Ahmed Didat

NUK PRETENDOI TË ISHTE HYJNI

 

Nëse kjo është shpallje e së Vërtetës prej të Gjithëdijshmit, “Unë nuk u kam thënë atyre tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “ADHURONI PERËNDINË, ZOTIN TIM DHE ZOTIN TUAJ!””, atëherë si do ta justifikojnë të krishterët adhurimin ndaj Jezusit (p.q.m.t.)?

Nuk gjendet as edhe një shpallje e qartë në Bibël, në të 66 librat e versioneve protestante apo në 73 librat e versioneve katolike, ku Jezusi (p.q.m.t.) të shpallë veten Zot ose të thotë: “adhuromëni mua!” Asgjëkundi nuk thuhet se ai dhe Zoti i Plotfuqishëm janë një dhe i njëjti person.

Shprehja e fundit që sapo përmendëm, “një dhe i njëjti person”, e gëzon pa masë “ungjilltarin e flaktë” dhe “shamataxhiun e Biblës”, pa përjashtuar as doktorin apo profesorin e teologjisë. Edhe të kthyerit e rinj në Krishterim i kanë mësuar përmendsh këto vargje. Ata janë programuar si papagej të llomotisin me një frymë dhe jashtë kontekstit, vargjet, tek të cilat mund të varin besimin e tyre. Fjalët “JANË NJË” venë në punë memorien. “Po,” – thonë trinitarianët, adhuruesit e tre zotërve në një Zot dhe një Zoti në tre zotër, – “Jezusi u vetëquajt, Zot!” Ku?

NË TRYEZË ME PRIFTIN

Kisha ftuar për drekë të nderuarin Atë Morris, doktor në teologji, dhe bashkëshorten e tij në “Golden Peacock”. Ndërsa ishim në tryezë, gjatë shkëmbimit të njohurive, m’u dha mundësia ta pyes: “Ku?” Dhe ai, pa ngurrim, citoi: “UNË DHE ATI JEMI NJË” – që të nënkuptonte se Zoti dhe Jezusi janë një dhe i njëjti Person; se Jezusi këtu deklaron se është Zot. Verseti i cituar ishte mjaft i njohur për mua, por ai po citohej jashtë kontekstit. Ai nuk bart kuptimin që doktori po përfytyronte; kështu, unë e pyeta atë sërish: “Cili është konteksti?”

KONTEKSTI QË TË ZË FRYMËN

Prifti u ndal së ngrëni dhe filloi të më shikonte duke m’i ngulur sytë. “Nuk e dini kontekstin?” e pyeta dhe shtova: “Shikoni, ajo që cituat është teksti, unë dëshiroj të dëgjoj kontekstin, tekstin shoqërues para ose pas tij”. Kisha përpara vetes një anglishtfolës (kanadez), një shërbëtor me pagesë të Kishës Presbiteriane, një doktor në teologji, dhe dukej sikur po përpiqesha t’i mësoja atij anglishten. Sigurisht që ai e dinte kuptimin e fjalës “kontekst”, por si pjesa më e madhe e bashkëkombasve të tij, edhe ai nuk e kishte studjuar kontekstin, në të cilin Jezusi (p.q.m.t.) i kishte shqiptuar ato fjalë.

Në 40 vitet e përvojës sime, ky tekst më është hedhur para syve me qindra herë, por asnjë i krishterë i mësuar nuk është përpjekur ndonjëherë të më sqarojë apo të marrë me mend kuptimin e tij të vërtetë. Ata gjithmonë fillojnë të kërkojnë Biblat në çanta apo xhepa. Doktori nuk e kishte një të tillë me vete. Kur nisin të shfletojnë Biblat e tyre, unë i ndal që në fillim: “A e dini me siguri se ç’po citoni?” “A e njihni mirë Biblën tuaj?” Unë shpresoj që ndonjë i krishterë “i rilindur”, pasi të lexojë këto radhë, ta korrigjojë këtë të metë, por nuk ma ha mendja se lexuesit e mi myslimanë do të takojnë ndonjëherë në jetë të tyre ndonjërin që t’u citojë drejtpërdrejt kontekstin.[1]

CILI ËSHTË KONTEKSTI?

Nuk ishte e denjë për priftin të dështonte në dhënien e kontekstit e më pas të më pyeste mua: “A e njihni ju kontekstin?” “Sigurisht,” i thashë unë. “Atëherë, cili është ai?” – më pyeti miku im i ditur. Unë i thashë: “Ajo që cituat ju pak më parë ndodhet tek Gjoni, kapitulli 10, vargu 30. Për të kuptuar kontekstin, duhet të fillojmë të lexojmë që prej vargut 23, në të cilin thuhet:

23 – Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Solomonit.

Gjoni, apo cilido që e ka shkruar këtë ngjarje, nuk na tregon arsyen e tundimit të djallit prej Jezusit, duke ecur i vetëm në strofkën e luanit, sepse ne nuk shpresojmë që çifutët do ta linin t’u shkiste prej duarve një rast kaq i shkëlqyer për t’u hakmarrë kundër Jezusit. Ndoshta, ai ishte i inkurajuar nga mënyra me të cilën, i vetëm, i kishte fshikulluar me kamzhik hebrenjtë dhe ua kishte përmbysur tryezat këmbyesve të monedhave, në fillimet e predikimeve të tij.(Gjoni 2:15)

24 – E rrethuan pra Judenjtë dhe i thanë: Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti na e thuaj haptaz.

Ata e rrethuan atë. Duke drejtuar gishtat në fytyrën e tij, filluan ta akuzojnë dhe provokojnë duke i thënë se ai s’ua kishte bërë tepër të qartë atë që pretendonte; se ai po u fliste në një mënyrë të paqartë. Ata po përpiqeshin ta çonin veten në një valë tërbimi për ta sulmuar atë. Në fakt, gjëja që në të vërtetë ata nuk e pëlqenin ishte mënyra e tij e predikimit, të sharat e tij, mënyra me të cilën kundërshtoi ceremonializmin dhe dhënien e tyre mbas formalizmit, larg frymës së ligjit dhe larg asaj që ishte shpirtërore. Mirëpo Jezusi (p.q.m.t.) nuk rrezikoi që t’i ngacmonte më tej – ata ishin shumë dhe ishin gati për ta sulmuar. Pjekuria është cilësia më e vyer e trimërisë. Në një frymë pajtimi, mjaft të përshtatshme për momentin, ai u thotë:

25 – Jezusi iu përgjigj atyre: Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.

26 – Por ju nuk më besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.

Jezusi (p.q.m.t.) hodhi poshtë akuzën e rreme të armiqve të tij se ai, gjoja, nuk ua kishte bërë fort të qartë se ishte Mesia që ata po prisnin. Ai u thotë se ua kishte treguar mjaft qartë, por ata ende nuk po e dëgjonin atë.

27 – Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

28 – dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do T’I RRËMBEJË NGA DORA ime.

29 – Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund T’I RRËMBEJË NGA DORA e Atit tim.

Si mundet, vallë, të jetë kaq i verbër njeriu, aq sa të mos shohë saktësinë e mbylljes së dy vargjeve të fundit? Por të verbuarit në zemër janë më tepër indiferentë e moskokëçarës se ata me mangësi fiziologjike (psh. të verbër në sy). Ai po u tregon çifutëve dhe po ua kujton edhe brezave pasardhës, pozitën ndërmjet Atit dhe birit. Ja edhe vargu vendimtar:

30 – Unë dhe Ati jemi një.

Një, në çfarë? Në Gjithëdijen e tyre? Në Qenien e tyre? Apo në Fuqinë e tyre? Jo! Janë një në qëllim! Pasi besimtari përqafon fenë, i Dërguari i Zotit dhe Zoti i Plotfuqishëm synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë e tij në besim. Ky është qëllimi i Atit DHE i birit DHE i Shpirtit të Shenjtë DHE i çdo burri DHE i çdo gruaje me besim. Le të na e sqarojë vetë Gjoni llomotitjen e tij gnostiko-mistike:

“Që të gjithë të jenë një, ashtu si TI, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë NJË në ne…

Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në UNITET…”

(Gjoni 17:21–23)

Nëse Jezusi (p.q.m.t.) është “NJË” me Zotin dhe nëse kjo “NJËSHMËRI” e bën atë Zot, atëherë tradhëtari Juda, mosbesuesi Thoma dhe satani Pjetër[2], si dhe nëntë të tjerët që e braktisën atë kur ai ua kishte më shumë nevojën, janë Zot(ër), sepse të njëjtën NJËSHMËRI me Zotin, të cilën ai e shpalli tek Gjoni 10:30, e pretendon tek Gjoni 17:21 për TË GJITHË dishepujt që “e lanë dhe ikën” (Marku 14:50). TË GJITHË ju, “o njerëz besimpakë” (Mateu 8:26), TË GJITHË ju, “O brez mosbesues dhe i çoroditur” (Luka 9:41). Ku dhe kur do të marrë fund blasfemia e krishterë? Shprehja “Unë dhe Ati jemi një” ishte mjaft e pafajshme dhe nuk nënkuptonte asgjë më shumë se një qëllim të përbashkët me Zotin, por çifutët donin me çdo kusht sherr dhe nuk u hyte në punë asnjë lloj justifikimi:

31 – Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.

32 – Jezusi iu përgjigj atyre: Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?

33 – Judenjtë iu përgjigjën duke thënë: Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi dhe sepse ti, duke qenë njeri e bën veten Perëndi.

Në vargun 24 më sipër, çifutët pohuan pa të drejtë se Jezusi po u fliste në një gjuhë me shumë kuptime. Kur kjo akuzë u hodh poshtë me zotësi, atëherë ata e akuzuan atë për blasfemi, që është si tradhëti në mbretërinë qiellore. Ata thanë se Jezusi e shpalli veten Zot – “Unë dhe Ati jemi një”. Të krishterët janë në një mendje me çifutët në atë se Jezusi (p.q.m.t.) e deklaroi vërtet një pretendim të tillë; por dallojnë në atë se të krishterët nuk e shohin këtë shprehje si blasfemi, por thonë se Jezusi ishte Zot dhe ishte i autorizuar për pohimin e natyrës së vet hyjnore.

Të krishterët dhe çifutët janë në një mendje se deklarata është serioze. Për njërën palë, ky është justifikimi më i mirë për “shëlbimin” apo “faljen e mëkateve”, ndërsa për palën tjetër, kjo deklaratë është sebepi më i mirë për ta “hequr qafe” atë. Mes të dy grupeve, Jezusit i mbetej vetëm të vdiste. Mirëpo Jezusi nuk pranoi të bashkëpunojë në këtë lojë të fëlliqur:

34 – Jezusi iu përgjigj atyre: A nuk është shkruar në ligjin tuaj: “Unë thashë: Ju jeni perëndi?”

35 – Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë,

36 – ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë blasfemon, sepse ka thënë: “Unë jam Biri i Perëndisë”?

PSE “LIGJI JUAJ”?

Ai po përdor pak sarkazëm në vargun 34, por sido qoftë, pse thotë: “Ligji Juaj”? A nuk ishte ai edhe ligji i tij? A nuk tha ai:

MOS MENDONI SE UNË ERDHA PËR TË SHFUQIZUAR LIGJIN OSE PROFETËT; UNË NUK ERDHA PËR T’I SHFUQIZUAR, PO PËR T’I PLOTËSUAR.

SEPSE NË TË VËRTETË JU THEM: DERISA QIELLI DHE TOKA TË KALOJNË, ASNJË JOTË[3] OSE ASNJË PIKË E LIGJIT NUK DO TË KALOJNË PARA SE TË PLOTËSOHET GJITHÇKA. (Mateu 5:17-18).

JU JENI PERËNDI

“Ju jeni perëndi:” Është e qartë se ai po citon Psalmi e 82-të (verseti 6): “Unë kam thënë: JU JENI PERËNDI, jeni të gjithë bijtë e të Shumë Lartit.”

Jezusi vazhdon: “Nëse ai (Perëndia) i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (që do të thotë se profetët e Perëndisë u quajtën “PERËNDI”) dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë (me fjalë të tjera: JU NUK MUNDENI TË MË KUNDËRSHTONI MUA!).” Jezusi e njeh Shkrimin e tij; ai flet me kompetencë; dhe ai arsyeton e u thotë armiqve të tij se “nëse njerëzit e mirë, njerëzit e shenjtë, profetët e Perëndisë janë quajtur “PERËNDI” në Librat tanë të shenjtë, në të cilat ju nuk shihni të meta, atëherë përse po bëni përjashtim për mua? I vetmi pretendim që po unë ngre për veten time, d.m.th. “bir i Perëndisë”, është shumë më i ulët në gjuhën tonë, përkundrejt asaj që të tjerë u quajtën “PERËNDI” nga vetë Perëndia. Edhe nëse unë (Jezusi) do ta kisha përshkruar veten si “zot” në gjuhën tonë, sipas traditës hebraike, ju nuk do të mund të gjenit ndonjë faj në mua.” Kjo është ajo që thotë konteksti i Shkrimit të krishterë. Unë nuk po bëj interpretime personale dhe nuk po zbuloj ndonjë kuptim ekzoterik të fjalëve!

 

 Përktheu: Edvin Cami

[1] Pse nuk i mësoni përmendsh edhe këto versete (Gjoni 10:23-26), bashkë me vargjet e këshilluara më parë? Shkruajini ato në kartona të vegjël xhepi dhe mos i hidhni para se t’i keni fiksuar në mendje! Pa këto mjete, vështirë se do t’ju ecë ndonjëherë.

[2] Pjetri: “Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: Shporru prej meje, o satan! Ti je një skandal për mua, sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, por punët e njerëzve.” Mateu 16:23

[3] “JOTË”: është shkronja më e vogël e alfabetit hebraik. Krahasimi ka kuptimin se as hollësia më e vogël e Ligjit s’mund të shfuqizohet e të hidhet tej.

Last modified: 07/01/2021
Close