Burimi: John Tolan, Faces of Muhammad: Western Perception of the Prophet of Islam From the Middle Ages to Today (Princeton & Oxford: Princeton University Press, 2019), 185-195
[Kjo ese është pjesë e një analize më të gjerë në të cilën John Tolan shpjegon vendin që ka zënë dhe rëndësinë që ka pasur figura eProfetit Muhamed në sendërtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të periudhës së romantizmin evropian. Autori nxjerr në pah se si periudha romantike ka shënuar një vlerësim më pozitiv rreth Profetit krahasuar me narrativën mbizotëruese mesjetare rreth figurës së tij dhe se narrativa e kësaj periudhe ka qenë më objektive në raport me personin historik të Muhamedit.
Muhamedi i romantikëve evropianë nuk është domosdoshmërisht në harmoni me leximet kanonike myslimane rreth figurës dhe rolit të tij, por megjithatë ai mbetet një gurthemel i rëndësishëm nëpërmjet të cilit një pjesë e eksponentëve të kësaj lëvizjeje kanë eksploruar temat dhe motivet kryesore të romantizmit.
Sidoqoftë, prespektiva romantike është e rëndësishme për të kuptuar evoluimin e imazhit të Muhamedit në ligjërimin perëndimor si edhe për të vlerësuar rolin që ka luajtur figura e profetit Muhamed në formimin e arealit evropian në përgjithësi dhe atë romantik në veçanti. Eseja fokusohet tek përfytyrimi i Bonapartit për Muhamedin dhe, më pas, në rolin që kjo figurë ka luajtur në imagjinaren e atij që më pas u bë Perandori Napoleon. Në linjë me disa prej motiveve më të rëndësishme të romantizmit, ky fragment hedh dritë edhe mbi vendin që ka zënë figura e Pejgamberit në botëkuptimin e Bonapartit për burrështetasin dhe heroin ideal.].
Në Nil e gjej atë sërish. Egjipti feks me zjarrin e agimit të tij.
Në Lindje u ngrit ylli i tij perandorak.
Pushtues, entuziast, vezullon plot prestigj.
Një gjeniqë la pa gojë trojet e gjenive.
Shehlerët e vjetër e veneruan Emirin e ri dhe të matur;
Njerëzia i druhej armëve të tij të padëgjuara;
Sublim iu shpërfaq ai fiseve të habitura si një Mahomet i Perëndimit.
Viktor Hygo,Sur Napoleon Bonaparte, Les Orientales (1850)[1]
Për Viktor Hygonë, Napoleoni shfaqet në brigjet e Nilit si një Mahomet i ri Perëndimor. Mahometi i Hygosë ishte, mbi të gjitha, gjeneral brilant dhe udhëheqës karizmatik, dhe Napoleoni ishte një Mahomet bashkëkohor. Hygoi nuk ishte i pari që hiqte një krahasim ndërmjet këtyre dy burrave. Kur Gëte kishte mësuar për fitoren e Napoleonit në Ulm në vitin 1806, ai e kishte përshëndetur perandorin si “Mahomet der Welt”.[2] Kur Gëtja dhe Bonaparti u takuan në Erfurt, ata diskutuan rreth profetit Muhamed në terma mjaft të ngrohtë dhe kritikuan trajtimin e padrejtë që Volteri kishte rezervuar për “atë njeri të madh”. Debatet evropiane të shekullit të nëntëmbëdhjetë në lidhje me profetin ndodhin kundrejt një sfondi të kryengritjeve shoqërore: konkuistat napoleonike në Egjipt dhe në Europë në vazhdën e Revolucionit Francez (dhe disfata e tij e mëvonshme); zhvillimet e reja politike dhe sociale që vënë në diskutim rendin tradicional politik dhe social të bazuar në Krishterim; lindja e nacionalizmit dhe romanticizmit.
Vetë Napoleoni e sheh Mahometin, mbi të gjitha, si gjeneral brilant i cili dinte si të motivonte popullin e tij, arabët, që të realizonin gjëra të mëdha – një lloj shembulli për vetë perandorin. Elokuenca e pejgamberit dhe dhuntia e tij për të qenë bindës i bënë të mundur atij që të ndryshonte rrjedhën e historisë. Edhe Gëten e kishte fashinuar elokuenca e Mahometit, por mbi të gjitha e shihte atë si poet dhe si profet, dhe më tutje akoma si dikush që tregonte se sa të ngjashme janë figura e poetit dhe ajo e poetit. Në gjurmët e Gëtes, një miriadë autorësh romantikë (Thomas Carlyle (Karlajl), Viktor Hygo, Alfons Lamartin dhe të tjerë) e flakën tutje polemikën tradicionale të krishterë kundër profetit, dhe e paraqitën atë si një vizionar i sinqertë e i virtytshëm, si njërin nga figurat madhështore të historisë. Në një masë të madhe, ai është fashinues për ta për shkak se u lejon këtyre autorëve që të eksplorojnë tema që për lëvizjen romantike janë të dorës së parë – gjeniu, heorizmi, devocioni – dhe kjo jashtë shtrëngesave të historisë kristiane.
Mahometi i Bonapartit: Burrështetas dhe Ngadhënjimtar
Napoleon Bonaparti, në një miksturë të admirimit të njëmendtë dhe interesit të përllogaritur mirë, e shndërroi profetin në një lloj shembulli, duke e paraqitur veten si një ngadhënjimtar i ri i botës dhe si një legjislator që ecte në gjurmët e Muhamedit. Në vitin 1789, Napoleoni ishte një ushtar njëzet e shtatë vjeçar, dhe ai shumë shpejt e përqafoi revolucionin, duke u shquar më vonë për asgjësimin e një revolate rojaliste në betejën e 5 tetorit, 1795 (13 të vandemjerit, Viti 4). Më pas, atë e bënë gjeneral të Armatës së Italisë, të cilën ai e udhëhoqi drejt fitoreve vendimtare kundër Habsburgëve dhe aleatëve të tyre. Kur një forcë e madhe u thirr nën armë nën komandën e tij në Tulon në maj të vitit 1789, destinacioni final u mbajt sekret. Ndoshta në Siçili, apo Sardenjë, spekulluan disa. Ndoshta në Gjibraltar, një avanpost i armikut britanik, dhe mbas Gjibraltarit, ndoshta në Angli.
Për, për çudinë e shumëkujt, destinacioni ishte Egjipti. Përse duheshin marrë trupa nga Europa dhe të dërgoheshin në skajin tjetër të Mesdheut? Pjesërisht për të penguar anglezët dhe Kompaninë e Indive Lindore duke ndërhyrë ushtarakisht në një vend që prej kohësh kishte qenë një nyje tregtare ndërmjet Oqeanit Indian dhe Mesdheut. Egjipti do të bëhet një Indi franceze, një burim oriental i pushtetit, prestigjit, dhe pasurisë për metropolin. Dhe ku i dihej, ndoshta një ditë ky vend do të shërbente si bazë për ekspeditën franko-egjiptiane kundër britanikëve në Indi. Kjo ide nuk ishte një risi. Ishte vërtitur në ajër dhe ishte debatuar që gjatë sundimit të Luigjit XVI. Orientalistë francezë si Volney kishin argumentuar se masat egjiptiane do të ishin mirënjohëse po të çliroheshin nga shtypja e padronëvetë tyre osmanë dhe e sundimtarëve të tyre mamlukë; supozohej se ata do të mirëprisnin krahëhapur një ekspeditë franceze.[3] Nga viti 1798 punët kishin ndryshuar. U bë e qartë se Napoleoni, së bashku me anëtarët e Direktoratit që autorizuan ekspeditën, kërkonin që në Orient të eksportonin gjithashtu edhe vlerat republikane të Revolucionit. Ata kishin mësuar, nga leximet e tyre të shumë prej veprave të shekullit të tetëmbëdhjetë të cilat ne i shqyrtuam në kapitullin e gjashtë (të librit nga është marrë fragmenti, sh.p.), se Muhamedi kishte qenë reformator, se ai kishte predikuar një monoteizëm të kulluar, të zhveshur nga ritet e errëta, pa një kastë prifërinjsh. Atje ku Katolicizmi tradicional francez asociohej me monarkinë shtypëse, Islami duke një fe më egalitariane dhe më republikane. Pa diskutim, trupat ushtarake të revolucionit, që shkuan për të çliruar egjiptianët nga osmanët, do të mirëpriteshin si vëllezër. Për më tepër, për Napoleonin, “Reputacionet e mëdha ndërtohen vetëm në Orient: Europa është ca si tepër e vogël”.[4] Islami që Napoleoni dhe trupat e tij hasën në Egjipt nuk i përngjante atij të Boulainvilliers apo Sale; ky është njëri ndër faktorët që solli dështimin e ekspeditës, dhe njëri nga shpjegimet për atë që, po ta shohim prej sot pas dyqind vjetësh, ngjan si një aventurë që pa diskutim ishte e destinuar të dështonte.
Në maj të vitit 1798, pra, Napoleoni u nis që të pushtonte Egjiptin në krye të një flote prej rreth 55,000 njerëzish. Në qershor ai pushtoi Maltën mbas një rrethimi të shkurtër dhe më pas vazhdoi shtegtimin drejt Egjiptit. Me shpresën se do të fitonte besnikërinë e egjiptianëve dhe se do t’i bindte ata që të flaknin tutje zgjedhën e padronëve të tyre osmane, ai i drejtoi mesazhin e mëposhtëm popullit egjiptian:
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, nuk ka zot tjetër përveç Zotit, ai nuk ka as bir as ortak në sundimin e tij.Në emër të Republikës Franceze, themeluar mbi bazën e lirisë dhe barazisë, Gjeneral Bonaparti, kreu i Ushtrisë Franceze, i proklamon popullit të Egjiptit se për një kohë shumë të gjatë Bejlerët që sundojnë Egjiptin fyejnë kombin francez dhe kryejnë abuzime ndaj tregtarëve të saj; ora e ndëshkimit të tyre ka ardhur.Prej shumë kohësh, kjo hordhi skllevërish të rritur në Kaukaz dhe në Gjeorgji tiranizon pjesën më të shkëlqyer të botës; por Zoti i të gjitha botëve, i plotfuqishmi, ka shpallur fundin e perandorisë së tyre.Egjiptianë, ka nga ata që do të thonë se unë kam ardhur për të shkatërruar fenë tuaj; kjo është një gënjeshtër, dhe mos u besoni atyre! Thuajini atyre se unë kam ardhur për të vënë në vend të drejtat tuaja, dhe për të ndëshkuar uzurpatorët; se unë, më shumë se sa mamlukët, respektoj Zotin, pejgamberin e tij Muhamed, dhe Kuranin fisnik…. Kadi, sheh, çorbaxhi, tregojuni njerëzve se ne jemi myslimanë të vërtetë. A nuk jemi ne ata që shkatërruan Papën i cili bënte thirrje për luftë kundër myslimanëve? A nuk ishim ne ata që i shkatërruam Kalorësit e Maltës, për shkak se këta fanatikë besonin se Zoti donte që ata të luftonin kundër myslimanëve?[5]
Do të ishte e lehtë që kjo retorikë të cilësohej cinike dhe se ishte në shërbim të interesave personale. Ç’është e vërteta, vitin pasues (në vjeshtën e vitit 1799), teksa po përgatitej të largohej nga Egjipti, ai la porositë e tij për administratorët francezë në Egjipt, duke u shpjeguar, ndër të tjera, se “duhet bërë shumë kujdes që të binden myslimanët se ne e duam Kuranin dhe se ne kemi veneracion për pejgamberin. Një fjalë apo një veprim i papeshuar mund të shkatërrojë punën e shumë viteve.”[6]
Vërtet në shërbim të interesave personale, por, megjithatë, sikurse ka vërejtur Juan Cole, njëra nga dobësitë kryesore të Napoleonit është gadishmëria e tij që t’i besojë edhe vetë propagandës së tij. Napoeloni si lexues i përpinte librat. Ai kishte lexuar një sërë prej veprave që ne kemi shqyrtuar në kapitullin e gjashtë [kujtojmë se fragmenti është kapitull i një libri sh.p.], përfshirë dhe Volterin. Kishte lexuar përkthimin e Kuranit të vitit 1783 të Claude-Etienne Savary, të cilin ai e mori me vete në Egjipt. Savary kishte qëndruar në Egjipt nga viti 1776 deri në vitin 1779 (vepra e tij Lettres sur l’Egypte, botuar në vitet 1785-86, lexohej masivisht dhe, bashkë me veprat e Volney dhe të tjerëve, përgatiti terrenin për ekspeditën e Napoleonit).[7] Savary kishte lexuar përkthimin e Kuranit të de Ryer, të cilin ai e quan të thatë dhe të mërzitshëm. Marraçi, gjykon ai, ishte një dijetar dhe linguist i arrirë, por të cilin e kishte marrë në qafë partizania: “ai nuk ka shprehur mendimet e Kuranit, por fjalë të cilat i ka shpërftyruar në një latinishte barbare” (xi). Savary zgjodhi që ta shkruante përkthimin e tij në Egjipt, në gjirin e arabëve, në një takim të gjallë me mënyrat e tyre të jetës dhe me muzikalitetin e gjuhës së tyre. Njëlloj si autorë të tjerë evropianë të shekullit të tetëmbëdhjetë, ai e kupton fort mirë forcën poetike të Kuranit dhe admirimin që ky libër ngjall në gjirin e arabëve falë “magjisë së stilit të tij, kujdesit me të cilin Mahometi e stolis prozën e tij me ornamentet e poezisë” (IX).
Sa i përket kumtit, ai është mesazhi i monoteizmit të purifikuar ose deizmit filozofik:
Dogma e Kuranit është besimi në një Zot, profet i të cilit është Mahometi. Parimet e fundamentale janë lutja, lëmosha, agjërimi gjatë muajit të Ramazanit, dhe pelegrinazhi në Mekë. Morali që predikon është i sendërtuar mbi ligjin natyror dhe mbi atë çka është më e përshtatshme për popujt e klimës së ngrohtë.[8]
Savary e pararend përkthimin me një biografi 248 faqëshe të profetit, për të cilën ai bazohet mbi burime arabe në përkthim, nëpërmjet Gagnier, Pococke, Reland, dhe të tjerë. Muhamedi i tij është mjaft i ngjashëm me atë të Boulainvilliers dhe Volterit (ai i kishte lexuar të dy këta). Për Savary, Mahometi në moshën njëzet e pesë vjeçare, pak kohë mbas martesës me “Cadige” (Hatixhenë), filloi të tërhiqej për një muaj në vit në shpellën vetmitare të Hirës, ku ai meditonte mbi gjendjen e botës dhe filloi të ndërtonte ngrehinën e “islamisme”. Nëpërmjet “luftëra të feve”, grekët i kishin dëbuar judejtë dhe të krishterët nga perandoria e tyre; këta ishin strehuar në Arabi ku Mahometi u njoh me ta dhe mësoi doktrinat e tyre. Ai meditoi mbi kalbëzimin e dy perandorive të fuqishme me këmbë prej balte; pa se si judejtë dhe të krishterët grindeshin me njëri tjetrin. Ai hartoi një doktrinë të re që ai shpresonte se do të pajtonte judejtë dhe të krishterët dhe se do të galvanizontearabët.
Iu deshën plot pesëmbëdhjetë vjet që të formulonte themelet e sistemit të tij fetar. Atij iu desh ta sillte atë sistem në dritë dhe mbi të gjitha të fshihte dorën që i bashkangjiste qiellit zinxhirin e vdekatarëve. Ai pretendoi se nuk dinte shkrim e këndim, dhe duke u bazuar mbi elokuencën e tij të natyrshme, mbi një gjenialitet të plleshëm që kurrë s’e la në baltë, ai mori titullin madhështor të profetit. Numa mori mësime nga nimfa Egeria; Mahometi zgjodhi si mësues kryeëngjëllin Gabriel.[9]
Savary nuk e përdor kurrë termin “impostor” (mashtrues) për të përshkruar Muhamedin, ndonëse është e qartë se ai mendon që Mahometi u shtir se mori revelatë. Një njeriu dhe ligjvënësi madhështor, si Numa apo Mahometi, i duhet të shpikë një burim hyjnor për ligjin e tij, të krijojë një mit të origjinës për një komunitet të ri. Savary kurrsesi nuk e kritikon atë për këtë. Admirimi i Savary për këtë njeri të madh, ngritja në qiell që ai i bën luftëtarit dhe heroit, feks në çdonjërën prej 248 faqeve të biografisë, përfshirë dhe përshkrimin që ai i bën vdekjes së profetit, ku, njëlloj si Volteri (në gjurmët e të cilit ecën), ai portretizon një njeri heorik dhe të dorëzuar përballë vdekjes, i rrethuar nga familja dhe ithtarët. Ai e përmbyll portretizimin me një lëvdim të pandërdyshtë:
Mahometi ishte njëri nga ata njerëz të jashtëzakonshëm, të cilët, të lindur me dhunti sipërore, shfaqen rrallëherë mbi faqen e tokës për ta ndryshuar atë dhe për t’i udhëhequr vdekatarët pas koçisë që ata prijnë. Kur ne shqyrtojmë se prej nga u nis ai, si dhe kulmin e madhështisë që arriti, ne ngelim të mahnitur nga ajo çfarë mund të arrijë gjenialiteti njerëzor kur rrethanat janë të favorshme.[10]
Ky është Mahometi i Savary; është gjithashtu edhe Mahometi i Bonapartit, teksa ky i fundit lexonte Kuranin e Savary-t gjatë ekspeditës së tij. Savary jep përshkrime të hollësishme të heorizmave ushtarake të Mahometit si dhe arsyet për suksesin e tyre. Ne mund të përfytyrojmë se gjenerali, gjatë rrugëtimin nëpër Egjipt, i lexonte ato me një vëmendje të posaçme. Mbasi jep një përshkrim të triumfit mysliman në betejën e Bedrit, Savary thotë: “Duke kultivuar në zemrat e ushtarëve të tij nocionin e një Zoti që mbronte armët e tij, ai i bëri ata të pathyeshëm.”[11] Në një pikë tjetër ai përshkruan se si myslimanët, të shkurajuar dhe të frikësuar, morën lajmin se një ushtri e fortë mekase erdh’ për të rrethuar Medinën. Mahometi i vuri ata që të hapnin një llogore, apo hendek.
Terreni ishte me shkëmbinj dhe i vështirë për t’u gërmuar. Shkëmbi i fortë u rezistonte mësymjeve të atyre që punonin dhe ata i kapi dëshpërimi. Mahometi, duke parë se ata e humbën toruan, futi pak ujë në gojë dhe e hodhi atë mbi shkëmb. Shkëmbi u duk se u zbut dhe shumë shpejt iu lëshua goditjeve të varéve. Myslimanët proklamuan se kjo ishte një mrekulli, duke ia mveshur virtyteve të këtij uji të mrekullishëm frytet e përpjekjeve të tyre të përtërira. Pikërisht siç kishte bërë Hanibali, i cili ndërkohë që çante rrugën mespërmes Alpeve u dha zemër ushtarëve të tij duke hedhur uthull mbi shkëmbin që po përpiqej ta thyente. Njeriu madhështor është kudo i njëjtë; kudo ai rrafshon pengesat në udhën e tij dhe e bën natyrën që t’i dorëzohet përpjekjeve të tij. Sharmi i pathyeshëm që ai përdor për të prodhuar mrekullitëe tij garanton suksesin që magjeps zemrat e vdekatarëve[12]
Mahometi është një Hanibal i ri, por, sigurisht, me një dallim: Hanibali ia doli mbanë që të kalonte elefantët e tij nëpër Alpe vetëm për të pësuar disfatë kundër romakëve. Mahometi i çoi trupat e tij drejt ngadhënjimit në betejën e hendekut, përkundër të gjitha gjasave, ndjekur kjo nga triumf pas triumfi.
Prej librave të Volterit, Savary-t, dhe të tjerëve, Napoleoni kishte kuptuar se Islami është monoteizëm i kulluar e i thjeshtë. Ky vizion, i përdorur sikurse e kemi parë nga autorët europianë të shekullit të tetëmbëdhjetë të cilët ishin pikë së pari të preokupuar që të kritikonin dominimin e Kishës Katolike (apo Anglikane), shpërfaqte një njohje të varfër të Islamit siç praktikohej në përditshmërinë e miliona myslimanëve. Kemi parë se për Gibbon-in, Profeti ishte një reformator dhe vizionar, dhe, në thelb, Islami ishte i njëvlershmi i deizmit filozofik. Napoleoni me sa duket ka besuar po këtë gjë, dhe ky besim i ka dhënë trajtë politikave të tij në Egjipt, dhe, ç’është e vërteta, ky mund të ketë qenë një nga faktorët që kanë ndikuar në vendimin për pushtimin e Egjiptit. Francezët, që kishin mposhtur l’infame e i kishin dhënë një goditje të rëndë besëtytnisë papiste, ishin Deistë të cilët prisnin që të gjenin shpirtrat binjakë te myslimanët e Egjiptit.
Dhe nëse francezët janë deistë myslimanë të vërtetë, Napoleoni është profeti i tyre korsikan. Njëra nga madamat në oborrin e tij, Madame de Remusat, thotë se perandori i kishte treguar asaj se gjatë rrugës për në Egjipt, “unë po krijoja një religjon, pashë veten duke u larguar hipur një elefanti rrugës për në Azi, me një çallmë në kokë dhe me një Alkoran të ri në duar që unë e kisha shkruar sipas shijeve të mia.”[13] Kjo, sigurisht, është shaka oborri, ku perandori mbas faktit të kryer i trajton me qesëndi ambiciet e tij. E megjithatë, ajo shpalos një identifikim real, konfirmuar nga vetë shkrimet e tij.
Si sundimtar i Egjiptit, Napoleoni mori titullin Sulltan el-Kebir, Sulltani i Madh. Ai u orvat që të bindte egjiptianët se ai dhe francezët, kurrsesi jobesimtarë të krishterë, ishin miqësorë ndaj Islamit. Në gusht të vitit 1798 ishte festa tradicionale e Mevludit të Pejgamberit, ditëlindja e profetit. Udhëheqësit myslimanë të Kajros nuk ishin në qejf për ta kremtuar festën, por Napoeloni e pa këtë si një mundësi të artë për të ridimensionuar marrëdhëniet e tij me publikun, dhe, kësodore, këmbënguli që të financonte festimet, në të cilat rrotullimi i sufive gati të zhveshuru mpleks me paradën e ushtarëve francezë të veshur me uniforma ceremoniale, me mpleksjen e thirrjeve të myslimanëve me muzikën ushtarake të bandës së marshit. Sikurse vuri në dukje me ironi një oficer, “artileria francez përshëndeti mahometin.”[14]Sulltan el-Kebir, i veshur me një kostum të jashtëzakonshëm oriental, i priu festimeve dhe e shpalli veten protektor të të gjitha feve. Ai u brohorit me emrin “Ali Bonaparti”.
Napoleoni bëri orvatje që të bindte imamët e Kajros se ai dhe trupat e tij ishin myslimanë, dhe ai u paraqiti një kërkesë që hytben tradicionale të përjavshme të Xhumasë ta mbanin në nder të tij. Shehu Abdullah Sharkavi i shpjegoi se ata do të ishin shumë të lumtur që ta bënin një gjë të tillë sapo Napoleoni dhe trupat e ti të konvertoheshin në Islam. Gjenerali u shpjegoi se ai ishte i gatshëm të konvertohej menjëherë, por se ushtarët e tij ngurronin që t’i nënshtroheshin rrethprerjes dhe ishin tej mase të dhënë mbas verës – a mund të bëhej një përjashtim i posaçëm për ta? Napoleoni shpresonte që ai dhe trupat e tij do të njiheshin si myslimanë dhe, së këndejmi, si sundimtarë legjitimë të Egjiptit; shehlerët i bënë bisht diskutimit në mënyrë që të shmangnin një konfrontim diplomatik.[15] Sërish, gjenerali duket se ka menduar që deistët republikanë francezë mund të pranoheshin si myslimanë, pa qenë nevoja për ndonjë njohje reale të Islamit. Ky vizion letrar e deist i Islamit ndoshta shpjegon një pjesë të gabimeve madhore diplomatike, kur për shembull francezët i bënë rrafsh me tokën tyrbet dhe teqet e shenjtorëve/evlijave sufi kur zgjeruan rrugët për t’i kthyer në bulevarde. Sharkavi më vonë shkroi se francezët ishin filozofë monoteistë, të cilët idetë e tyre i bazonin mbi arsyen dhe jo mbi pranimin e revelatës, apo shpalljes hyjnore. Ai i fajësoi ata se besonin që Moisiu, Jezusi dhe Muhamedi ishin thjesht urtarë, dhe jo profetë të zgjedhur hyjnisht. Zoti, afirmoi imami, ishte Ai që i dërgoi profetët, dhe njerëzit duhet të ndjekin ligjin e Zotit, dhe jo atë të ligjvënësve njerëzorë.[16] Për ironi, Napoleoni në praktikë bëri lëshime të gjera ndaj kësaj pikëpamjeje, duke e bërë elitën fetare të Kajros agjentë adiministrativë indigjenë, duke u dhënë atyre më tepër pushtet se sa ç’u kishin lejuar ndonjëherë osmanët. Siç thotë Juan Cole: “Jakobinët francezë, të cilët kishin marrë në dorëzim Katedralen e Notre Dame për të kremtuar një kult të Arsyes, dhe të cilët kishin pushtuar e nënshtruar Vatikanin, në Egjipt po krijonin Republikën e parë moderne islamike në botë.”[17]
E megjithatë, për zhgënjimin e tyre, dhe pavarësisht se gëzonin aleancën e një pjesë të elitës egjiptiane, fryma e armiqësisë ndaj okupatorit francez mbeti e fuqishme, dhe revoltat e shpeshta u shtypën brutalisht nga ushtria franceze. Në nëtor të vitit 1798, mbas një rebelimi veçanërisht të dhunshëm (dhe shtypjes franceze tej mase të përgjakshme), Napoleoni lë të kuptohet që ai e identifikon veten jo vetëm me pejgamberin, por gjithashtue dhe me Mehdiun, teksa proklamon formimin e një Divani të ri me fjalët e mëposhtme:
Thuajini popullit tuaj se që nga fillimi i kohës, Zoti ka caktuar shkatërrimin e armiqve të Islamit dhe thyerjen e kryqeve nga dora ime. Krahas kësaj, ai ka dekretuar nga përjetësia se unë do të vij nga Perëndimi në Tokën e Egjiptit me qëllimin për të shkatërruar ata që kanë vepruar me tirani në të dhe se do të kryejë detyrat që Ai më ka dhënë. Dhe një njeri me arsye nuk do të dyshojë se kjo është në sajë të dekretit dhe vullnetit të Zotit. Gjithashtu, thuajini popullit tuaj se ajete të shumta të Kuranit fisnik njoftojnë për ngjarjet që kanë ndodhur tashmë dhe tregojnë për të tjera që do të ndodhin në të ardhmen. Dhe me të vërtetë, ka prej atyre që nuk ua zë goja të më mallkojnë dhe të më tregojnë hapur armiqësinë nga frika e armëve të mia dhe pushtetit tim të madh dhe ata nuk e dinë se Zoti i sheh mendimet e fshehta, Ai “e njeh syrin mashtrues, dhe atë çka fshehin kraharorët e njerëzve” (K 40:19). Dhe ata të cilët bartin mendimet të tilla sekrete i kundërvihen vendimeve të Zotit dhe ata janë hipokritë, dhe mallkimi e mëria e Zotit ka për t’i rënë padiskutim mbi krye sepse Zoti i di gjërat e fshehta. Le ta dini gjithashtu se është brenda fuqive të mia që të ekspozojë atë çka gjendet në zemrën e çdonjërit prej jush, sepse unë e njoh natyrën e njeriut dhe e di çfarë fshihet në zemrën e tij që në çastin që unë hedh vështrimin mbi atë, madje edhe nëse nuk e them apo nuk e shqiptoj atë çka ai fsheh. Megjithatë, do të vijë një ditë dhe një kohë në të cilën ju do ta shihni me sytë tuaj se çfarëdo që unë kam ekzekutuar dhe dekretuar është me të vërtetë dekreti hyjnor i parefuzueshëm. Sepse asnjë përpjekje njerëzore, pavarësisht se sa e përkushtuar, nuk do të më pengojë së çuari në vend vullnetin e Zotit, të cilin Ai e ka dekretuar dhe përmbushur me anë të dorës sime. Të lumtur janë ata të cilët me vrull nxitojnë të bashkohen me mua me qëllime të mira dhe me zemër të kulluar.[18]
A e besonte vërtet Napoleoni se deklarime të tilla do të kishin ndonjë efekt mbi popoullin egjiptian? Apo mos vallë ato janë dekretet mashtruesetë një gjenerali që po bëhej gjithnjë e më i dëshpëruar? Në muajt që pasuan, francezët shtypën revolta të tjera në deltën e Nilit, nisën një ekspeditë të dështuar në Siri, dhe kudo u përballën me egjiptianë që rebeloheshin si dhe me një aleancë mes osmanëve dhe britanikëve. Napoleoni vendosi që të largohej. Në anijen me të cilën ai udhëtoi nga Aleksandria në Francë, ndërkohë që bashkëudhëtarët e tij ishin të shqetësuar se mos kapeshin nga marina britanike, Napoeloni ishte i qetë. Ai nuk doli nga kabina e tij, ku lexonte herë Biblën herë Kuranin.[19] Napoleoni la Gjeneralin Jean Baptiste Kleber në krye të forcave franceze në Egjipt. Kleber negocioi me britanikët paktin e el-Arishit në janar të vitit 1800, me anë të të cilit francezët hoqën dorë nga çdo pretendim në Egjipt dhe u rikthyen në Francë.[20]
Deklarimet e Napoleonit në Egjipt ku ai e identifikonte veten me Profetin dhe me Mehdiun, dhe ku afirmonte se ardhja e tij në Egjipt ishte e parashikuar nga Kurani, po të shihen dy shekuj më vonë duket se janë cinike, të bëra për interesa të ngushta, dhe se janë trashazi të pamenduara. E megjithatë, admirimi i Napoleonit për Profetin nuk ishte thjesht një produkt i propagandës së tij në Egjipt, sikurse e shohim nga memoaret që ai dhe një pjesë e ndihmësve të tij shkruan vite më vonë në ekzil në ishullin e shkretë të Shën Helenës në Atlantikun jugor. Sepse pikërisht në këtë ishull të largët, 1,800 kilometra larg brigjeve afrikane, britanikët çuan Napoleonin dhe një grusht nga njerëzit e tij mbas dorëzimit në vitin 1815. Atje, perandori i dikurshëm kishte kohë të bollshme për të medituar gjerë e gjatë mbi triumfet dhe dështimet e tij, dhe gjithashtu, sikurse kemi për ta parë, për të reflektuar mbi fatin e atij njeriut i cili kishte pasur sukses atje ku ai vetë kishte dështuar, Mahometit.
Sekretari i Napoleonit, Emmanuel de Las Cases, autor i Mémorial de Sainte-Hélène, thotë se perandori kishte marrë me vete dy mijë libra në frëngjisht, dhe se në verën e vitit 1816, mbrëmjet ata i kalonin duke lexuar dhe duke diskutuar mbi autorë të ndryshëm, në veçanti Volterin dhe Rasinin. Perandori kishte një kriticizëm veçanërisht të ashpër për Mahomet të Volterit: Volteri
e prostituoi karakterin madhështor të Mahometit duke i atribuar atij intrigat më të ulëta. Ai vuri një njeri të madh, i cili pat ndryshuar fytyrën e botës, që të vepronte si krimineli më i ndyrë, i denjë vetëm për xhelatin. Njerëzit që kanë ndryshuar universin nuk ia kanë dalë kurrë mbanë të bëjnë për vete udhëheqësit, por gjithnjë kanë trazuar masat. Metoda e parë është burimi i intrigës dhe nuk prodhon vetëm se rezultate mediokre; e dyta është marshi i gjeniut, dhe ajo ndryshon fytyrën e botës![21]
Muhamedi i Bonapartit është sërish ai i Savary në një masë të madhe: njeriu madhështor i aftë të frymëzojë masat dhe të ndryshojë fytyrën e botës. Nuk është aspak habi që ai denoncoi dramën e Volterit. Duke vepruar kështu, ai i bëri jehonë pikëpamjeve që ai kishte davariturnë Francë. Sipas Madame de Remusat, Napoleoni i kishte treguar asaj se
tragjeditë e Volterit janë plot pasion, por ato nuk kridhen në thellësitë e shpirtit njerëzor. Për shembull, Mahometi i tij nuk është as profet, dhe as arab. Ai është një mashtrues (impostor)icili në pamje të parë duket se është edukuar në Ecole Polytechnique, sepse ai i përshfaq të gjitha forcat e tij sikurse do të bëja unë në botën e sotme. Vrasja e babait nga ana e birit është krim i pavlerë. Burrat e mëdhenj nuk janë asnjëherë mizorë nëse kjo nuk është e nevojshme.[22]
Konkluzioni i tij: “Volteri nuk i kuptonte as gjërat, as njerëzit, as pasionet e mëdha.”[23] Mahometi, dhe Bonaparti mbas tij, ishte e qartë se i kishin kuptuar që të trija ato.
Në Shën Helenë, Napoleoni shkroi memoaret e tij, përfshirë edhe një përshkrim të fushatës së tij në Egjipt. Këtu ai zhvillon portretin e tij të Mahometit si një ligjvënës dhe ngadhënjimtarmodel. Mahometi, shpjegonte ai, e zhduku idhujtarinë në Arabi dhe “futi kultin e Zotit të Abrahamit, Ishmaelit, Moisiut dhe Jezu Krishtit.” Ndërkohë që të krishterët grindeshin në lidhje me përbërjen e Trinitetit, “Mahometi deklaroi se kishte një Zot unik i cili nuk kishte as atë, as bir; se Triniteti nënkuptonte idhujtari. Ai shkroi në frontespicin e Kuranit: “Nuk ka zot tjetër përveç Zotit”.”
Ai iu drejtua popujve të egër, të varfër, të cilëve u mungonte gjithçka dhe ishin tejet injorantë; sikur ai t’u kishte folur shpirtit të tyre, ata nuk do ta kishin dëgjuar. Në mesin e bollëkut e begatisë në Greqi, kënaqësitë shpirtërore të përsiatjes e meditimit ishin një domosdoshmëri; por në mesin e shkretëtirave, ku arabi psherëtinte pa reshtur për një burim uji, për hijen e një palme ku ai do të mund të gjente strehë nga rrezet e diellit përvëlues tropikal, ishte e nevojshme që të zgjedhurve, si shpërblim, t’u premtoheshin lumenj të pashtershëm qumështi, drurë me aromë të ëmbël ku ata mund të relaksoheshin në hije të përjetshme, në krahët e hurijeve hyjnore me lëkurë të bardhë dhe sy të zinj. Beduinët u përndezën nga premtimi i një vendbanimi kaq magjepsës; ata u përballën me çdo rrezik për të arritur aty; ata u bënë heronj.
Mahometi ishte princ; ai i mblodhi bashkëpatriotët e tij përreth vetes. Në pak vite, myslimanët e tij nënshtruan gjysmën e botës. Ata larguan shpirtra pa fund nga perënditë e rreme, rrëzuan idhuj të tjerë, rrafshuan në pesëmbëdhjetë vjet më shumë tempuj paganë se sa ç’kishin bërë ithtarët e Moisiut dhe Jezu Krishtit bashkë në pesëmbëdhjetë shekuj. Mahometi ishte një njeri i madh.[24]
Mahometi i Bonapartit është një burrështetas dhe pushtuesmodel; ai di si t’i motivojë trupat e tij, dhe si rezultat i kësaj ishte pushtues më i suksesshëm se Napoleoni, i syrgjynosur tanimë në një ishull të izoluar në Atlantikun e jugut. Në qoftë se ai u premtonte kënaqësi sensuale besnikëve të tij, kjo ndodhi për shkak se kjo ishte gjithçka që ata kuptonin; ky manipulim, larg prej të qenit arsye për skandal, nxit vetëm admirim tek perandori i dikurshëm. Njeriu i madh nuk preokupohet me skrupujt lidhur me mashtrimin e masave që besojnë lehtë; ai ka nevojë vetëm që t’i prekë ata, që të përdorë gojëtarinë e tij për t’i bërë ata që të ndërmarrin projekte të mëdha – projektet e tij.
Napoleoni është i gatshëm që të justifikojë, madje edhe të lëvdojë, pjesë të ligjit mysliman që kishin qenë tema të polemikave të panumërta. Përse e lejoi Mahometi poligaminë? Së pari, shpjegon Napoleoni, kjo ka qenë kahmot një praktikë e përhapur gjerësisht në Orient; Mahometi faktikisht e reduktoi atë duke i lejuar çdo burri një maksimum prej katër bashkëshortesh. Krahas kësaj, poligamia është një mjet frytdhënës për të luftuar racizmin, për të nxitur përzierjen racore. Në qoftë se një burrë ka disa bashkëshorte, të bardha dhe me ngjyrë, bijtë e tij, “të zinj dhe të bardhë, si vëllezër që janë, ulen bashkë në të njëjtën tryezë dhe takohen me njërin tjetrin. Prandaj në orient asnjë ngjyrë nuk pretendon se është superiore ndaj një tjetre.” Dhe ish-perandori konkludon me një rekomandim politik: “Kur ne, në kolonitë tona, do të dëshirojmë që t’u japim lirinë zezakëve dhe të shkatërrojmë paragjykimin mbi bazën e ngjyrës, ligjvënësi do të autorizojë poligaminë.”[25] Një numër autorësh francezë të cilët kishin udhëtuar në Perandorinë Osmane, Siri dhe Egjipt kishin vërejtur se skllevërit zezakë trajtoheshin shumë më mirë në Orient se sa në shoqëritë evropiane dhe amerikane të bazuara në skllavëri.[26]Për Napoleonin, vesi veçanërisht perëndimor i racizmit ishte çrrënjosur në Orient nëpërmjet legjislacionit të mbarsur me urtësi të profetit mysliman.
Asnjë re e vetme nuk errëson imazhin rrezatues që perandori i rënë pikturon për profetin e Islamit. Nuk ka asgjë nga ambivalenca që ne shohim, për shembull, te Gibbon-i. E megjithatë, në shumë mënyra ai mbetet një mashtrues (impostor).Mahometi i Bonapartit është autori i vetëm Kuranit si dhe ligjvënësi i vetëm. Revelatat e tij janë shpikje të kurdisura me zgjuarsi dhe që kanë për synim të vënë në lëvizje ithtarët e tij dhe t’i mbledhin ata në një kauzë më të madhe. Mahometi i Bonapartit është vetë Bonaparti, por një Bonapart shumë më i sukseshëm.
Pëktheu: Arjol Guni
Referenca
[1] Victor Hugo, Les orientales, Grands ecrivains ed. (Paris: Grands ecrivains, 1992).
[2] Gustav Seibt, Goethe und Napoleon: Eine historische Begegnung (Munich: C. H. Beck, 2008); Einboden, Islam and Romanticism, 20–21.
[3] Laurens, Les origines intellectuelles de l’expédition d’Egypte.
[4] Elie Krettly, Souvenirs historiques du capitaine Krettly, ancien trompette major des guides d’Italie (Paris: Biard, 1838), 72; përkthyer nga Juan Ricardo Cole, Napoleon’s Egypt: Invading the Middle East (New York: Palgrave Macmillan, 2007), 17.
[5] Cituar në Henry Laurens, L’expédition d’Egypte: 1798–1801 (Paris: Armand Colin, 1989), 108.
[6] Napoleon, Campagnes d’Egypte et de Syrie (Paris: Imprimerie nationale, 1998), 275.
[7] Claude Savary, përkth., Le Coran, traduit de l’arabe, açompagné de notes, et précédé d’un abrégé de la vie de Mahomet, tiré des écrivains orientaux les plus estimés (Paris: Knapen et Onfroy, 1783); Claude Savary, Lettres sur l’Egypte (Paris: Onfroi, 1785); Larzul, “Les premieres traductions francaises du Coran (XVIIe–XIXe siecles).”
[8] Savary, Le Coran, v.
[9] Savary, Le Coran, 21.
[10] Savary, Le Coran, 239. Përkthimi në anglisht nga Elmarsafy, Enlightenment Qur’an, 147.
[11] Savary, Le Coran, 78.
[12] Savary, Le Coran, 101.
[13] Citimi dhe përkthimi nga Elmarsafy, Enlightenment Qur’an, 148.
[14] Cole, Napoleon’s Egypt, 125–26.
[15] Cole, Napoleon’s Egypt, 127–29. 16.
[16] Cole, Napoleon’s Egypt, 159.
[17] Cole, Napoleon’s Egypt, 130.
[18] Citimi i origjinalisht në frëngjisht dhe përkthimi në anglisht i dekretit në arabisht nga El-marsafy, Enlightenment Qur’an, 155. Mbi këtë pasazh, shiko Cole, Napoleon’s Egypt, 216–18
[19] Emmanuel Auguste Dieudonné Marius Joseph de Las Cases, Le mémorial de Sainte- Hélène, 2 vëllime (Paris: Gallimard, 1956–57), 1:1109.
[20] Cole, Napoleon’s Egypt, 243–4.
[21] Las Cases, Mémorial de Sainte- Hélène, 1:501.
[22] Claire Elisabeth Jeanne de Rémusat, “Mémoires Inédits de Mme De Rémusat.— 1802–1808.—Le voyage en Belgique, conversations du premier consul à Boulogne, arrestation du Général Moreau,” 34 (1880): 304–21.
[23] Las Cases, Mémorial de Sainte- Hélènes, 736.
[24] Napoleon, Campagnes d’Egypte et de Syrie, 275.
[25] Napoleon, Campagnes d’Egypte et de Syrie, 153. Mbi dënimin e përgjithshëm të poligamisë nga shkrimtarët europianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shiko Philip C. Almond, Heretic and Hero: Muhammad and the Victorians (Wiesbaden: O. Harrassowitz, 1989), 59–63.
[26] Laurens, Les origines intellectuelles de l’expédition d’Egypte, 122.
Tags: Bonaparti, hero, Muhamedi, romantizmi, volteri Last modified: 02/02/2021