Raymond Brown

Fragment i shkëputur nga libri i Raymond Brown me titull: “An Adult Christ at Christmas; The Liturgical Press 1978, f. 1-3

 Ungjilli i Mateut dhe Lukës fillon me historinë e konceptimit të Jezusit dhe lindjen e tij (quajtur ndryshe rrëfimi i lindjes). Në këtë gjë ato dallojnë dukshëm nga dy ungjijtë e tjerë të cilët nuk na thonë asgjë për origjinën dhe familjen e Jezusit. Madje Marku nuk përmend as Jozefin, ndërsa Gjoni nuk përmend asnjëherë emrin e nënës së Jezusit. Rrëfimi i lindjes së Jezusit tek Mateu dhe Luka, që nuk ngjajnë aspak me njeri-tjetrin, kanë qenë të vetmet burime nga ku është krijuar festa e krishtlindjeve aq e dashur për të krishterët. Si duhet ti vlerësojmë ne ato?

 Kisha katolike, e cila mendohet se shpesh mban qëndrime tejet konservatore, në të vërtetë ka lëshuar një deklaratë tepër liberale në lidhje me historicitetin e përgjithshëm të ungjijve. Përmes organit zyrtarë të saj për mësimin biblik [1], Vatikani ka këmbëngulur se kur ti qasemi ungjijve në kuptimin historik, duhet të nënkuptojmë se këto rrëfime e kanë burimin nga fjalët dhe veprat e Jezusit. Megjithatë, kjo deklaratë qartëson se këto fjalë dhe vepra kanë pësuar përshtatje të konsiderueshme që nga koha e Jezusit deri në momentin kur janë hedhur në shkrim ungjijtë [2]. Përshembull, ka ekzistuar një periudhë e traditës gojore ku apostujt kanë predikuar atë që Jezusi kish thënë e bërë, por ato i përzien rrëfimet e tyre me kuptimet pas-ringjalljes (post-resurectional) për hyjninë e Jezusit, kuptime që ato nuk i kishin pasur kur ai ishte gjallë[3]. Për më tepër, gjatë shkrimit të këtyre rrëfimeve në ungjij [4] ka ndodhur një përzgjedhje e mëtejshme, sinteza dhe shpjegime të rrëfimeve që kishin ardhur që nga koha apostolike, duke sjellë si rezultat faktin se rrëfimet e ungjijve nuk janë domosdoshmërish të dhëna të fjalëpërfjalshme të asaj që Jezusi ka thënë e ka bërë. Megjithatë, siç shprehet edhe dokumenti zyrtar: “E vërteta e historisë së Jezusit nuk ka pësuar ndryshime nga fakti se ungjillorët e kanë përcjellur këtë histori sipas renditjeve të ndryshme dhe i kanë shprehur thëniet e tij jo në mënyrë të fjalëpërfjalshme por në mënyra të ndryshme, ndonëse duke ruajtur thelbin e kuptimeve të tyre”

 Fatkeqësisht shumica e katolikëve, përfshi këtu edhe klerik dhe mësues religjioni, nuk janë në dijeni të këtij qëndrimi zyrtarë të kishës, për këtë arsye ata shpesh ndjehen në siklet kur dikush i argumenton se një rrëfim i caktuar nga jeta e Jezusit nuk është në mënyrë literale histori e vërtetë. Për këtë arsye, para se çdo katolik të ndërmarrë një studim serioz në lidhje me rrëfimin e lindjes së Jezusit, ai ose ajo duhet të familjarizohet me qasjen e Komisionit Biblik Katolik në lidhje me ungjijtë në përgjithësi. Ne nuk do të arrijmë asnjëherë ta kuptojmë plotësisht rrëfimin e lindjes së Jezusit nëse nuk bindemi se, gjatë procesit të transmetimit nga Jezusi për tek ungjillorët, të gjithë materialet e ungjijve janë ngjyrosur nga besimi dhe eksperienca e kishës së shekullit të parë.

Hapi tjetër që duhet ndërmarrë për të përftuar një qasje të duhur ndaj rrëfimit të lidjes së Jezusit është edhe njohja e faktit se pohimi i bërë nga komisioni biblik në lidhje me ungjijtë nuk përfshin historinë e lindjes, [5] meqenëse deklarata përfshin vetëm atë që Jezusi ka thënë dhe ka bërë gjatë jetës së tij ministrore, fjalë dhe vepra të dëshmuara dhe të përcjella nga apostujt. Askush nuk ka sugjeruar ndonjëherë se apostujt si Pjetri apo Gjoni kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve në Betlehem). Nëse duhet të nisim një diskutim në lidhje me rrëfimin e lindjes së Jezusit atëherë këtë deklaratë të kishës duhet ta shtrimë edhe për seksionin e lindjes. Ja përse unë këmbëngul gjithnjë se për shumë njerëz rrëfimi i lindjes së Jezusit përbën “barrierën e fundit” që duhet përshkruar për të përftuar një kuptim sa më me vlerë të rrjedhojave që sjell qasja bashkëkohore kritike ndaj Dhjatës së Re. Në këtë përmbledhje të shkurtër esesh unë dëshiroj të shoh nëse mund ta paraqes këtë barriere si mundësisht të kalueshme.

Një mënyrë për të ndihmuar lexuesit në kalimin e kësaj barriere është ti bëjë me dije atyre për përçapjet e ndryshme të ndërmarra më parë në këtë drejtim. Për arsye se atyre ndoshta mund ti kalojë ndërmend ndonjë pyetje për të cilën teologët e mëparshëm mund të kenë dhënë ndonjë përgjigje. Ato janë pyetje bazë dhe nuk ka asnjë mënyrë për ti bishtnuar.

Duke marrë parasysh tejthjeshtëzimin, unë mund të them se studimet në lidhje me rrëfimin e lindjes së Jezusit kanë kaluar nëpërmjet dy fazave dhe po hyjnë në fazën e tretë. Faza e parë ishte të njihej rëndësia e dallimit që bëmë më parë, d.m.th. se materiali i lindjes së Jezusit ka një burim të ndryshëm nga ai i jetës ministrore të Jezusit. Njohja jonë për aktivitetin ministror të Jezusit vjen nga dëshmitë e dishepujve, por ne nuk e dimë se mbi bazën e kujt dëshmie është mbështetur psh. historia e magjistarëve dhe e yllit që i rrëfeu atyre vendin se ku ishte Mesiah. Ka pasur një prirje për të njohur si origjinë të historisë së lindjes burime familjare (të Maries apo Jozefit), por kjo nuk ka qenë tjetër vetëm se një hamendësim i pagjasë.

E ky hamendësim u bë gjithnjë e më i vështirë për tu besuar sapo prirjet teologjike në lidhje me lindjen e Jezusit filluan të hynin në fazën e dytë, e cila përfshinte kritikën biblike ndaj historive të lindjes së Jezusit, të veçuara nga pjesa tjetër e ungjijve. Ekziston fakti i padiskutueshëm se Mateu dhe Luka kanë rrëfyer dy histori të ndryshme në lidhje me lindjen e Jezusit. Histori të cilat janë të ngjashme vetëm në pak detaje [6] dhe pothuajse gjithnjë kundërshtojnë njëra-tjetrën [7]. Një tjetër faktor i ndërlikuar është edhe paaftësia për të mbrojtur disa prej ngjarjeve që rrëfehen në këto histori, të cilat mund të jenë bërë të ditura edhe nga publiku i gjerë, si p.sh. historia e yllit që lëviz në qiell përmes një mënyrë krejtësisht të çrregullt e që askush nuk e ka regjistruar si fenomen [8]. Dyshimet e lartpërmendura në lidhje me historicitetin e ngjarjeve të rrëfyera në ungjij për lindjen e Jezusit u rënduan akoma më shumë kur u vu re se historia e lindjes së Jezusit reflekton motive nga Dhjata e Vjetër që nuk gjendeshin në pjesën tjetër të ungjijve. Ndonjëherë historitë janë krijuar pasi është medituar mbi motive të ndryshme të Dhjatës së Vjetër, një proces ky që shpesh i është bashkangjitur termi midrash (e jo gjithnjë duke e kuptuar me të vërtetë domethënien e termit). Nëse kjo ese do të ishte shkruar gjatë fazës së dytë ajo do të ishte titulluar “A kanë ekzistuar magjistarët?”, “A ka qenë aty një yll?”, “A ka ndodhur ndonjëherë regjistrimi?”, “A i janë shfaqur me të vërtetë engjëjt barinjve?”

Por ne kemi hyrë në ditët tona në fazën e tretë dhe më pozitiven nga ana e shqyrtimit kritik. Pa dashur të anashkalojmë problemet e treguara në fazat pararendëse, teologët e kanë fokusuar vëmendjen e tyre në teologjinë e përçuar përmes këtyre rrëfimeve. Cilado qoftë origjina e tyre, [9] përse Mateu dhe Luka i kanë përfshirë këto histori në ungjijtë e tyre? Sa përputhet secila histori e lindjes me teologjinë e ungjillorëve? Si e përçon kjo histori lajmin e mirë, për të cilën këto vepra quhen ungjij?

Referencë

 

 

[1] I referohem këtu Komisionit biblik papnorë i cili i botoi “Udhëzimet mbi të vërtetën historike të Ungjijve” (Instruction on The Historical Truth of the Gospels) në vitin 1964. Përkthimi dhe komentimi i plotë në gjuhën angleze u bë nga J.A. Fitzmyer,Theological Studies 25 (1964) 386-408. Seksioni më i rëndësishëm i udhëzimit shfaqet në apendiksin e një prej librave të mi të titulluar “Biblical Reflection on Crises Facing the Church” (New York: Paulist 1975).

[2] Udhëzimi dallon “tre etapa të traditës përmes së cilës doktrina dhe jeta e Jezusit ka ardhur deri tek ne”. Etapa e parë, jeta ministrore e Jezusit. Kjo i përket një të tretës së shekullit të parë (rreth 28-30 e.r.). Etapa e dytë, periudha e predikimit apostolik, mund të datohet rreth viteve 30-65 (e.r.) meqenëse apostujt më të mëdhenj kishin vdekur që nga mesi i viteve 60 (e.r.). Etapa e tretë, periudha e shkrimit të ungjijve, mund të datohet rreth fundit shekullit të parë (me shumë mundësi Marku në vitet 60 e.s., Mateu dhe Luka në vitet 70 ose 80 e.r. dhe Gjoni në fund të viteve 80 ose 90).

[3] Udhëzimi (VIII) flet për faktin se hyjnia e Jezusit u perceptua vetëm pas ringjalljes së tij.

[4] Udhëzimi bën dallim të qartë ndërmjet apostujve të cilët kanë predikuar dhe autorëve të shenjtë të cilat kanë përpiluar ungjijtë e tyre duke u mbështetur në atë që kishin përfituar nga ky predikim. Qëndrimi i hershëm i cili reflektohet në vendimet e Komisionit biblikë në fillim të shekullit të njëzet, se Mateu dhe Gjoni janë shkruar nga anëtarë të dymbëdhjetë apostujve të Jezusit (diçka të cilën ungjijtë nuk e kanë pretenduar asnjëherë) është braktisur pothuajse universalisht, madje është pranuar në mënyrë të nënkuptuar në vitin 1955 nga sekretari i komisionit i cili i dha të krishterëve “lirinë e plotë” nga vendimet e mëparshme të marra nga komisioni në lidhje me këtë çështje.

[5] Komisioni ishte shumë i ndërgjegjshëm për këtë fakt, sepse pas vitit 1964 pati një lëvizje që synonte lëshimin e një deklarate të dytë në lidhje me rrëfimin e lindjes së Jezusit. Kjo përpjekje u braktis pasi konsulentët u ftuan të japin mendimin tyre, më shumë mundësi kjo ka ndodhur pasi Kardinalët të cilët ishin në përbërje të komisionit u përballën me vështirësitë e panumërta që do haseshin nëse bëhej një prononcim mbi historicitetin e rrëfimit të lindjes se Jezusit.

[6] Përshi këtu edhe detaje shumë të rëndësishme si lindja në Betlehem dhe konceptimi virgjëror i Jezusit.

[7] Mospërputhja më e njohur gjendet midis rrëfimit të Mateut për arratisjen në Egjipt për shkak të persekutimit të Herodit dhe rrëfimit të Lukës për një rikthim të paqshëm në Nazaret duke kaluar përmes Jeruzalemit pa përzierjen më të vogël të Herodit. Një lexim mendjemprehtë i këtyre dy rrëfimeve tregon se Mateu mendonte se shtëpia e Maries dhe e Jozefit ishte në Betlehem (2:11), për këtë arsye atij ju desh të shpjegonte se përse pasi u kthye nga Egjipti ata shkuan në Nazaret në vend që të shkonin në Betlehem (2:22-23). Ndërsa për Lukën ata së pari erdhën prej Nazaretit.

[8] Gjenden pohime historike të paverifikueshme madje të pagjasa, të tilla si masakra e fëmijëve në Betlehem nga Herodi, dhe regjistrimi botërorë i kryer nga perandoria romake nën Augustin (duke përfshirë edhe mbretërin e Herodit!). Janë bërë shumë përpjekje gjeniale, por sipas mendimit tim të dështuara, për të “provuar” se këto ngjarje janë fakte reale. P.sh. ka pasur një bashkim të madh planetësh në vitin 7-6 (p.e.r.) dhe kometa Halley është shfaqur në vitin 12-11 (p.e.s.), por Mateu përshkruan një yll, i cili ka qëndruar mbi vendin ku Jezusi qëndronte. Nëse do të mbështetemi tek astronomia për të shpjeguar kapitullin e dytë të ungjillit të Mateut, do të na duhet të njohim drejtimin e mundshëm të modeleve të mendimit të lashtë. Pasi njerëzit filluan ta besonin Jezusin si Bir të Perëndisë, në prapavështrim ata kanë kërkuar ndonjë fenomen astronomik për ta bashkangjitur me lindjen e Jezusit. Përfundimi mund të ketë qenë përzierja e kujtimeve të vagullta të një fenomeni astronomik rreth viteve 12-6 (p.e.s.) me imazhin e yllit Davidik të Dhjatës së Vjetër. (shih më poshtë)

[9] Në librin tim “The Birth of the Messiah” unë i kam kushtuar vëmendjen e nevojshme çështjes së vërtetësisë historike, por qëllimisht i vendosa këto çështje në fund në mënyrë që ato mos na nxjerrin nga fokusi ynë.

Tags: , , , , Last modified: 16/10/2014
Close