Imam Fakhrudin Razi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Surja el-Kader ka pesë ajete.
“Ne e kemi zbritur atë në Natën e Kadrit.” Surja el-Kader:1. Ky ajet përfshin disa çështje të rëndësishme.
Çështja e parë: Komentuesit e Kuranit janë të një mendimi sa i takon faktit se Kurani është shpallur në Natën e Kadrit, por Zoti i Plotfuqishëm jo pa arsye nuk e shpreh qartë këtë gjë, gjë që konfirmon madhështinë e Kuranit në tre aspekte:
Aspekti i parë: Zoti ia atribuon Vetes shpalljen e Kuranit dhe e specifikon në mënyrë ekskluzive këtë gjë.
Aspekti i dytë: Zoti nuk e shpreh kryefjalën me një emër por me një përemër vetor në numrin shumës, gjë që e bën të panevojshme shprehjen eksplicite të saj dhe kjo është shenjë e mprehtësisë. Nuk e keni vënë re që edhe në suren e mëparshme Zoti nuk e përmend emrin e Ebu Xhehlit, sepse ai nuk është i panjohur për shkak të namit të tij, ashtu si edhe në suren el-Vakia, ajeti 83 “Atëherë, përse kur i vjen shpirti në grykë” Zoti nuk e përmend vdekjen sepse ajo është njohur.
Aspekti i tretë: Dëshmon për rëndësinë e kohës në të cilën u shpall Kurani.
Çështja e dytë: Në disa ajete Allahu shprehet me përemrin vetor, veta e parë, numri njëjës “Unë” si përshembull në suren el-Bekare, ajeti 30: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ndërsa në disa ajete të tjera shprehet me përmerin vetor, veta e parë, numri shumës “Ne”, si përshembull në suren në fjalë “Ne e kemi zbritur atë në Natën e Kadrit.”, ose në suren el-Hixhër, ajeti 9: “Sigusisht Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”, ose në suren Nuh, ajeti 1: “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij”, ose në suren el-Keuther, ajeti i parë: “Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira”.
Por duhet ditur se përemri vetor Ne përdoret ndonjëherë edhe si shprehje e madhështisë, që do të thotë se në këtë kontekst është e pamundur të interpretohet si një përemër vetor në numrin shumës, sepse të gjitha provat tregojnë për unitetin e Krijuesit, përndryshe nëse do të ekzistonin shumë perëndi, do të degradonin dhe humbnin peshën e të qenit hyjnorë, sepse nëse secili prej tyre do të ishte i aftë për të qenë i përsosur, atëherë asnjëri prej tyre nuk do të kishte nevojë për tjetrin dhe mjafton ky fakt, pra që asnjëri prej tyre nuk ka nevojë për tjetrin për të dalë në përfundimin se të gjithë janë të mangët. Në anën tjetër, nëse asnjëri prej tyre nuk është i aftë për të qenë i përsosur, atëherë vetëkuptohet se që të gjithë janë të paaftë, sepse ky është i vetmi përfundim i arsyeshëm dhe në këtë kuptim, përemri vetor Ne, mund të interpretohet veç si shprehje e madhështisë dhe kurrsesi si peremër vetor në numrin shumës.
Çështja e tretë: Në qoftë se lind pyetja, si është e mundur që Kurani zbriti në Natën e Kadrit ndërkohë që ne e dimë se ai ka zbritur pjesë-pjesë? Do të jap disa përgjigje për këtë pyetje:
Përgjigjja e parë: Imam Shabiu ka thënë: Zbritja e Kuranit ka filluar Natën e Kadrit, sepse ai u shpall gjatë Muajit të Ramazanit.
Përgjigjja e dytë: Ibn Abasi ka thënë: Kurani ka zbritur i tëri në Natën e Kadrit në qiellin e dynjasë, pastaj pjesë-pjesë në tokë, Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Betohem në çastin e perëndimit të yjeve”[1] Surja el-Vakia:75, dhe në fakt ne e kemi sqaruar këtë gjë kur komentuam ajetin “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani” (…)
Përgjigjja e tretë: Ne e zbritëm këtë përkujtim: “Në Natën e Kadrit”, shpreh rëndësinë dhe vlerën e Natës së Kadrit.
Çështja e katërt: Fjala القدر – el-kader – caktimi, buron nga rrënja e foljes kadertu në të shkuarën, ekdiru në të tashmen dhe kaderan në pjesore, dhe ka kuptimin e vendimeve që Zoti merr. Allahu ka thënë në Kuran: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” Surja el-Kamer:49.
Dijetarët kanë një mosmarrëveshje të dukshme lidhur me shkakun e emërtimit të kësaj nate, Nata e Kadrit:
Mendimi i parë: Ajo është nata e përcaktimit të çdo gjëje. Ataja transmeton se Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Në të vërtetë Allahu ka caktuar çfarë do të ndodhë gjatë gjithë vitit; shiun, riskun, jetën dhe vdekjen deri në Natën e Kadrit vitin e ardhshëm. Në këtë kuptim është edhe ajeti kuranor: “Në atë natë vendoset çdo punë e urtë” Surja el-Duhan:4.
Por ne duhet të dimë se paracaktimi i Zotit në fakt nuk ndodh atë natë, sepse Zoti ka përcaktuar çdo gjë para se të krijonte qiejt dhe tokën, por atë natë u ndahen dekretet engjëjve të cilët i shkruajnë ato në Pllakën e Ruajtur (Leuhi el-Mahfudh), ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve.
Mendimi i dytë: Thuhet se Imam Zuhriu mendonte se Nata e Kadrit quhet e tillë sepse është natë madhështore dhe shumë e rëndësishme, mjafton të kujtojmë se Allahu thotë për të në Kuran “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”, por këtu mund të nxjerrim dy përfundime të rëndësishme:
I pari: Ky nderim i referohet vepruesit, pra besimtarit të përkushtuar, pra kush përkushtohet në adhurime bëhet i rëndësishëm dhe i nderuar.
I dyti: Ky nderim i referohet veprës, pra adhurimit. Vepra e mira gjatë kësaj nate ka rëndësi dhe peshë të shtuar.
Ndërsa Ebu Bekër el-Verak mendon se Nata e Kadrit emërtohet e tillë sepse atë natë u shpall libri më i rëndësishëm, përmes engjëllit më të rëndësishëm, te shoqëria më e rëndësishme dhe ndoshta për këtë arsye Zoti e përmend tri herë fjalën el-kader në këtë sure.
Mendimi i tretë: Ajo është nata e ngjeshjes, sepse toka mbushet me engjëj.
Çështja e pestë: Allahu e mban të fshehur Natën e Kadrit për disa arsye, mendoj unë:
E para: Zoti e mban të fshehur Natën e Kadrit ashtu siç mban të fshehur edhe shumë gjara të tjera. Zoti e ka fshehur le të themi kënaqësinë e Tij për përkushtimin tonë në ibadete, në mënyrë që besimtarët të shfaqin përkushtim total, ashtu siç mban të fshehur zemërimin e Tij për mëkatet, në mënyrë që besimtarët të ruhen nga të gjitha. Zoti e mban të fshehur kush është veli[2], që njerëzit të kenë nderim për të gjithë. E mban të fshehur përgjigjen e lutjes, që njeriu të lutet sa më shumë. Zoti mban të fshehur emrin më të madh, që besimtarët t’i madhërojnë të gjithë emrat. Mban të fshehur namazin e mesëm që të përkujdesen për të gjithë namazet. Mban të fshehur pranimin e pendimit që besimtarët të pendohen vazhdimisht. Mban të fshehur vdekjen që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë. Prandaj mban të fshehur edhe Natën e Kadrit që besimtarët të çmojnë çdo natë të Ramazanit.
E dyta: Le të themi se Allahu i Madhëruar thotë: Nëse do t’jua bëja të ditur Natën e Kadrit me gjithë guximin tuaj për të mëkatuar, që ndoshta ju shtyn të mëkatoni edhe gjatë saj, do të ishte shumë e rëndë për ju të mëkatonit gjatë asaj nate tashmë që e dini se ajo është Nata e Kadrit, ndryshe është çështja kur nuk e dini dhe mëkatoni, prandaj Unë e kam mbajtur të fshehur.
Tregohet se profeti a.s hyri një herë në xhami dhe gjeti dikë duke fjetur. Urdhëroi Aliun ta zgjojë dhe të marrë avdes. I habitur Aliu i thotë: “O i dërguari i Allahut, ti ia kalon të gjithëve për vepra të mira, përse nuk e zgjove vetë?! Në qoftë se ai do të refuzonte ty të zgjohej nuk do të bënte kufër, prandaj të kërkova ty ta zgjosh që të zvogëlohej mëkati i tij në qoftë se do të refuzonte, -ia ktheu ai.
Në këtë kuptim në qoftë se kjo është mëshira e treguar nga profeti (a.s.) me siguri mëshira e Allahut është shumë më e madhe. Pra le të themi se Zoti ka dashur të thotë që, nëse e di se cila është Nata e Kadrit, adhurimi gjatë saj vlen sa shpërblimi i një mijë muajve, por nëse mëkaton ndëshkohesh sa një mijë muaj, në këtë kuptim shmangja e ndëshkimit vlen më shumë se përfitimi i shpërblimit.
E treta: Unë e kam mbajtur të fshehur Natën e Kadrit në mënyrë që besimtarët të përpiqen ta gjejnë atë, në këtë kuptim përfitojnë edhe shpërblimin e përpjekjes.
E katërta: Në qoftë se besimtari nuk e di se cila është Nata e Kadrit, do të përpiqet të jetë i përkushtuar në adhurim gjatë gjithë netëve të Ramazanit, me shpresën se njëra prej tyre do të jetë me siguri Nata e Kadrit. Allahu mburret me besimtarët para engjëjve dhe u thotë: Ju mendonit se këta do të shkaktonin trazira në tokë dhe do të derdhnin gjak. Shikojeni si përpiqen dhe përkushtohen edhe pse nuk e dinë cila është Nata e Kadrit, paramendoni sa do të përpiqeshin po ta dinin cila është ajo natë?! Dhe vetëm tani mund të zbulohet sekreti i Fjalës së Zotit: “Unë di atë që ju nuk e dini” Surja el-Bekare:30.
Çështja e gjashtë: Nata e Kadrit pasohet nga Dita e Kadrit? Dijetarët kanë mosmarrveshje për këtë çështje.
Imam Shabiu mendon se edhe dita ka vlerën e natës dhe ndoshta arsyetohet me faktin se nata përfshin edhe ditën, për këtë arsye kush zotohet të bëjë dy net Itikaf në xhami detyrohet të qëndrojë aty edhe gjatë dy ditëve. Allahu i Lartmadhëruar thotë në Kuran: “Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës.” Surja el-Furkan: 62, pra nata pason ditën dhe anasjelltas.
Çështja e shtatë: Nata e Kadrit përsëritet çdo vit apo është ndërprerë?
Kush arsyeton se rëndësia e saj lidhet me zbritjen e Kuranit sigurisht që mendon se ajo natë nuk përsëritet më, megjithatë shumica e dijetarëve mendojnë se ajo natë përsëritet çdo vit dhe në këtë kuptim lind një pyetje e dytë; Kjo natë lidhet posaçërisht me muajin e Ramazanit apo jo? Tregohet se Abdullah ibn Mesudi thoshte se kush përpiqet gjatë gjithë vitit, do ta arrijë Natën e Kadrit. Ndërsa Ikrime mendonte se “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar” bëhet fjalë për Natën e Beraes[3], megjithatë shumica e dijetarëve mendojnë se Nata e Kadrit është veçori e muajit të Ramazanit dhe për këtë sjellin si argument fjalën e Allahut “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani” dhe “Ne e kemi zbritur atë në Natën e Kadrit”, në këtë kuptim duhet të pranojmë se Nata e Kadrit gjendet në Muajin e Ramazanit, për të shmangur një kontradiktë të mundshme.
Pasi ramë dakord se Nata e Kadrit gjendet në Muajin e Ramazanit, duhet të themi se dijetarët kanë dhënë tetë mendime se në cilën natë të muajit gjendet Nata e Kadrit:
Ibn Rezin mendon se Nata e Kadrit është nata e parë e Muajit Ramazan. Hasan el-Basriu mendon se ajo është nata e shtatëmbëdhjetë. Enesi mendon se është nata e nëntëmbëdhjetë. Muhamed ibn Ishak mendon se ajo është nata njëzet e një. Ndërsa Abdullah ibn Abasi pretendon se ajo është nata njëzet e tre. Ibn Mesudi pretendon se ajo është nata njëzet e katër, Ebu Dherr el-Gifari pretendon se ajo është nata njëzet e pesë, ndërsa Ubej ibn Kab dhe një grup sahabësh pretendojnë se ajo është nata njëzet e shtatë.
Ata që pretendojnë se Nata e Kadrit është nata e parë mbështeten në transmetimin e Vehbit, se Fletushkat iu shpallën Ibrahimit natën e parë të Ramazanit, ndërsa Teurati natën e gjashtë, shtatëqind vite pas Fletushkave të Ibrahimit. Zeburi i zbriti Daudit në natën e dymbëdhjetë të Ramazanit, pesëqind vite pas Teuratit. Inxhili i zbriti Isait në natën e tetëmbëdhjetë të Ramazanit, gjashtëqind e njëzet vite pas Zeburit, ndërsa Kurani i zbriste çdo Natë Kadri profetit a.s nga viti në vit, atë e zbriste Xhibrili nga Bejt el-Ize në qiellin e shtatë në qiellin e dynjasë, kështu Zoti e zbriti Kuranin për njëzet vite e njëzet muaj. Meqë në këtë muaj ndodhën këto ngjarje të jashtëzakonshme, nuk diskutohet që ai është muaji më i rëndësishëm dhe më i çmuar, në këtë kuptim Nata e Kadrit përkon me natën e parë të këtij muaji.
Hasan el-Basriu pretendon se Nata e Kadrit është nata e shtatëmbëdhjetë sepse në mëngjesin e asaj nate ndodhi Lufta e Bedrit. Për natën e nëntëmbëdhjetë ekziston një transmetim nga Enesi, ndërsa imam Shafiu pretendon se ajo është nata e njëzet e shtatë dhe për këtë argumentohet me hadithin e ujit dhe baltës dhe shumica e dijetarëve në fakt këtij mendimi i mëshojnë dhe madje kanë përmendur edhe shumë shenja që e identifikojnë këtë natë:
E para: Surja el-Kader ka tridhjetë fjalë, dhe përemri dëftor هي – ajo (që referon tek Nata e Kadrit) është i njëzet e shtati në renditjen e fjalëve.
E dyta: Tregohet se Umeri pyeti një herë sahabët dhe më pas iu drejtuah Abdullah ibn Abasit duke e pyetur, “Po ti si mendon?” Në këtë moment ndërhyn Zejd ibn Thabit: Solle veç fëmijët e muhaxhirëve dhe asnjë nga fëmijët tanë. E kuptoj tha Umeri, – ti mendon se ky është djalosh i vogël por ai di gjëra që ju nuk i dini. Abdullah ibn Abasi tha: “Numri tek është numri më i preferuar i Zotit, ndërsa shtata është numri më i preferuar mes numrave tek. Ekzistojnë shtatë qiej, shtatë toka, shtatë janë ditët e javës, po ashtu nivelet e xhehenemit, numri i tavafeve, shtatë gjymtyrët, të gjitha këto tregojnë se ajo është nata e njëzet e shtatë.”
E treta: Tregohet se Abdullah ibn Abasi ka thënë: Ajeti kuranor “Nata e Kadrit” ka nëntë shkronja dhe ajo përmendet tri herë në suren el-Kader, kështu që ajo është nata e njëzet e shtatë.
E katërta: Tregohet se shërbëtori i Othman ibn ebi el-As i tha një herë këtij të fundit, uji i detit ëmbëlsohet një natë në muaj. Do të më tregosh kur të ndodhë një gjë e tillë, – ia ktheu ai. Shërbëtori i tij vuri re se ajo ishte nata e njëzet e shtatë e muajit Ramazan.
Ndërsa ata që pretendojnë se ajo është nata e fundit e Ramazanit arsyetohen me faktin se atë natë plotësohen adhurimet e gjithë muajit. Madje thuhet se fillimi i muajit të Ramazanit është si Ademi a.s ndërsa fundi i tij si Muhamedi a.s, prandaj transmetohet në një hadith se do të lirohen nga zjarri i xhehenemit natën e fundit të Ramazanit po aq njerëz sa janë liruar ditën e parë të tij. Nata e parë e Ramazanit vlen sa sikur të ketë lindur një djalë, kjo është nata e mirënjohjes, ndërsa nata e fundit është si nata e ndarjes, pra si të ketë vdekur një djalë, kjo është nata e durimit dhe ne e kemi bërë të qartë tashmë dallimin mes mirënjohjes dhe durimit.
“E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?” Surja el-Kader:2
Pra kapaciteti yt nuk arrin ta përcaktojë dot vlerën e jashtëzakonshme të asaj nate dhe as pikën më kulminante të peshës së saj, atëherë Zoti i Plotfuqishëm e tregon vlerën e saj në tri mënyra:
E para: “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj” dhe këtu mund të sqarojmë disa çështje:
Çështja e parë: Ky ajet kuranor është komentuar në shumë mënyra:
- Adhurimi gjatë asaj nate është më i mirë se njëmijë muaj pa e përfshirë vetë Natën e Kadrit, sepse është e pamundur të themi se “është më e mirë se njëmijë muaj” dhe të përfshijmë Natën e Kadrit aty, përkundrazi, kjo gjë ndodh sepse atë natë Allahu i shumëfishon përfitimet, riskun dhe të mirat.
- Muxhahid thotë se mes bijve të Izrailit ishte një person që falej gjithë natën deri në agim dhe luftonte gjithë ditën deri në ngrysje, që prej njëmijë muajsh, gjë që bëri të çuditet profetin dhe shokët e tij, prandaj Allahu shpalli këtë ajet, për t’i thënë që Nata e Kadrit për umetin tënd është më e mirë se një mijë muajt e israelitit që luftoi një mijë muaj.
- Enes ibn Malik thotë: “Profetit a.s iu shfaq mosha e njerëzve dhe vuri re se mosha mesatare e umetit të tij është e vogël, kjo gjë e shqetësoi sepse frikësohej se pjesëtarët e umetit të tij nuk do të mund të arrinin masën e shpërblimit të popujve të mëhershëm, por Allahu i dhuroi Natën e Kadrit si kompensim, sepse ajo vlen më shumë se një mijë muaj.
(…)
Çështja e dytë: Ky ajet është arsye për t’u gëzuar por edhe për t’u ndjerë i kërcënuar në të njëjtën kohë. Pra ky ajet është arsye për t’u gëzuar për faktin se Allahu thotë se ajo vlen më shumë se njëmijë muaj, por nuk e bën të qartë natyrën e vlerës së saj, ngjashëm me fjalën e profetit a.s “Dueli i Aliut me Amr bin Abd Vud vlen më shumë se puna e umetit tim deri në Ditën e Kiametit”, dhe po të vëmë re nuk thotë njësoj si puna e umetit, përkundrazi thotë vlen më shumë, pra sikur ka dashur të thotë: Të mjafton kjo vepër të tjerat janë të parëndësishme.
Pra kush e gjallëron me ibadet këtë natë është njësoj sikur ta ketë adhuruar Allahun tetëdhjetë e ca vite dhe kush vepron kështu për çdo vit ka fatin e disa jetëve në të njëjtën kohë, ndërsa ai që e gjallëron të gjithë muajin e Ramazanit me adhurim është njësoj sikur ka gjallëruar tridhjetë netë Kadri.
Tregohet se në Ditën e Gjykimit do të paraqitet një izraelit i cili e ka adhuruar Allahun katërqind vite dhe gjithashtu një pjesëtar i umetit të Muhamedit i cili e ka adhuruar Allahun vetëm dyzet vite, megjithatë shpërblimi i këtij të fundit do të jetë më i madh. I gjendur para këtij fakti izraeliti ndërhyn dhe thotë: ‘O Zot ti je i Drejti, përse unë shikoj që shpërblimi i tij është më i madh?! Ju më adhuronit të frikësuar nga një ndëshkim potencial, – i përgjigjet Allahu, – ndërsa umeti i Muhamedit qe i siguruar, sepse Unë kam thënë: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre” Surja el-Enfal:33 dhe megjithatë ai më adhuronte Mua, për këtë arsye ibadeti i tyre meriton më shumë shpërblim.
Dhe është gjithashtu arsye për t’u frikësuar sepse Allahu e kërcënon cilindo bën mëkate të mëdha me ndëshkimin e zjarrit, edhe nëse i gjallëron me adhurim njëqind netë kadri, nuk shpëton nga ai dënim, qoftë edhe duke ia lehtësuar sado pak atë, gjë që tregon për peshën e madhe të mëkatit dhe mosbindjes ndaj Zotit.
Çështja e tretë: Transmetohet se Profeti a.s ka thënë: “Sa të përpiqesh do të shpërblehesh”, por ne e dimë se të adhurosh Zotin me përkushtim njëmijë muaj rrjesht është më e vështirë se ta adhurosh me përkushtim veç një natë, si mund të vëmë shenjën e barazimit mes tyre?! Këtij pretendimi mund t’i japim disa përgjigje:
Përgjigjja e parë: Për të njëjtin pohim ne mund të mbajmë qëndrime të ndryshme në varësi të kushteve. A nuk e keni vënë re se namazi me xhemat vlen më shumë se namazi individual, edhe pse në raste të caktuara forma e këtij të fundit mangësohet, fjala bie kur dikush paraqitet me vonesë në namaz. Atë që është duke u gurëzuar ne e quajmë imoral, në këtë kontekst nuk ka asgjë të keqe ky qëndrim përkundrazi është i mirë, mirëpo nuk mund të themi të njëjtën gjë fjala bie për një të krishterë, sepse në këtë rast përveç se fjala është e keqe nuk shpëton as pa u ndëshkuar. Në qoftë se si të tillë do të etiketosh një person të ndershëm meriton ndëshkimin e parashikuar në sheriat[4], dhe siç e shikojmë i njëjti pohim merr përcaktime të ndryshme ligjore edhe pse bëhet fjalë për të njëjtën vepër. Madje po të thuash një gjë të tillë për Aishen bën blasfemi, prandaj Allahu thotë në Kuran “Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.”, sepse ajo ishte shkollë më vetë në dije, vetë profeti (a.s) ka thënë: “Dy të tretat e fesë suaj do t’i mësoni nga el-Humejra[5]”. Gjithashtu kjo akuzë do të konsiderohej shpifje për Safvanin që mori pjesë në luftën e Bedrit dhe shpifje për të gjithë besimtarët duke qenë se ajo konsiderohet nënë e besimtarëve. Sheriati Islam përcakton se fëmija ka të drejtë të hapë padi për shpifje ndaj nënës së tij edhe nëse është pabesimtar. Kjo shpifje është akuzë e rëndë edhe për vetë profetin e Zotit edhe pse ai ishte njeri shumë xheloz dhe madje edhe akuzë shumë e rëndë për vetë Urtësinë e Zotit, që nuk do të lejonte kurrë që i dërguari i Tij të martohej me një grua imorale. Pra kush akuzon të tjerët për imoralitet pa teklif sepse mendon se kjo është një diçka e lehtë, duhet ta dijë se në fakt ajo fjalë peshon më shumë se malet. Përmes kësaj skeme vërtetuam se veprimet kanë efekte të ndryshme për mirë a për keq në varësi të kushteve, në këtë kontekst nuk ka pse të jetë e paarsyeshme që një adhurim në dukje i pakët të vlejë sa një adhurim në dukje i shumtë.
Përgjigjja e dytë: Allahu i Urti absolut synon që përmes kësaj skeme të nxisë besimtarët në adhurime, herë duke dyfishuar shpërblimin, siç është rasti “Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” Surja el-Sherh:5-6, herë dhjetë fish, herë shtatëqind fish, herë sipas kohës, e herë sipas vendit, por arsyeja është një për të gjitha rastet, joshja e besimtarëve dhe nxitja të angazhohen me adhurime dhe të shfokusohen nga jeta e kësaj bote. Prandaj shtëpia e shenjtë dhe uji i zemzemit vlen më shumë se të gjithë vendet e tjera, po ashtu Muaji i Ramazanit vlen më shumë se muajt e tjerë, dita e xhuma më shumë se ditët e tjera dhe Nata e Kadrit më shumë se netët e tjera.
“Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.” Surja el-Kader:3.
Lidhur me këtë ajet mund të trajtoj disa çështje:`
Çështja e parë: Engjëjt e hedhin vështrimin te shpirtrat njerëzorë, ndryshe nga njerëzit që e hedhin veshtrimin te pamja e jashtme, për këtë arsye kur engjëjt vunë re se shpirti i njeriut është objekt i cilësive të këqija si; epshet dhe zemërimi, e refuzuan njeriun, prandaj thanë “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të”, madje edhe vetë prindërit tanë shfaqen refuzues dhe ndjejnë neveri teksa shikojnë atë pikë uji prej së cilës u krijuam dhe menjëherë i pastrojnë rrobat prej saj, por kur fëmija lind dhe shfaqet në formën e përkryer që Zoti e krijon, qëndrimi i prindërve ndryshon ndaj tij. E njëjta gjë ndodh edhe me engjëjt, ata ndryshuan qëndrim ndaj njeriut pasi vunë re se ai përpiqet ta njohë Zotin dhe ta adhurojë atë, për këtë arsye zbresin për t’u shfajësuar për çfarë thanë për herët. Kjo e shpjegon më mirë fjalën e Allahut “zbresin engjëjt”.
Çështja e dytë: Fjala e Zotit “Zbresin engjëjt” ka kuptim literal, pra zbresin të gjithë engjëjt, por engjëjt janë aq shumë sa nuk mund t’i mbajë toka, për këtë arsye dijetarët kanë dhënë shumë interpretime:
I pari: Ata shprehen se engjëjt do të zbresin të gjithë në qiellin e dynjasë, por sërish kemi një problem, sepse qielli i dynjasë është i mbingarkuar dhe në çdo një pëllëmbë vend ka një engjëll, si mundet atëherë që qielli të nxërë të gjithë engjëjt?! Gjykuar nga natyra e përgjithshme e librit i transmetuar nga një rivajet, dhe në mënyrën se si dhe çfarë është shpallur kuptojmë se engjëjt zbresin grupe-grupe, dikush zbret e dikush ngjitet, njësoj si njerëzit gjatë haxhit, të cilët edhe pse janë të shumtë mundet të hyjnë të gjithë në Qabe, por ndërkohë që disa hyjnë disa të tjerë dalin, gjë që zgjat deri në agim, prandaj Zoti përdor foljen تنزل – tenezele, e cila nënkupton një veprim që kryhet herë pas here.
I dyti: Ky është edhe qëndrimi i shumicës së dijetarëve të cilët mendojnë se engjëjt zbresin në tokë, sepse qëllimi është nxitja për ta ringjallur këtë natë, madje ekzistojnë hadithe profetike që konfirmojnë se engjëjt zbresin në vende ku kujtohet Zoti dhe që të zbresin këtë natë në tokë është edhe më e arsyeshme për rëndësinë e madhe që ka kjo natë.
Ka edhe një arsye tjetër, zbritja në fakt nënkupton pikërisht këtë gjë, pra diçka që zbret nga qielli në tokë. Por edhe ata që mbështesin këtë qëndrim japin interpretime të ndryshme sa i takon arsyes së zbritjes së engjëjve në tokë:
Mendimi i parë: Ata zbresin për të parë adhurimet e njerëzve dhe përpjekjen e tyre.
Mendimi i dytë: Engjëjt thonë “Ne zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd.” Surja el-Merjem:64, kjo tregon se ata kanë marrë urdhër të zbresin, por kjo formë nuk është shprehje e dashurisë. Ndërsa sa i takon fjalës së Allahut “me lejen e Zotit të tyre”, ajo tregon se ata kërkuan leje si fillim dhe Zoti i lejoi, në këtë kontekst kjo është shprehje e dashurisë, sepse ata kishin admirimin dhe shpresonin të takoheshin me ne, por prisnin veç një urdhër. Dhe nëse dikush do të përpiqej ta vinte në dyshim këtë gjë duke u argumentuar me fjalën e Zotit “Ne jemi ata që qëndrojmë në radhë” Surja el-Safat:165, me pretendimin se ky ajet bie në kundërshtim me ajetin në fjalë, pra “Zbresin engjëjt”, do të përgjigjesha se këto dy ajete trajtojnë dy ngjarje të ndryshme.
Mendimi i tretë: Zoti ka premtuar se në Botën Tjetër engjëjt “do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit). (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju” Surja el-Rad:23-24, ndërsa në këtë jetë në qoftë se do të përpiqesh të më adhurosh engjëjt do të zbresin në tokë, do të vizitojnë dhe do të përshëndesin. Transmetohet se Aliu ka thënë: “Ata zbresin për të na përshëndetur dhe për të ndërmjetësuar për ne, këdo që e arrin përshëndetja, do t’i falen mëkatet.”
Mendimi i katërt: Allahu ka bërë që kjo natë ta përfitojë rëndësinë prej adhurimeve të besimtarëve në tokë, prandaj edhe engjëjt zbresin në tokë, që adhurimet e tyre të marrin më shumë vlerë, njësoj si dikush që shkon të falet në Qabe, me shpresën që adhurimi i tij të shpërblehet më shumë dhe kjo gjë ka një synim, pra të nxisë besimtarët në adhurime.
Mendimi i pestë: Është në natyrën e njeriut që veprat e mira t’i kryejë në mënyrë të përsosur në prani të njerëzve me peshë, ndryshe kur është vetëm, për këtë arsye Zoti dërgon engjëjt në tokë, që t’i vërë në dijeni besimtarët se gjatë adhurimeve janë në sy të engjëjve, adhuruesve të papërtueshëm të Zotit, prandaj të kujdesen t’i kryejnë si duhet ato.
Mendimi i gjashtë: Sa më i madh të jetë grupi i besimtarëve që adhurojnë Zotin, aq më e madhe është mëshira e Zotit që zbret prej qiellit. Ne e dimë që grupi më i madh i besimtarëve mblidhet gjatë haxhit, edhe mëshira e Allahut që zbret mbi ta është më e madhe, ndërsa gjatë Natës së Kadrit mbilidhen engjëjt e afërt të Zotit, për këtë arsye mëshira e Zotit është shumë më e madhe. (…)
Çështja e tretë: Ka shumë interpretime për natyrën e shpirtit:
I pari: Shpirti është një engjëll madhështor, në qoftë se qiejt dhe toka do të bëheshin bashkë do të dukeshin sa një kafshatë në duart e tij.
I dyti: Shpirti është një grup engjëjsh dhe engjëjt e tjerë mund t’i shohin ata veç gjatë Natës së Kadrit, njësoj si asketët që i shohim veç për Bajram.
I treti: Ato janë krijesa të veçanta, ushqehen dhe vishen por nuk janë as engjëj as njerëz, ndoshta do të jenë shërbëtorë në xhenet.
I katërti: Ndoshta është vetë Isai a.s. sepse ai mban këtë emër.
I pesti: Shpirti është Kurani “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpirt me urdhrin Tonë.” Surja el-Shura:52.
I gjashti: Shpirti është mëshira “dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut.” Surja Jusuf:87.
I shtati: Shpirti është engjëlli më fisnik.
I teti: Sipas Ebu Naxhih shpirti janë rojtarët dhe shkruajtësit e nderuar, engjëlli i krahut të djathtë shkruan përmbushjen e obligimeve, ndërsa ai i krahut të majtë shkruan braktisjen e mëkateve.
Por në të vërtetë fjala shpirt në këtë ajet nënkupton Xhibrilin a.s. dhe specifikimi i tij në këtë ajet shërben për të shtuar peshën e rëndësisë së tij. Pra le të themi se Zoti na tregon se të gjithë engjëjt qëndrojnë në një anë ndërsa shpirti në anën tjetër.
“Me lejen e Zotit të tyre” Surja el-Kader:4
Ne treguam edhe më herët se kjo tregon se ata kanë mall për ne, por në qoftë se dikush do të pyesë se si mund të jetë e mundur kjo gjë megjithëse ata janë të vetëdijshëm sa shumë na kundërshtojnë ne, unë do të përgjigjesha;
Engjëjt nuk i shqyrtojnë hollësitë e mëkateve. Thuhet se ata e kanë parë Leuhin dhe i kanë shqyrtuar me detaje veprat e mira të besimtarëve, por kur arrijnë në pikën që të shqyrtojnë veprat e këqija perdja ulet dhe nuk mund të shohin më asgjë, në këtë moment thuhet Lavdëruar qoftë Zoti që e ekspozon të bukurën dhe e mbulon të shëmtuarën. Gjithashtu më herët treguam disa dobi të rëndësishme të zbritjes së engjëjve dhe tani është momenti të përmendim edhe disa të tjera, të cilat vijnë si rezultat i adhurimeve që engjëjt vënë re në tokë, gjë të cilën e kishin hasur veç në botën qiellore.
E para: Të pasurit sjellin ushqim nga shtëpitë e tyre në respekt të të varfërve dhe këta të fundit ushqehen me këtë ushqim dhe adhurojnë Zotin, këtë gjë engjëjt nuk e kanë hasur në botën qiellore.
E dyta: Ata dëgjojnë për herë të parë rënkimin e mëkatarëve teksa pendohen, gjë e cila nuk ndodh në botën qiellore.
E treta: Allahu thotë: Rënkimi i mëkatarëve është më i dashur se zëri i adhuruesve. Kështu engjëjt ftojnë njëri-tjetrin të dëgjojnë një zë që Zoti e do më shumë se zëri i lavdeve të tyre. Nuk ka dyshim që rënkimi i mëkatarëve është më i dashur se zëri i adhuruesve, sepse ky i fundit evokon përsosjen e të bindurve, ndërsa i pari manifeston mëshirën e Zotit të qiejve dhe tokës.
Çështja e dytë: Ky ajet tregon gjithashtu se engjëjt janë të pagabueshëm, një ajet i ngjashëm është edhe ky “Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd.” Surja Merjem:64, dhe “Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij.” Surja el-Enbija:27.
Ajeti në fjalë përfshin edhe një urtësi tjetër. Po të vëmë re, Zoti në këtë ajet nuk thotë engjëjt janë të autorizuar por thotë “Me lejen e Zotit të tyre” që është tregues se ata veprojnë veç me lejen e Tij, njësoj siç dikush i thotë bashkëshortes mos u largo pa lejen time, që do të thotë se për çdo rast që ajo do të dëshirojë të dalë nga shtëpia duhet të marrë leje.
Çështja e tretë: Ndërsa pjesa tjetër e ajetit “Zotit të tyre” shpreh madhështinë e engjëjve dhe përçmim për mëkatarët, këtë gjë e vëmë re në shumë vende në Kuran, siç është fjala vjen rasti “Vërtet, Zoti juaj është Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën”, ose rasti kur Zoti i drejtohet Muhamedit “Dhe kur Zoti yt tha”. Tregohet gjithashtu se Daudi (a.s.) në prag të vdekjes tha: Zoti im, bëhu për Sulejmanin ashtu siç ishe për mua.
Transmetohet se musafiri i Ibrahimit (a.s.) humbi disa ditë, kështu që ai doli ta kërkojë, dhe diku larg vuri re një tendë dhe kërkoi leje të futej dhe nikoqiri i saj e lejon. Keni qumësht apo mjaltë? – pyeti ai. I zoti i tendës ngriti dy gurë dhe i përplasi bashkë, ata u çanë dhe nga njëri doli qumësht ndërsa nga tjetri mjaltë. Ibrahimi u mrekullua dhe tha: Zoti im, unë jam miku yt dhe nuk kam hasur një nder kaq të madh, si është puna me këtë njeri?! Zoti zbriti shpallje; Miku im, ai na qëndronte pranë dhe ne ju gjendem pranë në nevojë.
Ndërsa pjesa tjetër e ajetit “me të gjitha vendimet” do të thotë se engjëjt dhe shpirti zbresin për çdo çështje, pra në kuptimin se secili prej tyre zbret për një shqetësim të caktuar. Dijetarët kanë dhënë disa interpretime për këtë gjë:
I pari: Engjëjt janë të angazhuar me punë të ndryshme; disa janë në ruku, disa në sexhde, disa duke u lutur, disa duke medituar, disa duke përhapur shpalljen, disa përpiqen të arrijnë shpërblimin e Natës së Kadrit dhe disa duke përshëndetur besimtarët.
I dyti: Ata zbresin për kaderin që përcaktohet atë natë për gjithë vitin, qoftë i mirë apo i keq, gjë që jep të kuptohet se zbritja e tyre është ibadet në thelb. Sikur engjëjt le të themi kanë dashur të thonë ne nuk zbresim me dëshirën tonë për t’u argëtuar, por për arsye të nevojave të njerëzve.
Termi çështje ka ardhur i pashqur që të përfshijë çdo çështje të mirë, qoftë të kësaj bote e qoftë të Botës Tjetër, si shenjë e dëshmisë se engjëjt zbresin për interes të njeriut, qoftë ai interes që lidhet me nevojat e tij në këtë jetë qoftë ai interes fetar.
I treti: Ekziston një lexim i ndryshëm i këtij ajeti “për çdo person” pra në vend të fjalës أمر emrun – çështje, lexo امرئ – imriun – person. Pra tregohet se engjëjt sa herë kalojnë pranë një besimtari a besimtareje e përshëndesin me selam.
Në qoftë se dikush thotë se ka një transmetim që përcakton se fatet e njerëzve ndahen në mesin e muajit Shaban, ndërsa ju pretendoni se kjo gjë ndodh në Natën e Kadrit, unë do t’i përgjigjem kështu: Profeti a.s ka thënë: “Allahu i cakton fatet e njerëzve në Natën e Beraetit, ndërsa në Natën e Kadrit ia dorëzon atyre.”
Thuhet gjithashtu se në Natën e Beraetit përcaktohet jeta dhe risku i njeriut, ndërsa në Natën e Kadrit përcaktohet çdo çështje që është mirësi, bereqet dhe paqe.
Një interpretim tjetër pretendon se në Natën e Kadrit përcaktohet çdo gjë që mbështet besimin, dhe është në dobi të muslimanëve, ndërsa në Natën e Beraetit përcaktohen emrat e personave që do të vdesin dhe do t’i dorëzohen engjëllit të vdekjes.
“Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” Surja el-Kader:5
Në lidhje me fjalën paqe سلام – Selam të përdorur në ajetin në fjalë do të jap disa interpretime:
I pari: Nata e Kadrit deri në agim është paqe sepse engjëjt i përshëndesin besimtarët me selam. Engjëjt zbresin grupe-grupe gjatë natës deri në agim kështu që për shkak se përshëndesin njerëzit me selam bëhen grupe-grupe mbi njëri-tjetrin.
I dyti: Kjo natë cilësohet si paqe prandaj nuk duhet neglizhuar. Shtatë engjëj e përshëndetën Ibrahimin dhe ai u gëzua pa masë, kjo ngjarje rrëfehet edhe në Kuran, për viçin e pjekur që ua vendosi engjëjve përpara të hanin dhe në fakt kur engjëjt e përshëndetën, zjarri i Nemrudit u shndërrua në paqe dhe freski, përse të mos shndërrohet i tillë edhe zjarri i Zotit për besimtarët prej bereqetit të përshëndetjes së engjëjve?! Megjithatë Ibrahimi i mikpriti me një viç të pjekur, ndërsa engjëjt kërkojnë prej nesh një zemër të djegur. Kjo ngjarje ka edhe një urtësi të jashtëzakonshme, aty shprehet vlera e këtij umeti, sepse në rastin e parë engjëjt zbresin tek Ibrahimi, ndërsa në suren në fjalë engjëjt zbresin tek i gjithë umeti i Muhamedit a.s.
I treti: Ajo natë është paqe nga çdo e keqe dhe ligësi.
I katërti: Ebu Musim pretendon se fjala selam ka kuptimin se ajo natë është e qetë, pa erë dhe vetëtima.
I pesti: Shejtani nuk mundet të bëjë dot keq atë natë.
I gjashti: Një interpretim tjetër pretendon se ajeti Kuranor lexohet kështu “Për çdo njeri ajo natë është paqe”, pastaj ajeti i fundit “deri në lindjen e agimit”, në këtë kuptim e mira, bereqeti dhe paqja zgjasin deri në lindje të agimit, por ky interpretim është i dobët.
I shtati: Adhurimi gjatë asaj nate në çdo pjesë të saj vlen më shumë se njëmijë muaj, ndryshe nga netët e tjera.
I teti: Fjala selam do të thotë se ajo natë është xhenet, sepse një nga emrat e xhenetit është edhe Dar el-Selam – Shtëpia e paqes.
Çështja e dytë: Në këtë ajet përdoret fjala agim dhe bëhet fjalë për agimin e ditës që do të thotë se paqja e natës në fjalë zgjat deri në agim.
Zoti e di më mirë të vërtetën dhe paqja qoftë për Profetin tonë, familjen dhe shokët e tij!
Përktheu: Dorian Balliu
Referenca
[1] Kështu është përkthimi i ajetit në fjalë nga Hasan Nahi, ndërsa përkthimi i hoxhë Sherif Ahmedit është kështu “Betohem në shuarjen (perëndimin) e yjeve” dhe po të vëmë re asnjëri nga dy përkthimet nuk ka një lidhje logjike me tezën e Raziut, që do të thotë se këtu ka një problem. Duke u konsultuar me tefsirin e Kuranit dola në përfundimin se ajeti në fjalë nuk flet për yjet edhe pse aty përdoret fjala nuxhum – yjet në numrin shumës, por fjala nuxhum në këtë rast vjen me kuptimin e pjesës, diçkaje që ndahet në pjesë-pjesë, këtë shpjegim jep imam Ibn Xherir el-Taberi në librin e tij të tefsirit, ai thotë: Kuptimi i ajetit është betohem për pozicionet e Kuranit, sepse Kurani i është shpallur Muhamedit pjesë-pjesë. Abdullah ibn Abasi thotë: Kurani zbriti Natën e Kadrit i tëri nga qielli më i lartë në qiellin më të afërt, më pas u nda pjesë-pjesë në disa vite dhe këndoi fjalën e Allahut “Betohem për pozicionet e zbritjes së Kuranit pjesë-pjesë” dhe tha, ai zbriti i ndarë në pjesë. Në këtë kuptim Zoti betohet për pozicionet e zbritjes së Kuranit nga qielli i dynjasë në tokë pjesë-pjesë dhe atëherë përshtatja e ajetit në fjalë do të ishte kjo “Betohem për pozicionet e zbritjes së Kuranit pjesë-pjesë”. Shënim i përkthyesit.
[2] Mik i Zotit, njeri i dashur dhe i afërt me Të.
[3] Nata e Beraes është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, emërtohet ndryshe nata e mëshirës, nata e bekuar etj.
[4] el-Had është një masë ndëshkimore e përcaktuar në sheriatin islam nga Zoti, ndryshe nga taziri që është një masë ndëshkimore e papërcaktuar, si e tillë është ekskluzivitet i ixhtihadit të gjykatësit a të parit të shtetit, i cili përcakton masën ndëshkimore për një vepër të caktuar penale sipas rastit.
[5] Është një epitet i përdorur për Aishen r.a. që shqip do të përshtatej virgjëresha ose e turpshmja.
Tags: Imam Razi, Kuran, nata e kadrit, shpallje, tefsir Last modified: 11/04/2023