Anthony F. Buzzard & Charles F. Hunting

Fragment i shkëputur nga libri ‘The doctrine of Trinity’, me autor Anthony F. Buzzard dhe Charles F. Hunting, International Scholars Publication,Oxford 1998.

Çështja e vjetër e paraekzistencës, veçanërisht pyetja nëse Gjoni ka dëshiruar që ne të kuptonim se Jezusi ka qenë personalisht një qenie paraekzistuese apo jo, është debatuar fuqishëm në Theology magazine1. Diskutimi nisi me një shkëmbim letrash ndërmjet James Dunn dhe Maurice Wiles. Kjo çështje kritike e lindur prej këtij dialogu është diskutuar në komentin pasues të Robinsonit2.

Robinson vëren se si Dunn-i ashtu edhe Wiles janë të njëzëshëm kur pohojnë se në Dhjatën e Re vetëm Gjoni e paraqet Jezusin sikur ka një ekzistencë paranjerëzore. Wiles e konsideron këtë fakt si një zhvillim kristologjik shkatërrimtarë, që minon së brendshmi humanitetin e Jezusit e në këtë mënyrë nxit akuzën për docetizëm. Robinsoni, gjithsesi, pohon se Gjoni në letrat e tij reagon ashpër ndaj çdo sugjerimi që Jezusi i tij është tjetër gjë sesa plotësisht njeri- “i ardhur në mish”. Kjo e dërgoi Robinsoni të mospajtohej me Wiles dhe Dunn, sipas së cilëve Gjoni në veprën e tij lë të nënkuptohet se Jezusi ishte një qenie hyjnore paraekzistente. Ky diskutim na kujton diskutimin e ngritur nga Paul of Samosata e më vonë edhe nga disa Anabaptist, veçanërisht në Poloni.

Robinsoni ngre pyetjen nëse ne jemi duke e lexuar Gjonin ashtu siç ai ka dëshiruar. A mos ndoshta po i qasemi Gjonit me larushin e ngjyrimeve të zhvillimeve kristologjike patristike të mëvonshme? Duke huazuar terminologjinë e Dunn-it, Robinsoni na nxit ti kuptojmë fjalët e Gjonit siç do ti kishin kuptuar lexuesit e tij të parë. Robinsoni e përkujton Dunn-in se sipas tij për Palin, Jezusi është një shprehje e urtësisë së Zotit, “njeriu urtësi u bë”3. Sipas Dunn-it as Gjoni 1:14 nuk është argument i mjaftueshëm për të mbështetur doktrinën tradicionale të mishërimit. Në fakt, ky verset thekson, “kalimin nga personifikimi impersonal në personin aktual”4. Me këtë Robinsoni bie dakord. Më pas, Dunn dhe Robinson ndajnë mendimin se termi “Fjalë (Logos)” tek Gjoni është thjesht shprehja e Zotit të personifikuar, jo një person hyjnor, i dallueshëm nga Zoti. Vetëm kur Jezusi u konceptua atëherë “fjala” u bë e personalizuar dhe e dallueshme nga personifikimi.

Robinsoni nuk e pranonte, gjithsesi, tezën e Dunn-it se paraekzistenca e Fjalës si një person me Zotin pohohet përgjatë ungjijve”5. Robinsoni na nxit ta kufizojmë paraekzistencën e Fjalës, qoftë edhe Gjoni, si “Shprehje e Zotit”, “fuqia dhe qëllimi” i tij. Çështja me pak fjalë është kjo: “Ne mund të vërejmë zhvendosjen nga kuptimi i Gjonit sipas së cilit “fjala” është vetëshprehja e Zotit, drejt konceptimit të saj si person hyjnor paraekzistent, jashtë linjës së Dhjatës së Re. Gjoni nuk është përgjegjës për këtë zhvendosje. Ky devijim kuptimor ka ndodhur kur ai është keqkuptuar nga tendenca të ndryshme të hershme gnostike, e cila la gjurmë në teologjinë patristike. Ajo nuk ka ndodhur tek Gjoni. Robinsoni besonte se “fjala” e cila ishte theos (Perëndi, Gjoni 1:1), është shprehja e plotë, qëllimi dhe karakteri i planit të Perëndisë. “Fjala” u trupëzua plotësisht në një qenien njerëzore kur ajo u bë mish (Gjoni 1:14). Kështu që Jezusi është çfarë fjala u bë. Ai nuk duhet të indentifikohet një për një me fjalën paraekzistuese, që të mendosh se edhe ai vetë ka paraekzistuar. Dallimi është i hollë por me ndërlikime shkatërruese për gjithë zhvillimin e kristologjisë. Në këtë mënyrë, fjala nuk ishte një person, një hipostazë, por një anhipostazë impersonale, ndonëse shprehje e plotë e Zotit, derisa u bë një person individual historik në Jezusin. Jezusi, në këtë mënyrë, është një qenie krejtësisht njerëzore shpjegues i Zotit të vetëm për njerëzit (Gjoni 1:18).

Ky lexim i Gjonit ka përparësinë e madhe se shmang rrezikun e paraqitjes docetiste të Krishtit, si edhe polarizimin ndërmjet Gjonit dhe ungjijve Sinoptikë, të cilët nuk dinë asgjë rreth paraekzistencës së Krishtit. Po kështu kjo ide lejon termin “fjalë” të marrë ngjyrimin e tij hebre vetereotestamentarë, ku është përdorur për të shpjeguar “qëllimin”, “planin”, deri edhe “premtimin”. Jezusi mund të shihet në këtë mënyrë si përmbushja e premtimit të hershëm që iu bë Abrahamit kaq e rëndësishme për Mateun dhe Lukën. Jezusi ishte plani shpëtimtarë i Perëndisë i shprehur në një person njerëzorë. Hyjniteti i Jezusit nuk minimizohet për arsye se “kush ka parë atë ka parë Atin” (Gjoni 14:9). Por është një “hyjnitet” i ndryshëm nga ai i shprehur nga ortodoksia trinitare. Hyjnia e tij është aktiviteti i Zotit që punon në dhe përmes një personi njerëzor krejtësisht të dorëzuar. Jezusi, sipas këtij leximi, nuk është Perëndi në kuptimin trinitarë të fjalës, por një qënie njerëzore që shpreh në mënyrë të plotë Perëndinë, agjenti veprues i tij për pajtimin e botës. Mrekullia e asaj që Zoti ka bërë duhet parë në terma të lartësimit të një qenieje plotësisht njerëzore i cili ka qenë pre e joshjeve njësoj si ne. Ky portret është në harmoni me këndvështrimin e ungjijve sinoptikë për Jezusin. Mbi të gjitha, ai mënjanon të parit e Jezusit si më shumë apo më pak se njeri, qënie e cila që nga përhershmëria ka qenë Perëndi. E vërteta që del nga shqyrtimi ynë është se Jezusi ishte në formën e Perëndisë (Filipjanëve 2:6), jo se ai ishte Perëndi. Perëndia ishte  Krishtin (2 Korintasve 5:19), por Krishti nuk ishte Zot.

Në fund të këtij shqyrtimi Robinsoni i kthehet paraqitjes biblike të Jezusit si pasqyrë e përsosur dhe imazh i Atit të tij, Krishti bindja dhe sakrifica e përsosur e të cilit e bëri atë të denjë për të qenë “Biri i Perëndisë”. Është për të ardhur keq që Robinsoni nuk ka konfirmuar lindjen e mbinatyrshme të Jezusit që për Mateun dhe Lukën përbëjnë mrekullinë përmes të cilës Zoti i vetëm solli në ekzistencë qenien më të lartë të të gjithë krijimit, Mesian e pamëkatë, Birin e Perëndisë.

[*] Dr John Arthur Thomas Robinson ka lindur në vitin 1919 në Cantebury të Anglisë dhe është ndarë nga jeta në 5 Dhjetor 1983.  Ai ka qenë një prej shkollarëve të njohur të Dhjatës së Re, autor i shumë librave dhe Peshkop Anglikan në Woolwich të Anglisë. Ka mbajtur leksione në Trinity College të Kembrixhit dhe më pas ka qenë dekan i këtij kolegji deri në fund të jetës së tij. Dr Robinson është konsideruar si një prej njerëzve më me ndikim në modelimin e teologjisë liberale të krishterë.

Përktheu Rezart Beka

Referenca

[1] (Mar. and Sep. 1982). Për një përmbledhje më të dobishme të diskutimeve të sotme, shih Klaas Runia, The Present-Day Christological Debate.

[2] “Dunn or John”, Theology 85 (Sept 1982): 332-338.

[3] Christology in Making, 212

[4] ibid., 243

[5] Po aty., 250

Last modified: 03/01/2021
Close