Xhodi Hysa
Në këtë ese do të mundohem të studioj dhe të bëj disa kërkime mbi një ndër profecitë më të përfolura biblike. Jam munduar të sjell këtu për juve mendime, të cilat deri më sot nuk i kemi dëgjuar shumë dhe madje nuk kemi patur mundësinë për t’i lexuar, kjo për shumë arsye. Eseja në fokusin e saj do të ketë vetëm këtë profeci dhe personazhet e saj, ndërsa nga ana ime do të ketë edhe një pasqyrim të mendimit të disa prej komentarëve biblikë që shprehen për këtë çështje.
Në librin e Ezekielit kapitulli 26, vargu 7-14 lexojmë:
“ 7Sepse kështu thotë Zoti, : “Ja unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnestarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe me një shumicë të madhe njerëzish.8 Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.9 Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij. 10 Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua dridhen nga zhurmat e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.11 Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.12 Do të grabisin pasuritë e tua, do të plaçkisin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe kokën tënde.13 Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.14 Do të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të hedhur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti”. [1]
Sikurse e shohim më sipër, në vargjet e cituara, kjo është një profeci për Tirin dhe flet për një ndëshkim hyjnor që do t’i vijë nga Jehovai, për shkak të kënaqësisë së shkatërrimit të Jeruzalemit. Disa kapituj më pas, në po të njëjtin libër 29/18-20 lexojmë:
“18Bir njeriu, Nebukadnestari, mbreti i Babilonisë, e vuri ushtrinë e tij në një shërbim të rëndë kundër Tirit; çdo kokë është bërë shogë dhe çdo shpatull e rrjepur; por as ai, as ushtria e tij nuk kanë nxjerrë nga Tiri ndonjë shpërblim për mundin që kanë nxjerrë kundër tij”.19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti “Ja, unë i jap Nabukadnestarit, mbretit të Babilonisë, vendin e Egjiptit; ai do të marrë pasuritë e tij; ai do të marrë robër me vete dhe do të plaçkitë; dhe ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij.20 Për mundin që ke bërë kundër tij unë i jap vendin e Egjiptit, sepse kanë punuar për mua” thotë Zoti.”
Sikurse e pamë më sipër, një profeci e tillë nuk u plotësua, sepse Nabukadnestari, emrin e tij të shqiptuar saktësisht do ta shohim më poshtë, nuk arriti kurrë ta merrte atë. Edhe historia e përmend këtë si fakt. Mirëpo në këtë mes ndërhyjnë dy ide; e para, e cila kërkon të mbrojë profecinë e parë, duke e zhvendosur profecinë jo Nabukadnestarit, por Aleksandrit të Madh, madje disa tentojnë t’ia atribuojnë edhe turqve apo muslimanëve. Ana tjetër është ajo që e pranon këtë si një profeci të paplotësuar.
Përpara se të fillojmë të hyjmë më në thellësi të ngjarjeve dhe të verseteve, duke u munduar t’i nxjerrim kuptimin e vërtetë, do të doja t’i hidhnim një shikim të shpejtë Ezekielit si personazh dhe librit të tij. Kjo për arsyen e thjeshtë se këto janë pjesë e atyre gjërave që përmendëm më sipër.
Periudha kur Ezekieli jetoi ishte aty nga viti 628 p.e.r., momentet e fundit kur Judea ishte e lirë dhe gëzonte pavarësinë e saj. Ai pohoi misionin e tij në 593 p.e.s, në mes të hebrenjve që ndodheshin me të në mërgim (1:2). Profecia e tij e fundit ishte në 571 p.e.r. (29:17).
Libri i Ezekielit është një libër tërësisht profetik, ku tregohet mjaft qartë se Zoti dënon të gjithë ata që nuk i binden Atij.
Ezekieli ishte djali i një prifti të tempullit të Jeruzalemit. Dihet mjaft mirë tashmë që forcat e mëdha që sundonin atë pjesë të botës asokohe ishin Egjipti, Asiria dhe Babilonia që u shfaq së fundmi. Izraeli nga ana e tij ishte në një dilemë të thellë se kujt do t’i bashkëngjitej. Situata u bë më e vështirë kur perandoria babilonase më 612 p.e.s shkatërroi përfundimisht perandorinë e Asirisë, duke e shtrënguar Izraelin të izolohej. Gjatë kësaj periudhe Izraeli gëzonte një mbretëri, e cila e kishte dërguar popullin në mëkate të mëdha, kjo tregohet edhe nga vetë vargjet e Ezekielit. Në këtë moment hyn në lojë vasaliteti i Babilonisë, i cili merr fund me pushtimin e Jeruzalemit më 598 p.e.s kështu që dërgohen në mërgim një grup hebrenjsh, ndërmjet të cilëve ishte edhe mbreti Jehoakin dhe Ezekieli gjithashtu. Ky është të paktën versioni zyrtar i jetës së Ezekielit. Që nga ky moment Ezekielit i vjen frymëzimi për të profetizuar.
Mirëpo jo çdokush, i cili duket ta ketë studiuar Ezekilein si personazh dhe librin e tij, i duket e vërtetë e gjithë kjo histori e zyrtarizuar.
“Rrallëherë, Ezekieli na paraqitet si një profet i shekullit të gjashtë. Në Babiloni i është nënshtruar një redaktimi, libri i cili është përgjegjës për sfondin historik Babilonas, ndërsa misioni i tij dhe vetë ky profet, bashkë me librin e tij janë të një kohe tjetër.” [2]
“Deri në vitin 1900 shumë kritikë besonin se Ezekieli ishte libri më i unifikuar nga të gjithë librat e Testamentit të Vjetër. Ai i ka të krijuara në mënyrë të përkryer të gjitha datat, vendet dhe ngjarjet sa ngjan i tillë. Por dekada e parë e shekullit të 20-të solli një vështrim të ri të këtij libri nga kritikët. Kritikë si A. Bertholet, R. Kraetschzmar dhe J. Herman gjetën praninë e mjaft vargjeve të dyshimta, e vargjeve të shtuara më vonë dhe të atyre që ishin të redaktuara (për një shikim më të gjërë shikoni Ezekiel 13-9, Zimmerl). Në 1924 G. Hoshcler (Ezechiel, der Dietchtel und das Buch) shkoi më tej duke i atribuar Ezekielit vetëm 177 versete nga 1235 që ka ky libër. Ai e konsideroi Ezekielin si një profet që profetizoi me rimë dhe çdo pjesë në pamje të parë, prozaike i takon një redaktori. Në 1930 C. C. Torrey (Pseudo-Ezekiel and the Original Prophecy) deklaroi se i tërë libri është shkruar në shekullin e tretë. Një vit më pas James Smith deklaroi se ky libër ishte shkruar një vit përpara Ekzilit (Mërgimit) dhe që më pas u redaktua nga Ezekieli në Judea (The Book of the Prophet Ezekiel, A neë Interpretation).” [3]
“Oeder dhe Vogel kanë përdorur nëntë kapitujt e fundit. Corrodi i sulmoi ata duke i përmendur kapitujt xxxviii-xlviii; por menjëherë mori një përgjigje nga Bechkaus, Richorn dhe Jahn për kapitujt. Një anonim në një revistë më 1928 vuri në diskutim kapitujt xxv-xxxii, xxxv, xxxvi, xxxlx.[…] Ndërsa Zunz pohon se libri i përket periudhës perse. Ai pohon se tek Jeremia nuk ka përshkrime të njëjta me atë të Ezekielit ndonëse këta janë të një periudhe.” [4]
“Në 1273 versete që ka libri, Hoeschler i atribuon atij vetëm 170; Irëin 251.[….] pjesa tjetër mund t’i atribuohet ndonjë skribi, i cili mund të ketë shkruar deri në qindra vargje.” [5]
“A mundet vallë që këto profeci të mos jenë bërë nga vetë profetët? Kjo nuk është e pamundur, është e pashmangshme që duke lexuar këta “libra”, mos të arrish në këtë konkluzion […] është e pamundur që profeti t’i ketë shkruar vetë në vetën e tretë; gjithsesi është më e saktë të pohojmë se këto shkrime janë të shkruara nga e njëjta dorë, që është përgjegjëse për mbledhjen e tyre- dishepujt e profetëve” [6].
Pra, për Ezekielin dhe periudhën historike të jetës dhe të shkrimit të tij, ekzistojnë disa teori. I pari që dyshoi për pandryshueshmërinë e librit të Ezekielit dhe që filloi për herë të parë kritikën e tij ishte Baruk Spinoza, punën e tij e vazhdoi G. L. Oeder [7]. Teoria më ekstreme është ajo që e paraqet Ezekielin si një personazh, të cilit i caktohet misioni i tij në një periudhë tjetër dhe në një vend tjetër nga ajo që paraqitet në libër. Sipas Smithit, Ezekieli ka jetuar në mbretërinë e Veriut, nën mbretin Masaneh, rreth fillimit të shekullit të shtatë p.e.s. Sipas Torrey, bërthama e librit është shkruar më 230 p.e.s., duke pasur si qëllim përshkrimet nëpërmjet profecive të 666, që do të parashikonin urrejtjen dhe ndëshkimet e mbretit Naseh; një redaktor më pas ia atribuon këtë shkrim Ezekielit në ekzil. Kjo teori pohon unicitetin e librit në vetvete, por kjo është një kundërshti në vetvete. Sipas Messelit, profeti ka jetuar gjatë viteve 400 p.e.s., mes atyre që u kthyen në Palestinë dhe libri i tij datohet rreth 350 p.e.s..(shih edhe The Neë American Commentary An Exegetical and Theological Exspositon of Holy Scripture NIV Text; Ezekiel Lamar Eugene Cooper, SR. fq 32 dhe C. C. Torrey,Pseudo-Ezekiel and the Original Prophecy, Yale Orient Series 18).
Teoria e dytë e përshkruan librin e Ezekielit në një vend tjetër nga koha e Ezekielit. Hernithich e përkufizon jetën e Ezekielit vetëm në Jeruzalem. Sipas tij, ai e ka kryer misionin e tij në Palestinë, ndërsa redaktori i librit është transferuar në Babiloni. Hartford dhe Berri paraqesin po të njëjtën teori (R. Aug, Ezequel 1955; S. Jozaki on Ezekiel 11.14-21” Këansel Gaukin Universiy Annual Studies, Vi (1958), 29-41.)
Teoria e tretë e dërgon Ezekielin në dy vende njëkohësisht, si në Palestinë, edhe në Babiloni. Teori që mbështetet nga Fischer, Auge etj.
Dhe teoria e fundit që e tregon Ezekielin, si të dërguar në Ekzil (Mërgim) nga babilonasit gjatë pushtimit të Judesë [8].
Nën këtë sfond dyshues, ne do të mundohemi të qartësojmë diçka më tepër për një profeci biblike, e cila gjithnjë ka qenë një ndër më të përmendurat.
Sikurse e përmendëm që në fillimin të esesë, profecia e Ezekielit në kapitullin e profecive kundër kombeve të huaja, profetizon shkatërrimin e Tirit dhe kthimin e tij në një shkëmb, ku do të varen vetëm rrjetat e peshkatarëve (vers. 14). Disa kapituj më vonë, pikërisht në kapitullin ku profetizohet kundër Egjiptit dhe Faraonit të tij, përmendet se Nabukadnestari në mungesë të pushtimit dhe si rrjedhojë të shkatërimit të Tirit, gjë që Zoti ua kishte premtuar hebrenjve, nëpërmjet fjalëve profetike të Ezekielit, i jep atij Egjiptin. Deri në këtë pikë gjithçka është e kuptueshme, profecia është e paplotësuar. Mirëpo një pjesë e teologëve të krishterë nuk e pranojnë si një profeci të paplotësuar dhe ia atribuojnë këtë profeci Aleksandrit të Madh apo popujve të tjerë, sikurse e përmendëm më lart.
“Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit që fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë…”. (Ezekiel 26/1). Me këtë datë të parashtruar, një pjesë e teologëve ia bashkangjisin pushtimit dhe shkatërrimit të Jeruzalemit, me këtë rast paska ardhur kjo profeci, pra, bëhet fjalë për Periudhën e mbretit Jehoakin. Në fakt ky është një tjetër gabim historik (për më tepër lexoni C. F. Keil dhe F. Delitzsch Commentary on the Old Testament, faqe 371)
Sikurse e shikuam më lart profecia parashikon shkatërrimin e Tirit, i cili pas pushtimit të Jeruzalemit nga Babilonasit kënaqet jashtë mase, sepse tashmë pasuritë do t’i drejtoheshin Tirit dhe jo Jeruzalemit. Kjo e mërziti jashtë mase Zotin dhe kështu që Ai profetizoi shkatërrimin e Tirit. Shkatërrimi profetizohet në vargjet të cilat ne i përmendëm më sipër nga goja e Ezekielit. Tiri është një qytet, i cili na shfaqet në Bibël për herë të parë tek libri i Jozuehut 19; 29. Ky vend ishte jashtëzakonisht i zhvilluar gjatë periudhës së Testamentit të Vjetër dhe gjatë asaj të Perandorisë Romake, madje zhvillimi i tij arrin deri në periudhën e Jeronimit (deri nga fundi i shekullit të katërt dhe fillimi i atij të pestë) [9]. Duhet pasur parasysh ky fakt, sepse do të na duhet për më vonë.
Personazhi kryesor, i cili do të drejtonte ekspeditën ndëshkuese kundër Tirit është Nebukadnestari ose Nebukadrezar. Ky është quajtur mbret i mbretërve (shikoni për Nebukadnestarin dhe tek 2 Mbretërit 24/1), sepse ai ishte sundimtari i Babilonisë dhe për shkak se në pushtimet e tij, ai kishte lënë vasalë të tij, të cilët i bindeshin. Vasalët e tij i përgjigjeshin atij me ushtarë në kohë lufte dhe me taksa në kohë paqe. Arsyet se përse Nabukadnezari do të sulmonte Tirin janë të shumta. Së pari Tiri kishte një aleancë me Egjiptin (sikurse do të shikohet më poshtë) dhe së dyti, Tiri kishte lidhur një aleancë dhe mbështeste Zedekian kundër Nabukadnestarit gjatë 594-593 (shih Jeremia 27;1-6).
Në të vërtetë Nebukadnestari e sulmoi Tirin, por nuk arriti asnjëherë ta merrte atë, e jo më ta shkatërronte ashtu siç na përshkruhet në profecinë e Ezekielit. Nebukadnestari e mbajti të rrethuar Tirin për 13 vjet me radhë, por nuk arriti ta merrte atë. Duke qenë se është e pamundur që profecia e profetizuar nga Zoti nëpërmjet gojës së Ezekielit të dështojë, atëherë lind pyetja. Nëse nuk është një profeci, atëherë çfarë është?
Ka prej atyre personave, të cilët dëshirojnë me pahir të mos ndërgjegjësohen me këtë provë. Mundohen të gjejnë ngjarje historike për të cilat kjo histori nuk përputhet fare. Një palë ndër këta janë edhe Dëshmitarët e Jehovait, të cilët pretendojnë se Profecia e Zotit është e saktë, sepse Tirin e shkatërroi Aleksandri i Madh. Për këtë pohim ata mbështeten tek verseti “Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe…..”(Ezekiel 26/3).
Në fakt ky shpjegim është i rremë:
“Zoti do të drejtojë një ushtri të fuqishme kundër Tirit, e cila do të shkatërojë muret e saj dhe kullat e saj. Në vend të fjalës ushtri, është përmendur fjala “shumë kombe” sepse Tirosi do të tërheq kundrejt vetes shumë kombe duke qenë se Jeruzalemi ishte i shkatëruar”. [10]
Është më se e qartë që Nabukadnestari është quajtur me këtë shprehje “shumë kombe”, kjo vërehet te shumë komentarë të tjerë biblikë (shih po ashtu Commentary Critical and Explanatory on the Whole Bible)
Një pjesë tjetër që tenton ta plotësojë profecinë, pohojnë se Nabukadnestari pushtoi në fakt Tirin që ndodhej në tokë, por nuk arriti të merrte dot Tirin ishullor, që në fakt u shkatërrua nga Aleksandri dhe kjo do të shënonte plotësimin e profecisë. Ata pohojnë se Nabukadnestari e pushtoi Tirin në bregdet dhe pastaj tentoi të shkatërronte Ishullin, në të cilin u strehuan mbreti i Tirit dhe pasuria e tij. Ata pretendojnë se Tiri bregdetar është më i rëndësishëm, se sa ai ishullor gjatë sulmit të Nabukadnestarit. A është e vërtetë kjo vallë? Ç’thonë komentarët biblikë?
Edhe kjo teori është jo e saktë;
“Tiri, sikurse në profecinë e Isaias (kapitulli 23), nuk është qyteti që ndodhet në kontinent, pra, Tiri i vjetër, i cili u mor nga Shilmanzari dhe u shkatërrua nga Aleksandri (sikurse supozojnë disa teologë si Perizon, Marsh, Vitringa. J. D. Michaelis dhe Eichhorn), por është Tiri ishullor, i cili ndodhej rreth treçerek milje në veri, dhe vetëm 1200 hapa nga toka, i ndërtuar mbi një ishull të vogël dhe i ndarë nga kontinenti me një rrip uji, jo shumë i thellë. Ky ishull i kishte rezistuar sulmeve të Asirianëve (Josephus, Antt., ix. 14. 2) dhe ishte qendra e tregut të kombeve në kohën e Ezekielit. Është pikërisht për këtë Tir, që flet profecia drejtpërdrejt […], kjo vërehet edhe tek vajtimet për Tirin, ku ishujt dhe kombet e tjerë do të vajtojnë për rënien e tij, ndërkohë që Tiri i pushtuar nga Aleksandri i Madh nuk kishte fare të bënte me këto vende që do të na vajtokan për rënien e Tirit. Shikohet mjaft qartë se bëhet fjalë për Tirin Ishullor dhe tek versetet 5 dhe 14.” [11]
“Tiri ishte qyteti kryesor i Fenikisë. Emri Tir do të thotë “shkëmb” dhe i referohet fortesës kryesore, e cila ishte e përqendruar në një shkëmb, që ishte mbi sipërfaqen e detit, një milje e gjysmë larg bregut të detit ( shih A. Cohen The Tëelve Prophets ; Neë York; Soncino 1969, 304) ky qytet ishte i ndërtuar në dy pjesë, njëri në breg dhe tjetri larg bregut të detit në një ishull […] Nabukadnestar vazhdoi tentativat e tij për të marrë qytetin. Ata e morën Tirin pas 5 vjetë rrethimi, 722 p.e.s, por ishullin larg bregut të detit nuk e morën “kurrë.” [12]
“Fjalë për fjalë Tir do të thotë “qytet i gurtë”. Zor, një emër që i është aplikuar ishullit Tir, i quajtur ndryshe Tiri i ri. Ky, ndryshe nga Tiri i vjetër, ishte më i zhvilluar ekonomikisht dhe ishte gjysmë milje larg tij. Tiri i ri i kishte rezistuar pas një shekulli e gjysmë nga rënia e Jeruzalemit, mbretit të Asirisë Shalmanerit, i cili e kishte mbajtur të rrethuar për pesë vjet me radhë (Menander, nga arkivi i Tirit, i cituar nga Josephus, Antiques, 9.14. 2). Ishte qyteti më i fortë, i rëndësishëm, dhe i pari gjithashtu.” [13]
Duhet parë me kujdes se shumë komentarë nuk janë dakord për një fakt të thjeshtë historik, disa e përmendin vend-ndodhjen e Tirit, ndërsa disa e tregojnë. Ndërsa një ndër komentarët më të rëndësishëm, Harper’s Bible Commentary, i cili është fryt i punës së mëse 72 teologëve e përshkruan në këtë mënyrë:
“në seksionin e dytë të profecisë (vv. 7-14), mënyra se si do të vijë ndëshkimi bëhet akoma edhe më e qartë, duke përshkruar një rrethim që përfundoi me sukses, rrethim që do ta bënte Nabukdnestari kundër Tirit. Kjo profeci mbase është frymëzuar nga fillimi i këtij rrethimi, ose ndoshta ky verset mund t’i jetë shtuar Ezekielit përpara fundit të rrethimit të Tirit, sepse qyteti nuk u shkatërrua kurrë.” [14]
“Ezekieli iu kundërvu Tirit, sepse ai luftoi Babiloninë me ndihmën e Egjiptit. I ndodhur në një ishull në jug të Libanit, ai e zhvilloi jashtëzakonisht tregtinë me anije dhe me ndihmën e Egjiptianëve, ai arriti të mbajë larg mureve të tij Nabukadrezarin për 13 vjet, pas rënies së Jeruzalemit (585-572). Egjipti dhe Tiri kishin një marrëveshje ndërmjet tyre. Një karvan asirian na e tregon këtë gjë (ANEP # 447).” [15]
“Nebukadnestari, Mbreti i madh i Babilonisë do të sulmojë- ky është kuptimi i retorikës përshkruese të këtyre verseteve- do të vijë me një ushtri të fuqishme (vers. 7), do të shkatërrojë me shpatë qytetet në brendësi të kontinentit, të cilat ishin vasale të Tirit (ver. 8), dhe më pas do të fillojë rrethimi i Tirit, shkatërrimi i mureve dhe i kullave të tij (ver. 8b dhe 9), hyrja me ushtrinë në qytet, të cilit i ishin shkatërruar muret dhe ishte hapur shtegu, do të dënohen njerëzit me vdekje (ver. 10 dhe 11), do të bëhen plaçkitje, do t’i merret pasuria, do të shkatërrohen muret dhe do të hidhen mbeturinat në det. (vers.12) [….] i gjithë qyteti do të shkatërrohet dhe kështu ata do të hedhin gurët, drurët dhe mbeturinat në det- kështu Zoti do t’i japë fund dhe do ta shkatërrojë Tirin” [16]
“U bë e qartë që nga fillimi, se Ai që do të sillte shkatërrimin e Tirit do të ishte Zoti vetë, nëpërmjet komandantit Nabukadnezar që do ta përdorte si mjet. Emri i tij shqiptohet në Babilonisht Nabu-kudurri-usur që do të thotë “Nabu mbron kufirin tonë”. Mbreti i Babilonisë ishte shpallur mbret i mbretërve, sepse ai kishte nënshtruar shumë mbretër nën vete”. [17]
Komentari në fjalë e mohon kategorikisht mosplotësimin e profecisë (edhe pse pjesa tjetër duket se e pranon këtë mosplotësim), duke ia atribuuar plotësimin e saj Aleksandrit të Madh, që bie në kundërshtim me veten e tij dhe me vetë historinë. Më lart pamë se C. F. Keil dhe F. Delitzsch e mohonin në mënyrë të prerë këtë arsyetim duke nxjerrë në pah një zbulim të ri të një fakti historik, që tregonte se Tiri është i përbërë nga dy qytete, nga i riu dhe i vjetri dhe se në profeci bëhej fjalë për Tirin e ri, që nuk ndodhej në tokë, por ishte një ishull. Por shumë shpesh komentarët që janë gjysëm apologjetë, nuk mundohen të tregojnë koordinatat dhe mundohen ta fshehin këtë fakt. Arsyeja tjetër që mohon sërish argumentin që Zoti përdori Aleksandrin si shkatërrues të Tirit bie poshtë edhe për një fakt tjetër. Po në librin e Ezekielit përmenden vajtimet për mbretin e Tirit, që do të shkatërrohej dhe Tiri do të kthehej në shkëmb (Emri Tir vjen nga fjala shkëmb), ku do të mbeteshin vetëm rrjetat e peshkatarëve. Mirëpo nga vetë historia e treguar nga komentari i mësipërm thuhet se Tiri kishte një fuqi ekonomike deri në fundshekullin e katërt në një kohë kur Aleksandri kishte vdekur kohë më parë. Por të shikojmë se çfarë thotë ky komentar përsa i përket versetit 29; 17:
“Caktimi i Ezekielit për versetin e 18 është i qartë dhe i kuptueshëm, për të treguar se Nabukadnezari ishte i pasuksesshëm në fushatën kundër Tirit, por kjo nuk është kuptimi i fjalëve të Ezekielit në profeci. Ai është duke konstatuar se rrethimi përgjatë 13 vjetëve nuk ishte materialisht i suksesshëm. Armata që mbante armët nuk mori shpërblimin e duhur[….] duke mos pasur fare plaçkë lufte komandanti mori ushtrinë dhe shkoi të gjente plaçkën e luftës në Egjipt” [18]
Është e vetëkuptueshme se kjo është diçka e pamundur, sepse fjalët e Ezekielit janë fare të qarta, se Nabukadnezari nuk arriti të fitonte mbi Tirin, nuk arriti t’i thyente muret e Tirit. Kjo sepse qyteti i ri i Tirit ndodhej në një ishull dhe u ndihmua nga Egjiptianët. Historia, ndryshe nga ç’na paraqet po ky komentar, na tregon se ka patur lidhje të forta mes Tirit dhe Egjiptit, madje një aleancë mes tyre dhe arsyeja se përse Nabukadnezari e sulmoi Egjiptin ishte për shkak të ndihmës që ky i fundit i dha Tirit gjatë rrethimit. Normalisht është më e logjikshme të mendosh këtë si arsye, se sa të mendosh që një komandant babilonas, i cili kishte arritur të pushtonte një qytet si Tiri, por që për arsye shumë të çuditshme nuk arriti të merrte plaçkë lufte, t’i teket të sulmojë një mbretëri si Egjipti. Në të vërtetë Egjipti nuk ishte një mbretëri dosido, por një mbretëri rivale me Babiloninë. Dhe për mbi të gjitha këto, nuk mund të mendohet se ushtarët nuk do të shkonin kaq thjesht kundër një superfuqie rivale, me shpresën se atë që nuk e morën në Tir (që ishte një vend i pafuqishëm në krahasim me Egjiptin), ta merrnin në Egjipt. Kjo është diçka krejt e palogjikshme, që vetëm një arsyetim i shtrembër dhe i lodhshëm e nxjerr. Për më tepër të mendosh se një ndër komentarët më të famshëm e botës së krishterë, shprehet se Nabukadnestari nuk arriti ta merrte kurrë Egjiptin si tokë. Egjipti filloi t’i paguante vetëm taksa, prandaj edhe shkatërrimi i parashikuar nga profeti Ezekiel mbi Egjiptin nuk u krye asnjëherë, sipas fjalëve të këtij komentari [19].
Përveç këtyre shkaqeve që përmendëm më sipër ekzistojnë edhe 5 arsye të tjera, se përse kjo profeci nuk mund t’i atribuohet Aleksandrit të Madh. Le t’i shikojmë ato.
1. Edhe sikur Aleksandri i Madh ta ketë shkatërruar qytetin e Tirit, për të cilin flitet tek Ezekieli, ai u rindërtua menjëherë dhe u kthye në një port detar grek, ndërsa më vonë në një port detar romak. Ai akoma vazhdon të ekzistojë edhe sot, ndërkohë që vizioni i Ezekielit flet për një gjykim që nuk do t’i linte asnjë shenjë këtij qyteti.
2. Nuk ka asnjë shpjegim të brendshëm për të ndryshuar referencën nga Babilonia dhe t’ia veshim Greqisë, ose të ndryshojmë emrin nga Nabukadnezar ta bëjmë Aleksandër. Nëse tekstet janë të pagabueshme, ashtu sikundër e besojnë dhe e pohojnë një pjesë e të krishterëve, atëherë ne mund ta lexojmë fjalën “grek” dhe Aleksandër nëse janë aty. Pra, është një tentativë e dështuar për të mbështetur diçka që nuk ka prova.
3. Këtu kemi të bëjmë me disa implikime serioze, për sa i përket natyrës së Shkrimit dhe Zbulesës (madje edhe të vetë Zotit), që përmenden këtu. Tani imagjinoni së paku, momentet që ishin tepër të rëndësishme. Ushtria e Nabukadnestarit ishte nisur për në luftë. Njerëzit (sidomos hebrenjtë) kishin nevojë për një profeci, e cila do t’u tregonte të ardhmen, ndërkohë që Ezekieli u profetizon atyre për një komb që akoma nuk kishte dalë në sfondin historik, për një komb që erdhi pas 250 vjetëve, ku asnjë nga këto persona nuk jetonte më, madje foli për disa persona për të cilët nuk kishte asnjë lidhje dhe njohuri me situatën. Kjo do të thotë se Zoti nuk i kishte zbritur Ezekielit një parashikim për momentin në fjalë dhe për të cilin ne po flasim. E gjitha kjo në fakt është diçka absurde, vetë momenti në të cilin Ezekieli e shpalli këtë profeci, nuk do ta lejonte një hamendësim të tillë. Njerëzit prisnin një profeci për këtë kohë, për këtë mbret dhe armik (në fakt po të shikoni në kapitullin e mëpasëm dallohet se profecia, ndryshe nga ç’duan disa të krishterë ta bëjnë të mendohet, i atribuohet kësaj periudhe. Pikërisht sepse Zoti i kundërvihet mbretit të Tirit, që ishte në atë periudhë).
4. Por sikur ta marrim për të saktë pohimin që bëmë më parë, Ezekieli na duket neve si një profet i paditur, i cili mendon se profetizon për Nabukadnestarin, por në fakt profetizon për Greqinë dhe Aleksandrin që do të vinin pas 250 vjetëve. Kjo ngre shumë pikëpyetje ndërkohë. Si mundet që ta kuptojmë Zotin ne dhe profecitë e tij?
5. Çfarë profecie mund të quhet për një Shkrim, kur plotësimi i saj arrin kuptimin e vërtetë pas 200, 1.000 ose 2.000 vjetësh, kur ajo përmbushet plotësisht? Kjo e shndërron profecinë e Zotit në një mister apo enigmë që duhet zgjidhur, ose si diçka që nuk mund të shpjegohet dot, derisa të përmbushet.
Përfundim
Natyrisht që në historinë e njerëzimit dhe sidomos të hebrenjve, ka pasur shumë profetë të rremë (një prej të cilëve, si për ironi të fatit, përmendet në Librin e Ezekielit 13;1-23) gjatë historisë së saj. Madje edhe në Dhiatën e Vjetër janë përmendur shumë prej tyre dhe sikurse dihet do të ishte shumë e vështirë për njerëzit, si në atë kohë po edhe tani, të kuptonin se kush ishte profeti i vërtetë, i dërguar nga Zoti. Si do të përkufizohej kjo “profeci” sipas një ndër kritereve biblike për profecinë, pikërisht sipas Ligjit të Përtërirë 1818; 21-22?
“Dhe nëse ti thua që në zemrën tënde “Si do të bëjmë për të dalluar fjalën që Zoti nuk e ka thënë?”. Kur profeti flet në emër të Zotit dhe kjo gjë nuk ndodh dhe nuk realizohet, kemi të bëjmë me një gjë që Zoti nuk e ka thënë; e ka thënë profeti me mendjemadhësi mos ki frikë prej tij.”(Ligji i Përtërirë 18; 21-22)
Referenca
1. Teksti i Ezekielit është marrë nga Diodati i Ri, përkthimi 1991-1994 botuar nga ABS (Albanian Bible Society- Rr. Frosina Plaku, Tiranë)
2. Introduction to the Old Testament Ernst Sellin fq 405
3. New Jerome Bible Commentary fq. 306
4. Introduction to the Old Testament, critical, historical and theological Samuel Davidson, fq.148
5. Introduction to the Old Testament Ernst Sellin fq 410. Ndër vargjet e përmendura më lart janë edhe vargjet e Profecisë kundër Tirit (me të cilën do merremi pak më poshtë) dhe kundër Egjiptit
6. New Jerome Bible Commentary fq. 197
7. “Ezekiel” 6;41-42 R. K. Harrison , Introduction to the Old Testament (Grand Rapids Eerdmans, 1969), 823.
8. Introduction to the Old Testament Ernst Sellin fq 406-407
9. The prophecy of Ezekiel the Glory of The Lord A commentary from Charless Lee Feinberg fq.147.
10. C. F. Keil dhe F. Delitzsch Commentary on the Old Testament faqe 375
11. Ibid faqe 372
12. The New American Commentary An Exegetical and Theological Exspositon of Holy Scripture NIV Text; Ezekiel Lamar Eugene Cooper, SR. fq 251
13. Commentary Critical and Explanatory on the Whole Bible
14. Harper’s Bible Commentary fq 685
15. New Jerome Bible Commentary fq 322
16. C. F. Keil dhe F. Delitzsch Commentary on the Old Testament faqe 376 dhe faqe 378
17. The prophecy of Ezekiel the Glory of The Lord A commentary from Charless Lee Feinberg fq 149
18. The prophecy of Ezekiel the Glory of The Lord A commentary from Charless Lee Feinberg fq 171
19. Harper’s Bible Commentary fq 687
Last modified: 16/10/2014