James Dunn



Fragment i shkëputur nga libri i Jemes Dunn, “Unity and Diversity in the New Testament, third edition, scm press, 2006

Cfarë i ka ndodhur në të vërtetë traditave të veçanta gjatë procesit të përcjelljes dhe shkrimit? A ka ndonjë provë të qartë se traditat e Jezusit kanë qenë të fiksuara që në fillim dhe se janë transmetuar pa ndryshime domethënëse nga një bashkësi tek tjetra? Si shumë pyetje të tjera që ne do ngremë gjatë shqyrtimit tonë edhe këto kërkojnë një analizë më të gjatë se ajo që ne mund të japim këtu. Gjithsesi ne do ta përqendrojmë vëmendjen tonë në atë pjesë të Traditionsgeschichte e cila është më e lehtë për tu shqyrtuar- d.m.th. kalimi nga burimi Q dhe Marku tek Mateu dhe Luka.1

Traditat e para narrative. (1) Disa narrativa duket se janë përçuar me ndryshime të vogla, përtej atyre redaksionale dhe stilistike (Marku 1.16-28; 2.1-12; 5.21-43; 8.1-9). (2) Në tradita të tjera narrative hasim një lloj zhvillimi ose diversitet traditash të cilat ndodhin në pjesë të rëndësishme të Jetës së Jezusit: psh. eksperienca e Jezusit në lumin Jordan (“Ti je biri im…” – Marku 1.11; “Ky është biri im…”- Mateu 3.17; gjithashtu edhe zgjerimi i Mateut 3.14 e mëposhtë); shërimi i shërbëtorit të centurionit (e a takoi Jezusin personalisht- Mateu 8.5? apo ai dërgoi miqtë e tij- Luka 7.6 e mëposhtë?); shërimi i Bartimeut, apo ishin dy të verbër, në hyrje të Jerikos apo ishte në dalje të Jerikos (Marku 10:46-52 pars.)? (3) Lirshmëria e tepruar në përdorimin e traditave të Jezusit tregohet edhe nga fakti se ekzistojnë disa mospërputhje kronologjike midis sfondeve të disa prej narrativave: Marku e vendos mallkimin e pemës së fikut para “pastrimit të tempullit”, Mateu e vendos një ditë më vonë (Marku 11.12-25; Mateu 21.12-22); Gjoni e vendos ngjarjen e pastrimit të tempullit në fillim të jetës ministrore të Jezusit, ndërsa ungjijtë sinoptikë në fund të saj (Gjoni 1.13-22); dhe vështirësia në harmonizimin e rrëfimit të Gjonit me atë të ungjijve sinoptikë është e mirënjohur. (4) Shumë teologë mendojmë se dublikatat që gjenden tek ungjilli i Markut në lidhje me historinë e mrekullisë së shumëfishimit të bukëve (Marku 6.30-44; 8.1-9) dhe paraqitjes së Lukës së dy misioneve të dërguara nga Jezusi (Luka 9.1-6; 10.1-12) vijnë si rezultat i dy traditave kontradiktore në lidhje me të njëjtën ngjarje, që i kanë ardhur Markut dhe Lukës nga dy burime të ndryshme (krahaso këto dy versione me paralelet e tyre tek ungjijtë sinoptik). (5) Zhvillime më domethënëse teologjike të traditave mund të shihen në një sërë rastesh ku ungjillori në mënyrë të qartë ka ndryshuar ose korrigjuar burimin e tij. Përshembull, kur Marku ka thënë, se Jezusi “Dhe nuk mundi të kryejë aty asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të lëngatë, duke vënë mbi ta duart” (Marku 6:5), Mateu e ka ndryshuar këtë duke thënë: “Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë mrekulli.” (Mateu 13.58). Përfundimi i Markut ndaj pasazhit të ecjes mbi ujë lexon: “ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan, sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar” (Marku 6.51 e mëposhtë), por siç e kemi parë më parë (f.50), Mateu e ka transformuar atë në: “Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!” (Mateu 14.33). (6) Në një rast versionet e mospërputhëse ndryshojnë aq shumë me njëri-tjetrin saqë është e pamundur të dallosh formën e saj të hershme. I referohem këtu dy rrëfimeve të ndryshme në lidhje me vdekjen e Judës (Mateu 27.3-10; Veprat 1.18). Variantit të rrëfimit në lidhje me identitetin e “dymbëdhjetë dishepujve” shih më poshtë (fq. 118 nr.7). Në asnjë rast unë nuk dëshiroj mohoj se pas këtyre versioneve ka pasur “me të vërtetë një ngjarje”, përkundrazi. Ajo që dua të them, gjithsesi, është fakti se rrëfimeve të papajtueshme të një “ngjarje të vërtetë” duket se në shumë raste kanë dalluar kaq shumë nga njëri–tjetri gjatë procesit të transmetimit, qoftë kjo për shkaqe natyrore apo qëllime teologjike, e se në shumë raste “shkalla e mospërputhjeve është kaq domethënëse saqë është e pamundur të anashkalohen“.

[*] James Dunn ka qenë profesor of Divinity në Universtitetin e Durhamit. Ai është autor i shumë librave dhe njihet si një prej ekspertëve më të mëdhenj botëror për studimet e Dhjatës së Re.

Përktheu: Rezart Beka

Referenca

[1] Shih gjithashtu edhe librin tim “The Evidence for Jesus”, SCM Press 1985, ch 1, si edhe “The Living Word”, SCM Press, 1987.

Last modified: 06/01/2021
Close