Atë Raymond Brown

Fragment i shkëputur nga libri i Raymond Brown-it me titull: ‘An Introduction to the New Testament, Doubleday Publisher, New York 1996

Nëse ne do të ktheheshim pas në kohë, do të shihnim se titulli “Ungjilli sipas Mateut”1 i është bashkangjitur kësaj vepre duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit të dytë (ose ndoshta më herët; Davies dhe Allison, Mathew 1.7-8). Rreth vitit 125 e.r.s. Papiasi shkruante, “Mateu fiksoi sipas rendit thëniet në gjuhën hebraike [=Aramaike?], e gjithsecili i interpretoi/përktheu sipas mundësisë” (EH 3.39.16). Në faqen 158 unë qëllimisht solla referencën e Papiasit në lidhje me Mateun në kontekstin e saj aktual që ndiqej  nga referenca për Markun, gjë që nuk duhet të na bëjë të mendojmë se ai besonte se ungjilli i Mateut ishte shkruar para atij të Markut. Pohimi se Mateu është ungjilli i parë që është shkruar shfaqet për herë të parë tek Klementi i Aleksandrisë, Origjeni dhe Eusebi. Ka pasur një debat të konsiderueshëm nëse Papiasi kur i është referuar “thënieve” (logia) ka nënkuptuar se Mateu ka shkruar një ungjill të plotë (siç e kanë kuptuar shkrimtarët e mëvonshëm duke iu referuar ungjillit të Mateut EH 5.8.2-3). Logoi mund të ketë qenë shprehja e zakonshme për të përshkruar termin “thënie” në kuptimin e “fjalëve”, në këtë mënyrë logoi mund të ketë nënkuptuar gjithçka që i është “zbuluar” Jezusit (Shih Veprat 7:38 për logia-t apo zbulesat e marra nga Moisiu). Për më tepër, meqenëse Papiasi na bën me dije se Marku ishte një ndjekës i Pjetrit i cili nuk kishte bërë një rrëfim të renditur të logia-ve të Jezusit, dhe është rënë dakord gjerësisht se Papiasi këtu e kishte falën për ungjillin tonë të Markut, me shumë mundësi në raportimin e tij lidhur me Mateun ai duhet ti jetë referuar një ungjilli për të cilin ai ka thënë se kishte fiksuar sipas rendit logia-t e Jezusit në hebraisht/aramaikisht2. Kuptimi i fjalëssyntassein, të cilin unë e kam përkthyer si “fiksoi sipas rendit”, nuk është i sigurt. Ai nuk kërkon domosdoshmërish që ti referohet ndonjë renditjeje kronologjike apo rendi logjik, ai mund ti referohet ndonjë rregullimi letrar bindës dhe të kënaqshëm ose madje edhe një rrëfimi të plotë.

Ungjilli kanonik sipas Mateut ekziston në gjuhën greke- a mos ndoshta Papiasi, në citimin e lartpërmendur, i është referuar ndonjë origjinali në gjuhën hebraike nga ku është përkthyer ungjilli ynë? Tre vërejtje të ndryshme të dërgojnë në këtë përfundim. (1) Në lashtësi ka ekzistuar një ungjill në gjuhën hebraike (me shumë mundësi në atë aramaike), i cili ka qenë përdorur nga të krishterët e Palestinës, e që etërve të kishës ai i përkiste grupit të jude-krishterwve (Jewish Christians) të quajtur Nazarenas, veçanërisht në zonën e Halepit në Siri3. Referencat ndaj këtij ungjilli e lidhin atë ngushtësisht me ungjillin e Mateut. Jeronimi pohonte se ai e kishte përkthyer atë në greqisht, dhe herë pas here ai e kishte trajtuar atë njësoj sikur të ishte origjinali semitik i Mateut. Por kur krahasohet me ungjillin tonë kanonik, gjithsesi, në ato pak citime të ruajtura në veprat e etërve të kishës, bëhet e qartë se ato janë shpjegime dytësore të nxjerra nga ungjilli ynë i Mateut. (2) Ekzistojnë versione mesjetare të Mateut në gjuhën hebraike, por shumica e teologëve mendojnë se ato janë versione hebraike të përkthyera nga greqishtja, të bëra për të ndihmuar në debatet ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve. Gjithsesi, disa teologë pohojnë se këto tekste mund të na dërgojnë deri tek origjinali semit.4 (3) Teologë të tjerë mendojnë se ato mund ta rindërtojnë origjinalin në gjuhën hebraike që ndodhet në themel të versionit të sotëm të Mateut duke u mbështetur në supozimin se origjinali i tij ka qenë në një nga gjuhët Semite5.

Gjithsesi, shumica e teologëve pretendojnë se ungjilli i Mateut siç e njohim ne është shkruar në gjuhën e greke e nuk është një përkthim i marrë nga ndonjë origjinal semit. Sa i përket veshjes së logiave të Jezusit Mateut, siç bën Papiasi, nëse Mateu kanonik është mbështetur në Markun kanonik, ideja që Mateu, një dëshmitarë okular dhe anëtarë i dymbëdhjetë apostujve, të ketë përdorur si burim kryesorë të tij një vepër të përpiluar jo nga një dëshmitarë okular (Marku), e bën të pambështetur pretendimin se kjo vepër është shkruar nga apostulli Mate. Ky objeksion nuk mund të tejkalohet nga hipoteza sipas së cilës Mateu ka shkruar një ungjill në gjuhën aramaike, që më pas është përkthyer në greqisht, duke u influencuar nga ungjilli i Markut vetëm pasi Marku kishte dalë në qarkullim, për arsye se jo vetëm fjalët në gjuhën greke por edhe organizmi, përmbajta e Mateut duket se janë ndikuar nga Marku. Ose Papiasi është gabuar/ngatërruar kur i ka atribuuar një ungjill (thënie) Mateut në gjuhën hebraike/aramaike, ose ai ka pasur të drejtë por përpilimi hebraik/aramaik që ia ka njohur nuk korrespondon e nuk është ungjilli i Mateut që njohim ne.

Nëse ndjekim hipotezën e dytë, atëherë lind pyetja: Ajo që Mateu ka shkruar në gjuhën hebraike/aramaike, a ka luajtur ndonjë rol në sfondin (background) e ungjillit të sotshëm kanonik sipas Mateut, duke shpjeguar në këtë mënyrë titullin që i është veshur kësaj vepre më vonë? Meqenëse Papiasi përdor në citimin e tij termin “thënie”, a mos ka dashur të nënkuptojë me këtë burimin Q, të cilin Mateu kanonik e ka përdorur gjerësisht? Sidoqoftë burimi Q  i cili është rindërtuar duke përdorur Mateun dhe Lukën mbetet gjithsesi njëburim në gjuhën greke që ka kaluar nëpërmjet shumë fazave të redaksionale. Papiasi me shumë mundësi nuk i referohet këtij burimi në veprën e tij, por a mos ndoshta ai i referohet origjinalit semitik të burimit Q, apo ndonjë prej fazave të hershme në gjuhën greke të këtij burimi, një fazë që ne mund ta rindërtojmë vetëm se me vështirësi dhe pasiguri? Disa të tjerë kanë hedhur idenë e një përmbledhjeje të vjetër thëniesh të cilat janë përdorur nga Mateu, Marku si edhe Burimi Q. Ne nuk duhet ti përjashtojmë apriori këto propozime, por mund të themi se ato përpiqen të zgjidhin një fakt të vështirë për tu njohur duke propozuar teori akoma më të errëta se vetë fakti.

Për të dhënë një gjykim të përgjithshëm në lidhje me çështjen e “Mateut”, mendojmë se është më mirë të pranojmë idenë se “Mateu kanonik është shkruar fillimisht në gjuhën greke jo nga një dëshmitarë okular emri i të cilit është i panjohur për ne, i cili ka huazuar nga burime si Marku dhe Q-ja“. Nëse diku në historinë e burimeve të ungjillit sipas Mateut, diçka e shkruar në gjuhën semite nga apostulli Mate, anëtarë i dymbëdhjetëshes, mund të ketë luajtur ndonjë rol kjo është diçka që ne nuk mund ta dimë. Nuk do të ishte maturi nga ana e teologëve që 1.900 vjet më vonë, të refuzonin me shumë lehtësi, duke e konsideruar si trillim apo padituri pohimin e Papiasit, një përfaqësues i hershëm i krishterimit i cili ka jetuar 4 dekada pas përpilimit të ungjillit të Mateut kanonik.

Në ditët e sotme një tjetër çështje ka filluar të diskutohet në qarqet akademike, a është autori i panjohur i ungjillit kanonik të Mateut një i judeo-krishterë (Jewish Christian) apo një i krishterë me origjinë xhentile? Prirja e sotme është pothuajse një me katër në favor të origjinës herbaike të autorit të këtij ungjilli; por komentues me rëndësi kanë argumentuar për një origjinë xhentile të këtij autori6. P.sh., në disa raste ata kanë zbuluar, në ungjillin e Mateut, disa gabime të cilat një hebre nuk do ti bënte kurrë. Ungjillori i ka vendosur së bashku Saducenjtë dhe Farisenjtë, në kapitullin e 16, njësoj sikur ata të kishin të njëjtën doktrinë (16:12). Ndoshta kjo mund të ketë qenë një mënyrë e shpejtë për ti paraqitur së bashku, duke vepruar kundër tij, të gjithë armiqtë e Jezusit7, pasazhi 22:34, për më tepër, tregon se ungjillori ishte në dijeni të ndasive ndërmjet tyre. Në përpjekje për ta paraqitur ungjillorin si një jude-krishterë (Jewish Christian), tradita e përcjellë nga Papiasi na mundëson së paku që të lejojmë një mjedis hebre për ungjillin e Mateut. Përdorimi i Dhjatës së Vjetër nga ungjillori tregon se ai e njihte hebraishten ndoshta edhe aramaikishten, një arritje e vështirë kjo për një xhentil. Ndonëse nuk përbëjnë një provë përfundimtare, a ndoshta reflektojnë më shumë karakteristikat e burimeve që ka përdorur ungjillori se sa vetë punën e tij, gjithsesi, mund të themi se në ungjillin e Mateut hasen shumë karakteristika të mendimit dhe teologjisë hebraike8, si p.sh. një rrëfim për lindjen e Jezusit pajisur me gjithë gjenealogji, vendosja e një paralelizmi ndërmjet Jezusit dhe Moisiut, fjalimi në mal së bashku me modifikimin e ligjit, debatet me farisenjtë, pasqyrim të autoritetit të Pjetrit, urdhërimi për t’iu bindur të gjithë atyre që qëndrojnë në katedrën e Moisiut (23:2-3), shqetësimi në lidhje me faktin që ikja të mos ndodhë të shtunën (24:20), si dhe materiali i veçantë që Mateu ka përdorur për të përpiluar rrëfimin e tij të pasionit të Krishtit, që në të shumtën e rasteve është një interpretim midrashik në lidhje me pasazhe të ndryshme të Dhjatës së Vjetër. Pra, me shumë mundësi, studimi i ungjillit të Mateut favorizon më shumë identitetin judeo-krishterë për autorin e kësaj vepre.

Por, çfarë judeo-krishteri ishte autori? Greqishtja e Mateut nuk duket se është një greqishte e mësuar më vonë. Ai shpesh ka korrigjuar stilin e Markut dhe ka shumë pjesë ku ai tregon një finesë në gjuhën greke. Kjo aftësi mund të na tregojë se këtu kemi të bëjmë me një hebre, lindur dhe rritur në diasporë (ngjashëm me rastin e Palit). Teologjikisht, ungjillori nuk ishte as në anën ekstreme më konservatore që nuk pranonte hyrjen e xhentilëve të parrethprerë në bashkësitë e krishtera (shih 28:19), as në anën e ekstremit tjetër liberal që e shihte ligjin si të parëndësishëm (shih 5:17-18). Gjithsesi, qëndrimi i saktë i Mateut në lidhje me ligjin është i vështirë për tu rindërtuar, për arsye se siç do të shohim në nënkapitullin vijues, ky ungjill reflekton një histori të ndërlikuar të bashkësisë ku ai jetonte. Shumë teologë mendojnë se pasazhi 13:52 është përshkrim që autori ka bërë për veten e tij: “Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra“. Nderim për atë që ka qenë tregohet edhe në shtesën (9:17) që Mateu i ka bërë pasazhit tek Marku 2:22, në të cilën theksohet se si e vjetra ashtu edhe e reja janë të dyja të ruajtura. Nëse ne e krahasojmë ungjillorin me Palin, një tjetër shkrimtarë i madh i Dhjatës së Re që ka folur në lidhje me Ligjin, ndonëse në çështjet praktike këndvështrimet e tyre mund të përputhen dhe të dy nderojnë dhjet urdhërimet (Mateu 19:18-19; Romakëve 13:19), gjithsesi, secili prej tyre mund ti ketë parë sloganet e njeri-tjetrit si tepër përjashtuese: “unë nuk erdha për të shfuqizuar ligjin” (Mateu 5:17); “Ju nuk jeni nën ligj” (Romakëve 6:14-15).

 

[*] Atë Raymond Brown është Distinguished Professor Emeritus of Biblical Studies në Union Theological Semminary (N.Y.C.). Ai konsiderohet si një prej figurave qendrore ndërmjet shkollarëve të Dhjatës së Re. Gjatë jetës së tij ka marrë mëse tridhjetë “honorary degrees” nga universitetet katolike dhe protestante nga e gjithë bota, gjithashtu, ai është zgjedhur si (Corresponding) Fellow of the British Academy dhe anëtar i Akademisë Amerikanë të arteve dhe shkencave. Autor i mëse tridhjetë e pesë librave në lidhje me Biblën, po ashtu ka qenë i vetmi amerikan që është zgjedhur nga dy papë si anëtarë i Komisionit biblik papnor.

Përktheu: Rezart Beka

 

 

Futnota

 

[1] Një njeri me emrin “Mate”, shfaqet në të katër listat e Dhjatës së Vjetër, si anëtarë i dymbëdhjetë dishepujve (si një prej emrave të grupit të dytë të përbërë prej katër emrash), vetëm në listën e dhënë nga Mateu (10:3) bëhet specifikimi i mëposhtëm: Mateu “taksambledhësi”. Ky emërtim është i lidhur me të vetmen herë kur ky emër shfaqet sërish, d.m.th. historia e thirrjes që Jezusi i bëri një taksambledhësi të cilin Mateu 9:9 e quan Mate por Marku 2:14 dhe Luka 5:27 e quajnë Levi). Një njeri në atë kohë nuk mund të mbante dy emra hebrenj njëkohësisht, për këtë arsye nëse do të hamendësojmë se Levi është pikërisht Mateu, anëtarë i dymbëdhjetëshes, atëherë duhet të pranojmë se Jezusi i ka ndryshuar emrin. Harmonizimi më i zakonshëm është ai sipas të cilit vetëm ungjillori Mate duke qenë se historia i përket atij, ishte i aftë të dinte se Levi ishte vetë Mateu. Prandaj ai në historinë që rrëfen e ka e zëvendësuar emrin Levi me atë Mate. Më e pagjasë është ideja se ungjillori ka pasur një listë të dymbëdhjetë dishepujve ku Mateu identifikohej si taksambledhës dhe një prej dymbëdhjetë dishepujve, në këtë mënyrë ai menjëherë ka menduar se ky njeri duhet identifikuar me Levin taksambledhësin, meqenëse në histori Levi u bë dishepull i Jezusit. E mundshme është që kjo të ketë një lojë termash duke u bazuar në ngjashmëritë ndërmjet Maththaios për mathētēs, dishepull.

[2] “Hebraishtja” ndërmjet shkruesve grek shpesh identifikohej me aramaikishten. Në një artikull shumë të cituar të shkruar nga J. Kürzinger në gjermanisht në vitin 1960, pohohet se ka dashur të thotë se Mateu e ka shkruar ungjillin e tij sipas mënyrës hebraike, e jo sipas gjuhës. Për një kritikë shih Davies and Allison, Mathew 1:14:16. Për të mos u mbështetur shumë në akuzën e lëshuar nga Eusebi mbi Papiasin sikur ai ishte një njeri me inteligjencë të ulët, shih Davies and Allison, 1:12-14.

[3] Më vonë kjo vepër u njoh me emrin “ungjilli i Nazarenasve“, për shkak se ai ishte shkruar në karaktere hebraike, shumë etër të kishës së asaj kohe në mënyrë të turbullt i janë referuar atij si ungjilli i hebrenjve, ose ungjilli sipas hebrenjve. Gjithsesi, ka ekzistuar edhe një tjetër vepër, “Ungjilli sipas hebrenjve”, që duket se është shkruar në greqisht, e nuk ka lidhje me ungjillin e Mateut. Ka ekzistuar gjithashtu edhe një ungjill i judeo-krishterëve (Jewish Christian), i përdorur nga Ebionitët, me shumë mundësi krijim i bërë duke u bazuar në ungjijtë sinoptik.

[4] Teologë të krishterë si J. Carmignac dhe M. Dubarle kanë kontribuar në këtë hipotezë; shih G.E. Howard, The Gospel of Matthew According to a Primitive Hebreë Text (Macon, GA: Mecer, 1987); Hebrew Gospel of Matthew (Macon, GA: Mecer 1994).

[5]Autorë të hershëm greqisht folës si Klementi i Aleksandrisë dhe Origjeni nuk kanë hasur asnjë vështirësi në idenë se ungjilli i Mateut është përkthyer nga një origjinal Semit, por kjo mund të ketë ardhur si pasojë e faktit se ato e kishim marrë si të mirëqenë hipotezën e ekzistencës së një ungjilli të humbur në hebraisht/aramaikisht të Mateut.

[6] Pas N. Nepper-Christensen (1958) dhe G. Strecker (1962), të cilët kanë shkruar në gjermanisht, shih K.W. Clark, JBL 66 (1947), 165-172; M.J. Cook, HUCA 53 (1984), 135-46; Meier, Vision 17-25. Një argument shumë i përdorur në favor të identitetin xhentil të autorit të ungjillit sipas Mateut është edhe ai sipas të cilit Mateu ka hequr ose zëvendësuar termat greqisht në favor të disa aramaizmave të Markut (Boanerges, talitha koum, korban, Bartimaios, rabbounei, Abba); shumë prej tyre, gjithsesi, mund të ketë qenë thjesht një çështje parapëlqimi stilistikor dhe komunikativ.

[7] Antipatia e Mateut për saducenjtë mund të ketë ardhur si pasojë e faktit se pikërisht një kryeprift i lartë saduce kishte qenë përgjegjës për vrasjen e Jakobit, vëllait të Jezusit, në fillim të viteve 60 e.r.s. Gjithashtu, përzierja e saducenjve me farisenjtë mund të ketë jetë një reflektim i periudhës së turbullt pas viteve 70, kohë kur liderët hebrenj në Xhamnia (Yavneh), ndonëse përsa i përket trashëgimisë intelektuale ishin më afër farisenjve, fituan ndikimin publik që para viteve 70 e.r.s. kishin pasur priftërinjt saducenj.

[8] Davied dhe Allison (Matthew 1.26-27) mund të jenë shumë të vlefshëm në lidhje me këtë çështje.

Last modified: 16/10/2014
Close