Fragment i shkëputur nga libri in John Gray me titull: “Al Qaeda and what it means to be modern”, (New York: The New Press, 2003)[1]

Luftëtarët vetëvrasës që sulmuan Washingtonin dhe New Yorkun në 11 Shtator 2001 bën diçka më shumë se sa thjesht vranë mijëra civilë dhe shkatërruan Qendrën Botërore të Tregëtisë. Shoqëritë perëndimore janë të udhëhequra nga besimi se moderniteti është një gjendje unike, kudo i njëjtë dhe gjithnjë i mirë. Sa më shumë moderne të bëhen shoqeritë aq më të ngjashme dhe të mira bëhen ato. Të jesh modern do të thotë të realizosh vlerat tona – vlerat e Rilindjes evropiane siç na pëlqen ti përshkruajm ato.

Asnjë klishe nuk është më e gënjeshtërt se sa ajo që e përshkruan Al-Kaedën (d.m.th. terrorizmin islam shën. i përk.) si një rikthim në Mesjetë. Në të vërtetë ajo është një nënprodukt i globalizimit. Njësoj si kartelet mbarë botërore të drogës dhe korporatat e biznesit virtual të zhvilluar në vitet 1990, Al-Kaeda ka evoluar në një kohë ku liberalizimi financiar ka krijuar depozita të mëdha pasurie offshore dhe krimi i organizuar ka marrë përmasa ndërkombëtare. Karakteristika e saj më e spikatur, d.m.th. ajo e projektimit të një forme të privatizuar të dhunës së organizuar në shkallë botërore, është bërë e mundur të realizohet vetëm në ditët tona. Njëlloj, besimi se krijimi i një bote të re mund të nxitet nga veprimet spektakolare të shkatërrimit nuk gjendet askund në kohën e mesjetës. Pararendësit më të afërt të al-Kaedës janë anarkistët revolucionarë evropianë të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë.

Çdokush i cili e vë në dyshim faktin se terrorizmi revolucionar është një shpikje moderne e ka gënjyer veten duke harruar historinë e kohëve të fundit. Bashkimi Sovjetik ishte një përpjekje per të trupëzuar idealin iluminist të një bote pa pushtet apo konflikt. Në ndjekje të këtij ideali bashkimi sovjetik vrau dhe skllavëroi dhjetra miliona qenie njerëzore. Nazistët gjermanë kryen aktin më të rënde të genocidit në histori. Ata e bënë këtë me synimin për të kultivuar një lloj të ri të qenies njerëzore. Asnjë periudhë historike pararendëse nuk ka ushqyer një projekt të tillë. Dhomat e gazit dhe gulagët janë fenomene moderne.

Ekzistojnë mënyra të shumta për të qenë modern, disa prej tyre janë të përbindshme. Sidoqoftë, besimi se ekziston vetëm një mënyrë për të qenë modern dhe se ajo është gjithnjë e mirë ka rrënjë të forta. Nga shekulli tetëmbëdhjetë e tutje filloi të krijohej bindja se rritja e dijeve shkencore dhe emancipimi i njerëzimit marëshonin dorë për dore. Ky besim iluminist, i cili shumë shpejt mori karakteristikat e një bindjeje fetare, gjeti shprehjen e tij më të artikuluar në një lëvizje intelektuale të fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë e cila ishte ekzotike, ndonjëhere edhe  groteske, por gjithsesi me shumë ndikim dhe e qendrueshme, e cila e quante veten positivizëm.

Pozitivistët besonin se duke qenë se shoqëritë kishin filluar të bazoheshin në shkencë ato ishin të detyruara të bëheshin të ngjashme me njëra-tjetrën. Ata ishin tw bindur se dija shkencore do të sjell një moralitet universal në të cilin synimi i shoqërisë është prodhimi në vetvete, në sasi sa më të madhe të jetë e mundur. Përmes përdorimit të teknologjisë, humaniteti do të shtrijë fuqinë e tij mbi burimet e Tokës dhe do të kapërcej format më të këqija të pamjaftueshmërisë natyrore. Varfëria dhe lufta mund të shfuqizohen. Përmes fuqisë që i është dhënë nga shkenca njerëzimi do të ketë mundësinë të krijoi një botë të re.

Ka pasur gjithnjë mospajtim rreth natyrës së kësaj bote të re. Për Marksin dhe Leninin natyra e kësaj bote të re do të jetë formimi i një anarkie egalitare pa klasa, për Fukujamën dhe neoliberalët natyra e saj është ajo e formimit të një tregu të lirë universal. Këto pikëpamje të një të ardhmeje të themeluar mbi shkencë janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra por kjo nuk e ka dobësuar në asnjë mënyrë besimin që ato shprehin.

Falë ndikimit të thellë mbi Marksin, idetë pozitiviste frymëzuan eksperimentin katastrofik të të planifikimit ekonomik qendror të kryer nga Bashkimi Sovjetik. Kur sistemi sovjetik u rrënua idetë pozitiviste u rishfaqën në formën e tregut të lirë. Filloi të krijohej besimi se vetëm “kapitalizmi demokratik” i stilit amerikan është vërtet modern dhe se kjo formë ekonomie është e destinuar të përhapet kudo. Sapo të përhapet universalisht një formë universale civilizimi do të vijë në jetë dhe historia do të arrijë fundin e saj.

Ky mund të duket si një besim i çuditshëm (fantastical) dhe kështu është. Ajo që është më e çuditshme është fakti se ai besohet ende gjerësisht. Një besim i tillë formëson programet e partive kryesore politike në të gjithë botën. Ai udhëheq politikat e institucioneve të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai frymëzon “luftën kundër terrorit”, në të cilën Al-Kaeda shihet si një relike e të kaluarës.

Një këndvështrim i tillë është tërësisht i gabuar. Njësoj si komunizmi dhe nazismi edhe islami radikal është një fenomen modern. Ndonëse ai pretendon se është anti-perëndimor në të vërtetë ai është formësuar po aq shumë nga ideologjia perëndimore sa edhe nga tradita islame. Njësoj si markistët dhe neoliberalët, radikalët islamikë e shohin historinë si një prelud drejt një bote të re. Të gjithë janë të bindur se ata mund ta ribëjnë gjendje e njerëzimit (the human condition). Nëse ka një mit unik modern, atëherë ai është pikërisht ky.

Në botën e rë të përfytyruar nga Al-Kaeda pushteti dhe konflikti janë zhdukur. Kjo është një pjellë e imagjinatës revolucionare dhe jo një recetë për një shoqëri të qendrueshme moderne. Por në këtë aspekt, bota e re e përfytyruar nga Al-Kaeda nuk është e ndryshme nga fantazitë e projektuara nga Marksi dhe Bakuinin, Lenini dhe Mao dhe nga ithtarët e neoliberalizmit që jo shumë më kohë më parë proklamuan fundin e historisë. Njësoj si këto lëvizje moderne edhe Al-Kaeda do të ngecin në përpjekjen për të nënshtruar nevojat njerëzore.

Miti modern është ai sipas së cilit shkenca i mundëson njerëzimit të marrë mbi supe fatin e tij. Por njerëzimi është në vetvete një “mit”. Një mbetje e pluhurosur besimi fetar. Në të vërtetë ekzistojnë vetëm njerëz të cilët përdorinin dijen gjithnjë e në rritje të siguruar nga përparimi shkencor për të përmbushur synimet e tyre konfliktuale.

Përktheu: Rezart Beka

[1] Teksti në fjalë është përkthim i parathënies së librit të autorit e cila titullohet “What al-Qaeda destroyed” (Çfare shkatërroi Al-Kaeda). Për arsye editoriale titullin e kemi ndryshuar duke e sjelle atë në harmoni me tezen kryesore të librit të autorit sipas së cilit terrorizmi islamik nuk duhet pare si i bazuar në të kaluarën mesjetare por në përvetësimin e ideologjive moderne nga militant islamikë.

Last modified: 22/03/2016
Close