Tim Winter
Marmaduk Piktholl (Marmaduke Pickthall, 1875-1936), i njohur si një prej romancierëve më popullorë të brezit të vet, ishte edhe një ndër letrarët më të pazakonshëm dhe origjinalë. Duke shpërfillur urtësinë konvencionale, ai përdorte prozën e tij në dukje konservatore për të paraqitur pikëpamje të tilla mbi politikën, çështjet gjinore dhe fenë, që nuk përkonin as me rrymën e përgjithshme eduardiane të kohës, as me ndonjë linjë bashkëkohëse të kulturës disidente. Sigurisht që një joshje kundrejt Orientit vështirë se përbënte ndonjë risi, madje ishte një konvencion i njohur, por ndryshe nga Bajroni, Burtoni, Douti (Doughty) e të tjerë të joshur prej “shkëlqimit dhe rënies së Lindjes”, ai përvetësoi pikëpamjen se më e mira e kulturës osmane rridhte prej fesë. Turkofilia e tij i kishte rrënjët në besimin fetar të një lloji që shmangej prej shumicës së autorëve seriozë të kohës së tij. Sipas tij, pasuria më e çmuar e një kulture ishte besimi te Zoti. Dhe Lindja e kishte ruajtur atë, ndërsa Perëndimi po e hidhte tutje në emër të Zhvillimit.
Përulësia dhe përkushtimi nuk i bëheshin pengesë Pikthollit në krenarinë që ushqente për paraardhësit e tij, të cilët ishte në gjendje t’i gjurmonte gjer te një kalorës i kohës së Uilliam Pushtuesit (William the Conqueror), Sër Roxher dë Poiktu (Sir Roger de Poictu), prej të cilit e ka prejardhjen mbiemri i tij i veçantë. Familja e tij, që ishte e vendosur prej kohësh në Kambërlend (Cumberland), kishte ardhur në jug gjatë mbretërimit të Uilliamit III, ndërsa babai i Pikthollit, Çarlsi, që ishte një famullitar anglikan, e kishte ndërtuar jetën pranë Udbrixhit (Woodbridge) në Safolk (Suffolk). Bashkëshortja e Çarlsit, me të cilën ai qe martuar në një moshë të vonë, ishte Meri O’Brajën (Mary O’Brien), një protestante jokonformiste e palëkundur pavarësisht emrit të saj irlandez. Ajo krenohej që ishte bija e Admiral Donat Henri O’Brajënit, një hero i luftës napoleonike që (sipas një historie të diskutueshme) i dhuroi gjyshit të Shejh Abdullah Kuilliamit (Sheikh Abdullah Quilliam) famën e të qenit togeri i parë i Fitores në Trafalgar. O’Brajëni, i pavdekësuar prej Marriatit (Marryat) në “Masterman Ready”, duket t’ia ketë lënë si trashëgimi disa prej impulseve të tij heroike nipit të vet, Marmadukut, që përgjatë jetës së vet ushqeu një ideal më së shumti shavian të luftëtarit të drejtë. Është interesante që Piktholli, Kuilliami dhe, para tyre, Lord Bajroni, që ishin të tre të prirë në sjellje prej dashnorësh rebelë të Lindjes, ishin nipër heronjsh detarë.
Marmaduku lindi në vitin 1875 dhe kur babai i tij vdiq pesë vite më pas, familja e tij e shiti banesën e famullorit në Safolk dhe u vendos në kryeqytet. Për djalin e vogël, trauma e shpërnguljes nga një fshat idilik në një shtëpi të ftohtë e të zymtë në Londër qe si një goditje e thellë në shpirtin e tij dhe gazi e shendi për natyrën e hapur, që do të përshkojë më vonë të gjitha romanet e tij, mund t’i detyrohen shumë atij kapërcimi të hershëm në formimin e tij. Klaustrofobia iu shtua edhe më tepër kur hyri në shkollën e Harrout (Harrow), ritualet e mistershme dhe sistemin stërmundues të së cilës do t’i mbartte në romain e tij “Sër Limpidus” (Sir Limpidus). Miqtë ishin ngushëllimi i tij i vetëm. Ndoshta më i ngushti prej tyre ishte Uinston Çurçilli.
Pasi i la pas shpine përtacinë dhe tiraninë e Harrout, ai qe në gjendje të këndellej në një varg pasionesh rinore. Në Xhura (Jura), ai fitoi një herë e përgjithmonë dashurinë për alpinizmin, ndërsa në Uells e në Irlandë mësoi uellsishten dhe gaelishten. Dhuntia e tij e spikatur për gjuhët i shtyu mësuesit e tij që ta paraqisnin për një vend pune në Ministrinë e Jashtme; por ai nuk e kaloi provimin. Pa u shqetësuar prej kësaj, ai i propozoi për martesë Murielë Smithit, vajzës që do të bëhej bashkëshortja e tij. Ajo pranoi, por do ta humbte të fejuarin e saj për disa vite falë njërit prej atyre ndryshimeve të papritura e aventureske të drejtimit që do të shënjonin karrierën e tij të mëvonshme. Duke shpresuar të mësonte arabisht mjaftueshëm sa për të zënë një vend konsullor pune në Palestinë, si dhe me disa njohje në Jerusalem, Piktholli lundroi për në Port Said. Ende nuk i kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç.
Orienti mbërriti si një zbulesë. Kohë më vonë, ai do të shkruante: “Kur lexoj “Njëmijenjë netët” (Arabian Nights), shoh jetën e përditshme të Damaskut, të Jerusalemit, të Halepit, të Kairos dhe të qyteteve të tjera që i gjeta në fillim të viteve ’90 të shekullit të shkuar. Ajo që më linte mbresa, edhe në kalbëzimin e në varfërinë e saj, ishin gazi e hareja e asaj jete krahasuar me gjithçka që kisha parë në Evropë. Njerëzit dukeshin krejt të pavarur nga shqetësimet tona për jetën, nga mbërthimi ynë pas pasurisë, nga frika jonë prej vdekjes.” Ai gjeti një hoxhë që do t’i mësonte edhe më shumë arabisht dhe pasi u armatos me shpejtësi me një rrjedhshmëri gjuhësore në rritje, u ngjit në një anije e u nis për në Xhafa, ku, për tmerr të banorëve evropianë e të misionarëve, u vesh me rroba vendëse dhe u zhduk në hinterlandin palestinez.
Disa prej përvojave të tij në mugëtirën e Azisë osmane mund të shihen në librin e tij me kujtime udhëtimesh, “Takime Orientale” (Oriental Encounters). Ai kishte gjetur, siç shpjegon vetë, një botë lirie të papërfytyrueshme për një djalosh shkolle publike të rritur në një pasion thuajse idhujtar për shtetin. Shumica e palestinezëve nuk kishin parë kurrë polic me sy dhe kishin jetuar për dhjetëra vite pa u angazhuar me qeverinë në kurrfarë mënyre. Ligji islam administrohej sipas traditës prej kadilerëve që, me përjashtim të të diplomuarve të Stambollit në qytetet e mëdha, ishin banorë vendës. Fshatrat i zgjidhnin (ose i trashëgonin) prijësit e tyre dhe po kjo vlente edhe për fiset e egra të beduinëve. Popullsia e donte dhe e nderonte Kalif-Sulltanin në Stambollin e largët, por e kuptonte se nuk ishte punë e tij që të ndërhynte në jetën e tyre.
Ishte kjo liri, po aq sa pëlqimi intelektual, që e shtyu Marmadukun për në pelegrinazhin e gjatë që do t’i printe atij për tek Islami. Ai e pa botën myslimane përpara se fryma perëndimore të kishte riformësuar jetën e masave dhe shumë përpara se kjo të kishte infektuar mendimin politik mysliman për të prodhuar vështrimin modern të “shtetit islam”, me ideologjinë dhe burokracinë e tij të qendërzuar. Atë ëndërr të keqe totalitare, ai nuk do ta kishte pranuar si mysliman. Besimi i thellë i fshatarësisë levantine, që atë e mrekullonte aq shumë, ishte i mbështetur prej sinqeritetit që mund të vijë vetëm kur njerëzit janë të lirë dhe jo të detyruar për zbatimin e fesë. Që shteti të imponojë pranimin, do të thotë të përhapë vesin dhe mosbesimin; siç thotë një fjalë e urtë arabe, që ai e njihte shumë mirë: “Nëse edhe bajga e devesë do të ndalohej, njerëzit do ta kërkonin.”
Përgjatë krejt jetës së tij, Piktholli duket ta ketë vështruar Islamin si një formë lirie radikale, një liri prej cenimeve të shtetit po aq sa prej kthetrave të egos. Por ai, gjithashtu, besonte se Islami mundësonte edhe lirinë prej fanatizmit dhe ngurtësisë sektare. Palestina e vonë osmane gëlonte nga misionarët e çdo sekti të krishterë, secili i bindur plotësisht, në ato ditë paraekumenike, për të drejtën e vet vetmitare. Ai ishte i trembur prej rivalitetit të mbushur me urrejtje mes sekteve që, siç mendonte ai, duhej të ishin të bashkuar së paku në vendin e shenjtë të besimit të tyre. Por Jerusalemi i krishterë ishte një labirint faltoresh e liturgjish rivale, ku grushtet shkëmbeheshin shpesh në kisha, ndërsa Jerusalemi i Islamit ishte i bashkuar lavdishëm nën Kubenë që dukej si kurora fizike e qytetit dhe e historisë së tij të ndërlikuar.
Viti 1897 e gjeti atë në Damask, që në atë kohë ishte një qytet i qetë rrugicash, tendash të fshehura trëndafilash e pemësh arre. Pikërisht në këtë paqe të thellë, teksa çlodhej prej aventurave të tij, ai punoi në mënyrë metodike përmes të fshehtave të gramatikës arabe. Ai lexoi poezi dhe histori, por dukej i joshur në mënyrë të papërballueshme prej Kuranit. Në fillim qe prirë prej kureshtjes, por shpejt ai do të dyshonte se kishte nxjerrë në dritë fundin e kërkimit të përjetshëm fetar të njeriut anglez. Lidhja duket të kenë qenë Tomas Traharni (Thomas Traherne) dhe Xherard Uinstenli (Gerrard Winstanley), që me misticizmin e tyre të natyrës dhe me këmbënguljen në lirinë vetjake prej një shteti e priftërie gjithëndërhyrëse, kishin qenë burim frymëzimi për të që prej adoleshencës së tij të hershme. Tani, fjalët e tyre dukej se po jepnin fryte.
Uinstenli është një kyç i rëndësishëm për të kuptuar shkrimet e Pikthollit. Kryevepra e tij e vitit 1652, “Ligji i Lirisë në një platformë” (Law of Freedom on a Platform), kishte qenë manifesti i Lëvizjes së Beltarëve (Digger movement), që ishte dega më radikale e Protestantizmit Barazimtar (Leveller Protestantism). Në këtë libër, që e farkëtoi gjer në thellësi shpirtin e Pikthollit të ri, Uinstenli skiconte atë çka do të kthehej në thelbin e socializmit të krishterë. Beltarët besonin në shenjtërinë e punës dhe e kishin marrë emrin e tyre që kur, më 1649, kishin zënë një ngastër toke djerrë në Uollton mbi Tamiz (Walton-on-Thames) dhe kishin mbjellë drithë, bathë dhe pastinakë. Ky gjest, siç mendonte Piktholli në Damask, ishte i jashtëligjshëm në botën e krishterë, por përbënte saktësisht parimin e Sheriatit mbi “ihja el-mevat”, që ka të bëjë me të fituarit e të drejtave mbi tokën duke e rigjallëruar atë pas “vdekjes prej shpërfilljes”. Beltarët kishin mbështetur njëri-tjetri, jo nga bindja prej frikës së një shteti fetar, por nga dashuria mes njëri-tjetrit, të ndezur e të pastruar prej denjësisë së punës.
Pikthollit iu bë shpejt e qartë se teologjia e tyre e jokonformizmit, që shkonte shumë më larg se Kalvini në hedhjen poshtë të mëkatit fillestar dhe të doktrinës ortodokse të Trinisë, si dhe në theksimin e njohjes së Zotit përmes afrisë me natyrën, ishte saktësisht mesazhi i Islamit. Kjo ishte një fe për bashkësi autonome, vetëqeverisëse nën një Zot të vetëm, dhe secila prej tyre gëzonte të drejtën për të zgjedhur pastorin e vet. Romani “Orët e para” (Early Hours), ndërsa nuk tregon mungesë respekti ndaj të shkuarës perandorake, kërkon të ndërthurë dashurinë e Pikthollit për jetën fshatare me një ngazëllim për programin barazimtar dhe në dukje çlirues të turqve të rinj.
Një tjetër temë e beltarizmit që e tërhoqi Pikthollin ishte një lloj optimizmi për bashkësinë. Vëllazëria e myslimanëve, që Piktholli vërejti në Siri, respekti mes sunitëve dhe shpitëve, si dhe moskokëçarja e tyre për dallimet klasore në vendet e tyre të lutjes, dukej të ishte një përmbushje e gjallë e ëndrrave të radikalëve anglezë në kohë të Komonuellthit të Kromuellit. Kjo temë e vëllazërisë myslimane do të bëhej themelore në shkrimet dhe predikimin e mëvonshëm të Pikthollit. Jo më pak i rëndësishëm ishte kundërshtimi prej beltarëve i ekskluzivizmit tradicional të Kishës. Pavarësisht prej kredos, mendonin ata, të gjithë njerëzit janë kandidatë për shpëtim. Flijimi i Krishtit tregonte, në kuptimin e tij ortodoks, një koprraci të padenjë për një Zot të dashur, që mundet pa dyshim të pranojë pendesën e çdo monoteisti me besë, pavarësisht nëse është larë apo jo në gjakun e birit të Tij.
Në një mënyrë të çuditshme, pra, Piktholli u gjend në Damask në shtëpi të vet. Aventurat pikareske të kohës së tij në Palestinë i kishin hapur rrugën një kërkimi serioz shpirtëror dhe intelektual. Ai duket të ketë vërejtur në Islam përmbushjen e ëndrrës angleze për një fe të arsyeshme e të drejtë, të çliruar prej besëtytnive e prej stërhollimeve metafizike dhe që të jepte fryte në një shoqëri të mrekullueshme e të hareshme. Prej kësaj, ndoshta, buroi qëndrimi i tij i çlirët ndaj në shndërrimin e vet fetar. Siç pohon revista “New Statesman” më 1930: “Z. Marmaduk Piktholl ishte përherë një dashurues i madh i Islamit. Kur ai u bë mysliman, kjo u vlerësua jo aq si konvertim sesa si zbulim i vetvetes.”
Po nëse rruga e tij për në Damask qe e tillë, atëherë përse ngurronte Piktholli adoleshent? Disa kanë menduar se arsyeja për këtë ishte shqetësimi që ai kishte për ndjenjat e nënës së tij të moshuar, me bindjet e saj të krishtera. Por ja tek është shpjegimi i tij i mëvonshëm:
“Njeriu që nuk u bë mysliman kur ishte nëntëmbëdhjetë vjeç pasi kishte frikë se mos i thyente zemrën nënës të tij nuk e ekziston, më vjen keq ta them. E vërteta trishtuese është se ai ishte plot etje për t’u bërë mysliman, pa i rënë fare ndër mend për nënën. Ishte mësuesi i tij mysliman – Shjehululemaja i xhamisë së madhe në Damask – një plak i fisëm e dashamirës, të cilit ai i përmendi një ditë dëshirën e tij për t’u bërë mysliman, që i kujtoi detyrimin ndaj nënës dhe ia ndaloi të ndiqte Islamin para se të ishte këshilluar me të. “Jo, biri im,” qenë fjalët e tij, “prit sa të rritesh edhe pak dhe ta kesh parë sërish vendin tënd të lindjes. Ti je i vetëm mes nesh sikurse djemtë tanë janë të vetëm mes të krishterëve. Zoti e di se si do të ndihesha unë nëse një mësues i krishterë do të sillej me ndonjërin prej bijve të mi ndryshe nga ç’sillem unë tani me ty.” […] Nëse ai do të ishte bërë mysliman në atë kohë, ahere me siguri do të pendohej më vonë, për të mos folur për hidhërimin që do t’i kishte shkaktuar së ëmës, që edhe atë vetë do ta hidhëronte, pasi ai nuk kishte menduar e mësuar mjaftueshëm rreth fesë për të qenë i sigurt në besimin e vet. Ishin vetëm romantika dhe magjepsja e jashtme e Lindjes ato që e tërhiqnin atë. Ai u bë mysliman në seriozitetin më të madh njëzet vite më pas.”
Ai u largua, pra, nga Damasku pa Islamin. Por ftesat për punësim po dukeshin në horizont. Muzeu Britanik i ofroi një vend pune të mbështetur në njohjen prej tij të irlandishtes dhe të uellsishtes së lashtë. Atij i qe ofruar edhe vendi i ndihmëskonsullit në konsullatën britanike në Hajfa, por kjo ofertë qe tërhequr kur zyrtarët kishin zbuluar se sa i ri ishte. Familja, si dhe Muriela e tij e durueshme, e thirrën të kthehej në shtëpi dhe ai, i mbetur pa një dysh, u bind.
Në rrugën e kthimit, ai udhëtoi ngadalë, duke menduar e gjykuar kuptimin e hapave të vet. Teksa e la diellin pas, atij iu duk se i la pas edhe mirësinë e harenë. Myslimanët ishin njerëzit më të lumtur në botë, që nuk qaheshin kurrë as në përballje me kërcënime të skajshme. Të krishterët mes tyre ishin të mbrojtur e të privilegjuar prej marrëveshjeve të kapitullimeve. Sidoqoftë, me afrimin e Evropës, tabloja ndryshonte. Ballkani osman ishte zvogëluar mizorisht prej kryqëzatës dhe rebelimit, të nxitur, siç besonte ai, nga jashtë. Ai pa Morenë, të parin ishull të pavarësisë greke, në të cilin një e treta e një milion myslimanëve ishin therur. Këndet e mbetura të Evropës osmane dukeshin të kërcënuara prej një fati të ngjashëm; por sërish njerëzit buzëqeshnin. Kjo ishte hijeshia e rizasë: pranimit me kënaqësi të vendimit të Zotit.
Pasi u kthye në Londër, Piktholli i qëndroi besnik premtimit të tij të mëhershëm. Ai ecte në trotuarin para shtëpisë së Murielës siç e kërkonte zakoni në atë kohë dhe ia doli të zbusë kundërshtimin e prindërve të saj. U martua me të në shtator 1896, ndërsa nusja agjëroi në ditën para martesës, në shenjë respekti për atë çka ai ende e vlerësonte si shenjtëri të Kishës. Pastaj ai e çoi atë me ngut në Gjenevë, pjesërisht për ski dhe pjesërisht për t’u lidhur me qarqet letrare që ai i admironte.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e ashpër kalvinist, Piktholli zhvilloi më tej aftësitë që do ta bënin atë një përfaqësues të mirënjohur edhe në të shkruarit e romaneve, edhe në sportin ende fare pak të zhvilluar të skive. Ai nisi një roman dhe mbajti një ditar, në të cilin, pavarësisht moshës së tij të re, spikat tashmë dhuntia e tij e pjekur për të përshkruar. Ai shkroi për
“një perde të sedeftë, e përskuqur brishtë prej perëndimit të diellit, mbi liqen e male. Velat binjake të një barke dhe vetë trupi i saj dukeshin të palëvizshme, por ato shkisnin sigurisht përtej skelave. Kishte diçka të largët nëpër krejt këtë skenë, apo së paku kështu më dukej mua. Unë isha në gjendje ta veçoja veten prej peizazhit: si me thënë, të qëndrosh prapa e ta kundrosh atë siç kundrohet një pikturë e hijshme. Kalova një urë: natë pa yje në njërën anë, ditë në ikje në tjetrën. Kishte një tis nëpër qytet: një tis që flakëronte me një frymë drite blu që digjej kudo e askund, prej së cilës dritëzat e verdha vështronin shëmbëllimin e vallëzimit të tyre në ujë, duke vigjiluar, si prej një kështjelle. Shtrirja e largët e rrugëve ishte përmbytur me një dritë të ndenjur gri, prej së cilës ngrohtësia e fundit e dritës sapo ishte venitur. Pasi depërtova në qytet, ai nuk kishte më kurrfarë drite tjetër veç asaj që i jepnin llambat e rrugës, si dhe vezullimin prej ndonjë dritareje me kandil të ndezur aty këtu. Por qielli ishte ende i zbehtë e i gjelbër, me një butësi si prej kadifeje. Globet e mëdha e të rrumbullta të dritës elektrike, që ngriheshin mbi urë kundrejt hapësirës së pakufizueshme, si dhe pasqyrimet e tyre të zgjatura, binin mbi sy dhe të verbonin.”
Por ky peizazh fshihte një tristesse, gjendjen shpirtërore vendore që Bajroni e kishte quajtur “Lemancholy”. Nga mëngjesi, një mjegull e dendur
“u lëshua mbi qytet, si një perçe mbi fytyrën e një gruaje të thjeshtë, duke fshehur cene e të meta, duke zbutur të gjithë ngurtësinë e linjave, lehtësuar me nënkuptimin e një bukurie që nuk ekziston. Është një ligj i natyrës, sikurse edhe i artit, se gjysmëshpërfaqja është më joshëse sesa lakuriqësia. Fatkeqësisht, ka një tjetër ligj që ia ndalon burrit të kënaqet gjersa ta ketë zhveshur idealen e tij dhe ta ketë vështruar atë lakuriq. Kështu, përfundimi i ëndrrës së më të shumtëve prej burrave është zhgënjimi. Dhe ky zhgënjim është në përpjesëtim me atë çka bota i thotë sukses.”
Në brigjet e liqenit Leman, romancieri i pritshëm fitoi dashurinë për dritën, që më vonë do të bëhej njëra prej pikave të forta dhe shenjave dalluese të prozës së tij të pjekur. Edhe këtu, ai zhvilloi atë ndjesi të brishtësisë, madje irealitetin e natyrës së vështruar, si dhe natyrën sipërfaqësore të kalimit të njeriut mbi të, qëndrime këto që i pasuruan romanet e tij dhe e shtuan gatishmërinë e zemrës së tij për Islamin. Në të gjitha këto rrugë, të shkruarit e tij pasqyronte ndjeshmërinë e tablove të bashkëkohësve të tij dhe të të konvertuarve të asaj kohe, Ivan Ageli (Ivan Aguéli) në Suedi dhe Etien Dine (Étienne Dinet) në Algjerinë franceze. Pikturat e Agelisë mbartin një ndjesi sibeliane të pakohësisë së ëndërruar; ndërsa skenat e harlisura algjeriane dhe mekase të Dinesë risjellin ndër mend kuptimin se Zoti është i pranishëm në gëzimet tona të përditshme: se, siç thotë Kurani, “Ngado që të ktheheni, aty është fytyra e Zotit.” Romanet e Pikthollit, në rastin më të mirë, mund t’i ngjajnë një martese të këtyre dy stileve: të vetëpërmbajtjes veriore dhe të haresë jugore. Ajo ndërthurje ishte çelësi për të kalitjen e shumë prej romaneve perëndimore myslimane të shkruara në Perëndim në shekullin XX: Izabel Eberhart (Isabelle Eberhardt) dhe Erik Vinkel (Eric Winkel) përbëjnë shembuj veçanërisht të mirë.
Në sipërfaqe, sidoqoftë, nevojat e tij fetare përmbusheshin prej një anglikanizmi gjithnjë e më të lartë. Ai agjëronte vazhdimisht dhe merrte kungimin, si dhe këmbëngulte (aq sa edhe i mërziste njerëzit e së shoqes, të lidhur me Kishën) për të vërtetën e trashëgimisë apostolike. Por pas kësaj, gjithsesi, fletoret e tij të shënimeve tregojnë një gatishmëri të fuqishme për të pranuar e për t’u përballur me dyshimet, si dhe një cinizëm të ngurtë për të vërtetën e fundme të Zotit; ai kacafytej me këto vështirësi, duke kërkuar ndihmë në filozofinë shekullare të kohës, për t’u kthyer, në përfundim, siç kishte bërë edhe Gazaliu, në një burrë më të fortë.
Letërsia e vërtetë ose pasqyron besim, ose vuan mundimin e mungesës së tij; dhe dyshimet rinore të Pikthollit u jepnin energji shkrimeve të tij të para të shtypura: tregimet e tij, “Zoti President”(Monsieur le Président) dhe “Fjala e një anglezi” (The Word of an Englishman), botuar të dyja në vitin 1898. Romani që e kishte filluar në Zvicër nuk u botua kurrë: ai është krijimtari e hershme e thjeshtë, një eksperiment laboratori që nëse do të botohej, nuk do t’i kishte sjellë atij kurrfarë të mire. Për fat të keq, romani i tij i parë i botuar, “Të gjithë të marrë” (All Fools), ishte disi më mirë dhe përmbante, në sytë e asaj Anglie që sot nuk përfytyrohet dot më, pjesë problematike në anën morale, që do t’i ngarkonin atij në kurriz në vitet e mëvonshme famën e një të shthururi. Edhe nëna e tij u shqetësua prej pjesës më të pahijshme në libër, ku përdorej fjala “stays” (korse), një artikull që nuk mund të përmendej i të brendshmeve të periudhës viktoriane. Ipeshkvi anglikan i Jerusalemit, të cilit Piktholli i dërgoi me pamaturi një kopje, u shqetësua po kësisoj, ndërsa romancieri i ri humbi shumë miq. Nuk shkoi gjatë dhe ai i bleu të gjitha kopjet e pashitura dhe i asgjësoi.
Por gjer atëherë ai kishte shkruar një pjesë të madhe të romanit që do ta katapultonte për te fama si një prej romancierëve më të mëdhenj britanikë të kohës: “Peshkatari Said” (Saïd the Fisherman). Ky u botua nga shtëpia botuese “Methuen” në vitin 1903 dhe pati vlerësime jashtëzakonisht të mira. Një stuhi letrash prej dashamirësish i vërshoi në derë. Një letër veçanërisht e këndshme i erdhi prej H. Xh. Uellsit (H. G. Wells), që i shkruante: “Do të doja të isha po kaq i sigurt për veprën time sa ç’jam për tuajën, se do të jetë e gjallë dhe interesante për njerëzit pesëdhjetë vite më pas.” Akademikë si orientalisti i Kembrixhit, Granvil Braun (Granville Browne), ngritën lavde për romanin në ata çka ata vlerësonin të ishte një portretizim i saktë i jetës arabe. Në vite të mëvonshme, Piktholli pranoi se përqendrimi i romanit në anët më pak tërheqëse të “personalitetit arab”, që ai e kishte hasur në Palestinë, nuk do ta kishte bërë dot kurrë librin popullor mes vetë arabëve; por edhe pas konvertimit ti tij, ai këmbënguli se misioni i romancierit nuk ishte që të propagandonte, por të zbërthente çdo anë të personalitetit njerëzor, qoftë ajo e mirë apo e keqe. Sikurse në rastin e romanit “Orët e para”, ai kishte vetëm shqetësimin e të qenit i vërtetë në perceptimet e tij: ai do ta dokumentonte jetën angleze dhe orientale siç e shihte, jo siç dëshironin të tjerët që të ishte. Madhështia e vështrimit oriental do të shfaqej kësisoj në krejt shkëlqimin e saj.
Romani i tij pasardhës do ta rikthente atë në Angli. “Enid” është e para rrëfenjave të tij të Safolkut dhe të sjell ndër mend në disa anë shkrimet e vëllezërve Pouis (Powes). Ai u pasua nga “Shtëpia e Islamit” (The House of Islam), që e shkroi ndërsa kujdesej për të ëmën në sëmundjen e saj të fundme, si dhe në një kohë kur jeta e tij ishte mbushur me trishtim teksa kuptonte gjithnjë e më shumë se nuk do të mund të kishte kurrë fëmijë. Romani është i pasigurt dhe i papjekur: duke qenë ende në të njëzetat, Piktholli i administronte mirë skenat komike të “Peshkatarit Said”, por nuk e mbështeste dot krejt temën tragjike që zgjodhi për “Shtëpinë e Islamit”, ku përshkruhet ankthi i një myslimani të shtrënguar të dërgojë bijën e sëmurë te një mjeku fodull evropian pasi nuk ia kishte dalë dot me barnat tradicionale.
Kjo periudhë produktive, por e kthjellët e jetës së tij mori fund në vitin 1907. Një ftesë në Pallatin e Seint Xhejmsit për të takuar gruan e Kapiten Mejshelit (Captain Machell), këshilltar i kryeministrit egjiptian Mustafa Fehmi Pashës, nisi me një diskutim për librat e tij dhe përfundoi me një ftesë në Aleksandri.
Piktholli e pranoi me shumë dëshirë dhe shpejt u kthye në Lindjen e tij të dashur. Sërish i veshur me rrobën vendëse, ai udhëtoi fshatrave, duke ndjekur i mahnitur mevludin e Sejid el Badavit në Tantë, si dhe duke u kredhur në zakonet arabe. Përfundim i kësaj qenë një radhë tregimesh dhe romani i tij “Bij të Nilit” (Children of the Nile). Kjo i krijoi, gjithashtu, një mundësi për të ndihmuar mikun e tij Xhejms Hanauer (James Hanauer), kapelani anglikan i Damaskut, që të redaktonte antologjinë e tij të përrallave myslimane, të krishtera dhe hebraike, “Folklori i Tokës së Shenjtë” (Folklore of the Holy Land), një klasik i vogël që gjendet i shtypur edhe sot.
Viti 1908 solli shenja të shembjes së botës së vjetër. Në fillim, revolucioni i turqve të rinj u duk se po paralajmëronte një kohë shprese të përtërirë për Perandorinë. Siç tregohet në “Orët e para”, Piktholli i mirëpriti revolucionarët idealistë, duke menduar se ata do ta mbanin perandorinë së bashku më mirë sesa Sulltani i vjetër, me mënyrat e tij të fshehta. Ndërsa romancierë të tjerë, më së fundi Berri Ansuërth (Barry Answorth), në mënyrë tipike, i kanë parë ata si jakobinë shekullarë, të vendosur për të shkatërruar kulturën osmane, Piktholli mbartte një pikëpamje shumë më të ndërlikuar.
Ai e njihte ulemanë turke mjaftueshëm sa për të ditur se Komiteti për Bashkim dhe Zhvillim, revolucioni i të cilit përbën sfondin e “Orëve të para”, ishte një koalicion i gjerë që përfshinte shumë prej dijetarëve fetarë dhe ishte i afërt me Xhemijeti Ilmijen (Cemiyet-i İlmiye), shoqërinë kryesore të ulemasë. Në të vërtetë, kur ndodhi revolucioni, të gjitha figurat kryesore fetare e mirëpritën këtë akt të “Komitetit të Shenjtë” që kishte rikthyer rendin kushtetues dhe përfaqësimin parlamentar. Edhe shumë sufinj ishin përfshirë thellësisht në të. Shejh Mehmet Esadi i Erbilit, prijësi i mirënjohur i urdhrit nakshibendi, që ishte dëbuar pasi kishte kritikuar autokracinë Abdylhamitit, lëvdonte turqit e rinj. Kështu bënin edhe lozhat e Stambollit të urdhrit mevlevi, që kishin shërbyer si pika të fshehta shpërndarjeje për literaturën e Komitetit që mbërrinte nga jashtë vendit. Edhe në Maqedoni, që ishte zemra e lëvizjes së turqve të rinj, Komiteti gëzonte mbështetje të përzemërt prej urdhrave si ai i melamijes.
Këtu, ndoshta, është thelbi i largësisë së Pikthollit kundrejt Shejh Abdullah Kuilliamit, që në atë kohë ishte prijësi i bashkësisë së vogël myslimane të Britanisë. Kuilliami kishte qenë i besuar i Abdylhamitit, “Anglezi i Sulltanit”, këshilltari i tij privat dhe i dërguari i tij në misione delikate në Ballkan. Kuilliami e njihte Sulltanin siç Piktholli nuk e njohu kurrë dhe duhet të ketë menduar se kundërshtimi i tij ndaj lëvizjes së turqve të rinj ishte krejtësisht i justifikuar prej dështimeve dërrmuese në Luftën Ballkanike të vitit 1912, kur Perandoria humbi thuajse të gjitha trojet evropiane përballë të krishterëve hakmarrës. Edhe më shkatërrimtar ishte, sidoqoftë, vendimi i Komitetit për të lidhur fatin e vet me militarizmin prusian gjatë Luftës I Botërore. Edhe Piktholli nisi të jetë në ankth për Turqinë, duke parë se politika e vjetër britanike për të mbështetur integritetin e Perandorisë Osmane, që kishte nisur qysh përpara se Britania të ndërhynte në krah të Turqisë në Luftën e Krimesë dhe që ishte përforcuar prej strategjisë antiruse të Disraelit, po shpërbëhej në vazhdimësi përballë entuziazmit të turqve të rinj për Gjermaninë.
Puçi dhe kundërpuçi e helmuan tej mase gjakun osman. Arabët dhe myslimanët e Ballkanit, që më parë i kishin parë turqit me respekt si prijës politikë e fetarë, filluan të mendojnë se mos duhet t’ua vënë veshin thirrjeve të fuqive evropiane dhe të ushtrojnë trysni për të kërkuar autonomi apo pavarësi të plotë nga Porta e Lartë. Pas agjitacionit ishte, në njërën anë, frika tradicionale e britanikëve se, sipas fjalëve të Sër Mark Sajksit (Sir Mark Sykes), “rënia e Perandorisë Osmane do të ishte një katastrofë e tmerrshme për ne.” Në anën tjetër ishin renditur fuqitë e bankave grabitqare franceze, islamofobia e krishterë gladstioniane dhe një pansllavizëm ushtarak i financuar nga skutat e burokracisë së Moskës.
Shejh Abdullah Kuilliami, ky besnik i përjetshëm i Perandorisë, ndezi një batare të nxehtë polemike:
List, ye Czar of “Russias all,”
Hark! The sound of Freedom’s call,
Chanting in triumphant staves,
“Perish tyrants! Perish knaves!”
(Mbaj vesh, ti Car i “gjithë Rusive,”
Dëgjoje! Zë e kushtrim Lirie,
Se si jehon në vargje ngadhënjimtare,
“Vdekje tiranëve! Vdekje faqezinjve!”)
Sikurse Piktholli, ai e dinte se tërësia e trojeve tradicionale të botës islame kërcënohej jo aq prej dobësive të brendshme, sesa prej sistemit rus të qeverisjes, që, siç mendonte Piktholli, “i duhet lufta. Lufta është e nevojshme për ekzistencën e tij, pasi një epokë e paqes do të bëjë që të ndodhë në mënyrë të pashmangshme revolucioni që është gatitur prej kohësh.” Piktholli ishte i sigurt se shembja e Perandorisë Osmane do ta zhyste rajonin në trazira për një kohë të gjatë. Ai duket të ketë pasur pak besim në aftësinë e popujve arabë apo ballkanas për të rikrijuar hapësirën e larmishme e të qëndrueshme që osmanët, në më të mirën e mundshme, e kishin siguruar, ndaj edhe ankohej për ndryshimin e mendjes nga ana e Forin Ofisit. “Një Turqi e pavarur,” mendonte ai, “shihej prej shtetarëve tanë më të vjetër e më të mësuar po aq e domosdoshme […] sa një valvul sigurie për një motor me avull: po e hoqe, sendi shpërthen.” Lorensi dhe aleatët e tij arabë shpejt do të tregonin të vërtetën e parashikimeve të tij. Edhe historia e Ballkanit nuk do të ishte më pak tragjike.
Pavarësisht lëvdatave në “Orët e para”, si dhe mospëlqimit të tij thuajse kromuellian për centralizmin dhe absolutizmin hamidian, Piktholli nuk gjeti kurrë qetësi të plotë me Komitetin. Në vitet e mëvonshme, ai do të pyeste shpesh veten se mos konservatorizmi këmbëngulës i Kuilliamit, që tani shfaqej në mbështetjen për Partinë Liberale të turqve të vjetër, ishte rruga e një mendjeje të urtë. Kuilliami kishte qenë i pranishëm në prapaskenat e Jëlldëz Sarajit dhe e njihte Abdylhamitin siç pakkush tjetër e kishte njohur; dhe ai i kishte besuar, madje e kishte dashur atë burrë. Turqit e rinj premtonin një agim të ri për Islamin, për Kalifatin dhe për krejt botën myslimane; por siç nënkupton Piktholli, vizioni fetar u topit mes disave që, duke humbur shpresat për idealin e një perandorie shumëkombëtare, zhvilluan shqetësime nacionaliste e turaniane që rrezikonin të tëhuanin pikërisht pakicat që ata mëtonin t’i emanciponin. Kuilliami e kishte nxitur Sulltanin që t’i lejonte myslimanët e Ballkanit të mbanin armët; njerëzit e Komitetit i kishin çarmatosur ata; dhe rezultati do të shihej në varganët tragjikë të refugjatëve që iknin prej pastrimit etnik të viteve 1912 dhe 1913.
Ndërsa mbërrinin lajmet dëshpëruese, dukej sikur Qielli e kishte braktisur më së fundi Perandorinë në fatin e saj. Në Angli, Piktholli bëri fushatë fuqishëm në mbështetje të Turqisë, duke ngritur një shoqatë anglo-osmane, por nuk mundi të bënte asgjë kundër sekretarit të ri të punëve të jashtme, Sër Eduard Grei (Sir Edward Grey), që ishte, siç komentonte Granvil Brauni, “rusofil, gjermanofob dhe antiislamik.” Ai i shkroi një zyrtari të Forin Ofisit duke i kërkuar të dinte nëse marrëveshjet e reja në Ballkan mund të vlerësoheshin si nxitëse të çështjes së paqes dhe mori përgjigjen që vijon: “Po, dhe do t’jua them se pse. Nuk dihet gjerësisht. Por popullsia myslimane praktikisht është shfarosur – 240,000 të vrarë vetëm në Trakën Perëndimore – çka e sqaron arsyen.”
Ndërsa bënte fushatë për Perandorinë që po jepte shpirt, Piktholli gjeti kohë edhe për romane të tjera. “Larkmidou” (Larkmeadow), një tjetër rrëfenjë prej Safolku, doli në vitin 1911, ndërsa më 1913 ai nxori njërën prej kryeveprave të tij, “Veiled Women” (Gra të mbuluara). Kjo ndjek “Saidin” në përshkrimin e saj të guximshëm, shpesh në ngjashmëri me Zolanë, të jetës së Lindjes së Mesme, por tani ka një prirje polemike. Bindjet eduardiane perandorake rreth të këqijave të skllavërisë gjenin pak vend për kundruall realitetit magjepsës të një haremi në Kajro, ku bashkëjetesa jashtë martese përbënte një karrierë të dëshiruar me zell nga shumë vajza çerkeze, skllevërit roja të të cilave falënderonin Zotin për lehtësinë e fatit të vet. Lordi Kromer (Cromer), ndonëse në përgjithësi ishte përbuzës ndaj zakoneve egjiptiane, bënte një përjashtim në rastin e skllavërisë, një institucion, shprehjen islame të të cilit ai ishte në gjendje, edhe pse pa dëshirë, ta respektonte:
“Mund të dyshohet [shkruante Kromeri] nëse në shumicën e rasteve fati i skllevërve në Egjipt është, në anët e tij materiale, më i rëndë, apo madje po aq i rëndë, sa dhe ai i shumë shërbyesve shtëpiakë në Evropë. Në të vërtetë, nga një pikëpamje, skllavi lindor është në një pozitë më të mirë sesa shërbëtori perëndimor. Ky i fundit mund të hidhet nga puna në çdo çast. […] Janë të shpeshta rastet e zotërinjve që do të ishin të lumtur të shpëtonin prej skllevërve të tyre, por nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, sepse këta të fundit nuk e pranojnë dhuratën e lirisë. Një detyrim moral, që pranohet botërisht, qëndron mbi të gjithë zotërinjtë që të mbështesin skllevërit e moshuar e të pafuqishëm deri sa ata të vdesin; ky detyrim është shpesh i vështirë në rastin e atyre që kanë trashëguar skllevër prej prindërve apo të afërmve të tjerë.” (Lord Cromer, “Modern Egypt”, New Zork, 1908, III, 497-7)
Në paraqitjen e asaj çfarë ai shihte si anë pozitive të poligamisë dhe të skllavërisë, romani “Gra të mbuluara” ishte një libër i guximshëm, madje i jashtëzakonshëm, i llogaritur të trondiste ata që ishin ushqyer me fantazirat dhe paragjykimet e njohura për jetën orientale dhe për epërsinë natyrore të monogamisë. Pikërisht për këtë arsye, ndoshta, ai qe një ndër veprat e tij më pak popullore.
Gjatë së njëjtës periudhë, ai kontribuoi për “New Age”, një revistë letrare në modë e mbështetur nga Bernard Shou, duke shkruar në faqet e saj, thuajse çdo javë, krahas Ezra Paundit, D. H. Lorensit dhe G. K. Çestertonit. Si avokat politik, po dështonte mjerueshëm; por si një figurë e letërsisë, kishte mbërritur suksesshëm.
Romani “Gra të mbuluara” i siguroi atij udhëtimin për në Stamboll. Ai banoi me qira te një zonjë gjermane (Miss Kejt, e turqizuar në “Misket Hanëm”), në një shtëpi në periferinë e qetë të Erenkëjit, mësoi turqisht me një hoxhë nga Gëztepeja aty pranë dhe u njoh me plot syresh prej banorëve të qytetit. Romani “Orët e para” shpërfaq bukur fuqitë e tij të vëzhgimit njerëzor. Gjithkush duket të jetë kapur mes dy botëve, siç del mrekullueshëm në skenën e pritjes së Zeqi Pashës, ndërsa muzikantë turq dhe evropianë luajnë njëherësh, në këndet e kundërta të një salle, në mes të së cilës zonjat turke, për sikletin e tyre të madh, nxiten që të heqin mbulesën për kënaqësinë e mysafirëve të krishterë. Piktholli e diagnostikon në mënyrë të admirueshme përgjërimin e mjerë të elitës së re të Stambollit për pëlqimin perëndimor, një dobësi që së fundi është përshkruar në mënyrë edhe më të shkëlqyer nga Orhan Pamuku. Në teatrin e madh ku po luhet skena përmbyllëse e Perandorisë, Piktholli na sjell miniatura të tipave të veçantë që ka njohur. Një i tillë është Ferid Deliu, gjysmë i perëndimorizuar dhe cinik, që është në gjendje të vihet në anë të të dyja palëve në çfarëdolloj grindjeje. Arif Hiqmeti është një dashurues i konspiracionit si të tillë dhe nuk mund të ndalet prej intrigave as edhe pasi revolucioni ka përfunduar me sukses. Basri beu është tipi i të riut patriot, veprimtar i Komitetit për Bashkim dhe Zhvillim, shoqërinë e të cilit Piktholli e kishte kërkuar që në Damask e në Kajro. Dhe protagonisti kryesor, Kamrudini, është një ikonë e sinqeritetit të myslimanit të Ballkanit, thuajse një simbol i krejt popullit turk, besimi i të cilit në Zotin i lejon të përballojë tragjeditë që Fati ka caktuar për të. Gjylraneja është i barasvlershmi i tij femëror: me prejardhje të thjeshtë, por gjithsesi zemërdëlirë e kryelartë.
Në Erenkëj, Piktholli vërejti rrëmujën politike të kryeqytetit, që e regjistroi në kujtimet e tij dramatike, por të hidhura, “Me turkun në kohë lufte” (With the Turk in Wartime), si dhe në një tog esesh plot pasion, “Kryqëzata e zezë” (The Black Crusade). Ai shkruante se gjatë kësaj kohe, pavarësisht masakrave ballkanike, të krishterët endeshin të pacenuar në qytetin e madh. Ai regjistroi një skenë të zakonshme në një kishë ortodokse në Pera në një të premte Pashkësh: “Katër grupe të ndryshme po përlesheshin se cili do të mbartte Kryqin e madh dhe kryepeshkopi u godiste sa majtas djathtas kafkat me shkopin baritor që mbante; shumë njerëz u gjakosën; gratë gajaseshin. Policia turke në kuaj u detyrua të ndërhynte me forcë për të ndalur gjakderdhjen e mëtejshme.” Ky ishte një pasqyrim i përsosur i të vetëkuptuarit klasik osman: pa Sulltan-Kalifin, pakicat do të vrisnin njëra-tjetrën. Lufta II Ballkanike, që nxori në pah fuqitë fitimtare ortodokse të grindeshin për gjymtyrët e prera të Turqisë, dukej si një përligjje e plotë e kësaj.
Piktholli u kthye në një Angli të mbushur me gazmend për fitoret e të krishterëve. Si dashurues i Turqisë, ai u thye krejt prej kësaj gjendjeje shpirtërore të triumfit. Ipeshkvi i Londrës mbajti një shërbesë ndërmjetësimi për t’u lutur për fitoren e ushtrisë bullgare ndërsa kjo e fundit marshonte për në Stamboll. Në gjithë këtë, ku gjendej anglikanizmi i lartë i Pikthollit?
Ishte pikërisht ndjenja angleze e luftës së shenjtë që e largoi atë përfundimisht prej besimit të etërve të tij. Ai asnjëherë nuk ishte ndier i qetë me ato himne angleze që mallkojnë të pabesët. Një burim i veçantë acarimi ishte himni i furishëm i Ipeshkvit Klivland Koks (Cleveland Coxe) për një Krishterim perandorak të ditëve të mëvonshme:
Trump of the Lord! I hear it blow!
Forward the Cross; the world shall know
Jehovah’s arms against the foe;
Down shall the cursed Crescent go!
To arms! To arms!
God wills it so.
(Bori e Zotit! Tek bie e dëgjoj!
Përpara Kryqi; bota do t’i njohë
Armët e Jehovait ballë armikut;
Poshtë Gjysmëhënë e mallkuar do shkojë!
Nën armë! Nën armë!
Zoti do kësisoj!)
Dhe tani, në një kishë të vogël fshati në Saseks, ku ai kërkoi strehë kundrejt një Londre nën kthetrat e tërbimit ksenofob, Piktholli dëgjoi një famullitar duke lëshuar mallkime kundër turkut djallëzor. Ajo që i vuri kapakun gjithçkaje qe himni i Çarls Ueslit (Charles Wesley) “Për muhamedanët” (For the Mahometans):
O, may thy blood once sprinkled cry
For those who spurn Thy sprinkled blood:
Assert thy glorious Deity
Stretch out thine arm thou triune God
The Unitarian fiend expel
And chase his doctrines back to Hell.
(O, gjaku yt, pasi të jetë spërkatur le të qajë
Për ata që gjakun e spërkatur prej teje e përbuzin:
Shpall Hyjninë tënde të lavdishme
Shtri krahun tënd ti, o Zot trin,
Djallin unitarian dëboje
Dhe hidhi doktrinat e tij pas në Ferr.)
Piktholli mendoi për Raportin Karnegi (Carnegie Report), që deklaronte për sulmin grek mbi Vlorën se as edhe “në një shekull pendese, ata nuk mund ta shlyenin atë.” Mendoi për konvertimet e dhunshme të pomakëve në Bullgari. Kujtoi refugjatët në Stamboll, buzët e tyre të marra si trofe prej ushtarësh të krishterë. Solli ndër mend se asnjë mysliman nuk do të këndonte kurrë një himn kundër Jezuit. Nuk mund të rrinte më. Doli nga kisha para përfundimit të shërbesës dhe kurrë më nuk e konsideroi veten të krishterë.
Gjendja politike vazhdoi të përkeqësohej. Të tmerruar prej politikës së re britanike, që dukej e vendosur të zhyste Ballkanin dhe Lindjen e Mesme në kaos, turqit e rinj forcuan lidhjet e tyre me Berlinin. Ndërkohë, qeveria britanike, e nxitur nga të njëjtët burra që kishin lejuar shkatërrimin e Maqedonisë e të Trakës, marshoi me vrull drejt luftës kundër Fuqive Qendrore. Në gusht 1941, Uinston Çurçilli konfiskoi dy luftanije turke, “Sulltan Osman” dhe “Reshadije”, që po ndërtoheshin në një kantier detar britanik. Zemërimi në Turqi qe i fuqishëm. Miliona paund ishin parapaguar prej turqish të thjeshtë: gra që kishin shitur edhe flokët e tyre për pak monedha bakri dhe fëmijë shkolle që ishin ushqyer me bukë thatë për të shtuar fondin. Por anijet kishin ikur dhe bashkë me to edhe shpresat e fundit të Pikthollit për një zgjidhje paqësore. Arroganca e Evropës nacionaliste, sqima tribale që ajo i impononte pjesës tjetër të botës si të vetmen rrugë për zhvillim njerëzor, ishte gati të çonte miliona të rinj në vdekje. Shkëndija përfundimtare qe vrasja e Arqidukës Franc Ferdinand prej një nacionalisti serb në rrugët e Sarajevës.
Lufta i kishte thyer idealet e Evropës, ndërsa makinat e Krupit i jepnin efikasitet të ri urrejtjeve të saj patriotike. Barbarët gjermanë kishin mbërritur Marnën dhe zonjat plaka angleze i mbysnin qentë e tyre dakshund me duart e veta. Askuithi (Asquith) shpalli se “kryqi do të zëvendësojë gjysmëhënën mbi minaren e Shën Sofisë”. Nuk ishte aspak koha për të qenë turkofil. Por Piktholli kishte gjetur një burim të ri force. Paturpësia e autonomisë njerëzore kishte dalë të ishte një fantazi vdekjeprurëse; dhe vetëm Zoti mund të siguronte ndihmë. Po ku mund të gjendje Ai?
Në vitin 1913, Ledi Evelin Kobold (Lady Evelyn Cobbold), trashëgimtare e Sadhërlandëve dhe udhëtare, u përpoq ta konvertonte atë gjatë në darke në Klerixhis (Clardiges), duke sqaruar se kamerierët do të shërbenin fare mirë si dëshmitarë. Ai, me mirësjellje, ngurroi; por nuk mundi sidoqoftë të rendiste asnjë argument kundrejt argumenteve të saj. Çfarë ai kishte parë e përshkruar, ajo e kishte jetuar. Si një grua angleze myslimane, që e njihte mirë zemrën e Azisë, ajo e dinte se dashuria e tij për Islamin ishte e mbështetur në shumë më tepër sesa në një këndellje prej ekzotikes në stilin e Pier Lotisë (Pierre Loti). Dhe kështu, më 29 nëntor 1914, në mes të një leksioni që po jepte mbi “Islamin dhe Zhvillimin”, ai e ndau mendjen. Që tani e tuje, jeta e tij do të vijonte nën dritën e Zotit të Vetëm të Islamit. Pak pas kësaj e ndoqi edhe Muriela.
Në luftën që ishte ndezur, Piktholli pa se si turqit i dërrmuan britanikët dhe trupat koloniale në Galipoli, por u tradhtuan prej kryengritjes arabe nën udhëheqjen e Lorensit. Sikurse Evelin Kobold, edhe Piktholli e përçmonte Lorensin si një romantik të cekët, të dhënë pas pasionesh të panatyrshme dhe gjykime të gabuara rreth qëllimeve të britanikëve. Siç do të shkruante ai më vonë, duke rishikuar “Shtatë shtyllat e urtësisë” (Seven Pillars of Wisdom):
“Ai vërtet i mendonte arabët si një popull më të fuqishëm se turqit. Ai vërtet i mendonte ata si më të përgatitur për të qeverisur. Ai vërtet besonte se qeveria britanike do të përmbushte me përpikëri të gjitha premtimet e bëra në emër të saj. Ai vërtet mendonte se ishin dashuria për lirinë dhe përpjekja e shembulli i tij vetjak dhe jo shumat e stërmëdha të paguara nga autoritetet britanike dhe ideja e plaçkitjes së Damaskut, ato që i bënë arabët të zellshëm në rebelim.”
Ndërsa evropianët i thyenin hundët njëri-tjetrit dhe nxisnin të njëjtën sjellje edhe tek të tjerët, Piktholli filloi të përcaktonte qëndrimin e tij në bashkësinë myslimane britanike. Bashkësia e Liverpulit e kishte humbur xhaminë e saj në vitin 1908 dhe Shejh Abdullahu kishte shkuar të vendosej në qytetin turk të Bostanxhëkut, për tu kthyer si i mistershmi dr. Henri Marsel Leon (Dr Henri Marcel Leon), përkthyes i poezisë sufiste dhe autor i një vepre mbi gripin. Kishte një dhomë lutjesh në Notting Hill, një Shoqëri të Islamit, një Shoqëri Letrare Myslimane, si dhe një xhami ekscentrike anglo-mogule në Uoking. Në të gjitha këto institucione, Pikthilli, romanet e të cilit e kishin bërë atë të famshëm mes myslimanëve britanikë, mori rolin e prijësit. Ai nisi të ligjëronte në predikimet e së Premtes në Londër dhe në xhaminë e Uokingut. “Në pastë diçka që të nxjerr thinjat, është të predikuarit në arabisht”, do të vërente ai më vonë. Me kalimin e kohës, disa prej predikimeve të tij nisën të gjejnë rrugën e botimit, duke tërhequr vëmendjen e të tjerëve në botën myslimane. Veç kësaj, ai drejtoi për një vit Zyrën e Informacionit Islamik në Pallas Strit, Londër, që botonte një gazetë të përjavshme, “The Muslim Outlook”.
Kjo gazetë ishte themeluar nga myslimanë indianë besnikë ndaj Kalifatit. Lëvizja e tyre “kalifatiste” përfaqësonte një kërcënim serioz ndaj sundimit britanik në Indi, që më parë kishte vërejtur se myslimanët ishin më pak të prirë nga partia e pavarësisë sesa hindutë. Por politika e qeverisë për Turqinë ishte tejet e rëndë për t’u përballuar. Më 18 janar 1918, Llojd Xhorxhi (Lloyd George) ia kishte premtuar Stambollin dhe zonat turqishtfolëse të Trakës Turqisë së pasluftës; por realiteti u zhvillua krejt ndryshe. Stambolli u vu nën pushtimin e Aleatëve dhe pjesa më e madhe e Trakës myslimane iu dha Greqisë. Rasti më i fundit i poshtërsisë së Albionit e thelloi mosbesimin e myslimanëve indianë ndaj sundimit britanik. Edhe Gandi nxiti shumë hindu që të mbështesnin lëvizjen e Kalifatit dhe pak hindu morën pjesë në festimet zyrtare të Raxhit me rastin e përfundimit të Luftës I Botërore. Ndërkohë, një milion telegrame ankesash mbërritën në selinë e mëkëmbësit kolonial.
Piktholli ishte tani i mbushur me zemërim:
“Objektiviteti është më i zakonshëm në Lindje sesa në Perëndim; kombet, sikurse individët, atje gjykohen sipas fjalëve të tyre, jo sipas idesë së tyre për qëllimet apo besimet; dhe këto mospërputhje, që nuk ka dyshim se një politikani britanik i duken shumë të papërfillshme, i bëjnë orientalit përshtypje si shkeljeje e drejtësisë dhe rrjedhojë e fanatizmit. Lindja ruan regjistrin tonë dhe e sheh atë si një të tërë. Nuk u shihet fundi absurditeteve në të cilat mund të na çojë mangësia mendore e sunduesve tanë. […] Asgjë nuk është më ekstravagante që të besohet lidhur me këtë, teksa mediokritete të shqetësuar janë në vendin e gjeniut.”
Kjo ftohje e hidhur prej politikës britanike, që tani e vinte atë në polin e kundërt me mikun e tij të dikurshëm, Çurçillin, hapi një kapitull të ri në jetën e Pikthollit. Kalifatistë të pasionuar e ftuan atë që të bëhej redaktor i gazetës së madhe indiane, “Bombay Chronicle”, dhe ai pranoi. Në shtator 1919, ai arriti në skelën Apollo (Apollo Bunder) dhe menjëherë u gjend i mbartur tutje në vorbullën e jetës dhe të politikës indiane. Kur mbërriti ai, pjesa më e madhe e stafit të “Bombay Chronicle” ishin në grevë dhe gazeta po fundosej; por brenda gjashtë muajsh, ai do ta shndërronte atë krejtësisht dhe do të dyfishonte qarkullimin e saj, përmes një linje redaksionale të matur, por të vendosur, në mbështetje të pavarësisë së Indisë. Qeveria u ndez nga zemërimi, por pak gjë mundej të bënte. Sidoqoftë, Piktholli, që u bë shoqërues i ngushtë i Gandit, mbështeti refuzimin e ulemasë për qëndresë të dhunshme ndaj sundimit britanik, si dhe kundërshtimin e tyre ndaj migrimit të myslimanëve indianë në Afganistanin e pavarur. Jo-dhuna dhe mosbashkëpunimi dukeshin mjetet më premtuese, përmes të cilave India do të ngrihej si një komb i fortë e i lirë. Kur Lidhja Myslimane pati shfaqjen e saj të parë nën figurën tejet shekullare të Xhinasë, Piktholli iu bashkua pjesës më të madhe të ulemasë së Indisë në hedhjen poshtë të idesë së ndarjes. Miliona myslimanët e Indisë ishin një familje dhe kurrë nuk duhej të ndaheshin. Vetëm së bashku, ata mund të përmbushnin veprën mijëvjeçare të konvertimit të krejt vendit në Islam.
Kështu, romancieri anglez, imagjinata e të cilit ishte ndezur prej turqve të rinj, u kthye në një prijës nacionalist indian, me një të folur të rrjedhshëm të gjuhës urduishte, që merrte pjesë në lutjet e mëngjesit në xhami, i veshur në stil të thjeshtë gandian, me gjysmëhënën e purpurt të kalifatistëve. Ai i shkruante një miku:
“Ata presin prej meje që unë të jem një lloj prijësi politik, si dhe botues gazete. Kam nisur të mësohem t’u mbaj fjalime turmash prej diç nga 5 gjer në 30,000 vetë në qiell të hapur, megjithëse ende e urrej këtë si ngaherë dhe përbrenda jam po aq mjerisht i turpshëm sa ç’kam qenë.” Ai vijonte, gjithashtu, ligjëratat e tij të së premtes, duke predikuar në xhaminë e madhe të Bixhapurit dhe tjetërkund.
Në vitin 1924, autoritetet e Raxhit e gjykuan gazetën e tij, “Bombay Chronicle”, fajtore për keqinterpretim të incidentit në të cilin ishin vrarë protestues indianë. Gazetës iu vunë gjoba dërrmuese dhe Piktholli dha dorëheqjen. Lëvizja e tij e dashur kalifatiste mori fund në po atë vit, pas shfuqizimit të titullit të vjetër prej Ataturkut. Megjithëse praktikisht e braktisi jetën politike, ai përkujtohej gjithmonë prej Gandit, që më vonë do t’i shkruante këto fjalë të vesë së tij:
“Burri juaj dhe unë takoheshim mjaft shpesh, saqë nisëm ta duam njëri-tjetrin dhe z. Piktholl më dukej një njeri shumë i përzemërt dhe thellësisht fetar. E megjithëse ishte i konvertuar, tek ai nuk kishte asgjë fanatike si ajo që shumicës së të konvertuarve, pavarësisht se në ç’besim janë kthyer, u bie në sy në ligjërim e në veprim. Z. Piktholl më dukej se e jetonte besimin e tij jo në mënyrë imponuese.”
Puna i iku nga duart, por dëshira e Pikthollit për t’i shërbyer Islamit u ndez më ndritshëm se kurrë më parë. Ai pranoi të punonte si drejtor shkolle në një shkollë djemsh në territoret e Nizamit të Hajderabadit, jashtë autoritetit të Indisë britanike. Ky shtet princëror mburrej me një lidhje të vjetër me myslimanët britanikë dhe kishte qenë shumë vite më parë shtëpi e njërit prej personazheve më origjinalë të Indisë: Uilliam Lineus Gardner (William Linnaeus Gardner, 1770-1835), një i konvertuar që kishte luftuar në forcat e Nizamit kundër francezëve në vitin 1789, përpara se të ngrinte regjimentin e vet të trupave të parregullta, “Gardner’s Horse”, dhe të martonte të birin me mbesën e perandorit mogul Akbar Shah.
Në vitet 1920, Hajderabadi i ngjante një copëze të mbijetuar prej shkëlqimit mogul dhe Nizami, njeriu më i pasur në botë, i ishte vënë punës që ta kthente kapitalin e tij në një oazë kulture dhe arti. Emërimi i Pikthollit të famshëm do të shtonte edhe një xhevahir tjetër në kurorën e tij. Simpatitë e Pikthollit u zgjuan prej Nizamit, që i kishte bërë tokat e tij krenarinë e Indisë. “Ai jeton si një dervish”, bënte të ditur Piktholli, “dhe ia kushton kohën e tij çdo hollësie të qeverisjes.” Pikërisht entuziazmi dhe bujaria e tij i mundësuan Pikthollit që të nxirrte revistën “Islamic Culture”, që ai e botoi për dhjetë vite dhe që vazhdon të botohet në qytet si një prej revistave kryesore akademike të botës myslimane. Nën redaktimin e tij, një radhë e gjatë të diturish myslimanë e jomyslimanë botuan mbi një larmi të jashtëzakonshme temash. Një kontribuues i rregullt ishte Jozef Horovic (Josef Horowitz), orientalisti i madh gjerman. Një tjetër ishte Kuilliami, që tashmë shkruante me emrin Harun Mustafa Leon dhe që kontribuoi me artikuj diturorë mbi poezinë e hershme arabe dhe retorikën, institucionet mjekësore të abasidëve, si dhe një punim mbi “Gjuhët e Afganistanit”.
Piktholli drejtonte edhe shkollën për shërbëtorët civilë të Hajderabadit, duke nxitur pjesëmarrjen e tyre në lutje, si dhe duke u mësuar atyre protokollet që duheshin respektuar kur të lëviznin mes burra-sahibëve të Indisë britanike. Lutja ishte gjerësisht në plan të parë në të gjitha veprimtaritë: siç i shkruante ai një iku, pasi kishte marrë pjesë në një konferencë mbi edukimin:
“Mora pjesë në lutje në Teliçeri. Xhamitë janë të gjitha të ndërtuara si tempuj hindu. Nuk kanë fare minare dhe ezani thirret nga toka, siç e thërrasin vehabinjtë. Kur ua përmenda këtë fakt, njerëzit e partisë reformuese u zbavitën shumë, sepse mulvitë e Malabarit nuk kanë asnjë lidhje me vehabinjtë. I ndala punimet e konferencës çdo orë lutjeje dhe të gjithë shkuan në xhaminë më të afërt. Unë ngulita mbi udhëheqësit e rinj nevojën e të qenit vazhdimisht të rreptë në ndjekjen e disiplinës thelbësore të Islamit.”
Në mes të veprimtarisë arsimore, ia doli të gjente kohë për të shkruar. Ai shkroi një roman mogulësh (që s’do të botohej kurrë), “Pluhuri dhe froni i palloit” (Dust and Peacock Throne), më 1926, ndërsa në vitin pasues hodhi në letër ligjëratat e mbajtura prej tij në Madras, të botuara nën titullin “Ana kulturore e Islamit” (The Cultural Side of Islam), që ende sot lexohen gjerësisht e ribotohen në Nënkontinent. Por nga viti 1929 deri më 1939, Nizami i dha atij leje largimi për t’i mundësuar që të plotësonte projektin e tij më të çmuar: një përkthim të ri të Kuranit. Siç vërente ai: “Të gjithë myslimanët e Indisë duket të jenë të pushtuar prej idesë që unë duhet të përkthej Kurani në anglishte të vërtetë.” Ai ishte në ankth që ky përkthim të ishte versioni më i saktë, si dhe më letrar i Shkrimit të Shenjtë. Krahas punës për zotërimin e burimeve klasike islame, ai udhëtoi në Gjermani për t’u këshilluar me orientalistë të njohur, si dhe studioi veprën epokale të Nëldekes (Nöldeke) dhe të Shvalit (Schwally), “Hostori e Kuranit” (Geschichte des Qorans), së cilës i referohet shpesh në shënimet e tij.
Kur vepra përfundoi, Piktholli kuptoi se ajo nuk kishte gjasa që të fitonte pranim të gjerë mes myslimanëve, përveç nëse miratohej prej Universitetit të Ez’herit, i cili, pas shfuqizimit të institucionit osman të Shejhulislamit, ishte shndërruar në autoritetin kryesor fetar të botës myslimane. Kështu, ai shkoi në Egjipt, ku zbuloi se grupime të fuqishme prej ulemasë e gjykonin të palejueshme çdo përpjekje për t’i paraqitur “kuptimet e Librit” në një tjetër gjuhë veç arabishtes. Debati shpërtheu shpejt pasi Shejh Muhamed Shakir shroi në gazetën “El Ahram” se kushdo që i ndihmonte një projekti të tillë, do të digjej në Ferr përgjithmonë. Shejhu këshillonte që në vend të kësaj, Piktholli të përkthente komentin e Taberiut, një vepër kjo që në anglisht do të arrinte së paku në 100 vëllime. Ulema të tjerë kërkonin që përkthimi i tij të ripërkthehej në arabisht, që të shihnin nëse dallonte sado pak nga origjinali në ndonjë drejtim.
Piktholli botoi, në “Islamic Culture”, një përshkrim të gjatë të betejës së tij me Shejhun dhe me mendësinë që ai përfaqësonte. Mes të tjerash, ai shprehte këtë mendim:
“Shumë myslimanë egjiptianë u befasuan po aq sa unë nga padija e jashtëzakonshme për rrethanat e botës së sotme prej njerëzve që mëtonin të ishin kokat e mendimit të botës islame – njerëz që mendojnë se arabët janë ende “padronët”, ndërsa jo arabët “skllevërit e liruar” të tyre; që nuk janë në gjendje të shohin se pozitat janë përmbysur, se arabët nuk janë më luftëtarët dhe joarabët nuk janë më të mbyllurit në shtëpi, pasi janë joarabët ata që ata që po mbartin tashmë peshën kryesore të Xhihadit; se problemet e joarabëve nuk janë të njëllojta me ato të arabëve; se përkthimi i Kuranit për joarabët përbën një nevojë që, sigurisht, nuk është për arabët; njerëz që nuk mund ta konceptojnë se edhe në Indi ka myslimanë po aq të mësuar e të përkushtuar, po aq të aftë në gjykim e po aq të kujdesshëm për sigurinë e Islamit, sa ç’ka edhe në Egjipt.”
Beteja u fitua kur Piktholli iu drejtua me një fjalim në arabisht një tubimi të gjerë të ulemasë, në prani edhe të Reshid Ridasë, ku shpjegoi gjendjen e Islamit në botë në atë kohë, si dhe mundësitë për të përhapur Islamin mes njerëzve anglishtfolës. Ai e fitoi debatin tërësisht. Krerët më të mençur të Ez’herit, duke pranuar paaftësinë e vet për të kuptuar gjendjen e anglishtfolësve dhe nevojat e mprehta e urgjente të misionit islam, e pranuan përkthimin e tij. Ish-Shejhu i Ez’herit, El Maragi, që e shihte sinqeritetin dhe erudicionin e tij, i drejtoi atij këto fjalë kur po ndaheshin: “Nëse ndihesh aq fort i bindur se ke të drejtë, atëherë ec përpara në emër të Zotit në rrugën që e ke vetë të qartë dhe mos e vrit mendjen për ç’thotë cilido prej nesh.”
Përkthimi doli siç pritej, në vitin 1930, dhe u përshëndet nga “Times Literary Supplement” duke u vlerësuar si “një arritje e madhe letrare”. Ky përkthim, që shmangte si arkaizmat e Sejlit (George Sale), ashtu edhe stolisjet stilistike dhe zgjerimet e guximshme të Jusuf Aliut (përkthimin e të cilit Piktholli e gjykonte si tepër të lirë), u njoh gjerësisht si përkthimi më i mirë i Librit, i bërë ndonjëherë dhe, në të vërtetë, si një përmendore e historisë së përkthimit. Ai është rishtypur me qindra herë dhe, çka është e pazakontë për një përkthim, është përkthyer në shumë gjuhë të tjera, mes të cilave në tagalog, në turqisht dhe në portugalisht.
Piktholli, tashmë një prijës fetar i respektuar si i tillë, pyetej shpesh për rregullat mbi çështjet e vështira të divorcit dhe të trashëgimisë, si dhe vazhdonte të predikonte. Në këtë cilësi, atij iu kërkuar prej Nizamit që të rregullonte martesën e trashëgimtarit të fronit të tij me bijën e kalifit të fundit osman, princeshën Dyrryshehvar. Mërgimtarët osmanë jetonin në Francë si pensionistë të Nizamit dhe kështu, Piktholli dhe shpura e Hajderabadit udhëtuan për atje. Njohja nga ana e tij e protokollit osman dhe mogul i lejoi Pikthollit që t’ia dilte me sukses në këtë lidhje të shkëlqyer, që do të pasohej nga një pelegrinazh në Mekë, ndërsa shpresa e tij e brendshme mbetej që Kalifati, të cilin a e shihte ende si një të drejtë që i përkiste Derës së Osmanit, të mund t’i kalonte tani një princi nga Hajderabadi që do të lindte dhe që do të mund të përdorte begatinë e Indisë dhe nderin e shenjtërinë e Kalifatit për të nisur një agim të ri të pavarësisë e të suksesit për Islamin. Vendimi i Delhit për t’i gëlltitur trojet e Nizamit në Indinë e pavarur e bëri këtë të pamundur; por princesha, një mbijetuese e vërtetë e botës së përshkruar në “Orët e para”, ia kushtoi jetën e saj veprave të bamirësisë, përfitimet prej të cilave vijuan edhe pas vdekjes së saj në vitin 2006.
Më 1935, Piktholli u largua nga Hajderabadi. Shkolla e tij po lulëzonte, ndërsa ai do ta mohonte përgjithnjë që të ishte Fildingu i romanit të E. M. Forsterit, “Një rrugëtim në Indi” (A passage to India). (Ai e njihte mirë Forsterin dhe pretendimi mund të mos jetë krejt i pabazuar.) Ai ia la revistën “Islamic Culture” redaktorit të ri, austriakut të konvertuar Muhamed Esad. Më pas u kthye në Angli, ku ngriti një shoqëri për punë islame dhe mbajti një radhë ligjëratash.
Pavarësisht kësaj veprimtarie të re, gjithsesi, shëndeti po i dobësohej dhe ai duhet të jetë ndier siç ndihej Uinstenli:
“Dhe këtu po e mbyll, pasi kam shtrirë dorën me sa pata fuqinë për të çuar përpara drejtësinë. Kam shkruar, kam vepruar, kam paqe: dhe tani duhet të pres të shoh Shpirtin të bëjë punën e tij në zemrat e të tjerëve dhe nëse do të jetë Anglia vendi i parë, apo ndonjë tjetër, ku e vërteta të zërë vend në triumf.” (Gerrard Winstanley, “A New Year’s Gift for the Parliament and Army”, 1650)
Ai vdiq në një shtëpi të vogël në Uest Kantri më 19 maj 1936, prej trombozës koronare, dhe u mbart të prehet në varrezën myslimane në Brukvud, pranë Uokingut. Pas vdekjes së tij, e shoqja pastroi tryezën e tij të punës, ku ai, në natën para se të vdiste, kishte qenë duke ripunuar ligjëratat e mbajtura në Madras. Dhe vuri re se radhët e fundit që ai kishte shkruar ishin nga Kurani:
“Kushdo që ia lë përfundimin e vet Allahut, ndërsa vepron mirë, shpërblimin e ka te Zoti i tij; dhe kurrfarë frike nuk do të mbërrijë mbi të tillët e ata as nuk do të brengosen.”
“Pasha orët e para e pasha natën kur është më së errëti,
Yt Zot nuk të ka braktisur, as nuk të urren.
E në të vërtetë, e fundit pjesë do të jetë më e mirë për ty se e mëparshmja,
E në të vërtetë, Zoti yt do të të dhurojë e ti do ta shohësh përkrahjen e Tij.”
KURANI
Last modified: 15/07/2015