Mary Eberstardt

Burimi: Mary Eberstardt, Adam and Eve After the Pill: Paradoxes of the Sexual Revolution (Ignatius Press, 2013).

 

“Çfarë po i bën revolucioni seksual grave?

Çfarë dëshiron gruaja?

Një nga aspektet më magjepsëse të revolucionit seksual është se përfituesit e supozuar të tij, pas inspektimit, rezultojnë se kanë probleme dhe halle që paraardhësit e tyre të supozuar të pararevolucionit nuk i kishin. Ky paradoks është veçanërisht i dukshëm për një nëngrup mjaft të rëndësishëm të njerëzimit: gratë. Le ta testojmë propozimin duke marrë si tregues disa rrufepritëse të fundit të pasionit dhe zemërimit femëror në SHBA.

“Në fillim të vitit 2011, sociologu Kay S. Hymowitz botoi një ese në Wall Street Journal duke pyetur veten me zë të lartë “Ku kanë shkuar burrat e mirë?” Pjesa e bazuar në librin e autores me titull “Manning Up: How the Rise of Women has Turned Men into Boys” (Të burrërohesh: Si ngritja e grave i ka kthyer burrat në djelmosha), ndezi menjëherë një zjarr publik.[1]

Argumenti i Hymowitz ishte se burrat modernë ekzistojnë në një gjendje të adoleshencës së pezulluar – edhe ku gratë moderne ia kanë kaluar atyre në treg dhe gjetkë. E vërteta themelore, përfundoi ajo në librin e saj të argumentuar fort mirë e të mbushur me referenca akademike dhe popullore, ishte se burrat dhe gratë moderne e kishin vënë veten padashur në një rrugë përplasjeje me vetë natyrën njerëzore. “Martesa në moshë të shtyrë dhe lindja e fëmijëve”, vuri në dukje ajo me zgjuarsi, “janë në një ngërç të vështirë me biologjinë njerëzore, duke kulmuar në një grup të paqëllimshëm pasojash mjekësore, ekonomike dhe sociale, duke përfshirë më shumë burra fëmijë, nëna beqare dhe shtëpi pa baba.[2]

Të pohosh se një pyetje e tillë e zhdrejtë rreth asaj që revolucioni ka shkaktuar rezultoi e diskutueshme do të ishte një nënvlerësim. Feministet menjëherë dhe gjerësisht dënuan atë që ata e panë si fajësimin e lëvizjes së grave për helmimin e marrëdhënieve midis gjinive. Burrat gjithashtu sulmuan Hymowitz për sugjerimin se shumë prej tyre shpenzojnë më shumë kohë me Wii dhe kompjuterë dhe video lojëra sesa me ndjekjen aktuale të grave të gjalla (megjithëse shumë të rinj padyshim që e bëjnë një gjë të tillë). Megjithatë, edhe më interesant se niveli i pasionit të ngjallur [nga libri i Hymowitz] është fakti se askush nuk e kundërshtoi pikën qendrore të Hymowitz, d.m.th. se ekziston një pakënaqësi unike në frontin e romancës së ditëve tona – një pikë e rëndësishme kjo të cilës do ti kthehemi gjatë analizës sonë.

Tani merrni parasysh një tjetër stuhi publike dhe gjithashtu shumë informuese të disa viteve më parë. Për disa javë interesante në vitin 2009, të nxitur nga disa skandale seksuale të profilit të lartë, amerikanët që ndiqnin lajmet u gjendën të përmbytur me opinione për një temë të caktuar: gjendjen e martesës. Nga melodramat rreth politikanëve republikanë që kishin devijuar nga normat morale martesore e deri tek ndarja e çiftit Jon dhe Kane të një reality show të mirënjohur, gjendja fraksionale e martesës moderne dukej se dominonte valët ajrore dhe blogosferën për javë të tëra – dhe pas saj dolën në sipërfaqe disa prova jashtëzakonisht të gjalla të gjendjës së vështirë të shumë grave moderne.”

Pothuajse të gjithë shfrytëzuan mundësinë e këtyre fatkeqësive të fundit martesore për të thënë të tyren mbi gjendjen e martesës në Amerikë. Newsweek kontribuoi me një histori në lidhje me rritjen e poliamorisë, që do të thotë “familjet me shumë partnerë.[3] Duke analizuar çështjen nga Kreta së bashku me ish-bashkëshortin dhe fëmijët e tyre – ikona kulturore pop, Arianna Huffington, ofroi një tjetër kontribut postmodern: Ajo u kërkoi prindërve të tjerë të divorcuar të arrinin pikën ku “nuk kishte për të zgjidhur”, në mënyrë që edhe ata të mund të pushonin së bashku si një jofamilje e madhe e lumtur pas divorcit.[4] Diku tjetër, midis përpjekjeve të tjera për të thënë diçka të re rreth temës, dy ese të papritura bindëse përfunduan duke shërbyer si rrufepritëse: “Let’s Call the Whole Thing Off” (Le ta konsiderojmë të gjithë çështjen e familjes si të tejkaluar” e Sandra Tsing Loh në Atlantik, dhe “Is There Hope for the American Marriage?” (A ka shpresë për martesën amerikane?) publikuar në gazetën The Times.[5]

Esetë e shkruara nga Flanagan dhe Log, më shumë se sa pro dhe kundër martesës, janë gjithashtu dritare drejt një peizazhi moral dhe kulturor që zhvillohet me shpejtësi. Në dallimet mes tyre, për ironi, njeriu zbulon një botë të errët, ndonëse magjepsëse, dhimbjeje për një personazh që prej kohësh thuhet se është përfituesi kryesor i revolucionit seksual: gruaja moderne.

“Në esenë “A ka shpresë për martesën amerikane?” Flanagan zgjodhi rrugën tradicionaliste, duke e dëshmuar veten një apologjete e pakompromis për martesën. Ajo parashtroi një sërë pretendimesh që siç e kemi parë janë kundërshtuar prej kohësh, mes tyre se martesa konvencionale është më e mira për fëmijët, më e mira për të rriturit dhe kritike për suksesin e shoqërisë. Loh, nga ana tjetër, shfrytëzoi rastin e esesë së saj për ta deklaruar veten si armike të egër të martesës, pasi Flanagan ishte një mbrojtëse e saj. Duke përdorur divorcin e saj të afërt si emblematik, si dhe një grumbull anekdotash të përhapura për martesat e të njohurve dhe miqve, Loh argumentoi se jetëgjatësia në rritje dhe pritshmëritë jashtëzakonisht të fryra kanë shkatërruar një institucion dikur të vlefshëm.

“Një pyetje e qartë – e njëjta që ishte në qendër të mosmarrëveshjes së Flanagan dhe Loh – është: Çfarë po u bën martesa moderne fëmijëve? Ndonëse kjo pyetje u dëshmua tronditëse për kritikuesit e esesë së Flanagan-it, publikuar në gazetë The Times, jo të gjithë janë kaq naivë; lexuesit e mirëinformuar me dekadat e sociologjisë familjare pas Raportit Moynihan tashmë do ta kuptojnë përgjigjen. Më interesante është një pyetje tjetër: Çfarë po u bën martesa moderne të rriturve? Më saktësisht, cila është gjendja sot, në rendin tonë shoqëror në dukje postmodern, post-feminist, postgjykues, i asaj që antikuarët dikur e mendonin si “luftë midis gjinive”?

“Përgjigja duket se është një udhëtim i gjatë dhe i çuditshëm drejt një enigme në të cilën shumë njerëz të pakënaqur me sa duket e ndjejnë veten të bllokuar.

Eseja e Loh-it, “Let’s Call the Whole Thing Off”, është një sulm i ashpër, ndonjëherë brutal, ndaj martesës tradicionale. Ajo gjithashtu mund të quhet me të drejtë postfeministe, pasi ankesa kryesore e saj nuk është aq shumë se burrat janë të patolerueshëm, por martesa në vetvete është e pamundur. Eseja e Loh-it marshon pa pushim përmes detajeve të kolapsit të saj martesor (i iniciuar nga vetë autorja, siç e pranon ajo që në fillim), dyshimeve të saj për atë që ndarja mund t’u bëjë fëmijëve të saj dhe bisedave të saj me miqtë dhe të tjerët që nxisin më tej tezën e saj. “Tani që kemi punë të kategorisë së jakave të bardha dhe lavatriçe si edhe një jetëgjatësi që ka shkuar nga dyzet e shtatë në shtatëdhjetë e shtatë”, argumenton ajo, ideja e martesës “është e vjetëruar”. Eseja mbyllet me një “këshillë të fundit” që e jep thelbin e saj me një elan të hidhur: “Shmangni martesën – ose edhe ju mund të vuani dhimbjen emocionale, poshtërimin dhe vështirësinë logjistike, për të mos përmendur shpenzimet e prishjes së një bashkim afatgjatë në moshën e mesme për diçka po aq të shpejtë sa dashuria.”[6]

Ndërkohë, Flanagan ndërmori një analizë të hollësishme të asaj që brezat e shkencëtarëve socialë kanë dokumentuar me përpikëri që nga vitet 1960: “Nuk ka asnjë forcë tjetër të vetme që shkakton aq shumë vështirësi dhe mjerim njerëzor në këtë vend sa kolapsi i martesës. Ajo i lëndon fëmijët, zvogëlon sigurinë financiare të nënave dhe ka goditur me një shkatërrim të veçantë ata që mund ta durojnë më së paku: shtresën e ulët të shoqërisë.” Duke cituar vetëm një pjesë të vogël të disa prej autorëve që kanë nxjerrë lajmin e keq për shtëpitë me probleme për vite me rradhë (përfshirë ato të cituara në kapitullin e mëparshëm të këtij libri) – mes tyre Robert Rector, David Blankenhorn dhe Sara McLanahan – Flanagan kritikoi bashkëmoshatarët e saj të divorcuara ose të pamartuara por që kanë fëmijë, dhe që flasin pozitivisht për gjendjen e tyre, për verbërinë e tyre të qëllimshme. Duke shkuar madje edhe përtej mbrojtjes së martesës në një paralajmërim për pasojat më të gjera shoqërore të kolapsit të familjes, ajo e përfundon esenë e saj në një vërejtje të krijuar qartë për të qetësuar mbi të gjitha bashkëmoshatarët e saj në rritje prej gjeneratës së baby boomer: “Brezi aktual i fëmijëve, ai që shikon angazhimet mes të rriturve të këputen si degëza të thata dhe që vëzhgon prindër të cilët thjesht nuk duan të marrin mundimin të martohen me njeri-tjetrin dhe që për këtë arsye hyjnë dhe dalin nga jeta e fëmijëve të tyre – ky është brezi [që presupozohet] se do të përkujdeset për ne kur të kemi arritur pleqërinë […][7]

Nëse autorët nuk u treguan të drejtpërdrejtë në tezat e tyre, të njëjtin qendrim shfaqën edhe kritikët e tyre që nxituan për t’i goditur ato. Flanagan, në mënyrë të parashikueshme, u fshikullua nga ata që pritej për faktin se kritikët e saj të sofistikuar e interpretojnë saktë esenë e saj si një mbrojtje tronditëse e të prapambetur të familjes – një gjë edhe më e pazakontë kjo sepse, ndryshe nga shumica e mbrojtësve të tjerë të martesës heteroseksuale në sferën publike këto kohë, Flanagan është një mbështetëse e abortit, e cila mbështetet kryesisht në anekdota dhe sociologji të rastësishme laike për të mbrojtur qendrimin e e saj.

Kjo risi narrative, në vend se ta kursente zemërimin e kritikëve të saj, duket se e ka ndezur atë në mënyrë eksponenciale. Duke shpërthyer [kundra esesë] edhe përpara publikimit të saj në gazetën The Times, feministja alfa, Linda Hirshman, e cila e përqeshi autoren “si një “mama që punon dhe që u nxin jetën të tjerëve”, u ankua për mbështetjen e saj në “studime të vjetruara” dhe “intervista me ekspertë nga fondacionet e krahut të djathtë” dhe përfundimisht kritikoi vetë gazetën The Times për “publikimin e një tjetër artikulli kryesor të pabazuar dhe apokaliptik mbi pasojat e tmerrshme të fateve të shumicës së grave amerikane.”[8]

Duke shkruar në gazetën Nation, feministja populiste, Katha Pollitt, përdori të njëjtat kthetra duke e quajtur Flanagan një “profesioniste antifeministe” dhe “autore e një libri të tërë me ese që sulmojnë nënat që punojnë, me përjashtim të vetvetes”, ajo arriti në përfundimin se “sulmi ndaj divorcit nuk është në të vërtetë për njerëzit e varfër dhe familjet e tyre”, por për “përforcimin e idesë se “familja” nuk është thjesht një strehë në një botë pa zemër, por e vetmja rrjet sigurie që keni, ose duhet të keni, nga goditjet e fatit”[9] – me sa duket, për ata që mendojnë si Pollitt-i, ky qendrimi i Flanagan-it ishte qesharak përtej asaj që mund të imagjinohej. Në të gjithë spektrin e majtë progresiv, komentuesit ranë dakord që në mënyrë të ngjashme të kritikonin Flanagan për atë që shumica e konsideronin si një tjetër mbrojtje anadollake të familjes atomike të pambrojtshme.

Sandra Tsing Loh, jo çuditërisht, mori kritika më të buta, nga i njëjti rreth që kritikoi Flanagan-in, për pranimin e saj të një lidhjeje jashtëmartesore dhe vendimin e saj të mëvonshëm për të divorcuar bashkëshortin . Ndonëse disa lexues e refuzuan artikullin e saj të neveritshëm, të tjerë e simpatizuan dhe e duartrokitën hapur lëvizjen e saj, megjithëse me kualifikime të herëpashershme. “Pa dyshim”, siç tha një shkrimtar në Salon, “disa do të fajësojnë Loh që nuk u përpoq mjaftueshëm. Por ajo kurrë nuk ka qenë një person që ka synuar të na tregoj idealin, por vetëm atë që është e vërtetë”[10] Blogerja e majtë Amanda Marcotte, një tregues tjetër, i bëri jehonë Loh-it në një artikull të titulluar (me qartësi të admirueshme): “Për shumë njerëz, martesa është pa seks, e mërzitshme dhe shtypëse: Koha për të rimenduar institucionin?”[11]

Një fakt intrigues i papërmendur në përleshjen e përgjithshme ishte se portretizimi i Loh-ut tërhoqi mospërfillje të vazhdueshme nga të paktën një nëngrup lexuesish: burrat. Duke u thelluar në një farë mase në ese dhe autorin e saj, James Rainey kritikoi në gazetën Los Angeles Times nënkuptimin se burrat e sotëm të martuar janë “të përbuzur nga gratë e tyre si jo burra të vërtetë. Këto burra të flashkët të shekullit të njëzet e një ndjekin të gjitha rregullat e reja – sigurojnë të ardhurat financiare, ndihmojnë prindërit, pranojnë ndarjen e punëve dhe gatuajnë ushqime të ndërlikuara – dhe në proces janë bërë dembelë të zbutur dhe aseksualë.”[12] Një bloger në MensNews-Daily.com e hodhi poshtë esenë si “i njëjti qaraman egocentrik që shohim periodikisht nga të privilegjuarit”, si “përpjekja e dëshpëruar e autores për t’i shpjeguar veten vetes së saj (dhe për fat të keq, edhe neve)”. Kritikët e tjerë meshkuj, edhe pse pak femra, fajësuan në mënyrë të ngjashme Loh-un për përgjithësimin e saj të burrit të martuar të sotëm si aseksual, si grua konkurrente që nuk të jep seks.[13]

“Si ta shpjegojmë këtë furtunë të papritur në një pikë uji, por shumë domethënëse, e cila është kaq emblematike e gjendjes së romancës në ditët tona?

Në fushën e lojës intelektuale, sigurisht, Flanagan – si Hymowitz dhe të tjerët që i lexuan provat (në lidhje me këtë çështje) me ndershmëri – e kuptuan gjithcka drejt, duke filluar me studimet jo të parëndësishme të shkencave sociale që dëshmojnë për efektet negative mbi fëmijët të familjeve të shkatërruara. Kaq shumë ekonomistë, sociologë, psikologë dhe ekspertë të tjerë kanë kontribuar deri më tani në shfaqjen e këtyre të dhënave sa që asnjë grup i vetëm librash, e lëre më një ese e publikuar në Times, e cila është e limituar vetëm në disa mijëra fjalë, nuk mund të shpresojë për ta rrokur plotësisht gjendjen e situatës. Megjithëkët, Flanagan e bëri detyrën e saj po aq mirë sa çdokush tjetër.

Megjithëkëtë, – dhe këtu gjërat fillojnë të bëhen më kurioze – luftërat martesore të verës së vitit 2009 shkuan më thellë se një përplasje e thjeshtë empirike për fëmijët dhe familjet e divorcuara. Në thellësinë dhe ashpërsinë e shumë komenteve, fshihej një lloj tjetër thënie e së vërtetës që mbeti kryesisht e padiskutuar – ajo që mund të quhet edhe një formë e paqëllimshme e së vërtetës që tregon se sa të humbur janë sot shumë njerëz modernë, veçanërisht gratë. Siç vuri në dukje dikur Midge Decter-i i pashoq, “e vërteta e plotë rreth revolucionit seksual është se ai e ka bërë seksin një sferë pothuajse kaotike të pakufishme dhe për këtë arsye të pamenaxhueshme në jetën e grave”.[14] Ky citat është një depërtim intelektual ndaj të cilit lufta rreth martesës e vitit 2009 (të cilën e shpjeguam derimëtani) si edhe polemika e vitit 2011 mbi veprën “Manning Up”, qëndrojnë në raport me të si një fusnotë e madhe.

Megjithatë, ka më shumë për të zbuluar këtu në përpjekjen për të kuptuar se si disa nga përfituesit e supozuar të revolucionit seksual u bënë gjithashtu viktimat e tij. Revolucioni i sotëm kundër martesës tradicionale përbën dy akuza të bëra në mënyrë të përsëritur, pothuajse gjithmonë nga gratë dhe me shumë jehonë gjetkë në burimet bashkëkohore: së pari, se presionet e kombinuara të amësisë, martesës dhe punës për të siguruar të ardhura financiare për familjen janë thjesht të papërballueshme; dhe së dyti, se shumë nga martesat e sotme  – domethënë martesat e bëra mes njerëzve të emancipuar, të moshë të madhe, të arsimuar dhe të sofistikuar – janë një shkretëtirë seksuale. Është thuajse sikur lufta mes gjinive ka përfunduar: së pari, në kuptimin figurativ që nuk ka më gjini, vetëm lista punësh që njëra njësi gjinore i bën në mënyrë misterioze më mirë se tjetra; dhe së dyti, në kuptimin literal që nuk ka më gjini – sepse burri bashkëkohor, akuzojnë shumë gra bashkëkohore, ka humbur interesin për seksin.

Kjo ankesë – që burrat e sotëm, të paktën nga ata të llojit të emancipuar që ndajnë punët e përditshme me bashëshortet, mund të llogariten se do të humbasin interesin për seksin me gratë e tyre – është kaq thelbësore për esenë e Loh-ut, për shembull, sa që pjesa mund të jetë titulluar me saktësi “ Një Manifest kundër metroseksualëve”. Sipas gjykimit të saj, ky mjerim i zakonshëm përbën një prirje shoqërore – duke përfshirë mes shumë prej miqve të saj, madje edhe ato me martesa që mund të duken ideale. “Kur u shpik martesa,” citoi ajo një mikeshë tjetër, burri i së cilës gjithashtu dyshohet se ka humbur çdo interes për seksin, “është konsideruar si një sindikatë që ofronte  mbrojtjen e saj kundër mashkullit endacak seksual”. Por çfarë ka ndodhur me mashkullin endacak seksual?” Siç e përmblodh Loh, “Të punosh, të jesh prind, të kujdesesh për shtëpinë, të jesh ajo që cakton ‘daljen për qejf natën’, vetëm për t’u qortuar më pas në shtëpi nga pjatalarësi mashkull dhe më pas, të injorohesh në dhomën e gjumit – atëherë s’ke marrë që të takon.[15]

Në mënyrë mjaft interesante, për disa nga këto specifika Caitlin Flanagan dhe aleatët e saj në anën tjetër të spektrit pothuajse me siguri do të pajtoheshin. Duke shkruar në Atlantic disa vite më parë për “detyrën e amvisës “, ajo shtroi pika të ngjashme për burrin dhe gruan moderne.[16] Duke cituar një sërë burimesh—terapistët e seksit, romanet popullore, miqtë dhe korrespondentët—ajo reflektoi gjerësisht në portretin e pikturuar nga Loh: Shumë martesa moderne, të paktën në qarqet më elegante për të cilat kemi raportime, janë seksualisht shterpë. Siç e ka shprehur edhe Dr. Phil, “martesat pa seks” “janë një epidemi e pamohueshme”. Kohët e fundit, një industri e konsiderueshme terapistësh dhe ekspertësh të tjerë kanë dalë në dritë për të marrë përsipër atë që për shumicën e gjeneratave të mëparshme do të dukej një vokacion i çuditshëm, domethënë ti mësojnë njerëzve të martuar se si të bëjnë seks.

Kjo na sjell në një shembull të tretë të raportimeve rreth pakënaqësisë që së paku disa njerëz shprehin rreth gjendjes së romantizmit në ditët tona. Kohët e fundit, ankesa se ka diçka veçanërisht të pakënaqshme – domethënë seksualisht të pakënaqshme – në lidhje me martesën moderne rezulton të jetë një ndjesi e kudogjendur, të paktën tek gratë. Në një ese tjetër për një terapiste tjetër, të botuar nga një tjetër shkrimtare femër për gazetën Atlantic, Cristina Nehring reflektoi në mënyrë të ngjashme për çështjen e mungesës së seksit (në martesat bashkëkohore), dhe pas një përsiatjeje të gjatë deklaron se:

“Zëri ynë i brendshëm po na ccon drejt vdekjes. Zëri ynë i brendshëm po ccon dëshirën tonë drejt vdekjes… Ndoshta ne mund të rifitojmë një pjesë të energjisë transgresive të seksualitetit duke rimistifikuar erotizmin tonë në vend se duke e çmitizuar atë, duke e rimbuluar dëshirën tonë në vend se duke e përsëritur atë pambarimisht, duke rizbuluar fuqinë e finesës dhe aludimit dhe sugjerimit, sublimimit dhe cezurës.”[17]

Shkrimtarë të tjerë që përdorin këtë mënyrë të re konfesionale kanë tërhequr në mënyrë të ngjashme vëmendjen ndaj rënies së romancës jo vetëm në martesë, por në të gjitha marrëdhëniet midis burrave dhe grave. Madje mërzia e plotë figuron në justifikimet për poliamorinë e ofruar nga disa përkrahës në artikullin e Neësweek. “Unë mendoj se nëse të gjithëve do të na jepej një zgjedhje, të gjithë do të zgjidhnin një formë të marrëdhënies së hapur”, vërejti njëri. “Thjesht më pëlqen shumëllojshmëria”, pajtohet një tjetër. “Unë mërzitem!”[18]

A ekzistojnë prova jo-anekdotike se kjo formë e fundit e pakënaqësisë femërore nuk është gjë tjetër vetëm se thjesht një shembull tjetër i disa njerëzve që shpenzojnë më shumë kohë në internet sesa ndoshta duhet? Po, ekzistojnë dhe shumë madje.

Në vitin 2009, dy ekonomistë të Shkollës Wharton, Betsey Stevenson dhe Justin Wolfers, hapën diskutim me esenë e tyre novatore dhe shumë të komentuar, titulluar “The Paradox of Declining Female Happiness” (Paradoksi i rënies së lumturisë femërore).[19] Duke përdorur tridhjetë e pesë vjet të të dhënave nga Anketa e Përgjithshme Sociale, ata vërejnë se, duke pasur parasysh transformimet e shumta sociale dhe ekonomike të modernitetit që në pamje të parë duket sikur duhet të ishin në dobi të grave (trasnformimet përfshijnë elementë të rëndësishëm si mbyllja e hendekut gjinor në paga, arritjet e grave në fushën e arsimit që tani ia kalon edhe atyre të burrave, liria seksuale e mundësuar nga kontraceptivi, etj.), do të ishte arsyeshme të pritej që përfituesit e këtyre transformimeve të regjistronin një lumturi gjithnjë e në rritje.

Në vend të kësaj – dhe prej këtu vjen edhe paradoksi i titullit të studimit – e kundërta duket të jetë e vërtetë: Gjatë tridhjetë e pesë viteve të fundit, “lumturia e grave ka rënë si në mënyrë absolute ashtu edhe në atë relative krahasuar me atë të burrave në një mënyrë pervazive midis grupeve. Kështu që gratë nuk raportojnë të jenë më të lumtura se burrat dhe, në shumë raste, tani ato raportojnë një nivel lumturie që është më e ulët se ajo e burrave.” Për më tepër, të dhënat e grumbulluara tregojnë se “ky ndryshim ka ndodhur në pjesën më të madhe të botës së industrializuar”.[20]

Pra, çfarë po ndodh në botën reale për të shpjeguar të gjitha këto gra dhe nëna të mjera dhe të pakënaqura? Pse shumë nga martesat e sotme janë, me sa duket, të përbëra nga burra dorështrënguar dhe të paefektshëm si dhe amvisa të dëshpëruara që digjen (në të gjitha kuptimet)?”

Një pjesë e përgjigjes duket se është se pikësëpari shumë martesa nuk janë vërtet të tilla. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh dëshminë e gjallë për të kundërtën të dhënë nga kaq shumë gra bashkëkohore, nuk mund të mohohet se të paktën një pjesë e pakënaqësisë që ato përshkruajnë – veçanërisht, pakënaqësia midis cifteve të emancipuara, të shtresës së mesme të lartë, të arsimuar në universitet, parterë të ndërshkëmbyeshëm në punë dhe gjini – është shumë reale.

Një shpjegim për këtë rritje të mjerimit të brendshëm që po bën xhiron e tanishme është jetëgjatësia. Sigurisht, është e vështirë të merret seriozisht një argument që në mënyrë kaq të çoroditur e kthen një gjë të mirë (jetën më të gjatë) në një të keqe (vite shtesë të padëshiruara martesë). Por edhe nëse ndjekim këtë logjikë – për të tërhequr një paralele me pikën e bërë nga ata ekonomistë të Wharton-it – çdo pakënaqësi që vjen nga fakti i të mbeturit i bllokuar më shumë vite me një partner duhet të jetë më shumë se kompensuar nga disa përfitime të tjera që ka sjellë revolucioni shëndetësor: përqindje më të ulët në mënyrë drastike të vdekshmërisë së foshnjeve dhe fëmijëve, incidenca shumë më e vogël e vdekjeve në lindje dhe të ngjashme. Pra, fakti i thjeshtë që ne të gjithë po jetojmë më gjatë – të paktën fatlumët mes nesh – duket se vështirë se mund të shpjegojë dëshpërimin e shtuar të grave sot.

Një përgjigje tjetër e propozuar së fundmi duket se mund t’i afrohet thelbit të çështjes. Në hulumtimin e diskutuar gjerësisht e të botuar në vitin 2009, psikologu Jean Twenge përdori të dhënat e mbledhura nga rreth gjashtëmbëdhjetë mijë studentë universitarë dhe hasi në një rritje të mprehtë të pikëve, midis të rinjve, në “indeksin e narcizismit” në testin e personalitetit. Ky rezultat shfaqej në mënyrë disproporcionale, midis grave të reja.[21] Në vitet 1950, për të marrë një shembull nga indeksi, vetëm 12 % e studentëve binin dakord se “unë jam një person i rëndësishëm”, ndërsa kjo shifër ishte 80% në fund të viteve 1980.[22] Kjo “epidemi narcisizmi”, siç e kanë quajtur disa, i ka dhënë, nga ana e tij, hapësirë spekulimeve rreth rreth arsyeseve që mund të shpjegojnë një ndjenjë kaq të ekzagjeruar për veten: Kapitalizmi? Prindërimi tolerant dhe përkëdhelës i egos së fëmijeve? Teknologjia dixhitale që ngre pa pushim kriteret për paraqitjen personale?

Ndërsa juria e psikologëve mblidhet jashtë sallës së gjyqit për të dhënë verdiktin, akuza e narcisizmit duket bindëse. Leximi i vetëm disa qindra eseve të ndryshme, blogjeve dhe ankesave të tjera publike që hyn në kategorinë e “mënyrës së re konfesionale” e bën të qartë një fakt të tillë. Le të vendosim këtu, për ata që mund ta durojnë atë, edhe nënzhanrin që ka lulëzuar së fundmi të librave bashkëkohorë që tallen me fëmijët dhe jetën familjare dhe që përmbajnë tituj domethënës e të shëmtuar si “Kurva në shtëpi” (The Bitch in the House) apo “Nëna e keqe” (Bad Mother), etj. që janë tepër dëshpërues edhe për t’u kataloguar. Inati i sotëm ndaj familjes nuk është urrejtje që nuk ka emër; është urrejtja që nuk do ta mbyllë gojën. Ai buron nga të njëjtat gra që janë, në fund të fundit, ndër anëtarët historikisht më me fat të seksit të tyre në historinë botërore, gjë që sugjeron diçka të çrregullt në të gjithë dinamikën. Nëse ky nuk është narcisizëm psikotik në kuptimin klinik, ka të paktën prova të bollshme pop-letrare të një epoke unike të llastuar dhe mosmirënjohëse.

Megjithatë, hedhja poshtë e kësaj proteste të re e të vazhdueshme të lëndimit femëror do të ishte një gabim – sepse, sado e bezdisshme dhe e frikshme të duket ajo, gjithsesi ka një autenticitet të pagabueshëm që e përshkon atë. Disa nga këta shkrimtarë mund të kenë rrokur vërtet diçka në lidhje me çështjen, ndonëse duket se kjo nuk është diçka me të cilën shumica prej tyre duan të përballen.

Megjithatë, të dhënat janë të shumta për ata që kanë sy për të parë. Për shembull, në esenë e saj të vitit 2003 titulluar The Wifely Duty (Detyra e gruas), Cait-lin Flanagan nxorri në pah se aseksualiteti i imponuar ideologjikisht është padyshim pjesë e problemit.  Në këtë kontekst ajo vëzhgoi se

“Ajo që kemi mësuar gjatë këtij eksperimenti madhështor tridhjetëvjeçar është se burrat mund të mashtrohen për të bërë të gjitha llojet e detyrave shtëpiake, por ata nuk do t’i bëjnë ato ashtu siç do t’i bënte një grua. . . . Me fjalë të tjera, ata do të bëjnë ashtu siç kanë bërë gjithmonë burrat: do ta reduktojnë një punë në elementët thelbësorë më të thjesht të saj dhe do të injorojnë plotësisht joshjet dhe ëndjet e vogla që gratë priren t’i konsiderojnë si po aq thelbësore. Dhe shumë gra ndihen të mashtruara dhe të zemëruara dhe madje edhe të habitura për këtë.”

Në mënyrë të ngjashme, Kay Hymowitz ka theksuar disonancën e shkaktuar nga kërkesat e grave për trajtim të barabartë në sallat e takimeve të bordeve, klubet, fushat e lojës – kudo, përveç në çështjet e romancës.

Ata kanë padyshim të drejtë kur vjen puna tek cështjet që kanë të bëjnë me familjen dhe standardet e dyfishta. Gratë kanë standarde më të larta se burrat për shumicën e çështjeve që kanë të bëjnë më mirëmbajtjen e shtëpise dhe shpenzojnë më shumë kohë për to.[23] Vetëm risitë gjuhësore të krijuara për të pasqyruar botën tonë të re shtëpiake e tregojnë një gjë të tillë. Gratë që punojnë jashtë shtëpisë, për shembull, kanë një “turn të dytë” (në shtëpi), ndërsa burrat nuk kanë diçka të tillë. Po kështu, ka një arsye që shprehja “të kesh të gjitha” përdoret vetëm për gruan moderne – sepse vetëm një grua moderne do të provonte të kryente kaq shumë detyra në të njëjtën kohë. Asnjë burrë nuk do të çmendej duke u përpjekur të pretendonte se kishte pjekur një byrek – për të marrë një shembull nga skena hapëse e famshme e një vështrimi më të lehtë në luftën midis gjinive, nga romani i Allison Pearson i vitit 2002, titulluar “I Don’t Know How She Does It” (Nuk e di si ia arrin një gjëje të tillë)[24]

Megjithatë, shpjegimi se këto fenomene ndodhin si pasojë e imponimit të neutralitetit gjinor nuk na dërgon aq larg sa ç’duhet. Diçka tjetër fshihet nën shkëmbinjtë e mbledhur nga shkrimet në modë rreth martesës këto ditë – diçka që zvarritet larg dritës, edhe pse ajo përpëlitet pak nën sipërfaqen e pjesës më të madhe të konfesionalizmit të ri. Në veçanti, duke gjykuar nga burime të ndryshme, pornografia është boja e padukshme e shumë prej këtyre eseve dhe jetëve – e dukshme një minutë, pa u vënë re në tjetrën dhe bartësi i një mesazhi që askush nuk e sheh. E kuptuar apo jo, megjithatë, ajo duket se po lë gjurmë në të paktën disa nga këto jetë të jetuara publikisht.

Në esenë e Loh-it, për shembull, një burrë – një nga ata burra që nuk i intereson më seksi me gruan e tij – i bën bookmark në kompjuterin e tij faqeve pornografike.. Gruaja e tij di gjithçka për këtë, madje ua raporton atë miqve të saj, të cilët gjithashtu ndjejnë keqardhje për mungesën e seksit në martesat e tyre. Megjithatë, askush nuk duket se i lidh fare këto pika të mundshme shkakësore. Një tjetër bloger që shkruan gazetën Salon, duke reflektuar mbi esenë e Loh-it, u kundërpërgjigj në mënyrë të ngjashme kundër kësaj pjese munguese të mozaikut (në një ese të quajtur “Pse martesa jote është e keqe”), duke vënë në dukje, “Unë e shkruaj këtë artikull nga një dhomë hoteli në qytetin e Nju Jorkut, ku ofrohen gati një duzinë filmash porno”—një fakt që autorja e përdor për të nënvizuar atë që ajo e mendon si ironi, kur në vend të kësaj mund të sugjerojë diçka tjetër: një lidhje të mundshme dhe në fakt mjaft të dukshme midis të gjithë atyre filmave nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, një humbje e interesit romantik nga ana e atyre që mendojnë se filmat pornografik nuk kanë ndonjë pasojë në marrëdhëniet romantike.[25]

Ose le të marrim parasysh suksesin kritik të një libri rozë për vajza të vitit 2007 të autores Joan Sewell të titulluar “Më mirë të haj çokollatë” (I’d Rather Eat Chocolate).[26] I lavdëruar në gazeteën  Salon dhe Atlantic si edhe vende të tjera përparimtare, librin konsiston në historinë të treguar në mënyrë informale të një burri dhe një gruaje tensioni mbi seksin i të cilëve dërgon më në fund në një zgjidhje miqësore: ajo ka çokollatën e saj dhe ai ka pornografinë e tij në internet. Edhe një herë, a mund të ketë thjesht një lidhje midis gjithë kësaj bisede (dhe përdorimit) të shlirët të pornografisë – dhe gjithë atyre grave të frustruara dhe burrave të painteresuar?

Pra, përse Dr. Phil dhe çdo pastor në Amerikë e kuptojnë atë që kaq shumë gra të palumtura me sa duket nuk e kuptojnë? Përgjigja është se lloji i feminizmit që këto gra kanë përvetësuar në mënyrë kaq të pamenduar ka ardhur me një kosto të madhe. Kjo i ka bërë shumë prej tyre ideologjikisht, nëse mos personalisht, indiferente ndaj diçkaje për të cilën ato nuk mund tja lejojnë vetes të jenë indiferente. Në manifestin e saj të njohur gjerësisht të vitit 2005 të titulluar  “Female Chauvinist Pigs: Women and the Rise of Raunch Culture” (Derra shovinistë femra: Gratë dhe ngritja e kulturës vulgare), shkrimtarja Ariel Levy tregon infiltrimin e vazhdueshëm të pornografisë në shoqërinë femërore.[27] Presioni mbi gratë për të pranuar pornografinë si një fakt të parëndësishëm dhe argëtues të jetës rritet vazhdimisht. – dhe jashtë qarqeve të konservatorëve dhe fetarëve, ka pak municion kulturor për çdo grua që dëshiron t’i rezistojë.

Në fakt, një nga të paktët shkrimtarë të tjerë që duket se e kupton rolin shkatërrues të pornografisë në romancën moderne është feministja e “valës së tretë”, Naomi Wolf. Autore e librave të shumtë dhe jashtëzakonisht të sinqertë për jetën e saj si bijë e revolucionit seksual (një nga librat titullohet në mënyrë të sinqertë “Promiscuities”), Wolf nuk është aspak tradicionaliste nga ana e moralit apo e çdo aspekti tjetër. Megjithatë, ajo ka qenë gjithashtu e gatshme të shohë dhe të thotë të vërteta të caktuara mbi seksin që aleatët e saj ideologjikë nuk do t’i thonin. Në një ese veçanërisht të diskutueshme të botuar në revistën New York në vitin 2003, për shembull, ajo vërejti me ftohtësi se “sulmi i egër i pornografisë është përgjegjës për vdekjen e dëshirës seksuale mashkullore në lidhje me gratë në jetën reale dhe i bën burrat të konsiderojnë gjithnjë e më pak gra si të denja për pornografi.”[28] Kjo është një temë që vazhdon ta preokupojë atë. Në vitin 2011, pas shpërthimit torturues publik të rastit të një skandali mesazhesh seksuale të një kongresisti, Wolf vërejti se “vitet e fundit shumë burra me profil të lartë. . . janë sjellë në mënyra seksualisht shkatërruese”, gjë që e shtyu atë të shkruante esenë e titulluar: “A po i çmend burrat pornografia?”[29] Ky është një fakt kurioz që na tregon shumë se ku na ka lënë revolucioni seksual. Shembull të cilin asnjë prej motrave të saja feministe nuk ka vendosur ta ndjekë.

E gjithë kjo na kthen te pyetja se çfarë duan me të vërtetë gratë. Në botën post-revolucionare, seksi është më i lehtë se kurrë më parë; por e kundërta duket e vërtetë për romancën. Kjo është ndoshta enigma kryesore me të cilën përballen burrat dhe gratë moderne: dëshira romantike në një kohë të bollëkut seksual. Ndoshta një pjesë e mjerimit modern për të cilin kaq shumë gra të sotshme flasin në mënyrë autentike, nuk buron nga një shkretëtirë seksuale, por nga një përmbytje seksuale – një përrua imazhesh helmuese, që për shumë njerëz në ditët tona fillon që në fëmijëri, që ka përfshirë gratë dhe burrat për t’i nxjerrë ata diku në breg vetëm dhe veçmas, larg arritjes së njëri-tjetrit.

Të paktën kjo mënyrë e shikimit të enigmës mund të shpjegojë disa nga paradoksi i gjithë asaj pakënaqësie femërore. Midis ideve të këqija të neutralitetit gjinor dhe ideve edhe më të këqija të pafajësisë së pornografisë, ne arrijmë botën e përshkruar kaq gjallërisht nga kaq shumë gra të pakënaqura sot, një botë ku burrat veprojnë si gra stereotipike dhe tërhiqen nga marrëdhëniet reale drejt një jetë fantazie e mndësuar përmes pornografisë ( në vend se të tërhiqen në një jete fantazie përmes romaneve të Harlequin-it), dhe ku gratë, anasjelltas, veprojnë si burra stereotipikë, duke marrë drejtimin për të lënë martesat e tyre dhe duke hedhur akuza të zemëruara gjatë rrugës, si pasojë e zhgënjimit dhe mungesë së seksit.

Nuk është dashur të ndodhte kështu, por ja që ka ndodhur. Njerëzit e ndritur pas revolucionit seksual kishin për qëllim vetëm të hiqnin seksin me gërmë të vogël nga martesa: ndarjen e padëshiruar gjinore. Por gjatë rrugës, Seksi me gërmë të madhe duket se është drejtuar drejt daljes së bashku me seksin me gërmë të vogël, të paktën për një pakicë të zëshme dhe të hidhëruar. Kjo mungesë e intimitetit seksual në një botë të mbushur me imazhe seksuale ia vlen të meditohet për një moment – gjë që ngre pyetjen tjetër të qartë para nesh, e cila është: Çfarë ka nënkuptuar revolucioni seksual për një nëngrup tjetër jo të papërfillshëm të popullsisë: burrat.

 

 

(Vijon)

 

Referenca

[1] Kay S. Hymowitz, Manning Up: How the Rise of Women Has Turned Men into Boys (New York: Basic Books, 2011)”.

[2] Ibid., p. 176.

[3] Jessica Bennett, “Polyamory: The Next Sexual Revolution?”, Newsweek, July 29, 2009.”

[4] “Arianna Huffington, “Vacationing with My Ex”, Huffington Post, July 6, 2009, http://www.huffingtonpost.com/arianna-huffington/vacationing-with-my-ex_b_226310.html.”

[5] Sandra Tsing Loh, “Let’s Call the Whole Thing Off”, Atlantic, June 29, 2009, and Caitlin Flanagan, “Is There Hope for the American Marriage?”, Time, July 2, 2009.”

[6] “Sandra Tsing Loh, “Let’s Call the Whole Thing Off”, Atlantic Magazine July / August 2009, http://www.theatlantic.com/magazine/archive/2009/07/let-8217-s-call-the-whole-thing-off/7488/.”

[7] “Caitlin Flanagan, “Is There Hope for the American Marriage?”, Time Magazine, July 2, 2009, http://www.time.com/time/magazine/article/ Back to text.

0,9171,1908434,00.html.”

[8] Linda Hirshman, “Only Caitlin Flanagan Could Make Mark Sanford Look Good”, guest post, XX Factor, July 2, 2009, http://www.slate.com/blogs/ xx_factor/2009/07/02/caitlin_flanagan_makes_mark_sanford_look_good. htm.”

[9]Katha Pollitt, “Can This Marriage Be Saved?”, Nation, August 3, 2009, http://www.thenation.com/article/can-marriage-be-saved-1.”

[10]Amy Benfer, “When ‘Date Night’ Is Not Enough”, Salon, June 18, 2009, http://www.salon.com/2009/06/18/loh_on_divorce/.”

[11] Amanda Marcotte, “For Many, Marriage Is Sexless, Boring, and Oppressive: Time to Rethink the Institution?”, AlterNet, July 1, 2009, http://www.alternet.org/sex/141024/?cID=1250426.”

[12] James Rainey, “Sandra Tsing Loh Reveals Affair and Anti-Marriage Stance”, Los Angeles Times, June 17, 2009, http://articles.latimes.com/2009/jun/17/entertainment/et-onthemedia17.”

[13] Robert Franklin, “Lipotrex without Prescription”, Glenn Sacks (blog), July 2, 2009, http://glennsacks.com/blog/?p-3928.”

[14] “Midge Decter, The New Chastity and Other Arguments against Women’s Liberation (New York: Perigee, 1974), p. 80.”

[15] Loh, Atlantic Magazine (see chap. 2, n. 6).”

[16] Caitlin Flanagan, “The Wifely Duty”, Atlantic, January—February 2003.”

[17] Cristina Nehring, “Of Sex and Marriage”, Atlantic, December 2006, http://www.theatlantic.com/magazine/archive/2006/12/of-sex-and-marriage/5373/. ”

[18] “Jessica Bennett, “Polyamory: The Next Sexual Revolution?”, Newsweek, July 29, 2009, http://www.thedailybeast.com/newsweek/2009/07/28/ only-you-and-you-and-you.html.”

[19] Betsey Stevenson and Justin Wolfers, “The Paradox of Declining Female Happiness”, American Economic Journal: Economic Policy 1, no. 2 (2009): 190-225.”

[20] Ibid., abstract, p. 190.

[21] Jean M. Twenge and W. Keith Campbell, The Narcissism Epidemic: Living in the Age of Entitlement (New York: Free Press, 2009).

[22] Ibid, p. 34.

[23] Shih, p.sh., Judith Treas and Sonia Drobnic, eds., Dividing the Domestic: Men, Women and Household Work in Cross-National Perspective (Stanford, Calif.: Stanford University Press, 2010).

[24] Allison Pearson, I Don’t Know How She Does It: The Life of Kate Reddy, Working Mother (New York: Knopf, 2002).

[25] Amanda Fortini, “Why Your Marriage Sucks”, Salon, June 24, 2009, http://www.salon.com/2009/06/24/vindication_love/.”

[26] Joan Sewall, I’d Rather Eat Chocolate: Learning to Love My Low Libido (New York: Crown Archetype, 2007).

[27] Ariel Levy, Female Chauvinist Pigs: Women and the Rise of Raunch Culture (New York: Free Press, 2005).

[28] Naomi Wolf, “The Porn Myth”, NewYork, October 20, 2003, http:// nymag.com/nymetro/news/trends/n_9437/.

[29] “Naomi Wolf, “Is Porn Driving Men Crazy?”, Project Syndicate, June 30, 2011, http://www.project-syndicate.org/commentary/wolf37/English.”

Tags: , , , , Last modified: 26/01/2024
Close