A.G. Palladino Burimi: New Catholic Encyclopedia, second edition, vol. 11 (Tomson & Gale publisher 1967)
Paracaktimi është plani i krijuar përjetësisht nga Zoti përmes të të cilit ai udhëheq krijesat e arsyeshme në qëllimin e tyre mbinatyror, në jetën e përjetshme. Pashmangshmërisht, ky plan është tejet i ndërlikuar. Duhet të ketë të bëjë, pikë së pari, me RENDIN MBINATYROR; qëllimin e tij, që është jeta e përjetshme; mjetet e tij, tërësinë që ne e quajmë HIR mbinatyror (hir shenjtërues dhe ekzistues, i efektshëm dhe i mjaftueshëm, VIRYTET e shkrira, dhe dhuratat e SHPIRTIT TË SHENJTË). Paracaktimi përfshin gjithashtu ngushtësisht njohurinë paraprake hyjnore të veprimeve të ardhshme të lira, ushtrimin e VULLNETIT TË LIRË të njeriut, dhe paracaktimin hyjnor. Ky artikull do të përbëhet në parim nga tre pjesë: (1) një ekspoze e natyrës së paracaktimit dhe e koncepteve me të cilat është i lidhur pashmangshmërisht; (2) një paraqitje e mësimeve katolike sa i përket kësaj të fshehte të madhe (këtu theksi do të vihet në zhvillimin historik); dhe (3) një vëzhgim i sistemeve parësore teologjike të formuluara nga teologët e mëdhenj të Kishës në orvatjet e tyre për të përvijuar dhe për të qartësuar këtë të vërtetë të shpallur.
Paracaktimi dhe konceptet që ndërlidhen me të.
Në kuptimin e tij më të përgjithshëm, paracaktimi është urdhëresë e Zotit, një vendim i brendshëm i urtësisë dhe vullnetit hyjnor, nëpërmjet të cilit Zoti zgjidh dhe përcakton se çfarë Ai Vetë do të bëjë që të ndodhë. Sipas Shën Palit, është këshilla e vullnetit hyjnor ajo nëpërmjet së cilës Zoti jetëson të gjitha gjërat (Eph. 1.11), ose, sipas Shën Agustinit, është ajo nëpërmjet së cilës Ai rendit brenda Vetes së Tij se çfarë ka Ai për qëllim të arrijë (Persev. 17.41; Patrologia Latina 45:1018). Në këtë kuptim të përgjithshëm, paracaktimi hyjnor ka dorë në të gjitha veprat e Zotit. Gjithçka që ai bën dhe kryen është paracaktuar prej Tij me anë të një urdhërese hyjnor që para se ajo të ndodhë në kohë. Mirëpo, më saktësisht, paracaktimi nënkupton rregullimin që Zoti bën, me anë të të cilit disa njerëz udhëhiqen me efikasitet drejt arritjes së SHPËTIMIT. Nga ana e Zotit, ky rregullim hyjnor përmban dy veprime. Së pari, është një akt i intelektit hyjnor, me anë të të cilit Zoti njeh paraprakisht pa asnjë gabim se cilët njerëz do të shpëtohen dhe mjetet nëpërmjet të cilave ata do ta arrijnë këtë shpëtim. Së dyti, ai përmban një akt të VULLNETIT TË ZOTIT me anë të të cilit Ai jep urdhër për të shpëtuar këta njerëz pikërisht sipas formës që Ai Vetë ka planifikuar. Për këtë arsye, Shën Agustini e ka përkufizuar paracaktimin si “njohuria paraprake dhe përgatitja e atyre dhuratave të Zotit nëpërmjet të cilave ata që janë të çliruar janë me siguri të çliruar” (Persev 14:35; Patrologia Latina 45:1014). Sipas Agustinit, qëllimi i paracaktimit është shpëtimi, çlirimi nga skllavëria e MËKATIT, si dhe të gjitha përfitimet nëpërmjet të cilave arrihet shpëtimi, pra, hiret efikase, ku hyn dhe dhurata e KËMBËNGULJES përfundimtare. Lidhja e pashmangshme ndërmjet këtyre përfitimeve, çka do të thotë mjetet dhe çlirimi nga skllavëria, e ka themelin te Vetë Zoti. Subjekti i paracaktimit janë të gjithë njerëzit që janë të shpëtuar në të vërtetë. Pra paracaktimi, ekziston formalisht te Zoti. Është një akt i Zotit në PËRJETËSINË e Tij Hyjnore. Në përcaktimin e mësipërm, ‘paraprake’ në ‘njohuri paraprake’ dhe ‘për’ në ‘përgatitje’ shprehin pavarësinë e aktivitetit të Zotit në këtë proçes dhe jo PËRJETËSINË E ZOTIT. Ndonëse përkufizimin i Agustinit është klasik, ai i Shën Toma Akuinit është, sipas të gjitha gjasave, më i saktë. Sipas tij, ‘paracaktimi është një plan që ekziston në mendjen hyjnore për urdhërimin e disa personave drejt shpëtimit të përjetshëm’ (Summa Theologiae 1a, 23.2). Objekti i paracaktimit për Shën Tomain, pra, është qëllimi mbinatyror që duhet të arrihet nga krijesa e arsyeshme dhe renditja e pagabueshme e mjeteve për këtë qëllim. Është e qartë se subjekt i paracaktimit s’mund të jetë vetëm se një krijesë intelektuale. Është gjithë aq e qartë se paracaktimi ekziston formalisht vetëm tek Zoti, që do të thotë, në mendjen hyjnore. Rrjedhimisht, parë në tërësiënë e tij, paracaktimi përmban prej Zotit sa më poshtë: (1) parashikimin e fundit; (2) një gradë apo masë të caktuar lavdie; dhe (3) renditjen hyjnore të mjeteve. Këta tre faktorë i takojnë akteve të intelektit hyjnor. Përtej kësaj, me vullnetin hyjnor kanë të bëjnë ato sa më poshtë: (1) thirrja e parë e të zgjedhurit në PËRLIGJJE; (2) urdhëresa për t’i dhënë hire efikase; dhe (3) urdhëresa për t’i dhënë dhuratën e këmbënguljes. Ndonëse akti i vullnetit është më i thjeshti, ai megjithatë nuk realizon qëllimet e tij të krijuara në të njëjtën mënyrë. Andaj, paracaktimi është kosnideruar nga teologët me koncepte të gjithëpërfshirjes së ndryshueshme: (1) Paracaktimi i vështruar në tërësinë e vetë. Ky është paracaktimi sa I përket vargjeve të plota të hireve nëpërmjet të cilave njeriu shpëtohet. Paracaktimi në këtë kuptim e konsideron të gjithë proçesin nga fillimi gjer në fund, nga thirrja e parë e një shpirti gjer te rruga e shpëtimit e gjer te dhënia e lavdisë përfundimtare. (2) Paracaktimi i vështruar pjesërisht. Ky është paracaktimi i konsideruar në një aspekt të vetëm të vargjeve të plota të pasojave. Rrjedh nga ndarja e të gjithë proçesit të paracaktimit në pjesë përbërëse logjike. E kështu paracaktimi mund të konsiderohet vetëm përballë BESIMIT, vetëm përballë përligjjes, ose vetëm përballë lavdisë. Sipas mësimeve të Kishës dhe të Shkrimeve të Shenjta në vetvete, paracaktimi, i vështruar në tërësi, është, në kuptimin më të plotë të fjalës, i dhuruar; nuk është i meritueshëm nga njeriu; është i pavarur nga e gjithë ajo çka është krejtësisht njerëzore apo jashtë Zotit. Të dhuruarit në paracaktim qëndron në atë që secili njeri nuk ka absolutisht asnjë arsye apo bazë se përse atij duhet t’i takojë të ketë vargun e plotë të pasojave që strukturojnë paracaktimin, i vështruar ky në tërësi, që do të thotë, që nga hapi fillestar i thirrjes së parë e deri në dhurimin final të lavdisë. Pavarësisht nga fakti se vullneti i Zotit nuk mund të preket nga asnjë vullnet i krijuar, çështja megjithatë ka shtruar pyetjen nëse ekzistenca e këtyre vargjeve të plota të pasojave të krijuara, që strukturojnë paracaktimin tërësor, mund të mos ketë ndonjë bazë apo themel në njeriun e veçantë që shpëtohet? E vetmja përgjigje që mund t’i jepet kësaj pyetje është se arsyeja përfundimtare dhe e saktë për shpëtimin e secilit njeri nuk mund të gjendet brenda vetë njeriut, por vetëm në mëshirën e Zotit. Mirëpo, ky fakt qendror, sado themelor që mund të jetë, nuk duhet të përjashtojë arsyen tjetër të shpëtimit, veprat e merituara të vetë njeriut. Po ashtu, themelor në çdo diskutim të teologjisë së paracaktimit është dallimi ndërmjet faljes në rendin mbinatyror, të caktuarit e të gjithë njerëzimit drejt një fundi mbinatyror, dhe faljes në paracaktim. Ato ndryshojnë nga njëra tjetra. Fakti universal i të falurit të fatit mbinatyror të njeriut qëndron në të vërtetën se Zoti, thjesht me anë të bujarisë së Tij, i jep çdo pjesëtari të racës njerëzore mundësinë e shpëtimit. Është pra, rrjedhimisht, një falje në rendin e hireve thjesht të mjaftueshme. Të falurit e paracaktimit i shtohet asaj sa u cek më sipër, përkatësisht, që arsyeja përfundimtare për jetësimin e kësaj mundësie shpëtimi mund të gjendet tek Vetë Zoti. Është një falje në rendin e hireve efikase. Kjo është ajo që quhet parimi i parapëlqimit hyjnor. Është parapëlqim i posaçëm i Zotit për ata që përfundimisht shpëtohen. Zoti është kaq i prirur ndaj këtyre njerëzve jo për shkak të ndonjë të mire brenda tyre që tërheq dashurinë e Tij; Ai vepron kështu thjesht sepse kështu dëshiron Ai. Parapëlqimi hyjnor në vetvete është në thelbin e misterit të paracaktimit.
Mësimet katolike
Paraqitja e natyrës së paracaktimit sipas mësimeve katolike bëhet më e qartë dhe më kuptimplotë kur shihet në suaza historike. Misteri i paracaktimit qëndron në mes të dy ekstremeve, çdonjëri prej të cilëve ose braktis krejtësisht njërin ose tjetrin nga dy elementet organikë të konceptuar, ose, në çfarëdo rrethanash, vendos një theks kaq të tepërt mbi njërin saqë tjetri lihet pa u marrë parasysh. Ose pavarësia dhe vetëaktiviteti i njeriut theksohen tej mase deri aty sa të përjashtohet inicimi dhe udhëzimi që Zoti i bën hapave paraprakë të njeriut dhe progresit të vazhdueshëm (Pelagianizmi dhe SemiPelagianizmi), ose nisma dhe udhëzimi hyjnor paraqitet sikur e shtyn dhe e nxiton njeriun pa u lëkundur përpara në mënyrë të atillë saqë lëvizja e tij e lirë dhe përparimi i tij janë të errësuara ose të mohuara krejtësisht (predestinacionizmi, paracaktimizmi). Para kohës së Shën Agustinit, Etërit e Kishës nuk e shqetësonin veten me problemin e paracaktimit. Ishte peshkopi i Hiposit ai që e shtjelloi fund e krye këtë mister, me vendosmërinë teologjike që e karakterizonte atë. Nga viti 418 deri në vitin 531, në Kishën Perëndimore ngritën krye shumë kundërshti serioze që kishin të bënin me të shpjeguarit e themelit përfundimtar për shpëtimin e atyre që janë të shpëtuar (i zgjedhuri) si dhe me gjetjen e arsyes për dënimin e atyre që nuk janë të shpëtuar (të pamoralshmit). Kjo trazirë teologjike ka qenë qendërzuar përreth kundërshtive pelagiane dhe gjysmë-pelagiane.
Pelagianizmi
Kjo herezi (shiko PELAGIUS DHE PELAGIANIZMI) mohoi nevojën e hirit mbinatyror dhe rrjedhimisht nuk e pranoi paracaktimin në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ajo pretendonte se vetëm nëpërmjet përdorimit të vullnetit të tij të lirë dhe nëpërmjet fuqive të tjera natyrore, njeriu është në gjendje të besojë dhe të veprojë në mënyrë të shëndetshme pa ndihmesën e hirit mbinatyror dhe rrjedhimisht është në gjendje të fitojë lumturinë e përjetshme. Sipas kësaj doktrine, mund të pranoheshin disa tipe paracaktimi. Mirëpo, nuk do të ishte asgjë më tepër se sa njohja paraprake e Zotit nëpërmjet së cilës Ai parasheh se cilët njerëz do të arrijnë shpëtimin në sajë përpjekjeve të tyre. Rrjedhimisht, Zoti nëpërmjet parashikimit të Tij hyjnor, zgjedh si të bekuar ata që Ai ka paraparë se do të shpëtohen vetëm në sajë të fuqive të tyre.
Gjysmë-Pelagianizmi
Në anën tjetër, Gjysmë-Pelagianizmi është përpjekur të zbusë qëndrimin ekstrem të Pelagianizmit. Ai pohonte se, pa ndihmesën e hirit hyjnor, njeriu i rënë e ka të pamundur, për shkak të fuqive të tij natyrore, të jetë i përligjur ose të parashtrojë vepra që do ta bënin atë të meritonte jetën e përjetshme. Por mbi gjithçka tjetër, duhet të konsiderohet vullneti i Zotit për të shpëtuar. Ekzistonte ndjesia se ky vullnet për të shëpëtuar në të vërtetë do të mohohej, nëse nuk pohohej qartazi se themeli përfundimtar për shpëtimin e të shpëtuarit dhe dënimin e të pamoralshmit mund të gjendet në përdorimin e mirë apo shpërdorimin e lirisë njerëzore. Nëse Zoti dëshiron me të vërtetë dhe sinqerisht që të shpëtohen të gjithë njerëzit, Ai, nga ana e Tij, duhet të dëshirojë shpëtimin e të gjithëve me një barazi dhe paanshmëri të plotë. Nuk duhet të shfaqë asnjë favoritizëm apo preferencë të veçantë sa i përket shpëtimit të një njeriu ndaj atij të një tjetri. Nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë shpëtimi i një njeriu dhe MALLKIMI I PËRJETSHËM i një tjetri do të ndodhte drejtëpërdrejtë vetëm në sajë të veprimit të Zotit. Kjo do të shkatërronte çdo ngjashmëri të vullnetit universal për të shpëtuar dhe do të ishte i padrejtë. Gjysmë-Pelagianizmi pretendonte, pra, se parimi thelbësor i Agustinit, se parapëlqimi i dhuruar dhe parazgjedhja e Zotit janë arsyeja finale për shpëtimin e të zgjedhurit, është i papajtueshëm me dogmën e vullnetit universal për të shpëtuar. Themeli përfundimtar për shpëtimin duhet kërkuar te njeriu, jo te Zoti. Njeriu, ndonëse është i degraduar, nëpërmjet fuqive të tij natyrore është në gjendje që të dëshirojë dhe të kërkojë shpëtim. Ai është në gjendje të besojë dhe rrjedhimisht të parashtrojë hapin e parë në proçesin e shpëtimit, i cili është besimi. Vetëm mandej vjen Zoti dhe Ai jep çka mbetet, pra, përligjjen, aktin e meritueshëm dhe lavdinë. Pavarësisht nga pabarazia ndërmjet orvatjeve të varfra natyrore të njeriut dhe dhënies së dhuratave mbinatyrore nga Zoti, është megjithatë ky përdorim i lirë i pandihmuar i vullnetit të tij të drejtuar kah Zoti që përbën arsyen përfundimtare përse një njeri arrin përligjjen dhe shpëtimin, dhe përse një tjetër jo. Krahas kësaj, gjysmë-Pelagianizmi refuzoi doktrinën se këmbëngulja finale është një dhuratë e falur e Zotit, dhënia e së cilës varet vetëm në bujarinë hyjnore. Ky qëndrim nuk mund t’i rezistojë pikëpamjes së paanshmërisë së domosdoshme të Zotit ndaj të gjithë njerëzve. Zoti nuk është një respektues i personave.
Doktrina e Shën Agustinit
Përkundër gjithë kësaj, Shën Agustini dhe ndjekësit e tij refuzuan me forcë tezën se çdo njeri është i paracaktuar për shpëtim pasi Zoti parashikoi se njeriu do të arrinte këtë gjëndje nëpërmjet përpjekjeve të tij. E kundërta është e vërtetë. Njerëzit bëjnë jetë të shenjtë dhe kryejnë vepra të meritueshme pasi ata janë zgjedhur paraprakisht prej Zotit. Ata u zgjodhën pikërisht kështu që të mund të justifikohen nga hiri i Zotit, të parashtrojnë vepra të meritueshme, të këmbëngulin dhe rrejdhimisht të shpëtohen. Që do të thotë se Zoti nuk i zgjodhi këta njerëz nga shpëtimi i përjetshëm pasi ata ishin tashmë të shenjtë, por përkundrazi, për arsye të ditura vetëm nga Ai Vetë, Ai i zgjodhi ndërsa ata ishin akoma të pavlerë në mënyrë që Ai mund t’i bënte ata të shenjtë dhe, kështu pra, të denjë për lavdinë e përjetshme (Praed. sanct. 17.34; Patrologia Latina 44:985). Sipas Agustinit, urdhëresat e vullnetit hyjnor janë të pagabueshme sa i përket paracaktimit jo sepse Zoti di paraprakisht që njeriu do të japë miratimin e tij; ato janë të pagabueshme sepse Ai është i Gjithëfuqishëm dhe Ai kryen çfarë dëshiron (Corrept. 14.43; Patrologia Latina 44:942). Pas vdekjes së Shën Agustinit (430), u shkruajtën një larmi pamfletesh dhe traktatesh; disa shtrembëronin mësimet e Shën Agustinit; të tjerë e kritikonin sinqerisht atë si tepër ekstrem. Ndërmjet kritikëve (gjysmë-pelagianëve) ishin John CASSIAN, Shën VINCENT i LERINSIT, FAUSTUS I RIEZIT, DHE GENNADIUS I MARSEJËS. Ata që mbronin Agustinin ishin PROSPER I AQUITAINE, FULGENTIUS I RUSPE, dhe SHËN CAESARIUS I ARLES. Besnik ndaj shkrimeve të mjeshtrit, Prosperi shkroi: ‘Ne duhet të besojmë dhe të shprehim me sinqeritetin më të madh se Zoti dëshiron që të shpëtohen të gjithë njerëzit. Pasi kjo vërtet, është mendja e Apostullit (1 Tm 2.4), i cili me ngulmimin më të madh urdhëron atë që është një zakon mëse i devotshëm në të gjitha Kishat, që Zotit t’i bëhen lutje përgjëruese për të gjithë njerëzit. Fakti që shumë prej këtyre zhduken, ky është faji i tyre; fakti që të shumtë janë ata që shpëtohen është dhuratë e atij që shpëton’ (Liber Responsionum 2, Patrologia Latina 51:179; cf. Fulgentius, Epist. 17, Patrologia Latina 65:451–493; St. Caesarius, Dictionnaire de théologie catholique 2.2:2178). Kundërshtia gjysmë-pelagiane mund të konsiderohet si e mbaruar me anë ndërhyrjen e Papës Bonifaci II (530–532), kur ai miratoi si doktrinë katolike mësimet e Këshillit të Dytë të Oranzhit (529) në lidhje me ‘zanafillën e besimit’ (initium fidei): ‘nëpërmjet mëkatit të njeriut të parë, vullneti i lirë i njeriut u bë kaq i prirur dhe i dobësuar saqë më pas askush nuk ishte në gjendje të dashuronte Zotin siç duhet, ose të besonte në Zot, ose të arrinte në sajë të Zotit atë çka është e mirë, nëse, më parë tek ai, nuk vjen hiri i mëshirës hyjnore… në çdo vepër të mirë, nuk jemi ne ata që e iniciojmë atë dhe që vetëm mandej ne marrim ndihmesën e mëshirës së Zotit, por është Ai Vetë, i cili, pa asnjë meritë apo mirësi paraprake nga ana jonë, na frymëzon ne për besimin dhe dashurinë e Atij vetë’ (H. Denzinger, Enchiridion symbolorum 396–397; shiko FAITH, BEGINNING OF; BESIMIT, FILLESA E). Doktrinës së Oranzhit II iu dha miratimi papnor (Denzinger 398–399) i barabartë me përkufizimin dogmatik; paskëtaj, rrjedhimisht kisha e pranoi doktrinën e miratuar nga Bonifaci II dhe që tashmë e përmban Indiculus Caelestini (Denzinger 238–249). Ndonëse as Oranzhi II e as Bonifaci II nuk predikuan shprehimisht të falurit e paracaktimit në vetvete, ata megjithatë mbronin, si qënie e besimit, të falurit e një thirrjeje efikase në besim; ata mbronin se burimi përfundimtar i besimit, i përligjjes, i shpëtimit të paskëtajtë të njeriut, është dhuratë e falur e Zotit. Rrjedhimisht, mund të konstatohet se të falurit e paracaktimit, i vështruar ky në tërësinë e tij, përfshihet të paktën praktikisht dhe ndoshta formalisht e nënkuptuar në deklarimin e samësipërm të magisteriumit [1].
Gabime të tjera
Pelagianizmi dhe GJYSMË-PELAGIANIZMI, i cili e privoi Zotin nga roli i tij i vërtetë në proçesin tërësor të paracaktimit, u pasuan nga një larmi doktrinash që shkuan në ekstremin e kundërt. Këto besime paracaktimore sulmuan universalitetin e vullnetit të Zotit për shpëtim. Me shfaqjen e këtyre gabimeve, doktrina e Kishës u pohua rishmi me një saktësi dhe qartësi edhe më të madhe, siç e kërkonte nevoja. Në thelb, predestinacionizmi, paracaktimizmi, mëson se Zoti nuk dëshiron sinqerisht shpëtimin e të gjithë njerëzve. Përkundrazi, Zoti dëshiron absolutisht shpëtimin e vetëm të disa njerëzve; pjesën që mbetet ai absolutisht dhe pa kushte dëshiron që t’i dënojë. Në fakt, këta të fundit u krijuan për qëllimin e qartë e të qënit të dënuar me ndëshkim të përjetshëm. Karshi tyre, Zoti nuk ka pasur kurrësesi asnjë synim për t’i shpëtuar. Kjo doktrinë shkatërrimtare u mbrojt fillimisht nga një prift i Galisë, me emrin Luçidius. U dënua në këshillin e Arlit në 475 dhe sërish në Oranzhin II (Denzinger 330–342, 397). Në shekullin e 9, murgu GOTTSCHALK I ORBAIS përtëriti të njëjtin gabim. Kjo u dënua nga Këshilli Kersit në 853 (Denzinger 621–624) dhe sërish nga një sinod i Valencias në 855 (Denzinger 625–633). Ky i fundit ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi parashtronte shprehimisht një dallim ndërmjet njohurisë paraprake të Zotit dhe paracaktimit në vetvete. Shekulli i 16 dëshmoi një tjetër formë të së njëjtës herezi, siç mbrohej nga KALVINI (1509–64). Qëndrimi i tij mund të përmblidhet në sa vijon: (1) Nga e gjithë përjetësia, Zoti zgjedh një pjesë të caktuar të njerëzimit për ta shpëtuar; të tjerët prerazi dhe paraprakisht Ai dëshiron t’i ndëshkojë. (2) Zoti jo vetëm dëshiron mallkimin e përjetshëm të këtyre të fundit, por gjithashtu dëshiron drejtëpërdrejtë ligësi apo mëkat moral në vetvete në të njëjtën mënyrë siç ai dëshiron mirësi morale. (3) Paracaktimi, pra, nuk është asgjë më tepër se sa urdhëresa e përjetshme e Zotit me anë të së cilës Ai ka vendosur fatin e çdo njeriu. Disa janë zgjedhur paraprakisht për në jetën e përjetshme, dhe të tjerët janë të paracaktuar prerazi për në mallkimin e përjetshëm. Në shekullin e 17, ndjekësit e Kalvinit u ndanë në dy grupe. Njëri grup, SUPRALAPSARIANËT, mbronin se Zoti nga e gjithë përjetësia, para parashikimit të mëkatit fillestar, nuk dëshironte shpëtimin e të gjithë njerëzimit, por përkundrazi, paracaktoi një pjesë syresh për lavdi, ndërsa çka mbeti Ai i ndëshkoi plotësisht me ndëshkim të përjetshëm. Një grup i dytë INFRALAPSARIANËT, e ndryshuan doktrinën e mësipërme deri në atë masë saqë ky dekret i padrejtë i Zotit erdhi vetëm pas parashikimit që Ai i bëri RËNIES SË NJERIUT, por jo më parë. Së fundi, Cornelius Jansen i Louvain (vdekur më 1638) u pajtua me infralapsarianët deri në masën që ai mbronte se janë gjysmë-Pelagianët që thonë se Krishti vdiq për të gjithë njerëzimin.
Mësimet e Kishës
Përgjatë viteve, me shfaqjen e këtyre doktrinave shkatërrimtare, Kisha i dënoi këto shmangie të lajthitura nga e vërteta e shpallur. Përveç kësaj, Kisha ripohoi me një saktësi dhe kthjelltësi më të madhe doktrinat e shpallura të vullnetit të Zotit për shpëtim universal të sinqertë. Më poshtë janë disa prej deklaratave përkatëse: 1. Zoti nuk paracakton askënd drejt të ligës (Denz 1567). 2. Përkundrazi, ai dëshiron shpëtimin e të gjithë njerëzve (Denz 623). Krishti nuk vdiq vetëm për të paracaktuarit apo besimtarët (Denz 2005, 2304, 2430). 4. Ka një hir që është vërtet i mjaftueshëm dhe që është një dhuratë e vërtetë prej Zotit (Denz 2306). 5. Hiri I konvertimit, ndërrimit, u jepet mëkatarëve (Denz 1542). 6. Të vetmit që janë të privuar prej tij janë ata që, duke mos shlyer detyrimin e tyre, e mohojnë atë; kjo është diçka që Zoti e lejon, por shkaktari i së cilës ai nuk është kurrësesi (Denz 1556, 1567, 2866). Përmbledhtazi, duhet thënë medoemos se Kisha pohon veçanërisht tre të vërteta kundër Pelagianizmit dhe Gjysmë Pelagianizmit: (1) Shkaku i paracaktimit drejt hirit apo justifikimit nuk është njohja paraprake hyjnore e punëve natyrshëm të mira që kryhen nga njerëzit, dhe ajo nuk është as shkaku fillestar i ndonjë akti të RENDIT NATYROR që e përgatit njeriun për shpëtim. Kjo thirrje efikase i detyrohet vetëm Zotit. Iniciohet prej Tij për shkak të madhështisë së Tij hyjnore. (2) Paracaktimi për lavdi nuk është pasojë e MERITAVE të parashikuara hyjnore që do të vazhdojnë të jenë të frytshme pavarësisht nga dhurata e posaçme e këmbënguljes përfundimtare. (3) Paracaktimi, i parë në tërësinë e tij, që do të thotë vargjet e plota të hireve që nga fillesa e gjer në fund, është i falur, dhe, prej këtej, paraprakisht meritave të parashikuara të njeriut. Me një fjalë, fakti që disa shpëtohen është dhuratë e Atij që shpëton (Denz 623). Përkundër formave të larmishme të paracaktimizmit, predestinacionizmit, kisha mëson se: (1) Zoti dëshiron sinqerisht shpëtimin e të gjithë njerëzve dhe rrjedhimisht e bën të mundshme për të gjithë përmbushjen e normave të tij. (2) Nuk ka as paracaktim për të ligën si qëllim përfundimtar dhe as paracaktim për ndonjë vepër të ligë në veçanti. (3) Krishti vdiq për të gjithë njerëzit pa përjashtim. (4) Megjithatë, Zoti ka urdhëruar nga e gjithë përjetësia që të shkaktojë ndëshkim të përjetshëm për mëkatin e mospendesës së fundit, ndëshkim të cilin Ai e ka parashikuar për të gjithë përjetësinë. Ai nuk është në asnjë mënyrë shkaktari i mospendesës, por thjesht e lejon atë. Me fjalët e Shën Prosperit, ‘Fakti që të shumtë… (janë ata që) zhduken është faji i atyre që zhduken; fakti që të shumtë janë ata që shpëtohen, është dhuratë e Atij që shpëton.’
Sistemet teologjike
Pika themelore që diskutohet në këtë problem të vështirë është domosdoshmëria e bashkërendimit të paracaktimit, i parë si një lloj parapëlqimi për një grup të përzgjedhur, me vullnetin (dëshirën) e Zotit për të shpëtuar të gjithë njerëzimin. Shkrimi i Shenjtë deklaron me forcë se Zoti dëshiron shpëtimin e të gjithë njerëzve (1 Tm 2.4), dhe megjithatë fjala sakrale e Zotit thekson me po të njëjtën forcë se, ç’është e vërteta, jo të gjithë janë të paracaktuar, por ata ‘‘të cilët Ai i ka paracaktuar, po ata Ai i ka thirrur; dhe. . . gjithashtu i ka justifikuar. . . dhe lartësuar’ (Rom 8.30). Prej këtej lind vështirësia. A është përpjekja njerëzore ajo që e bën efikase ndihmesën e Zotit, apo mos është ndoshta efikasiteti në thelb i ndihmës së Zotit ai që i jep hov përpjekjes njerëzore? Dhe nëse hiri në vetvete është efikas, si ndodh vallë që Zoti ia dhuron hirin të zgjedhurit dhe ia refuzon me të drejtë pjesës tjetër të njerëzve? Për më tepër, paracaktimi nuk merret thjesht me dy grupe shpirtrash, të shpëtuarit dhe të pashpëtuarit, por merret sidomos me individët. Pyetja është: përse Zoti ka vendosur në numrin e të zgjedhurit këtë person të veçantë dhe jo atë tjetrin? Përse Ai ka zgjedhur Agronin dhe jo Fatmirin dhe përse jo e kundërta? Kjo shpërndarje e padrejtë e këtyre dhuratave jashtëzakonisht të rëndësishme për individët që janë njësoj nga natyra dhe nga arsyeja e MËKATIT FILLESTAR duket se është e padrejtë nga ana e një Zoti që i dashuron të gjithë. E tillë është vështirësia e pandarë e problemit apo më mirë të themi errësira e misterit me të cilin janë përpjekur të merren teologët e Kishës. Ata janë orvatur të formulojnë përgjigje që do të ishin brenda kornizës së doktrinës së shpallur dhe deklarimeve magisteriale të Kishës. Pikënisjet e ndryshme, një larmi e opinioneve të të ndryshme që kanë të bëjnë me shumë probleme teologjike themelore (KONKURRENCA hyjnore, njohja paraprake hyjnore e veprave të së ardhmes të kryera me vullnet të lirë, liria njerëzore dhe hiri mbinatyror), kanë shpënë në kundërshti të rënda teologjike dhe në një tepricë sistemesh teologjike. Nga përpjekjet e shquara nga disa prej mendjeve më të ndritura të Kishës janë sa vijon:
Shën Toma Akuini
Ai e përkufizoi paracaktimin si ‘‘një plan që ekziston në mendjen hyjnore për renditjen e disa personave në shpëtimin e përjetshëm’’ (Summa theologiae 1a, 23.2). Rrjedhimisht, është plani i konceptuar në mendjen hyjnore me anë të të cilit një grup i përzgjedhur i krijesave të arsyeshme është i drejtuar nga Zoti që ata do të përftojnë pashmangshmërisht lumturinë e përjetshme. Për pasojë, paracaktimi gjendet formalisht në intelektin hyjnor, ndonëse presupozon aktin e vullnetit (De ver. 6.1). Paracaktimi është një proçes i vetëm që rrethon në një kohë të caktuar si dhe njëkohësisht të gjitha hiret me anë të të cilave secili person shpihet në qëllimin e tij përfundimtar, si edhe në vetë dhënien e lavdisë (ibid 6.1). Dhënia e hirit është pasojë e paracaktimit, deri në atë masë saqë është mjeti që shpie një krijesë në arritjen e qëllimit të tij. Dhurimi i lavdisë është gjithashtu efekti i paracaktimit, deri në atë masë saqë është qëllimi për arritjen e së cilës hiri efikas i është dhënë këtyre shpirtrave të zgjedhur. Logjikisht, paracaktimi mund të klasifikohet në tre operacione: pëlqim, përzgjedhje dhe paracaktim formal. Pëlqimi është urdhëresa absolute e vullnetit hyjnor nëpërmjet të cilit Zoti dëshiron jetë të përjetshme, që do të thotë, një masë të caktuar LUMTURIE të përjetshme për një grup të zgjedhur njerëzish. Përzgjedhja është i njëjti akt vullneti, saqë nëpërmjet tij Zoti zgjedh një grup të caktuar njerëzish për të shpëtuar dhe jo të tjerë të cilët ai mund t’i zgjidhte. Paracaktimi formal është plani që ekziston në intelektin hyjnor sipas të cilit Zoti përmbush shpëtimin e atyre që Ai ka zgjedhur. Këto tre operacione hyjnore janë që të bashkuara saqë logjikisht pëlqimi është pararendës i zgjedhjes, dhe zgjedhja është pararendëse e paracaktimit formal. (Summa theologiae 1a, 23.4; In 1 Sent. 41.1). Sipas Akuinit, njohja paraprake e meritave nuk është as shkaku e as arsyeja e paracaktimit; veprat që meritojnë janë më tepër pasoja të paracaktimit (Summa theologiae 1a, 23.5).
Luis de Molina, SJ.
Themeluesi i MOLINIZMIT, e krahas tij Francisco de TOLEDO, Gabriel VÁZQUEZ, dhe Shën FRANCIS DE SALES, ranë dakord në thelb me Shën Toma Akuinin në lidhje me natyrën e paracaktimit. Ai u pajtua se është plani hyjnor që gjendet formalisht në intelektin hyjnor, ndonëse i kombinuar me vullnetin. Paracaktimi është një. Ka të bëjë me mjetet që nga thirja e parë deri te arritja e lumturisë së plotë në vetvete (Concordia 23.1.1, 2) dhe është krejtësisht i falur. Rrjedhimisht, paracaktimi nuk dhurohet për shkak të njohjes paraprake hyjnore të vullnetit të lirë të krijesës, sikur Zoti të kishte paracaktuar disa sepse Ai parashikoi përdorimin e mirë të vullnetit të tyre të lirë dhe nuk pranoi të tjerët për shkak të njohjes së Tij paraprake të abuzimit të tyre me vullnetin e lirë. MOLINA mësonte se tek Zoti ekziston një njohje e të gjitha qënieve të mundshme, si dhe dhe njohje e të gjitha rendeve të mundshme të gjërave. Për pasojë, Zoti njeh të gjitha veprat e vullnetit të lirë të gjithë njerëzve të mundshëm në të gjitha rendet e mundshme të botës. Duke presupozuar këtë njohje nga ana e Zotit, Ai, për arsyet e Tij, zgjedh lirisht një rend gjërash dhe vendos përmbushjen e saj. E kështu, Ai zgjedh për të shpëtuar ata njerëz për të cilët në këtë rend botëror Ai ka parashikuar se do të përdorin mirë hiret që do t’u dhurohen në këtë rrethanë të veçantë, njerëz për të cilët Ai ka parashikuar se do të këmbëngulin dhe përfundimisht do të meritojnë lumturinë e përjetshme. Nuk ka absolutisht asnjë ndikim rastësor nga ana e krijesave të arsyeshme që ndikon te Zoti për të zgjedhur këtë rend të veçantë botëror përballë rendeve të tjera të mundshme botërore. Faktikisht, ata njerëz të cilët Zoti i ka parashikuar se do të arrijnë bekimet e jetës së përjetshme në rendin aktual botëror, ata Ai i ka parashikuar gjithashtu në një tjetër rend botëror njësoj të mundshëm si grupi që përbën ata që do të vdisnin të papenduar dhe rrjedhimisht do të ndëshkoheshin. Për këtë arsye duhet konsideruar fuqimisht se zgjedhja dhe vetë paracaktimi janë krejtësisht të falura. Urdhëresa absolute e Zotit për të zgjedhur pikërisht këtë rend botëror ka të bëjë drejtëpërdrejtë me njohjen paraprake të hireve nga ana Tij, të cilët për disa do të jenë efikasë dhe për të tjerë thjesht të mjaftueshëm. Duke zgjedhur me dashje këtë rend botëror në të cilin një grup i zgjedhur njerëzish do të përftojë hire që do të vërtetojnë se janë efikase, Zoti po ushtron ndaj këtyre njerëzve një parapëlqim të posaçëm që Ai nuk e ushtron ndaj të tjerëve. Zgjedhja e këtij rendi botëror, në një kuptim, mund të thuhet se është arsyeja themelor përse njerëzit që përfitojnë janë të shpëtuar. Shpjegimi i Molinas bazohet në opinionin e tij që ka të bëjë me mënyrën përmes së cilës Zoti njeh veprat e ardhshme të vullnetit të lirë. Ai pohon se kjo njohje është tek Zoti pavarësisht nga çdo urdhëresë e vullnetit të Zotit që do të përcaktonte fizikisht vullnetin e dikujt për një rrjedhë veprimi, PËRCAKTIMI, pohon ai, do të shkatërronte lirinë e njeriut. Ai përmbyll, rrjedhimisht, se secili individ e përcakton lirisht vetveten për të bashkëpunuar ose jo me hirin. Rrjedhimisht, Molina beson se dhënia e lavdisë mund të urdhërohet krejtësisht nga Zoti vetëm pasi Ai ka parashikuar plotësisht bashkëpunimin me hirin dhe, prej këtej, aktet e meritueshme të njeriut. Arsyeja për këtë është se urdhëresa e zgjedhjes dhe parapëlqimit ka të bëjë vetëm me hiret që jepen. Prandaj, në sistemin e Molinas nuk ekziston as QORTIMI [2] pozitiv pararendës e as qortimi negativ pararendës. Rrjedhimisht, pas dhënies të meritave të grupit të parë dhe të meta të grupit të dytë, si një seri të ardhmesh të plota, Zoti përcakton absolutisht t’i japë lavdinë të parit dhe ndëshkimin e përjetshëm të dytit.
Domingo Báñez.
Në kundërshtim me Molinan, teologu domenikan spanjoll pohonte se paracaktimi për lavdi, i vështruar në vetvete, urdhërohet para dhënies së çdo merite çfarëdo qoftë (ante praevisa merita). Veprimi fillestar i Zotit në lidhje me grupin e zgjedhur (të zgjedhurin) është zgjedhja e tyre për lavdi, dhe, anasjelltas, veprimi i tij fillestar në lidhje me njerëzit e tjerë është përjashtimi i tyre nga lavdia ose nga një zgjedhje efikase për lavdi. Ky paracaktim i disa shpirtrave për lavdi para parashikimit të të meritave të tyre është, sigurisht, pasojë jo e ndonjë e merite nga e njeriut, por është krejtësisht i falur. Zoti vendos kështu prej arsyes së sundimit të Tij absolut mbi të gjitha krijesat dhe nëpërmjet këshillimit të tij të pamundur për t’u njohur. Kjo është urdhëresa e parë e Zotit në rendin e qëllimit. Zoti në urtësinë e Tij hyjnore ka urdhëruar që t’i japë lavdi të zgjedhurit si shpërblesë të merituar. Për pasojë, pas urdhëresës së paracaktimit për lavdi, Zoti urdhëron plotësisht veprat e meritueshme që do të parashtrohen lirisht nga secilit prej të zgjedhurve. Pas kësaj urdhërese të dytë, Zoti urdhëron plotësisht t’i japë secilës vepër të meritueshme hire që janë në thelb efikase, hire që do të paracaktojnë pashmangshmërisht vullnetin e njeriut për një vepër të meritueshme. Ata që nuk janë zgjedhur, të qortuarit negativisht, Zoti, pas urdhëresës që i përjashton ata nga lavdia apo nga një zgjedhje efikase për lavdi, urdhëron që atyre të mos u jepen hire efikase, por hire që janë thjesht të mjaftueshme. Ai i parazhvendos ata në materien e mëkatit dhe lejon ligësinë. Pasi parashtron këto urdhëresa, Zoti di pa gabime se ata do të mëkatojnë lirisht dhe do të zhduken pa u penduar. Për të zgjedhurit ekzekutimi i këtij plani hyjnor përmbushet në rendin e kundërt të qëllimit të tij: (1) dhurimi i hireve që janë në thelb efikasë; (2) parashtrimi i veprave të meritueshme, dhe vdekja në gjendjen e hirit; (3) dhënia e lavdisë për shkak të meritës. Anasjelltas, për të qortuarin, të pazgjedhurin, ekzekutimi i planit hyjnor ndodh në një mënyrë të ngjashme. Është (1) dhurimi i hireve thjesht të mjaftueshme; (2) lejimi për të mëkatuar dhe vdekja e mëpastajme e mëkatuesit të papenduar; dhe (3) qortimi pozitiv i mëkatuesit, pas parashikimit të vdekjes së tij në një gjendje të papenduar.
Kongruitët
Jezuitët e Shën Robert BELLARMINE dhe Francisco SUÁREZ paraqitën një doktrinë të quajtur Kongruizëm. Në pajtim me Báñez, kongruizmi shpallte se te Zoti ekzistonte një paracaktim për lavdinë e shpirtrave të zgjedhur, një paracaktim që është pararendës i sigurimit të çdo merite absolute nga ana e të zgjedhurit. Me njohjen e Tij të mesme, Zoti parashikon si PARACAKTIM TË ARDHSHËM, meritat dhe të metat e të gjithë njerëzve. Megjithatë, parashikimi i Zotit për këtë nuk është një faktor që e bën atë të zgjedhë këtë rend botëror ndaj ndonjë tjetri. Mirëpo, është e domosdoshme të parashtrohet kjo njohuri e Zotit në mënyrë që të shpjegohet se si Ai vepron me urtësi dhe me inteligjencë në zgjedhjen e një grupi njerëzish dhe jo të një tjetri. Urdhëresa e parë e Zotit në rendin absolut është vullneti për të paracaktuar një grup të zgjedhur njerëzish për lavdi para sigurimit të ndonjë merite absolute nga ana e tyre. Arsyeja për këtë dekret të Zotit nuk është rezultat i dhënies së ndonjë mirësie nga ana e këtyre shpirtrave të zgjedhur, por, përkundrazi, është fund e krye rezultat i paracaktimit dhe mëshirës së Zotit. Zgjedhja është krejtësisht e falur, e dhuruar. Pas vullnetit për të përzgjedhur këta të zgjedhur, Zoti jep urdhër që atyre t’u jepen hire të cilat nëpërmjet njohjes së mesme Ai parashikon se do të jenë efikase, me fjalë të tjera, hire që janë pashmangshmërisht të lidhura me VEPRA TË DOBISHME. Ky dekret i vullnetit hyjnor që ka të bëjë me hiret dhe meritat efikase është i domosdoshëm, dhe Zoti ka urdhëruar që t’i japë lavdi atyre që Ai ka zgjedhur. Anasjelltas, Zoti urdhëron absolutisht që të përjashtojë të pazgjedhurit nga përzgjedhja efikase për lavdi. Është e rëndësishme të shënohet se Ai e vendos këtë përjashtim praprakisht dhe pavarësisht nga parashtrimi i ndonjë të mete nga ana e të qortuarit. Ai është në gjendje ta bëjë këtë për shkak të sundimit të tij të plotë mbi të gjitha krijesat dhe për shkak të këshillimit të Tij të pamundur për t’u njohur. Kjo emërtohet qortim paraprak negativ. Si rrjedhojë e këtij dekreti për t’i përjashtuar ata nga përzgjedhja efikase, Ai vendos t’i përjashtojë ata nga rendi i hireve efikase. Ai u jep atyre hire që nuk janë në harmoni, hire që nëpërmjet njohjes së mesme Ai ka parashikuar se do të jenë thjesht të mjaftueshme. Si për Báñez, kështu dhe për Bellarmine, rendi i ekzekutimit të planit hyjnor është i anasjelltë me rendin e qëllimit.
Konkluzion
Të tilla ishin përgjigjet e dhëna nga teologt e mëdhenj të Kishës për problemet pothuajse të pakapërcyeshme që përmban doktrina e paracaktimit. Në çështjet e këtij lloji, teologjia mund të shmangë kontradiktat e qarta, por nuk është në kompetencat e saj të shfaqë filozofikisht mundësinë që misteret kanë në thelb. Pikërisht siç realiteti i mistereve të Trinitetit, Mishërimit dhe paracaktimit mbeten të errët në këtë jetë, e tillë mbetet dhe mundësia në thelb (Denz 3015–20). Në këtë çështje të vështirë të paracaktimit, duhet mbajtur gjithmonë parasysh se Zoti njihet thjesht nëpërmjet ANALOGJISË, nëpërmjet koncepteve që janë krejtësisht të pabarabarta me detyrën e të paraqiturit të Tij pikërisht siç Ai është në Vetvete. Pasi Zoti shkrin në thelbin e tij aspekte të ndryshme që i shfaqen njeriut si joharmonike për arsyen e thjeshtë se aftësia njohëse e njeriut është potenciale dhe e paplotë. Duke ndjekur shembullin e Krishtit, është praktikisht e mundur të merret në konsideratë çështja nën dritën që shkëlqen në predikimin e Tij. Përshkrimi I frymëzuar në Bibël I vullnetit të Zotit për shpëtim e paraqet Krishtin duke qarë për Jeruzalemin dhe përmban këto fjalë prej zemre: “Jeruzalem, Jeruzalem! ti që vret profetët dhe gurëzon ata që dërgohen tek ti! Sa herë unë i kam mbledhur fëmijët e tu, siç një pulë mbledh bijtë e njomë nën flatrat e saj, por ti jo!” (Mt 23.37). Vullneti i sinqertë dhe i qartë i Zotit për të shpëtuar shfaqet me forcë përgjatë Ungjijve; kujto vejushën që kërkon dhraminë [3] e humbur, babain dhe të birin e tij dorëlëshuar, si dhe Bariun e Mirë që lë 99 dele në shkretëtirë për të gjetur atë që ka humbur (Lk 15.1–32). Vetëm Krishti, i cili është një me Zotin, mund të rrëfejë se çfarë sjellje mendore ka Ati ndaj njerëzve, dhe nga shembujt e mësipërm është e qartë se ajo është një sjellje e dashurisë dhe mëshirës së pafundme.
Përktheu: Oriol Guni
Shënime të përkthyesit
[1] Mësimet ose autoriteti I Kishës Katolike Romake, sidomos në rastin kur ato ushtrohen nga peshkopët apo nga Papa [2] I QORTUARI: mëkatar I cili nuk është prej të zgjedhurve dhe rrjedhimisht do ndëshkohet me mallkim të përjetshëm (në këtë rast termi ka të bëjë me faktin nëse njeriu arrin parajsën ose ferrin, pozitivi-parajsën, negativi-ferrin) [3] Monedha e greqisë së lashtë
Referenca
Bibliography: A. LEMONNYER et al., Dictionnaire de théologie catholique, 12.2:2809–3022. R. SCHNACKENBURG et al., Lexicon für Theologie und Kirche, 8:661–672. A. D’ALÈS, Dictionnaire apologétique de la foi catholique 4:195–270. X. M. LE BACHELET, Prédestination et grâce efficace: Controverses dans la Compagnie de Jésus au temps d’Aquaviva, 2 v. (Louvain 1931).V. BOUBLÍK, La Predestinazione: S. Paolo e S. Agostino (Rome 1961). J. FARRELLY, Predestination, Grace, and Free Will (Westminster, Md. 1964). M. FRANCESCONI, La dottrina del Damasceno sulla predestinazione (Rome 1945). R. GARRIGOU-LAGRANGE, Predestination, tr. B. ROSE (St. Louis 1939). M. J. SCHEEBEN, The Mysteries of Christianity, tr. C. VOLLERT (St. Louis 1946). E. ELORDUY, ‘‘La predestinación en Suárez,’’ Archivo teológico granadino 10 (1953) 5–150. T. FAHY, ‘‘Romans 8.29,’’ The Irish Theological Quarterly 23 (1956) 410–412. A. MCDONNELL, ‘‘Those Whom He Has Chosen,’’ Dominicans 48 (1963) 109–119. J. RABENECK, ‘‘Grundzüge der Prädestinationslehre Molinas,’’ Scholastik 31 (1956) 351–369. J. D. SHERIDAN, ‘‘Predestination Up to Date,’’ Irish Monthly 70 (1942) 227–231. S. TROMP, ‘‘Tractatus S. Roberti Bellarmini iuvenis de predestinatione,’’ Gregorianum 14 (1933) 248–268; ‘‘Progressus doctrinalis in tractatibus S. Roberti Bellarmini de predestinatione,’’ ibid. 315–355. H. J. VALLA, ‘‘Metodología para una catequesis de la predestinación,’’ Didascalia 15 (1961) 385–393. R. VELASCO, ‘‘Providencia y predestinación: Estudio positivo de una cuestión disputada en la escuela tomista,’’ Revista española de teología 21 (1961) 125–151, 249–287.
|
Modifikuar: 07/01/2021