Huston Smith

 

Burimi: Huston Smith, Why Religion Matters: The Fate of Human Spirit in an Age of Disbelief (HarperOne, 2006), 11-23.

 

Njerëzit, kudo që jetojnë dhe kurdoherë, e gjejnë veten përballë tre problemeve të pashmangshme: si të fitojnë bukën e gojës dhe një çati mbi kokë në mjedisin e tyre natyror (problemi që parashtron natyra), si të shkojnë mirë me njëri tjetrin (problemi social), dhe si ta lidhin veten me skemën totale të gjërave (problemi fetar). Në qoftë se çështja e tretë duket më pak e rëndësishme se dy të tjerat, ne duhet t’i përkujtojmë vetes se artifaktet fetare janë më të vjetrat që arkeologët kanë zbuluar.

Këto tre probleme janë të qarta, por ato bëhen interesante për t’u shtjelluar kur ne i vendosim në linjë me tre periudhat kryesore në historinë njerëzore: periudha tradicionale (që shtrihet nga fillimet e njerëzimit e deri në shfaqjen e shkencës moderne), periudha moderne (që nisi me shkencën moderne dhe vazhdoi përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzet), dhe postmodernizmi (të cilin e pararendi Niçeja, por që u shfaq vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet).

Secila prej këtyre periudhave hodhi shumë më tepër energji në njërin nga problemet e pashmangshme të jetës se sa dy të tjerat, dhe pati rezultat më të mira duke vepruar kështu. Specifikisht, moderniteti na dha këndvështrimin tonë për natyrën – ky këndvështrim vijon të rafinohet, por për shkak se moderniteti shtroi themelet për kuptimin shkencor të natyrës, merita për këtë zbulim i shkon atij. Postmodernizmi po merret me padrejtësitë sociale më vendosmërisht se sa ç’kanë bërë njerëzit para kësaj epoke. Kjo ua lë botëvështrimet – metafizikën si diçka e dallueshme nga kozmologjia, e cila e kufizon veten në universin empirik – stërgjyshërve tanë, arritjet e të cilëve në atë front nuk janë përmirësuar.

Dallimi i sapo prezantuar ndërmjet kozmologjisë dhe metafizikës ka një rëndësi të dorës së parë për këtë tekst, kështu që unë kam për ta zgjeruar pak këtë ide. Kozmologjia është studimi i universit fizik – apo i botës së natyrës, sikurse shkenca e koncepton atë – dhe është areal i shkencës. Metafizika, në krahun tjetër, merret me gjithçka që ekziston. (Termat botëvështrim dhe Tablo e Madhe përdoren në këtë tekst përkëmbyeshëm me metafizikën). Në botëvështrimin që pohon se natyra është gjithçka që ekziston, metafizika përkon me kozmologjinë. Ajo metafizikë quhet natyralizëm.

Kjo është korniza historike në të cilën është vendosur ky tekst, dhe objekti i këtij kapitulli është që këtë kornizë ta parashtrojë me hollësi. Për shkak se unë dua t’i paraqesë temat një e nga një – nga natyra, te shoqëria, dhe më pas te Tabloja e Madhe, duke e lidhur çdo temë me periudhën që arriti më të mirën nëpërmjet saj – kjo hyrje bën një shkartisje të sekuencës historike të këtyre periudhave. Unë merrem fillimisht me modernitetin, pastaj me postmodernitetin, duke e lënë periudhën tradicionale për në fund.

 

Arritja kozmologjike e modernitetit

 

Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe atë të shtatëmbëdhjetë Europa u ballafaqua me një mënyrë të re të të njohurit së cilës ne i referohemi si metoda shkencore. Ajo fokusohet në eksperimentin e kontrolluar, dhe, kësodore, ajo na ka dhënë shkencën moderne. Shkenca gjenerike (e cila përbëhet nga vëmendja e kujdesshme ndaj natyrës dhe rregullësive të saj) është po aq e vjetër sa edhe malet – të paktën, po aq e vjetër sa arti dhe feja. Ajo çka eksperimenti i kontrolluar i shton shkencës gjenerike është prova. Hipotezat e vërteta mund të ndahen nga hipotezat e rreme, dhe nga hipotezat e vërteta të provuara është ngritur një ngrehinë gur mbi gur. Ne rëndomtazi atë ngrehinë e quajmë botëvështrimi shkencor, por kozmologji shkencore është më e saktë për shkak të ambiguitetit të fjalës botë. Ngrehina shkencore është një botëvështrim vetëm për ata që e marrin si të mirëqenë se shkenca parimisht mund të marrë mbi vete gjithçka që ekziston.

Kozmologjia shkencore është kaq shumë pjesë e ajrit që thithim saqë vështirë se është e nevojshme që ta përshkruajmë atë, por gjithsesi unë po jap këtu një paragraf të vetëm për të ofruar një pikë referenciale rreth asaj që po themi. Rreth pesëmbëdhjetë miliardë vjet më parë një topth jashtëzakonisht kompakt lënde shpërtheu duke lëshuar përbërësit e tij në një shtegtim që nuk resht edhe sot e kësaj dite. Diferencimi hyri në lojë kur hidrogjeni u shndërrua e u shumëfishua në tabelën periodike të elementëve. Atomet u mblodhën në re të gazta. Yjet u kondensuan nga pejzat vorbulla të flakës, dhe prej tyre dolën planetet për t’u bërë pikëza të shkrira që pulsonin dhe rriteshin të mbështjella me lëvozhgë guri. Duke e ngushtuar vështrimin tonë mbi planetin që më vonë do të bëhej shtëpia jonë, ne e shohim duke u zmadhuar, i mbuluar me oqeane dhe i mbështjellur nga atmosfera. Rreth tre miliardë e gjysmë vjet më parë ujërat e cekët filluan të fermentohen me jetë, e cila mund të ruante mjedisin e saj të brendshëm nëpërmjet homeostazës dhe mund të riprodhonte veten. Jeta u përhap nga oqeanet nëpër kontinente, dhe më pas u shfaq inteligjenca. Disa miliona vjet më parë erdhën stërgjyshërit tanë. Vështirë të thuhet saktësisht kur, sepse sapo kalojnë disa vjet paleontologët bëjnë publike zbulime që “e vendosin racën njerëzore një milionë vjet mbrapa”, thënë kjo me gjuhën që mediat përdorin për lajme të tilla.

E mësuar që nga shkolla fillore e mbrapa, kjo histori është kaq familjare saqë hollësitë e mëtejshme thjesht do t’i pështjellonin punët.

 

Mangësitë kozmologjike të traditës

 

Nuk është nevoja të thuhet se kjo kozmologji shkencore bën që ato tradicionalet, me gjashtë ditët e krijimit dhe gjëra të ngjashme, të dalin nga qarkullimi. E kush mund ta vërë këtë në diskutim kur kozmologjia shkencore ka bërë që njerëzit të zbrezin në hënë? Stërgjyshërit tanë ishin astronomë mbresëlënës, dhe ne mund t’i nderojmë ata pa rezerva për atë se sa shumë kanë mësuar mbi natyrën vetëm me anë të shqisave të tyre pa u ndihmuar nga diçka tjetër. Dhe ka edhe një tjetër argument. Ka natyralizëm në Taoizëm, Zen Budizëm, dhe në botëkuptime tribale që në mënyrën e vet rivalizojnë kozmologjinë kalkulative të shkencës, por në atë rast bëhet fjalë për natyralizmin e artistit, poetit, dhe të atij që është i dashuruar me natyrën – i Li Posë, Wordsworth-it, dhe Thoreau-së, jo ai i Galileos dhe i Bejkonit. Për qëllimet e këtushme, estetika nuk ka peshë. Kozmologjia moderne rrjedh nga eksperimentet laboratorike, jo nga pikturat e peizazheve.

 

Mangësitë kozmologjike të postmodernizmit

 

Me kozmologjinë tradicionale jashtë loje, diskutimi tani kthehet nga postmodernizmi. Për shkak se shkenca është kumulative, natyrshëm rrjedh se kozmologjia që kemi në shekullin e njëzet e njëtë është një përmirësim i asaj që kemi patur në mesin e shekullit të njëzet, që në kronologjinë time është koha kur moderniteti u shndërrua gradualisht në postmodernitet. Por rafinimet që shkencëtarët postmodernë kanë arritur nuk kanë ndikuar në jetën tonë sa ç’ka qenë rasti me shtysat sociale postmoderne, kështu që postmodernistët me të drejtë mund ta pretendojnë Oskarin social.

Seksioni i radhës i këtij kapitulli do të diskutojë arritjet e postmodernistëve në frontin social, por fillimisht, përpara se të kalojmë aty, unë do të doja që ta mbështetja pohimin tim se shkenca postmoderne (këtu bëjmë mirë që të themi fizika postmoderne) nuk matet me fizikën moderne sa i përket shtrirjes së zbulimeve. Nuk themi asgjë të keqe kundër madhështisë së Stephen Havvking, Fred Hoyle, John VVheeler, Freeman Dyson, Steven Weinberg, dhe të tjerëve si ata, po të shtojmë se zbulimet e tyre mbi natyrën nuk kanë të krahasuar me zbulimet e Kopernikut, Njutonit, Maksuellit, Plankut, Ajnshtajnit, Hajzenbergut, Bohrit, Shrëdingerit, dhe Bornit. Në kiminë molekulare punët janë ndryshe. ADN-ja është një zbulim mbresëlnës, por, e shtrirë në vetëm tre miliardë vjet po të krahasohet me pesëmbëdhjetë miliardë vitet e astrofizikanëve, ajo nuk është në fondamentet e natyrës. Fakti se asnjë ide abstrakte nuk është shfaqur në fizikë që prej shtatëdhjetë vjetësh mund të lër të kuptohet se nuk mbetet asgjë për t’u zbuluar në lidhje me fondamentet e natyrës. Sido që të jetë, zbulimet e postmodernizmit (ndryshe nga zbulimet moderne në fizikë – ligji i forcës së rëndesës, termodinamika, elektromagnetizmi, teoria e relativitetit, dhe mekanika kuantike, që vazhdojnë të përdoren për t’i bërë anijet kozmike që të fluturojnë dhe për të na ndihmuar që të kuptojmë se si elektronet e nxehta transmetohen në gjysmëpërcjellësit) kanë të bëjnë me hollësi dhe me ekzotizma. Miliarda dollarë që janë shpenzuar që nga mesi i shekullit të njëzet (dhe miliona artikuj shkencorë që janë shkruar mbi teori që ndryshojnë sa sot sa nesër) nuk kanë prodhuar zbulime që ka impakte të rëndësishme tek njerëzit. Të gjitha janë në sferën e meta-shkencave dhe fizikës së grimcave me energji të lartë dhe astronomisë, gjetjet e të cilave – ajo çka supozohet të ketë ndodhur në 10-42 sekondave të para të jetës së universit, dhe gjëra të ngjashme – ndërkohë që nxirren në faqe të parë nga mediat, ato nuk kanë asnjë lidhje të konceptueshme me jetën njerëzore dhe as nuk mund të hidhen poshtë dhe as nuk mund të kontrollohen në mënyrë normale. Kjo lejon që komponentët e natyrës – grimcat, fijet, apo çfarëdoqoftë – të mos reshtin së ndryshuari, dhe herë pas here mosha e universit ose të përgjysmohet ose të dyfishohet. Përafërsisht 99.999 përqind e shkencës (vlerësim ky i shkencëtarit Rustum Roy) ngelet e pacënuar nga këto hipoteza regëtitëse, dhe publikut nuk është se i bëhet fort vonë për karrierën e mëtejshme të atyre hipotezave.

Në majë të arsyeve se përse postmodernizmit nuk i jepet Oskari kozmologjik është fakti se postmodernistët më të zhurmshëm kanë vënë në diskutim vetë nocionin e të vërtetës duke i shndërruar pretendimet për të vërtetën në pak më shumë se lojëra pushteti. Sipas këtij leximi të kësaj çështjeje, kur njerëzit pretendojnë se ajo çka ata thonë është e vërtetë, ajo çka ata po bëjnë në të vërtetë është se po pretendojnë një status për besimet që përmirësojnë pozitën e tyre sociale. Kjo i relativizon pohimet e shkencës në mënyrë radikale dhe përjashton madje edhe mundësinë që t’i përafrohet natyrës së natyrës. Teksti universitar më gjerësisht i përdorur në universitete dhe kolegje gjatë tridhjetë viteve të fundit ka qenë Struktura e Revolucioneve Shkencore e Thomas Kuhn, dhe teza tij – se faktet e përftojnë kuptimin e tyre nga paradigmat prej nga ato vijnë në jetë – e ka zhvendosur vëmendjen nga faktet shkencore drejt paradigmave shkencore. Duke qenë se nuk ka standarte asnjëanëse nëpërmjet të cilave të gjykohen këto paradigma, teza e Kuhn-it (ndonëse e panuancuar) çon drejt një relativizmi në mesin e paradigmave që e vendos shkencën Hottentot (teori raciste e shekullit të 19-të,sh.p.) në një nivel me atë të Njutonit. Vetë Kuhn-i e formuloi tezën e tij me aq kujdes sa e shmangu një relativizëm të tillë, por edhe në rastin më të mirë, ajo tezë nuk jep asnjë mënyrë sipas së cilës shkenca mund të shkojë në thelbin e gjërave. Kjo ia ul vlerën sipërmarrjes në fjalë, dhe duke vepruar kështu është një argument i fortë në përkrahje të pretendimit se përse postmodernizmit nuk i duhet dhënë çmimi kozmologjik. Por ama ka rezultate më të mira me problematikat sociale, të cilave unë do t’i kthehem tani.

 

Revolucioni i paanshmërisë i postmodernizmit

 

Fjala magjike e postmodernizmit është shoqëria. Kjo nuk është aspak befasi. Me besimin se nuk ka asgjë përtej botës sonë aktuale, natyra dhe shoqëria janë gjithçka që kanë mbetur, dhe nga këto të dyja natyra është bërë provincë e specialistëve. Ne rallëherë përballemi me të në mënyrë të drejtëpërdrejtë; kryesisht ajo vjen tek ne nëpërmjet spermarkatave dhe e zbutur me anë të ajrit të kondicionuar dhe ngrohjes qendrore. Kjo e lë shoqërinë si domeni që është i rrokshëm për ne dhe ai në të cilin ka njëfarë perspektive ku ne të lëmë shenjën tonë.

Dhe ndryshimet po ndodhin. Faji post-kolonial luan një rol këëtu, dhe shumëçka mbetet për t’u bërë aq sa admirimi për veten në këtë pikë është i parakohshëm. E megjithatë, një përsëritje e shpejtë e disa ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë jetës së një njeriu e bën të qartë që padrejtësitë sociale po pranohen dhe po trajtohen me më tepër sinqeritet sot se sa ç’kanë bërë stërgjyshërit tanë:

 

  • Në vitin 1919 Kopshti Zoologjik i Bruklinit ekspozoi një afro-amerikan të futur në një kafaz bashkë me disa shimpanze dhe gorilla. Sot një akt i tillë do të ndeshej me zemërim kudo në botë.
  • Lëvizja e të drejtave civile e viteve 1960 i realizoi objektivat e saj kryesore. Në Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe në Afrikën e Jugut sot, njerëzit e racave të ndryshme përzihen me njëri tjetrin edhe atje ku ata nuk mund ta bënin dot kurrsesi – në plazhe, në kabinat e pilotëve të avionëve, kudo.
  • Në vitet 1930, në qoftë se një tramvaj në San Francisko i afrohej një stacioni ku ishin në pritje vetëm kinezo-amerikanë, zakonisht nuk ndalonte aty. Në kundërdallim, (pesëdhjet vjet më vonë) kur unë dola në pension nga mëësimdhënie në Universitetin e Kalifornisë, Berkley, kancelari im fort i respektuar ishte një kinezo-amerikan që fliste anglisht me theks kinez.
  • Nuk ka luftë që të ketë ngjallur protesta aq të furishme nga qytetarët amerikanë sa lufta e Vietnamit. Kur punët shkuan aq keq saqë udhëheqësit ushtarakë e këshilluan Presidentin Nikson që të përdorte armët bërthamore, ai u gjend përballë një kombi që ishte dyndur nëpër rrugë.
  • Lëvizja e grave është vetëm një pulitje sysh në sytë e historisë, por ajo ka arritur tashmë disa fitore mbresëlënëse. Edhe për një kohë të gjatë mbas Luftës Civile, gratë amerikane në realitet nuk gëzonin asnjë të drejtë civile, asnjë të drejtë ligjorë, dhe asnjë të drejtë prone. Vetëm në vitin 1918 Teksasi e ndryshoi ligjin e vet që thoshte se të gjithë kishin të drejtë vote me përjashtim të “idiotëve, derdimenëve, alienëve, të çmendurëve, dhe grave”.
  • Ç’është e vërteta, zhvillimi më i rëndësishëm teologjik i fundit të shekullit të njëzet ishte lindja e teologjisë së çlirimit, me versionet e saj latino-amerikane dhe feministe në pararojë.
  • Në një lëvizje të paprecedentë, në mars të vitit 2000 papa iu lut Zotit që të falte mëkatet që kisha e tij kishte kryer kunddër popullit të Izraelit, kundër paqes, dashurisë, dhe respektit për kulturat dhe fetë, kundër dinjitetit të grave dhe unitetit të racës njerëzore, dhe kundër të drejtave themelore të njerëzve. Dy muaj më vonë, dyqind mijë australianë marshuan mbi Urën Harbor në Sidnej për të kërkuar falje për trajtimin që i kishin bërë aborigjenëve, ndërkohë që fjala “SORRY” e shkruar në qiell nga një avion pluskonte mbi Teatrin e Operas së Sidnejt.

 

Mangësitë sociale të traditës

 

Këto shenja të progresit përftojnë jetë të shtuar kur ato vendosen përkundër mungesës së shqetësimit të kohëve të mëhershme lidhur me çështje të tilla. Nuk ka asnjë arsye për të menduar se popujt tradicionalë ishin më të pashpirtë se sa ç’jemi ne, por në tërësi ata mendonin se obligimet e tyre nuk shtriheshin përtej pjesëtarëve të komuniteteve të tyre parësore: dana (dhuntitë) e Budizmit, “kupë e ujit e dhënë në emrin tim” e Jezuit”, dhe të ngjashme me to. Kur takoheshin ballë për ballë, të uriturve iu jepej ushqim, të zhveshurve iu jepeshin rroba, dhe të vejave e jetimëve u jepeshin mjete jetese sa ç’ishte mundësia, por obligimet njerëzore përfundonin me kaq. Padrejtësitë që ishin pjesë e strukturës së institucioneve (në qoftë se padrëjtësi të tilla pranoheshin) nuk ishin përgjegjësi e njerëzve, pasi ato institucione konsideroheshin se ishin të dhëna nga Zoti dhe të pandryshueshme. Njerëzit i konsideronin ato në po të njëjtën mënyrë ashtu sikurse sot konsiderojmë ligjet e natyrës – si të dhëna për të punuar me to, e jo për t’i kritikuar.

Moderniteti e ndryshoi këtë qëndrim. Udhëtimi dhe tregtia e përshpejtuar bëri të mundur takime ndërmjet njerëzve që vinin nga struktura sociale mjaft të ndryshme nga njëra tjetra, dhe këto diferenca tregonin se institucione të tilla, në fund të fundit, nuk ishin si ligjet e natyrës; ato ishin të shpikura nga njeriu dhe, rrjedhimisht, mund të kritikoheshin. Revolucioni Francez e vuri këtë perspektivë në një test të një rëndësie historike; duke hequr të drejtat hyjnore të mbretërve, Revolucioni Francez filloi të krijonte një shoqëri të ndërtuar mbi lirinë, barazinë, dhe vëllazërinë. Eksperimenti dështoi dhe kundërgoditja ishte e menjëhershëm, por premisa e tij – që shoqëritë janë të përthyeshme – mbijetoi.

 

 

Mangësitë sociale të modernitetit

 

Moderniteti ka meritën për atë zbulim, dhe (nëse do të dëshironim) ne mund ta shfajësojmë atë për trajtimin e dobët që i bëri zbulimit të tij me arsyetimin se ai po punonte me një ide të re. Megjithatë, vetë ky historik, sipas standarteve postmoderne, është për të ardhur keq. Nën pretekstin e të mbajturit mbi supe të “barrës së njeriut të bardhë” për ndihmuar “racat më ulëta që nuk kanë ligje”, ai buiti kapitalizmin, i cili përdhunoi Azinë dhe Afrikën, arriti pikë më të ulët në Luftërat e Opiumit të viteve 1841-42, dhe përfundoi duke ia nënshtruar një botë të tërë të civilizuar ndaj dominimit perëndimor. David Hume-it vlerësohet se ka qenë më i qarti nga të gjithë filozofët e mëdhenj, por unë kam lexuar se diku në letërkëmbimet e tij (unë nuk kam arritur që ta gjej këtë pasazh) ai ka shkruar se më i keqi nga njerëzit e bardhë është më i mirë se më i miri njerëzve me ngjyrë. Ajo çka unë mund të them se kam parë me sytë e mi janë tabelat e vendosura në parqet e vendbanimeve ndërkombëtare në Shangai, ku unë kam ndjekur shkollën e mesme, ku thuhej: “Nuk lejohen qentë dhe kinezët”. Me një kontinent të virgjër gati për ta përdhunuar, Shtetet e Bashkuara nuk kishin nevojë për koloni, por kjo nuk i frenoi ata që bënin gjueti me amerikanët autoktonë, duke vazhduar institucionin e skllavërisë, duke aneksuar Porto Rikon dhe Havain, dhe duke themeluar “protektorate: në Filipine dhe në disa vende të tjera.

Mbasi jam marrë tashmë me natyrën dhe shoqërinë, unë i kthehem tani problematikës së tretë të pashmangshme me të cilën qeniet njerëzore duhet të përballen: Tablonë e Madhe.

 

Botëvështrimi tradicional

 

Mangësitë metafizike të modernitetit

 

Moderniteti ishte metafizikisht i zbërdhylët. I magjepsur nga arritjet e shkencës, ai e ngriti metodën shkencore në “modusin tonë sakral të të njohurit” (Alex Comfort), dhe për shkak se ky modus nuk regjistron asgjë që nuk është pa një komponent material, realitetet jomateriale fillimisht u larguan nga pamja dhe më pas (teksa pozicioni u ngurtësua) atyre iu mohua ekzistenca. Në dallimin e regjistruar më herët në këtë kapitull, kjo ishte metafizikë e reduktuar në kozmologji. Kur Carl Sagan filloi serinë e tij televizive, Kozmosi, duke bërë me dije se “Kozmosi është gjithçka që është apo që ka qenë apo që ka për të qenë,” ai e paraqiti këtë supozim të paargumentuar sikur të ishte një fakt shkencor. Tabloja e Madhe e modernitetit është materializmi apo (në versionin e tij më bindës) natyralizmi, që pranon se ka gjëra jomateriale – mendime dhe ndjenja, për shembull – ndërkohë që këmbëngulë se ato gjëra janë krejtësisht të varura nga lënda. Të dyja versioneve iu bie vlera kur krahasohen me botëkuptimin tradicional. Është e rëndësishme që të kuptojmë se as materializmi dhe as natyralizmi nuk është i domosdoshëm nga asnjë gjë që shkenca e ka zbuluar sipas mënyrës së fakteve të prekshme. Në këtë më të voglin qëndrim nga qëndrimet metafizike ne dolëm për arsye psikologjike, e jo logjike.

 

Mangësitë metafizike të postmodernitetit

 

Sa i përket postmodernitetit, ai e vendos veten përkundrejt vetë idesë së një diçkaje të tillë si Tabloja e Madhe. Unë e nisa me këmbë të mbarë duke kritikuar botëvështrimin e cungruar të Iluminizmit, por nga ai fillim i arsyeshëm ai u zhyt në argumentime të paarsyeshme se botëvështrimet (që shpesh me përtallje përmenden si narrativa të mëdha) janë të kequdhëzuara në parim. Në Kushti Postmodern, Jean François Lyotard shkon deri aty sa e përkufizon postmodernizmin si “mosbesim ndaj metanarrativave”, një sinonim për metafizikën.

Mosbesimi merr tri forma që bëhen gjithnjë e më të mprehta teksa ato ecin përpara. Minimalizmi modern kënaqet me vënien në dukje se ne sot nuk kemi asnjë botëkuptim konsensual; “ne nuk kemi harta dhe nuk dimë se si t’i bëjmë ato”. Postmodernizmi i linjës kryesore shton: “dhe ne nuk do të kemi më asnjëherë një botëvështrim universal, sikurse ka qenë rasti në mesjetë, në Anglinë elizabetiane, apo në Nju England të shekullit të shtatëmbëdhjetë; ne e dimë fare mirë se sa pak mund të njohë mendja njerëzore.” Postmodernizmi i ashpër e çon këtë trajektore në kufirin e saj logjik duke shtuar: “çlirim i mirë!” E formuluar në të folurën që postmodernistët e kanë për zemër, botëvështrimet “totalizojnë” duke “margjinalizuar” pikëpamjet pakicë. Ato janë shtypëse në parim dhe atyre iu duhet bërë rezistencë me vendosmëri.

Në qoftë se postmodernizmi i ashpër do të ishte i saktë në këtë akuzë, ai do ta ndalte këtë libër në gjurmët e tij, por ai nuk ka vërtetuar se është i saktë – ai thjesht supozon se është i saktë dhe e mbështet argumentin e tij mbi shembujt e shtypjes që, sigurisht, nuk mungojnë. Ajo çka nuk është demonstruar është pamundësia e një botëvështrimi që sendërton të drejtat e pakicave në themelet e tij në një strukturë thelbësore. Këtu ka ironi, sepse pikërisht postmodernizmi që po e flak tutje mundësinë e një botëkuptimi njerëzor gjithëpërfshirës po operon në drejtim të krijimit të tij nëpërmjet revolucionit të tij të paanshmërisë – këmbëngulja e tij se çdokujt iu është dhënë një shans i barbartë për të mirat e jetës. Megjithatë, po të hedhim vështrimin më në thellësi do të shohim se të kesh ose të mos kesh një botëvështrim nuk është një opsion, sepse vizioni periferik kushtëzon gjithnjë atë së cilës ne i kushtojmë vëmendje në mënyrë fokale, dhe në “të pamurit” konceptual periferia nuk ka asnjë rrugë që pret shkurt. E vetmja zgjedhje që kemi është që të jemi ndërgjegjshëm të vetëdijshëm për botëvështrimet tona dhe t’i kritikojmë ato atje ku ato duhen kritikuar, apo t’i lëmë ato të operojnë mbi ne pa u vënë re dhe të pranojmë në heshtje që të bëjmë një jetë të cilën nuk ia nënshtrojmë shqyrtimit.

Të thuash, sikurse kam bërë unë, se as modernizmi dhe as postmodernizmi nuk e kanë trajtuar mirë problemin metafizik, pa dyshim, nuk është argument se tradicionalistët e kanë trajtuar më mirë. Sikur ky kapitull të ishte një artikull krejt më vete, unë do të duhej që ta përfundoja atë duke përshkruar botëvështrimin tradicional dhe të mbroja meritat e tij. Kjo, megjithatë, është pothuajse objekti i gjithë këtij libri dhe unë nuk do të orvatem që ta përmbledhë atë në vetëm një apo dy faqe këtu. Krahas kësaj, botëvështrimi tradicional është kaq i rënë nga vakti sot, saqë i vetmi shteg i mundur për t’i dhënë një mundësi atij është që të shkojmë dalëngadalë aty ku duam të dalim, duke sugjeruar gjasa sa herë që shfaqen mundësi për to.

Kjo e lë këtë kapitull aktual me një fund të hapur, por madje edhe kështu këto pak faqe kanë arritur të realizojnë dy gjëra. E para e këtyre është deskriptive: ky kapitull e ka vendosur të tashmen në mjedisin e saj historik. E dyta është preskriptive, sepse nga ajo që është thënë ngre krye një moral i qartë. Ne duhet të hyjmë në mijëvjeçarin tonë të ri duke vendosur nëë sitë në kaluarën tonë për të marrë nga secili prej tri periudhave të tij arin që përmban dhe të lëmë skorjet që të bien rishtazi në rërën e historisë. Ari i modernitetit – shkenca, pra – pa dyshim që do të ketë një pozitë të rëndësishme në mijëvjeçarin e tretë, dhe fokusi i postmodernitetit mbi drejtësinë ka një shans po aq të mirë që të vijojë të jetë aty. Botëvështrimi tradicional është ai që është në rrezik dhe, nëse do të mbijetojë, ai duhet të rehabilitohet.

 

Përktheu: Arjol Guni

 

 

 

Tags: , , , , Last modified: 15/12/2021
Close