Imam Xhelaludin Sujuti

Pjesë e shkëputur nga vepra e imam Xhelaludin Sujutit me titull “El Husn fi Amal el Maulid”

PARATHËNIE

Abdurrahman ibn Ebu Bekr ibn Muhamed ibn Sabik el Din, njohur si Xhelaludin Sujuti (Zoti e mëshiroftë) lindi në vitin 849 P.H 1445. Ai ishte një muxhtehid Shafi’i, imam, mufesir, sufi, muhadith, njohës i shkëlqyer i haditheve (hafiz) dhe historian, një mendimtar shumë prodhues që ka shkruar thuajse në çdo fushë të shkencave Islame. Ai u rrit si një jetim në Kairo edhe mësoi përmendësh Kuranin e Madhërueshëm në moshën 8 vjeçare. Mes mësuesve të tij kanë qenë Siraxhedin Bulkini, Sharafedin el Muanui, Takidin el Shamani. Ai udhëtoj në vende të ndryshme për të përfituar edhe për të mësuar nga dija e shenjtë në vende si Damasku, Hixhazi, Jemeni, India, Maroku edhe në vendet që ndodhen në jug të Marokut po kështu e përqëndroj mësimin e tij edhe në vende të tilla si Egjipti në shkollat si malalla, Dumiat edhe Fejum.

Në librin e tij, dijetari i madh na ka hedhur dritë mbi Mevludin duke e parë atë nga këndvështrimi historik edhe ai ligjor, kjo përbën edhe një veçanti të mënyrës së trajtesës së çështjeve nga ana e këtij dijetari. Përpara se të krijoni një farë paragjykimi tuajin mbi këtë pjesë do të dëshiroja që të kini parasysh se autori është një ndër personalitetet më të vyera të islamit. Vepra e tij e famshme “Tefsir el Xhelalein”, që është një ndër veprat e tij ku ai është bashkautor, është një ndër veprat më të përdorura nga dijetarët mysliman, e në çdo universitet Islam ky tekst përdoret si një vepër prej së cilës duhet studiuar edhe nxjerrë konkluzione. Përpos kësaj, libri i tij mbi Usul el Tafsir i quajtur ‘el itkan fi Ulumul Kuran”  u bë një nga burimet kryesore reference për ato dijetarë që do dëshironin të komentonin Kuranin. Po kështu vepra e tij, që flet për mrekullitë edhe karakterin e Profetit të nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të), “el Khasais el Kubra”  ka një veçanti sepse është e para e kësaj natyre, shumë imamë edhe dijetarë të tjerë që kanë shkruar mbi Profetin (paqja e Zotit qoftë mbi të) janë bazuar tek kjo vepër.

Është më se e dukshme që kur një dijetarë i tillë merr penën e tij për të shkruar mbi një mesele si ajo e Mevludit, pra festimit të ditëlindjes së Profetit të nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të), rezultati do të jetë ai të pasurit përpara syve një njohuri të thellë mbi këtë çështje, si nga Tefsiri, hadithi, Fikhu, Usuli edhe historia. E gjitha kjo do të na sjellë një përfundim sa më të qartë të kësaj çështjeje.

Imam Xhelaludin Sujuti (Zoti e mëshiroftë) vdiq në Kairo në moshën 60 vjeçare në vitin 911 H/1505 e.r.s).

PËRMBAJTJA

Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim

Pyetja me të cilën do të merremi sot është: Cili është vendimi i Sheriatit përsa i përket festimit apo jo të ditëlindjes së Profetit të nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të) në muajin Rabi-ul-Auual? Sipas këndvështrimit sheriatik a është ky një veprim i lavdërueshëm apo një veprim i dënueshëm? E së fundi, ato të cilët organizojnë ceremoni të tilla a marrin shpërblim prej Zotit apo jo?

Moment gëzimi

Në përgjigje të kësaj pyetjeje unë po shpreh mendimin tim për sa i përket Mevludit Sherif. Festimi i ditlindjes së Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) është në fakt një moment gëzimi edhe lumturie ku njerëzit mblidhen edhe recitojnë Kuranin e Shenjtë. Më pas ata rrëfejnë profecitë që lidhen me paraqitjen e profetit të dashur (Paqja e Zotit qoftë mbi të) të transmetuara në shumë hadithe edhe mrekullitë që ndodhën atë natë kur ai erdhi në jetë. Më pas u vihet përpara ushqim dhe ato sipas dëshirës së tyre ushqehen derisa të dëshirojnë. Ky celebrim i ditëlindjes së profetit të nderuar (Paqja e Zotit qoftë mbi të) është një Bidat hasen (risi e mirë) dhe ato që e organizojnë atë do të marrin shpërblimet e tyre, përderisa në një festim të tillë gjendet edhe shprehet kënaqësia dhe lartësimi i Profetit të nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të) në ditën e lindjes së tij.

HISTORIA E MEVLUDIT SHERIF

Fillesat e festimit të Mevludit Sherif në formën që ne e njohim atë sot shkojnë në periudhën e sundimtarit të Irbilit, Sulltan Muzaferi emri i të cilit ishte Ebu Said Kukabri ibn Zaineldin Ali ibn Baktagin, që numërohet mes sulltanëve të mëdhenj dhe si një prej udhëheqësve më të mirë. Ai është përgjegjës për shumë vepra edhe punë të mira, mes veprave të tij duhet të kujtojmë Xhaminë Muzaferie që është ngritur prej tij pranë malit Tasijhun.

Ibn Kethiri (Zoti e mëshiroftë) shkruan për sulltan Muzaferin si më poshtë: “Sulltan Muzaferi filloj të përgatitej për festimin e Mevludit Sherif me përkushtim, nder, lavdi dhe madhështi. Në këtë mënyrë ai organizoj një festival të madh. Ai ishte një dijetar i mirë, i sinqertë edhe i zgjuar po kështu edhe një udhëheqës i drejtë. Allahu i dhëntë paqe edhe mëshirë atij dhe e lartësoftë shpirtin e tij. Sheh Ebu el Hatab ibn Dhijah po kështu shkruan në librin e tij për të,  ndërsa flet për Mevludin Sherif, duke e quajtur veprën e tij “el tanuar fi Meulid el Bashir el Nadhir” (Ndriçimi mbi ditëlindjen e sjellësit të lajmit të mirë dhe paralajmëruesit). Për këtë libër Sulltan Muzaferi i dhuroj atij njëmijë dinarë. Sulltan Muzaferi ndejti sundimtar deri në vdekjen e tij i cili ndodhi në 630 hixhri në qytetin e Akka-së kur i kishte evropianët nën sundim. Shkurtimisht ai qe një njeri i devotshëm dhe i drejtë”.

Sibt ibn El Xheuzi (Zoti e mëshiroftë) ka shkruar në veprën e tij “Mir’at el Zaman” se një prej pjesëmarrësve në Mevludin Sharif të organizuar nga Sulltan Muzaferi na tregon se në tavolinën mbretërore ishin më shumë se sa njëqind pjatanca me mish viçi, dhjetë mijë pula dhe shporta të tëra me ëmbëlsira apo fruta. Ai pohon se dijetarë të mëdhenj dhe të devotshëm si edhe dijetarë sufinj ishin të pranishëm në Mevludin Sherif që u mbajt nga sulltani i cili i nderoj ato me veshje edhe me poste të ndryshme. Ndërsa për sufinjtë kishte një mahfil es-semea që zgjaste nga dreka e deri në sabah, atje merrte pjesë edhe vetë sulltani i cili i bashkohej adhurimit të sufinjve derisa arrinin ekstazën. Në çdo vit shpenzimet e Sulltanit për këtë festë rriteshin me rreth treqind mijë dinarë. Për ato që vinin nga jashtë (qytetit) ai i siguronte shtëpi ku të qëndronin, njerëzit vinin nga çdo cep edhe nuk kishte për to dallime. Shpenzimet e shtëpive të të ftuarve ishin rreth njëqind mijë dinarë për çdo vit.

Po kështu, ai shpenzonte një shumë prej dyqind mijë dinarësh në vit për të liruar të burgosurit muslimanë që ishin në duart e Evropianëve, po kështu për mirëmbajtjen e dy Haremeve dhe për sigurimin e ujit gjatë udhëtimit në Hixhaz të haxhilerëve. Ai shpenzonte rreth treqind mijë dinarë në vit. Këtyre u duhet të shtohen edhe sadakatë që ai i jepte në mënyrë të fshehtë nga syri i njerëzve. Gruaja e tij, Rabiah Khatun bint Ejub, mostra e sulltan nasir Salahudin Ejubit transmeton se burri i saj vishej vetëm me një këmishë të gjatë prej pambuku që nuk kushtonte më shumë se sa pesë dërhem. Një herë ajo e kritikoi atë për këtë veshje, ndërkohë që ai iu kthye asaj duke i thënë se veshja e tij prej pesë dërhemësh  ishte sepse shumicën e parave që ai zotëronte e shpenzonte në lëmoshë dhe se kjo ishte më e mirë se sa veshja e tij në mënyrë luksoze.

LIBRI I PARË MBI MEVLUDIN SHERIF

Ibn Khallikan shkroi një biografi të shkruar mbi Hafiz Ebu el Hatab ibn Dihjah “Ai ishte një nga dijetarët më të devotshëm edhe më të njohur. Ai udhëtoj nga Maroku në Siri dhe pastaj në Irak. Në vitin 654 hixhri ai kaloj në zonën e Irbilit, ku pa që sundimtari i kësaj zone, sulltani i njohur Muzafer el Din ibn Zainaledin po merrej me festimin e ditëlindjes së Profetit. Kështu që shkroi një libër ‘Kitab el Tanuir fi Maulid el Bashir el Nadhir’ që ia lexoj Sulltanit vetë ai. Unë  (Sujuti) e kam dëgjuar librin të lexohet në gjashtë takime tek vendi i sulltanit në vitin 625 Hixhri”

Trajtesa e El-fakihanit që refuzon mevludin

Sheh Taxhudin Umer ibn Ali el Khumi el Iskandari, i mirënjohur si el Fakihani, ka pohuar se Mevludi Sherif është shpikje (një bidat) që duhet përçmuar. Për këtë arsye ai ka shkruar një risale me titull “el Maulid fi-l-Kalam ala Maulid” (Origjina e diskutimeve përsa i përket Ditëlindjes së Profetit).

Rrefuzimi i trajtesës së mësipërme

Do t’iu lutesha të shikoni me vëmendje përgjigjen time për atë çka thënë el Fakihani në këtë trajtesë.

Përsa i përket pohimit të tij se ai nuk arrin të gjej ndonjë bazë për mevludin në Kuran apo Sunet, ne i përgjigjemi se mos dija për një argument të caktuar nuk do të thotë domosdoshmërish se ai argument nuk ekziston (pra nëse dikush nuk ka dijeni mbi një diçka nuk do të thotë se ajo nuk ekziston). Imami i Hafëzëve Abdul Fadl Ahmad ibn Haxher (Zoti e mëshiroftë) ka nxjerrë një sërë të dhënash edhe argumentesh se Mevludi Sherif është prej Sunetit. Një nga argumentet që ai ka nxjerrë edhe shqyrton unë do ta parashtrojë më vijim të trajtesës sime.

El Fakihani pohon se Mevludi Sherif është një bidat i krijuar nga njerëz përtac dhe të pavlerë, të cilët  janë skllevër të stomakut të tyre dhe mbi të cilët predominon dëshira edhe nefsi. Më tej duke arsyetuar në këtë formë ai tregon se mevludi nuk është as vaxhib edhe as mendub përderisa as Sheriati nuk e rekomandon por as nuk është praktikë e Sahabëve, Tabi’inëve dhe Ulemave të hershëm. Si kundërpërgjigje të kësaj ne pohojmë se kjo është një traditë e filluar nga një sundimtar i drejtë i cili ishte edhe dijetar i cili me qëllim afrimin e tij më afër me Zotin filloj ta praktikonte. Në të kundërt ibn Dihjah (një dijetar me emër i asaj kohe) e pëlqeu këtë formë celebrimi të Mevludit Sherif dhe shkoj një libër mbi këtë mesele edhe sundimtarin që e nisi këtë lloj festimi (sikurse u pohua më sipër). Këto ishin ulematë e mëparshëm të cilët e pëlqyen Mevludin Sherif edhe që e mbështetën dhe e konfirmuan atë pa e kritikuar apo mohuar. (Kjo në vetvete është një provë që El Fakihani dhe argumentet e tij janë të dobëta dhe të gabuara).

Mandej mbetet pohimi i tij se Mevludi në të vërtetë nuk është as mendub pra që as Sheriati nuk e ka kërkuar atë.  Përgjigja është se kërkesat e sheriatit njihen përmes një Nassi (një pohim tekstual i qartë nga Kurani dhe Suneti) dhe ndonjëherë përmes kijasit(analogjisë). Sa i përket mevludit, ndonëse nuk gjendet asnjë tekst i qartë për të mund të mbështetemi tek analogjia (kur mbi bazën e këtyre Kuranit dhe Sunetit bëjmë një analogji, atëherë mund të nxjerrim rrekomandueshmërinë (mendub) të mevludit).

Kategoritë e ndryshme të bidatit (risisë)

Pohimi i tij se Mevludi Sherif nuk mundet të jetë mubah (i lejuar), sese sipas ixhmait (konsensusit) të dijetarëve ç’do gjë që është  bidat nuk mundet të jetë mubah, është një pohim i pasaktë. Kjo sepse në islam bidati nuk klasifikohet vetëm si haram apo mekruh, por  edhe mubah, mendub ose vaxhib.

Imam Neveviu (Zoti e mëshiroftë) thotë në veprën e tij “Tahdhib el Asma uel Lugat”: “Bidati ëshë një shpikje në sheriat  e cila nuk ka qenë në kohën e Profetit edhe që ndahet në dy kategori Haseneh (e mirë) edhe Kabihah (e keqe)

Sheh Izudin Ibn Abdul Selam (Zoti e mëshiroftë) shkruan në veprën e tij “El Kavaid”: “Bidati është i ndarë në vaxhib, haram, mendub, mekruh dhe mubah. Mënyra për të dalluar se kujt kategorie i përket një bidat është duke e ekzaminuar atë së bashku me ligjet e Sheriatit. Nëse ai bie nën kategorinë e ligjeve që flasin për vaxhib, atëherë  edhe ai është i tillë. Nëse përshtatet me ligjet që flasin për haramin edhe ai është i tillë, nëse përshtatet me ligjet për flasin për Mandubin, Mekruhun, apo mubah-un, edhe bidati është i tillë”

Më pas ai vazhdon të japë pesë shembuj të bidateve edhe shkruan “Përsa i përket bidatit Mendub (të lejuar), është shembulli i ngritjes së bujtinave dhe institucioneve të dijes si dhe bërja e veprave të mira që nuk ishin në kohën e Profetit. Në këtë kategorinë e fundit futet edhe namazi i Teravive (me xhemat), diskutimet rreth tesavufit dhe debatet logjike (te kelamit). E mes të tjerave është edhe mbledhja e asambleve për deduktimin e ligjeve rreth problemeve te caktuara me qëllim përfitimin e kënaqësisë së Allahut”

Imam Bejhekiu (Zoti e mëshiroftë) në veprën e tij “Menakib el Shafi’i” ka transmetuar nga Imam Shafi’i (Zoti e mëshiroftë) i cili ka thënë “Risitë janë dy llojesh. Lloji i parë janë ato gjëra që nuk  përputhen me Kuranin, Sunetin, me disa Athare apo me Ixhmane (konsensusin).Kjo është kategoria e bidatit dalaleh (risisë së keqe). Ndërsa lloji i dytë janë ato risi që vijnë prej gjërave të mira e që nuk bien në kundërshtim me (burimet) e lartpërmendura”

Umeri (Zoti e mëshiroftë) është shprehur, për sa i përket të falurit  (të teravive me xhemat) në muajin e Ramazanit, “Çfarë Bidati i mirë që është ky!” kjo do të thotë që është diçka e re në fenë tonë që nuk ishte më parë dhe që nuk kundërshton asnjë prej burimeve të përmendura më parë.

 

Bidati mendub (i rekomandueshëm)

Kjo e mohon pohimin e El Fakihanit se Mevludi Sherif nuk mund të jetë Mubah. Por në fakt është një Bidat që është Mekruh. Kjo sepse Mevludi Sherif bën pjesë në kategorinë e atyre risive që nuk bien në kundërshtim me asgjë në Kuran, Sunet, Athar apo Ixhma. Kështu që mevludi nuk është diçka e dënueshme (d.m.th. nga këndvështrimi sheriatik nuk ka asgjë të keqe në të) , siç thuhet edhe në pohimin e Imam Shafiut. Ai është një veprim i mirë i cili, ndonëse në formën e tanishme nuk ka qenë kryer në kohën e selefëve, gjithsesi u bë praktikë në kohërat e mëvonshme.

Ftesa për të ngrënë e për të pirë në një vend apo festë ku nuk ka mëkat në të nuk është në vetvete një veprim i ndaluar përkundrazi. Në këtë mënyrë, rasti i Mevludit Sherif, ku një grup njerëzish  duke pasur një të ardhur fton njerëz të ndryshëm për tu ushqyer, ngrënë apo pirë në shtëpinë e tij nuk është aspak një veprim kundër Sheriatit- ajo mbledhje është një Bidat (risi) që është Mandub (i rekomandueshëm) sikurse është qartësisht e kuptueshme nga thënia e dijetarit të nderuar Izudin ibn Abdul Selam (Zoti e mëshiroftë).

Gjërat që janë haram dhe mekruh

Për sa i përket formës së dytë të kritikuar nga El-Fakihani, kriticizmi i tij është i saktë.  Nuk ka asnjë dyshim se një asamble (mahfil) e tillë,  ku burra, gra, të rinj edhe fëmijë të vegjël përzihen lirisht, është e ndaluar. E njëjta gjë vlen edhe për ato asamble ku ka kërcime, muzikë dhe përdoren instrumente muzikore apo ku gratë këndojnë, anipse të veçuara, këngë me zë të lartë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se organizimi i një mevludi sherif është në vetvete haram. Përkundrazi, situata e lartpërmendur nuk konsiderohet haram për shkak të mbledhjes për të celebruar mevludin sherif, por për shkak të atyre gjërave që në sheriat konsiderohen haram dhe që përzihen me mbledhjen e bekuar për mevlud. Nëse këto gjëra të ndaluara nuk kryhen atëherë mevludi sherif do të jetë një grumbullim për të përkujtuar Muhamed Mustafanë (a.s.) dhe do të jetë i mbushur përplot me mirësi dhe bekime.

Mbi të gjitha, nëse këto lloj veprimesh do të ndodhnin gjatë namazit të xhumasë, është e qartë se kjo do të ishte një veprim i urryer dhe një çështje e ligë, por kjo nuk vë në dyshim grumbullimin për namazin e xhumasë. Është vënë re se disa prej këtyre veprimeve kanë ndodhur edhe gjatë faljes së teravive për Ramazan, por a do të ishte e konceptueshme që mbi këtë bazë të kritikohej grumbullimi në xhami për të falur namazin e Teravive? Padyshim që jo! Përkundrazi, ne do të themi se grumbullimi për Teravi është sunet,  një akt virtyti dhe ibadeti dhe se veprimet e lartpërmendura, që janë përzier me teravitë, janë të liga dhe të refuzuara.

Edhe për rastin tonë vlen e njëjta gjë, ne themi se grumbullimi për mevlud është në vetvete mendub (i rekomandueshme) dhe një akt virtyti, por veprimet e lartpërmendura, të cilat janë përzier me të, janë të dënueshme dhe të palejuara.

Përgënjeshtrimi i kundërshtimit të fundit

Në përfundim, Al-Fakihani pohon se Rabiul Euel është jo vetëm muaji i lindjes së profetit (a.s.), por edhe i vdekjes së tij. Kështu që shfaqja e gëzimit dhe lumturisë nuk është as më e mirë dhe as më e përshtatshme se manifestimi i keqardhjes dhe pikëllimit. Si kundërpërgjigje ndaj këtij arsyetimi, pikësëpari ne jemi të gjithë njëzëri në pohimin se lindja e profetit (a.s.) është favori më i madh që Allahu na ka dhuruar dhe se vdekja e tij është pikëllimi më i madh për ne. Gjithsesi, sheriati na ka nxitur që të tregojmë mirënjohje për favoret që na janë dhuruar dhe të tregojmë durim, këmbëngulje, heshtje dhe qetësi përballë vuajtjeve. Sheriati na ka urdhëruar që të kryejmë akikën kur na lind një fëmijë, e cila është një shprehje e mirënjohjes dhe lumturisë për lindjen e fëmijës. Por sheriati nuk na ka urdhëruar të flijojmë ndonjë kafshë me rastin e vdekjes së ndonjërit, përkundrazi sheriati ka ndaluar kujën dhe vajin me rast vdekjeje. Kështu që ligjet e sheriatit sugjerojnë se të shfaqësh lumturi, në muajin e shenjtë Rabiul Euel, në lidhje me lindjen e profetit (a.s.) është me e mirë se shfaqja e pikëllimit për vdekjen e tij.

Ibn Rexhepi në librin e tij “Kitab el-Lataif” ka kritikuar Rauafidat (një sekt shiit) se për shkak të martirizimit të Imam Huseinit (r.a.) e kanë shndërruar Ashuran (dita e 10 e Muharremit) në një ditë zie

Pikëpamja e Ibn Haxh-it

Imam Ebu Abdullah in Haxh (r.a.) e ka trajtuar çështjen e mevludit sherif me shumë pjekuri dhe mendjemprehtësi në librin e tij “El-Medkhal”. Për ta përmbledhur idenë e tij, ai ka lavdëruar celebrimin e mevludit sherif nëse bëhet me gëzim dhe duke i shfaqur mirënjohje Allahut dhe ka kritikuar të gjitha ato gjëra haram dhe të ndaluara të cilat janë përzier në të. Këtu unë do të citoj një pjesë të diskutimit të tij.

Diçka rreth mevludit

“Disa prej gjërave që njerëzit kanë kryer, duke menduar se në këtë mënyrë ato janë duke u angazhuar në një akt të madh ibadeti dhe pjesëmarrjeje në ceremonitë religjioze (për të celebruar përkujtimin e ndonjë ngjarjeje të madhe), është fakti se në muajin Rabiul Euel ata celebrojnë mevludin me risi e gjëra të ndaluara. Midis këtyre gjërave janë këndimi nga pjesëmarrësit i këngëve dhe poezive shoqëruar me instrumente muzikore (bateri, flaute, harqe etj.)…. Nuk ka dyshim se kjo lloj Semaa-je (dëgjimi i muzikës apo poezive shoqëruar me instrumente muzikorë) edhe nëse do të bëhej në ditë të tjera përveç kësaj dite do të ishte e palejuar. Çfarë justifikimi ka atëherë për ta kryer një akt të tillë gjatë muajit të shenjtë, të cilin Allahu i Lartësuar e ka pajisur më përsosmëri dhe bekime duke e bërë lindjen e profetit të ndodhë gjatë këtij muaji? Çfarë lidhjeje ka një veprim i tillë me muajin e shenjtë dhe të bekuar, në të cilin Allahu na dha ihsanin e madh të lindjes së mbarë të profetit  të nderuar (a.s.), prijësi i të parëve dhe të fundmëve?”

“Kështu që, është vaxhib që në këtë muaj të shprehet një mirënjohje e veçantë ndaj Allahut dhe të kryhen sa më shumë adhurime dhe sadaka që të jetë e mundur, sepse Allahu na ka dhuruar këtë favor të madh (lindjen e profetit) të robit të tij të dashur. Ndonëse profeti (a.s.) nuk është angazhuar në shumimin e adhurimeve gjatë këtij muaji krahasuar me muajt e tjerë, e as nuk ka urdhëruar për një gjë të tillë, sidoqoftë në të vërtetë kjo vjen si fryt i mëshirës dhe dashamirësisë së profetit ndaj umetit të tij, për të krijuar lehtësim e butësi për ta. Kjo është arsyeja përse profeti ndonjëherë nuk kryente ndonjë veprim, sepse frikësohej se mos ajo bëhej e detyrueshme për umetin e tij. Kjo është rezultat i mëshirës së tij mbi ne.”

Meritat e ditës së lindjes së profetit të nderuar

“Sidoqoftë, profeti i nderuar ka sugjeruar epërsinë e muajit ku ai ka lindur gjatë një përgjigjeje që ai i dha një prej ndjekësve të tij. Kur pyetësi dëshironte të dinte rreth agjërimit në ditën e Hënë, profeti (a.s.) iu përgjigj: “Kjo është dita në të cilën unë kam lindur”.

“Duke qenë se epërsia e kësaj dite nënkupton edhe epërsinë e muajit në të cilin profeti ka lindur (Rabiul Euel), atëherë është detyrë e jona që ti japim këtij muaji respektin dhe shenjtërinë që meriton dhe ne duhet ta konsiderojmë këtë muaj të ndritur njësoj siç Allahu i ka bërë muajt e tjerë të bekuar të jenë të tillë. Në lidhje me këtë raportohet se profeti (a.s.) ka thënë: “Unë jam lideri i bijve të Ademit dhe për këtë nuk mburrem”. “Ademi dhe profetët e tjerë do të jenë nën flamurin tim në Ditën e Gjykimit”.

“Meritat dhe epërsia e kohëve dhe vendeve vijnë si rezultat i formave të adhurimit që kryhen në to, përmes së cilave Allahu i ka favorizuar ato. Është e njohur se kohët dhe vendet nuk përmbajnë në vetvete asnjë nder dhe se madhështia e tyre rritet në llogari të karakteristikave dhe dallimeve (përmes së cilave atyre i është garantuar epërsia), atëherë reflekto mbi favorin e madh me të cilin Allahu e ka dalluar dhe karakterizuar këtë muaj të bekuar, Rabiul Euel dhe ditën e Hënë. A nuk e sheh se agjërimi ditën e Hënë ka meritë sepse profeti (a.s.) ka lindur atë ditë?

Për këtë arsye është më se e përshtatshme, dhe e kemi për detyre, që kur të vij ky muaj i shenjtë ta trajtojmë me lartësimin, nderimin, respektin dhe vlerësimin që meriton. Në këtë rast duhet ndjekur shembulli i profetit (a.s), i cili në kohë të pajisur me dallim të veçantë e kishte zakon që të performonte maksimumin e mundshëm të akteve të virtytit dhe bamirësisë dhe bënte përgatitje të veçanta përkëtë. A nuk e ke dëgjuar pohimin e mëposhtëm të Ibn Abazit: “I dërguari i Allahut ishte njeriu më bujar dhe bujaria e tij arrinte kulmin gjatë muajit të Ramazanit”?

Përse respekti për muajin Rabiul Euel është thelbësor?

Ashtu siç profeti (a.s.) i nderonte kohët e pajisura me dallim të veçantë, po ashtu edhe ne përpiqem brenda mundësive që të zbatojmë këtë detyrë gjatë muajit Rabiul Euel. Nëse thuhet se ajo që profeti (a.s.) bënte në kohët e pajisura me veçanti specifike është e mirënjohur dhe se profeti nuk bënte gjatë muajit Rabiul Euel atë që bënte gjatë këtyre kohëve (muajve), përgjigja është se është i mirënjohur fakti se profeti (a.s.) ishte i pajisur me tiparin fisnik të kërkimit të lehtësimit për umetin e tij, veçanërisht për ato gjëra që lidheshin me personin e tij. A nuk e sheh se profeti (a.s.), lideri i njerëzimit, e shpalli Medinën si territor të shenjtë (Haram) njësoj siç Ibrahimi (a.s.) kishte bërë me Mekën, por ai nuk fiksoi për Medinën asnjë ndëshkim (apo ndalesë) për gjuetinë, prerjen e pemëve etj? A nuk e kupton se ai e bëri këtë nisur nga dëshira për lehtësim dhe mëshirë për umetin e tij?”

“Profeti (a.s.) mendonte mbi gjërat që lidheshin me të dhe ndonëse në to kishte merita të mëdha, gjithsesi falë dëshirës për lehtësim ndaj umetit të tij ai e kishte zakon që të përmbahej prej tyre. Nderimi i muajit Rabiul Euel i përket kësaj kategorie. Në të duhet bërë maksimumi i veprave të mira dhe bamirësisë dhe ai i cili nuk mund të bëj një gjë të tillë (d.m.th. për çdo lloj arsyeje ai nuk është në gjendje ti veproj këto gjëra), së paku ai duhet përmbahet nga kryerja e të gjitha harameve dhe mekruheve. Këto gjëra kërkohen edhe në muajt e tjerë, por ky muaj meriton respektin më të madh. Ai duhet të veproj njësoj si gjatë Ramazanit dhe muajve të tjerë të shenjtë, të jetë i kujdesshëm deri në maksimum, të përmbahet nga kryerja e gjynaheve dhe të largohet nga gjërat e papërshtatshme”.  

Kriticizëm nga Ibn Haxhi

Gjithsesi, në kohët e sotme disa njerëz veprojnë në kundërshtim me këtë. Kur vjen muaji i bekuar ata e zënë veten me lojë dhe dëfrim duke përdorur instrumente muzikore. Është për të ardhur keq fakti që ata argëtohen, luajnë muzikë dhe pohojnë se janë duke treguar respekt për muajin e bekuar! Pavarësisht faktit që ata e fillojnë mevludin duke recituar Kuran, më pas për të kënaqur nefset e tyre i drejtohen atyre që janë ekspert në artin e krimit të nxitjes dhe eksitimit të emocioneve, gjë e cila në vetvete është në bazë të shumë fenomeneve korruptive dhe shkatërruese.

“Duke mos qenë të kënaqur vetëm me këtë, shumë prej tyre i shtojnë edhe gjëra të tjera të rrezikshme duke sjellë këngëtarë djelmosha me pamje të bukur dhe me zë tërheqës. Këngëtari këndon poezi duke përdredhur zërin dhe lëvizjet. Në kët mënyrë, ai e hedh audiencën, burra dhe gra, në joshje. Si rezultat burra dhe gra bien pre e joshjes me të gjitha pasojat negative qe e shoqërojnë një gjë të tillë. Në disa raste ekstreme, ky fenomen bëhet shkak për prishjen e marrëdhënies bashkëshortore dhe ndarjen midis burrit dhe gruas. Kjo pasohet me periudhë shkatërrimi dhe rrënimi, ku shtëpia, paqja mendore e shpirtërore prishen. Këto të liga vijnë si rezultat i atyre celebrimeve të mevludit që përmbajnë në të edhe seksione semaa-je”

“Nëse mevludi sherif është i çlirët nga këto të liga (dhe këto lloj semaa-je) dhe njeti i vetëm është celebrimi i mevludit ndërsa ushqimi i përgatitur ka si synim të ftuarit e vëllezërve mysliman, atëherë mevludi është bidat vetëm porsa i përket nijetit sepse ky nijet është një shtesë në fe. Selefët nuk kanë bërë një nijet të tillë dhe është e qartë që ndjekja e tyre është parësore. Ne jemi ndjekësit e tyre dhe jemi të obliguar të ndjekim të njëjtat norma si ata prandaj duhet të kryejmë vetëm ato gjëra që ata kryen.

Thelbi i kriticizmit

Thelbi i citimit të lartpërmendur të Ibn Haxh-it (r.a.) është se ai nuk ka si synim kritikimin e mevludit sherif, por të atyre gjërave që janë haram ose mekruh në Sheriat. Nga pjesa e pare e citimit është e qartë se muajit të shenjtë (Rabiul Euel) i duhet dhënë një status i veçantë dhe duhet nderuar e respektuar duke kryer maksimumin e veprave të mira. Madje besimtari, në këtë muaj, duhet të tejkaloj limitet e tij në aktet e adhurimit, bamirësisë dhe veprave të mira. Kjo është forma e celebrimit të mevludit që konsiderohet e rekomandueshme, sepse në të nuk ka asgjë tjetër përveç recitimit të Kuranit dhe ftesës për të ngrënë së bashku dhe të gjitha këto janë akte mirësie dhe meritojnë shpërblim.

Sa i përket pohimit të tij se mevludi është një bidat,  kjo duhet kuptuar ose si kontradiktore me atë që Ibn Haxhi ka pohuar më parë (ku ai thekson nderimin e muajit Rabiul Euel) ose se mevludi është një bidat hasen (risi e mirë), ose se ai në vetvete është një akt i mirë dhe i lavdërueshëm dhe se bidati qëndron në bërjen e nijetit për mevlud (siç kuptohet edhe nga teksti i tij). Sipas këtij varianti të fundit, mevludi duhet konsideruar si një bidat vetëm për sa i përket aspektit të nijetit.

Shqyrtimi kritik i këtij pohimi

Mbetet për tu shqyrtuar edhe pohimi i Ibn Haxhit (r.a.) se nuk ka asnjë transmetim nga selefët që të tregoj se ndonjëri prej tyre ka bërë ndonjëherë nijet për mevlud. Nga ky pohim kuptohet, që për Ibn Haxhin, festimi i mevludit konsiderohet mekruh dhe se ai nuk vendoste në këtë kategori përgatitjen e ushqimit për vëllezërit mysliman. Nëse e analizojmë më nga afër këtë pohim do të shohim se ai bie në kundërshtim me pohimet pararendëse të tij. Kjo sepse Ibn Haxhi pohonte nevojshmërinë e shfaqjes së respektit ndaj Allahut (xh.sh.) gjatë muajit Rabiul Euel. Si dhe të angazhimit në kryerjen maksimale të akteve të adhurimit, bamirësisë dhe veprave të tjera të mira, për shkak se Allahu bëri të mundur në këtë muaj lindjen e profetit (a.s.). Bërja e nijetit për mevlud është pikërisht kjo. Si mund atëherë të kritikohet diçka për të cilën sapo është theksuar dobishmëria e kryerjes së saj? Veprat e mira, adhurimet, bamirësia etj, nuk mund konceptohen pa nijet. Edhe nëse supozojmë se ato bëhen pa nijet përsëri ato nuk mund të quhen adhurime dhe as mund të merren shpërblime për të. Sepse çdo vepër varet nga nijeti. Bërja e nijetit për mevlud do të thotë ti dëshmosh mirënjohje Allahut për lindjen shpresëdhënëse të profetit (a.s.) në muajin Rabiul Euel. Ky është synimi i mevludit dhe nuk ka asnjë dyshim se ky synim është i rekomandueshëm (d.m.th. një nijet i mirë). Mendohu thellë rreth kësaj dhe fiksoje atë në mendjen tënde.

Forma të pazakonta të festimit të mevludit

Pas kësaj Ibn Haxhi shkruan: “Disa njerëz nuk e celebrojnë mevludin vetëm për nder dhe respekt, por duke qenë se disa prej tyre kanë dhënë para me raste festash o të ngjashme me to, atëherë organizojnë një mevlud duke e përdorur si sebep për të rimarrë mbrapsht paratë.

Këto lloj qasjesh përmbajnë shumë fesad në të. Një prej tyre është hipokrizia, së jashtmi tregohet se po festohet mevludi për të tu shpërblyer në botën tjetër, ndërsa nijeti i vërtetë është rifitimi i pasurisë.

Këndvështrimi i Shehul Islamit Ibn Haxher Askalanit

Shehul Islam Ebdul Fadl Ahmed ibn Haxher (hafizi i kohës së tij) është pyetur për mevludin. Përgjigja e tij ishte se mevludi sherif është një bidat që nuk ishte transmetuar nga selefët e devotshëm të tre shekujve të parë. Në të gjenden akte të lavdërueshme si edhe të qortueshme. Nëse gjatë festimit të mevludit kryhen vetëm akte të lavdërueshme atëherë ai është bidat hasen.

Argumentet për mevludin

Imam Ibn Haxher Askalani pohon se ai ka gjetur një mbështetje të fuqishme për mevludin në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit. Kur profeti (a.s.) bëri hixhret në Medine vërejti se hebrenjtë agjëronin ditën e Ashurasë (dita e 10 Muharrem). Ai i pyeti ata për arsyen e një veprimi të tillë dhe ata iu përgjigjën se Ashura-ja ishte dita në të cilën Allahu shkatërroi Faraonin dhe çliroi prej tij Musain, për këtë arsye ata agjëronin këtë ditë për të treguar mirënjohjen e tyre ndaj Allahut.

Kjo përbën provë se lejohet shfaqja e mirënjohjes ndaj Allahut dhe kryerja e veprave të mira si një mjet përkujtimi për ato  ditë të veçanta në të cilën Allahu ka shfaqur favorin e Tij apo ka shpëtuar nga ndonjë fatkeqësi dhe se ky përkujtim mund të jetë i përvitshëm. Mirënjohja ndaj Allahut shfaqet përmes formave të ndryshme të adhurimit si sexhdja, kijami gjatë namazit, bamirësia dhe recitimi i Kuranit. Cili favor mund të jetë më i lartë se lindja e profetit (a.s.) në këtë ditë (12 Rabiul Euel)? Kështu që kjo ditë duhet respektuar posaçërisht në mënyrë që të arrihet një konsistencë me ngjarjet e Musait (a.s.) në ditën e Ashurasë.

Disa njerëz nuk përcaktojnë datë specifike dhe e festojnë mevludin në çdo ditë qoftë të muajit Rabiul Euel, disa të tjerë konsiderojnë se mevludi mund të celebrohet në çdo ditë të vitit. Synimi është i njëjtë, gëzimi dhe celebrimi i lindjes së profetit (a.s.).

Sa i përket veprimeve që ndodhin gjatë mevludit është e nevojshme që njerëzit gjatë celebrimit të tij të kufizohen vetëm në ato veprime në të cilat mirënjohja ndaj Allahut dëshmohet në mënyrë të duhur. Si përshembull recitimi i Kuranit, ftesa për të ngrënë së bashku, veprime bamirësie, recitime poezish për prijësin e dy botrave (profeti a.s.) dhe të vargjeve që shtyjnë njerëzit drejt adhurimit, devotshmërisë, kryerjes së veprave të mira dhe punës për botën tjetër.

Sa  i përket atyre gjërave që hyjnë në kategorinë e Semaa-së, dëfrimit dhe muzikës…dhe që kryhen brenda sferës së lejueshmërisë dhe që përmes së cilës shprehet gëzimi, në kryerjen e tyre nuk ka asgjë të keqe. Në të njëjtën kohë duhet larguar nga ato gjëra që i përkasin kategorisë së haramit dhe mekruh-it. Po ashtu duhet braktisur çdo gjë është në kundërshtim me atë që është më e preferueshme (eula).

Një tjetër argument për mevludin

Mua (Sujuti) më duhet të pranoj se kam gjetur një tjetër bazë për mevludin në një tjetër hadith sherif. Imam Bejhekiu transmeton nga Enesi (r.a.) se profeti (a.s.) e bëri akikën për lindjen e tij pas ishte bërë profet ndonëse Abdul Mutalibi e kishte bërë akikën për profetin shtatë ditë pas lindjes së tij dhe akika, siç dihet, kryhet vetëm një herë.

Nga ky fakt kuptojmë se profeti (a.s.) e bëri akikën e dytë për të treguar mirënjohje ndaj Allahut për lindjen e tij dhe për faktin se Ai e kishte bërë atë “mëshirë për gjithë njerëzimin”. Arsyeja tjetër për një veprim të tillë, është edhe fakti që profeti (a.s.)  me të ka dëshiruar që të krijoj një precedent në Sheriat për umetin e tij, njësoj siç e kishte zakon të recitonte Darud Sherif-in mbi veten e tij për të krijuar një princip në Sheriat për këtë akt të treguarit të nderit dhe respektit për të. Për këtë arsye është e rekomandueshme që të organizohet mevludi për të treguar mirënjohje ndaj Allahut për lindjen e profetit (a.s.), ku shtrohet ushqim dhe kryhen vepra të mira dhe festimi i mevludit bëhet më gëzim.

Argumentet e ofruara nga Ibn Xhezairi

Kam lexuar një libër të Imamit të kurrave Shemsudin Ibn Xhezairit (r.a.) titulluar “Urf El-Taarif bil Maëlid el-Sherif” në të cilin ai shkruan se pas vdekjes së Ebu Lehebit dikush e pa atë në ëndërr dhe e pyeti atë për gjendjen e tij. Ebu Lehebi iu përgjigj se ai ishte në ndëshkim, gjithsesi natën e ditës së Hënë dënimi i lehtësohej dhe ai thithte pak ujë nga gishti i tij (dhe tregoi gishtin e tij) sepse ishte përmes një gjesti me gishtin e tij që ai e liroi robëreshën e tij Thueibeh kur mori vesh lajmin e mirë të lindjes së profetit (a.s.), prandaj atij i lejohej të thithte ujë prej gishtit të tij. Tani imagjino, nëse një qafir si Ebu Lehebi, dënimi i së cilit ka ardhur në Kuran, është shpërblyer për manifestimin e gëzimit për lindjen e profetit (a.s.) a mund ta marrim me mend se si do të jetë gjendja e atij myslimani, ndjekës i sinqertë i teuhidit, që vendos të shpreh gëzimin e tij me rastin e lindjes së profetit (a.s.) dhe shpenzon sa ka mundësi për shkak të dashurisë për profetin? Pasha jetën time, shpërblimi i tij do të jetë që Allahu i Lartësuar, falë mëshirë së Tij gjithpërfëshirëse do ta vendos atë në Xhenet.

Poezia e Dimashk-ut për Mevludin

Hafiz Shemsudin Ibn Nasir el-Din el-Dimashku (r.a.) ka shkruar në librin e tij “Maurid el-Sadi fi Meulid el-Hadi”: “Është saktësuar në një hadith shih se Ebu Lehebit i lehtësohej ndëshkimi çdo të Hënë për shkak se nga gëzimi për lindjen e profetit (a.s.) i kish dhënë lirinë skllaves së tij Thueibeh”. Pas kësaj Dimashku shkruan: “Kur për këtë qafir, ndëshkimi i të cilit ka ardhur në kuran (tebed jeda ebu lehebi ue teb) thuhet se çdo të Hënë i pakësohet ndëshkimi për shkak të gëzimit të tij për lindjen e profetit (a.s.), çmund të themi atëherë për atë rob të Allahut i cili ka shpenzuar gjithë jetën e tij duke qenë i gëzuar për lindjen e Profetit (a.s.) dhe duke vdekur si përkrahës i teuhidit?

Praktika e një fakihu sufist.

Kemal Adfiri pohon në librin e tij “El-Tali el-Said” se miku i tij i besueshëm dhe fisnik Nasir el-Din Mahmud Ibn El-imad transmeton se Ebu Tajib Muhamed ibn Ibrahim el-Sibti el-Maliki një banor i Tuzit dhe një dijetar i devotshëm, e kishte zakon të kalonte nga medreseja gjatë ditës së mevludit dhe thoshte: “O juristë! Sot është dita e festës. Jepini studentëve pushim dhe dërgojini në shtëpi”. Kështu që ata e kishin zakon ta bënin pushim atë ditë dhe ti dërgonin studentët në shtëpi.

Kjo është dëshmi e aprovimit që ky dijetar i bënte mevludit. Ky zotëri ishte një fakih i famshëm Maliki, i cili ishte specialist në shumë shkenca të fesë Islame dhe ishte një njeri shumë i devotshëm. Ebu Hajani dhe të tjerë kanë transmetuar hadithe prej tij. Ai vdiq në vitin 695 hixhri.

 

Përktheu: Xhodi Hysa

 

Last modified: 16/10/2014
Close