Muhammad Ghoniem & M S M Saifullah
A do të digjet Jezusi në zjarr? Jezusi është ngritur tek Allahu (4:158) i vendosur pranë tij (3:45), i adhuruar nga miliona të krishterë, në suren 21:98 thuhet, të gjithë ata që adhurohen nga njerëzit pos Allahut do të digjen në ferr bashkë me ata që i adhurojnë ata.
Sipas misionarëve kristianë:
Ju dhe ajo që adhuruat ju pos Allahut do të jeni lëndë e xhehenemit dhe keni për të hyrë në të. (21:98)
Logjika është e thjeshtë, Jezusi nuk është Zot (5:75), miliona të krishterë e adhurojnë atë madje dhe Kurani e pohon këtë (5:119), prandaj Jezusi do të jetë lëndë djegëse për zjarrin e xhehenemit (21:98) bashkë me të krishterë. Kjo kundërshton qartë ajetet për vendin e veçantë të Jezusit pranë Allahut. (3:45, 4:158).
Përgjigja
Ajo që është logjikisht e qartë është se misionarët e krishterë nuk kanë dhënë ndonjë mbështetje për deklaratën e tyre se ajeti 21:98 i referohet në të vërtetë Jezusit. Çështjet janë:
1. Çfarë thuhet në të vërtetë në ajetin 21:98?
2. Pse duhet të shkojë Jezusi në ferr?
3. Shqyrtimet gramatikore dhe tefsiri (komenti)
Çfarë thuhet në të vërtetë në ajetin 21:98?
Ajeti i plotë është “Ju dhe çfarë adhuruat ju pos Allahut do të jeni lëndë e xhehenemit dhe keni për të hyrë në të”. (21:98)
Në gjuhën arabe fjala ‘ma’ e përkthyer ‘çfarë’, në ajet përdoret për t’iu referuar sendeve/objekteve dhe shumë rrallë do të përdorej për njerëzit. Përndryshe do të përdorej një fjalë tjetër, ve men (kush, cili), e cila përdoret për njerëzit. Prandaj ky ajet nuk i referohet Jezusit. Ky ajet u referohet më tepër idhujve të adhuruar nga arabët paganë që jetuan në kohën e profetit Muhamed.
Pse duhet të shkojë Jezusi në ferr?
Është e vërtetë që shumë të krishterë e adhurojnë Jezusin dhe sipas Kuranit (21:98) kushdo që adhuron ndonjë hyjni përveç Zotit do të jetë lëndë djegëse e ferrit. Në këtë kontekst çfarë do t’i ndodhë Jezusit? Misionarët e krishterë pohojnë me të drejtë se Jezusi vlerësohet shumë në Islam:
Përkujto kur ëngjëjt i thanë: “Oj Merjeme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në dynja e ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit). (Kuran 3:45)
Për hir të debatit, çështja do të ishte: Çfarë të keqje bëri Jezusi për të cilën do të meritonte ferrin? A i urdhëroi ai të krishterët ta adhurojnë atë? Në myslimanët besojmë se jo:
“Dhe kur Allahu tha: “O Isa bir i Merjemes a ti u the njerëzve ‘Më besoni mua dhe nënën time dy zota pos Allahut!?” (Isai) Tha: “ Larg asaj të metë je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua të them atë që nuk është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë Ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua e unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave! Unë nuk u kam thënë tjetër atyre pos asaj që ti më urdhërove; ta adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe sa isha ndër ta kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!” (Kuran 5:116-117)
Zoti i Plotfuqishëm thotë:
Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi…. (Kuran 2: 286)
Dhe
Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm vetveten e tij, e kush e humb (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetvetes së vet, e askush nuk do të bartë barrën e tjetrit. E Ne nuk dënuam askënd para se t’ia dërgojmë të dërguarin. (17: 15)
Pra ashtu siç tregohet në ajetet 5:116-117 Jezusi do t’u kundërvihet atyre që e adhurojnë atë. Çdo njeri do të japë llogari për veprat e tij sepse profeti Muhamed i ka paralajmëruar të krishterët për gabimin e tyre por ata refuzuan ta ndjekin atë. (shih 17:15).
Shqyrtimet gramatikore dhe tefsiri
Duke iu kthyer çështjes së parë, ajeti 21:98 (ku thuhet se ajo që adhurohet përveç Zotit do të jetë lëndë djegëse e ferrit) u referohet objekteve/sendeve dhe jo njerëzve duke marrë parasysh arsyet e dukshme gramatikore. Për më tepër, ashtu siç u përmend dhe më parë Jezusi është i pafajshëm nga adhurimi i të krishterë dhe si rrjedhim nuk mund të japë llogari për keqdrejtimin kristian pas ngritjes së tij në qiell. Sigurisht Jezusi nderohet në Islam dhe nuk ka asnjë kundërshtim mes këtij fakti dhe keqdrejtimit kristian prej të cilit ai është krejtësisht i pafajshëm (sipas Kuranit gjithashtu).
Disa misionarë vazhdojnë më tej me këtë argument duke cituar biografi të ndryshme lidhur me shpalljen e ajetit 21:98. Ne e kemi rikontrolluar citimin nga as-Sirah an-Nebevija nga ibn Hisham ku lexojmë
Ibn Ishaq ka thënë:
Kam dëgjuar se i dërguari i Zotit u ul një ditë me Velid ibn Mugiren në xhami, dhe Nadir Ibn el-Harith erdhi e u ul me ta në mbledhjen ku ishin disa nga kurejshitët. I dërguari i Zotit filloi të fliste por Nadiri e ndërpreu. Atëherë apostulli i foli atij deri sa e qetësoi. Pastaj ai i lexoi atij dhe të tjerëve: “Me të vërtetë ju dhe ajo që adhuruat përveç Zotit do të jeni lëndë djegëse e xhehenemit dhe keni për të hyrë në të. Sikur të kishin qenë ata zota ju nuk do të hynit në të, por që të gjithë do të jenë në të përgjithmonë. Aty ata do të kenë rënkim dhe aty ata nuk dëgjojnë”.
Pastaj i dërguari i Zotit u largua dhe Abdulla Ibn al-Zibira as-Sahmi erdhi dhe u ul me ta. Velidi i tha: “Për Zotin Nadiri nuk mundi t’i kundërvihet nipit të Abdul Mutalibit tani dhe Muhamedi tha se ne dhe ato që ne adhurojmë nga perënditë tona jemi lëndë djegëse e ferrit”. Abdullah Ibn al-Zibira tha: “Nëse do ta kisha gjetur atë do ta kundërshtoja. Pyete Muhamedin: “A është gjithçka që adhurohet përveç Zotit në ferr bashkë me ata që e adhurojnë atë? Ne adhurojmë engjëjt; hebrenjtë adhurojnë Uzejrin, dhe të krishterët adhurojnë Jezusin djalin e Maries”. Velidi dhe personat e tjerë që ishin në mbledhje u çuditën nga fjalët e Abdullah Ibn al-Zibiras dhe kuptuan që kishte thënë diçka bindëse. Kur apostulli i Zotit dëgjoi për fjalët e tij tha: “Kushdo që kërkon të adhurohet përveç Allahut do të jetë me ata që e adhurojnë atë. Ata adhurojnë vetëm djajtë dhe atë që ata kanë urdhëruar të adhurohet”. Lidhur me këtë Zoti i Plotfuqishëm shpalli “Ata që kanë marrë mirësi prej nesh (profetët etj) në të kaluarën do të largohen nga ajo dhe nuk do ia dëgjojnë as tingullin dhe ata do të mbeten përjetësisht në dëshirën e zemrës së tyre”, d.m.th. Jezusi biri i Maries, Uzejri, rabinët dhe murgjit që kanë jetuar duke iu bindur Zotit, të cilët njerëzit mëkatarë i adhurojnë si zota përveç Zotit. Dhe Ai shpalli lidhur me pohimin e tyre se ata adhurojnë engjëjt dhe se ata janë bijat e Zotit “Dhe ata thonë se Mëshiruesi ka zgjedhur një djalë; jo por ata janë robër të nderuar, ata nuk flasin para se të flasë Ai dhe ata zbatojnë urdhrat e Tij”, si dhe fjalët “dhe ai nga ata që thotë unë jam Zot, atë ne do ta shpërblejmë me ferr. Kështu i shpërblejmë mëkatarët”. (1)
Në citimin e mësipërm paganët e Mekës e kuptuan se ajeti 21:98 lidhej në mënyrë specifike me ta si dhe me idhujt e tyre (Shih sesi ata e theksojnë këtë gjë “çfarë ne adhurojmë nga idhujt tanë- në Arabisht: mâ na’budu min ‘âlihatinâ hâdhihi). Këtu nuk kuptohet përmendja e njerëzve të hyjnizuar. Sidoqoftë pyetja e Abdullah Ibn al-Zibira, edhe pse ishte jashtë qëllimit real të ajetit, erdhi si lehtësim për ta veçanërisht pasi profeti Muhamed e kishte bërë të mos fliste njërin nga oratorët e tyre më të mirë Ibn an-Nadr. Kur profeti dëgjoi për kundërshtimin e Abdullahut ai i dha përgjigje pyetjes së tij specifike domethënë po për ata njerëz që adhurohen? Përgjigja ishte: vetëm nëse adhurimi ndaj tyre i kënaqte ata, atëherë ata do të kenë të njëjtin fat si adhuruesit e tyre, ferrin. Kjo shpëton Jezusin, Marien, engjëjt dhe ndonjë besimtar tjetër që është adhuruar kundër pëlqimit të tij.
Për më tepër shumë komentime të Kuranit nga Taberiu, Kurtubiu dhe Ibn Kethiri e përmendin këtë citim të Siras lidhur me pasazhin e mëposhtëm të Sures Ez- Zuhruf:
Kur iu përmend popullit tënd si shembull biri i Merjemes, ata brohoritën. Dhe thanë: “A janë më të mirë zotat tanë apo ai?” Ata nuk të thanë atë, vetëm si polemikë, por ata janë njerëz ngatërrestarë. Ai (Isai) ka qenë vetëm një rob, të cilin e bëmë pejgamber dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm si përvojë për bijtë e Israelit. Po sikur të duam Ne do të bënim prej jush engjëj që do t’ju zëvendësonin në tokë. E ai (Isai) është parashenjë e momentit (kiametit), pra kurrsesi mos dyshoni në të (në katastrofë) dhe ejani pas meje kjo është rrugë e drejtë”. (43:57-61)
Kurtubiu, ndërsa komentonte ajetin 43:57, ka thënë në tefsirin e tij: “Ibn Abasi ka thënë: Ky ajet i referohet diskutimit mes Abdullah Ibn al-Zibiras dhe profetit të Zotit në lidhje me Jezusin. Abdullah ibn al-Zibira është ai që dha shembullin (në ajet) kur ishte akoma pagan. Kjo ndodhi kur kurejshitët i thanë atij se Muhamedi ka thënë: “Ju dhe ajo që adhuruat ju pos Allahut do të jeni lëndë e xhehenemit dhe keni për të hyrë në të. (21:98). Ai tha: “Nëse do të kisha qenë këtu do t’i isha kundërpërgjigjur”. Ata e pyetën: “Çfarë do të thoshe?” Unë do të thosha: “Krishti adhurohet nga të krishterët dhe hebrenjtë adhurojnë Uzejrin. A do të jenë ata lëndë e xhehenemit?”. Kurejshitët u çuditën me fjalët e tij dhe kuptuan se kishte thënë diçka bindëse dhe ky është kuptimi i ‘ata brohoritën’. Prandaj Zoti shpalli: “E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana Jonë, do të jenë larg tij (xhehenemit). (21:101)
Nëse ibn al-Zibira do të mendonte për ajetin 21:98 ai nuk do të kishte kundërshtuar sepse aty përmendet ‘ju dhe çka adhuruat ju’ dhe jo ‘të cilët i adhuruat’ sepse ajeti flet për idhujt dhe gjërat e tjera dhe jo për Jezusin apo ëngjëjt edhe nëse ata adhurohen”(2).
Nga ky citim dallohen dy gjëra:
Së pari, shqyrtimet gramatikore që bëmë në fillim të artikullit sipas të cilave në ajetin 21:98 përshihen vetëm gjëra të pajeta. Kurtubiu ka këtë opinion kur komenton ajetin 43:57 dhe 21:98.
“Dijetarët thonë se Jezusi, Uzejri dhe ëngjëjt nuk nënkuptohen në ajetin 21:98 sepse ‘ma’ u referohet sendeve dhe jo njerëzve. Përndryshe do të ishte përdorur fjala ‘atë, kush etj ’(ue men) (3) .
As-Sabuni në Mukhastar Tefsir Ibn Kathir përmend gjithashtu këtë argument në shpjegimin e ajetit 43:58.
“Duke marrë parasysh fjalët e Tij hyjnore: “Ata nuk ta thanë atë vetëm si polemikë, por ata janë njerëz ngatërrestarë”, që do të thotë ata e thonë për hir të argumentit sepse e dinë që argumenti i tyre nuk është i zbatueshëm në këtë ajet, përderisa i referohet sendeve dhe kështu është në fjalën e Tij hyjnore “Ju dhe çka adhuruat ju pos Allahut do të jeni lëndë e xhehenemit dhe keni për të hyrë në të. (21:98) Për më tepër ky ajet u adresohej kurejshitëve të cilët adhuronin idhuj por jo Jezusit, prandaj ai nuk mund të përfshihet këtu. Prandaj përgjigja e tyre është një argument fals që edhe ata vetë nuk e besojnë”. (4)
Së dyti lë të kuptohet se Abdullah Ibn Zibira, ai që e kundërshtoi profetin për ajetin 21:98 u bë mysliman. Lexuesi mund të çekoj numrin 4682 në al-Isâbah (5) nga Ibn Haxher Askalani ku konfirmohet fakti se Ibn al-Zibirâ më pas është konvertuar në Islam dhe është lavdëruar nga profeti për poezinë e tij. Nëse ai do ta dinte se në Kuran kishte kundërthënie lidhur me Jezusin dhe nëse ai do të shkontë në ferr, a do t’i besonte Muhamedit dhe të bëhej mysliman?
Si përfundim mund të thuhet se nuk ka ndryshim mes argumenteve të Abdullah Ibn al-Zibiras kur ishte pagan me misionarët kristianë të ditëve së sotme. Ajeti 21:98 nuk i referohet Jezusit në asnjë mënyrë dhe Kurani nuk thotë se Jezusi do të shkojë në ferr. Të gjitha këto të çojnë në faktin se ky argument është i rremë dhe se është ngritur thjesht për polemikë.
Kjo çështje diskutohet si një gabim logjik i kryer nga kurejshitët.
Lexuesi e vë re gjithashtu se tefsiri më i mirë i Kuranit është vetë Kurani (pjesë të ndryshme të Kuranit shpjegojnë njëra-tjetrën). Ajo që jepet e përgjithësuar në një vend diskutohet me detaje në një vend tjetër në Kuran. Ajo që jepet shkurtimisht në një vend zgjerohet diku tjetër. Ky shpjegim përfshin përdorimin e kontekstit dhe marrëdhënieve të brendshme.
Allahu e di më se miri!
Përktheu: Erblina Kërçishta
Referenca:
[1] Ibn Hishâm, Al-Sîrah al-Nabaëiyyah, 1971, Volume 2, Maktabat al-Kulliyyât al-Azhariyyah, Cairo, pp. 8-9.
[2] Tafsîr al-Qurtubî, i gjindshëm online (requires an Arabic enabled broëser or plugin).
[3] Tafsîr al-Qurtubî, Op-Cit.
[4] Muhammad cAlî as-Sâbûnî, Mukhtasar Tafsîr Ibn Kathîr, Volume 3, matches Version 1.18 në Muhaddith softëare.
[5] Ibn Hajar al-cAsqalanî, Al-‘Isâbah, Version 1.03, pjesë e Muhaddith software
Last modified: 16/10/2014