Atë Raymond Brown

Fragment i shkëputur nga libri i Atë Raymon Brown me titull: “An Introduction to New Testament Christology”, Paulist Pres, New York 1994

Kjo qasje dallon nga ajo e liberalizmit jo akademik në shumë mënyra. Ajo pranon se Dhjata e Re është e mbushur me pasazhe kristologjike nga fillimi deri në fund dhe mbështetësit e kësaj qasje besojnë se Jezusi ka qenë më shumë se thjesht një mësues etike apo reformator social. Megjithëkëtë, siç nënkuptohet edhe nga termi “liberalizëm”, ajo nuk pranon se vlerësimet e kristologjisë së lartë (high christology) për Jezusin, që gjenden në Dhjatën e Re, janë në vazhdimësi me vlerësimin e tij për veten. Shkurt, vlerësimet e kristologjisë së lartë për Jezusin janë parë si të gabuara1. Për të mbrojtur këtë mendim, teologët e liberalizmit akademik kanë gjurmuar procesin “krijues” në kristologjinë e Dhjatës së Re, me një metodologji shumë të kujdesshme. Prej tyre kemi marrë skemat e para të detajuara të zhvillimit të mendimit në Dhjatën e Re. Ata theksonin mundësinë për të gjurmuar zhvillimin e këndvështrimeve të ndryshme teologjike që nga bashkësia hebre-folëse2 në Palestinën e judeo-krishterimit (jewish christian), tek ajo e të judeo-krishterëve (jewsh christian) greqisht-folës në Siri, për tek  bashkësitë greqisht-folëse të krishterëve xhentil (Gentil Christian) në Azinë e Vogël dhe Greqi, së fundmi tek bashkësitë e ndikuara nga gjenialitete individuale si ato të Palit dhe Gjonit. Që nga fundi i shekullit të 19 e.s. shkollarët mendonin se zotëronin të dhënat e mjaftueshme historike dhe gjuhësore për të përcaktuar me saktësi të mjaftueshme si fazat individuale të zhvillimit të mendimit të krishterë ashtu edhe ato të terminologjisë së përdorur në çdo fazë për të përshkruar Jezusin.3

Për më tepër, ajo ishte koha e entuziazmit të madh për disiplinën e krahasimit të feve. Interpretuesit e Dhjatës së Re, me qasje liberale pohonin se mund të gjenin në mitologjinë religjioze të Greqisë dhe Romës terminologjinë kyç dhe simbolikën e aplikuar për Jezusin, si psh. në mitin e vjetër të Zeusit që ishte martuar me një grua dhe kishte lindur një djalë hyjnor mund të gjendej shpjegimi i paraqitjes së Jezusit si biri i Perëndisë i konceptuar pa një baba njerëzor; apo në mitin e vdekjes dhe ringjalljes të bimësisë, shpjegimin për tezën e ringjalljes së Jezusit nga të vdekurit. Në pohim i zakonshëm i bërë në qarqet liberale në lidhje me zhvillimin e kristologjisë ka qenë ai sipas së cilit titujt si Zot (Lord) dhe Biri i Perëndisë i janë veshur Jezusit në kuptimin hyjnor vetëm në misionin e krishterë drejtuar xhentilëve greqisht-folës. Sipas tyre këto emërtime, ose nuk kishin ekzistuar në fazën e hershme të judeo-krishterimit (Jewish Christianity), ose kanë qenë të pranishëm, por kanë qenë përdorur në një kuptim më modest, në kuptimin e zotërisë dhe Mesias (mbretit të vajosur)4. Ky spekulim të jipte idenë e një zhvillimi linear drejt një “kriptologjie të lartë”, d.m.th. drejt një kristologjie që gradualisht gjithnjë e më shumë kishte përdorur tituj për Jezusin që të kujtonin hyjnoren. Ky zhvillim linear kishte lëvizur nga bota hebraike në atë helene, duke nisur nga shekulli i parë drejt periudhave të mëvonshme. Shpikja e kristologjisë së lartë shpesh është trajtuar si një felix culpa, për arsye se mendohej se vetëm përmes këtij hyjnizimi mund të ruheshin kujtimet e Jezusit. Jezusi historik ishte, në fakt, një predikues me kërkesa të forta morale që sfidoi institucionet religjioze dhe idetë e gënjeshtërta të kohës së tij. Idealet dhe idetë mendjemprehta të tij nuk humbën për arsye se bashkësia i veshi kujtimit të tij një kristologji që e shndërroi atë në Birin e njeriut hyjnor, Zotëri (Lord) dhe gjykatës të botës, pra në një Perëndi. Pa këtë zmadhim ai dhe mesazhi i tij do të ishin harruar. Ndonëse në shekujt e parë kjo lloj kristologjie ishe e nevojshme për të mbajtur gjallë kujtimin e tij, në gjykimin e shumicës së shkollarëve liberal në ditët tona ajo nuk është më e nevojshme. Sipërmarrja e sotme akademike, pohohej, mund ta përcaktojë me siguri Jezusin historik dhe të mbështetet në të pa ndjerë nevojën për zbukurimet dhe stërzmadhimet e kristologjisë. Shkolla të ndryshme të liberalizmit janë shfaqur gjatë shekullit të 20: si psh., në fillim të viteve 1990 e.r.s. shkrimet e J.D. Crossan dhe B. Mack (shih faqe 216 e mëposhtë), të cilët pëdorën ungjijtë apokrif apo burimin Q për të argumentuar se paraqitjet kristologjike të ungjijve kanonik janë gjerësisht fiktive.

[*]Atë Raymond Brown është Distinguished Professor Emeritus of Biblical Studies në Union Theological Semminary (N.Y.C.). Ai konsiderohet si një prej figurave qendrore ndërmjet shkollarëve të Dhjatës së Re. Gjatë jetës së tij ka marrë mëse tridhjetë “honorary degrees” nga universitetet katolike dhe protestante nga e gjithë bota, gjithashtu, ai është zgjedhur si (Corresponding) Fellow of the British Academy dhe anëtar i Akademisë Amerikanë të arteve dhe shkencave. Autor i mëse tridhjetë e pesë librave në lidhje me Biblën, po ashtu ka qenë i vetmi amerikan që është zgjedhur nga dy papë si anëtarë i Komisionit biblik papnor.

Referencë

[1] Diku mes liberalizmit jo akademik dhe atij akademik qëndron edhe mendimi i atyre që kanë lexuar veprat e teologëve liberal (dobësinë e të cilëve ata nuk e shohin mjaftueshëm me sy kritik), por që këndvështrimi i tyre për Jezusin është më shumë i përcaktuar nga reagimi ndaj fundamentalizmit mbytës në të cilin ata janë rritur. Unë vendos në këtë kategori, psh., peshkopin J.S. Spong. Në librin e tij Born of a Woman (San Francisco: Harper, 1992), 36-40, ai e paraqet Jezusin jo si një qenie hyjnore, por një qenie njerëzore e pajisur me dhunti, e përulur, bujare, dhe vetsakrifikuese, shokët e të cilit nuk e njihnin atë si Mesiah. Sidoqoftë ato përjetuan eksperiencën e Pashkës apo realizmin e brendshëm gjë që i mundësoi atyre të shihnin modelin e varësisë së plotë ndaj Perëndisë në Jezu Krishtin, kështuqë jeta e tij reflektonte jetën e Perëndisë. Në librin tim The Birth of Messiah fq. 704 kam shprehur këtë mendim: “Mendoj se asnjë autor i Dhjatës së Re nuk do ta shihte Jezusin e paraqitur nga Spong-u si figurën që ai ka menduar dhe shkruar në veprën e tij”

[2] Zakonisht mendohet se kanë qenë aramaik-folës por mundësia që ata të kenë qenë edhe hebraisht-folës nuk duhet përjashtuar, disa judeo-krishterë mund të kenë folur të dyja gjuhët. Aramaikishtja ishte një gjuhë shumë e përhapur dhe me shumë dialekte, por aramaikishtja e folur në Palestinë ka qenë afër hebraishtes siç është italishtja me spanjishten.

[3] Trupëzimi klasik i metodës liberale dhe kristologjisë që ajo ka prodhuar është Kyrios Christos nga W. Bousset, i cili u shfaq në Gjermani në vitin 1930. Publikimi i veprës në gjuhën angleze nga shtëpia botuese [Nashville; Abingdon] në vitin 1970, dëshmonë për joshjen që shkakton ende kjo kristologji. Për më tepër konsulto edhe New Jerome Bible Commentary 70, §§ 39-41. Gjithsesi zhvillimet e shekullit 20 kanë përmbysur shumë nga hipotezat e shekullit të XIX, siç do të shohim më vonë.

[4] Futnota nr.2 sqaroi faktin se si fjala kyrios mund të ketë kuptimin e zotërisë ose Zotit. Sa i përket Birit të Perëndisë premtimi i profetit Natan bërë mbretit David se dinastia e tij do të zgjasë, bëri që Perëndia ti drejtohej atij: “Unë do të jem ati i tij dhe ai do të jetë biri im” (II Samuel 7:14). Gjithsesi teorikisht bir i Perëndisë mund të ketë qenë përcaktimi për çdo mbret të vajosur të shtëpisë së Davidit, pra edhe për Mesian, pa qenë e nevojshme ti veshës kësaj figure atribute hyjnore. Siç e kemi mësuar tashmë, gjithsesi, deduktimet e liberalëve të mbështetura në këto argumenta janë tepër të thjeshtëzuara. J.A. Fitzmyer në një seri artikujsh (shih gjithashtu edhe New Jerome Bible Commentary 82§§ 52-54) ka argumentuar bindshëm se fjala “Zotëri” (Lord) si një titull lartësues e ka origjinën së paku në bashkësinë e hershme të krishterë në Jeruzalem, pra më herët se bashkësitë greqisht-folëse të krishtera dhe jo shumë larg nga jeta e Jezusit. Shih këtë futnotë për termin “Bir i Perëndisë“.


Përktheu: Rezart Beka

Tags: , , Last modified: 07/01/2021
Close