Krister Stendahl
Parimet bazë për të shqyrtuar traditat e të tjerëve dhe ithtarët e tyre janë të thjeshta: “Krahaso të ngjashmen me të ngjashmen dhe lejoi të tjerët të përcaktojnë vetveten“.
Rregulla e parë është e qartë. Megjithëkëtë apologjetët, nga ana jonë, e kanë parë si shumë joshëse që të krahasojnë traditën tonë, në formën e saj ideale, me formën aktuale, deri edhe me atë të keqen të të tjerëve. P.sh. Krishterimi mund të lëvdoj vetveten duke pohuar se është religjioni i dashurisë dhe paqes kundrejt legalizmit hebre dhe islamit luftarak. Njësoj sikur historia e krishterimit të ketë qenë kaq e pashme dhe e dashur, apo sikur hebraizmi dhe Islami të mos e kenë njohur ndonjëherë dashurinë përdëllyese dhe manifestimin e Shalomit/Selamit.
Rregulla e dytë, na vë në gatishmëri kundër një tjetër rreziku, më të hollë se i pari, që haset zakonisht në rrëfimin religjioz. I referohem këtu shprehisë për ta përkufizuar fenë e tjetrit në atë mënyrë që të nxisë ndjenjën tënde të vlerës dhe superioritetit. Ose, në ato raste kur ka përpjekje për të vlerësuar pozitivisht tjetrin, duke nxjerrë ato elementë, që gjenden në religjionin tjetër, të cilat na duken më tërheqëse për arsye se janë më afër traditës tonë. Në këtë mënyrë, shpesh, ne të krishterët priremi për të ndërtuar një formë të krishterizuar të traditës së tjetrit, duke i kushtuar pak vëmendje mënyrës se si tjetri sheh dhe percepton, apo se çfarë është qëndrore për traditën e tij dhe çfarë është periferike për ithtarët e saj.
Është e rëndësishme të kuptojmë se kjo shprehi, paçka qëllimit të saj të mirë, është një shtrembërim i bërë me duart tona. Për arsye se ai sugjeron që ne mund të jemi pozitiv ndaj një tjetër tradite fetare vetëm duke njohur tek të tjerët atë që na pëlqen tek vetja. Shfaqja e fundit e kësaj shprehie është termi “i krishterë anonim” për ithtarët e atyre feve që ne pëlqejmë-d.m.th. ne mund ta shprehim aprovimin tonë duke pohuar se ato janë si ne, ndonëse “anonim”. Për kontrast vlen të përmendim se ekuivalenti i këtij termi në Judaizëm është “xhentil i drejtë (righteous Gentiles)”, d.m.th. njohja e qartë se tjetri ndonëse nuk është si ne, gjithsesi, mund të jetë në rregull para syve të Zotit.
Por mua, këtu, nuk më kërkohet të krahasoj religjionet, por të paraqes këndvështrimin e krishterë në lidhje me Judaizmin dhe Islamin. Megjithëkëtë, unë nuk e shoh caktimin e kësaj detyre si një fakt që më lejon ta përjashtoj veten nga ligjet e krahasimit të feve. Përkundrazi, një këndvështrim i krishterë për Judaizmin dhe Islamin duhet që në mënyrë të vazhdueshme të korrigjohet përmes dëgjimit, dialogut, në të cilin ne mund të kuptojmë nëse e kemi kuptuar siç duhet apo keqkuptuar këndvështrimin e tjetrit. Nëse ne nuk do ti zbatojmë këto ligje do të jemi gjithnjë në rrezik për të thyer një urdhërim të vyeshëm: Mos dëshmo rrejshëm kundër fqinjit tënd.
Gjatë këtij procesi të vazhdueshëm shpesh bëhet e qartë se ka një asimetri të theksuar ndërmjet religjioneve, madje edhe ndërmjet “tre religjioneve të Librit”. P.sh. shpesh është thënë se një kuptim i duhur i Judaizmit është thelbësor për Krishterimin, por që një kuptim i tillë i krishterimit nuk është i thelbësor për judaizmin. Nga këndvështrimi i zhvillimit historik kjo mund të jetë e vërtetë, meqenëse krishterimi lindi dhe u rrit brenda Judaizmit dhe shkrimet hebraike u bënë pjesë e biblës së krishterë, ndërsa Judaizmi ka pasur integritetin zhvillues të tij të veçantë. Kur të krishterët hasin vështirësi me këtë asimetri, dhe me dëshirën e hebrenjve për tu lënë të qetë, ato duhet kujtuar se sa shumë ato (të krishterët) kanë neglizhuar këndvështrimet teologjike, fetare si dhe sfidën e Islamit.
Zhvillimet e modeleve të tilla në mendimin e krishterë në formën e tyre më popullore mbështeten në ndjenjën se ajo që është më e vonshme është më e mirë, Dhjata e Re është superiore ndaj asaj të vjetrës, etj…pa i lejuar islamit të drejtën për tu konsideruar religjioni më “i ri”. Ky model në të gjitha nivelet e tij dërgon në një prej prirjeve e cila ka pasur rezultatet më të tmerrshme në historinë njerëzore. Kam ndërmend këtu shprehinë për ta konsideruar tjetrin, në modelin tonë të shpëtimit, me një rol inferior, negativ, madje satanik. Sa i përket marrëdhënieve judeo-krishtere, kjo mund të shihet që në ungjillin e Gjonit, ku “hebrenjtë” janë shndërruar në një simbol për mosbesimin satanik. Duhet thënë se dhuna përfundimtare kudër tjetrit është kur i përdor të tjerët si simbole negative në sistemin tënd.
Është kundër kësaj shprehie mendjemadhësie ndaj së cilës Pali i paralajmëron të krishterët xhentil tek letra drejtuar Romakëve 11:11-36, duke sugjeruar një bashkëekzistencë misterioze ndërmjet Kishës dhe Izraelit krahë për krahë deri në ditën e shpëtimit ku shpëtimi i Izraelit sigurohet përmes vetë termave të tij, “sepse dhuntia dhe tirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme”
Mendimtari hebre Majmonidesi ka dhënë një tjetër “shembull të vlerësimit pozitiv të tjetrit” kur ai e shihte Islamin dhe Krishterimin si bartës së Torahut tek bota xhentile, d.m.th. mirënjohje e rolit të tjetrit.
Perspektiva historike nga e cila reflektimet e mëposhtme kanë dalë mund, gjithsesi, të mos jetë e vetmja apo perspektiva më autentike, për sa kohë ne lejojmë që të tjetër të përcaktojnë vetveten. Nga një perspektivë historike Islami “filloi” në shekullin e shtatë (e.r.s.). Por ky është një perceptim modern. Nëse nuk e kam kuptuar gabim, për Islamin Muhamedi nuk është autori i një feje por një profet i cili ishte pjesë e një vargu më të gjerë profetësh. Aty nuk gjendet vetëm rrënja e përbashkët e feve tona në figurën e Abrahamit, por islami është i nxjerrë nga përhershmëria, siç është krishterimi në logosin paraekzistent dhe judaizmi në fillim ku Zoti krijoi botën në modelin e ditëve të javës me pushimin në ditën e shtatë.
Nisur nga kjo perspektivë teologjike nuk është e lehtë të gjesh rendin e duhur për ti listuar të treja fetë. Nëse unë them “Judaizëm-Krishterim-Islam”, nënkuptoj këtu zhvillimin historik. Do të ishte e urtë ta vinim në dyshim këtë renditje kaq shumë të natyrshme për bashkësinë akademike dhe ato që ndikohen prej saj. Ndoshta mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke përdorur rendin alfabetik, i cili në gjuhën angleze na jep rendin e mëposhtëm “Krishterimi-Islami-Judaizmi”
Lërmëni ta mbyll këtë diskutim me tre vrojtime në lidhje me vlerën, ndoshta dhe për detyrimin e dialogut ndërmjet këtyre tre religjioneve.
Reflektimi i thelluar në lidhjen tonë të përbashkët në figurën e Abrahamit mund të hap rrugë të reja për ne. P.sh. si student i biblës së krishterë, kam mbetur i goditur nga mënyrë se si apostulli Pal i është kthyer pikërisht figurës së Abrahamit kur dëshironte të gjente rrënjë për misionin e tij tek xhentilët. Unë dëshiroj ta eksploroj këtë lidhje në një mënyrë të thelle tripalëshe, d.m.th. jo vetëm me Izraelin por gjithashtu edhe me Islamin.
Së dyti, unë jam në mënyrë të dhimbshme i ndërgjegjshëm për dhunën e vazhdueshme që ka lënduar historinë e krishterimit nëpër botë. Unë ndjej nevojën e hapjes së menjëhershme të një dialogu me Islamin dhe Judaizmin me temë: ” Çfarë burimesh gjenden brenda traditave tona që mund të shërbejnë si kundërpeshë ndaj asaj dhune fjalësh dhe veprash e cila mund ta ketë origjinën në atë sistem simbolesh ku shpëtimi është fitorja, kështu që duhet të ketë edhe të mundur”.
Së fundmi, ndoshta i duhet dhënë më shumë vëmendje transcendencës së limiteve të kohës dhe hapësirës dhe klasifikimeve të cilat pohohen nga mistikët, mistikë me të cilët të treja traditat tona janë bekuar…
[*] Kristel Stendahl është dekan i fakultetit Divinity School në Universitetin e Harvardit
Përktheu: Rezart Beka
Last modified: 14/01/2013