Ramon Harvey

Burimi: Harvey, Ramon. 2024. ‘Primordial Human Nature (fiṭra)’, St Andrews Encyclopaedia of Theology. Edited by Brendan N. Wolfe et al. https://www.saet.ac.uk/Islam/PrimordialHumanNature

Koncepti i fitra-s (natyra fillestare – zanafillore – njerëzore apo prirja natyrore) luan një rol të rëndësishëm në antropologjinë teologjike islame. Ajo është para së gjithash një koncept skriptual, e përmendur si në Kur’an (30:30) ashtu dhe në Hadith (veçanërisht në hadithin, “Çdo fëmijë ka lindur në fitra…”). Kuptimi i parë i saj është se devotshmëria ndaj Zotit, që qëndron në themel të monoteizmit etik të Islamit, në njëfarë kuptimi është një aftësi e lindur apo prirje e qenies njerëzore. Tekstet bazë të shpalljes islame, fitra-n e lidhin me pastërtinë e besimit dhe praktikës, themelet e së cilës na vijnë që nga trashëgimia abrahamike, të ripërtërira nga Profeti Muhamed. Edhe pse ndikimi i polemikave të hershme lidhur me caktimin hyjnor mund të vihet re në disa hadithe dhe intepretimin e tyre teologjik, themelet profetike qëndrojnë larg predestinimit të fortë. Në traditën teologjike islame ekziston një vijë dalluese domethënëse, rreth çështjes nëse intepretimin e fitra-s duhet ta lidhim me një besatim metafizik zanafillor midis Zotit dhe të gjitha qenieve njerëzore (që si rregull mbështetet në ajetin 7:172), apo nëse theksi duhet vendosur tek aftësitë e natyrshme njerëzore brenda botës. Në rastin e parë, përvoja fetare njerëzore është thelbësisht e lidhur me kujtimin dhe rikthimin, kurse në rastin e dytë kemi të bëjmë me një ndër realizimet instinktuale dhe intelektuale. Kjo diferencë në interpretime ndikon në përmasën epistemike të fitra-s, në rolin e saj në njohjen e Zotit dhe ndërtimin e vlerave morale, ashtu si dhe në mënyrën se si është përshtatur në jetët shoqërore të myslimanëve.

 

Përmasat skriptuale të fitra-s

Fitra në Kuran (30:30) dhe lidhja e saj me një besatim zanafillor (7:172)

Fjala fitra rrjedh nga rrënja arabe e përbërë nga tre shkronjat f-t-r, e cila gëzon një numër kuptimesh, përfshirë edhe thyerjen apo çarjen, apo krijimin e diçkaje. Është sugjeruar se ky kuptim i fundit, përdorur në Kur’an, më shumë është një huazim disi i ndryshëm nga gjuha etiopiane (Jeffery 2007:221). Mbështetur në këtë kuptim, fitra është e barazvlefshmja e khilqa, që është krijimi i diçkaje me një karakter, natyrë apo prirje të brendashkruar apo origjinare (shih Lane 2003:2416, vëllimi 2).

Burimi parësor skriptual i konceptit të fitra-s është ajeti 30 i sures Rum, për të cilën mund të shprehemi me siguri se është një sure e shpallur në periudhën mekase të misionit të Profetit Muhamed, si për shkak të tematikës që trajton ashtu dhe ajeteve hyrëse (30:2-4), që aludojnë për një disfatë të bizantinëve (romakëve) nga persët e Perandorisë Sasanide. Surja fokusohet te shenjat e botës si dëshmi për monoteizmin, duke përgënjeshtruar dhe hedhur poshtë refuzimin e mesazhit të Profetit nga ana e idhujtarëve (mushrikun) që i shoqërojnë Zotit të tjerë në adhurim. Ajetet thonë:

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Kuran: 30:30)

Fjalia e parë në këtë ajet është në numrin njëjës. Disa komentatorë (ekzegjetë) të Kur’anit kjo i ka shtyrë të kuptojnë se i drejtohet në mënyrë specifike Profetit Muhamed. Por megjithatë, të tjerë kanë thënë se kjo formë gjuhësore është përdorur edhe në vende të tjera në Kur’an, duke nënkuptuar një qëllim të përgjithshëm (El-Maturidi 2006: 185, vëllimi 11). Fjala hanif, e përkthyer më sipër si “i devotshëm i mirëfilltë,” është e pasur në kuptime. Kuptimi themelor është përshkrimi i dikujt që nuk është i dhënë pas të rremes apo idhujtarisë dhe në Kur’an përmendet për ata që ndjekin fenë e Abrahamit (apo Ibrahimit, 2:135; 3:67, 95; 4:125; 6:79, 161). Domethënia e këtij termi duhet të vendoset brenda kontekstit të polemikës fetare midis Profetit dhe idhujtarëve në Mekë, e më vonë me çifutët dhe të krishterët në Medine. Abrahamin ai e pozicionon si një model të përbashkët të monoteizmit etik dhe praktikës rituale, udha e të cilit është braktisur në mënyra të ndryshme nga traditat rivale, për t’u rigjallëruar dhe ripërtërirë vetëm nga misioni i Muhamedit (Watt, “Hanif”). Fitra pra, më natyrshëm kuptohet si prirja e krijuar brenda çdo qenieje njerëzore për t’i orientuar ato drejt formës së natyrshme të fesë së praktikuar nga Abrahami. E megjithatë, ajo është interpretuar edhe si vetë Islami, që është emri që në Kur’an i jepet formës zanafillore të monoteizmit, që në thelb do të thotë nënshtrim apo përkushtim ndaj Zotit (El-Taberi 2001: 493, vëllimi 18). Sipas këtij interpretimi, Zoti nuk u ka dhënë njerëzve një prirje natyrore për t’u orientuar drejt monoteizmit gjatë jetës së tyre, por përkundrazi e ka ngulitur realizimin e plotë të saj në përbërjen e tyre fillestare. Ky dallim i hollë e influencon thellësisht interpretimin e teksteve kryesore skriptuale dhe përcakton tonin për perspektivat teologjike që mund të ngrihen mbi të.

Fraza “nuk ka ndryshim në krijimin e Zotit” mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. Para së gjithash, fjala (khalq) na shpie te kuptimi i fitra-s që po trajtojmë (shih më lart). Por megjithatë, disa komentatorë khalq e interpretojnë si vetë fenë (din), siç përmendet edhe më lart në ajet (El-Taberi 2001: 494-496, vëllimi 18). Mohimi pra në këtë fjali mund të merret në dy kuptime kryesore. Ai ose është tregues, pra që prirja natyrore apo feja zanafillore, e dhënë ndaj çdo qenieje njerëzore, është e pandryshueshme, ose ndërlidhëse, që do të thotë se askush nuk duhet ta braktisë apo korruptojë fenë e vërtetë. Këto nuanca të kuptimit qartësohen edhe më shumë nga hadithi “Çdo fëmijë lind në fitra,” që lidhet me një koment profetik rreth ajetit në fjalë (shih më poshtë pjesën 1.2). Për ta mbyllur, në ajetin 30:30 kemi edhe një tjetër pohim, ku thuhet se “shumica e njerëzve nuk e dinë.” Për rrjedhojë, dituria e lindur apo aftësia për ta ditur atë, bie ndesh me mundësinë apo gjasën e humbjes, mjegullimit apo harrimit të saj (shih Sinai 2023:664).

Një tjetër ajet Kur’anor që bart një domethënie të madhe për kuptimin e fitra-s është ai 7:172, që me ajetin 30:30 lidhet që në komentarët e hershëm të Kur’anit (El-Taberi 2001: 493, vëllimi 18). Ky ajet pason rrëfimin e një marrëveshjeje specifike midis Bijve të Izraelit teksa hynin në Sinai për të marrë Torahun (shih ajetin 7:171). Implikimi i ajetit Kur’anor 7:172 është i një marrëveshjeje apo besatimi akoma dhe më të rëndësishëm, që i përfshin të gjitha qeniet njerëzore.

“Kur Zoti yt nxorri nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë ndaj vetes së tyre, u tha: ‘A nuk jam unë Zoti juaj?’ Ata iu përgjigjën: ‘Po, dëshmojmë se ti je. Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: ‘Këtë nuk e kishim ditur.’”

Siç do ta shqyrtojmë në detaje më të hollësishme në pjesët e mëvonshme, interpretimi që i është dhënë ajetit Kur’anor 7:172, është shndërruar në një element të rëndësishëm të debatit teologjik rreth kuptimit të fitra-s. Një linjë interpretimi thotë se ajo flet për një ngjarje të përjetuar nga të gjithë shpirtrat njerëzorë; një pozicion ky i lidhur me doktrinën e predestinimit (paracaktimit) të fortë, me ngjarjen në fjalë që interpretohet si momenti kur Zoti krijon individët për në Parajsë ose Ferr. Një tjetër perspektivë e sheh atë si pohim i një aftësie të natyrshme e zotëruar nga çdo qenie njerëzore, për të mbërritur te dituria rreth hyjnores brenda jetës së kësaj bote. (Vini re se debati rreth vullnetit të lirë dhe caktimit hyjnor – kader – është një ndër debatet më të vështirë të teologjisë islame dhe nuk mund të parashtrohet për shqyrtim në këtë hyrje. Predestinizmi i fortë do të përdoret për t’iu referuar një doktrine fatalizmi, që do të thotë se destinacioni i çdo shpirti njerëzor drejt Parajsës apo Ferrit është parevokueshmërisht në përputhje me caktimin hyjnor, pa asnjë hapësirë për ushtrimin e kuptimtë të vullnetit të lirë. Shumë teologë janë përpjekur ta shmangin implikimin e predestinizmit të fortë, përmes propozimit të një pajtimi të hollë që pohon dhe pranon si caktimin ashtu dhe vullnetin e lirë).

Fitra në hadith (“Çdo fëmijë ka lindur në fitra…” “Pesë (praktika) nga fitra…” “Ju jeni udhëzuar drejt fitra-s”)

Grupi më i rëndësishëm dhe më domethënës teologjik i haditheve profetike mbi këtë çështje lidhet me idenë se çdo fëmijë është i lindur në gjendjen e fitra-s. Ky transmetim është shënuar në versione të ndryshme të përmbledhjeve kanonike të hadithit, pothuajse gjithmonë në autoritetin e transmetuesit të një numri jashtëzakonisht të madh hadithesh, Ebu Hurejra. Pjesa më e madhe e këtyre transmetimeve gjendet në përmbledhjen e Muslim ibn Haxhaxh (vd. 261/875) (shih Muslim, Sahihu, al-kader, Bab maʿna kul meulud juledu ala el-fitra ue hukm meut atfal el-kufar ue etfal el-muslimin Shënim: që të gjitha referencat e haditheve në këtë hyrje janë marrë nga botimi i Thesarus Islamicus, me përkthim në gjuhën angleze nga vetë autori). Në përmbledhjet e tjera kanonike ku gjenden transmetime të tjera të ngjashme, ato përsëri i ngjajnë atyre të gjendura në sahihun e Muslimit. Është e dobishme t’ia nisim duke diskutuar hadithin e parë, i cili është një transmetim që kalon përmes Ibn Shihab El-Zuhrit (vd. 124/742) deri tek Ebu Hurejra:

“I Dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: ‘Që të gjithë fëmijët kanë lindur në prirjen natyrore (fitra), por më pas janë prindërit e tij që e bëjnë atë çifut, të krishterë apo zjarrputist. Kjo është njësoj sikur nga një kafshë, të lindë një kafshë plotësisht e ndryshme. A vini re në të ndonjë gjymtim?’ Më pas Ebu Hurejra tha: ‘Nëse dëshironi, mund të lexoni: ‘Prirja e natyrshme e Zotit që e ka rrënjosur te njerëzit. Në krijimin e Zotit nuk ka alternim… (30:30).’” (Muslim, Sahihu, el kader, bab ma’na kul meulud, nr. 6926)

Ky version i transmetimit me gjasë paraqet themelet e mësimeve të Profetit Muhamed rreth idesë së fitra-s, që janë ngushtësisht të lidhura me idetë e paraqitura në Kur’an. Në harmoni me ajetin Kur’anor 30:30, me të cilin Ebu Hurejra ndërlidh këtë hadith, fitra përshkruhet si prirja e natyrshme njerëzore e qenieve njerëzore kah besimit të pastër te Zoti, që nënkuptohet se është në përputhje të plotë me ripërtëritjen që Profeti Muhamed i ka bërë fesë së Abrahamit (Shih 2:135 dhe Van Ess 1975:103). Tre fetë që përmenden se e nxjerrin njeriun nga gjendja e natyrshme e besimit në Kur’an përmenden në ajetin 22:17 (ku veç tyre përmenden edhe sabiunët dhe idhujtarët). Një element i fundit është një analogji që një ndryshim të tillë e krahason me gjymtimin e kafshëve nga ana e qenieve njerëzore. Veç kësaj kemi edhe aludimin ndaj ajetit 30:30, që mund të shërbejë edhe si një jehonë e mundshme e ajetit 4:119. “Unë (Djalli) do t’i kequdhëzoj dhe do të ngjall dëshira te ta; do t’i urdhëroj të presin veshët e bagëtive dhe të bëjnë ndryshime në krijimin e Zotit…” Një tjetër transmetim i hadithit është disi ndryshe: “Njësoj siç trajtoni devenë; mos e gjeni të gjymtuar apo jeni ju që ia shkaktoni atë?” (Muslim, Sahihu, el kader, bab ma’na kul meulud, nr. nr. 6931)

E megjithatë, pavarësisht kësaj lidhjeje të ngushtë me temat Kur’anore, harmonizimi i transmetimeve brenda Sahihut të Muslimit (edhe pse ndarja e kapitujve dhe emrat e tyre u organizuan pas vdekjes së Muslimit, shih Pavlovitch 2023: 220-221), ashtu si edhe versione të tjera të hadithit në fjalë, sugjerojnë se historia është disi më e ndërlikuar. Teksti duket se reflekton një ndërveprim midis themeleve të traditës dhe debateve teologjike rreth paracaktimit dhe fatit të foshnjave të vdekura, që u zhvillua në dy shekujt e parë të Islamit. Ndërkohë që tradita profetike kishte shumë gjasa që t’i kundërvihej pikëpamjes së sektit Azariqa të Khauarixhëve, se fëmijët që ndërrojnë jetë përpara sesa të mbërrijnë moshën e pjekurisë janë jobesimtarë, kjo jo domosdoshmërisht nënkupton se debati në fjalë u prodhua qëllimisht (mbi këtë pretendim, shih Ëensinck 2008: 42-44; Adang 2000: 393-394). Përkundrazi, trajtesa në fjalë duket se është një rimarrje në konsideratë e përmbajtjes së saj, që në fillim merrej me polemikat ndërfetare të kohës së Profetit dhe jo me polemikat ndërsektare brenda gjirit të muslimanëve që lindën më vonë (shih Van Ess 1975: 104).

Të dhëna mbështetëse për këtë interpretim vijnë nga struktura që vëzhgojmë midis përmbajtjes së tekstit të hadithit (matn-it) në versionet e tij të ndryshme, transmetuesit kryesor, Ebu Hurejrës dhe përmbledhësve të shekullit të dytë/të tetë në të cilët Muslimi u mbështet. Që të gjithë versionet e këtij hadithi rreth fitra-s që Muslimi merr nga Ebu Hurejra përmes El-Zuhrit, edhe pse dallojnë mes tyre në disa detaje të vogla, nuk e përmendin aspak fatin e fëmijëve (shih Muslim, Sahihu, l-qadar, Bab maʿna kull maulud, nr. 6926, 6927, 6928). Por megjtihatë, në një hadith tjetër nga Ebu Hurejra përmes El-Zuhrit, Profeti pyetet për fëmijët e idhujtarëve, pyetje se cilës i përgjigjet: “Zoti e di më mirë se çfarë do të kishin bërë ata (bi-ma kanu ‘amilin) (Muslim, Sahihu, l-qadar, Bab maʿna kull maëlud, nr. 6933). Lidhja me doktrinën e predestinimit (paracaktimit) theksohet nga një tjetër transmetim që vjen nën autoritetin e Ibn Abasit: “Zoti e dinte mirë se çfarë do të bënin ata kur i krijoi (bi-ma kanu ʿamilin idh khalakahum)’ (Muslim, Sahih, El-kadar, Bab maʿna kull maulud, nr. 6936). Nga kjo mund të përftohet se El-Zuhri bëni një dallim midis transmetimit të Ebu Hurejrës rreth fitra-s dhe fatit të fëmijëve të ndjerë. Të tjerë përmbledhës hadithi nga jashtë Medines, si për shembull Sulayman El-Marsh (vd. 148/765) (Muslim, Sahih, el-kader, Bab maʿna kull maëlud, nr. 6929) and Maʿmar b. Rashid (d. 153/771) (Muslim, el-kader, Bab maʿna kull mawlud, nr. 6931), edhe pse kanë shënuar versione të transmetimit rreth fitra-s nga Ebu Hurejra, shtojnë një shtojcë veç tyre. Në këto transmetime, një njeri apo një grup njerëzish fjalën e Profetit e pason duke e pyetur se çfarë do të ndodhë me fëmijët e vegjël që kanë ndërruar jetë përpara sesa të mbushin moshën e pjekurisë (me fjalë të tjera, duke qenë ende në gjendjen e fitra-s) dhe ai përgjigjet duke thënë, “Zoti e di më mirë se çfarë do të kishin bërë.”

Kësisoj, bazuar në tekstet e mbledhura nga Muslimi, mund të dilet në përfundimin se kur çështjes së fitra-s i shtojmë atë të fëmijëve të ndjerë, duke i ndërlidhur përmes predestinimit, atëherë me gjasa do të kemi një zhvillim të dytë polemik brenda transmetimeve të veçanta të Ebu Hurejrës. Një shembull i këtij konteksti raportohet nga juristi dhe tradicionalisti i famshëm Malik ibn Enes (vd. 179/795). Kur iu tha që sektarët e devijuar (ahl El-ahwa) arsyetojnë duke përdorur këtë hadith (ata përdorin pjesën e parë të hadithit të fitra-s për të arsyetuar kundër predestinimit), Maliku u përgjigj: “Argumento kundër tyre duke përdorur fundin e hadithit (Abu Daëud, Sunan, El-sunna, Bab fi dharariyy El-mushrikin, nr. 4717). Analiza e mësipërme sigurisht që nuk e përcakton çështjen e gjerë të marrëdhënies të këtyre doktrinave teologjike të predestinimit me korpusin e haditheve profetike. Por është domethënëse për të theksuar se kuptimi thelbësor i hadithit rreth fëmijës që lind në fitra, me harmoninë e pasur që ka me ajetet Kur’anore, u paraprin polemikave sektare të shekujve të parë/të shtatë dhe të dytë/të tetë.

Një tjetër grup shumë i rëndësishëm i haditheve flet për praktika të pastërtisë trupore, të cilat konsiderohen si pjesë të fitra-s. Në transmetime të ndryshme, të transmetuara në autoritetin e Ebu Hurejrës përmes El-Zuhrit, Profeti shprehet: ‘Fitra përbëhet nga pesë (praktika),’ apo ‘Pesë’ (praktika) janë prej fitra-s…” El-Bukhari, Sahih, El-libas, Bab qass El-sharib, nr. 5950; Muslim, Sahih, El-tahara, Bab khiSal El-fitra, nr. 620). Ato janë rrethprerja, rruajtja e qimeve publike, rruajtja e sqetullave, prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve. Të njëjtat pesë tradita transmetohen disa herë, edhe pse në raportime të tjera renditja e tyre ndryshon, veçanërisht tre të fundit. see: El-Bukhari, Sahih, El-libas, Bab qass El-sharib, nr. 5950, Bab taqlim El-aẓfar, nr. 5952, El-istiʾdhan, Bab El-khitan baʿd El-kibar wa-natf El-ibt, nr. 6370; Muslim, Sahih, El-tahara, Bab khiSal El-fitra, nr. 620; El-Tirmidhi, Sunan, El-adab, Bab ma jaʾ fi taqlim El-aẓfar, nr. 2981; El-Nasaʾi, Sunan, El-tahara, Bab taqlim El-aẓfar, nr. 10). Separate reports from Ibn ʿUmar mention just trimming the moustache or shaving the pubic hairs, clipping the nails, and trimming the moustache as from the fitra (El-Bukhari, El-libas, Bab qass El-sharib, nr. 5949, Bab taqlim El-aẓfar, nr. 5951).

Një seri alternative hadithesh të transmetuara nga transmetuesit Mus’ab – Talq Ibn Zubejr – Aisha, na përcjellin se Profeti të ketë thënë: “Dhjetë gjëra janë prej fitra-s: shkurtimi (rruajtja) e mustaqeve, rritja e mjekrës, përdorimi i misvakut, larja e hundëve në mënyrën e duhur, prerja e thonjve, larja midis gishtave, rruajtja e sqetullave, rruajtja e qimeve pubike dhe larja e pjesëve intime.” Mus’abi më vonë shton: “Harrova të dhjetën, por mund të ketë qenë larja e gojës.” Por megjithatë, ky version nuk është një hadith i Profetit, por thënie e Talk-ut. Veç kësaj, Mus’abi nga përmbledhësi është shpallur si i refuzuar (munker) (El-Nasai, Sunen, El-zina min El-sunan, Bab El-fitra, nr. 5059).

Një hadith i ngjashëm është i rëndësishëm për të kuptuar një domethënie më të thellë të këtyre transmetimeve rreth fitra-s, edhe nëse nuk përmendin vetë termin. Këtë transmetim e përcjell po Ebu Hurejra, i cili thotë se Abrahami është bërë synet me një sqepar (një vegël e ngjashme me një sopatë të vogël) kur ka qenë mbi tetëdhjetë vjeç (Buhariu, Sahih, El-isti’dhan, Ban El-khitan ba’d El-kibar ue-naft El-ibt, nr. 6371). Rrethprerja, që zakonisht përmendet si pjesë e haditheve që flasin për “pesë praktikat që janë pjesë e fitra-s,” është thellësisht e lidhur me praktikat rituale të Abrahamit (shih Zanafilla 17:24). Që të gjitha këto praktika kanë të bëjnë me heqjen e diçkaje nga trupi, duke përcjellë kështu idenë se prirja e natyrshme e qenies njerëzore është kërkimi i pastërtisë, gjë që nëse ndodh, është dëshmi se personi në fjalë është në fenë zanafillore apo origjinare të praktikuar nga Abrahami. Pavarësisht harmonisë që ka me tekstin Biblik, në tekstet skriptuale islame nuk përmendet aspak se rrethprerja e Abrahamit mund të interpretohet si një besatim.

Një hadith i fundit që lidhet me fitra-n ka të bëjë me Natën e Israsë dhe Miraxhit. Një version shumë i njohur është siç vijon: “Kur i Dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u dërgua në udhëtimin e natës në Jeruzalem, atij iu paraqitën dy enë, njëra me verë dhe tjetra me qumësht. Ai i pa të dyja dhe zgjodhi atë me qumësht. Xhibrili tha: ‘Falenderimi i takon Zotit që të ka udhëzuar drejt prirjes së natyrshme. Nëse do të kishe zgjedhur verën, ymeti yt do të kishte devijuar.’ (Buhariu, Sahihu, El-ashriba, Bab ëa-qaël allah ta ala innama El-khamr, nr. 5635).

Në një tjetër version tregohet që iu paraqit edhe një enë me mjaltë, gjë që na kujton një tjetër hadith ku përmenden katër lumenjtë e Parajsës të përmendura në Kur’an 47:15 (shih Buhariun, Sahih, El-ashriba, Bab shurb El-laban, nr. 5670, edhe pse çuditërisht në këtë hadith përmenden vetëm dy lumenj). E megjithatë, lidhja e qumështit dhe funksionit të tij ushqyes me idenë e prirjes së natyrshme del në pah qartazi nga zgjedhja e Profetit. Edhe në këtë pikë, kemi një tjetër element që na lidh sërish me Abrahamin. Në një tjetër transmetim, Profeti përshkruhet se ka takuar Moisiun (Musën), Jezusin (Isain) dhe Abrahamin. Ai thotë se nga të gjithë pasardhësit e Abrahamit, është ai që i ngjan atij më së shumti (Buhariu, Sahih, ahadith El-anbiya, Bab qawl allah ta’ala wa-hal ataka hadith musa, nr. 3430). Pas kësaj vjen pjesa ku përmenden dy enët që iu paraqitën. Ky version i hadithit e paraqet Profetin si fizikisht të ngjashëm me paraardhësin e tij Abraham dhe përmes zgjedhjes së qumështit, konfirmon që ai zotëron një karakteristikë të brendshme: natyrën origjinare monoteiste që do ta ndalojë bashkësinë (ymetin) e tij nga devijimi (në dallim nga rezultatet që do të kishim nëse do të kishte zgjedhur verën).

Për ta përmbledhur, diskursi skriptual islam rreth fitra-s, paçka se objekt intepretimesh të ndryshme, përcjell një ide themelore koherente. Kjo ide na dikton se qenia njerëzore është formuar në mënyrë të pakufizuar në një formë të plotë, i mbrujtur me një prirje drejt së mirës, që para së gjithash konsiston në besimin monoteist. Kontrasti me konceptin e krishterë të rënies është i fortë (shih Winter 2022:3). Asnjëra nga referencat e fitra-s në Kur’an dhe hadith nuk lidhen drejtëpërsëdrejti me narrativën e Adamit dhe bashkëshortes së tij që hanë nga pema, edhe pse ky episod është diku tjetër domethënës si pjesë e historisë së origjinës së njerëzimit. Përkundrazi, fitra është vazhdimisht e lidhur me monoteizmin dhe praktikat rituale të Profetit Abraham, që nga njëra anë janë treguese të aftësive që janë të mundshme për çdo qenie njerëzore, kurse nga ana tjetër janë ripërtërirë nga Profeti Muhamed përmes shpalljes së tij.

Përktheu: Klajd Bylyku

Tags: , , , , Last modified: 17/04/2026
Close