Kaufman Kohler & Krauss Samuel

Triniteti është dogma themelore e krishterimit; ai është koncepti i bashkimit në një Zot të vetëm të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, kuptuar si tre persona infinit. Ishte koncili i Nikesë, më veçanërisht kredo atanasiane që e para i dha dogmës formulimin e saj përfundimtarë: “dhe besimi i krishterë është: Ne adhurojmë një Zot në trinitet dhe trinitetin në unitet, pa i përzier personat dhe pa e ndarë substancën”. Barazimi i Birit me Atin përbën një novatori në teologjinë Pauline: “për ne s`ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij”, ndërsa në një pasazh tjetër i shtohet edhe Fryma e Shenjtë (ib. xii. 3; comp. Titus ii. 13) duke zhvilluar në mënyrë të shpejtë konceptin e trinitetit (II Cor. xiii. 14). Ndonëse sekti jude-krishterë me emrin Ebionitë protestoi kundër kësaj apoteoze të Jezusit (“Clementine Homilies,” xvi. 15), pjesa dërrmuese e të krishterëve xhentilë e pranuan atë.

Fryma e Shenjtë

Ideja e Frymës së Shenjtë si personi i tretë i trinitetit mund ta ketë pasur origjinën vetëm në një tokë xhentile, meqenëse ajo bazohet në një gabim gjuhësorë. “Ungjilli sipas hebrenjve” i cili gëzonte popullaritet të lartë veçanërisht tek rrethet Ebionite, ende e konsideron termin “nënë” si të barazvlefshëm me “Frymën e Shenjtë” (Origen, Commentary on John ii. 12; see Preuschen, “Antilegomena,” p. 4, Giessen, 1901; Henneke, “Neutestamentliche Apokryphen,” p. 19, Tübingen, 1904), kjo meqenëse në gjuhën aramaike, gjuha e këtij ungjilli dhe mesa duket dialekti fillestarë i të gjithë ungjijve, ermi “ruha” (frymë) është në gjininë femërore (krahaso pohimin gnostik ἐντεῦθεν; Φάλτν ἀναδεχΘῆναι μητέρα καὶ υίόν Irenæus, “Adversus Hæreses,” i. 271). Ofitët, për më tepër, mësonin një trinitet të përbërë nga ati, biri dhe nëna (Hilgenfeld, “Ketzergeschichte,” p. 255); dhe fakti që ati i kishës Hipoliti gjeti ndërmjet Ofitëve doktrinën Asiriane të trinitetit të frymës (Hilgenfeld, l.c. p. 259) justifikon supozimin e ngjashmërisë së doktrinës së trinitetit me koncepte të ngjashme të lashtësisë.  Po ashtu edhe Mandeasit besonin se ruḥa (fryma) ishte nëna e Mesias, ndonëse ato i konsideronin të dy si demonë (Brandt, “Die Mandäische Religion,” p. 124, Leipsic, 1889). Triniteti fillestarë duhet, në këtë mënyrë, të ketë përfshirë një qenie femërore, meqenëse vetëm kështu mund të përftohet koncepti i ruḥa (frymës) dhe vetëm pas kësaj forme të trinitetit që pranohej në rrethet judeo-krishtere termi grek τὸ φνεῦμα  mund të konsiderohej si një person, ndonëse më vonë ai u shndërrua në gjininë mashkullore e jo femërore. Doktrina e Logosit siç gjendjet tek Filoni ka lidhje me këtë besim. Zoti, i cili krijoi birin e Tij sipas imazhit të Tij (Gen. ii. 7), e bëri veten e Tij në një mënyrë triformëshe, kështu që vetë Ai dhe Adami i parë biformësh (= Logos = Jezus) përbënë trinitetin e parë.

Objeksionet e hebrenjve

Polemikat ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve në lidhje me trinitetin u përqendruan, në pjesën më të madhe, në faktin nëse përmendej apo jo triniteti tek shkrimet e Dhjatës së Vjetër. Hebrenjtë natyrisht e mohojnë çdo provë të sjellë nga kundërshtarët e tyre. Këto të fundit e mbështesin argumentin e tyre në Trisagion-in tek Isaia vi. 3, një provë kjo e avancuar vazhdimisht që nga koha e Eusebit Gregorit të Nazianzit. I konvertuari Jakob Perez nga Valencia (vd. 1491) mendonte se përdorimi i fjalës Elohim ishte një aludim për trinitetin. Edhe Luteri shihte gjurmë të ndryshme të kësaj doktrine tek  Zanafilla i. 1, 26; iii. 21; xi. 7, 8, 9; Numrat. vi. 22; II Samuel. xxiii. 2; and Daniel vii. 13. Polemike hebraike kundër kësaj doktrine datojnë pothuajse që nga dalja në dritë e saj. Madje edhe Talmudi R. Simlai (shekulli i III) deklaron si kundërpërgjigje ndaj heretikëve. “Tre fjalët ‘El,’ ‘Elohim,’ and ‘Yhwh’ (Jozuehu xxii. 22) tregojnë për një dhe të njëjtin person, siç dikush mund të thotë ‘Mbret, Perandor, Augustus‘ (Yer. Ber. ix. 12d), ndërsa në një vend tjetër thuhet “siç është zakon të thuhet ‘mjeshtër, ndërtues dhe arkitekt‘” (ib. 13a). Megjithatë nuk gjenden aludime të tjera për trinitetin në literaturën talmudike, siç ka vërejtur me të drejtë Herford (“Christianity in Talmud and Midrash,” p. 395, London, 1903), kjo për arsye se polemikat e rabinëve të asaj kohe përqendroheshin më shumë kundër dualizmit. Një tjetër polemikë e mirënjohur për vjetërsinë dhe për protagonistët e saj është edhe diskutimi ndërmjet Papa Silvesterit të parë (314-335 e.r.s.) dhe hebreut Noah (Migne, “Patrologia Græca,” viii. 814). Përgjatë Mesjetës natyra e trinitetit është diskutuar në çdo polemikë të zhvilluar ndërmjet të Krishterëve dhe Hebrenjve, polemika e  Abraham Roman (në veprën e tij “Sela’ ha-Mahaloket,” botuar në “Milhemet Hobah,” Constantinople, 1710) ishte veçanërisht e hidhur; ndërsa në polemikët e tij të mirënjohur Nahmanides shkruante si më poshtë: (“Milhemet Hobah,” p. 13a).

-“Atë Pablo më kërkoi në Gerona nëse unë besoja në trinitet. Unë i thashë atij, ‘Çfarë është triniteti? A mund tre trupa njerëzorë të përbëjnë Hyjninë?’

-‘Jo!’

-“Apo ato (personat e trinitetit- shën. i përk.) janë tre trupa jolëndorë, siç janë shpirtrat, apo janë tre engjëj?’

-‘Jo!’

-Apo ndoshta (Zoti) është i përbërë prej tre lloj materiesh, siç trupat janë të përbërë prej tre katër elementëve?’

-‘Jo!’

-‘Atëherë çfarë është triniteti?’

Ai tha: ‘Urtësi, vullnet dhe fuqi [krahaso përkufizimin e Thoma Akuinit të cituar më parë]’. ‘Atëherë unë thash: “Edhe unë e di/njoh se Zoti është i urtë dhe jo teveqel, se Ai ka një vullnet të pandryshueshëm, e se është i fuqishëm e jo i dobët. Por termi ‘trinitet’ është qartësisht i gabuar. Për arsye se urtësia nuk është aksidentale tek Krijuesi, meqenëse Ai dhe Urtësia e tij janë një, Ai dhe vullneti i Tij janë një, Ai dhe fuqia e Tij janë një, kështu që urtësia, vullneti dhe fuqia janë një. Për më tepër, edhe nëse këto do të ishin aksidentale në Të, përsëri ajo që quajmë Zot nuk do të përbëhej nga tre qenie, por një qenie me këto tre atribute aksidentale’. Zotëria ynë mbret këtu citon një analogji që një gabimtar ja ka mësuar atij, kur thotë se gjenden tre gjëra në verë, d.m.th., ngjyra, shija dhe aroma, e përsëri ajo mbetet një. Por ky është një gabim i qartë sepse ngjyra, shija dhe aroma e verës janë esenca të dallueshme, secila prej tyre potencialisht vetekzistuese; sepse po ashtu ekziston edhe ngjyra e kuqe, e bardhë dhe ngjyra të tjera. E njëjta mund të thuhet edhe për shijen dhe aromën. E kuqja, shija dhe aroma, për më tepër, nuk janë vetë vera, por gjërat të cilat mbushin enën, që në këtë mënyrë i bie që të jetë një trup i përbërë prej tre aksidencave. Duke ndjekur vijën e këtij argumentimi, në fakt duhet të ishin katër, meqë numërimi duhet të përfshijë Zotin, urtësinë e Tij, vullnetin e Tij dhe fuqinë e Tij, e këto së bashku janë katër. Madje mund të flasim edhe për pesë gjëra: sepse Ai jeton dhe jeta e Tij është pjesë e Tij njësoj siç është edhe urtësia e Tij. Kështu që përkufizimi i Zotit do të ishte si më poshtë: “i gjalli, i urti, i pajisur me vullnet, dhe fuqi’. Hyjnia në këtë mënyrë do të ishte i pesëfishtë në natyrë. E gjithë kjo, gjithsesi, është një gabim i qartë. Në këtë pikë atë Pablo u ngrit dhe tha se ai besonte në unitetin e Perëndisë, edhe pse kjo përfshin edhe trinitetin, që sipas tij ishte i një mister i thellë të cilin madje dhe engjëjt dhe princërit e qiejve nuk mund ta kuptonin. Unë u ngrita dhe thashë: ‘Është e qartë se një person nuk beson atë që nuk e njeh: kështu që engjëjt nuk besojnë në trinitet’. ‘Kolegët e tij e urdhëruan që të heshte’.

Guximi i ekzegjetëve të krishterë të cilët e kthyen madje edhe “Shema-n,” pohimin solemn të unitetit hyjnorë, në një provë për trinitetin (Maimonides, in “Tehiyyat ha-Metim,” fillimi), na pajis me një shpjegim të mjaftueshëm për ashpërsinë e apologjetëve hebrenj. Joseph Kimhi  e sulmoi doktrinën e trinitetit së pari (“Milhemet Hobah,” p. 19a) duke refuzuar në mënyrë bindëse argumentin e preferuar të trinitarëve që bazohej tek Zanafilla xviii. 1-2, ku Yhwh përshkruhet sikur në fillim i shfaqet i vetëm Abrahamit, më pas ai shfaqet i shoqëruar nga dy persona të tjerë (krahaso komentuarin Abraham ibn Ezra’s, ad loc.). Simeon benZemah Duran, i cili po ashtu refuzoi provat trinitare, shtoi: “kjo dogmë në vetvete është qartësisht e gënjeshtërt, siç e kam treguar duke përdorur deduksionet filozofike; dhe pohimi im i lartpërmendur është bërë duke iu referuar pohimeve të tyre [të krishterëve], ndërsa murgu Nestor e pranoi Judaizmin pikërisht se ai kishte refuzuar argumentet e tyre [krishterëve] për trinitetin ” (“MilhemetHobah,” p. 48b). Ndërmjet polemistëve modern kundër trinitetit më i shquari është Joshua Segre’s (“Zeit. für Hebr. Bibl.” viii. 22).

Tek Zohari

Kabala, nga ana tjetër, veçanërisht Zohari, vepra më e rëndësishme e saj, është më pak armiqësore ndaj doktrinës së trinitetit, meqenëse falë spekulimeve të saj në lidhje me Atin, birin dhe frymën ajo ka zhvilluar një trinitet të ri, e në këtë mënyrë u bë e dëmshme për judaizmin. Terma të tillë si “maṭronita,” “trup,” “frymë,” hasen shpesh (e.q., “Tazria’,” ed. Polna, iii. 43b); kështu që të krishterët dhe hebrenjtë e konvertuar si Knorr von Rosenroth, Reuchlin dhe Rittangel gjetën tek Zohari konfirmimin e krishterimit dhe veçanërisht të dogmës së trinitetit (Jellinek, “Die Kabbala,” p. 250, Leipsic, 1844 [trans]. of Franck’s “La Kabbale,” Paris, 1843]). Reuchlin duke u bazuar në fjalën e dytë të pentateukut mendonte se kishte gjetur aludime për fjalët Atë, Bir dhe Frymë e shenjtë, po ashtu edhe tek Psalmet ii. 22 (ib. p. 10), ndërkohë që Johann Kemper, një i konvertuar, ka lënë në formë dorëshkrimore një vepër të titulluar “Maṭṭeh Mosheh,” i cili trajton në seksionin e tretë të tij harmoninë ndërmjet Zoharit dhe doktrinës së Trinitetit (Zettersteen, “Verzeichniss der Hebräischen und Aramäischen Handschriften zu Upsala,” p. 16, Lund, 1900). Studimi i Kabalasë i dërgoi Frankistët drejt pranimit të krishterimit, por hebrenjtë e kanë konsideruar gjithnjë doktrinën e trinitetit si të papërputhshme me shpirtin e religjionit hebraik dhe me monoteizmin

Përktheu: Rezart Beka

[*] Pr.dr.Kaufmann Kohler, është Rabbi Emeritus në Temple Beth-El, New York; si dhe president i Hebrew Union College, Cincinnati, Ohio

Pr.dr. Samuel Krauss, Professor i kolegjit të përgjithshëm, Budapest, Hungari.

Bibliografia:

F. C. Bauer, Die Christliche Lehre von der Dreieinigkeit, etc., 3 vols., Tübingen, 1841-43;
H. Usener, Die Dreiheit, in Rheinisches Museum für Klassische Philologie, lviii. 1-47.

Last modified: 03/01/2021
Close