Anthony F. Buzzard & Charles F. Hunting

Fragment i shkëputur nga libri ‘The doctrine of Trinity’, me autor Anthony F. Buzzard dhe Charles F. Hunting, International Scholars Publication,Oxford 1998

Në vitin 1999 një vepër brilante që trajtonte problemin trinitar, u publikua në Gjermani (Karl-Heinz Ohlig’s Ein Gott in drei Personen? Vom Vater Jesu zum “Mysterium” der Trinität [Një Zot në tre persona? Prej Atit të Jezusit drejt misterit të trinitetit])”. Në këtë vepër autori paraqet dobësinë e lidhjes së Biblës me doktrinën e trinitetit. Autori pohon se dogma e trinitetit prej shumë kohësh ka mbajtur larg krishterimit si hebrenjtë ashtu edhe myslimanët. Ohlig-u theu një tabu që zgjaste prej shumë kohësh. Ai nuk pranoi të strehoj tek ligjërimi i mjegullt u cili mbështetet tek koncepti i “misterit” për të shpjeguar trinitetin. Ai në këtë vepër na ka pajisur me një informacion të ngjeshur por të bollshëm në lidhje me zhvillimin trintar. Ai ia vishte këto zhvillime imponimeve kulturore që kishin filluar të bëheshin ndaj kishës duke nisur nga shekulli i dytë. Ai shpreh pikëllim për humbjen e monoteizmit të mirëfilltë hebre e më pas argumenton se nëse Jezusi nuk ka qenë trinitar përse atëherë duhet të jenë ndjekësit e tij? Për më tepër, meqenëse triniteti nuk e mori formën e tij përfundimtare deri në shekullin e pestë, duke pasur parasysh edhe se doktrina e tre personave të përhershëm nuk ka qenë e pranishme në shekullin e dytë, lind pyetja: cilën fazë të zhvillimit trinitar duhet ta konsiderojmë si të detyrueshme për tu ndjekur nga të krishterët? Ohlig-u pohon se do të ishte historikisht dhe teologjikisht e paligjshme dhe e padrejtë ta bëje doktrinën e trinitetit normative për besimtarët.

Nga këndvështrimi teologjik, triniteti lindi si një sinkretizëm i Judaizmit dhe Krishterimit me helenizmin, me pasojë kombinimin e monoteizmit judeo-krishterë me monizmin helen [besimi në një Zot]… Ky fakt ngre pikëpyetje teologjike rreth legjitimitetit të një doktrine të tillë. Kur është e qartë, e nuk ka dyshim për këtë, se Jezusi ka njohur vetëm Zotin e Izraelit, të cilin ai e quante Atë, e nuk e ka njohur veten e tij si “i njëjtë me Perëndinë”, me çfarë të drejte ne e quajmë doktrinën e trinitetit si normative dhe të detyrueshme për çdo të krishterë?…Gjithsesi ne i kemi shpjeguar e interpretuar fazat e ndryshme përmes të cilave ka kaluar kjo doktrinë. Është e qartë se triniteti, i cili u shndërrua në një “dogmë”, në lindje dhe perëndim, nuk mbështetet mbi baza biblike dhe nuk e ka origjinën ne Dhjatën e Re…gradualisht teologët duhet të përballen me këtë fakt[1]

Kjo vërejtje e Ohlig-ut mbështet në mënyrë të fuqishme argumentimet e një tjetër profesori të mirënjohur të historisë së kësaj doktrine i cili shkruante: “Apologjetët hodhën bazat për pervertimin/korruptimin (Verkehrung) e krishterimit në një mësim të shpallur filozofik. Mësimet e tyre ndikuan në zhvillimet e mëvonshme kristologjike në mënyrë shkatërrimtare. Duke marrë për të mirëqenë kalimin nga koncepti i Birit të Perëndisë në atë të Krishtit para-ekzistues, ata i hapën rrugën të gjithë problemeve dhe polemikave të shekullit të katërt. Në këtë mënyrë ata  shkaktuan një zhvendosje në pikënisjen kristologjike, nga Jezusi historik tek çështja e para-ekzistencës. Në këtë mënyrë ata e zhvendosën vëmendjen larg nga Jezusi historik, duke e lënë atë në hije, për të promovuar në këtë mënyrë konceptin e mishërimit. Ata e lidhën kristologjinë me kozmologjinë dhe nuk mund ta lidhnin me sotereologjinë. Mësimi për Logosin nuk përfaqëson një kristologji më të lartë se ajo e zakonshmja. Ajo në të vërtetë është shumë larg një vlerësimi të vërtetë për Krishtin. Sipas mësimeve të tyre nuk është më Perëndia  Ai i cili e shfaqi veten e tij në Krishtin, por Logosi, një Zot më i ulët. Një Zot që duke qenë Zot i nënshtrohet një Zoti më të lartë (inferiorizmi ose subordinarizmi). Për më tepër lënia në hije e ideve të ekonomisë-trinitare për konceptet metafizike-pluraliste të triadës hyjnore i ka gjurmët e saj tek apologjetët e krishterë2.

Përktheu: Rezart Beka

[*]Dr John Arthur Thomas Robinson ka lindur në vitin 1919 në Cantebury të Anglisë dhe është ndarë nga jeta në 5 Dhjetor 1983.  Ai ka qenë një prej shkollarëve të njohur të Dhjatës së Re, autor i shumë librave dhe Peshkop Anglikan në Woolwich të Anglisë. Ka mbajtur leksione në Trinity College të Kembrixhit dhe më pas ka qenë dekan i këtij kolegji deri në fund të jetës së tij. Dr Robinson është konsideruar si një prej njerëzve më me ndikim në modelimin e teologjisë liberale të krishterë

Referenca

[1] Ein Gott drei Personen? Mainz: Matthias Grüneëald-Verlag, 1999, 123-125, përkthimi është i joni

[2] Friedrich Loofs. Leitfaden zum Studium der Dogmengeschichte (Manual për studimin e historisë së dogmës), Halle-Saale: Max Niemeyer Verlag, 1951, pjesa e I, seksioni 18: Christianity as a Revealed Philosophy. The Greek Apologist, 97, përkthimi është i yni.

Last modified: 03/01/2021
Close