Seymour Siegel
Burimi: Trialog i feve abrahamike, edituar nga Ismail Faruqi (Tiranë: Botime Erasmus, 2009), 139-150
[Kjo ese përmbyll triologjinë e eseve të publikuar në këtë faqe rreth mënyrës se si konceptohet kombi dhe rendi shoqëror në Hebraizëm, Krishterim dhe Islam. Në lidhje me këdvështrimin e krishtere kliko këtu, ndërsa në lidhje me këndvështrimin islam kliko këtu.]
Në ceremoninë e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, e cila shënjoi nënshkrimin e marrëveshjes së Kemp Dejvidit, të pranishmit, presidenti Xhimi Karter (i krishterë), Enver Sadati (mysliman) dhe Menahem Begin (hebre), cituan të gjithë të njëjtin verset. Ata përmendën tërthorazi fjalët e pavdekshme të profetit hebre që parashikoi një ditë ku njerëzit do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj.[1]
Vizioni i vëllazërisë universale dhe i paqes ndërkombëtare, kaq mirë i shprehur nga profeti, është pjesë e trashëgimisë së të gjitha feve të mëdha monoteiste. Ata që shprehin besimin e tyre në të qenit bij të një Zoti të vetëm, shprehin gjithashtu edhe besimin në vëllazërinë njerëzore. Mosmarrëveshjet, urrejtja dhe lufta nuk mund të jenë në harmoni me vullnetin e Atit tonë.
Tradita judaike përmban fjalë me një urtësi të thellë për të shpjeguar dhe zgjidhur gjendjen e ditëve tona, veçanërisht në lidhje me subjektin e shqyrtimit tonë. Në Judaizëm gjenden një sërë antinomesh që përbëjnë teksturën e këndvështrimit judaik lidhur me rolin e kombeve dhe perspektivën e bashkimit të tyre.
Të gjithë njerëzit janë krijuar sipas imazhit të Zotit. Ata të gjithë kanë të përbashkët të njëjtën trashëgimi. Megjithatë jo vetëm njëshmëria e njerëzimit, por edhe veçantia e tij përbëjnë dëshmi për madhështinë e Zotit.
Rabinët e Talmudit, duke reflektuar drojën e tyre para pranisë së Krijuesit, kanë thënë: “Njerëzit janë si një shumësi monedhash, por të dala nga e njëjta stampë. Ata janë të gjithë të njëjtë. Mbreti i Mbretërve (Zoti) i ka stampuar të gjithë njerëzit sipas stampës (formës) së Adamit. Megjithëkëtë, asnjë njeri nuk mund të thuhet se është krejtësisht identik me dikë tjetër.”[2]
Prejardhja e njëjtë e qenieve njerëzore lartëson madhështinë e unitetit njerëzor, ndërsa ndryshueshmëria njerëzore dëshmon urtësinë hyjnore.
Ky parim nuk i referohet vetëm pafundësisë së talenteve dhe të përvojave njerëzore, por ajo, gjithashtu, parashtron edhe ekzistencën e llojeve të ndryshme të njerëzve. “Kur shohim një njeri, ne gjithnjë hasim një bashkësi që ngrihet pas tij.” (J. Pederson) Në konceptin izraelit, asnjë qenie njerëzore nuk mund të ekzistojë nëse nuk është anëtar i një am-i, një populli. Fjala “shalom” do të thotë “tërësi”. Ajo nënkupton zhvillimin e lirë dhe pa pengesa të shpirtit. “Shpirti mund të zgjerohet vetëm në ndërthurje me shpirtrat e tjerë.”[3]
Përveç familjes, tërësia që ka ndikimin më të madh është ajo që përfshihet në termin “popull”. Kjo është një lidhje që shtrihet në kohë. Çdo popull ka botën e tij.
Prania e këtyre veçorive të domosdoshme në jetën njerëzore shkakton tensione të pashmangshme. Gjendja më e efektshme e jetës së përbashkët është ajo e berith-it (besëlidhjes).[4] Besëlidhja është një ujdi e ndërsjellë ku dy ose më shumë qenie njerëzore pranojnë të ndajnë së bashku disa aspekte të ekzistencës së përbashkët njerëzore. Ata lidhen nga premtimi për të respektuar kufijtë dhe për të punuar së bashku sa herë të jetë nevoja. “Berith” do të thotë të themelosh bashkësi të pjesshme dhe jo shkrirje të tyre.
Pra antinomia e parë është kjo: njeriu është i veçantë dhe universal në të njëjtën kohë. Vizioni për një botë paqësore nuk është ai i një bote të njëjtë në gjithçka apo ai i humbjes së identitetit kombëtar. Kombet duhet të jetojnë së bashku në paqe, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të bashkëjetojnë si një turmë gjigante pa dallime mes njëri-tjetrit. Është besëlidhja dhe jo përzierja apo shkrirja ajo që përbën desideratum-in. “Këmbët e një njeriu duhet të jenë të rrënjosura fuqishëm në kombin e tij, por sytë e tij duhet të vështrojnë në të mbarë botën.” (George Santayana)
Antinomia e dytë pohon se: krijimi i shteteve-komb është një pasojë e së ligës, por megjithatë, jeta nuk mund të zhvillohet pa formimin e një organizmi sado të vogël politik.
Nëse njeriu do të kish qenë i pamëkatë, nuk do kishte lindur nevoja për formimin e shtetit-komb. Njerëzit do të kishin jetuar sa bashku në harmoni, duke iu bindur urdhrave të Zotit dhe duke respektuar kufijtë dhe të drejtat e njëri-tjetrit. Në gjendjen ideale, siç e ka shprehur edhe Buber-i,[5] Zoti është Mbreti; për këtë arsye ekzistenca e udhëheqësve tokësorë bëhet e panevojshme. Por njerëzit janë mëkatarë, kështu që forca shtrënguese e sistemit qeverisës bëhet e domosdoshme.
Në teologjinë biblike, historia e treguar në librin e parë të Samuelit lidhur me fillimin e sistemit të mbretërisë në Izrael pasqyron këto dy aspekte të kundërta të autoritetit politik.
Izraelitët në atë kohë udhëhiqeshin nga gjyqtarët dhe profetët. Ata nuk kishin një strukturë të qëndrueshme politike. Pleqtë shkuan te profeti Samuel dhe i thanë: “…cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet.” (1 Samuel 8:5) Samueli e pa këtë kërkesë si një rebelim ndaj sundimit hyjnor. Atij iu tha nga Zoti: “Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, po më kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta” (po aty, v. 8). Samueli e pranoi këshillën hyjnore dhe i paralajmëroi njerëzit e tij se detyrimi për ngritjen e një strukture të autoritetit politik do t’u kushtonte atyre shumë shtrenjtë për shkak të dorëzimit të lirisë së tyre në duart e udhëheqësit. Izraelitët këmbëngulën në emërimin e një mbreti; paçka pasojave negative që përmbante një veprim i tillë, për ta, caktimi ishte i domosdoshëm dhe kishte si qëllim ruajtjen e njerëzve nga pushtuesit filistin.
Në këtë ngjarje shohim të shpallur filozofinë politike të shtetit-komb. Shteti është i domosdoshëm, përndryshe kërcënimi ndaj çrregullimeve të brendshme dhe paaftësia për t’u mbrojtur nga sulmet e jashtme do të tronditnin popullin. Gjithsesi, nevoja për shtetin-komb sjell në fuqi grupe të caktuara njerëzish mbi të tjerët. Zotërimi i pushtetit nga një grup i caktuar njerëzish brenda shtetit-komb përballet me tundimin e vazhdueshëm për të rritur fuqinë e tyre në dëm të banorëve të tjerë të popullsisë. Shteti-komb është një mbrojtje kundër mëkatit, por njëkohësisht edhe një mjet për mëkatin. “Lutu për mirëqenien e udhëheqësve, – këshillojnë rabinët e Talmudit, – sepse po të mos ekzistonte frika nga udhëheqësit, njerëzit do të gëlltisnin njëri-tjetrin të gjallë”.
Gjatë përpunimit të kësaj situate paradoksale të shtetit-komb, dijetarët e fesë kanë një rol i cili, po ashtu, është i mbushur me dykuptimësi. U takon institucioneve fetare të sigurojnë bazën e përbashkët që përbën thelbin e mirëqenies së shtetit. Ata janë rojtarët e mitit historik që pasuron kulturën e bashkësisë. Ata shpallin të “vërtetat që shihen si të vetëkuptueshme” dhe të cilat udhëheqin jetën e bashkësisë. Funksioni priftëror i feve është jetësor për mirëqenien e bashkësisë. I së njëjtës rëndësi, ose përafërsisht i tillë, është edhe roli i ligjëruesve për Zotin, të cilët kanë për detyrë të paralajmërojnë kundër pretendimeve të pashmangshme të udhëheqësve politikë për të zgjeruar në mënyrë të paligjshme fuqinë e tyre, si dhe për të zhvatur pa të drejtë popullin. Është detyra e profetëve t’i qortojnë udhëheqësit politikë që i identifikojnë interesat e tyre vetjake me ato universale. Rreziku më i madh del në pah kur struktura politike bëhet totalitare duke i detyruar njerëzit t’i binden në mënyrë të pakushtëzuar autoritetit shtetëror. Autoritetet shtetërore nuk mund të pretendojnë për veten e tyre drejtësi dhe vërtetësi absolute, sepse shteti i tyre është thjesht një lëshim, ose e keqja më e vogël, që ka ardhur si pasojë e mëkatshmërisë njerëzore. Ky konceptim i hap rrugë një pohimi paradoksal, sipas së cilit një shtet shekullar, ligjet e të cilit janë relative, të hapura ndaj kompromisit dhe ndryshimit, është më “fetar” se një shtet “fetar”. Në një sistem politik ku linjat e veprimit të qeverisë shihen si rrjedhim i urdhërimeve hyjnore, nuk ka vend për rregullime të politikave qeveritare për t’u ardhur në përputhje realiteteve të reja që mund të formohen. Ky sistem është, gjithashtu, një ftesë e hapur për tirani dhe shtypje të oponencës, për arsye se disidentët, në këtë rast, shihen si rebelë jo vetëm kundër njeriut, por edhe kundër Zotit. Profetët e Izraelit, të cilët kanë kritikuar sjelljen e pamëshirshme të mbretërve, paraqesin kritikën e fesë ndaj pretendimeve të fuqive politike.
Për këtë arsye, antinomia e dytë e filozofisë politike judaike njeh jo vetëm domosdoshmërinë e shtetit-komb, por edhe rrezikshmërinë e tij. Është një prej detyrave të saj që ajo t’u përkujtojë vazhdimisht atyre që mbajnë pushtetin, qoftë ky politik, ekonomik, apo “fetar”, se udhëheqja e tyre kundrejt qytetarëve të tjerë është dhe duhet të jetë e kufizuar. Vetëm Zoti mund të pretendojë besnikëri absolute prej krijesave të Tij. Të gjitha institucionet e tjera njerëzore janë të pajisura me një autoritet të përkohshëm dhe rrezikshmëria e tyre e skajshme shfaqet atëherë kur ata i identifikojnë linjat e tyre të veprimit me të mirën universale.
Antinomia e tretë mund të formulohet në këtë mënyrë: vëllazëria e njerëzimit është një qëllim kryesor dhe një aspiratë e thellë, por zbatimi i parakohshëm i saj mund të shndërrohet në një faktor shkatërrimtar për njeriun.
Vizioni për një vëllazëri dhe unitet të të gjithë njerëzve ndez imagjinatën dhe frymëzon shpirtrat. Ky ka qenë qëllimi i shenjtorëve dhe i politikanëve duke nisur që nga koha e Aleksandrit të Madh. Kjo vjen pasi çdo njeri priret t’i perceptojë interesat e tij vetjake si interesa universale. Për këtë arsye, çdo përpjekje për unitet që nuk merr parasysh pretendimet vetjake të atyre që janë në pushtet mund të kthehet në një pikëllim. Nëse këto nevojat nuk merren parasysh, uniteti i dëshiruar përfundon në një veprim që shtyp kundërshtitë dhe shton mjerimin njerëzor. Pax romana e kohëve të lashta dhe përpjekja e Krishterimit mesjetar janë shembuj të rrugëve të rrezikshme, përmes së cilave një qëllim madhështor mund të zvetënohet nga pretendimet egoiste. Ana tjetër e medaljes është besimi naiv se vetëm përmes vullnetit të mirë mund të arrihet të frenohen dëshirat e njerëzve për të gllabëruar fqinjët e tyre. Utopistëve të çdo lloji u duhet kujtuar se krijimi i një shoqërie të përsosur nuk është i mundur të realizohet brenda fluksit të kohë-hapësirës. Për këtë arsye, është e nevojshme që të merren masa kundër agresionit dhe dëshirës për ekspansion të fqinjëve. Ekuilibri midis fuqisë dhe terrorit fatkeqësisht duket se është garancia më e mirë për paqe dhe harmoni. Pa dyshim që edhe përjashtimet ekzistojnë. Këto janë pjesë të natyrës së besëlidhjes, e cila lind si pasojë e interesave të ndërsjella vetjake dhe e moralit të mirëfilltë. Por edhe këto marrëveshje nuk janë absolute, ato mund të degjenerohen dhe të ndryshohen rrënjësisht me kalimin e kohës. Sërish përballemi me një tjetër paradoks: ne mund të ruajmë paqen vetëm duke qenë të gatshëm për luftë.
Shpjegimi i mrekullueshëm i historisë së kullës së Babelit, rrëfyer në librin e Zanafillës, bërë nga Reinhold Niebuhr-i, ilustron në mënyrë të qartë antinominë dhe tragjedinë e qëllimeve të mira që shpesh përfundojnë në tragjedi.
Niebuhr nxjerr në pah [6] se shpirti njerëzor ka prirjen ta shtyjë njeriun drejt kërkimit të së mirës universale dhe të përhershme. “Ai nuk është i kënaqur me të qenit thjesht një njeri amerikan apo kinez. Ai dëshiron mbi të gjitha të jetë njeri”. Për këtë arsye, ai përpiqet të ndërtojë tempuj shpirtërorë apo qeveritarë që do të bëjnë të mundur tejkalimin e partikularitetit njerëzor. Kjo është një sipërmarrje e domosdoshme njerëzore. Sidoqoftë, fatkeqësisht, këto kulla shpirtërore që përpiqen me kaq përkushtim të tejkalojnë kufizimet njerëzore, në mënyrë të pashmangshme kthehen në kulla të Babelit që “mëtojnë të arrijnë më lart se gjatësia e tyre dhe pohojnë për veten një absolutizëm që ato nuk mund ta zotërojnë”. Një shembull i qëlluar, që ilustron vlefshmërinë e këndvështrimit të Niebuhr-it, janë korruptimet dhe arritjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo organizatë, e cila përpiqet të shprehë aspiratat universale të njerëzimit dhe të sjellë paqe në një botë ndërluftuese, pa dyshim që ka arritur, gjatë historisë së saj, disa rezultate të vyera. Por është e qartë se OKB-ja, së paku në kohët tona, paraqet interesin e fuqive mbizotëruese ose të shumicës numerike. Ajo nuk paraqet njeriun universal, madje bëhet e rrezikshme kur përpiqet ta bëjë një gjë të tillë. Na mbetet vetëm të përfytyrojmë se çfarë mjerimi do të pasonte nëse Organizatës së Kombeve të Bashkuara do t’i jepej më shumë fuqi se ç’zotëron tani. Kulla është e gjatë; ajo pretendon të arrijë me lart nga sa i lejon gjatësia e saj dhe përfundimi i pashmangshëm është çoroditja, konflikti dhe ligësia.
Kombet duhet të orvaten për të arritur unitet të pjesshëm. Kjo paraqitet më së miri në atë që ne e quajtëm “besëlidhje”. Sidoqoftë, në një botë të pashlyer nga mëkati si kjo e jona, arritjet mund të jenë vetëm të pjesshme. Ato as nuk duhen nënvlerësuar, as nuk duhen mbivlerësuar. Utopizmi, i cili është një idealizëm pa realizëm, është edhe pashmangshmërisht zhgënjyes, edhe shkatërrimtar ndonëse përmes tij mund të arrihen disa të mira të pjesshme.
Pra, antinomia ishte kjo: njeriu duhet të ëndërrojë për një harmoni universale. Kjo ëndërr duhet ta nxisë atë drejt përmirësimit të shtetit anarkik, në të cilin gjendemi sot. Sidoqoftë, feja biblike i përkujton njeriut se në ndërlikueshmëritë dhe në dykuptimësitë e historisë bashkëkohore, nevojitet të gjenden njëkohësisht një ndjesi e thellë e shtyrjes përpara të çështjes së vëllazërisë së njerëzimit dhe një inteligjencë universale që të bëjë të mundur njohjen e kufizimeve njerëzore.
Ky arsyetim na dërgon drejt antinomisë së fundit. Në besimin judaik, uniteti i njerëzimit do të ndodhë vetëm në fundin e kohërave, ku prirjet djallëzore të njeriut do të shuhen dhe natyra e tij do të ripërtërihet. Kjo kohë i përket së ardhmes në fundin e kohërave (akharait hajamim), por ajo gjendet gjithnjë me ne. Çdo çast, siç shprehet dhe Buber-i, duhet të ketë një grimë mesianizmi brenda tij. Shpatat, herë pas here, do të kthehen në plugje, por në kohën historike jo të gjitha shpatat mund të kthehen në vegla të dobishme. Ajo që duhet të shmangim me çdo kusht janë dy dukuri të rrezikshme: nga njëra anë utopizmi, i cili beson se konsumimi i historisë mund të arrihet vetëm duke u bazuar mbi fuqinë njerëzore, dhe nga ana tjetër cinizmi, i cili pohon se ne jemi të pafuqishëm për të përmirësuar ligësitë që flenë në shpirtrat tanë. Traditat fetare na pajisin me vizionin e vëllazërisë njerëzore. Ato duhet të përpiqen ta bëjnë sa më të afërt realizimin e kësaj dëshire. Herë pas herë ne arrijmë ta shijojmë atë se si mund të jetë jeta ideale njerëzore. Sidoqoftë, së paku në mendimin judaik, ne e kemi të pamundur realizimin e saj deri në ardhjen e Mesisë.
Në ndërgjegjen judaike gjendet një ide fikse: ideja e ekzilit. Bota është në ekzil. Në misticizmin judaik, madje, edhe vetë Zoti është në ekzil [7]. Sidoqoftë, ndonëse në ekzil, ne e kujtojmë premtimin dhe përpiqemi brenda kufizimeve tona të arrijmë aq sa mund të arrihet në këtë botë.
Për ta përmbledhur, mund të themi se traditat fetare që ne përfaqësojmë në këtë takim mund t’i shërbejnë, ndonëse në mënyrë të kufizuar, qëllimeve të dobishme në luftën për tejkalimin e të ligave të nacionalizmit dhe në nxitjen e bashkëpunimit dhe të vëllazërisë ndërkombëtare.
Pikë së pari, kjo arrihet duke këmbëngulur që ëndrra për unitet njerëzor të jetë pjesë e veprimeve tona, çka nënkupton detyrën për të mos e pranuar si të përhershme gjendjen në të cilën ndodhemi. Besimtarët duhet të jenë të huaj që nuk zënë vend lehtë. Nuk duhet të kënaqen asnjëherë me arritjet e bëra, por duhet të përpiqen gjithnjë për më shumë bashkëpunim.
Së dyti, ato duhet t’u përkujtojnë vazhdimisht pushtetarëve se cilatdo qofshin ndarjet e ligjshme brenda njerëzimit, përsëri, brenda qenieve njerëzore gjendet një prirje për unitet që i ka rrënjët në konceptin e atësisë së Zotit. Kjo do të thotë se ndonëse në botë hasen konflikte të pashmangshme, përsëri armiqve tanë u është dhuruar të qenit sipas imazhit të Zotit. Ata duhen respektuar, madje, edhe në vetëmbrojtjen tonë ndaj sulmeve të tyre. Kjo duhet të çojë në përpjekjen tonë të dyfishtë, që është: tejkalimi i dallimeve dhe realizimi i besëlidhjes.
Grupet fetare duhet t’i ndihmojnë të gjitha lëvizjet që luftojnë përpjekjet për t’i niveluar njerëzit në një masë, si dhe të nxisin si anën e veçantë, ashtu edhe atë universale të jetës njerëzore. Dallueshmëria e grupit, që përbën cilësinë e nevojshme për realizimin e plotë të individualitetit njerëzor, shpesh kërkon që grupi të arrijë pavarësinë kombëtare në mënyrë që të mos pushtohet nga shumica ose forcat armiqësore. Arsyeja e vetme reale për ruajtjen e sovraniteteve kombëtare është se ato janë të domosdoshme për ruajtjen e shpirtrave të njerëzve. Ato janë, po ashtu, të domosdoshme kur gjenden sovranitete konkurruese, të cilat kërkojnë shkatërrimin dhe dobësimin e njerëzve. Fetë shpesh janë shfaqur si të padobishme, sepse ato nuk janë treguar realiste. Etika është e padobishme nëse dështon në njohjen e faktorëve që veprojnë brenda një situatë drejt së cilës po drejtohet bashkësia e besimtarëve. Ne jemi duke u përpjekur për ta bërë botën sa më të mirë e jo një vend ideal imagjinar. Në botën reale hasen armiqësia, agresioni dhe përpjekje të rreme për universalizëm të cilat, në realitet, synojnë të gllabërojnë grupe që janë më të vogla në numër dhe të pafuqishme për t’u mbrojtur. Marrëveshjet janë të nevojshme për të minimizuar dëmin, por ato sigurojnë vetëm një drejtësi mesatare për ata që dëshirojnë të jetojnë një jetë produktive.
Feja duhet të na kujtojë se jemi njerëz e jo zota, se jemi të kufizuar në arritje, ndonëse të pakufizuar në pretendime. Ne jemi të lidhur nga kufizimet, por jo të paralizuar prej tyre. Në këtë gjendje hasim sipërmarrje të shpirtit njerëzor që shërbejnë për t’i ndihmuar njerëzit që tejkalojnë kufizimet e tyre kombëtare dhe për t’u shoqëruar me njerëz të tjerë. Veprimtaritë shkencore për mbrojtjen kundër ndotjes së atmosferës janë disa prej aktiviteteve njerëzore, për të cilat njerëzit bashkëveprojnë jo si rusë apo amerikanë, por si pjesëtarë të gjinisë njerëzore. Sa më shumë të shpeshtohen këto kontakte, aq më pak e mundur është që nacionalizmi të bëhet pengesë për arritjet e vëllazërisë njerëzore. Nëse njerëzit janë të aftë të ndërtojnë besëlidhje për të krijuar muzikë apo për të fluturuar në Hënë, atëherë është më e mundur që ata të ndërtojnë besëlidhje të cilat, ndonëse në mënyrë mesatare, do të jetë të afta të tejkalojnë kombin, kombësinë apo racën, për të themeluar marrëdhënie që ndonëse nuk do t’i zhdukin dallueshmëritë historike të grupeve etnike, do të sjellin miqësi dhe bashkëpunim, një marrëdhënie kjo e simbolizuar nga fjala besëlidhje ose “berith”.
Kjo që sapo thamë në lidhje me rolin e fesë u shkon për shtat veçanërisht feve monoteiste: Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit. Në to adhurohet i njëjti Zot, nderohen të njëjtat figura historike dhe mëtohet e njëjta zbulesë. Këto grupe duhet të marrin timonin në nxitjen e vëllazërisë njerëzore që pret të përmbushet.
Disa mund të jenë zhgënjyer nga fakti se ne nuk mund të premtojmë tejkalimin e të gjitha agonive njerëzore në botën tonë. Është pjesë e madhështisë së fesë sonë, e cila na thërret që ta mundim të ligën hap pas hapi dhe t’i mbështetemi fuqimisht Zotit të vetëm për të arritur fitoren përfundimtare.
Referenca
[1] Isaiah 2:4. Ky vizion i referohet, Ditëve të fundit, “Akharit Hajamim”. Ky verset është, gjithashtu, edhe një vizion eskatologjik.
[2] Talmud, Mishna Sanhedrin 4:3. Konteksti i këtij citimi është një paralajmërim për dëshmitarët, veçanërisht ata të çështjeve të mëdha, që të jenë të sinqertë dhe të saktë në dëshmitë e tyre. Nëse bëhen shkak për vdekjen e një njeriu, ata bëhen përgjegjës për vdekjen e një qenieje unike njerëzore, e cila nuk do të përsëritet asnjëherë.
[3] Diskutimi i bërë nga, J. Pederson në “Israel”, vëll. II, f. 84 e më tej, është i mprehtë dhe për aq sa unë njoh, përbën shpjegimin më të mirë psikologjik të termit “shalom”.
[4] Pedersen, vep. e cit., Gerhard von Rad, “The Theology of the Old Testament”, Westminister Press, e sheh konceptin e besëlidhjes si parimin kryesor të feve biblike. I njëjti pohim është i vërtetë edhe sipas Walter Eichordt, “The Theology of the Old Testament”.
[5] Libri i Buber-it, “The Kingdom of God”, është përmbledhja më e mirë e këndvështrimit politik të shkrimeve hebraike.
[6] Historia e ndërtimit të Kullës së Babelit gjendet te Zanafilla, kapitulli i njëmbëdhjetë. Me sa duket, ajo është një histori që shpjegon ekzistencën e disa Ziggurat-eve të mëdha në Babiloni. Eseja e Reinhold Niebuhr-it në lidhje me këtë histori gjendet te libri i tij “Përtej tragjedisë”.
[7] Kjo ide befasuese haset në shkrimet kabalistike. Parashtrimi më interesant dhe më i mprehtë në lidhje me këtë çështje gjendet në shkrimet e ndryshme të profesor Gershom Scholem-it, kryesisht në “Major Trends in Jewish Mysticism, Schocken dhe The Messianic Idea in Judaism”, Schocken. Vërejtje të vlefshme në lidhje me çështjen që po diskutojmë mund të gjenden në: Robert Godis, “The Root and the Branch”, The Univesity of Chicago Press, veçanërisht kapitulli 11: “Nationalism and World Community”.
Last modified: 28/06/2022