Geza Vermes
Marku 15:21-32
Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe Rufit që të mbante kryqin e tij. Pastaj e çuan Jezusin në vendin e quajtur Golgota, që do të thotë “Vendi i kafkës”. I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë por ai nuk e morri. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do ti binte secilit. Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit i cili ishte vënë përmbi të thoshte “Mbreti i Judenjve”. Bashkë me të kryqëzuan dhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tketrin në të majtën e tij. Kështu u përmbush shkrimi që thotë: “Ai u përfshi ndër keqbërësit”. Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin duke tundur kokën, dhe duke thënë “Hej ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi”. Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët talleshin me të duke thënë”Të tjerët i shpëtoj por veten nuk mund ta shpëtojë. Krishti mbreti i Izraelit le të zbreë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë.” Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e fyenin atë.
Mateu 27:32-44
Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit. Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë “Vendi i kafkës”, i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte. Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç`ishte thënë nga profeti: “I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time“. Pastaj u ulën dhe e ruanin. Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: “KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE“. Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën. Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!“. Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:“Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të; ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: “Unë jam Biri i Perëndis딓. Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.
Luka 23: 26-43
Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: “O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: “Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!”. Atëherë do të fillojnë t`u thonë maleve: “Bini përmbi ne!”, dhe kodrave: “Na mbuloni!”. Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç`do të bëhet me të thatin?”. Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t`i vrarë. Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka“, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç`bëjnë“. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë“ Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten“. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: “KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE”. Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve“. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s`ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe“. Pastaj i tha Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde“. Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë“.
Gjoni 19: 17-27
Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej “Kafka”, që në hebraisht quhet “Golgota”, ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes. Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: “JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE”. Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht. Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: “Mos shkruaj: “Mbreti i Judenjve”, por se ai ka thënë: “Unë jam mbreti i Judenjve”“. Pilati u përgjigj: “Atë që kam shkruar, e kam shkruar!“. Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund. Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: “Nuk e grisim, por hedhim short kujt t`i bjerë“; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: “I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time“. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra. Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë. Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: “O grua, ja biri yt!“. Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!“. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.
Vetëm një incident raportohet nga të gjithë Ungjijtë Sinoptikë përsa i përket Jezusit dhe rrugëtimit të tij nga rezidenca e Pilatit deri në vendin e kryqëzimit; rekrutimin e dhunshëm që iu bë një udhëtari të rastit nga ushtarët, Simonit nga Kirea, për të ndihmuar Jezusin që të mbartë kryqin e tij. Ai nuk është përmendur më parë dhe as që përmendet më pas. Ndihma që Simoni i dha Jezusit ndodhi në një prej ndalesave në të cilat ai kaloj me kryq. Shumë incidente kanë ndodhur gjatë kësaj ndalese së kryqit; tre herë Jezusi u rrëzua nga pesha e madhe e drurit, takimi i tij me Marian, të ëmën, me Veronikën mbi çarçafin e së cilës besohet se ka shënjuar fytyrën e tij, por e gjitha kjo është një besim popullor sepse asgjë nuk është faktuar mbi shkrimet që ndodhen në Dhjatën e Re. Takimi i Jezusit me gra që vajtojnë është e përmendur vetëm në Ungjillin e Lukës (Luka 23:27-31).
Sinoptikët kanë raportuar se Jezusi është kryqëzuar në orën e tretë, pra në orën nëntë të mëngjesit, bashkë me dy të dënuar të tjerë në një kodër, që në aramaikisht quhej ndryshe “Golgota”. Sipas Gjonit kryqëzimi ndodhi tre orë më vonë, në mesditë, në orën e gjashtë (Nata hebreje fillon nga ora 6 p.m deri në 6 a.m dhe dita nga 6 a.m deri më 6 p.m.) Referenca për pirjen e verës së bashkuar me mirrë ose uthull (Marku 15:23; Mateu 27:34; Gjoni 19:29) më shumë se sa një ndodhi, është më shumë një dëshirë e evangjelistëve për të parë të plotësuar një profeci që ndodhet tek Dhjata e Vjetër (Psalmet 69:21) se sa dëshira e ekzekutorëve Romakë për të torturuar të dënuarin e tyre hebre. Është e vërtetë se tek Marku 15:36 dhe Mateu 27:48 disa hebrenj i ofruan Jezusit për të pirë, por ajo çka i dhanë ishte verë dhe ishte një plotësim i profecisë së Psalmeve. Qëllimi i tyre nuk ishte për të larguar arsyen dhe dijeninë, sikurse kanë hamendësuar disa rabinë të mëvonshëm zemërmirë sipas së cilëve dikush duhej ti ndihmonte njerëzit gjatë dënimit (Babylonian Talmud Sanhedrin 43a), por për të zgjatur jetën e të kryqëzuarit: ata donin të shihnin nëse Elijah do të vinte të shpëtonte Jezusin.
Kryqi i Jezusit mbarte një mbishkrim ose titull (titulus), të shkruar nga vetë Pilati nëse do ti besojmë Gjonit, që jep arsyen për ekzekutimin e tij. Asnjë prej Ungjijve nuk bie dakord përsa i përket asaj çka është shkruar. Më e shkurtra është ajo e Markut “Mbreti i Judenjve” dhe më e gjata është versioni i ungjillit të katërt, atij të Gjonit, “Jezusi i Nazaretit, Mbreti i Judenjve”, me shënimin shtesë të Gjonit se mbishkrimi ishte në hebraisht (Aramaisht), Latinisht dhe Greqisht (Gjoni 19:19-20). Gjoni shkon dhe më tej duke paraqitur një kryeprift hebre që i kërkon Pilatit të rregullojë shprehjen duke shkruar “Ky njeri ka pohuar, Unë jam Mbreti i Judenjve”. Gjithsesi ai merr një përgjigje të shkurtër nga Pilati : “Atë që kam shkruar, kam shkruar” –Ho gegrapha, gegrapha. Quod scripsi, scripsi (Gjoni 19:21-2). Pas kësaj fjalie delegacioni hebre zhduket nga historia e Gjonit. Pa dyshim se ata do kenë shkuar në Tempull për të vazhduar detyrimet e tyre. Ndryshe nga sinoptikët autori i ungjillit të katërt nuk i sjell kryepriftërinjtë në vendin e kryqëzimit. Evangjelistët nuk përmendin asnjë hebre që ti ketë thënë ndonjë fjalë të mirë për Jezusin. Jo vetëm kryepriftërinjtë, skribët por edhe ata që e shoqëruan Jezusin deri në vendin e kryqëzimit nuk thanë një fjalë të mirë për të, madje as dy të dënuarit që ishin bashkë me Jezusin nuk thanë një gjë të tillë, kjo sipas Markut dhe Mateut, ata (të dënuarit) e tallën dhe e ofenduan atë. Ndërsa për Lukën vetëm njëri prej tyre e talli atë ndërsa tjetri i kërkoj atij që të ishte ndërmjetës për të dhe ai morri prej tij një premtim për shpëtim “Sot ti do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:39-43).
Luka me mëshirën e tij, duke kërkuar që të përmisojë versionin e Markut, vendosi disa elementë shtesë që ta bënte ngjarjen më shumë tragjike dhe të shtonte dozën e mëshirës. Nuk duhet harruar dhe shtesa e tij, për të kuptuar më mirë arsyen e shtesës së përmendur më sipër, është shërimi i veshit të ushtarit që ndodh në kopshtin e Getshemanisë (Luka 22:51), vajtimet e grave të Jeruzalemit (Luka 23:27), turma e madhe e personave që vajtonin dhe rrihnin gjokset e tyre pas vdekjes së Jezusit (Luka 49-9).
Në historinë e kryqëzimit Luka distancohet nga Marku në një pikë të rëndësishme. Ai e vendos shprehjen që thotë Jezusi para vdekjes menjëherë pasi përmend “atje e kryqëzuan atë”. Më pas ai thotë “At, fali ato sepse nuk dinë se çfarë po veprojnë” (Luka 23:34). Lexuesit e kujdesshëm natyrisht që duhet ta kenë vënë re se ky verset, kaq tipik për mënyrën e të menduarit të Jezusit, nuk ndodhet në gjysmën e dorëshkrimeve të ungjillit të Lukës dhe në asnjë prej ungjijve të tjerë. A mos është fshirë prej ungjijve lutja dhe kërkesa për falje e Jezusit? Konteksti na sugjeron se përemri “ata” u drejtohet ushtarëve romak, ata që e vendosën atë në kryq “atje ata e kryqëzuan atë”. Po të njëjtët ushtarë Romakë mbetën pjesëtar të fjalisë tjetër: “ata hodhën short” (Luka 23:34). Por sipas traditës kryesore të Dhjatës së Re romakët nuk ishin pala e vërtetë fajtore e Pasionit. Sepse ata ishin falur atë çast kur Pilati i lau duart e tij prej Jezusit; kështu që Jezusi nuk kishte pse lutej më për to. Alternativa e dytë që na mbetet është se “ata” i referohet hebrenjve. Atribuimi i dënimit të Jezusit injorancës dhe padijes “fali ata sepse nuk dinë se çfarë bëjnë”, do të ishte në harmoni me mendimin e kishës së Jeruzalemit. Liderët hebrenj vepruan në atë formë për shkak të padijes, kështu e detyron Pjetrin, autori i Veprave të Apostujve, që të shprehet (Libri i Veprave 3:17). Por referencat për të lehtësuar rrethanat për hebrenjtë nuk përputhen me linjën e historisë që na paraqet Marku, dhe sidomos nga ajo që na paraqet Mateu me britmën e tij “Le të bie gjaku i tij mbi ne dhe fëmijët tanë” (Marku 27:25). Kështu që editorët e dy ungjijve të parë e kanë injoruar shprehjen “At, fali ata” ndërkohë që skrib të tjerë e kanë vendosur atë duke e gjetur në disa manuskripte të ungjillit të xhentilit Luka, kjo tregon për një tendencë anti-hebraike në vitet e para të Krishterimit.
Përktheu: Xhodi Hysa
Dy fjalë për autorin
Geza Vermes ka lindur në Hungari në vitin 1924. Ai ka studiuar në Budapest dhe në Louvain, ku ka lexuar historinë dhe gjuhët orientale dhe në vitin 1953 mori doktorraturën në teologji me një disertacion rreth perganemave të detit të vdekur. Nga viti 1957 deri në vitin 1991 ai ka dhënë mësim në Universitetin e Njukastëllit dhe të Oksfordit. Vepra e tij pioniere përsa i përket pergamenave të detit të vdekur dhe figurës historike të Jezusit bëri që ai të zgjidhej si profesori i parë i studimeve hebraike në Universitetin e Oksfordit, ku ai tashmë është ka titullin profesor emeritus. Që nga viti 1991 është drejtor i Forumit për kërkimet në Kumran e cila është pjesë e qendrës së oksfordit për studimet hebraike. Profesor Vermes është anëtar i akademisë britanike si dhe i Akademisë evropiane të arteve, shkencave dhe humanitetit. Disa prej veprave të mirënjohura të profesor Vermes janë edhe “The Complete Dead Sea Scrolls in English (1997), The Changing Faces of Jesus (2000) si edhe Authentic Gospel of Jesus (2003).
Last modified: 03/01/2021