Imam Ibnul Kajim el Xhevzijeh

Zoti jep një shembull për dritën e Tij në zemrën e robit të Tij, që vetëm i dituri mund ta kuptojë: “Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë e di shumë mirë”. (Kuran 24:35)

Ubej ibn Kab ka thënë: ‘ngjashmëria e dritës së Tij (ndodh) në zemrën e myslimanit’. Kjo dritë, të cilën Ai e ka vendosur në zemër vjen nga dija, dashuria, besimi dhe përkujtimi i Zotit. Me anë të dritës që Ai ua ka dhënë robërve të Tij, Ai u jep atyre jetë dhe me të ata ecin mes njerëzve. Fillimi i saj është në zemrat e tyre, por pastaj Ai e forcon dhe e rrit atë, derisa ajo shfaqet tek fytyrat e tyra, tek gjymtyrët, trupat madje dhe rrobat dhe banesat e tyre. Njerëzit e kësaj natyre do ta kuptojnë atë, ndërsa të tjerët do ta mohojnë. Megjithatë Ditën e Gjykimit, ajo do të dalë përpara prej besimit të tyre dhe do të nxitojë para tyre në errësirrën e Urës, të cilën ata mund ta kalojnë. Ata do të bëjnë përpara në përpjesëtim me forcën ose me dobësinë e saj në zemrat e tyre, gjatë jetës së tyre në këtë botë.

Për një njeri do të jetë si dielli, për një tjetër si hëna, si yjet apo si një llambë. Për një tjetër kjo dritë do të jetë vetëm në majat e gishtërinjve të tyre të këmbëve, do të shndërrijë, pastaj do të shuhet. Ashtu si ka qenë drita e tij në këtë botë, atij do t’i jepet kur të kalojë Urën (Siratin). Faktikisht është po e njëjta dritë që i është shfaqur atij më parë. Megjithatë ashtu si hipokriti nuk ka dritë të vërtetë në këtë botë, ose ka vetëm një dritë të jashtme, por jo të brendshme, atij do t’i jepet (atë ditë) një dritë e jashtme që do të zhduket në errësirë dhe do të humbasë.

Për këtë dritë – vendndodhjen e saj, mbajtësen dhe atë që e ndez atë – Zoti ka sjellë shembullin e kandilit, që është si zemra. Në këtë kandil ndodhet një glob prej qelqi si një yll flakërues në bardhësi dhe pastërti – një ngjasim me zemrën, e krahasuar me qelqin, duke qenë se ai ka cilësitë e zemrës së besimtarit: qartësinë, përsosmërinë dhe vendosmërinë. Nga qartësia e saj (besimtari) sheh të vërtetën dhe drejtimin; nga përsosmëria e saj ai përfton mirësinë dhe mëshirën; nga vendosmëria e saj ai lufton armiqtë e Zotit dhe është i vendosur t’u bëjë ballë atyre dhe të përkrahë të vërtetën.

Asnjëra prej këtyre cilësive nuk e mohon njëra-tjetrën apo ta kundërshtojë atë. Ato forcojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. “Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete” (48:29). “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do largoheshin prej teje” (3:159). “O Pejgamber, luftoji jobesimtarët dhe hipokritët dhe sillu rreptë ndaj tyre – vendi i tyre është xhehennemi që është përfundimi më i keq”. (9:73) Sipas një thënieje të trashëguar: “Zemrat janë enët e Zotit në tokë dhe më të dashurit për Të janë më të mirët, më të vendosurit dhe më të qartët prej tyre”. (Hakim Tirmidhiu. Gjendet gjithashtu dhe tek Kitab al-Zuhd i Ahmed ibn Hanbelit, dhe Isfahani me formulimin “Zoti, i bekuar qoftë Ai, ka enë në tokë…”.

Ndryshe nga kjo zemër, ka dy lloje të tjera të qortueshme. Njëra është zemra që është e fortë si gur, pa dhembshuri, bujari apo mirësi sociale; që i mungon gjithashtu pastërtia me të cilën mund të shihet Zoti – një zemër ku mbizotëron padija, që nuk ka dije për të vërtetën dhe as dhembshuri për krijesat.

Lloji tjetër është zemra që është aq e dobët sa uji. Asaj i mungon forca dhe qëndrueshmëria, ajo pranon çdo ide, por i mungon fuqia të zbatojë atë që pranon. Asaj i mungon fuqia për të ndikuar tek të tjerët, por vetë preket nga gjithçka me të cilën ndeshet – qoftë e fortë apo e dobët, e shëndetshme apo e prishur.

Brenda qelqit ndodhet një kandil që mban dritën. Për ta ndezur këtë dritë përdoret vaj nga pema e ullirit (që rritet) në një vend ku e kap dielli në fillim dhe në fund të ditës, duke e bërë vajin e saj më të pastrin dhe më pak të patejdukshmin – aq të pastër saqë pothuajse shkëlqen vetë, pa zjarr.

Kjo është ajo që e ndez dritën e kandilit dhe ky është ndezësi i dritës në zemrat e besimtarëve, që vjen nga pema e shpalljes, më e bekuara dhe më larg ekstremeve. Faktikisht është gjëja më themelore, më e ekuilibruar dhe më e shkëlqyer. Ajo nuk arrin as ekstremin e të krishterëve as të hebrenjve, por kërkon një rrugë të mesme në të gjitha gjërat. I tillë është ndezësi i Dritës së Besimit që digjet në zemrën e besimtarit.

Për arsye se ky vaj është kaq i kthjellët sa pothuajse shndrin në vetvete, kur përzihet me zjarrin bëhet më e fortë, substanca e saj forcohet dhe bëhet dritë mbi dritë. Në mënyrë të ngjashme zemra e besimtarit ndriçohet, saqë ai pothuajse mund ta njohë Zotin vetëm me anë të natyrë së tij që i ka dhënë Zoti (fitras) dhe nga zgjuarsia e tij, pa pasur nxitës tjetër. Pastaj shpallja shkon tek ai, i jep zemrës lajme të mira dhe bashkohet me ndriçimin e tij. Drita e shpalljes i shtohet dritës së natyrës së tij të pastër të dhënë nga Zoti dhe të dyja kombinohen për t’u bërë ‘dritë mbi dritë’.

Ai ishte pothuajse i gatshëm të flasë për Zotin pa dëgjuar ndonjëherë për Të. Kur dëgjon fjalë, të cilat natyra e tij i kishte perceptuar, ajo bëhet ‘dritë mbi dritë’. I tillë është rasti i besimtarit, i cili në fillim e përjeton të vërtetën në mënyrë të përgjithshme me anë të natyrës së tij të dhënë nga Zoti dhe pastaj dëgjon fjalët e transmetuara (nga profeti) që shpjegojnë hollësitë. Si rrjedhim besimi i tij bazohet në dëshminë e shpalljes dhe dëshminë e natyrës së tij të dhënë nga Zoti.

Njerëzit që mendojnë, lë të meditojnë për këtë ajet të madh dhe si mund të vihet në zbatim, sipas këtij kuptimi fisnik. Zoti e përmend dritën e Tij në qiell dhe në tokë dhe dritën e Tij në zemrat e robërve të Tij besimtarë. Drita e intelektit ndriçon vizionet e brendshme dhe zemrat. Drita fizike e perceptuar nga aftësia e shikimit, ndriçon rajonet e larta dhe të ulëta të botës: dy drita sublime, njëra me sublime se tjetra. Kur drita fizike i mungon një vendi, asnjë njeri apo kafshë nuk mund të jetojë atje. Jeta e kafshëve lind vetëm aty ku ka dritë. Ajo nuk mund të lulëzojë në vende të errëta ku nuk ka dritë. Kështu një njeri për të cilin drita e shpalljes dhe besimit është zhdukur dhe një zemër në të cilën nuk ekziston kjo dritë, mund të jetë e vdekur dhe jo më e gjallë se vendi më i pajetë në tokë.

Në fjalët e tij Zoti e lidh jetën me dritën: “Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë”. (6:122) Ose në fjalët e Tij: “Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kur’ani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë”. (42:52)

Për ajetin e dytë është thënë se përemri “atë” i referohet urdhrit ose besimit, po leximi i saktë është se i referohet shpirtit. Si rrjedhim ‘Ne e bëmë atë shpirt me të cilin të dhamë ty dritën’. Me fjalë të tjera ne themi shpirt kur bëhet fjalë për jetën dhe dritë kur bashkohen bashkë rrezatimi dhe ndriçimi. Por të dyja janë të pandashme. Nëse jeta ekziston me anë të një Shpirti, po kështu edhe drita; dhe ku ka dritë ka dritë gjithashtu. Prandaj zemra e atij që nuk e pranon këtë shpirt është e vdekur dhe e zhytur në errësirë, është po aq e vdekur si e atij njeriu zemra e të cilit është ndarë nga trupi i tij.

Përktheu Erblina Kërçishta

Last modified: 05/05/2022
Close