Prandaj vëre: cilit grup i përket? Nëse pendohesh, je ndër të dashurit. Nëse jo, je ndër keqbërësit. Zoti thotë: “Dhe kushdo që nuk pendohet, ata janë ndër keqbërësit”. [49: 11].

Kushdo që pendohet fiton dhe e anasjellta. Mos u dëshpëro, duke thënë: “Sa shpesh pendohem dhe gjithnjë e kundërshtoj pendimin tim”. Sepse i sëmuri shpreson tek të vazhduarit së jetuari për sa kohë që shpirti i tij mbetet në të.

Kur një person pendohet, shtëpia e tij në Xhenet, qiejt, toka dhe (madje) Profeti (a.s.) gëzohen për të. Në të vërtetë, Allahu nuk është i kënaqur [vetëm] nga gjendja jote e të dashuruarit të Tij, por përkundrazi nga gjendja jote e të qenurit i dashuruar nga Ai. Dhe si mund të krahasohet ai që është i dashuruar nga dikush me atë që thjesht dashuron?

Mjerë mbi atë që e njeh mirësinë e Bamirësit por ka këllqe që të mos i bindet Atij. Pastaj përsëri, ai që preferon të mos i bindet Atij nuk e njeh vërtet mirësinë e Tij. Ai që nuk është i ndërgjegjshëm për Të nuk e njeh fuqinë e Tij. Dhe ai që e preokupon veten me tjetër përveç Tij, nuk do të përparojë. Një person i tillë e di se vetja e dërgon drejt shkatërrimit, por përsëri e ndjek. Ai e di që zemra e drejton drejt udhëzimit por, gjithsesi, e kundërshton atë. Ai e njeh staturën e të Vetmit që ai nuk i bindet, por gjithsesi e shfaq mosbindje para Tij. Nëse një person i tillë do të dinte madhësinë e madhështisë së Tij, ai nuk do ta kundërshtonte haptas Atë. Por ai e di se sa i afërt është Zoti i Tij dhe se Ai e sheh atë; megjithatë ai nxiton të bëjë atë që Ai e ndalon. Ai i di efektet e mëkatit, në këtë botë dhe në tjetrën, fshehurazi dhe në mënyrë të dukshme; prapëseprapë ai nuk tregon turp para Zotit të tij. Nëse një person i tillë do ta dinte se ishte në kontrollin e Tij, ai nuk do t’i shkelte hapur urdhëresat e Tij.

Dije se mëkati nënkupton prishjen e besëlidhjes, prishjen e lidhjes së dashurisë dhe preferimin e diçkaje tjetër mbi Zotëriun; kjo nënkupton nënshtrimin ndaj pasionit të padisiplinuar, flakjes së rrobave të modestisë dhe të përballurit në mënyrë mospërfillëse me Zotin duke kryer atë për të cilën Ai nuk është i kënaqur. Pa përmendur këtu efektet jashtme [që kjo mobindje] ka mbi mëkatarin, siç janë shfaqja e lodhjes në gjymtyrë, zbehtësisë në vështrim, letargji në të shërbyerit plot ëmbëlsi [ndaj Zotit], humbja e respektit për të shenjtën, të barturit e një pamjeje të atij që është i konsumuar nga dëshirat mishore, si edhe humbja e kënaqësisë nga veprimet e bindjes.

Sa për efektet e brendshme, këto përfshijnë ngurtësimin e zemrës, intransigjencën e nefsit, ngërçin e kraharorit me dëshira mishore, humbjen e ëmbëlsisë që shoqëron normalisht bindjen, duke u përmbytur nga shpërqendrimet që pamundësojnë flakërimat e ndriçimit shpirtëror dhe ardhjen në fuqi të perandorisë së pasionit të padisiplinuar. Shto këtu edhe shtimin e dyshimeve dhe pavëmendjen ndaj fundit përfundimtar të (secilit) individ dhe thellësive të llogaritjes (që e presin).

Sikur të mos kishte asgjë në mosbindje përveç një ndryshimi të emrit, kjo do të mjaftonte. Kur je i bindur, quhesh nxitës energjik i së mirës; por kur je i pabindur, quhesh nxitës kokëfortë i së keqes. Kjo është çështja në lidhje me ndryshimin e emrit. Sa shumë do të jetë ndryshimi në realitet? Nga ëmbëlsia e bindjes deri tek ëmbëlsia e mosbindjes, nga këndshmëria e shërbimit ndaj Zotit, deri tek shijimi i shërbimit ndaj epsheve mishore. Kjo është çështja në lidhje me ndryshimin në realitet. Sa shumë do të jetë ndryshimi në përshkrim? Pasi të jesh përshkrur para Zotit si një person me cilësi të mira, çështja kthehet mbrapsht dhe përshkruhesh si një person i gjendjeve të liga. Kjo është çështja në lidhje me ndryshimin në përshkrim. Sa shumë do të jetë ndryshimi në gradë? Pasi të kesh qenë ndër të drejtët para Zotit, bëhesh një nga të korruptuarit. Dhe pasi të kesh qenë ndër të devotshmit, do të bëhesh një nga tradhtarët.

Nëse mëkati manifestohet hapur para teje, kërko ndihmën e Zotit dhe riparimin e Tij. Hidh dhé në kokën tënde dhe thuaj: “O Zot, më dërgo nga përulja e mosbindjes drejt nderit të bindjes”. Vizito varret e evlijave dhe njerëzve të mirë dhe thuaj në lutje: “O Më i Mëshirshmi i të Mëshirshmëve”.

A mos është qëllimi yt ta angazhosh nefsin në betejë, ndërsa e forcon atë duke ushqyer dëshirat e e tij trupore deri në pikën që ata tw mbizotërojnë? A je injorant? Zemra është një pemë që ujitet me ujin e bindjes. Frytet e saj janë gjendjet emocionale. Fryti i syrit është vëzhgim i kujdesshëm. Fryti i veshit është dëgjimi i Kuranit. Fryti i gjuhës është kujtimi i Zotit. Dhe fryti i duarve dhe i këmbëve të ecurit në ndjekje të së mirës. Por, kur zemra thahet, këto fruta bien. Prandaj, sa herë që thatësira të rritet, shtoi lutjet tua në përkujtimin e Zotit. Dhe mos u bë si i sëmuri që thotë: “Unë nuk do ta trajtoj sëmundjen time derisa të gjej kurën përfundimtare.” Sepse do të thuhet: “Nuk do ta gjesh kurën përfundimtare derisa të vendosësh ta kurosh sëmundjen tënde”. Nuk ka ëmbëlsi në xhihad; ka vetëm skaje të mprehta të shpatave. Kështu që ndiqeni xhihadin (përpjekjen) kundër vetvetes [në përmirësim të saj]. Ky është xhihadi më i madh.

Dije që një nënë që është në zi nuk ka asnjë arsye për të festuar. Festimi është thjesht për atë që e mposht veten. Nuk ka festë përveçse për atë që vë nën kontroll siç duhet fuqitë e tij. Njëri prej tyre kaloi pranë një manastiri të një murgu dhe e pyeti: “O murg, kur është dita e festimit të këtyre njerëzve?” Ai u përgjigj, “Dita që Zoti i fal ata”.

Kur preokupohesh me veten të në tënde, nuk je ndryshe nga një burrë që e gjen gruan e tij në tavernën e një shitësi të verës, e cila ka sjellë me vete veshjet sensuale dhe gatimet më të mira. Dhe kur ajo nuk arrin ta kryejë namazin, pronari i tavernës e ushqen atë me ushqimin më të mirë dhe kënaqësitë më të mëdha.

Duke jetuar në këtë botë, je si një individ që shkon në një kullotë dhe punon shumë dhe ruan ushqimin baze. Ti mbledh atë që të sjell përfitime këtu dhe tani. Por kur ruan gjarpërinjtë e dëshirës trupore dhe akrepat e mosbindjes, shkatërron veten tënde. Sa injorant që je! Njerëzit i ruajnë elementët kryesorë për kohën e tyre të nevojës, ndërsa ti thjesht ruan atë që të dëmton, domethënë akte mosbindjeje! A sheh ndonjë që sjell gjarpërinj helmues në shtëpinë e tij dhe i rrit? Kjo është ajo që ti bën.

Gjëja më e dëmshme nga të cilat duhet të kesh frikë për veten janë gjynahet e vogla që i nënvlerëson. Sepse mund të vlerësosh peshën e gjynaheve të mëdha dhe të pendohesh për to. Por ti nuk i kushton rëndësi gjynaheve të vogla dhe për pasojë nuk pendohesh për to. Ngjashmëria jote këtu është ajo e një personi që përballet me një luan nga i cili Zoti e shpëton. Pastaj përballet me pesëdhjetë ujqër që e kapin atë. Zoti tha: “Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe”. [Kuran 24: 15] Mëkatet e mëdha (në vetvete) mund të bëhen të papërfillshme falë hirit të Zotit. Por kur vazhdon të bësh një mëkat të vogël, ai bëhet i madh. Helmi, edhe në sasi të vogla, mund të të vrasë. Mëkati i vogël është si një shkëndijë zjarri. Dhe një shkëndijë e vetme mund të djeg një qytet të tërë.

 

 

 

[…]

 

Kushdo që e shpërdoron shëndetin dhe mirëqenien e tij në mosbindje ndaj Zotit, është si një person, babai i të cilit i lë atij një trashëgimi prej një mijë monedhash floriri dhe ai shkon dhe e harxhon atë në gjarpërinj helmues dhe akrepa me të cilët ai vazhdon të rrethojë veten. Njëherë i kafshuar nga gjarpëri e herë tjetër i pickuar nga akrepi, a nuk do ta vrasin (personin) përfundimisht?

Ti harxhon orë të tëra duke shkelur vullnetin e Tij. Je si një hut që rri pezull në kërkim të kufomave të vdekura; kudo që ta gjejë një, zbret mbi të. Përkundrazi, ji si një bletë, e vogël në madhësi, por e madhe në ambicie; mbledh të mira dhe jep të mira.

Për aq kohë sa je zhytur në vendet e mundimit, zhytu tani në dashuritë e Zotit. Ky është realiteti që do t’ju tregojë rrugën. Por mjerisht, ai që është i vdekur si pasojë e gafletit nuk do të dekurajohet nga pengesat. Në të vërtetë, gruaja budallaqe qesh me vdekjen e fëmijës së saj. Në të njëjtën mënyrë, ti largohesh nga të qendruarit zgjuar natën (në adhurim) dhe nga të agjëruarit ditën dhe asnjë nga gjymtyrët e tua nuk ndjen dhimbje. Dhe arsyeja e vetme për këtë është se gafleti të ka vdekur zemrën. Sepse personi i gjallë ndjen dhembje nga çpimi i gjilpërës, ndërsa i vdekuri nuk ndjen dhimbje, edhe nëse do të pritej copash me shpatë. Ti je goditur nga një zemër e vdekur. Kështu, merr pjesë në mexhliset e mençurisë; sepse në to gjenden puhiza Xheneti. Do t’i gjesh në rrugën tënde atje, në shtëpinë dhe lagjen tënde. Pra, mos mungo asnjë seancë, edhe nëse je në një gjendje mëkatare. Dhe mos thuaj, “çfarë përfitimi mund të nxjerr nga marrja pjesë në seanca të tilla, ndërsa unë mbetem i zhytur në gjynah dhe nuk jam në gjendje ta lë?” Shigjetari duhet të vazhdojë të qëllojë! Nëse ai nuk kthehet sot në shtëpi me prenë e tij do të mund ta bëj këtë gjë të nesërmen.

Dije këtë zotëri i mirë: Mosbindja mund të jetë shkak i ndërprerjes së rrizkut; prandaj ki kujdes nga mosbindja. Drejtoju Zotit me pendim. Nëse kërkesa jote pranohet, gjithçka është mirë. Nëse jo, kërkoni ndihmën e Zotit. “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit” [Kuran, 7:23] Dhe mos u bë si ai që bëhet dyzet vjeç dhe asnjëherë nuk ka bërë kërkesë në derën e Zotit.

Gjëja më e frikshme për ty është një fund i keq – Zoti na shpëtoftë nga kjo – për shkak të qelibarit të besimit që po shuhet nga errësira e mosbindjes, d.m.th., gjynah përmbi gjynah pa pendim deri në atë pikë sa zemra është nxirë.

Kujdes nga plogështia në veprat e tua (me rëndësi morale), ndërkohë që je i përpiktë në zgjedhjen e atyre indulgjencave të lezetshme që thjesht mbushin tualetin tënd. Ki kujdes nga vetja që është midis dy ijëve të tua; sepse ajo mbledh gjëra kundër teje, duke refuzuar të largohet nga ty deri në vdekje. Edhe Shejtani, nga ana tjetër, të lë gjatë muajit të Ramazanit, kur shejtanët janë lidhur me zinxhirë. Por, do të zbulosh se njerëzit vrasin dhe vjedhin gjatë këtij muaji. Kjo, megjithatë, është si pasojë e nefist (vetes). Prandaj, sa herë që priresh drejt mosbindjes, kujtoje nefsin për ndëshkimin e Zotit dhe shkëputjen nga Zoti që rezulton prej saj. Në të vërtetë, mjalti i helmuar braktiset, megjithë njohurinë e dikujt për ëmbëlsinë e tij, për shkak të dëmit që ai sjell.

Siç thoshte Profeti, “Jeta e kësaj bote është e ëmbël dhe e harlisur”, dhe në një transmetim tjetër, “një kufomë e kalbëzuar”. Është e ëmbël dhe e harlisur për njerëzit e moskokëçarjes, një kufomë kalbëzuar për inteligjentin, e ëmbël dhe e harlisur për nefsin (egon/veten), një kufomë e kalbëzuar përpara pasqyrave të zemrës, e ëmbël dhe e harlisur si një mjet për këshillimin, një kufomë e kalbëzuar si mjet për zmbrapsjen. Prandaj mos u mashtro aspak nga ëmbëlsia e saj. Fundi i saj është i hidhur.

Nëse pyetesh, “Kush është besimtar?” Thuaj, “Ai që është i vetëdijshëm për gabimet e tij dhe nuk i atribuon faj të tjerëve”. Dhe nëse pyetesh, “Kush është i braktisur?” Thuaj, “Ai që i atribuon faj të tjerëve, ndërsa shfajëson veten e tij nga çdo gjë dhe të gjitha.”

Ndër gjërat që njerëzit e kohës sonë e kanë bërë zakon për veten është shoqërimi dhe vëllazërimi me të pabindurit. Dhe sikur ata ti shfaqnin pakënaqësinë të pabindurve këta të fundit do të mund të dekurajoheshin nga të qenit të pabindur.

Sikur Allahu të të hapë derën e përsosmërisë, ti nuk do të kthehesh në kryerjen e veprave të ndyra. A mund ta imagjinoni një njeri për të cilin hapen dyert e pallateve mbretërore janë hapur; a do të kthehej ai në kazanin e plehrave? Sikur Allahu të hapte për ty derën e intimitetit midis teje dhe Atij, nuk do të kërkoje intimitet me askënd tjetër. Sikur Ai të të zgjidhte ty për të dëshmuar zotërinë (rububijeh) e Tij, Ai nuk do ta ndërpriste lidhjen tënde me Të. Nëse do t’i tregoje atij moral të lartë, Ai nuk do të dërgonte tek ndonjë tjetër. Dhe, nëse Ai largon nga ty dashurinë që ke për çdo qenie të krijuar, duhet të gëzohesh; sepse ky është një funksion i kujdesit të Tij për ty.

 

[…]

 

Mosbindja shoqërohet gjithnjë nga poshtërimi. A do t’i bindesh Atij, ndërsa Ai të nderon? Përkundrazi, Ai e ka lidhur nderimin me bindjen dhe poshtërimin me mosbindjen. Kështu që, bindja ndaj Tij bëhet dritë, nder dhe ngritje e velit, ndërsa e kundërta e saj është mosbindja, errësira, poshtërimi dhe një perde midis teje dhe Atij. Ty të ndalohet nga të dëshmuarit (këtë realitet) për shkak të mosrespektimit tënd të kufijve të duhur dhe si pasojë e preokupimit tënd me këtë ekzistencë tokësore.

Nëse fëmija nuk bindet, disiplinojeni atë sipas ligjit fetar. Por mos e këpusni atë. Përkundrazi, i hidhërohuni me të, në mënyrë që të heqë dorë nga mosbindja. Kur besimtari nuk bindet, gjëja që më së shpeshti bie mbi të është ankthi shqetësues, d.m.th., që miqtë e tij ose do ta skandalizojnë atë në sy të të tjerëve ose do ta përqeshin. Por mjerisht, kur ata e bëjnë këtë, edhe ata gabojnë.

Kur një besimtar nuk bindet, ai bie në një dilemë të madhe. Por mënyra se si të veprosh me të është të bësh atë që bëni në rastin e fëmijës tuaj kur ai nuk ju bindet: për së jashtmi i kthen atij shpinën ndërsa për së brendshmi ndjen keqardhje për të dhe fshehurazi lutesh që ai të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Është injorancë nga ana jote që të kesh zili njerëz për gjëra të kësaj bote dhe të lejosh që zemra jote të preokupohet me atë që ata zotërojnë. Kjo të bën ty më të paditur se ata. Sepse, ndërsa ata janë të preokupuar me atë që ju është dhënë, ti je i preokupuar me atë që nuk e zotëron.

Kur të infektohen sytë nxiton për ti trajtuar ato. Dhe arsyeja e vetme për këtë është se përmes tyre arrin të shohësh kënaqësitë e kësaj bote. Kështu që ti nxiton për ti kuruar ato në mënyrë që asnjë nga këto kënaqësi botërore të mos ti shpëtoj shikimit tënd. Por, shikimi jot i brendshëm është prekur nga sëmundja për dyzet vjet dhe ti nuk ke bërë asgjë për ta trajtuar.

Dije që një jetë vitet e hershme të së cilës janë janë shkuar kot, meriton të ruhet në vitet e saj të mëvonshme, si një grua që ka dhjetë fëmijë nëntë prej të cilëve vdesin dhe njëri prej tyre mbijeton. A nuk do të ishte dashuria e saj për fëmijën e mbetur shumë herë më e madhe? Ti ke humbur pjesën më të madhe të jetës. Kështu që ruaje pjesën tjetër; sepse ajo që ka mbetur është vetëm një gisht ujë në një gotë, përndryshe, të zbrazur. Për Zotin, jeta jote nuk fillon ditën kur ke lindur; ajo fillon ditën kur të njohësh Zotin.

Çfarë ndryshimi ka midis njerëzve të lumturisë dhe njerëzve të mjerimit. Kur njerëzit e lumturisë shohin një person të angazhuar në mosbindje ndaj Zotit, për së jashtmi ata e qortojnë atë ndërsa për së brendshmi luten për të. Njerëzit e mjerimit, nga ana tjetër, e qortojnë atë publikisht në ndjekje të vetë-kënaqësisë, dhe ata madje mund të shkojnë deri aty sa të vënë në dyshim karakterine tij. Besimtari është ai që është i sinqertë ndaj vëllezërve të tij në privat dhe kërkon të mbulojë gabimet e tyre në publik. Sidoqoftë, njerëzit e mjerimit janë e kundërta e kësaj: kur shohin një person të përfshirë në mosbindje, ata ia përplasin derën e pendimit në fytyrë dhe e skandalizojnë atë (para njerëzve). Vizioni i brendshëm i këtyre njerëzve është i pandriçuar dhe ata janë tejet larg Zotit.

Nëse dëshiron të vlerësosh intelektin e një njeriu, vëzhgoje atë kur në sy të tij përmendni të tjerët. Nëse e gjeni atë duke u përpjekur për të gjetur çdo arsyetim të ligë (karshi personit tjetër) deri në atë pikë sa të thotë, “Harroje kështu dhe ashtu; ai ka kryer kaq e aq vepra të këqija”, atëherë dije se qenia e brendshme e tij është e shkretuar dhe se ai nuk ka dije. Por nëse shihni se ai i përmend njerëzit në mënyrë të favorshme ose se ai u referohet veprimeve të tyre të dënueshme duke u përpjekur të gjej arsyetime të favorshme mbi ta, duke thënë gjëra të tilla si: “Ndoshta ata thjesht kanë bërë një gabim të vogël ose ndoshta kanë pasur një justifikim të vlefshëm”, dhe përjashtime të ngjashme, dijeni që qenia e tij e brendshme është e mbushur me jetë. Arsyetimi i besimtarit procedon mbi supozimin se vëllezërit e tij muslimanë janë njerëz të nderuar.

 

 

[…]

 

 

Kushdo që i afrohet fundit të jetës dhe dëshiron të rekuperojë atë që i ka shpëtuar, le ta preokuptoj veten me lutje gjithëpërfshirëse. Sepse nëse ai e bën këtë, jeta e tij e shkurtër do të bëhet e gjatë në efekte. Për shembull, ai mund të thotë, “Lavdia i qoftë Zotit të Plotfuqishëm, dhe qoftë Ai lavdëruar aq sa numri i krijesave të Tij, në përmasën që i pëlqen vetes së Tij, në një madhësi po aq të madhe sa Froni i Tij, dhe aq gjerësisht sa fushëveprimi i fjalëve të Tij.” Po kështu, ai që nuk ka arritur të angazhohet në shumë agjërime dhe namaze nate, duhet ta preokupojë veten duke dërguar salavate ndaj Profetit. Sepse, edhe nëse përmbush çdo urdhërim të Zotit gjatë gjithë jetës, atëherë nëse Zoti do të dërgonte një salavat të vetëm mbi ty, ky salavat do t’i tejkalonte të gjitha veprimet e bindjes që ke kryer gjatë gjithë jetës. Kjo sepse ndërsa ti dërgon salavate mbi Profetin në proporcion me kapacitetin tënd, Allahu dërgon salavate mbi ty në proporcion me rubibijen e Tij (te qenit e tij Rab). Kjo ndodh në rastin kur Allahu dërgon një salavat të vetëm. Po sikur, siç tregohet në hadithin e saktë, Allahut do të dërgonte dhjetë salavate mbi ty çdo herë që i dërgon një salavat të vetëm Profetit? Sa e bukur është jeta kur jetohet në bindje ndaj Zotit përmes përkujtimit të Zotit ose dërgimit të salavateve mbi Profetin!

Përcillet se kafshët e presë kapen dhe pemët keputen vetëm për shkak të gabimeve të vazhdueshme të tyre në përkujtimin e Zotit. Asnjë hajdut nuk vjedh një shtëpi ndërsa banorët e saj janë zgjuar. Përkundrazi, ai e bën këtë gjatë gabimeve të tyre ose kur ata janë në gjumë.

Kushdo që e di se koha e tij e nisjes është afër nxiton të përgatitet për të. Kushdo që e di se veprat e mira të të tjerëve nuk do t’i sjellin dobi, përpiqet me zell për të bërë mirë vetë. Kushdo që del në pension pa marrë parasysh jetën e tyre, pëson humbje pa e njohur atë. Dhe kushdo që emëron një agjent dhe zbulon tradhtinë e tij, do ta pushojë prej pune. Ky është rasti me veten tuaj: ju keni zbuluar tradhtinë e vetes (d.m.th. nefsit), kështu që hiqeni atë nga autoriteti dhe kufizoni mjetet e saj të hyrjes.

Nëse shihni një neglizhencë të qëllimshme, një dëshirë mishore të palëkundur dhe mosbesim në veten tuaj, ky është profili juaj natyror. Por nëse sheh pendim, droje dhe abstenim, kjo është puna e Zotit. Është njësoj si të shohësh portokallë, fiq dhe mollë në vendin ku jetoni. Këto janë fruta normal të vendit tuaj. Por nëse shikoni bozhure, hurma arabie të pjekura, misk dhe ambergris, ta dini se këto të janë sjellë nga vetë Zoti. Sepse këto gjëra nuk janë prodhime vendase të tokës tënde. Misku nxirret nga gazelet Irakiene ndëra Ambergris nga Oqeani Indian.

Ngjashmëria midis teje dhe besimit tënd kur nuk i bindesh Zotit është si ajo e diellit gjatë një eklipsi diellor ose një llambe mbi të cilën është vendosur një fletë letre: është atje, por ajo që e mbulon e bllokon dritën e saj. Në rrethana të tilla, duhet të marrësh pjesë në mexhliset (seksionet) në xhami për të restauruar dhuntitë njohëse të tua. Edhe nëse jeta jote është e shkurtër, ajo do të bëhet e gjatë përmes arritjes së besimit, përulësisë, vetëshuarjes, drojes, soditjes, dhikrit etj. Sikur ta dije besimin e vërtetë, nuk do t’i afroheshe mosbindjes. Por mjerisht, nuk ka asnjë borxhli me kriminel se nefsi (vetvetja), nuk ka armik më të madh se Shejtani dhe asnjë kundërshtar më të fortë se pasioni i padisiplinuar.

Asgjë nuk i zmbraps dispozitat që vijnë nga Zoti më shumë se sa arroganca. Sepse shiu vendoset vetëm në rrafshnalta dhe jo në male. Kjo është ngjashmëria e zemrave të arrogantit. Mëshira rrokulliset prej tyre dhe bie në zemrat e njerëzve të përulur. Dhe me arrogancë nënkuptojmë ata që hedhin poshtë të vërtetën, jo ata që vishen firmato. Në të vërtetë, arroganca është shpërfillje ndaj së vërtetës, d.m.th., duke e lënë atë mënjanë dhe përbuzje për njerëzit. Dhe mos mendoni se arroganca banon vetëm tek njerëzit me fuqi ose pasuri. Përkundrazi, mund të qëndrojë në atë që nuk ka ushqim të mjaftueshëm për një natë të vetme. Megjithatë, ai përhap korrupsionin në vend të së mirës, për shkak të arrogancës së tij ndaj krijesave të Zotit…

 

 

[…]

 

Është e padrejtë për ty që flokët të të thinjen ndërsa ti vazhdon të mbetesh i mitur dhe fëmijë në intelekt, duke mos kuptuar atë që dëshiron Zoti për ty. Nëse je inteligjent, qaj mbi veten para se të tjerët të të qajnë ty. Fëmijët e tu, gruaja jote, shërbëtorët dhe miqtë tu nuk qajnë (me të vërtetë) për ty kur vdes. Ata thjesht qajnë për atë që nuk mund të gëzojnë më prej teje. Pra, paraprijuni atyre në lidhje me këtë, dhe thoni: “Është më e përshtatshme që unë të qaj për pasurinë që kam humbur tek Zoti para se të gjithë të më qajnë mua “.

Është shenjë e mjaftueshme injorance për ty që Zoti të trajton në një mënyrë që flet për besnikëri, ndërsa ti e trajton Atë në atë mënyrë që të reflekton përçmim.

Një njeri i vërtetë nuk është thjesht ai që është në gjendje të ngre zërin mes njerëzve në tubime. Një njeri i vërtetë është ai që është në gjendje të ngre zërin kundër vetes dhe ta kthejë përsëri atë drejt Zotit.

Kushdo që rëndohet nga shqetësimet e kësaj bote dhe braktis shqetësimin për jetën e përtejme është si një person që po ikën nga një luan që dëshiron ta hajë, por më pas pickohet nga një plesht dhe e humb vëmendjen nga rreziku i luanit. Kushdo që është gafil (i pavëmendshëm) ndaj Zotit e preokupton veten me gjëra të vogla. Dhe kushdo që nuk është gafil (i pavëmendshëm) ndaj Tij, e preokupton veten vetëm me Të. Kështu që, gjendja më e mirë në të cilën mund të jesh është ajo në të cilën heq dorë nga vaniteti i kësaj bote në mënyrë që të arrish Jetën e Përtejme. Por sa shpesh Jeta e Përtejme të shpëton duke ndjekur kotësitë e kësaj bote!

Sa e turpshme është frika e ushtarit; sa të turpshme janë gabimet gramatike tek gramaticieni; dhe sa i turpshme është ai që shtiret si asket për të ndjekur kotësitë e kësaj bote!

Burri i vërtetë nuk është ai që të stërvit (shpirtërisht) me thëniet e tij. Njeriu i vërtetë është ai që ju stërvit (shpirtërisht) thjesht duke e vështruar atë. Sheh Ebu el-Abbas el-Mursi (vd. 686h/1287) ka thënë: “Nëse breshkat përkujdesen/mbrojnë pasardhësit e tyre thjesht duke i vëzhguar, ngjashëm edhe mjeshtri shpirtëror duhet të përkujdeset/mbrojë dishepujt e vet. Breshkat hedhin vezët e tyre në tokë, pastaj drejtohen për tek brigjet e lumenjve dhe para se të hyjnë në ujë e drejtojnë shikimin [për here të fundit] nga vezët e tyre. Pastaj Zoti i rrit të vegjëlit e tyre për ta thjesht si virtyt i faktit që breshkat hedhin vështrimin mbi to”.

Mos guxoni ta lini këtë vendbanim pa shijuar ëmbëlsinë e dashurisë së Tij. Dhe ëmbëlsia e dashurisë së Tij nuk është në ushqim ose pije sepse edhe jobesimtarët dhe kafshët joracionale e përjetojnë këtë. Përkundrazi, bashkohuni engjëjve në shijimin e ëmbëlsisë së përkujtimit të Zotit dhe soditjes së patrazuar të Tij. Sepse shpirtrat (e pastër) nuk mund t’i rezistojnë spërkatjeve (të papastra) nga vetja. Në të vërtetë, kur zhyt veten në kënetën e vdekur të kësaj bote, bëhesh i papërshtatshëm për bashkim me Zotin. Sepse, ata që janë njollosur nga papastërtia e mosbindjes nuk mund të vijnë në praninë e Zotit. Pastroje zemrën nga defektet dhe dera për të fshehtën do të hapet. Pendohu tek Zoti dhe drejtoju Atij me pendesë dhe përkujtim, dera do të hapet për këdo që vazhdon të trokasë. Në fakt, po të mos ishte çështja e ruajtjes së edebit (etikës me Zotin) nuk do ta shpjegonim çështjen në këtë mënyrë. Në të vërtetë, është siç ka thënë Rabi‘ah el-Adeuijeh (185h/801): “Kur u mbyll dera ndonjëherë sa që të ketë nevojë të hapet? ”

 

Përktheu: Rezart Beka

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Tags: , , , , Last modified: 28/04/2021
Close