Urimi i festave jomyslimane: Dymbëdhjetë fetva

Si në çdo fundviti, edhe këtë herë debati rreth urimit nga ana e myslimanëve për Krishtlindje apo Vitin e Ri është rishfaqur sërish në hapësirën shqiptare. Debati karakterizohet nga riciklimi i po të njëjtave polemika dhe paraqitjen e po të njëjtave argumentime fetare si çdo vit. Si gjithnjë, debati ripërsërit veten dhe konsumon shumëçka prej energjisë së myslimanëve. Postimet rreth kësaj teme shpesh degjenerojnë nëpër komente me akuza të ndërsjellta ku për bidat (risi në fe) e ku për shtrëngim të panevojshëm në fe.

Ajo që vihet re është që fusha e diskursit fetar mbizotërohet përgjithësisht nga tesktet dhe fetvatë (opinionet juridike) e atyre dijetarëve, qofshin këto prej dijetarëve klasikë të medhhebeve apo ato bashkëkohorë, që e ndalojnë kategorikisht urimin e të krishterëve për Krishtlindje apo të njerëzve në përgjithësi për Vitin e Ri. Në Shqipëri, emrat e dijetarëve të mëdhenj, kyesisht selefi, të së kaluarës, si p.sh. Ibn Tejmija apo Ibn Kajim el-Xheuzijeh, apo edhe të atyre bashkëkohorë si Bin Bazi apo Salih el-Uthejmini figurojnë dukshëm në tekstet apo fetvatë e përzgjedhura për përkthim dhe mendimet e tyre mobilizohen për të theksuar se urimi për Krishtlindje apo Vitin e Ri është gjynah i madh, në mos mosbesim. Rezultat i kësaj është dominimi i sferës publike myslimane nga vetëm një prej këndvështrimeve në lidhje me këtë çështje. Sidoqoftë, spektri i mendimit bashkëkohor mysliman mysliman në lidhje me këtë temë është më i gjerë se sa përshtypja që të krijohet nga leximi i literaturës së servirur në gjuhën shqipe.

Si rrjedhojë, gjykuam të ofronim për lexuesin shqiptar një përpilim prej 11 fetvash, apo opinionesh juridike, nga dijetarë të mirënjohur apo institucione të mirëafirmura myslimane të cilat argumentojnë për lejueshmërinë e urimit për Krishtlindje apo për Vitin e Ri. Fetvatë përqendrohen tek akti i urimit, por ato janë mjft të dobishme pasi një pjesë e tyre diskutojnë, në vazhdën e diskutimit të marrëdhënieve me “tjetrin”, edhe çështje të tjera si pjesëmarrja në ceremonitë dhe ritualet fetare të jomyslimanëve, shkëmbimi i dhuratave etj…

Jemi të bindur se servirja e këtyre burimeve primare është një domosdoshmëri për të mundësuar paraqitjen e të gjithë spektrit ekzistues të opinioneve të shprehura nga dijetarët myslimanë në lidhje me këtë çështje si edhe për t’i mundësuar lexuesit një përvojë të drejtpërdrejtë të të gjitha aspekteve të dinamikës akademike ndërmyslimane në lidhje me çështjen në fjalë.

Gjithsesi, kemi bindjen se asnjë prej fetvave ekzistuese, qofshin pro apo kundra urimit për Krishtlindje apo Vit të Ri, nuk mund të jenë zëvendësuese për detyrën që ka vetë bashkësia myslimane shqiptare në lidhje me këtë temë. Pra, bashkësia myslimane ka për obligim që të formojë një opinion juridik të përshtatshëm në lidhje me këtë çështje, i cili pasqyron rrethanat dhe kontekstin shqiptar në të cilin të uruarit apo të mosuruarit për festat e feve të tjera merr jetë. Kjo çështje nuk mund të shterrohet thjesht përmes arsyetimit teorik, por është i nevojshëm kontekstualizimi i diskursit fetar në terrenin e realitetit socio-politik ku akti i të uruarit apo të mosuruarit realizohet. Vetëm aktorët fetarë brenda bashkësisë myslimane janë të aftë që të vlerësojnë dinamikat e brendshme të shoqërisë shqiptare, statusin dhe rëndësinë e zakonit (urf) në lidhje me këtë veprim, si edhe vlerësimin e saktë të normave etike të mirësjelljes kundrejt tjetrit që ekzistojnë në kontekstin shqiptar. Të gjitha këto, janë elemente të domosdoshme për formulimin e një opinioni të saktë juridik që pasqyron realitetin konkret shqiptar. Deri atëherë, fetvatë e përkthyer nga vende të ndryshme të botës myslimane, dhe që domosdoshmërisht reflektojnë kontekstin social prej nga vijnë autoritetet e këtyre fetvave, do të mbeten gjithnjë një mjet i mirëpritur, por i mangët, për udhëzimin e drejtë dhe orientimin në lidhje me këtë çështje.

Përpiluesi: Rezart Beka

Në vijim, lexuesi do të gjejë fetvatë në lidhje me temën e të uruarit të jomyslimanëve për festat e tyre apo të njerëzve për Vitin e Ri nga dijetarët dhe institucionet e mëposhtme:

  1. Sherif Hatemi Ibn Arif al-Auni
  1. El-Habib ‘Abdullah ibn Umer ibn Jahja, (vd. 1265 h.), Rreth urimit të krishterëve dhe të tjerëve si ato në festat e tyre fetare.
  1. Mustafa Zerka (fakih), Urimi për festat e jomyslimanëve
  1. Sheref Mahmud al-Kudat (Muhadith), Të uruarit e të krishterëve për festat e tyre.
  1. Muhamed el-Sejid Desuki (fakih, usulist), Urimi dhe pjesëmarrja në festat e jomyslimanëve.
  1. Salahudin Idlibi (Muhadith), Urimi për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri.
  1. Sheh Ahmed Sherbasi, Urimi i të krishterëve për Krishtlindje.
  1. Fetva e ‘Këshillit të Dijetarëve Sirianë’ rreth urimit për Krishtlindje dhe Vit të Ri.
  1. Fetvaja e Këshillit Europian për Fetva dhe Hulumtim (European Council for Fatvva and Research) rreth urimit për Krishtlindje dhe festa të tjera të ngjashme.
  1. Abdullah Bin Bejah (fakih), Rreth Festave pa nuanca fetare (kryesisht festat kombëtare dhe Vitin e Ri).
  1. Myftinia e Egjiptit rreth të uruarit të krishterëve për Krishtlindje.
  1. El-Habib Ali Xhifri, rreth urimit për Krishtlindje.

              Tekstet e fetvave:

 

 

Dr. Sherif Hatemi Ibn Arif al-Auni

  1. Dijetari dhe muhadithi i spikatur saudit, Sherif Hatemi Ibn Arif el-Auni ka shkruar një fetva të gjatë në lidhje me lejimin e të uruarit të jomyslimanëve për festat e tyre. Në pamundësi për ta përkthyer fetvanë të plotë, jemi përpjekur që ta përmbledhim atë dhe të citojmë prej saj pasazhet më të rëndësishme.

Urdhëri për drejtësi dhe mirësi ndaj jomyslimanëve

 

Si shume dijetarë të tjerë, edhe el-Auni e fillon fetvanë e tij duke cituar parimin kuranor sipas të cilit besimtarët duhet të sillen me drejtësi dhe mirësi me të gjithë ata jomyslimanë që mbajnë marrëdhënie paqësore me ta. Ky parim mbështetet, ndër të tjera, në ajetin kuranor: “Zoti nuk ju ndalon t’u bëni mirë e të jeni të drejtë me ata që nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju nxorën nga shtëpitë tuaja. Zoti i do të drejtët” (Kuran 60:8) Sipas tij, prej bazave të mirësisë është edhe mirësia e shprehur me fjalë. Kjo vjen e shprehur në Kuran: “…t’u flisni mirë njerëzve…” (Kuran 2:83.). Në arabisht, fjala ‘njerëzve’ e përmendur në tekstin kuranor është në trajtën e shquar, që do të thotë se përfshin të gjithë njerëzit myslimanë apo jomyslimanë. Mirësia me fjalë përfshin edhe urimin për mirësi dhe begati ndaj jomyslimanëve. Imam Buhariu tek libri i tij “el-Edeb el-Mufred” transmeton nga Ukbeh Ibn Amir (r.a.) se një ditë ai vërejti në rrugë një person që ngjante si mysliman dhe i dha selam dhe personi ia ktheu selamin duke thënë: “Edhe mbi ty qoftë mëshira e Zotit dhe begatia e Tij”. Një djalë e lajmëroi Ukben se personi në fjalë ishte i krishterë. Atëherë Ukbeh u ngrit dhe e ndoqi personin derisa e arriti dhe i tha: “Në të vërtetë mëshira e Allahut dhe Begatia e tij janë për besimtarët, por ty Zoti ta shtoftë jetën, pasurinë dhe fëmijët”. Me këtë fjalë Ukbeh donte t’i bënte të ditur të krishterit që kishte takuar se vetëm besimtarët janë meritor për mëshirën dhe begatinë e plotë të Zotit. Megjithatë ai bëri dua për të që t’i shtohet jeta, pasuria dhe fëmijët. Menjëherë pas këtij transmetimi, Imam Buhariu vendos një transmetim tjetër nga Ibn Abasi (r.a.) sipas të cilit Ibn Abasi ka thënë: “Nëse Faraoni (Firaun) do të më thoshte Zoti të begatoftë, unë do ti thoja: “Edhe ty”. Dhe Faraoni ka vdekur”. Kuptimi i këtij tekstit, thotë dijetari i fetvasë el-Auni, është që Ibn Abasi do t’ia thoshte këtë Faronit ndonëse e dinte mirë që ai kishte vdekur jobesimtar. El-Auni vazhdon:

“Është e qartë se synimi i Imam Buhariut me vendosjen e këtyre dy haditheve njëri-pas tjetrit ka qenë që të sqarojë dallimin në qasje që ekziston ndërmjet dy rasteve të lartpërmendura. D.m.th. ndërmjet atyre që e lejojnë të lutesh për begati (bereqet) për jomyslimanët (rasti i Ibn Abasit) dhe atyre që nuk e lejojnë (rasti i Ukbeh)”.

Norma ligjore e të uruarit të jomyslimanëve për festat e tyre

Pas kësaj, al-Auni vazhdon duke analizuar një tjetër cështje: Cila është norma ligjore e të uruarit të jomyslimanëve për festat e tyre?  Ai shprehet se urimi është një çështje që përfshihet në kategorinë e muamelateve (transaksioneve/ndërveprimeve midis njerëzve) dhe baza e kësaj kategorie është që gjithcka është e lejuar deri sa te vijë teksti i qartë dhe i prerë që ta ndalojë atë. Në lidhje me këtë ai shprehet:

 “Pikë së pari nuk ekziston asnjë tekst fetar as nga Kurani e as nga Suneti që ta ndalojë një gjë të tillë, ndonëse nevoja për sqarimin e një çështjeje të tillë ka ekzistuar, për shkak të pranisë së ithtarëve të librit në Medine gjatë kohës së Profetit (a.s.). Kjo tregon se një çështje e tillë hyn në çështjet zakonore për të cilat nuk ka nevojë të vijë ndonjë tekst i caktuar. Norma ligjore për çështje të tilla përfshihet nën parimet e përgjithshme të Sheriatit. Së dyti: Asnjë tekst nuk është transmetuar nga selefët, prej sahabëve, tabiinëve, tabi tabiinëve dhe imamëve të katër medhhebeve në lidhje me urimin e josmylimanëve për festat e tyre. Prej tyre janë transmetuar thënie në lidhje me dëshmimin apo marrjen pjesë në festat e tyre dhe rreth angazhimit të myslimanëve në shit-blerje tek pazaret e ngritura prej jomyslimanëve posaçërisht për festat e tyre. Por, çështja se cili është hukmi i urimit të jomyslimanëve për festa nuk është transmetuar prej asnjërit prej tyre… Kjo tregon se kjo çështje hyn në kategorinë e çështjeve zakonore (adeteve) sepse nuk imagjinohet mosekzistenca e asnjë transmetimi në lidhje me këtë çështje pavarësisht numrit të shumtë të ithtarëve të librit në territoret myslimane pas periudhës se çlirimit të tokave të reja dhe përhapjen e festave fetare të ndryshme [në shoqëritë myslimane]… Kjo përforcon faktin se baza e çështjes së urimit të jomyslimanëve është lejimi sepse ajo është prej çështjeve zakonore dhe baza (asl) e çështjeve zakonore është lejimi (siç konfirmojnë edhe dijetarët) nëse nuk vjen argument (delil) për ndalimin e saj, qoftë tekst i shpalljes ose princip që tregon se një veprim i tillë është i ndaluar. Dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur…”.

“[Lexues i nderuar] kam përsëritur [në këtë shkrim] një argumentim të mjaftueshëm për ty që të ndalonte [nga të shprehurit se urimi ndaj jomyslimanëve është padyshim haram]. Ky argument është: Mosekzistenca e asnjë opinioni tekstual nga selefët dhe katër imamët e medhhebeve [rreth kësaj çështjeje] është delili (argumeti) më i qartë se themeli (asl) i kësaj çështjeje është lejimi. Prania e një numri të shumtë prej ithtarëve të librit në vendet myslimane që nga koha e Hulefa el-Rashidinëve (Kalifëve të Drejtudhëzuar), d.m.th. pas çlirimit të tokave të reja dhe festat e ndryshme fetare që ata kishin, si edhe hyrja e një numri të madh të tyre në Islam dhe padituria e tyre me normat juridike të Islamit do ta kishte bërë të domosdoshme sjelljen e një opinini tekstualisht të shprehur për ndalimin e urimit. Kjo në mënyrë që njerëzit të njihnin normën juridike (hukmin) për praktikën në fjalë. Kjo, veçanërisht duke pasur parasysh se selefët kanë folur rreth [ndalesës së] pjesëmarrjes në festat e tyre dhe nga shit-blerja në pazaret e tyre [ të ngritura në raste festash] dhe për gjëra të tjera, krahas këtyre që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në festat e jomyslimanëve. Por, nuk gjejmë të transmetuar prej tyre asnjë fjalë rreth urimit të jomyslimanëve. Mosekzistenca e një teksti prej tyre përgjatë shekujve është delili (prova) me e madhe për faktin se bazuar mbi origjinën/bazën (asl), norma juridike rreth urimit është lejueshmëria. Kjo, sepse norma juridike e gjithçkaje, përveç adhurimeve, është lejueshmëria deri sa të vijë një transmetim [i saktë] që të tregojë devijimin nga origjina e hukmit”.

Në këtë kontekst el-Auni jep vendimin e tij në lidhje me urimin e jomyslimanëve:

“Prandaj baza e të uruarit të jomyslimanëve për festat e tyre është lejueshmëria, përjashto këtu nëse urimi bëhet duke qenë i kënaqur me fenë e tyre apo urimi rezulton në ndonjë dëm fetar (si p.sh. krijimi i përshtypjes se personi që uron është i kënaqur me përmbajtjen e festës). Përndryshe, baza (asl) e të uruarit të jomyslimanëve për festa është lejueshmëria”.

A ka ixhma (konsensus) për ndalimin e urimit per festat e jomyslimanëve?

Pohimi për konsensus gjendet në një citim të Ibn Kajim el-Xheuzijes, të cilin autori e analizon në hollësi, dhe me mirëkuptim e me dashamirësi përpiqet ta interpretojë si ixhma për të uruarit e jomyslimaneve ndërkohë që personi ndjen kënaqësi apo miratim për festën e tyre. Ne nuk kemi mundësi t’i sjellim këtu të gjitha detajet e kritikës së tij, por do të fokusohemi tek elementi kryesor. D.m.th. tek pohimi se ka ixhma që nuk lejohet të urosh jomyslimanët për festat e tyre. El-Auni thotë:

“Në lidhje me çështjen e normës ligjore rreth urimit të jobesimtarëve për festat e tyre fetare do të kisha dëshirë që fanatikët në ndalimin e këtij veprimi të më përmendnin ndalesën nga selefët, qoftë prej sahabëve, tabiinëve apo tabi tabiinëve (pra tre brezat e parë) deri sa të shohim nëse ekziston, apo jo, një qëndrim ligjor i përhapur ndërmjet tyre në lidhje me këtë çështje dhe të sigurohemi se kjo thënie e tyre nuk është kundërshtuar [nga askush]? E përsëris sfidën me një formë akoma më të qartë: pasi kemi sqaruar se nuk ka tekst të qartë prej Kuranit dhe Sunetit që të tregojë se është i ndaluar urimi i jomyslimanëve për festat e tyre, a gjendet ndonjë transmetim nga sahabët, tabiinët dhe tabi tabiinët që të tregojë se urimi është i ndaluar (jo tekst për mospjesëmarrjen në festat e tyre, sepse kjo është çështje [mesele] tjetër) dhe se ky mendim ka qenë i përhapur ndërmjet tyre? [Kjo duhet të jetë aq e qartë] Saqë pasi të sigurohemi se prej tyre nuk ka ekzistuar askush që ta ketë kundërshtuar mendimin e përhapur [për ndalim] ne të kemi të drejtë që të pohojmë se ka ixhma (konsensus) për ndalimin e urimit të jomyslimanëve për festat e tyre?

Ndërkohë kërkesa që duhet të jemi ne që duhet të gjejmë një tekst nga selefët që e lejon [një gjë të tillë] paçka se e pranojmë se nuk ka tekst që e ndalon, një kërkesë e tillë shfaq injorancë për sa i përket metodologjisë së argumentimit në Islam. Sepse i takon atij që pretendon se ka ixhma që të sjellë argumentin rreth asaj që pretendon, përndryshe pohimi i tij është batil (i kotë/i pavlefshëm). Kësisoj, pas rrëzimit të pretendimit të ixhmasë, hukmi i çështjes së urimit të jomyslimanëve mund arrihet vetëm pasi ajo të shqyrtohet nën dritën e teksteve të përgjithshme dhe bazave të Sheriatit. Këtu dua të tërheq vëmendjen tek fakti se nëse ekziston ndonjë dijetar prej selefëve që e ndalon urimin e jomyslimanëve për festat e tyre, thjesht prania e këtij mendimi nuk tregon se konsensusi është arritur, sepse mosdija për ekzsistencën e dijetarëve që e lejojnë nuk do të thotë se vërtet nuk ka pasur dijetarë që e kanë lejuar (principi islam thotë: Mosdija për diçka nuk nënkupton mosekzistencën e saj). Kjo është posaçërisht e vërtetë për çështje si kjo që kemi në shqyrtim, për të cilën është e nevojshme të ofrohet një transmetim [prej selefëve] që e ndalon urimin. Ky trasmetim duhet doemos të tregojë se ky opinion ka qenë i përhapur ndërmjet selefëve, derisa të kemi të drejtë të themi se nuk ka ekzistuar opinion tjetër… (autori ka shpjeguar se një gjë e tillë nuk ka ekzistuar tek selefët, për rrjedhojë pohimi për ixhma është i pasaktë, shën. i përk.)”

Me pas el-Auni trajton tezën se ndonëse nuk ka ixhma eksplicite (el-ixhma el-sarih) sidoqoftë mund të argumentohet se ekziston ixhma e heshtur (ixhma el-sukuti) e cila ndodh në rastin kur disa muxhtehidë të një periudhe të caktuar shprehin një opinion rreth një çështjeje dhe pjesa tjetër e dijetarëve heshtin. Heshtja e tyre merret si aprovim. Dijetarët kanë pasur ikhtilaf rreth vlefshmërisë së një ixhmaje të tillë ku shumica, përfshi edhe Imam Shafiun, nuk e kanë pranuar si provë ndërsa të tjerë, si hanefitë, e kanë pranuar. Gjithsesi, përgjigja e el-Aunit është si më poshtë:

“Kusht për saktësinë e ixhmasë së heshtur është debati rreth çështjes [pra një debat publik rreth meselesë ku gjatë tij disa ulema (dijetarë) japin një vendim juridik të caktuar, pro ose kundër, dhe pjesa tjetër hesht, shën. përk.] dhe në rastin tonë një kusht i tillë nuk është përmbushur [pra nuk ka ekzistuar asnjë debat për këtë çështje, shën. përk.]. Por është i mjaftueshëm fakti i dobësisë së transmetimit të pohimit për ndalesë mbi të cilin bazohet prentendimi për ixhma… kush pretendon për ixhma të heshtur dhe e argumenton ekzistencën e saj thjesht duke përmendur mendimin e një prej selefëve, pavarësisht faktit se nuk ekziston asnjë mendim nga ndonjë selef tjetër që ta konfirmojë ose kundërshtojë mendimin e parë, një veprim i tillë metodologjik për të vërtetuar ekzistencën e ixhmasë së heshtur është i pasaktë dhe asnjë prej juristëve myslimanë (fukaha) nuk e ka aprovuar atë. Asnjë prej juristëve (fukahave) nuk thotë se aplikimi i praktik i ixhmasë së heshtur nënkupton se çdo opinion juridik, për të cilin nuk dihet nëse ekziston apo jo ndonjë opinion i kundërt, duhet të konsiderohet ixhma e heshtur…. Kjo mënyrë (menhexh) e përcaktimit të ekzistencës së ixhmasë së heshtur është padyshim i pavlefshëm (batil). Por, që të pohohet ixhmaja duke mos ekzistuar asnjë opinion [nga selefët] në lidhje me këtë çështje…kjo është një metodologji risimtare që askush nuk e ka pranuar. Një metodologji e tillë është një prej formave të gënjeshtërta të pretendimit për ixhma…

Si mund të pretendohet ixhma për diçka rreth së cilës nuk ka asnjë tekst as në Kuran dhe as në Sunet dhe nuk ekziston qoftë edhe një fjalë e vetme rreth saj nga selefët dhe as nga ajka e atyre që i ka ndjekur ata (d.m.th. imamët e katër medhhebeve). Ixhma e kujt? E atyre që s’kanë folur fare? Cili është argumenti ku mbështetet ixhmaja?… [N]uk është i saktë pohimi për ixhma në lidhje me çështje të tilla si kjo e urimit për festa. Pohimi i Ibn Kajimit është i pasaktë dhe pretendimi i tij për ixhma në lidhje me këtë çështje nuk është i vërtetë sepse nuk ka asnjë tekst nga Kurani dhe Suneti, selefët, apo imamët e katër medhhebeve rreth kësaj çështjeje…Sërish çuditem me ata që pretendojnë se [në lidhje me urimin] është verifikuar ekzistenca e ixhmasë së heshtur, kur rreth kësaj çështjeje nuk ka asnjë tekst [të qartë], siç e sqaruam më parë. Po, habitem me atë që ndonëse nuk pranon asnjë fjalë dijetari pa delil (argument) dhe e konsideron të refuzuar ixhtihadin e tij të pambështetur në delil, gjithsesi vetë ky person pranon prej këtij dijetari diçka që është akoma më e madhe se thjesht pranimi i ixhtihadit të dikujt pa delil, dhe kjo është pretendimi për ekzistencën e ixhmasë [në lidhje me këtë rast]…”

Transmetime nga selefët që mund të ndihmojnë në të argumentuarit se urimi i jomyslimanëve për festat e tyre është i lejuar.

El-Auni thote:

“I pyes ata që e ndalojnë të uruarit e jomyslimanëve për festat e tyre…Cili është hukmi (norma ligjore) i rastit kur një myslim bën kurban për një jomysliman një kafshë që jomyslimani dëshiron ta bëj kurbani për një zot tjetër përveç Zotit. A nuk tregon ky veprim për pranim/miratim të kurbanit të jobesimtarit? A mund të jetë i lejuar një veprim i tillë? A i lejohet myslimanit që të ushqehet nga ky kurban i therur për një zot tjetër përveç Zotit? A i lejohet myslimanit të hajë kurbanin e therur nga një jomysliman për një zot tjetër përveç Zotit pasi jomyslimani e ka therur atë duke thënë “Bismilah”, por synimin e ka pasur për ta therur atë për një zot tjetër përveç Zotit? Sipas këndvështrimit të tyre, nuk duhet pasur asnjë dyshim në ndalimin e një veprimi të tillë, për të mos thënë që duhet konsideruar kufër! Askush nuk do ta vinte në dyshim se bërja kurban për një zot tjëtër përveç Zotit është një argument shumë më i fortë për miratimin e kufrit (mosbesimit) se sa thjesht urimi i jobesimtarëve për festat e tyre!! Shikoni tani se cili është hukmi i parisë së selefëve, e midis tyre Imam Ahmedi, rreth kësaj çështjeje.

Në pyetjet e tij ndaj Imam Ahmed Ibn Hanbelit dhe Imam Is’hakut, el-Kusexhi ka thënë: “Thashë: Pyeta Sufjanin rreth rastit të një myslimani të cilin një zorastrian e paguan që të therë një dele për zotat e tij. Myslimani thotë bismilah dhe e ther. A lejohet ngrënia e mishit të saj? Sufjani tha: “Nuk shoh asgjë të keqe në një veprim të tillë.” Imam Ahemdi tha: “Ka thënë të vëretën Sufjani.” Is’haku tha: “Myslimanit nuk i takon ta therë kurbanin në një situatë të tillë dhe e konsideroj mekruh (të papëlqyeshme) ngrënien e mishit të kurbanit” Mesail Kusexhi (nr. 2869) si edhe ‘Ahkam ehl el-milel li-l-khilal (nr. 1066).

Në librin e Khilal-it titulluar “Ahkam ehl el-milel” nr. 1047 është transmtuar: “Me ka raportuar Musa Ibn Sehl nga Muhamed Ibn Ahmed el-Esedi, nga Ibrahim Ibn Ja’kubi nga Ismail Ibn Saidi, i cili tha: “E pyeta Imam Ahmedin rreth asaj që bëhet kurban për t’iu afruar zotave të tyre nëse lejohet, apo jo, që kurbanin ta therë myslimani? Tha: “Ska asgjë të keqe në një veprim të tillë”. Imam Ahmedi nuk ia ndalon myslimanit një veprim të tillë, sepse gjatë therjes myslimani ka thënë Bismilah dhe ai e ther për Allah, pavarësisht se jomyslimani e do kurbanin për zotat e tij. Tek ‘Mughni” i Ibn Kudames thuhet: “Kapitull: Për sa i përket asaj që jomyslimanët e therin për kishat apo festat e jomyslimanëve ne analizojmë skenarët. Nëse një mysliman e ka therur për ata, atëherë kjo është e lejuar… Imam Ahmedi dhe Sufjan el-Theuri kanë thënë se lejohet ngrënia nga mishi i kurbanit që një Zoroastrian dëshiron ta bëj kurban për zotin e tij dhe paguan një mysliman për këtë dhe myslimani e therë dhe bën bismilah.” Ka thënë Ismail Ibn Saidi: “Kam pyetur Imam Ahmedin rreth asaj që bëhet kurban për t’iu afruar (ritualisht) zotave të tyre nëse lejohet, apo jo, që kurbanin ta therë myslimani? Tha: “S;ka asgjë të keqe në një veprim të tillë. Madje edhe nëse kurbanin e bën një i krishterë apo hebre dhe e therë në emër të Allahut të vetëm, është sërish e lejueshme [ngrënia e mishit] sepse kushti i të bërit të mishit hallall është plotësuar [kushti është përmendja e Zotit]”.

El-Auni e mbyll këtë analizë të mendimit të Medhhebit Hanbeli rreth lejimit të myslimanit për t’i ndihmuar jomyslimanët që të bëjnë kurban për zotat e tyre, por pa qenë i kanaqur me zotat e tyre, duke u shprehur se ky transmetim nga selefët është i përshtatshëm për të analizuar çështjen e urimit. Sepse nëse ndihmesa e dhënë jomyslimanëve për të bërë kurban për vendet e adhurimit apo zotat e tyre, por duke mos qenë i kënaqur me të [pra duke e bërë kurbanin me bismilah], është e mjaftueshme për lejueshmërinë e veprimit, atëherë akoma më shumë është e lejuar thjesht bërja e urimit i cili qartësisht nuk nënkupton miratim/pëlqim.

 

Burimi: http://www.dr-alawni.com/articles.php?show=187

Biografia: http://www.dr-alawni.com/about.php?show=biography

 

  1. Rreth urimit të krishterëve dhe të tjerëve si ato në festat e tyre fetare El-Habib ‘Abdullah ibn Umer ibn Jahja, (vd. 1265 h.) ka thënë në librin e tij “el-Saif el-Bitar fi hukm el-tezji bi zej el-kufar:

Kjo çështje ndahet në tre pjesë:

Pjesa e parë është t’i urosh ata në festat dhe t’i perkrahësh ata në mosbesimin e tyre, kjo është haram dhe ndoshta mund të konsiderohet apostazi (rideh = dalje nga feja), sepse kënaqësia me mosbesimin është mosbesim në vetvete, Allahu thotë: “Zotit nuk i pëlqen mohimi (kufri) i robërve të Tij” (Kur’an 39:7).

Pjesa e dytë është t’i urosh ata për festat e tyre fetare jo për t’i përkrahur festat e tyre por duke ndjekur zakonin (adeh) e njerëzve në vendin apo rajonin ku jeton. Gjykimi ligjor (hukmi) i një rasti të tillë është në dy nivele. Niveli i skrupolozitetit fetar (el-uerea) dhe niveli i lejueshmërisë (xheuaz). Niveli i skrupolozitetit nënkupton moskryerjen e urimit, niveli i lejueshmërisë nënkupton lejueshmërinë e urimit për festa nëse nuk kihet për qëllim përkrahja e tyre në mosbesim.

Pjesa e tretë konsiston në rastin kur personi është i detyruar që të bëjë urimin. Në kuptimin që nëse ai nuk e bën urimin atëherë një dëm mund t’i vijë si pasojë e një veprimi të tillë. Si në rastin kur myslimani punon tek një jomysliman dhe mosurimi për festat do t’i shkaktojë atij dëm apo largim prej pune. Në një rast të tillë domosdoshmërie nuk ka asgjë të keqe nëse ndiqet thënia e atyre që e lejojnë urimin ndonëse, mosbërja është më e mirë dhe më parësore. Dhe Allahu e di më së miri.

(Teksti i fetvasë është përmendur nga muhadithi dhe dijetari sirian Mexhdi Meki në faqen e tij zyrtare të fb. Mexhdi Meki e ka cituar tekstin në fjalë si konfirmim të qendrimit të tij në lidhje me këtë çwshtje.)

 

  1. Sheh Mustafa Zarka, një prej juristëve dhe dijetarëve më të spikatur mysliman të shekullit të njëzet, ka dhënë një fetva në lidhje me urimin e të krishterëve për krishtlindje apo urimin e njerëzve për Vitin e Ri. Fetvaja është si më poshtë:

Unë jam i mendimit se kur myslimanët urojnë të njohurit e tyre të krishterë për Krishtlindje [një veprim i tillë] duhet parë si një kortezi/mirësjellje (muxhamele) dhe pjesë e mbajtjes së marrëdhënieve të mira me ta. Në Islam nuk është e ndaluar që të kryejmë këto veprime mirësjelljeje dhe miqësie, veçanërisht nëse kemi parasysh se në besimin tonë Mesihu (Krishti) është një nga profetët e mëdhenj të Zotit. Kështu që, ai është i nderuar edhe në fenë tonë, por të krishterët e kanë ekzagjeruar në nderimin e tij dhe besojnë se ai është Zot, i lartësuar qoftë Allahu nga një gjë e tillë. Gabon kushdo që beson se urimi i të krishterëve për Krishtlindje është haram dhe se kjo ka të bëjë me besimin e tyre se ai është hyjni, sepse nuk ka asnjë lidhje ndërmjet një urimi të kryer për kortezi dhe detajeve doktrinore të krishtera dhe ekazgjerimit në to. Transmetohet se një ditë prej ditësh, ndërsa Profeti ishte me Sahabët e tij, një xhenaze (kortezh mortor) kaloi përpara tij. Profeti u ngrit në këmbë në shenjë respekti për solemnitetin e vdekjes dhe kjo nuk kishte të bënte aspak me besimin e personit të vdekur.

Myslimanit i kërkohet që t’i tregojë jomyslimanëve meritat dhe moderimin e Islamit dhe myslimanëve nuk i lejohet që t’i konvertojnë me dhunë jomyslimanët në Islam, madje edhe nëse ata [d.m.th. jomyslimanët] jetojnë në një shtet mysliman. Myslimanët duhet të jenë tolerantë dhe t’i lënë jomyslimanët në atë që ata besojnë. Mbi të gjitha, në ditët tona myslimanët janë të dobët, krahasuar me shtetet e tjera, dhe shtetet e mëdha komplotojnë kundër tyre dhe i akuzojnë për terroristë dhe fanatikë të cilët nuk duhen besuar. Kësisoj, si myslimanë ne duhet ta ndryshojmë këtë imazh të keq që na është thurur nga vendet e huaja. Veçanërisht në rastin kur myslimanët vizitohet dhe urohen për Bajram nga të njohurit e tyre të krishterë dhe kur myslimanët nuk ua kthejnë urimin për festate e tyre kjo do të konfirmojë idenë se myslimanët janë të ashpër dhe jo të gatshëm për të jetuar në harmoni me të tjerët apo për t’i trajtuar të tjerët me miresjellje.

Çka është thënë në lidhje me urimin për Krishtlindje vlen akoma më shumë për urimin e Vitit të Ri, sepse ky i fundit nuk lidhet me asnjë besim, por shënon thjesht fillimin e vitit të ri kalendarik. Kur Umeri (r.a.) i mblodhi Shokët e Profetit për të vendosur se cila ngjarje do të caktohej si fillimi i përllogaritjes së kalendarit islam, disa prej tyre propozuarn kalendarin romak ose atë hebre. Nëse kjo do të ishte e palejuar, ata nuk do ta bënin një propozim të tillë. […] Por këtu ka një pikë që duhet theksuar. Myslimanët mund t’i urojnë të krishterët për festat e tyre si rezultat i mirësjelljes dhe sjelljes së hijshme, por festimi i vitit të ri në forma të ndaluara në islam, të cilat pëfshijnë ndjekjen e traditave të jomyslimanëve dhe forma të ndaluara kremtimi, kjo është një tjetër çështje dhe është e ndaluar në Islam.

Për më shumë në lidhje me jetën e Mustafa Zarka-s shih: https://kingfaisalprize.org/shaikh-mustafa-alzarkaa/

Burimi i fetvasë është:https://archive.islamonline.net/?p=542

  1. Sheref Mahmud al-Kudat (lindur 1951), muhadith, anëtar i ligës botërore të myslimanëve dhe një nga dijetarët më të spikatur të Jordanisë është shprehur në lidhje çështjen e urimit të të krishterëve për festat e tyre me fjalët:

Në ditët e sotme është shtuar numri i pyetjeve rreth normës ligjore (hukm) të të uruarit të krishterëve për festat e tyre. Si përgjigje ndaj kësaj çështjeje them: Origjina e gjërave në lidhje me këtë çështje është lejueshmëria (ibaha) dhe nuk është transmetuar asgjë që të ndalojë nga një veprim i tillë. Gjithçka që kam dëgjuar apo lexuar prej atyre që e ndalojnë urimin e jomyslimanëve [për festat e tyre] vërvitet rreth faktit se një urim i tillë [sipas tyre] përbën miratim/aprovim i fesë, për të cilën ne si mysliman besojmë se është e shtrembëruar. Por, e vërteta është se në urimin për të krishterët nuk gjendet asnjë miratim [për fenë e tyre] dhe kjo për sa më poshtë: 1) Ne nuk e llogarisim urimin e të krishterëve për festat tona si miratim/aprovim i tyre se feja jonë është e vërtetë. Po ashtu, edhe myslimani kur uron nuk ka si synim miratimin e fesë [së tyre] dhe as të krishterët nuk e nënkuptojnë këtë gjë kur myslimanët i urojnë ata. 2) Zoti i lartësuar na ka urdhëruar që të sillemi mirë me të krishterët dhe ka thënë: “Zoti nuk ju ndalon t’u bëni mirë e të jeni të drejtë me ata që nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju nxorën nga shtëpitë tuaja. Zoti i do të drejtët” (Kuran 60:8). Birr (të bërit mirë) [e përmendur në ajet] është e mira (hajër) në përgjithësi, Zoti na ka urdhëruar t’i trajtojmë me çdo të mirë ata që nuk na luftojnë. Kësisoj sjellja e mirë ndaj atyre nuk është thjesht e lejuar por e rekomanduar. Si mund ta ndalojmë atëherë [për myslimanët] urimin për të krishterët me fjalët ‘Qoftë vit i mbarë për ju’ (Kulu am ue entum bi khajrin). Ne padyshim i urojmë atyre të mirën (hajr) dhe Zoti na ka urdhëruar që t’i duam atyre të mirën. 3) Zoti na e ka bërë të ligjshme lidhjen e alencave me jomyslimanët, njësoj siç ka bërë Profeti (a.s.) kur mbërriti në Medine. 4) Zoti i lartësuar na e ka bërë të ligjshme vizitën tonë tek shtepitë e tyre dhe anasjelltas, ngrënien prej ushqimit të tyre, madje edhe lidhjen martesore me gjithçka që ajo përmban prej dashurisë dhe mëshirës ndërmjet çiftit bashkëshortor. Askujt nuk i shkon ndërmend të thotë se në të gjithë këtë ka miratim se feja e tyre është e vëretë. E si mund të lejohet e gjithë kjo e të mos lejohet urimi i tyre për festat.

Burimi:

https://www.masress.com/dostor/171682

Për më shumë rreth autorit kliko:

https://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%B4%D8%B1%D9%81_%D8%A7%D9%84%D9%82%D8%B6%D8%A7%D8%A9

  1. Muhamed el-Sejid Desuki, një nga dijetarët më të mëdhenj të ditëve tona në fushën e jurisprudencës (fikh) dhe metodologjisë ligjore islame (usul el-fikh), profesor i Sheriatit në Universitetin e Katarit thotë:

Fqinji në Islam ka të drejta, mysliman apo jomusliman qoftë ai. Nëse ai është musliman dhe midis tij dhe fqinjit të tij ka lidhje farefisnore, atëherë fqinji gëzon tre të drejta: e drejta e farefisnisë, e Islamit dhe e fqinjësisë. Por nëse ai është mysliman dhe nuk ka marrëdhënie farefisnie midis tyre, atëherë fqinji zotëron dy të drejta: e drejta e Islamit dhe e ajo e fqinjësisë. Nëse fqinji nuk është mysliman dhe nuk ka lidhje farefisnore ndërmjet tyre atëherë ai gëzon një të drejtë: Të drejtën e fqinjësisë, dhe kjo e drejtë është një e drejtë e shenjtë. Profeti ka tërhequr vëmendjen për rëndësinë e saj duke thënë: “Xhebraili vazhdonte të më këshillonte në lidhje me fqinjin aq sa mendova se ky i fundit do të trashëgonte (pasuri) prej meje”, d.m.th. do të bëheshin pjesë të familjes sime. Fqinji i krishterë nxitet drejt Islamit përmes mirësisë dhe trajtimit të mirë të tij.  Zoti thotë në Kuran: “Zoti nuk ju ndalon t’u bëni mirë e të jeni të drejtë me ata që nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju nxorën nga shtëpitë tuaja. Zoti i do të drejtët” (Kuran 60:8). Prej mirësisë ndaj tyre është edhe mirësjellja/kortezia [si p.sh. urimi] gjatë festave të tyre. Lejohet marrja pjesë në to për sa kohë nuk kryhet asnjë gjë e ndaluar (haram). Kjo sjellje islame mund të jetë një faktor për udhëzimin e tyre në Islam. Islami është përhapur në shumë vende ku nuk ka shkelur asnjëherë ushtria myslimane, por ishte sjellja myslimane e personifikuar nga udhëtarët, tregtarët, emigrantët që u shndërrua në faktor për përhapjen e Islamit.

Burimi: https://islamicfatwa.wordpress.com/2009/04/14/%D8%AD%D9%83%D9%85-%D8%AA%D9%87%D9%86%D8%A6%D8%A9-%D8%BA%D9%8A%D8%B1-%D8%A7%D9%84%D9%85%D8%B3%D9%84%D9%85%D9%8A%D9%86-%D8%A8%D8%A3%D8%B9%D9%8A%D8%A7%D8%AF%D9%87%D9%85/

Për më shumë rreth autorit kliko:

https://ar.wikipedia.org/wiki/%D9%85%D8%AD%D9%85%D8%AF_%D8%A7%D9%84%D8%B3%D9%8A%D8%AF_%D8%A7%D9%84%D8%AF%D8%B3%D9%88%D9%82%D9%8A

  1. Dijetari dhe muhadithi i njohur sirian Dr. Salahudin Idlibi ka thënë në lidhje me urimin për festat e jomyslimanëve si më poshtë:

Duhet të bëjmë dallimin midis urimit që përmban në vetvete diçka prej të kotës (batil) dhe urimit në të cilin nuk gjendet një element i tillë. Urimi për diçka që [sipas këndvështrimit islam, shën. i përk.] ka lidhje me të kotën (batil) si p.sh. me festimet tema e të cilave është shirk apo kanë lidhje me trinitetin apo pohimin se Jezusi (a.s.) është biri i Zotit etj., nuk është i lejuar. Ndërsa urimi për hyrjen e pranverës (festat e verës, shën. i përk) apo për ndonjë sukses dynjaje (në shkollë, në punë etj) apo për lindjen e një fëmije apo për hyrjen e Vitit të Ri, ky ështënjë synet i mirë dhe nuk është haram. Ndërsa urimi që lidhet me një festë ku përkujtohet një profet nga profetët e Zotit (a.s.) në një veprim të tillë nuk ka asgjë problematike por ai është i inkurajuar në Islam, si p.sh. përkujtimi i lindjes së Isait (Jezusit) (a.s.) dhe shpëtimi i zotërisë sonë Musait (Moisiu) dhe popullit të tij nga Faraoni. Për sa i përket urimit për Vitin e Ri, një urim i tillë nënkupton që myslimani i dëshiron me gjithë sinqeritet njerëzve një vit të lumtur sepse myslimani dëshiron për çdo qenie njerëzore atë që do për veten e tij, dhe kjo përfshin më të mirën e kësaj bote dhe të botës tjetër, dhe prej gjërave më të rëndësishme që sjellin lumturinë është: Hyrja në fenë e vërtetë, e cila është Islami dhe arritja e lumturisë së plotë në fe dhe dynja.

(Kjo fetva është një letër personale që dijetari i nderuar i ka dërguar mikut të tij dhe muhadithit Sirian, Mexhdi Meki. Letra është botuar në faqen zyrtare fb të këtij të fundit).

  1. Sheh Ahmed Sherbasi dijetar dhe profesor në Universitetin e Ez’herit thotë:

Isai (Jezusi), biri i Merjemes (Marisë), paqja qoftë mbi të dhe mbi profetin tonë Muhamed, është rob i Allahut, profet dhe i dërguar i Tij. Zoti i Lartësaur e ka lavdëruar Isain (a.s.) në Kur’anin Kerim duke thënë me gojën e Isës: “Tha: “Unë jam rob i Zotit. Ai më dha libër e më bëri profet. Më bëri të bekuar kudo që të jem dhe më urdhëroi të falem e të jap bamirësi sa të jem gjallë. Të [jem i] sjellshëm me nënën time, nuk më bëri kryelartë e të prapë. Paqja është me mua ditën që u linda, ditën që vdes dhe ditën që ringjallem.” (Kuran 19:30-34). Nëse të krishterët kanë përcaktuar një datë të caktuar dhe e kanë shndërruar atë në përvjetor të lindjes së tij dhe midis një myslimani dhe disa prej tyre ka marrëdhënie fqinjësie, apo partneritet në tregti, apo miqësi në punë, dhe tradita është e tillë që të dyja palët shkëmbejnë urime/kortezi të ndërsjellta në festat e njëri-tjetrit dhe në okazione të tjera [të ngjashme], atëherë Islami tolerant dhe bujar nuk bëhet pengesë për shkëmbimin e kortezive. Vetëm se është kusht që shkëmbimi i kortezive të mos bëhet në kurriz të akides dhe fesë. Po ashtu, është kusht që myslimani, gjatë kryerjes së kortezive, të mos kryejë veprime që ia ka ndaluar feja apo që e largojnë atë prej saj. Gjithashtu është kusht që gjatë shkëmbimeve të kortezive të mos kryhen gjëra të refuzuara si p.sh. prija e verës, pijeve dehëse, drogërave etj. Duhet të përkujtojmë se i Vërteti i Lartësuar thotë në Kur’an: “Sot, lejohen për ju ushqimet e mira; ushqimi i ithtarëve të Librit është i lejueshëm për ju dhe ushqimi juaj, i lejueshëm për ta…” (Kuran 5:5). Kjo nënkupton shkëmbimin e vizitave, thirrjen për ushqim dhe të ngjashme.

Burimi: https://islamicfatwa.wordpress.com/2009/04/14/%D8%AD%D9%83%D9%85-%D8%AA%D9%87%D9%86%D8%A6%D8%A9-%D8%BA%D9%8A%D8%B1-%D8%A7%D9%84%D9%85%D8%B3%D9%84%D9%85%D9%8A%D9%86-%D8%A8%D8%A3%D8%B9%D9%8A%D8%A7%D8%AF%D9%87%D9%85/

 

  1. Fetvaja e këshillit të dijetarëve të Sirisë

 

Këtë vit, ‘Lidhja e dijetarëve të Sirisë’ (Rabita el-ulema el-surijin) publikoi një fetva të gjatë rreth urimit të besimtarëve të feve të tjera për festat e tyre dhe urimit të njerëzve për Vitin e Ri. Fetvaja është tejet e gjatë për tu sjellë këtu në tërësinë e saj, por do të përpiqemi të sintentizojmë mendimin e shprehur në fetva si edhe të citojmë drejtpërdrejt disa prej pasazheve më të rëndësishme të saj.

Fetvaja fillon duke nxjerr një pah një gabim të shpeshtë gjatë dhënies së fetvasë në lidhje me urimin e jomyslimanëve për festat e tyre. Ky gabim konsiston në përzierjen e çështjeve të ndryshme që përfshihen nën këtë temë, pa bërë diferencimin ndërmjet tyre dhe ndërmjet normave ligjore (hukm) të ndryshme që secila prej këtyre çështjeve merr në rastin konkret.  P.sh. a është urimi i drejtuar ndaj prindërve jomyslimanë, shokëve, kolegëve apo njerëzve që myslimani nuk i njhe fare? A është urimi i bërë në mënyrë të veçantë ndaj një personi që myslimani e njeh, apo është urim i përgjithshëm për të gjithë jomyslimanët kudo që ndodhen? A mjaftohet personi vetëm me urimin apo edhe merr pjesë në festat e jomyslimanëve ose i organizon ato në shtëpinë e tij? Si qëndron çështja kur myslimani merr pjesë në festat e jomyslimanëve ku në to nuk ndodh asgjë që, nga këndështrimi mysliman, mund të konsiderohet haram? Po rasti i pjesëmarrjes në festat ku përfshihen elementë të ndaluar në Islam? Po dhuratat a lejohen të shkëmbehen ndërmjet një myslimani dhe një jomyslimani në rast të festave fetare? Normalisht secila prej çështjeve të lartpërmendura, dhe të tjera të ngjashme me to, kanë nevojë për një analizë të specifike në varësi të rastit dhe rrethanës. Fatkeqësisht në fetvatë e shumta që jepen në lidhje me urimin e jomyslimanëve për festat e tyre fetare këto përzihen e shkrihen në një dhe për të gjitha ato përcaktohet një normë ligjore (hukm) e vetme dhe e përbashkët. Siç shprehet edhe fetvaja:

“Nuk ka dyshim se disa prej këtyre çështjeve ndryshojnë në normë ligjore (hukm) nga njëra-tjetra. Shpesh shohim disa autorë që shkruajnë rreth temës “Hukmi i urimit me rastin e Vitit të Ri” e më pas sjellin argumente dhe tekste prej juristëve myslimanë (fukaha) të cilat nuk i përkasin kësaj çështjeje. Disa prej tyre sjellin fjalët e Ibn Kajimit (Zoti e mëshiroftë) sipas të cilit ka konsensus (ixhma) se urimi për jomyslimanët për festat e tyre është haram. Ata e sjellin këtë fjalë jashtë vendit të duhur (ghayr mahalihi), pavarësisht se të gjithë librat e hanbelive transmetojnë prej Imam Ibn Hanbelit (Zoti e mëshiroftë) tre opinione në lidhje me çështjen në fjalë: 1) Haram (ndalesë), 2) Kerahe (mospëlqim), Ibaha (lejim)”.

Fetvaja këmbëngul në faktin se secila prej çështjeve që mund të përfshihet në temën e urimit të jomyslimanëve për festat e tyre dhe marrëdhëniet me ta gjatë kremtimit të festave të tyre duhen analizuar veç e veç dhe secilës i duhet dhënë norma ligjore përkatëse. Autorët e fetvasë shprehen se prej fetvave të shumta që ekzistojnë në lidhje me këtë çështje më e mira dhe më e sakta prej tyre është ajo e shkruar nga juristi i spikatur Mustafa Zerka. Fetva të cilën ne e kemi përkthyer në përpilimin tonë. Pjesa më e rëndësishme e tekstit të fetvasë së lidhjes së dijetarëve Sirianë është pasazhi i mëposhtëm:

“Nëse babai yt, nëna, vëllai apo motra janë idhujtarë, të krishterë apo hebrej, cila është norma ligjore (hukm) e urimit të tyre për festat e tyre fetare? Cila është norma ligjore nëse ke një fqinj idhujtar, të krishterë apo hebre dhe e takon në rrugë dhe me atë rast e uron atë për festën e tij fetare? Po rasti kur urimin ia bën një shoku, kolegu apo partneri në punë? […] Nuk duhet pasur asnjë mëdyshje se të uruarit e jomyslimanëve, që myslimani i ka farefisni, fqinj apo kolegë në punë dhe që janë në relata paqësore me ta, është i lejuar. Nëse urimi përata shoqërohet edhe me thirrjen e tyre për në Islam atëherë urimi është i rekomanduar (mustehab). Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në festat e tyre fetare, apo në veprimet e tyre specifike në to, kjo konsiderohet haram, pavarësisht nëse në këto festa gjendet, apo jo, ndonjë element që konsiderohet i ndaluar në fe. Arsyeja e ndalesës, në këtë rast, qëndron në parimin islam të mospërngjasimit me ithtarët e feve të tjera”

Më pas fetvaja mbyllet me një renditje të argumenteve kryesore që e ndalojnë myslimanin që t’u përngjasojë jomyslimanëve në aspekte te caktuara. Siç shihet, fetvaja e dhënë nga Lidhja e Dijetarëve të Sirisë e lejon urimin për festat e jomyslimanëve, por ndalon pjesëmarrjen aktive në to.

Burimi: https://islamsyria.com/site/show_articles/10688

 

 

  1. Fetvaja e Këshillit Europian për Fetva dhe Hulumtim (European Council for Fatwa and Research) është një nga institucionet më prestigjioze myslimane në Evropë. Themeluar në vitin 1997, ky institucion është i fokusuar në dhënien përgjigje çështjeve të ndryshme problematike që hasin myslimanët evropianë në përditshmërinë e tyre. Ndër të tjera, Këshilli Europian për Fetva dhe Hulumtim shquhet për ushtrimin e ixhtihadit kolektiv dhe publikimin e rezultateve të tij në revistën shkencore të publikuar nga institucioni në fjalë. I përbërë nga dhjetra dijtarë të mirënjohur ky institucion është shndërruar në një nga burimet më autoritative për Islamin në Perëndim. Në një nga fetvatë e dhëna nga Këshilli Europian për Fetva dhe Hulumtim në lidhje me urimin e të krishterëve për krishtlindje thuhet:

 

 

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

I gjithë lavdi dhe falenderimet i takojnë Allahut, dhe e paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

I dashur vëlla në Islam, ne do të donim të falënderonim për besimin e madh që tregon ndaj nesh, dhe ne i lutemi Allahut Fuqiplotë që të na ndihmojë në që t’i shërbejmë kauzës së Tij dhe të kryejmë punën tonë për hir të Tij.

Pikë sëpari, ne theksojmë se myslimanët janë të urdhëruar që të trajtojnë me drejtësi dhe me mirësi fqinjët dhe miqtë e tyre jomyslimanë. Rrjedhimisht, nuk ka asgjë të gabuar në shkëmbimin e dhuratave me ata. Myslimanëve u lejohet që të urojnë jomyslimanët në ditët e tyre të festave dhe kjo bëhet më tepër një obligim në qoftë se jomyslimanët ofrojnë përgëzimet e tyre në rastet e festave islame. Allahu Fuqiplotë thotë: “Kur ju përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, kthejani përshëhdetje edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu. Allahu llogarit për çdo send” (Nisa’ 4:86).

Megjithatë, myslimanët nuk duhet të kremtojnë apo të marrin pjesë në festimet fetare të jomyslimanëve, por ata mund të marrin pjesë në kremtimet dhe festimet kombëtare si qytetarë të atyre tokave ndërkohë që respektojnë sjelljen dhe kontrollet islame në të gjitha çështjet.

Në përgjigje ndaj pyetjes që ju keni ngritur, Këshilli Europian për Fetva dhe Kërkime lëshoi fetvanë e mëposhtme:

Nuk mund të ketë asnjë dyshim sa i përket rëndësisë dhe ndjeshmërisë së kësaj problematike, sidomos për myslimanët që jetojnë në Perëndim. Këshilli ka marrë pyetje dhe kërkesa të shumta nga ata që jetojnë në këto vende dhe ndërveprojnë me jomyslimanë. Përnjëmend, ndërmjet myslimanëve dhe jomyslimanëve ka lidhje të fuqishme dhe tërësore të përcaktuara dhe të cilësuara të domosdoshme nga vetë mjetet dhe mënyra e jetës, siç janë marrëdhëniet e fqinjësisë, miqësia në punë apo në studime. Në fakt, një mysliman mund të ndihet borxhli ndaj një jomyslimani në rrethana të veçanta, siç është rasti i një mbikëqyrësi apo pedagogu të palodhur dhe altruist, një doktori të sinqetë dhe të aftë, dhe të tjerëve. Një arab i famshëm ka thënë një herë se njeriu është skllav i ndereve të të tjerëve.

Pra, cili është pozicioni i myslimanit ndaj njerëzve të tillë që janë jomyslimanë, të cilët faktikisht nuk kanë ndonjë armiqësi ndaj myslimanëve, nuk luftojnë kundër tyre për shkak të fesë së tyre, dhe nuk kërkojnë aktivisht të dëbojnë myslimanët nga shtëpitë dhe trojet e tyre?

Kur’ani Fisnik përcakton rregullat se si duhen qeverisur dhe zbatohen marrëdhëniet ndërmjet myslimanit dhe jomyslimanit në Suren Mumtehineh, e cila në thelb është shpallur për t’iu drejtuar politeistëve paganë. Allahu Fuqiplotë thotë: “Allahu nuk jua ndalon që të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. Allahu ua ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë zullumqarë. (Mumtehineh 60:8-9)

Në këtë mënyrë ajeti përcakton se ka një dallim të qartë ndërmjet atyre që luftojnë ndaj myslimanëve dhe i trajtojnë ata si armiq, dhe atyrë që ndërveprojnë dhe merren vesh me myslimanët në paqe. Ne jemi të urdhëruar që këta të fundit t’i trajtojmë në mënyrë të drejtë dhe të fisme, jo thjesht duke u dhënë atyre atë që u takon atyre me të drejtë dhe të marrim prej tyre atë që është e jona sipas rregullit. Dhe vërtet, urdhëri është që ata të trajtohen përtej kësaj dhe të sillemi me ata në mënyra të fisme dhe ideale.

Sa për grupin tjetër – ndaj të cilëve ajeti qartësisht ndalon dhënien e çdo lloj të besnikërisë apo mbështetje në favor të tyre – ata janë ata të cilët zgjodhën të bëhen armiq të Islamit dhe myslimanëve dhe punuan aktivisht për t’i dëbuar myslimanët nga shtëpitë dhe trojet e tyre për asnjë arsye tjetër përpos se ata shpallën se Allahu Fuqiplotë është Zoti i tyre, siç bënë Kurejshët dhe mosbesimtarët e Mekës me Profetin Muhamed (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) dhe Sahabët e tij.

Buhariu dhe Muslimi kanë përcjellur me autoritetin e Esma bint Ebu Bekr (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) se ajo shkoi një ditë te Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëna ime, e cila është mushrike (politeiste), ka ardhur për të më vizituar dhe ajo dëshiron që të ketë afrimitet me mua dhe të më japë dhurat. A duhet ta përshëndesë dhe të sillem mirë me atë?” Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) tha: “Përshëndete nënën tënde dhe sillu mirë me atë!”

Kjo ndërkohë që nëna e saj ishte mushrike, dhe Kur’ani thotë qartë se Populli i Librit (çifutët dhe të krishterët) janë shumë më të afërt me Islamin dhe myslimanët se sa politeistët. Dhe vërtet, Kur’ani e lejon ngrënien nga ushqimi i Popullit të Librit si dhe martesën me ata. Allahu Fuqiplotë thotë: “…ushqimet e Popullit të Librit të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta. U janë lejuar juve në martesë gratë e papërlyera nga besimtaret dhe gratë e ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri përpara kohës suaj…” (Ma’ideh 5:5).

Gjithashtu, në qoftë se martesa është e lejuar me ata, atëherë s’është nevoja që të thuhet se martesa me nënkuptim dhe domosdoshmërisht dekreton dashurinë dhe afrimitetin. Allahu Fuqiplotë thotë: “Dhe nga shenjat e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj gratë, ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. (Rum 30:21) Dhe vërtet, si mund të përçmojë një burrë bashkëshorten e tij, e cila, në fund të fundit, është shoqja e tij në jetë, bashkëshortja e tij, nëna e fëmijëve të tij? Allahu Fuqiplotë thotë: “…ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato…” (Bekare 2:187)

Më tutje, një pasojë dhe rezultat i rëndësishëm i martesës është bashkimi i dy familjeve për të formuar lidhje dhe marrëdhënie gjaku, një formë e natyrshme njerëzore e të lidhurit me njëri tjetrin. Allahu thotë: “Dhe është Ai i Cili e ka krijuar njeriun nga uji, dhe ka caktuar për të farefisni nga gjaku, dhe farefisni nga martesa…” (Furkan 25:54)

Gjithashtu, janë edhe ndjenjat dhe afeksionet e mëmësisë, si dhe të drejtat e përcaktuara dhe theksuara qartë të një nëne mbi fëmijët e saj në Islam. Natyrshëm, në këtë kontekst, shtrohet pyetja: “A është një akt i pranueshëm sipas këtyre përcaktimeve që një njeri të mos përshëndesë apo urojë nënën e tij apo të saj jomyslimane në një ditë feste që ajo kremton? Po në lidhje me të afërmit nga ana e nënës, siç janë gjyshërit, dajallarët, tezet, dhe kushërinjtë? Të gjithë ata kanë të drejta mbi një mysliman, të drejta që janë të formuluara qartë në Kur’anin Fisnik, ku Allahu thotë: “Por farefisnia nga gjaku janë më afër me njëri tjetrin sa i përket trashëgimisë në urdhërin e paracaktuar nga Allahu…” (Enfal 8:76), dhe gjithashtu: “Me të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësin dhe sjelljet e përsosura dhe dhënien miqve dhe farefisnisë…” (Nehl 16:90)

Pra, në qoftë se të drejtat e marrëdhënieve amënore dhe të gjakut janë të detyrueshme mbi një mysliman, në një mënyrë që janë shembull i sjelljeve të bukura të Islamit dhe myslimanëve, është gjithashtu e detyrueshme mbi një mysliman që të përmbushë të drejtat që funksionojnë në drejtimin e ekspozimit të myslimanëve si një popull me karakter të fisëm. Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) e këshilloi Ebu Dherrin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) duke i thënë: “Bëhu i vetëdijshëm për Allahun kudo që të jesh, dhe pasoje një gjynah që e ke kryer me një vepër të mirë, kështu që gjynahu të shuhet, dhe trajtoji njerëzit me sjellje të fisme.” (Transmetuar  nga Ahmedi, Tirmidhiu, Darmi dhe Hakimi). Siç është e qartë prej vetvetiu, theksi është është mbi “… dhe trajtoji njerëzit me sjellje të fisme….” jo “…trajtoji myslimanët.”

Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) gjithashtu na ka këshiluar që të sillemi me jomyslimanët me butësi dhe ëmbëlsi, pa përdorur metoda të ashpra dhe tmerruese. Është përcjellur se kur një grup çifutësh iu afruan Profetit (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) dhe e përshëndetën atë me një përshëndetje të shtrembëruar, dhe i thanë: “Es-sam alejkum, O Muhamed!” (që do të thotë “vdekja dhe shkatërrimi qofshin mbi ty”), në vend se të thonin “es-selamu alejkum”, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) i dëgjoi ata dhe iu kundërpërgjigj duke u thënë, “es-samu alejkum gjithashtu, si edhe mallkimi dhe zemërimi i Allahut (qofshin mbi ju)!” Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi të) e qortoi Aishen për atë që ajo tha. Ai i tha atij: “A nuk e dëgjove se çfarë thanë ata?” Ai i tha: “E dëgjova, dhe u përgjigja duke thënë, “Dhe mbi ju gjithashtu,” (pra, se vdekja do të vijë mbi ju njëlloj siç ka për të ardhur mbi mua.) Ai vijoi më tutje dhe tha: “O Aishe! Allahu e do butësinë në të gjitha punët!” (Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi).

Vërtet, lejimi i të uruarit të jomyslimanëve për festat e tyre bëhet më tepër se sa një obligim në qoftë se jomyslimanët ofrojnë përgëzimet e tyre në rastet e festave islame, pasi ne jemi të urdhëruar që ta kthejmë të mirën me të mirë, dhe ta kthejmë përshëndetjen me një përshëndetje më të mirë ose të paktën me të njëjtën përshendetje. Allahu Fuqiplotë thotë: “Kur ju përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, kthejani përshëndetjen edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu. Allahu llogarit për çdo send” (Nisa’ 4:86).

Një mysliman nuk duhet të jetë kurrë më pak bamirës apo i këndshëm apo, ç’është e vërteta, më i shtrënguar në sjellje se sa dikush tjetër, pasi Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi atë) ka thënë në një hadith: “Besimtarët më të përsosur në termat e imanit të tyre janë ata që zotërojnë sjelljen më të bukur.” (Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu, Darmi dhe Ebu Davudi), dhe ai (paqja dhe mëshira qofshin mbi atë) gjithashtu ka thënë: “Me të vërtetë, unë jam dërguar që të përsos sjelljet më fisnike.” (Transmetuar nga Ahmedi, Buhariu në el-Edeb el-Mufred dhe al-Bazzar në Keshful Astar).

Domethënia e kësaj çështjeje rritet në mënyrë dramatike në qoftë se ne jemi të interesuar që t’i ftojmë ata në Islam dhe t’i bëjmë ata si myslimanët, gjë që është një detyrim që bie mbi të gjithë ne, pasi kjo nuk mund të arrihet duke i trajtuar ata me vrazhdësi, me ashpërsi, dhe me të përdhunë, por më saktë nëpërmjet sjelljeve të fisme dhe etikës sublime. Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi atë) është sjellur me politetistët e Kurejshëve në më të bukurën e mënyrave dhe sjelljeve përgjatë gjithë jetës së tij në Mekë, pavarësisht nga armiqësia, persekutimi, shtypja, dhe fyerja ekstreme që ata i bënin atij (paqja dhe mëshira qofshin mbi atë) dhe Sahabëve të tij. Kjo u mishërua nga fakti se në sajë të besimit të pamasë që ata kishin tek ai, ata depozitonin pasurinë dhe zotërimet e tyre tek ai, nga frika se po t’i mbanin gjetkë ato mund të humbisnin ose mund të vidheshin. Kur Profeti u largua nga Meka për në Medine, ai la pas Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) të cilin e urdhëroi që t’ua kthente depozitat dhe amantet që kishin ngelur tek ai (paqja dhe mëshira qofshin mbi atë).

Pra, nuk ka agjë që të pengojë një mysliman apo një qendër islame nga të uruarit e jomyslimanëve, qoftë me fjalë qoftë duke dërguar një letër që nuk përmban asnjë simbol apo ikonë me implikime fetare që mund të bie ndesh me besimin dhe parimet islame, fjala bie një kryq, sepse koncepti i kryqëzimit është krejtësisht i jashtëligjshëm dhe i mohuar nga Islami. Allahu thotë në Kur’anin Fisnik : “…por ata as nuk e vranë dhe as nuk e kryqëzuan, por përngjasimi i Isait u vu mbi një njeri tjetër….” (Nisa’ 4:157)

Dhe vërtet, në fjalët e zakonshme të urimeve nuk gjendet asgjë që bart shprehimisht apo në mënyrë të nënkuptuar  ndonjë pranim të ndonjë aspekti të besimit apo fesë së tyre, dhe as ndonjë miratim të tillë.

Gjithashtu, nuk ka asnjë kundërshtim ndaj pranimit të dhuratave prej tyre, dhe këmbimit të dhuratave të tyre në shenjë mirësie, me kushtin që këto dhurata të mos jenë të paligjshme në vetvete, siç fjala bie alkool apo mish derri. Profeti (paqja dhe mëshira qofshin mbi atë) e pranoi dhuratën e Mbretit të Egjiptit si dhe dhuratat e disa të tjerëve (shiko Tahaviu, Sherh Mushkil el-Athar).

Ne gjithashtu dëshirojmë të përmendim se disa juristë, si Ibn Tejimija dhe studenti i tij, dijetari i madh Ibn Kajimi, përvetësuan masat e rrepta dhe e kufizuan lejueshmërinë e kësaj çështjeje dhe pjesëmarrjen e myslimanëve në festimet e jomyslimanëve. Ne përvetësojmë po të njëjtin qëndim, duke i këshilluar myslimanët që të mos festojnë festat e jomyslimanëve, qofshin ata mushrikë apo nga Populli i Librit, pasi ne shohim disa myslimanë injorantë që kremtojnë Krishtlindjet njëlloj sikur do të festonin Kurban Bajramin apo Fitër Bajramin, dhe madje edhe më shumë se sa ato. Kjo është e paligjshme, pasi ne myslimanët kemi festat tona unike. Por ne nuk shohim asnjë objeksion ndaj të uruarit të të tjerëve në festat e tyre në qoftë se ka ndonjë marrëdhënie apo lidhje tjetër që, sipas Sheriatit tonë islam sublim dhe fisnik, e bën të detyrueshëm ndërveprimin social pozitiv dhe shkëmbimin e fisëm.

Sa i përket festimeve patriotike dhe kombëtare, siç janë Dita e Pavarësisë, Dita e Bashkimit, Dita e Nënës, Dita e Fëmijërisë, dhe të tilla si këto, nuk ka asnjë kundërshtim ndaj faktit që një mysliman uron të tjerët në këto raste, dhe, as ndaj pjesëmarrjes në to si një qytetar i këtyre tokave, ndërkohë që respekton sjelljen dhe kontrollet islame në të gjitha punët.

Faqja zyrtare e Këshillit Evropian për Fetva dhe Hulumtim është: https://www.e-cfr.org/en/ECFR.pdf

Burimi i tekstit të fetvasë është:

https://islamicfatwa.wordpress.com/2009/04/14/%D8%AD%D9%83%D9%85-%D8%AA%D9%87%D9%86%D8%A6%D8%A9-%D8%BA%D9%8A%D8%B1-%D8%A7%D9%84%D9%85%D8%B3%D9%84%D9%85%D9%8A%D9%86-%D8%A8%D8%A3%D8%B9%D9%8A%D8%A7%D8%AF%D9%87%D9%85/

 

  1. Abdullah Bin Bejah, një nga juristët më të mëdhenj të botës Islame, ka lëshuar një fetva rreth kremtimit të festave kombetare që nuk kanë karakter fetar. Fetvaja është si më poshtë:

 

Festat pa nuanca fetare

Festat të cilat janë të ndaluara [për myslimanët] që të ndiqen janë ato me nuance fetare, siç janë Krishtlindjet dhe Pashkët, jo grumbullimet festive që njerëzit i ndjekin për shkak të ngjarjeve të caktuara. Për rrjedhojë, njerëzit e kanë të lejuar që të festojnë përvjetoret e martesave, ditëlindjet apo çdo rast ku festime të tilla nuk janë të ndërlidhura me festat fetare. Është esenciale që ne të punojmë për të larguar pështjellimin që rrethon këtë keqkuptim dhe dyshimet që kanë prekur njerëz të shumtë [në lidhje me këtë çështje]. [Për shkak të këtij keqkuptimi] njerëzit hasin në vështirësi dhe mundime në fenë e tyre. Sidomos kur një person me mendësi fetare pohon se [festime të tilla jo fetare] janë nga gjynahet e mëdha apo nga aktet e refuzuara, kur, në të vërtetë, ato nuk janë të tilla.

Të kuptuarit e një parimi të rëndësishëm ligjor

 

[Origjina e gjëra është lejueshmëria, hallalli, derisa të ketë një tekst për të kundërtën]

Origjina e gjërave është lejueshmëria kështu që nuk ka asnjë problem kur ju merrni pjesë në një ngjarje të tillë. Shkolla e Imam Ahmedit [Hanbelitë] e ka lejuar festimin e el-‘Atireh që konsistonte në bërjen e kurbanit, gjatë muajit të Rexhebit, e praktikuar nga njerëzit të cilët kishin jetuar përpara ardhjes së Profetit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Ndonëse shkolla e Imam Malikut [Malikitë] e cilësonin atë të papëlqyeshme, duke qenë se ajo ishte një praktikë nga ato kohëra, shkolla e Imam Ahmedit e lejoi këtë praktikë duke qenë se nuk kishte asnjë tekst [nga Kur’ani, Suneti apo Konsensusi i Dijetarëve] që e ndalonte shprehimisht atë.  Në këtë mënyrë, kjo praktikë vijoi sipas gjykimit të saj original, lejueshmërisë [këtu shejhu po tregon se si dijetarët e kanë përdorur parimin ligjor të përmendur më sipër]. Kështu, në qoftë se njerëzit mblidhen së bashku për të bërë kurban nuk ka asnjë kundërshtim që ata të grumbullohen, festojnë, të gëzohen dhe të përkujtojnë pavarësinë e vendit të tyre. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë mundim në festimin e ngjarjeve të tilla.

Sa i përket thënies [së Profetit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)] se “Allahu [I Lartësuar] ju ka dhënë më mirë se sa ato [festa]: Eid al-Adha (Kurban Bajrami) dhe Eid-al-Fitr (Bajrami i Ramazanit)”, atëherë “ato festa” ishin ato me nuance të ngushta fetare: njëra një festë e krishterë dhe tjetra një festë pagane. Krahas kësaj, Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)  ka përmendur se festat islame janë dy: Eid al-Fitr dhe Eid al-Adha. Por nga kjo nuk kuptohet se ai (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i ka ndaluar njerëzit nga të grumbulluarit dhe të festuarit [e rasteve të tjera jofetare]. Madje edhe në qoftë se një person i cilësonte [këto grumbullime] si të papëlqyera nuk ka asnjë nevojë që ai të trazojë të tjerët duke ua bërë të vështira gjërat që nuk janë ndaluar nga Kur’ani, Suneti, konsensusi [i dijetarëve] dhe ku nuk është arritur asnjë pajtueshmëri brenda shkollave të ligjit islam. Është kështu për shkak se lehtësimi i punëve [siç janë këto ku nuk ka asnjë ndalesë dhe origjina është e lejueshmërisë, hallallit] është një detyrim, dhe ato deklarime që krijojnë mundime dhe barrë [në raport me çështje të tilla], që nuk janë të bazuara mbi tekste që flasin shprehimisht [pra, që i ndalojnë ato], janë të dobëta. Kësodore, nuk ka asgjë që na ndalon ne nga lehtësimi i çështjeve të tilla për njerëzit dhe që t’u japim atyre një hapësirë frymëmarrjeje për shkak se lehtësimi është nga themelet e Islamit: Allahu thotë: “Dhe Ai nuk bëri asnjë mundim për ju në fe.” [Sure al-Haxhxh 78] dhe “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë barrat tuaja” [Sure Nisa’ 28] dhe “Me të vërtetë, me vështirësinë vjen lehtësimi. Me të vërtetë, me vështirësinë vjen lehtësimi” [Sure al-Sharh 5-6]. Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Lehtësoni [punët] dhe mos vështirësoni. Jepni përgëzime, dhe mos i shtyni të tjerët që të largohen.” Në përmbyllje, ne theksojmë se themeli i Islamit është lehtësimi dhe interpretimi i pavarur i burimeve ligjore [ixhtihadi i dijetarëve] është i respektuar, por ai nuk është [i barabartë me] tekstet nga Sheriati [Kur’ani dhe Suneti].

Burimi: http://binbayyah.net/english/holidays-free-of-religious-overtones/

Për më shumë rreth autorit kliko: http://binbayyah.net/english/bio/

  1. Myftinia e Egjiptit (Dar el-Ifta el-Misrijeh), një prej qendrave të mirënjohura dhe autoritative të mendimit islam, ka lëshuar një fetva zyrtar rreth lejueshmërisë së urimit të të krishterëve për krishtlindje. Fetvaja është si më poshtë:

 

  1. A është e lejueshme që t’u dërgohen miqve urime për Krishtlindje

Pyetje:

Ne kemi disa miq të krishterë. A do të ishte e lejueshme për ne që t’u dërgojmë atyre urime për Krishtlindje?

Përgjigje:

Islami është feja e mëshirës, devotshmërisë dhe ruajtjes së marrëdhënieve. Njëri prej detyrimeve më të rëndësishme që bie mbi myslimanët në kohën aktuale është që të tregojnë bukurinë e Islamit dhe të jenë përfaqësuesit e tij më të mirë nëpërmjet sjelljeve dhe veprave të tyre.

Islami nuk urdhëron askënd që të shkëpusë lidhjet me familjen apo miqtë, dhe as të ketë urrejtje ndaj tyre. Përkundrazi, Islami i urdhëron myslimanët që të trajtojnë pjesëtarët jomyslimanë të familjes dhe miqtë jomyslimanë me mirësi dhe me sjellje të rafinuar. Ka një diferencë të madhe ndërmjet të urryerit të mosbesimit dhe urrejtjes ndaj njerëzve dhe trajtimit të tyre si armiq për shkak se ata janë jomyslimanë.

Duke qenë se Islami urdhëron për bujari të madhe dhe frymë të mbarë që përhapë lumturi, optimizëm, shpresë, dhe ngrohtësi, ju duhet t’i trajtoni miqtë tuaj me sjellje të mirë. Mos u mjaftoni me një telefonatë për t’i uruar ata, por madje ju mund edhe të ndani me ata lumturinë dhe festimet e tyre, sigurisht në qoftë se ato nuk përmbajnë ndonjë ritual apo praktikë fetare që bie ndesh me Islamin.

Dhe Allahu Fuqiploti është më i dituri

  1. Lejueshmëria e të uruarit të jomyslimanëve në festat e tyre fetare

Pyetja:

A është e lejueshme që të urohen jomyslimanët në festat e tyre fetare si Krishtlindje, Novruz, etj….

Përgjigja

 

Allahu i plotfuqishëm thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (Kur’an 60:8)

Në ligjin islam, nuk ka asnjë kundërshtim ndaj të ururarit të jomyslimanëve paqësorë festat e tyre fetare që nuk shkelin themelet e Islamit, sidomos në qoftë se ata janë pjesëtarë familjeje, të afërm, fqinjë, kolegë, etj… Kjo është e nxitur sidomos në qoftë se ata shkëmbejnë urime me myslimanët në festat islame, siç thotë Allahu Fuqiplotë: “Kur ju përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëhdetje edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu. Allahu llogarit për çdo send.” (Kur’an 4: 86).

Shkëmbimi i urimeve me jomyslimanët nuk do të thotë se pranon mosbesimin e tyre, por është nga format e ndershmërisë dhe drejtësisë që Allahu Fuqiploti i do.

Një mysliman është i urdhëruar që të shqiptojë fjalë të mira dhe të sillet me të tjerët me butësi në një mënyrë që çon në dashuri për Islamin dhe në prezantimin e natyrës së tij tolerante dhe në gjithëpërfshirjen tij. Allahu Fuqiploti ka thënë: “Dhe thojini njerëzve [fjalë] të mira” (Kuran 2:83). Ai gjithashtu thotë: “Dhe mos argumentoni me Popullin e Librit përveçse në një mënyrë që është më e mira, me përjashtim të atyre që kryejnë padrejtësi në gjirin e tyre, dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është shpallur ne dhe që ju është shpallur juve. Dhe Zoti ynë dhe Zoti juaj është një; dhe ne jemi myslimanë [në nështrim] ndaj Tij” (Kuran 29)

Sa i përket opinionit të disa dijetarëve të cilët theksojnë ndalimin e urimeve për jomyslimanët në festat e tyre fetare, ndalimi i tyre u përket vetëm ndaj fjalëve me të cilat tregohet pranimi I mosbesimit qoftë shprehimisht, qoftë me nënkuptim, ose ndaj fjalëve që tregojnë pranim të ndonjërës pres veprave të tyre të pavlefshme.

Vendimi

 

Bazuar në sa më sipër, urimet për jomyslimanët në festat e tyre dhe pranimi i ftesave për të marrë pjesë në festimet dhe kremtimet e tyre jo domosdoshmërisht do të thotë se pranohet mosbesimi i tyre ose bindjet e tyre të prishura.

Dhe Allahu Fuqiploti e di më së miri.

Burimi: http://www.dar-alifta.org/Foreign/ViewFatwa.aspx?ID=6710&text=christmas

Si edhe

http://www.dar-alifta.org/Foreign/ViewFatwa.aspx?ID=5982&text=christmas

 

 

 

  1. Fetvaja e dijetarit të mirënjohur jemenas El Habib Ali el Xhifri

“Ne jemi më të afërt me Moisiun se sa ata.”

Kjo ishte përgjigja e Profetit kur ju tha se hebrenjtë e Medinës agjërojnë ditën e Ashures për të festuar clirimin e Moisiut nga Faraoni dhe njerëzit e tij. Profeti e agjëronte këtë ditë në Mekë përpara se të emigronte. Ai nuk pyeti për lidhjen e kësaj ngjarjeje dhe datës arabe, edhe pse kalendari hebre është ndryshe nga ai arab. Bashkësia e hebrenjve të Medinës ishin natyralizuar në trojet arabe e kishin adoptuar kalendarin arab. Kjo mjaftoi për Profetin që ai mos pyeste, “Si të sigurohemi për autenticitetin e ditës? Hebrenjtë kanë korruptuar librat e tyre, e prandaj nuk është e lejuar për ne që të bazohemi në kalkulimin e tyre për të ditur datën e saktë të clirimit të Moisiut!” Nderimi i kësaj ngjarjeje nuk është e lidhur me kohën kur ndodhi, por është e lidhur me kuptimin që mbart, gëzimi për hir të Zotit dhe dashuria për të devotshmit e Tij.

Të mbash lidhje fetare me ndodhitë që shënojnë mirësinë e Zotit mbi të devotshmit është dicka e autorizuar në Islam dhe është e lidhur thellë me të. Haxhi, pelegrinazhi vjetor, është shtylla e pestë e Islamit dhe e mbarsur me këto kuptime. Për shembull, ecja përqark Shtëpisë së ndërtuar nga Ibrahimi dhe Ismaili; ecja mes Safës dhe Maruas ku Haxhar shkoi për të kërkuar ujë për foshnjen e saj; hedhja e guralecave në xhamarat në Mine, ku djalli u mundua të largonte Ibrahimin nga sakrifikimi i të birit; rituali i kurbanit që shënon gadishmërinë e Ibrahimit për të sakrifikuar të birin për Zotin. Madhështia e ritualeve tona fetare qëndron në lidhjen e thellë me kuptimet që ato mbartin, e jo thjesht si performanca sipërfaqsore.

Zoti thotë në Kuran: “Kujtoi ata për ditët e Allahut; vërtet, në to ka shenja për ata që bëjnë durim dhe janë mirënjohës.” Me rastin e lindjes së Jezu Krishtit, ne ndjejmë se jemi përballë një dite prej ditëve të Allahut. Kjo ditë u dallua nga një mrekulli e mahnitshme e lidhur me lindjen e tij. Lindja e tij është e lidhur me kuptimin e paqes për të cilën ne jemi aq shumë nevojtarë sot. Allahu e bëri Jezu Krishtin simbol të paqes në botë. A nuk thotë Allahu në Kuran në gjuhën e Krishtit, “Paqja ishte mbi mua ditën që linda, dhe do jetë mbi mua në ditën kur do vdes, dhe në ditën kur do ringjallem.” Kjo është mjaftueshëm arsye për ne që të gëzojmë në këtë event të shënuar, pa patur rëndësi se kur është dita ekzakte për ne apo për të tjerët, apo për ndryshimet e qëndrimeve të të Krishterëve Ortodoksë, Katolikë, Protestantë e grupeve të tjera. Cështja nuk është tek data ekzakte por tek kuptimi që mbart ky event.

Përkujtoj vëllezërit midis studentëve të dijes së shenjtë (ilmit) se dijetarët që ndaluan urimin e festave fetare të jo-muslimanëve e lidhën këtë gjykim me supozimin se urimi afirmon disa shtylla të besimit të jo-muslimanëve, besime këto që janë diametralikisht të ndryshme nga Islami. Ata e lidhën këtë gjykim me mendimin e përhapur dhe zakonet e kohës së tyre ku urimi i të tjerëve për festat e tyre konsiderohet afirmim i besimit të tyre. Kjo është arsyeja pse fetvatë përmendin provat për ndalimin e pranimit dhe nderimit të besimeve të gabuara, por nuk sjellin prova të qarta që ndalojnë vetë urimin.

Sot nuk mund të imagjinojmë që urimi i të tjerëve me rastin e festave të tyre afirmon besimin e tyre. Islami është i mirë-përcaktuar dhe dija e aspekteve themelatare të besimit apo pikave të dallueshme nga fetë e tjera janë të mirënjohura. Njerëzit në përgjithësi kanë arritur maturinë për të akomoduar bashkë-egzistencën dhe respektimin e sinoreve të feve të njëri-tjetrit. Një musliman që uron të krishterët për Krishtlindje nuk është duke afirmuar natyrën hyjnore të Krishtit, apo se ai është biri i Zotit. Në të njëjtën mënyrë, një i krishterë që urohet prej një muslimani nuk do mendonte se ky musliman ka afirmuar teologjinë e krishterë. Ngjashëm, një i krishterë që uron kojshiun musliman për Bajram, Ramazan apo ditëlindjen e Profetit Muhamed e di fort mirë që ky urim nuk do të thotë se ai po pranon besimin islam, e as nuk mendon muslimani se i krishteri po bën këtë gjë. Zakoni bashkohor i urimit Gëzuar Krishtlindjet nuk afirmon besimin se Jezusi është biri i Perëndisë, por konsiderohet një zakon që indikon sjellje të mirë midis njerëzve.

Një princip legal thotë: “Një gjykim varet nga arsyet e tij.” Arsyet që cuan disa dijetarë të gjykojnë kundra lejimit të urimit (shkaku i afirmimit të besimit të të tjerëve) nuk qëndron më e për arsye as ndalimi nuk qëndron më. Është e rëndësishme të shënojmë këtu se pozicioni i Ibn Kajim se ka konsensus të dijetarëve rreth ndalimit të urimit të pasuesve të feve të tjera për festat e tyre fetare nuk është i saktë. Sheh Abdullah bin Bejah ka përmendur se Imam Ahmed kishte tre qëndrime rreth kësaj: e ndaluar, e papëlqyer, e lejuar. Ibn Tejmija adoptoi lejimin, sic transmetohet nga Ibn el Mardaui në Al Insaf.

Është e drejta e kujtdo që nuk dëshëron të urojë të tjerët për festat e tyre fetare që mos i urojë, por është gabim për të që të imponojë si obligueshëm qëndrimin e vet tek të tjerët. Të dënosh ata që mendojnë ndryshe në këtë cështje e të vësh në dyshim besimin e tyre është të reduktosh madhështinë e sheriatit dhe të luash në mënyrë të papërgjegjshme me fenë.

Në përfundim, sjell përshëndetjet e mësuesit tim Muhamedit për lindjen e Jezu Krishtit. Përshendes Profetin, i cili tha, “Unë jam më i afërt me Jezusin të birin e Maries në këtë botë dhe në botën që vjen.”

Gjithashtu uroj muslimanët, të krishterët e gjithë njerëzimin me rastin e lindjes së Jezusit. Zoti e bëri atë manifestim të emrit të tij “Paqe” në ditën e lindjes së tij, dhe symbol të paqes. I them mësuesit tonë, Jezu Krishtit: Mësuesi im e shpirt i Allahut e Fjala e Tij, paqja qoftë mbi ty ditën që linde, ditën e vdekjes e ditën e ringjalljes tënde.

Burimi: http://www.e-zani.org/2014/12/25/krishtlindjet-dhe-lindja-e-lavdishme-paqe-mbi-mua-ne-diten-kur-linda/

Për më shumë rreth autorit:

http://www.ehli-suneti.com/biografi-te-dijetareve-imameve/37-37.html

Perktheu: Arjol Guni & Rezart Beka

 

 

 

 

Zoti thotë në Kuran: “Kujtoi ata për ditët e Allahut; vërtet, në to ka shenja për ata që bëjnë durim dhe janë mirënjohës.” Me rastin e lindjes së Jezu Krishtit, ne ndjejmë se jemi përballë një dite prej ditëve të Allahut. Kjo ditë u dallua nga një mrekulli e mahnitshme e lidhur me lindjen e tij. Lindja e tij është e lidhur me kuptimin e paqes për të cilën ne jemi aq shumë nevojtarë sot. Allahu e bëri Jezu Krishtin simbol të paqes në botë. A nuk thotë Allahu në Kuran në gjuhën e Krishtit, “Paqja ishte mbi mua ditën që linda, dhe do jetë mbi mua në ditën kur do vdes, dhe në ditën kur do ringjallem.” Kjo është mjaftueshëm arsye për ne që të gëzojmë në këtë event të shënuar, pa patur rëndësi se kur është dita ekzakte për ne apo për të tjerët, apo për ndryshimet e qëndrimeve të të Krishterëve Ortodoksë, Katolikë, Protestantë e grupeve të tjera. Cështja nuk është tek data ekzakte por tek kuptimi që mbart ky event.

Përkujtoj vëllezërit midis studentëve të dijes së shenjtë (ilmit) se dijetarët që ndaluan urimin e festave fetare të jo-muslimanëve e lidhën këtë gjykim me supozimin se urimi afirmon disa shtylla të besimit të jo-muslimanëve, besime këto që janë diametralikisht të ndryshme nga Islami. Ata e lidhën këtë gjykim me mendimin e përhapur dhe zakonet e kohës së tyre ku urimi i të tjerëve për festat e tyre konsiderohet afirmim i besimit të tyre. Kjo është arsyeja pse fetvatë përmendin provat për ndalimin e pranimit dhe nderimit të besimeve të gabuara, por nuk sjellin prova të qarta që ndalojnë vetë urimin.

Sot nuk mund të imagjinojmë që urimi i të tjerëve me rastin e festave të tyre afirmon besimin e tyre. Islami është i mirë-përcaktuar dhe dija e aspekteve themelatare të besimit apo pikave të dallueshme nga fetë e tjera janë të mirënjohura. Njerëzit në përgjithësi kanë arritur maturinë për të akomoduar bashkë-egzistencën dhe respektimin e sinoreve të feve të njëri-tjetrit. Një musliman që uron të krishterët për Krishtlindje nuk është duke afirmuar natyrën hyjnore të Krishtit, apo se ai është biri i Zotit. Në të njëjtën mënyrë, një i krishterë që urohet prej një muslimani nuk do mendonte se ky musliman ka afirmuar teologjinë e krishterë. Ngjashëm, një i krishterë që uron kojshiun musliman për Bajram, Ramazan apo ditëlindjen e Profetit Muhamed e di fort mirë që ky urim nuk do të thotë se ai po pranon besimin islam, e as nuk mendon muslimani se i krishteri po bën këtë gjë. Zakoni bashkohor i urimit Gëzuar Krishtlindjet nuk afirmon besimin se Jezusi është biri i Perëndisë, por konsiderohet një zakon që indikon sjellje të mirë midis njerëzve.

Një princip legal thotë: “Një gjykim varet nga arsyet e tij.” Arsyet që cuan disa dijetarë të gjykojnë kundra lejimit të urimit (shkaku i afirmimit të besimit të të tjerëve) nuk qëndron më e për arsye as ndalimi nuk qëndron më. Është e rëndësishme të shënojmë këtu se pozicioni i Ibn Kajim se ka konsensus të dijetarëve rreth ndalimit të urimit të pasuesve të feve të tjera për festat e tyre fetare nuk është i saktë. Sheh Abdullah bin Bejah ka përmendur se Imam Ahmed kishte tre qëndrime rreth kësaj: e ndaluar, e papëlqyer, e lejuar. Ibn Tejmija adoptoi lejimin, sic transmetohet nga Ibn el Mardaui në Al Insaf.

Është e drejta e kujtdo që nuk dëshëron të urojë të tjerët për festat e tyre fetare që mos i urojë, por është gabim për të që të imponojë si obligueshëm qëndrimin e vet tek të tjerët. Të dënosh ata që mendojnë ndryshe në këtë cështje e të vësh në dyshim besimin e tyre është të reduktosh madhështinë e sheriatit dhe të luash në mënyrë të papërgjegjshme me fenë.

Në përfundim, sjell përshëndetjet e mësuesit tim Muhamedit për lindjen e Jezu Krishtit. Përshendes Profetin, i cili tha, “Unë jam më i afërt me Jezusin të birin e Maries në këtë botë dhe në botën që vjen.”

Gjithashtu uroj muslimanët, të krishterët e gjithë njerëzimin me rastin e lindjes së Jezusit. Zoti e bëri atë manifestim të emrit të tij “Paqe” në ditën e lindjes së tij, dhe symbol të paqes. I them mësuesit tonë, Jezu Krishtit: Mësuesi im e shpirt i Allahut e Fjala e Tij, paqja qoftë mbi ty ditën që linde, ditën e vdekjes e ditën e ringjalljes tënde.

Burimi: http://www.e-zani.org/2014/12/25/krishtlindjet-dhe-lindja-e-lavdishme-paqe-mbi-mua-ne-diten-kur-linda/

Për më shumë rreth autorit:

http://www.ehli-suneti.com/biografi-te-dijetareve-imameve/37-37.html

Perktheu: Arjol Guni & Rezart Beka

Tags: , , Last modified: 28/12/2018
Close