Bart Ehrman

Fragment i shkëputur nga libri i autorit Bart Ehrman me titull: “A Brief Introduction to the New Testament”; Oxford University Press, USA (February 19, 2004) 

Nuk duket se autorët e ungjijve kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjeve që rrëfejnë. Por duhet ti kenë marrë këto histori diku tjetër. Në të vërtetë, njeri prej tyre e ka pranuar faktin se ai ka dëgjuar histori lidhur me Jezusin dhe ka lexuar përpilime të hershme (Luka 1:1-4). Sipas mendimit të shumicës së teologëve të Dhjatës së Re, ka gjasa që në përpjekje e sipër për të ruajtur përmbledhje të sakta historike lidhur me atë që Jezusi kish thënë e kish bërë, këto autorë, gjithashtu, kanë rrëfyer histori të cilat kanë qenë modifikuar, madje edhe shpikur, gjatë procesit të rrëfimit.

Ideja se ungjijtë përmbajnë së paku disa ngjarje të cilat kanë qenë ndryshuar gjatë viteve nuk është një spekulim, në fakt ne kemi prova qarta për këtë në vetë tekstin e ungjijve (ne do të shqyrtojmë disa prej tyre në vijim). Gjithashtu ne kemi argumente të mjaftueshme për të besuar se të krishterët e hershëm nuk kanë qenë shumë të shqetësuar nga fakti se ngjarjet lidhur me Jezusin kanë qenë të ndryshuara. Për sa e çuditshme mund të na duket, shumica e besimtarëve duket se janë më pak të shqetësuar se ç’jemi ne për ato që i quajmë fakte historike. Ndonëse ne, si njerëz të shekullit të njëzet e një, jemi të prirur të mendojmë se diçka nuk mund të jetë e vërtetë për sa kohë ajo nuk ka ngjarë, të krishterët e hershëm, së bashku me një numër të madh njerëzish të tjerë të lashtësisë, nuk kanë menduar në këtë mënyrë. Për ta, diçka mund të jetë ose jo e vërtetë pavarësisht faktit se ka ngjarë apo jo. Ajo që kishte më shumë rëndësi për ta është ajo që ne mund ti quajmë të vërtetat fetare dhe morale.

Në një farë mase, madje edhe njerëzit e sotshëm i shohin të “vërtetat morale” si më të rëndësishme se faktet historike. Domethënë ata herë pas here lejojnë që të besohet në diçka që është e vërtetë ndonëse ajo nuk ka ngjarë në të vërtetë. Mendoni p.sh., për historinë që çdokush këtu në Amerikë ka dëgjuar për Xhorxh Uashingtonin dhe pemën e qershisë. Kur ishte një djalë i ri mori sëpatën dhe e preu pemën e qershisë së babait të tij që gjendej në oborr. Kur i ati u kthye tha: “Kush e ka prerë pemën time të qershisë? Xorxhi rrëfeu: “Nuk mund të gënjej, unë e bëra këtë”. Historianë e dinë mirë se kjo nuk ka ngjarë në realitet. Në fakt, pastori i krishterë që e ka përhapur këtë histori (i njohur si “Parson Weems) më vonë rrëfeu se e kishte krijuar atë. Përse atëherë ne vazhdojmë ta tregojmë ende këtë histori? Kjo për një arsye, ngjarja thekson vlerat që ne si komb dëshirojmë të kemi. Ne e përdorim këtë histori për ti rrëfyer fëmijëve tanë se kombi ynë i ka rrënjët në integritetin moral. Kush ishte Xhorxh Uanshingtoni? Ai ishte ati i kombit tonë. Çfarë lloj njeriu ishte ai? Ai ishte një njeri i ndershëm një njeri me integritet moral. Me të vërtetë? Sa i ndershëm ishte ai? Epo ja, një herë kur ishte fëmijë…. Thelbi i historisë, kombi jonë është i bazuar në ndershmërinë e jo mbi gënjeshtrën. Me fjalë të tjera kjo histori shërben si propagandë nacionaliste. Jam i sigurt që kjo nuk është historia që i rrëfehet, p.sh., fëmijëve në Teheran. Historia e lartpërmendur vazhdon të rrëfehet edhe për një tjetër arsye gjithashtu, që nuk ka shumë lidhje me imazhin kombëtarë se sa me etikën personale. Ne ia tregojmë këtë histori fëmijëve tanë për ti treguar atyre që nuk duhet të gënjejnë për asnjë arsye. Madje edhe nëse ata kanë bërë një gjë shumë të keqe, të dëmshme, ata nuk duhet të gënjejnë lidhur me atë që kanë bërë. Është më mirë të pastrosh veten e të përballesh me pasojat se sa të shtrembërosh të vërtetën e ti shtrembërosh gjërat akoma më shumë. Pra, ne vazhdojmë ta rrëfejmë këtë histori jo sepse ajo ka ngjarë në të vërtetë, por sepse në një farë mënyrë ne besojmë se ai ka një mesazh të vërtetë.

Rrëfimet lidhur me Jezusin në kishën e hershme mund të kenë qenë të ngjashme me atë që sapo përmendëm. Pa dyshim, shumë prej tyre janë ngjarje që kanë ndodhur në të vërtetë, të tjera janë reminishenca të cilat janë ndryshuar ku më shumë e ku më pak, gjatë procesit të transmetimit të saj. Të tjera akoma janë krijuar nga të krishterët, me shumë mundësi të krishterë me peshë në bashkësi, para se të shkruheshin ungjijtë. Por të gjitha ato kanë pasur për qëllim të shprehnin të vërtetë, sipas këndvështrimit të krijuesit të rrëfimit, në lidhje me Jezusit.

Shembulli

Fakti që historitë në lidhje me Jezusin janë ndryshuar apo krijuar nga e para gjatë procesit të rrëfimit, nuk është një ide barbare e ëndërruar nga ndonjë profesor universiteti me shumë në kohë në dispozicion për të harxhuar. Ekzistojnë dëshmi të qarta për një fenomen të tillë, që mund të gjenden në vetë historitë e rrëfyera në ungjij. Në shumë vende ungjij të ndryshëm rrëfejnë të njëjtën ngjarje, por këto histori dallojnë në shumë vende të rëndësishme. Ndonjëherë këto dallime janë thjesht zhvendosje në theksim e një detaji ndaj një tjetri. Por në raste të tjera ato shfaqin kontradikta të papërputhshme. Ajo që të habit, është fakti se paçka se këto ndryshime janë apo jo të përputhshme, ato shpesh konvergojnë në një përpjekje të rrëfimtarëve të hershëm të krishterë për të përçuar ide të rëndësishme lidhur me Jezusin. Ne do të marrim në shqyrtim vetëm një shembull të tillë: dhjetëra të tjerë mund të citohen me lehtësi, të gjitha këto sugjerojnë se shumë të krishterë të hershëm ishin të gatshëm për të ndryshuar një fakt historik në mënyrë që të përçonin një mesazh teologjik.

Shembulli që kam zgjedhur është një detaj bën fjalë për një detaj të vogël por me rrjedhoja të rëndësishme- dita dhe koha e vdekjes së Jezusit, të cilat janë përshkruar në mënyra të ndryshme në ungjij të ndryshëm. Të katër ungjijtë e biblës pohojnë se Jezusi është kryqëzuar diku gjatë javës së Pashkës, në Jerusalem, sipas urdhrit të guvernatorit romak Ponc Pilatit. Por ka një kundërthënie të qartë në rrëfimet e ungjijve lidhur me këtë ngjarje. Për ta kuptuar këtë, na duhet një informacion më i gjerë për mjedisin në të cilin është zhvilluar ngjarja.

Në kohën e Jezusit, Pashka ishte festa më e rëndësishme për hebrenjtë. Ajo përkujtonte eksodin e bijve të Izraelit prej skllavërisë së plotë që kishin përjetuar në Egjipt. Shkrimet hebraike e përkujtojnë vetë këtë ngjarje (Eksodi 7-12). Sipas rrëfimit të hershëm, Perëndia e ngriti Moisiun për të shpëtuar popullin e tij e përmes tij i solli dhjetë plagë tokës së Egjiptit në mënyrë që të bindte faraonin që të linte të lirë popullin e Izraelit. Plaga e dhjetë ishte me e rënda: vdekja e çdo të parëlinduri, qoftë njeri apo kafshë, në qytet. Në përgatitje të këtij sulmi të furishëm Perëndia e udhëzoi Moisiun duke i kërkuar që çdo familje Izraelite të bënte një kurban e përhapte gjakun e tij në qemerin dhe pragun e shtëpisë. Në këtë mënyrë, engjëlli i vdekjes kur të vinte për të zbatuar dënimin, do të shihte gjakun në dyert e shtëpive të Izraelitëve dhe do të kalonte pa bërë gjë duke shkuar më pas në shtëpitë e Egjiptianëve.

Bijve të Izraelit i urdhërohet të hanë një vakt të shpejtë e të përgatitjen për ikjen. Nuk kishte kohë as për të pritur që zihej buka, ato duhet ta konsumonin atë të ndormët. Izraelitët vepruan siç ju tha; engjëlli i vdekjes erdhi dhe iku. Faraoni iu lut bijve të Izrealit që të iknin, ato u arratisën drejt detit të kuq, ku ato kryen ikjen e fundit përmes detit të hapur.

Izraelitët u udhëzuan nga Moisiu për ta përkujtuar këtë ngjarje çdo vit. Qindra vite më vonë, në kohë të Jezusit, festimi i pashkës sillte një numër shumë të madh pelegrinësh një Jeruzalem, ku ato merrnin pjesë në sakrificat në Tempull dhe më pas hanin një vakt të shenjtë me ushqime domethënëse për ngjarjen, përfshi kurbanin e qengjit, barishte të hidhura si përkujtim e vuajtjeve në Egjipt, bukën e ndormëve, e disa kupa me verë. Renditja e ngjarjeve zakonisht ishte e tillë: qengji dërgohej në tempull ose blihej atje, për tu bërë kurban i asistuar nga një prift. Më pas ato përgatiteshin për darkën e Pashkës duke e rrjepur, i drenazhuar nga gjaku i tij dhe i ndarë në pjesë. ëdo person apo familja që e dërgonte qengjin për kurban duhej ta merrte në shtëpi dhe të përgatiste darkën. Ajo mbrëmje ishte festa e Pashkëve, e cila inauguronte festën e fundjavës që quhej festa e bukës së ndormëve.

Siç mund ta dini, numërimi i ditëve sipas hebrenjve fillon kur bie muzgu (kjo është arsyeja përse sabati hebre sipas numërimit tonë fillon të premten në mbrëmje). Kështuqë qengji i sakrificës duhej përgatitur për festën e Pashkëve në mesditën e një dite më parë se të konsumohej darka.

Ky shpjegim ishte i udhës për të datuar ekzekutimin e Jezusit. Ungjilli i Markut, me shumë mundësi rrëfimi ynë më i hershëm, e tregon me qartësi se kur është vendosur Jezusi në kryq. Një ditë më parë, sipas Markut 14:12, dishepujt e kanë pyetur Jezusin se ku dëshironte ai që të bëheshin përgatitjet për pashkën. Kjo, thuhet se ka ngjarë, gjatë ditës ku priftërinjt “kryenin ritin e sakrificës së qengjit”, ose ndrysha në ditën e përgatitjes së Pashkës (një mesditë para konsumimit të ushqimit). Jezusi i udhëzoi dishepujt e tij dhe ata kryen përgatitjet e duhura. Atë mbrëmje-fillimi i ditës së re për ta- ata kremtuan së bashku darkën e Pashkës (14: 17-25). Me këtë rast të veçantë, Jezusi mori bukën simbolike të Pashkës dhe e mveshi atë me të tjera domethënie simbolike shtesë, duke thënë: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta” (Marku 14:22-24). Më pas, ai shkoi me dishepujt e tij në kopshtin e Getsemanisë ku u tradhtua nga Juda e u arrestua. (14:32,43). Menjëherë më pas ai u vendos për gjykim para Sanhedrinit, këshilli hebraik (14:53). Natën e kaloi në burg; herët në mëngjes Sanhedrini e dorëzoi atë tek Pilati (15:1). Pas një gjyqi të shkurtër, Pilati e dënoi me vdekje. Më pas filloi kalvari i kryqëzimit, dhe e vendosën në kryq në 9:00 të paradites (15:25). Kështuqë sipas ungjillit të Markut Jezusi është kryqëzuar mëngjesin pas ngrënies së darkës së Pashkës.

Tregimi më i vonshëm, nga katër ungjijtë tanë, lidhur me këtë ngjarje gjendet në ungjillin e Gjonit. Shumë detaje në të janë të ngjashme me ato të Markut: të njëjtët persona janë të përfshirë dhe e njëjta ngjarje tregohet. Gjithsesi ka edhe dallime e disa prej tyre janë domethënëse. Psh. rrëfimi i Gjonit për zhvillimin e gjyqit të Jezusit para Pilatit është shumë më i zhvilluar se ai i Markut (18:28-19:6). Kjo pjesërisht, është rezultat i faktit se në versionin e Gjonit liderët hebrenj refuzuan të hynin në rezidencën e Pilatit dhe e dërguan Jezusin të përballej i vetëm me Pilatin. Si rrjedhojë Pilati është detyruar ta zhvillojë gjyqin duke marrë një rol ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, duke përfshirë në një diskutim relativisht të gjatë me të dy palët para se të prononconte verdiktin e tij: “tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora 12:00 paradite…” (Gjoni 19:14). Më pas Jezusi u dërgua menjëherë për kryqëzim (19:16).

Dita e përgatitjes së Pashkës, si ka mundësi? Kjo është dita para se të konsumohet darka, dita kur priftërinjtë fillojnë rreth orës 12:00 të përgatisin kurbanet. Por, tek Marku Jezusi dhe dishepujt e tij ishin duke përgatitur Pashkët atë ditë, e më pas ai e konsumoi këtë ushqim në mbrëmjen pasuese para se të binte krejtësisht darka, për tu kryqëzuar më vonë.

Nëse e lexojmë me vëmendje rrëfimin e Gjonit, do të vërejmë detaje të tjera në të cilat thuhet se Jezusi është ekzekutuar në një ditë krejt të ndryshme nga ajo që rrëfehet tek Marku. Gjoni 18:28, p.sh., tregon se liderët hebrenj refuzuan të hynin në rezidencën e Pilatit për të ndjekur gjyqin e Jezusit. Kjo për arsye se ata nuk dëshironin të ndoteshin, e në këtë mënyrë të mos konsumonin dot darkën e Pashkës atë mbrëmje (kujto, se për Markun ato e kishin ngrënë këtë darkë një natë më parë!). Ky dallim në datim shpjegon një tjetër karakteristikë të Ungjillit të Gjonit. Në rrëfimin e tij Jezusi nuk ka dhënë asnjë udhëzim për dishepujt e tij në lidhje me përgatitjen e Pashkës, njësoj sikur ai të mos e kishte ngrënë atë një ditë më parë me dishepujt e tij (ai, p.sh., nuk e ka marrë ushqimin simbolik e të ketë thënë: “Ky është trupi im” dhe “ky është gjaku im”). Arsyet e këtij dallimi duhet të jetë të qarta tashmë: në ungjillin e Gjonit, Jezusi ka qenë në varr gjatë kohës kur konsumohej pashka.

Siç shihet gjendemi përballë një dallimi të vështirë për tu harmonizuar. Si Marku ashtu edhe Gjoni përcaktojnë ditën dhe orën e kryqëzimit të Jezusit, por rrëfimet e tyre janë kundërshtuese. Në rrëfimin e Gjonit, ai është ekzekutuar pak kohë pas mesditës në ditën e përgatitjes së Pashkës kur po zhvilloheshin të gjitha aktivitetet për të ngrënë darkën e Pashkës. Në rrëfimin e Markut, ai është vrarë ditën pasuese, në mëngjesin vijues pas ngrënies së darkës së Pashkëve, diku rreth orës 9:00. Nëse e pranojmë që kjo është një kundërthënie, çfarë shpjegimi do ti japim asaj?

Disa teologë kanë  argumentuar se rrëfimi i Gjonit është historikisht ai më i sakti, meqenëse ai përputhet më mirë me burimet hebraike ku tregohet mënyra se si zhvilloheshin gjyqet penale nga Sanhedrini. Nëse këto teologë kanë të drejtë, atëherë rrjedhimisht Marku ose ndonjë nga burimet e tij e mund ta kenë ndryshuar ditën në të cilën është vrarë Jezusi për të promovuar idesë sipas së cilës  ishte vetë Jezusi që e themeloi ritin e Eukaristisë gjatë darkës së Pashkës. Kjo është e mundur por nuk është zgjidhja më e mirë. Burimet hebraike që përshkruajnë procedurat penale të ndjekura nga Sanhedrini gjatë gjyqeve janë shkruar rreth 200 vjet pas ngjarjes në shqyrtim, për këtë arsye ato nuk janë një mbështetje e fortë.

Nëse ne pranojmë se rrëfimi i vonshëm i ungjillit të Gjonit është ai që në vija të përgjithshme është më i pasakti, meqenëse shumë vite kanë kaluar e shumë rrëfimtarë kanë ndërhyrë ndërmjet ngjarjes dhe rrëfimit për të, atëherë një tjetër mundësi intriguese na shfaqet për të shpjeguar përse Gjoni, apo burimi i tij, mund të kenë ndryshuar këto detaje në lidhje me vdekjen e Jezusit. Gjoni është i vetmi ungjill në të cilin Jezusi është identifikuar si “qengji i Perëndisë që mori përsipër mëkatet e botës”. Në të vërtetë, ai ëshët quajtur në këtë mënyrë që në fillim të ungjillit, nga paraardhësi i tij Gjon Pagëzori (1:29; shih edhe 1:36). Në ungjillin e katërt, vdekja e Jezusit përfaqëson shpëtimin e ardhur nga Perëndia, njësoj siç sakrifica e qengjit përfaqësoi, për Izraelitët e hershëm, shpëtimin gjatë pashkës së parë. Ndoshta Gjoni apo burimi i tij ka bërë një ndryshim në ditën dhe orën e kryqëzimit pikërisht për të theksuar këtë çështje teologjike. Në këtë ungjill, Jezusi vdiq në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë (pak pas mesditës) me kurbanin e Pashkës, për të treguar së Jezusi ishte qengji i Perëndisë.

[*] Bart Ehrman është James A. Gray professor dhe shef i departamentit për studimet fetare në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Ai konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme në disiplinën e kritikës tekstuales dhe të krishterimit të hershëm. Bart Ehrman është gjithashtu edhe autor i shumë librave ndër të cilat vlen të përmendim: “Lost Christianities: The Battle for Faith and Scripture we Never Knew (OUP) 2003; Lost Scripture: Bool That Did Not Make It into The New Testament (OUP 2003); The New Testmament: A Historical Introduction to the New Testament Writings (OUP) 2003 etj.

Përktheu: Rezart Beka

Last modified: 28/09/2014
Close