LM Sacasas
The Convivial Society: Vol. 4, no. 12 (8 korrik 2023)
Ekziston një narrative për inteligjencën artificiale (AI) të cilën e ndesh shpesh. Narrativa që kam në mendje s’ka të bëjë me frikën dhe ankthet kataklizmike që kanë mbushur faqet e portaleve ditore. Më konkretisht, ajo ka të bëjë shumë më shumë me përdorime të zakonshme e konkrete të modeleve që AI gjeneron e që vihen në funksion nga njerëz dhe institucione fare të rëndomta.
Këto përdorime të rëndomta që kam në mendje priren të përshtaten brenda një modeli. Është zbuluar se disa punë i vetëjepen automatizimit, ngase ato edhe ashtu ishin përplot teknikalitete, mekanike dhe të parashikueshme, si p.sh. fjala bie, shkrimi i pamenduar, puna e mundimshme e kontrollimit të kutive, endja poshtë e përpjetë me letra e punë burokracie, prodhimi i përmbajtjeve të pakuptimta, etj.
Më shkurt, është zbuluar se inteligjenca artificiale është veçanërisht e aftë të zëvendësojë punën njerëzore (ose, nga këndvështrimi i entuziastit, të çlirojë punën njerëzore) në situata ku njerëzit tashmë u janë përshtatur, me ose padashje, modelit të një makinerie. Ndërtoni një sistem tekno-social që u kërkon njerëzve të punojnë si makineri, dhe, ja, del se makineritë përfundimisht mund të krijohen për t’i zëvendësuar me goxha lehtësi njerëzit.
Ethan Mollick rishtazi shkroi për aspektet e këtij modeli kur diskutoi AI që tashmë është futur në produktet ekzistuese softuerike në zyrat e Microsoft dhe Google:
Puna e mërzitshme, por kuptimplotë pasi përfundohej nga njerëzit (ta zëmë, pasqyra e vlerësimeve të punës së punonjësve) bëhet e lehtë për t’iu deleguar dikund tjeter (outsourced) – dhe, ç’është e vërtetë, kjo e rrit dukshëm cilësinë. Fillojmë të krijojmë dokumente kryesisht me AI, pastaj ato dërgohen në skedarë të mbajtur po me AI kurse pranuesit përgjigjen kryesisht përmes AI. Akoma më keq, ne ende shkruajmë raporte me dorë, edhe pse e dimë që askush s’i lexon ato. Këso lloj detyrash të pakuptimta, ato që teoricienët organizativë i kanë quajtur thjesht ceremonira, kanë qenë prore me ne. Por AI do t’i bëjë të pakuptimta shumë detyra të dobishme që kanë qenë më parë. Ajo gjithashtu do të shqyejë fasadën që maskonte më parë detyrat e pakuptimta. Ndoshta s’kemi qenë çdo herë në dijeni në kishte pasur puna jonë vërtet ndonjë rëndësi parë nga një aspekt më i gjerë, por në shumicën e organizatave, përfshirë punonjësit në strukturën tuaj organizative, ndiheshin se puna e tyre kishte pasur rëndësi. Me punën e gjeneruar nga AI që u dërgohet AI-ve të tjera për vlerësim zhduket edhe ndjesia e të pasurit kuptim.
Andaj, nisur nga modelet e mësipërme, duhet konsideruar nëse do ishte e leverdishme ta shihnim AI të shpalosur përgjatë një trajektoreje të gjatë tekno-kulturore e jo të qenit e saj vetëm një shkëputje drastike nga ajo që kishte ekzistuar para saj. 1 Me fjalë të tjera, në çfarë mënyrë e kanë përgatitur presupozimet dhe praktikat ekzistuese terrenin e gjendjes së vështirë në të cilën ndodhemi tani? Më shkurt, si u bë e mundur të imagjinohej se AI mund t’i zhvendoska qeniet njerëzore?
Një përgjigje dhënë kësaj pyetjeje, nga pikëpamja ekonomike dhe politike, është se për disa punë të caktuara dhe nën disa rrethana të caktuara, makineritë janë përdorur në interes të efikasitetit, produktivitetit dhe profitit. Asgjë e befasishme këtu. Por unë jam i interesuar t’i qasem paksa më ndryshe pyetjes së mësipërme. Kërshëria më shtyn ta di se përse qenka e pranueshme premisa se qeniet njerëzore mund t’u zhvendoskan nga makineritë dhe deri në ç’masë mund ta mirëpresim një zhvendosje të tillë a ta marrim atë si të mirëqenë?
Teza ime e tanishme është si vijon: Pretendimi ose frika se AI do t’i zëvendësojë qeniet njerëzore bëhet e besueshme deri kur mbërrin në atë shkallë që tregon se ne jemi bashkëfajtorë në çaftësimin e thellë që është zhvilluar gjeneratave të fundit. Ose, thënë më ndryshe, është më e lehtë të imagjinohet se ne jemi të zëvendësueshëm pasi ia kemi deleguar (outsource) makinerive shumë prej kompetencave tona elementare njerëzore.
Le ta shtrojmë këtë disi më ndryshe: mesazhi i mediumit që tani e quajmë AI na thotë se institucionet dhe teknologjitë moderne i kanë shkolluar njerëzit drejt vjetërsimit të tyre në të ardhmen.
Në fakt, mund të vijojmë tutje e të themi se triumfi i institucioneve moderne është se ato na kanë shkolluar madje për ta dëshiruar vjetërsimin tonë. Nëse një punë, një detyrë, një rol a një veprimtari bëhet aq mekanike ose burokratike për hir të efikasitetit dhe përshkallëzimit, të themi, zhvishet prej çdo iniciative, mendimi, gjykimi dhe, rrjedhimisht, përgjegjësie njerëzore, atëherë sigurisht që automatizimi i saj do të mirëpritet dhe do të kremtohet. Nëse jemi shkolluar të mendojmë se na mungojnë nivelet bazike të kompetencave dhe aftësive latente, ose anasjelltas, kultivimi i kompetencave dhe aftësive të tilla na sjellka shumë bezdi, rrezik ose pasiguri, atëherë sigurisht që do ta mirëpresim dhe kremtojmë zëvendësimin e punës, të angazhimit dhe kujdesit tonë.
Në vitet e 60-ta dhe 70-ta, kritiku social Ivan Illich2 hodhi një kritikë të gjerë dhe të ashpër kundër institucioneve të epokës industriale – përfshirë shkollën, mjekësinë dhe transportin. Pra, ai kritikou këto që ne atëherë i konsideronim “të mira” – pikërisht në këtë drejtim. Ajo që këto institucione na kanë mësuar para së gjithash, deklaronte Illich, është se ne në vetvete jemi të pamjaftueshëm karshi detyrës për të jetuar bashkërisht si qenie njerëzore në botë. Se ne nuk mund të vazhduakam pa produktet dhe shërbimet që ato institucione vetë mund të na ofrojnë. Të tilla institucione nuk janë të interesuara të na aftësojnë ose fuqizojnë, ato vetëm duan të na gremisin në një gjendje të pambarimtë varësie ndaj konsumizmit. Profesionet që lidhen me institucione të tilla Illich i quante “profesione që të bëjnë invalid.”
“Njerëzit kanë nevojë për mjete të reja që të punojnë me to e jo mjete që ‘punojnë’ për ta,” argumentonte Illich. Ai gjithashtu arriti në përfundimin se “institucionet e shoqërisë industriale bëjnë pikërisht të kundërtën. Ndërsa fuqia e makinerive rritet, roli i njerëzve zvogëlohet gjithnjë e më shumë derisa tkurret në nivel të konsumatorëve të thjeshtë.” Në këtë aspekt, zhvillimi aktual i AI 3 është vetëm një pjesë e strukturave të mëparshme të zhvillimeve teknologjike dhe institucionale. Linja e trendit është konsistente, vetëm së fundmi një klasë dhe një gamë e re rolesh dhe aktivitetesh kanë filluar të largohen nga dora e njeriut (outsource) për hir të një sistemi që ishte fare “i painteresuar” për vlerat njerëzore – siç është bërë tanimë modë të thuhet – sepse ky sistem u kërkonte qenieve njerëzore t’i përfillnin me përpikëri standardet jonjerëzore të përshkallëzimit, shpejtësisë, efikasitetit dhe përfitimit.
Kjo linjë e zhvillimit institucional dhe teknologjik do të vazhdojë me një ritëm të përshpejtuar dhe pa ndonjë përllogaritje – sado e përkohshme dhe e kontestuar që mund të jetë ajo – se ç’është e mirë që njerëzit duhet bërë pa u mbështetur në punën e një makine që do mund ta bënte atë më mirë sipas disa parametrave të caktuar (më shpejt, më lirë, etj.). Dhe, në qoftë se institucionet tona – qofshin ato politike, kulturore apo korporative – nuk duan të bisedojnë për këto çështje, atëherë të paktën ne duhet ta bëjmë atë për veten tonë dhe me cilindo komunitet që kemi fatin t’i përkasim.
Para pak kohësh kalova disa orë duke u endur nëpër labirintin e makinerive për shërbime të klientit rreth një karte krediti. Është një përvojë banale dhe e njohur kjo. S’do ua lodhi kokën me detaje. Ndërsa kaloja nga një shërbim i automatizuar tek një departament dhe më pas tek një tjetër dhe sërish kthehesha mbrapsht, ad nauseam, e kuptova se kisha hasur në tre lloje agjentësh. Sigurisht që ekzistonte një dallim i dukshëm midis shërbimit të automatizuar dhe personave, por m’u kujtua se duhej ta bëja edhe një dallim tjetër.
Kur më në fund takova një person që mori përsipër njëfarë kujdesi dhe përgjegjësie për rastin tim, e gjithë cilësia e përvojës sime ndryshoi. Toni i ndërveprimit ishte krejtësisht i ndryshëm dhe ndjenja e të qenit i bllokuar në një lak të pafund kotësie përnjëherë u zbeh. Këtu, më në fund, ishte një person në kuptimin e plotë të fjalës i cili po merrej me mua, pra, si person, dhe jo thjesht si një problem i kornizuar nga një manual i mirëpërpiluar burokratik.
Ajo që dua të them me këtë, dhe dua të jem i kujdesshëm se si e shprehi këtë, është se ai grusht njerëzish me të cilët kisha folur më parë, pavarësisht se si u morën ata me mua, nuk ishin persona që kishin kushedi se çfarë morali. Dua vetëm të them se ata flisnin dhe silleshin sikurse makineritë. Atëherë, më dukej se nuk ishin dy, por tre mundësi navigimi në këtë sistem: të takoja një makineri, të takoja një person, veprimet e të cilit ishin sikurse të makinerisë dhe, në fund, të takoja një person që disi arriti t’i rezistonte një konformiteti të tillë.4
E vërteta është se parimet e efikasitetit dhe shpejtësisë, optimizimit dhe përfitimit, tema të përsëritura këtu kohëve të fundit, po diktojnë gjithnjë e më shumë mënyrën se si veprojmë dhe ndërveprojmë në shumë, nëse jo në shumicën, prej hapësirave shoqërore ku banojmë. Automatizimi i pamenduar, i cili i demoralizon të gjitha palët, bëhet kësisoj mënyrë e programuar e jona, ani pse merr formën e indiferencës docile apo zemërimit dhe indinjatës krejtësisht të parashikueshme.
Sa befasuese që mund të jetë, por edhe gjallëruese dhe jetëdhënëse, kur të takosh dikë që do të thyejë shabllonet e të merret me ty si një person në kuptimin e plotë të fjalës – gjen kohë për ty, të sheh me dashamirësi dhe respekt, të ofron njerëzisht një ndihmë duke qenë fare i/e përqendruar në të, shfaq kujdesin me fjalët që t’i flet dhe mënyrën se si i shpreh ato. Thjesht, të pranohesh si person nga një person mund të jetë një dhuratë rigjallëruese dhe shumica prej nesh, deri në një farë mase, mund ta japim atë pa pagesë. Kështu, pra, duhet vepruar. Kjo mbase është praktika më jetike, ose thënë më mirë, disiplina më jetike që mund ta kultivojmë. Efekti është nganjëherë jo aq i ndryshëm nga ai i atyre tregimeve tona kur dikujt që gjendet pranë vdekjes i jepet një ilaç magjik, jetëshpëtues, që e ringjall mu në atë çast … por këtu flitet për ilaçin e shpirtit. Dhe në këtë rast, vetia shëruese e gjallëron si marrësin, ashtu edhe dhënësin e eliksirit.
Entuziastët pandehin se inteligjenca artificiale do të na çlirojë, edhe pse kurrë nuk është plotësisht e qartë se nga çfarë do çlirohemi, nëse dëshirojmë të çlirohemi ndonjëherë, ose, më e rëndësishmja, deri në ç’masë duam të çlirohemi. Por makina do të na çlirojë vetëm në atë masë sa ta gëlltisë vetveten, të gëlltisë gjithë çfarë që ajo, në format e saj jetëgjatë teknologjike, ekonomike dhe institucionale, donte dhe kërkonte nga ne.
Te ungjijtë është një ngjarje e shkurtër, por e paharrueshme, ngjarje kjo që më së shumti njihet për implikimet e saj politike. Historia fillon me parinë fetare e cila orvatej ta fuste Jezu Krishtin në kurth me një pyetje që do ta shtrëngonte atë ose të mohonte tërthorazi se ai ishte Mesia i pritur, ose t’ia hapte derën akuzave për tradhti kundër perandorisë: “A është e lejueshme t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo?”
Jezu Krishti, gjithnjë i vetëdijshëm për motivet e tyre, e kërkon një monedhë. Kur ia sollën, Jezusi pyet: “E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?” “Të Cezarit” u gjegjën ata. Atëherë ai u tha atyre: “Jepini, pra, Cezarit që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.”
Në këtë mënyrë kurthi u shmang kurse kërkesat e Cezarit u minuan krejtësisht. Po ç’është e Cezarit? Një copë metali me imazhin e tij. Jepja atij. Sikur po e shoh Jezusin duke ua vërvitur monedhën. Po ç’është e Zotit? Gjithçka. Gjithçka që ka rëndësi. Më konkretisht, e tërë jeta e personit. Ashtu siç monedha mbante imazhin e Cezarit, ashtu edhe qenia njerëzore në traditën hebraike mban imazhin e Zotit dhe ngjasimin me Të.
Disa e marrin me seriozitet rëndësinë e frymës fetare, të tjerët jo. Bëj si të duash. Unë për vete mendoj, më mirë me thënë, e kam një parandjenjë, ose intuita më thotë se diç nga kjo frymë mund të na drejtojë për së mbari në momentet e tanishme ngase një forcë tjetër shumë e ndryshme totalizuese na i do burimet tona, vëmendjen tonë dhe besnikërinë tonë të paluhatshme.
Ç’do të thotë t’i japësh makinerisë atë që është e makinerisë mu në këtë frymë? Të rikthesh domethënien e të qenit një person, bashkë me praktikën subversive të të njëjtit brenda një sistemi tekno-ekonomik mekanizmat e programuar të të cilit na shtyjnë të harrojmë këtë fakt jetësor për veten dhe fqinjët tanë? Të rikthesh vetëbesimin tek ato që jemi në gjendje t’i bëjmë vetë dhe për njëri-tjetrin përballë një sëre teknologjish, shërbimesh dhe institucionesh që tregtojnë veten nën shenjën e tërthortë gjoja të pafuqisë sonë dhe nën flamurin e një çlirimi drobitës? Lëreni makinerinë të marrë atë që është stampuar me uturimën e saj, e ne të mbajmë gjithçka tjetër.
E di, këto janë vetëm provokime. I hodha këtu me shpresë se ato do na nxisin në kuptimin më të mirë. Juve ua lë të vendosni.
Përktheu: Visar Zeka
1 Natyrisht, AI ka një histori teknike të gjatë që fillon diku nga mesi i shekullit të 20-të. Por ajo që kam parasysh këtu nuk është zhvillimi i elementeve teknike të asaj që ne e quajmë AI, por ato që pandehen për të dhe vlerat që e rregullojnë mënyrën se si zhvillohet, vendoset dhe pranohet ajo.
2 Shumë prej jush e dinë se Ivan Illich është ndër kryesorët që ka ndikuar në të menduarit tim. Ai ishte mendimtar i shumanshëm – ishte kritik social radikal, historian, prift, poliglot. Ky buletin ia detyron emrin e tij, pjesërisht, titullit të librit të tij të vitit 1973, Tools for Conviviality. Ai mbahet mend kryesisht për kritikat e tij ndaj teknologjive dhe institucioneve industriale, të cilat ai i quajti kolektivisht si mjete. Mund të lexoni për të disa artikuj më të vjetër (këtu dhe këtu ).
3 “AI” është një etiketë që tani mbledh rreth vetes një ansambël shumë të gjerë teknologjish, teknikash dhe sistemesh. Jo gjithçka që quhet AI përputhet me atë që po përshkruaj këtu.
4 Do doja të shpresoja që kjo të ishte e vetëkuptueshme, por, për të qenë sa më të qartë, gjithë ajo çfarë thash këtu nuk përbën akuzë kundër individëve të cilëve ua drejtova këtë shkrim. Ata nuk janë fajtorë për kushtet në të cilat ata punojnë, standardet të cilave duhet t’u përmbahen, ose metrikat me të cilat ata vlerësohen.
Tags: Cezari, inteligjenca artificiale, Ivan Illich, njerezimi Last modified: 27/10/2023