Raymond Brown

Fragment i shkëputur nga libri i Raymond Brown-it me titull: ‘An Introduction to the New Testament, Doubleday Publisher, New York 1996

Ungjilli i Gjonit tërheq vëmendjen për ekzistencën e një dëshmitari okular në kryqëzimin e Jezusit (19:35), që mesa dukej është “dishepulli i preferuar i Jezusit”1 (19:26). Gjoni 21:20, 24 pohon se ky dishepull i preferuar është dëshmitari dhe autori i gjërave të shkruara në këtë ungjill. Ireneusi (rreth 180 e.r.s) e njësoi këtë dishepull me Gjonin (një prej dishepujve) i cili kishte jetuar në Efez2 deri në kohën e Trajanit (rreth 98 e.r.s.). Kur kishte qenë fëmijë Ireneusi kishte njohur Polikarpin, peshkopin e Smyrna, i cili hamendësohej se e kishte njohur Gjonin). Identifikimi i dishepullit të preferuar me Gjonin (birin e Zebedeut), me pak ndryshim, u pranua nga kisha si i vërtetë. Sidoqoftë, siç e kemi thënë më parë (f. 109), sot pranohet gjerësisht se ky hamendësim i fund shekullit të dytë në lidhje me një figurë e cila ka jetuar një shekull më parë, shpesh ka qenë shumë i thjeshtëzuar. Ndonjëherë traditat në lidhje me autorësinë e një vepre kanë qenë më shumë të shqetësuara për autoritetin që qëndronte pas një shkrimi biblik sesa me autorin fizik të shkrimit. Si në rastin e ungjijve të tjerë edhe për ungjillin e Gjonit, nga shumica e teologëve është vënë në dyshim fakti se ky ungjill është shkruar nga një dëshmitarë okular i ngjarjeve të jetës së Jezusit.3

Kush është dishepulli i preferuar? Kryesisht në lidhje me këtë çështje ka tre qasje, së pari, disa kanë propozuar një figurë të njohur të Dhjatës së Re, si një kandidat shtesë ndaj atij tradicionalit (Gjonit birit të Zebedeut), propozime të tjera kanë përfshirë figura si Lazari, Gjon Marku dhe Thomai (Chalesworth). Ndonëse mund të gjenden pasazhe për të mbështetur gjithsecilin prej propozimeve, nëse do të anashkalojmë traditën që e identifikon Gjonin si autor të këtij shkrimi, çdo alternativë tjetër mbetet thjesht një hamendësim. Së dyti, disa teologë e kanë parë idenë e dishepullit të preferuar thjesht si një figurë simbolike, i krijuar për t’iu përshtatur figurës së dishepullit të preferuar. Fakti që ai nuk përmendet asnjëherë me emër si dhe fakti se ai shfaqet pranë Pjetrit në skenat që na bëhen të njohura në ungjijtë sinoptikë dhe një figurë e tillë nuk përmendet4 është marrë nga disa si provë për jo-historicitetin e kësaj figure. Gjithsesi, një tjetër figurë e paemërtuar tek Gjoni e cila ka një rol simbolik dhe shfaqet në rrëfimin e tij aty ku ungjijtë sinoptik nuk përmendin një fakt të tillë, d.m.th nëna e Jezusit (2:3-12; 19:25-27), ka qenë me siguri një figurë historike. Fakti që dishepulli i preferuar shfaqet në këmbët e Jezusit gjatë kryqëzimit të tij, në një kohë kur të gjithë dishepujt e tjerë ishin arratisur, tregon vetëm se ai nuk ishte një anëtarë i dymbëdhjetëshes5, e as një apostull, një term ky që nuk përdoret asnjëherë në ungjillin e Gjonit. Së treti, teologë të tjerë (me të cilët unë jam i një mendjeje) hamendësojnë se dishepulli i preferuar ka qenë një personazh pa rëndësi gjatë jetës së Jezusit, aq i parëndësishëm sa për të mos u përmendur në traditën zyrtare të paraqitur nga ungjijtë. Por meqenëse ky personazh u bë i rëndësishëm në historinë e bashkësisë ku ai ka jetuar (me shumë mundësi ai ka qenë themeluesi i saj), ai u bë shembulli ideal në portretin e dishepujve në ungjillin e tij, i aftë të krahasohej me Pjetrin dhe më i afërti me Jezusin.

A ishte ky dishepulli i preferuar autori i ungjillit sipas Gjonit? Kjo duket se është përshtypja që të lë pasazhi 21:20, 24: “ai i ka shkruar këto gjëra”. A mund të ketë qenë ky një thjeshtëzim i bërë nga redaktori dhe autori i kapitullit 21, i cili ka theksuar pohimin më të saktë që gjendet tek 19:35: “Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni”  Pasazhi i lartpërmendur mund të nënkuptojë faktin se dishepulli i preferuar nuk është autori i ungjijve por dëshmitarë i jetës së Jezusit, për rrjedhojë burimi i traditave që janë përfshirë në ungjillin e katërt. Ungjillori që e ka shkruar këtë pasazh mund të ketë qenë ndonjë ndjekës apo dishepull i dishepullit të preferuar (të cilin e ai e përshkruan në vetë të tretë) dhe jo një dëshmitarë okular i ngjarjeve që rrëfen. Në të vërtetë nëse do të caktojmë për letrat e Gjonit (shih faqe 389 e më poshtë) një tjetër autor si dhe ekzistencën e një redaktori për ungjillin, atëherë duhet të biem dakord me ata të cilët hamendësojnë ekzistencën e një “shkolle Johaniane”6, d.m.th. dishepuj të ndryshëm që kanë përdorur si stilin ashtu edhe materialin tradicional të bashkësisë së tyre, tradicional për arsye se krejtësisht apo pjesërisht ai ishte modeluar nga dishepulli i preferuar.

Kjo hipotezë mund të shpjegojë faktin se përse disa faktorë në ungjillin e Gjonit7 me shumë mundësi reflektojnë vërtetësi në lidhje me ngjarjet e jetës ministrore të Jezusit ndërsa disa të tjerë duken shumë larg prej saj:

  1. Familjariteti me Palestinën. Gjoni e njeh vendndodhjen e Betanisë (11:18), kopshtin përgjatë Kidronit (18:1), portikun e tempullit të Salomonit (10:23), pellgun Betesda (5:2) atë të Siloamit (9:7), si dhe kalldrëmin (Gabatha) (19:13). Këto vende nuk janë përmendur tek ungjijtë e tjerë, e në disa raste provat e jashtme u kanë mbështetur historicitetin e këtyre të dhënave të përmendura në ungjillin e Gjonit. Të tjera të dhëna të përmendura nga Gjoni (Betania përtej Jordanit tek 1:28, Enonin afër Salimit tek 3:23) nuk janë identifikuar ende, por duhet të jemi të kujdesshëm e të mos i shohim këta emra si thjesht simbolikë.
  2. Familjariteti me fenë Judaike. Festat judaike janë përmendur tek 5:9; 6:4; 7:22; dhe 10:22, dhe dialogët e tjerë tregojnë për një njohje të ceremonive dhe teologjisë të festave. Zakonet hebraike janë përmendur në mënyrë eksplicite (rregullat e pastrimit 2:6; 18:28; qengji i pashkës 19:36) si edhe në mënyrë implicite (ndoshta mënyra e punimit të tunikës së kryepriftit 19:23).

Nëse tradita që qëndron pas Gjonit është e ngulitur thellë në Judaizmin dhe Palestinën e asaj kohe8, paraqitja e asaj tradite ka lëvizur ndjeshëm përtej jetës ministrore të Jezusit. Në të vërtetë, vetë ungjillori e pranon një fakt të tillë (2:22) dhe e mbron këtë zhvillim duke e njohur si një proces të udhëzuar nga Fryma-Parakleti (16:12-14). Ata të cilët pranonin Jezusin, sipas ungjillit të Gjonit, përjashtoheshin nga Sinagoga (9:22; 12:43). Madje, të krishterët vriteshin nga anëtarë të devotshëm të sinagogës (16:2). Ne e kemi parë më parë se përdorimi i fjalës “çifut” nga Gjoni, reflekton një zakon të zhvilluar në bashkësinë e tij. Ndryshe nga Jezusi i paraqitur nga ungjijtë sinoptik, Jezusi i Gjonit shprehet haptazi për hyjninë dhe para-ekzistencën e tij (8:58; 10:30-38; 14:9; 17:5). Ai është nderuar si Perëndi (5:16-18; 19:17). Veprimet tradicionale të Jezusit, si shërimi i të gjymtuarit, shumëfishimi i bukëve, shërimi i të verbërve, janë bërë subjekt i predikimeve të gjata që përfshinë reflektime teologjike dhe debate rreth interpretimit të shkrimeve hebraike (5:30-47; 6:30-51a; 9:26-34). Ndryshe nga tradita e sinoptikëve, një grup jo pa rëndësi Samaritanësh besuan në Jezusin në mënyrë të pavarur nga ndjekësit e tij të parë (4:28-42).

Ky zhvillim mund të kuptohet vetëm nëse besojmë se traditat për Jezusin që kishin për burim dishepullin e preferuar, kanë pësuar shtjellime të mëtejshme gjatë viteve dhe janë zgjeruar mbi bazën e eksperiencave të ndryshme të bashkësisë së Gjonit. Duke filluar me pranimin e Jezusit si profeti përfundimtarë dhe Mesiah i pritshmërive të hebrenjve (1:40-49), tradita më pas ka kaluar në gjëra më të mëdha (1:50). Jezusi, në të, nuk është më Biri i Njeriut që do të vinte nga qielli në fund të ditëve për të gjykuar botën, sipas këtij ungjilli, ora e fundit tashmë kishte ardhur dhe ai kishte zbritur. Sekreti i jetës ministrore të tij ishte ky: çdo gjë që ai kishte thënë edhe bërë ishte ajo që ai kishte dëgjuar dhe parë kur kishte qenë me Perëndinë para se Fjala të bëhej mish (5:19; 8:28; 12:49). Izraelitët besuan në Moisiun i cili u ngjit në malin Sinai dhe kontaktoi atje me Perëndinë, e më pas u kthye për të thënë atë që kishte dëgjuar, por Jezusi ishte më i madh se kaq. Ai nuk kishte nevojë të ngjitej për tek Zoti por kishte ardhur nga lart ku kishte parë Perëndinë, kështu që kushdo që do të besonte në të nuk do të përjetonte Gjyqin (3:10-21)9. Dishepulli i preferuar mund të ketë jetuar përmes zhvillimeve historike të bashkësisë (ndoshta edhe përmes përjashtimit nga sinagoga), në këtë mënyrë mund të ketë pasur një lloj simbioze ndërmjet tij dhe ungjillit i cili kishte marrë përsipër të shkruante një traditë e cila jo vetëm i kishte rrënjët e saj në eksperiencën e tij për Jezusin, por gjithashtu ajo trupëzonte dekada të reflektimit mbi atë eksperiencë. Ungjillori, i cili e ka shkrirë këtë reflektim mbi traditën në një vepër me zhdërvjelltësi letrare unike, me shumë mundësi mund të ketë qenë një dishepull i dishepullit të preferuar, rreth të cilit ai ka folur në vetë të tretë. Më pas redaktori, gjithnjë nëse ka pasur një të tillë, mund të ketë qenë një tjetër dishepull.

Përkthyesi: Rezart Beka

[*] Atë Raymond Brown është Distinguished Professor Emeritus of Biblical Studies në Union Theological Semminary (N.Y.C.). Ai konsiderohet si një prej figurave qendrore ndërmjet shkollarëve të Dhjatës së Re. Gjatë jetës së tij ka marrë mëse tridhjetë “honorary degrees” nga universitetet katolike dhe protestante nga e gjithë bota, gjithashtu, ai është zgjedhur si (Corresponding) Fellow of the British Academy dhe anëtar i Akademisë Amerikanë të arteve dhe shkencave. Autor i mëse tridhjetë e pesë librave në lidhje me Biblën, po ashtu ka qenë i vetmi amerikan që është zgjedhur nga dy papë si anëtarë i Komisionit biblik papnor.

    Referenca

[1] Ndërmjet literaturës në lidhje me identitetin e dishepullit të preferuar shih: ” P.S. Minear, NovT 19 (1997), 105-23; M. Pamment ExpTim (1982-83), 363-367; B. Byrne, JSNT 23 (1985), 83-97; J. A. Grassi, The Secret Identity of the Beloved Disciple (New York: Paulist, 1992); J.H. Chalesworth, The Beloved Disciple (Valley Forge, PA: Trinity, 1995).

[2] Ky lokalizim mund të shihet si aspekti më qëndrueshëm i informacionit që jep Ireneusi (AH 3.1.1), sepse ndoshta ende shumica e teologëve mendojnë se ky ungjill është shkruar në Efez. Shih S. Van Tilborg, Reading John in Ephesus (Leiden:Brill, 1996). Një minoritet domethënës kanë sugjeruar Sirinë si vendin e përpilimit të këtij ungjilli, në raste të rralla ka pasur zëra edhe për Aleksandrinë. Ndërsa për sa i përket traditave në lidhje me Gjonin shih: R.A. Culpepper, John, the Son of Zebedee. The Life of a Legend (Columbia, SC: Univ. of South Carolina, 1994). M.-É Boismard, shkruar në gjuhën frënge në 1996, ka grumbulluar evidenca të bollshme për të treguar se Gjoni i vërtetë ka vdekur me vëllanë e tij Jakob në Jerusalem në fillim të viteve 40 e.r.s., por më pas ai është ngatërruar me priftin Gjon/ plaku i Efezit (shih fq. 398 e mëposhtë). Sidoqoftë Gjoni është takuar me Palin në takimin e mbajtur në Jeruzalem (Galatasve 2:9) të cilin shumica e specialistëve e vendosin rreth vitit 49 (shih Tabelën 6 në kapitullin 16).

[3] Një përjashtim i rëndësishëm është ai i Hengelit, “Question“, i cili e identifikon këtë autor me Gjon plakun (jo Gjon apostullin), i cili ishte kryetari i një shkolle në Azinë e Vogël, ku kishte ardhur nga Palestina. Duke qenë ende i ri ai kishte njohur Jezusin, më pas ai e kishte ndërtuar imazhin e tij sipas modelit të dishepullit të preferuar.

[3] Krahaso Markun 14:18-21; 14:54; 16:1-4 me Gjonin 13:23-26; 18:15-18; 20:1-10. Nuk ekziston asnjë paralel tek ungjijtë Sinoptikë për Gjonin 21:20-23.

[4] Për tradita të cilat pohojnë se kanë ekzistuar më shumë dishepuj të Jezusit se sa vetëm dymbëdhjetëshja tradicionale, shih Raymond Brown, Death of Messiah, vëllimi 2, fq. 1017-1018, 1171-1173.

[5] shih Culpepper, School 258-59, për kuptimin e mundshëm të këtij përcaktimi.

[6] Ne do të vazhdojmë ti quajmë si ungjillin ashtu edhe ungjillorin me emrin Gjon, pavarësisht se kush kanë qenë në të vërtetë dishepulli i preferuar dhe autori i ungjillit.

[7] Bultman-i ka pretenduar se një nga burimet që qëndron pas Gjonit (i quajtur fjalimet zbuluese [revelatory discourse]) kanë qenë përpiluar në gjuhën aramaike. Teologë të tjerë kanë shpjeguar pasazhe të ndryshme tek Gjoni si të përkthyera nga Aramaikishtja. Shih C.F. Burney, The Aramaic Origin of the Fourth Gospel (Oxford Univ. 1922); si edhe diskutimin të S. Brown-it, CBQ 26 (1964), 323-39.

[8] Samaritanët e refuzuan punën e Davidit, për ta Moisu ishte figura shpëtimtare par excellence. Do të ishte joshëse sikur të hamendësonim se Samaritanët të cilët besuan në Jezusin (Gjoni 4:39-42) e kanë kanalizuar këndvështrimin që e shihte Jezusin si Biri i Njeriut, si një figurë të ngjashme me Moisiun por më të madhe se ai. Në mënyrë domethënëse, kundërshtarët hebrenj të Jezusit, sipas Gjonit, e kanë konsideruar atë si Samaritan (8:48). Në lidhje me çështjen e samaritanëve dhe Gjonit, shih G.W. Buchanan në “Religions in Antiquity, ed. J. Neusner (Festschrift E. R. Goodenough; Leiden: Brill, 1968), 149-175; E. D. Freed, CBQ 30 (1968), 580-87; C. H. H. Scobie, NTS 19 (1973), 390-414; J.D. Purvis, NovT 17 (1975), 161-98. M. Pamment, ZNW 73 (1982), 221-30.

Last modified: 16/10/2014
Close