Alija Izetbegoviç

Gjatë jetës sime, unë e kam lexuar Kuranin shumë herë, por asnjëherë nuk ia kam bërë vetes këtë pyetje: si duhet të lexohet Kurani? Një pyetje që më kanë parashtruar së fundmi, më ka bërë që të mendoj lidhur me të, dhe këtu do të paraqesë disa mendime të mia, sikurse ato më vijnë.

Përpara se të vijojë më tutje, duhet pasur parasysh se Kurani është një tërësi. Asnjë ajet kuranor, i nxjerrë nga konteksti i tij, nuk është e vërteta e tërë, por pjesë e asaj të vërtete. Vetëm Kurani (në tërësi) është një e vërtetë e plotë dhe e pacënueshme. Citimi i ajeteve individuale është një veprimtari e pashmangshme, por ne duhet të jemi gjithnjë të vetëdijshëm për kufizimet e një qasjeje të tillë. Kurani është si një mozaik. Një pllakë e kuqe apo e zezë merr kuptimin e saj të plotë vetëm në kompozimin e plotë. Të nxjerra prej kompozimit, pllakat kontribuojnë pak ose nuk kontribuojnë aspak për të portretizuar pamjen së cilës ato i japin trajtë. Për ta shpjeguar këtë, unë po iu referohem disa shembujve.

Ka një ajet kuranor që porosit për hakmarrje, sy për sy (Bekare, 179), ndërkohë që një tjetër ajet bën thirrje për falje. Një ajet thotë: Mos i bëni të paligjshme të mirat që Allahu i ka bërë të ligjshme për ju” (Maide, 87), ndërkohë që një tjetër këshillon: “Mos i vështroni me lakmi stolitë e jetës së kësaj bote” (Taha, 131). Një lexues sipërfaqësor do të mendonte se ka kontradikta në Kuran. Por nuk është kështu. Përkundrazi, kjo ka të bëjë me diçka që përbën pikërisht cilësinë më të lartë dhe ekskluzive të Kuranit dhe të Islamit: sintezën e këtyre kërkesave që në dukje bien ndesh me njëra tjetrën. Kurani nuk do njërën prej të dyjave: i do të dyja. Nuk thërret vetëm për hakmarrje, por kërkon edhe faljen gjithashtu. Në mënyrë të ngjashme, nuk dëshiron vetëm këtë botë apo tjetrën, nuk kërkon asnjëherë vetëm njërën. Njerëzit të cilët vetëm do të ndëshkonin në çdo rast, madje edhe sikur të ishin në të drejtën, nuk do të ishin myslimanë të vërtetë, për shkak se ata nuk kanë falur. Por as ata të cilët do të falnin gjithnjë, dhe nuk do të zmbrapsnin të keqen, nuk do të ishin myslimanë të vërtetë. Myslimanë të vërtetë janë ata që e njohin masën e të dyja gjërave.

Konkluzionet sipërpërmendura, sikundër e kemi parë, mund të nxirren vetëm nga Kurani si një i tërë, jo nga ajetet individuale të lexuara ndarazi. Unë besoj se kjo është e vetmja metodë që na ndihmon të lartësojmë vetet tona në kuptimin e plotë të Islamit dhe në thelbin e mesazhit të tij.

Rregulli i dytë i leximit të Kuranit mund të përmblidhet kështu: lexoje Kuranin gjithnjë sikur e ke për herë të parë, me njëfarë pauze ndërmjet. Kjo metodë do të ndihmojë që të zbulohet ajo që mund të quhet “shtresëzimi” në Kuran. Çdo lexim ka për të rezultuar në zbulimin e diçkaje të re në Kuran. Kurani, sigurisht, është po ai, por ajo që ka ndryshuar është diçka tjetër: ke ndryshuar ti, apo situata jote, apo bota në të cilën ti rron. Këto ndryshime bëjnë të mundur që të zbulohet në Kuran një shtresë e re që ti nuk e ke pikasur më parë, ndërkohë që disa ajete, që ti më parë i ke kaluar nxitimthi, tani jehojnë në shpirtin tënd në një mënyrë të re. Çdokush mund ta vërtetojë këtë. Si shembull, unë po jap disa raste nga përvoja ime.

Kur kam qenë i ri, kohë më parë, sa herë që lexoja Kuran, shpeshherë ndalesha tek ajetet që flisnin për punën, përpjekjen dhe drejtësinë. Një bllok shënimesh nga ajo periudhë është dëshmitar i kësaj sa thashë. Krejt rastësisht, ai bllok ka mbijetuar, dhe është i mbushur me fragmente të tilla nga Kurani. Më kujtohet shumë mirë, sepse, si djalosh që isha, kam pasur mbresa të forta nga ajeti që flet për qëndresën ndaj tiranisë. Në një vend, kur flitet për besimtarët, Kurani i përshkruan ata – ndër të tjera – si ata që “sa herë që mbi krye iu bie tirania (zullumi), ata e mbrojnë veten” (Shura, 39). Më kujtohet se këtë ajet e kam cituar me plot dëshirë sa herë që më jepej rasti. Mirëpo, tani më tëheqin më tepër ajetet që flasin për Zotin, për relativitetin e jetës, madje edhe për fundin e saj. Me fjalës të tjera, ajetet që të udhëzojnë në meditim, jo në veprim. Më kujtohet se çfarë mbresash të pashlyeshme më pat lënë ajeti kuranor që flet për Zotin si i vetmi realitet që nuk mund të vdesë: “Gjithçka do të shuhet, përveç Fytyrës së Tij” (Kasas, 88). Zoti, si rrjedhojë, është Ai që ka qenë përpara yjeve dhe i cili do të vijojë të jetë mbas tyre. Ai është Realiteti i Vetëm dhe i Vërtetë.

Kur më ndërroi jetë nëna, dhe ndërkohë që dhimbjen për humbjen e saj e kisha akoma të freskët, e hapja atë faqe të Kuranit në të cilën gjendeshin këto fjali të mrekullueshme: “O shpirt i prehur në paqe! Kthehu tek Zoti yt i kënaqur, dhe me kënaqësi. Pra, hyr në mesin e robëve të Mi dhe hyr në Parajsën Time.” (Fexhr, 27-30). Ndonëse këto ajete bënin që të më dilnin lotë, ato po ashtu ofronin ngushëllimin më të mirë. Asokohe mendoja: e ku ka fjalë më të mira ngushëllimi që mund të thuhen nga një person të cilit i është dashur të shohë fytyrën e fëmijës së tij/saj të vdekur? Kurani, pra, është në njërën anë ligji dhe thirrja për betejë, dhe në krahun tjetër ngushëllimi për vuajtjet e pashmangshme të kësaj bote. Në një situatë ne do të vërejmë njërin aspekt, dhe në një tjetër situatë një aspekt të ndryshëm.

Zbulimi i “shtresave” apo nuancave të ndryshme të Kuranit, gjë kjo që është në varësi të situatës personale të çdo individi, i zbatohet edhe jetës komunitare gjithashtu. Në këtë kuptim, ne po flasim për rëndësinë e veçantë tematike të disa ajeteve kuranore. Kur racizmi është mbizotërues, një kuptim i veçantë do t’i mvishej ajeteve që flasin lidhur me prejardhjen e njëjtë njerëzore, dhe si rrjedhojë barazisë së të gjithë njerëzve (fjala vjen, ajeti i parë i sures Nisa, kaptina e katërt). Kur prevalojnë dhuna dhe ekskluzivizmi fetar, ne kemi nevojë që të theksojmë atë ajetin therës të përbërë nga tri fjalë [teknikisht, katër]: “S’ka dhunë në fe” (Bekare, 256). Ne myslimanët nuk bëjmë dallim ndërmjet ajeteve kuranore, por ka pothuajse konsensus ndërmjet jo-myslimanëve se ky ajet që sapo e cituam është më i lartësuari në Kuran. Ky argument ka mundësi që të zgjerohet më tutje, por kjo është përtej qëllimeve të kësaj eseje të shkurtër. Kur ne flasim lidhur me leximin e Kuranit, ne duhet të përmendim diçka lidhur me një lloj të posaçëm të leximit: atë që ne zakonisht e quajmë këndim, apo recitim, pra recitimi, këndimi, apo të dëgjuarit e origjinalit në arabisht.

Ka njerëz që nuk i mveshin ndonjë lloj të veçantë vlere këtij lloji të “leximit”, për shkak se pjesa më e madhe prej nesh nuk e kuptojmë atë. Më duhet të them se nuk pajtohem me këtë gjykim. Në këtë çast nuk mund të rri dot pa sjellë në kujtesë një ngjarje që nuk kam për ta harruar kurrë. Para pak vitesh, m’u dha rasti të merrja pjesë në një konferencë kushtuar çështjes së ringjalljes islame. Gjatë konferencës, që po mbahej në një qytet të madh europian, një numër i mirë i ulemave të njohur (dijetarëve të Islamit) prezantuan idetë e tyre në lidhje me çështjet e ndërlidhura me ripërtëritjen fetare islame dhe ripërtëritjen e llojeve të tjera. Çdo ditë, punimet e konferencës fillonin dhe përfundonin me recitimin e një pjese nga Kurani, e kënduar kjo nga njëri prej hafizëve të njohur në mbarë botën (hafizi është ai që e ka mësuar përmendësh të gjithë Kuranin në arabisht). Ndonëse njerëzit ishin të vëmendshëm gjatë punimeve, sërish ndjeje praninë e masave (disa qindra njerëz): disa pëshpëritnin, karriget bënin zhurmë, e të tjera gjëra të kësaj natyre.

Por kur hafizi fillonte këndimin e Kuranit, gjithçka binte në qetësi, derisa – pak çaste më vonë – në sallë pllakoste heshtja. Në pauzat e bëra nga kënduesi, nuk dëgjoje zhurmë. Dukej sikur askush nuk po merrte frymë. Kurani që dilte nga goja e këtij hafizi do të tingëllonte si rrjedha e një lumi. Herë herë ishte e heshtur, herë të tjera shndërrohej në një ujëvarë të zëshme, që kërcënonte të të kaplonte dhe të merrte me vete. Apoteoza e kësaj eksperience ishte gjatë ditës së fundit të punimeve, kur një hafiz vendosi të na bënte një dhuratë të veçantë, në formë lamtumire. Ai recistoi suren e mrekullueshme Rrahman, e njohur kjo sure për bukurinë dhe kompozimin e saj. Besoj se nuk mund ta përshkruaj dot plotësisht atë çast. Unë nuk e njihja kuptimin e kësaj kaptine (përveç asaj fjalie që përsëritet vazhdimisht) [“pra, cilën të mirë të Zotit tënd do të mohonit”]), por pata ndjesinë sikur e dija; jo vetëm unë, por edhe të gjithë të tjerët. Mbas këtij recitimi, unë e ndjeva jashtëzakonisht i afërt me çdokënd tjetër dhe dukej sikur cilido dëshironte t’iu thonte të tjerëve: a nuk po e kupton, ne jemi të gjithë vëllezër!

Mbas kësaj përvoje, nuk do ta vija kurrë në diskutim vlerën e recitimit apo dëgjimit publik të Kuranit në arabisht. Çdo mysliman i vërtetë e kupton Kuranin, në një mënyrë a në një tjetër.

Dëshiroj ta përmbyll këtë ekspoze të shkurtër me mendimin se leximi i Kuranit është si të udhëtuarit nëpër toka të njohura dhe të panjohura. Dy njerëz përshkojnë të njëjtin itinerar. Njëri prej tyre ka mbresa të pafunda, tjetri ka ndjesinë sikur ka kaluar aty me sy mbyllur. Kjo varet prej tyre, edhe jo prej peizazheve dhe qyteteve që ata kanë përshkuar. Rrjedhimisht, çdokush ka për të gjetur vlerën e tij/saj në Kuran.

 

Përktheu: Arjol Guni

Tags: , , , , Last modified: 06/04/2023
Close