Anne Norton
Konstruktimi i botës myslimane si armiqësore ndaj grave përmbush disa qëllime që i vyejnë Perëndimit, sidomos Shteteve të Bashkuara. Vëmendja që i kushtohet gjendjes së vështirë të grave në botën myslimane e heq vështrimin e feministeve dhe kritikëve të tjerë potencialë nga shtypja e pareshtur që u ndodh grave në Perëndim. Grave perëndimore u thuhet sa fatlume janë. Ato gjithsesi mund t’u nënshtrohen dhunës në familje, përdhunimit dhe sulmit seksual (madje edhe nga politikanë perëndimorë), por këto agresione zbehen përpara tmerrit të poligamisë dhe të martesës me forcë. Ato ende fitojnë vetëm një pagë fare të vogël krahasuar me atë që fitojnë burrat, por ato duhet të jenë medoemos mirënjohëse për këtë.
Gratë perëndimore, tok me burrat perëndimorë, janë të radhitura në projektin e lodhur për të shpëtuar gratë zeshkane nga burrat zeshkanë. Duke marrë pjesë në këtë fushatë, ato mësojnë që t’i vështrojnë modelet perëndimore të seksit dhe seksualitetit si çliruese, univeralisht të vlefshme, dhe të pacënueshme nga kriticizmi. Ato shtrëgohen që t’i kthejnë shpinën avancimit të pozitës së grave në vendin e tyre, dhe rekrutohen në projekte të dominimit imperialist. Diskurset e të drejtave të njeriut bëhen justifikim për pushtimin dhe për ndërtimin e kombit.
Gratë myslimane, dhe kritiket, meshkuj a femra, të modeleve perëndimore të seksit dhe seksualitetit, shtrëngohen që të heshtin. Për një grua myslimane në Perëndim, çmimi i të drejtës për të folurit e për t’u dëgjuar është që të mohojë Islamin. Librat që dënojnë Islamin përzgjidhen nga botuesit dhe gjejnë paraqitje në emisione të tipit talk-show. Autoret dhe autorët e tyre lavdërohen për guximin e treguar. Ligjërimi në mbrojtje të Islamit lexohet si ligjërimi i nënshtrimit. Islami i shtyp gratë. Çdo grua që flet në favor të tij duhet të jetë e zhgënjyer, ose përndryshe ajo është e shtrënguar që të flasë kundër vullnetit të saj. Në qoftë se ai mban hixhabin apo flet në mbrojtje të poligamisë, ajo nuk mund të jetë e besueshme. Asnjë grua që i ka mendtë në kokë nuk mund t’i mbrojë këto. Çdo grua që e bën këtë, duhet të jetë ose e zhgënjyer ose nën shtrëngimin për ta bërë një gjë të tillë. Sa më tepër gra myslimane i kundërvihen përpjekjeve të Perëndimit për t’i “ndihmuar” ato, aq më tepër ekziston nevoja për t’i çliruar ato.
Feministet perëndimore bëhen të burgosura në po të njëjtën logjikë. Përshkrimi i Perëndimit si trualli i grave të lira dhe i botës myslimane si vendi i burgosjes së grave e ka bërë ndërhyrjen jo vetëm një projekt feminist, por një shibolet, apo sllogan, dhe një test lakmuesi. Një feministe që mbron zgjedhjen e Islamit, nuk mund të jetë një feministe e vërtetë. Një feministe e cila kundërshton pushtimin e Afganistanit duhet të jetë shpirtngurtësisht indiferente ndaj të drejtave të grave të tjera.
Revolucioni egjiptian e sfidoi këtë tablo që i paraqet gratë myslimane si viktima. Rolet publike të grave si Bothaina Kamel (aktiviste dhe politike egjiptiane), Iman Mohammed (feministe me shami, anëtare e Vllaznisë Myslimane), dhe Tagani el Gebali (zëvendës presidente e Gjykatës Kushtetuese të Egjiptit) e bënë më të vështirë prezantimin e botës myslimanesi një vend i “MOSEKZISTENCËS së femërores”. Gratë të cilave u dëgjohet zëri në veprën e Leila Zahra të titulluar World of Women from the Egyptian Revolution (Fjalë të grave nga revolucioni egjiptian) janë të moshuara e të reja, të mbuluara dhe të pambuluara, të sinqerta, të patrembura dhe shpesh të zëshme.[1] Këto gra nuk ishin viktima të heshtura të misogjinisë myslimane; ç’është e vërteta, ato po udhëhiqnin një sërë revolucionesh.
Kjo e bëri më tepër të nevojshme që kritikët më zulmëmëdhenj të Islamit të parashtronin portretizimin e grave myslimane si viktima, si të këmbëngulnin se feministet perëndimore duhet të angazhoheshin për “luftë ndaj Islamit”. Kolumnistja që shkruante në mediave njëkohësisht Debbie Schlussel, e cila më vonë do të binte gjerësisht në sy duke shkruar, në përgjigje të vdekjes së Osama bin Laden: “Njëri u vra, ngelin edhe 1.8 miliardë të tjerë”, shfrytëzoi rastin e Lara Logan. Logan, një gazetare e CBS që mbulonte revolucionin egjiptian, u sulmua seksualisht kur ajo u nda nga trupa e saj e xhirimit. Reagimi i Schlussel ishte: “Sa për të ardhur keq, shumë keq, Lara. Askush nuk i tha të shkonte atje. Ajo i dinte rreziqet. Dhe ajo duhet ta kishte ditur se çfarë përmban Islami. Tani ajo e di.”[2] Ai i Schlussel ishte një dënim i dyfishtë: myslimanët janë “kafshë”, dhe Logan nuk qe aq e fortë.
Ose ndoshta ajo ishte përpjekur që të ishte tejet e fortë. Ndoshta frika ishte një detyrë publike. Ky ishte argumenti i bërë nga një tjetër kolumniste e krahut të djathtë, Michelle Malkin. Në një shkrim të vitit 2004, Malkin ka shkruar: “Asgjë nuk ka më tepër rëndësi për mua në këto momente se sa siguria e shtëpisë sime dhe mbijetesa e atdheut tim.” Të dyja këto ishin nën kërcënim. Malkin rrëfente se si ajo jetonte në gjendje të vazhdueshme të ankthit alarmant: “Kam studiuar fytyrat e listës së terroristëve më të kërkuar të FBI-së. Kur udhëtoj me tren, unë hap sytë se mos ka pako të dyshimta në ndenjëset bosh. Kur jam në autostrada, u kushtoj vëmendje kamionëve të mëdhenj dhe autobotëve.” Ajo dëshironte që të ishte në kontakt të pareshtur me bashkëshortin e saj. Ajo i mësonte fëmijës së saj katër vjeçar se kush ishte Sadam Huseni dhe Osama bin Ladeni. “Kjo nuk është të jetosh me frikë,” këmbëngulte Malkin. “Kjo është të jetosh në realitet.” Për Malkin, dhe për shumë të tjerë (madje edhe mbas vdekjes së Osama bin Laden), të jetosh me frikë ishte të jetoje në realitet. Sikundër shkruajti ajo vetë: “Ne duhet të jetojmë në mbrojtje.”[3]
Malkin e quante veten një “mama sigurie” (security mom), një term i krijuar për të përshkruar gratë e rrethinave që kishin sjellje agresive në zgjedhjet e vitit 2004: gra të cilat, njëlloj si Malkin, e ndanin frikën e tyre ndërmjet “terroristëve islamikë” dhe imigrantëve ilegalë, apo, sikundër Malkin i përkufizonte ata, “alienët kriminelë”. “Të jetoje në mbrojtje” donte të thonte që të jetoje në mbrojtjen e një komuniteti të rrethuar me kangjella, të bëje pazar në mapot e ruajtura nga forcat private të sigurisë, dhe të kishe një makinë Hummer apo një SUV, fuoristradë. Gratë si Malkin nuk kishin arsye përse t’u druheshin çmimeve të larta të naftës për makinat e tyre të pangopura. Ato nuk kishin arsye për të pyetur veten në qoftë se do të arrinin të paguanin kredinë e shtëpisë. Ato mund të shkonin me makinë në mapo të ankoruara pranë Saks (supermarket i shtrenjtë në SHBA sh.p.) dhe jo te Walmart (supermarket i lirë) pa u shqetësuar se çfarë kishin mundësi të blinin. Frikërat që Malkin shprehte ishin frikërat në lidhje me luksin që maskohej si domosdoshmëri.
Gratë që flisnin kaq lirisht për frikërat e tyre ishin vetëm republikane dhe konservatore. Liberal demokratët shfrytëzuan po të njëjtin model të frikës prej gruaje. Ellen Goodman shkruante: “Qoftë kur bëhet fjalë për dhunë në familje apo krim rruge apo terrorizëm mbas 11 shtatorit, gratë kanë më tepër gjasa që të shqetësohen se ato apo të afërmit e tyre janë të cënueshëm.”[4] Gratë si Goodman gjenin siguri në Medicare (Kujdesin Shëndetësor Qeveritar) dhe Sigurinë Sociale. Gratë si Malkin e gjenin atë te policia dhe ushtria. Ajo që mbetej e pandryshuar ishte bindja se gratë kanë frikë. Joe Klein shkroi në revistën Time: “Lufta ndaj terrorizmit përmban dy luftëra, një për burrat dhe një për gratë.” Burrat e shihnin atë si një “lojë elektronike”, shkruajti Klein; ajo “të ngjeth mishtë”. Gratë ndiheshin “të pashpresa”.[5] Ideja e mamasë së sigurisë si një bllok i rëndësishëm votues avulloi, por ikona dhe ajo çka ajo përfaqësonte nuk u largua. Një grua e mirë kishte frikë për shtëpinë e saj – dhe, tani, edhe për atdheun e saj.
Përpara 11 shtatorit, amerikanët i quanin Shtetet e Bashkuara “vendi im” ose “kombi ynë”. Pak kohë mbas sulmit, qeveria dhe mediat filluan t’i referohen me termat “atdheu” dhe “siguria e atdheut”. “Atdheu” kishte qenë dikur një frazë e huaj, një frazë përdorur nga nacionalistët volkisch, apo populistë. Ajo i përkiste Botës së Vjetër, Europës që amerikanët e kishin lënë pas. Ajo përdorej në filma dhe romane për të shënuar një formë të patriotizmit që ne, si amerikanë, e kishim refuzuar. Tanimë ajo do të bëhej e jona.
Çiftimi që Michelle Malkin i bën imigrimit dhe terrorit mund t’u duket i sforcuar njerëzve që e shohin njeriun që pret barin e kopshtit apo atë që lan enët në pjesën e pasme të një restoranti si fare pak të rrezikshëm. Imigrantë të tillë mund të “marrin vende pune amerikane,” por shpesh bëhet fjalë për punët më të vështira e me pagën më të ulët. Ideja e një kufiri të hapur ndaj luftërave të drogës në Meksikë ishte e tmerrshme, por imigranti ilegal që kujdesej për bebet apo pastronte shtëpinë ishte qartësisht me tepër një viktimë se sa një kërcënim. Frikërat e Malkin vareshin mbi një histori më të vjetër dhe mbi frikëra të paimagjinaueshme.
Fenomeni i “mamasë së sigurisë” ishte terratisja e njeriut të bardhë në shkallë globale. Mamja e sigurisë i druhej mbërritjes së tjetrit zeshkan, qoftë terrorist qoftë imigrant. Shtëpia nuk ishte më vendi i sigurisë për shkak se bota që rrethonte shtëpinë kishte ndryshuar. Një pjesë të cilët ishin larguar besonin se ardhacakët e padëshiruar sillnin krim dhe terror me vete. Të tjerë i shihnin ata si një kërcënim në vetvete, si evidencë se bota po ndryshonte, apo kishte ndryshuar tashmë. Gjërat e sigurta të botës – gjërat e sigurta të mëhallës – kishin sosur një herë e mirë. Tanimë kishte “një kërcënim ndaj mënyrës sonë të jetës.” Por globalizimi e bëri kërcënimin edhe më të vështirë për ta shmangur. Nuk mjaftonte më që thjesht të shpërnguleje në drejtim të rrethinave. Nuk kishte ngelur më asnjë vend ku të shkoje.
Të jetoje në mbrojtje s’ishte më diçka e volitshme. Kërcënimi mund të materializohej në çdo kohë. Frikërat që nxitën terratisjen e njeriut të bardhë nuk filluan me mbërritjen e fiqnjve zezakë, por me thashethemet e para rreth mbërritjes së tyre. Kështu ndodhi me terrorizmin. Terrorizmi nuk kishte nevojë për një furgon që lëvizte. Frika se terroristët mund të arrijnë në çdo kohë, në çdo vend, e bënte terratisjen të pamundur. Frika dhe zemërimi që ushqyen terratisjen e njeriut të bardhë tashmë sollën dërgimin e trupave ushtarake jashtë vendit. Shtëpia mund të bëhej e sigurtë vetëm nëpërmjet fuqisë së atdheut. Komoditetet e shtëpisë tënde vareshin nga dominimi.
Për herë të parë, gratë morën pjesë në këto operacione ushtarake në linjat e frontit dhe – sikundër po pranohej dalëngadalë – në role luftimi. Një pjesë e grave që shkuan në luftë ishin të rekrutuara në projekte që binin tej mase ndesh me betimin e tyre për të mbrojtur Kushtetutën.
Seksi i shndërruar në armë
Gratë perëndimore, të rekrutuara në projektin e çlirimit – apo thjesht të të mposhturit – të botës myslimane u bë i mpleksur në një sipërmarrje veçanërisht perverse në të cilën një projekt i çlirimit universal u përdor për të përkrahur dy sisteme të nënshtrimit. Merrni në shqyrtim rastin e Lynndie England, për shembull. Fytyra e buzëqeshur e England figuron në një sërë fotografish nga burgu Abu Ghraib. Ne e njohim atë nga fotografia e atij burrit të mbajtur lidhur para një kamzhiku. Ne pikasim atë teksa ajo bën OK me gisht gjithë hare mbi një pirg me të burgosur, dhe se si plot gaz ajo tregon me gisht gjenitalet e të burgosurve të ndryshëm.
Susan Sontag ka vëzhguar se “pjesa më e madhe e fotografive duket se janë pjesë e një përputhjeje më të gjerë të torturës dhe pornografisë: një grua e re që sjell rrotull një burrë të zhveshur, duke i drejtuar kamzhikun, është një imazheri klasike e dominatores seksuale. Dhe krejt natyrshëm ti pyet veten se sa prej torturave seksuale të shkaktuara mbi vuajtësit e dënimit në Abu Ghraib u frymëzuan nga repertori i gjerë i imazherisë porrnografike që gjendet në internet – dhe të cilat, njerëzit e zakonshëm, duke nisur foto uebi të vetes së tyre, përpiqen që t’i imitojnë.”[6]
Aspekti pornografik i fotografive u pikas dhe u përdor gjithashtu nga klerikët fundamentalistë të cilët ishin qortuar për ngurrimin e tyre për të dënuar torturat në Abu Ghraib. Organizata Concerned Women for America (Gratë e Shqetësuara për Amerikën) nxorri dy artikuj mbi abuzimin që, sipas një të krishteri me mjaft peshë, “të dyja fajësojnë pornografinë amerikane për veprimet e ushtarëve”. Robert Knight, i Institutit të Kulturës dhe Familjes të organizatës Gratë e Shqetësuara për Amerikën CWA, fajësuan homoseksualët, feministet, dhe liberalët për “ndihmën dhe nxitjen sisitematike të shthurjes kulturore që prodhoi skandalin e Abu Ghraibit.” Kreu i Komisionit të Etikës dhe Lirisë Fetare të Konventës Baptiste Jugore, Richard Land, teksa refuzonte që ta vendoste përgjegjësinë në zinxhirin e komandës ushtarake, deklaroi: “Busulla morale e këtyre njerëzve nuk punoi për ndonjë arsye të caktuar. Supozimi im është se kjo ndodhi për shkak se ata janë infektuar me relativizëm.”[7]
Sendërtimi i fotografive si pornografike u dha mundësinë fundamentalistëve që të dënonin Abu Gharibin pa dënuar torturën dhe pa ngritur pyetje në lidhje me sjelljen dhe disiplinën e ushtrisë së pushtimit dhe të forcave mercenare. Ata qenë në gjendje që të fajësonin për Abu Ghraibin ato grupe fajësia e të cilëve, përndryshe, do të dukej mjaft e pagjasë: ata fajësuan liberalët, feministet, dhe homoseksualët.
Të karakterizuarit e fotografive si pornografike u përdor gjithashtu për të pakësuar peshën e dëmit të kryer, dhe dhimbjen e shkaktuar. “Poza klasike prej dominatoreje seksuale” e Lynndie England dhe “pirgjet” e burrave të zhveshur e tërhiqte vështrimin në mënyrë të pashmangshme – duke e tërhequr kësisoj vëmendjen nga fotografitë e të vdekurve, të të përgjakurve dhe të të sakatuarëve. Sytë hiqeshin shpejt nga trupi i dëmtuar që shtrihej mbi akull dhe fotot e tjera të të vdekurve, dhe nguliteshin mbi fotografitë që përputheshin me konvencionet e pornografisë. Pyetjet në lidhje me atë se kush ishte vrarë me pa të drejtë, cili ishte torturuar, dhe si kishte mundësi që gjëra të tilla të ndodhnin në ushtrinë tonë amerikane, i hapën rrugë pyetjeve në lidhje me relativizmin. Dështimi moral i referohej jo krimeve të luftës, por pornografisë.
Mbrojtësit e administratës Bush përdorën tropet e pornografisë dhe të kënaqësisë për ta shndërruar torturën në beninje dhe të mbrojtshme.
Sontag e nuhati këtë efekt.
“Të bësh mullar me burra të zhveshur është fiks si ato rrengjet që bëjnë vëllazëritë e kolegjeve,” tha një telefonues për Rush Limbaugh dhe për miliona e miliona amerikanë që dëgjojnë emisionin e tij në radio. Pyes veten e habitur, a i kishte parë telefonuesi fotografitë? Kjo s’paskësh patur rëndësi! Vërejtja – apo mos vallë duhet thënë fantazia? – preku në shenjë. Ajo që ka ende gjasa që të trondisë një pjesë të amerikanëve ishte përgjigja e Limbaugh: “Pikërisht pra!” klithi ai. “Pikërisht këtë dua të them. Kjo s’ka asnjë dallim nga ajo që shohim te festat e rishtarëve të Skull and Bones (vllazni universitare amerikane sh.p.), dhe ne dashkemi të shkatërrojmë jetët e disa njerëzve për këtë.”[8]
Krahasimi me Skull and Bones (Kafka dhe kocka) ishte kuptimplotë. Tekembramja, Skull and Bones nuk është aspak një vëllazëri. (Nuk duket aspak se ka të bëjë me vëllazërinë – e aq më pak me lirinë dhe barazinë.) Skull and Bones është një shoqëri sekrete, dhe George Bush është anëtar i saj. Lëvizja e Limbaugh nga “rrengu i vëllazërisë” i telefonuesit te “rishtarët e Skull and Bones” ishte një zhvendosje që e vendos Abu Ghraibin aty ku e ka vendin, me George Bushin dhe politikën e fshehtësisë. Rishqyrtimi që Limbaugh i bëri vërejtjes së telefonuesit të tij e shpërnguli krahasimin nga praktikat familjare, ndonëse të neveritshme, të vëllazërisë duke e çuar përpara drejt akteve të padukshme të një elite sekrete dhe të fshehtë. Duke vepruar kështu, Limbaugh pranoi, ndoshta pavetëdijshëm, forcën e identifikimit të feminizmit të vjetër se pornografia ka të bëjë më pak me kënaqësinë se sa me pushtetin.
England u bë një ikonë për abuzimin: për abuzimin që ajo kreu dhe për abuzimin që ajo pësoi. Ambivalenca e rolit të saj, si abuzuese dhe e abuzuar, ngërthen një strategji që është e njohur për faktin se i mban gratë poshtë në Perëndim. Strategjia ndryshohet, në imtësira dhe me efikasitet, në kundërpërgjigje ndaj globalizimit.
Logjika e linçimit ka mbështetur dikur supremacinë e bardhë dhe pushtetin e mashkullit. Dikur, gratë e bardha udhëzoheshin që të kishin frikë nga njerëzit me ngjyrë dhe të qëndronin larg prej tyre. Përdhunimi ishte krimi të cilit ia kishin më tepër frikën, por frika nga grabitja dhe sulmi mbushnin jetën e përditshme. Gratë e bardha mësoheshin që të shmangnin çdo vend ku kishte burra zezakë, për t’i parë ata si shenja të vendeve ku nuk ka ligj, ku grabitja dhe agresioni sundonin. Thuhej se burrat e bardhë ofronin siguri dhe mbrojtje. Burrat e zinj mësoheshin që t’i frikësoheshin gruas së bardhë, e cila mund të bënte akuza të rreme kundër tyre dhe mund të shkaktonte linçimin e tyre. Edhe ata mësoheshin që të kërkonin siguri dhe mbrojtje nga burrat e bardhë. Në Abu Ghraib gratë u bënë edhe një herë mekanizmi kyç i një sistemi të shtypjes, ato u rekrutuan sërish në një strategji të bashkëpunimit. Megjithatë, kësaj here, strategjia nuk u kthye ndaj trillit të dobësisë së gruas, por, anasjelltas, mbi trillin e fuqisë së gruas.
Prezenca e ushtareve gra në Irak dhe Afganistan u favorizua nga ushtria dhe, ç’është më e rëndësishmja, nga media si evidencë për barazinë e grave në Perëndim. Gratë konsideroheshin se shërbenin me burrat si të barabarta. Fotografitë duket se regjistrojnë pushtetin e Lynddie England. Ajo është një ushtare. Ajo ka armë. Ajo komandon. Ajo përjeton se si burrat i binden. Ajo mban veshur uniformën e ushtrisë së vendit të saj. Ajo shërben krah për krah me burra. Prania e saj në Abu Ghraib dëshmon për përfshirjen e grave në ushtrinë amerikane, për barazinë mes burrave dhe grave. Prania e saj është një dëshmi se gratë kanë akses në pushtetin ushtarak.
Aparati fotografik gënjen – apo, për të qenë më të saktë, flet me një gjuhë të dykuptimshme. Pretendimet e Lynndie England për pushtet nuk arritën të mbijetonin kur u mësua grada e saj, shtresa prej nga vinte, si dhe marrëdhënia e saj me një burrë që ishte njëkohësisht një epror ushtarak shfrytëzues si edhe një dashnor shfrytëzues gjithashtu. Fotografitë portretizojnë England si një grua që ka pushtet mbi një burrë; por ne e dimë se burra të tjerë kishin pushtet mbi atë vetë. Lynndie England e prezantonte veten si grua me pushtet, por ajo ishte formalisht dhe joformalisht, publikisht dhe privatisht, e nënshtruar ndaj Tetarit Charles Garner. Ajo është e lirë që të ekspozojë seksualitetin e saj, pushtetin e saj seksual, dhe pushtetin e saj mbi seksualitetin e burrave, e megjithatë përdorimi i seksualitetit të saj si një vegël e shtetit, nga oficerët e saj eprorë, është dëshmi për nënshtrimin e saj.
Strukturat që kanë pasur si qëllim emancipimin mund të shmangen dhe të transformohen për të shërbyer si mbështetëse për struktura të vjetra e të rrënjosura të hierarkisë dhe poshtërimit. Në çastet e errëta të luftës së panevojshme dhe torturës së turpshme, pohimet e barazisë së grave u shmangën në mbështetje për një sistem që i bënte arabët dhe myslimanët të poshtëruar; dhe në këtë transformim gratë po bëheshin të poshtëruara gjithashtu.
Leximet kritike të fotografive nga Abu Ghraibi e bënin të dukshëm nënshtrimin e Lynndie England, por këto lexime nuk bënin shumëçka për të çbërë këtë arkitekturë të poshtërimit, apo për të gjymtuar narrativën e cila vendoste gratë e bardha kundër burrave zeshkanë. Përkundrazi, ato prireshin që të pohonin narrativat e dobësisë femërore, dhe të fshihnin proceset politike që me kaq elegancë u shërbenin njëkohësisht shovinizmave të ndryshme. England “vinte nga një qytet i varfër në zonat e thella të Virgjinias Perëndimore dhe kishte jetuar për njëfarë kohe në një dhomë-rimorkio”. ABC News (origjinalja amerikane sh.p.) shtronte pyetjen: “A është Lynndie England viktimë apo viktimizuese?”, duke cituar kështu psikologun e saj mbrojtës në lidhje me pamundësinë e saj për të folur para moshës tetë vjeçare dhe në lidhje me orët e edukimit special që ajo u ishte nënshtruar.[9]
Përshkrimi i ABC News e bëri historinë e England një tragjedi të romancës së dështuar, duke vënë në dukje martesën e saj të mëparshme e të pasuksesshme dhe duke nxjerrë në pah devocionin e saj prej skllaveje ndaj Tetarit Graner. Xavier Amador, një psikolog i ekipit mbrojtës të England, dha një dëshmi për viktimizimin e England, si brenda ashtu dhe jashtë gjykatës. “Garner i bëri foto asaj – jo vetëm foto nudo të saj – ai bëri foto teksa ajo po bënte seks me të,” tha Amador për ABC. “Ai vuri një tjetër ushtar i cili ishte më i vjetër dhe më i lartë në grada se ajo që të merrte një aparat fotografik dhe ata bënë seks bashkë teksa ky ushtar bëri një fotografi. Ajo u ndje e poshtëruar. Ajo mendoi se ky ishte perversitet. Ajo ndjente se ky ishte një gabim. Ndaj unë e pyeta përse e bëri një gjë të tillë, dhe ajo më tha: “Nuk doja ta humbisja atë.”” Rrëfimi i Amador e vendos England në pozitën e të burgosurës, të fiksuar në mjedise poshtëruese e perverse dhe e fotografuar pikërisht në këtë mënyrë. Forca e narrativës së Amador varet nga të minuarit e konsensualitetit të England, duke e vendosur atë në rolin e një gruaje të pafuqishme përpara një të dashuri shfrytëzues. Duke e paraqitur Garner-in si të dashurin e saj dhe jo si mbikëqyrësin e saj, ai e vendosi jashtë narrativës hetimin ndaj zinxhirit të komandës. Narrativa e grave të tradhëtuara gjeti jehonë në përpjekjen letrare vetëshfajësuese të Gjenerales Janis Karpinski. Megjithatë, Karpinski e paraqiti tradhëtinë si një akt politik dhe jo një akt personal.[10]
Narrativa e Amador gjithashtu lipste mungesën e arabit. Psikologu e spostoi skenën nga fotografitë e të burgosurve arabë tek ato të Lynndie England. Narrativa e tij hodhi një vel mbi praninë e arabëve, dhe kështu edhe mbi aktet që e bënë famëkeqe England. Narrativa e Amador, kësodore, fshehu mënyrën në të cilën konstruksionet e papëlqyeshme të arabit dhe myslimanit, dhe narrativat e pushtetit të grave në Perëndim, ishin përdorur për të fshehur përforcimin reciprok të hierarkive seksuale dhe qytetërimore. Në mënyrë të ngjashme, Karpinski fshin arabët, sidomos gratë arabe, në paraqitjen e vetes së saj si viktimë e mashtrimit dhe shfrytëzimit mashkullor.
Nuk pati vetëm burra arabë, por edhe gra arabe që u torturuan në Abu Ghraib. Abuzimi i grave irakene në Abu Ghraib u mbajt i fshehur në Shtetet e Bashkuara dhe u bë i dukshëm jashtë vendit. Dukshmëria e abuzimit jashtë vendit dyfishoi dëmin e bërë ndaj këtyre grave, ato u poshtëruan, dhe në disa raste u vunë edhe më shumë në rrezik, si pasojë e qarkullimit të fotografive të tyre nëpër gazeta dhe në internet. Mbajtja fshehur e abuzimit në Shtetet e Bashkuara mbrojti fiksionin që i paraqiste amerikanët si çlirimtarë të grave arabe dhe myslimane.
Mbrojtjet e bëra nga England dhe Karpinski mund të mos jenë të mjaftueshme për t’i shfajësuar ato, por ato duhet të na bëjmë ne që të vëmë në diskutim historinë e fuqizimit progresiv të grave në shtetin perëndimor. Mos vallë lufta e gjatë për të drejtat e grave na ka sjellë në këtë pikë? Mos vallë kjo është pamja që ka pushteti feminist?
Amerikanët u shtrënguan si në Abu Ghraib ashtu dhe në Guantanamo që të ballafaqoheshin me përdorimin e ushtareve gra si agjente të poshtërimit seksual. Hetueset femra në Guantanamo kërcënonin të burgosurit me gjak menstruacionesh, kryenin kërcime striptizmi në prehër, dhe orvateshin që ta përdornin seksualitetin si armë lufte. Këto akte u paraqitën në një pikëpamje jo tejet të ndryshme nga ajo e Zizek-ut. Në qoftë se Islami ishte “rrënjosur thellësisht mbi një feminilitet të refuzuar”, atëherë gjaku menstrual mund të shërbejë si një lloj antimaterie, një armë e pashoqe në luftën kundër Islamit. “Nocioni se arabët janë veçanërisht të cënueshëm nga poshtërimi seksual u bë një pikë diskutimi në gjirin e konservatorëve pro-luftës të Uashingtonit në muajt përpara pushtimit të Irakut të marsit 2003,” shkruante Seymour Hersh në New Yorker.[11] Më tutje, ai thoshte: “Një libër që citohej shpesh ishte “The Arab Mind” (Mendja Arabe), një studim i kulturës dhe psikologjisë arabe, i botuar për herë të parë në vitin 1973, i shkruar nga Raphael Patai…. Libri përmban një kapitull prej 25 faqesh mbi arabët dhe seksin, duke e përshkruar seksin si një tabu të mveshur me turp dhe ndrydhje.”[12]
Përdorimi i ushtareve dhe hetueseve femra thuhej se godiste cënueshmërinë arabe dhe myslimane deri në poshtërim seksual. Kjo gjithashtu bartte me vete pretendimin e superioritetit perëndimor. Cënueshmëria arabe dhe myslimane ndaj poshtërimit seksual ishte pasojë e seksizmit dhe ndrydhjes seksuale. E megjithatë kush nuk do të poshtërohej nga të qenurit i detyruar që të zhvishet kokë e këmbë përpara të huajve dhe armiqve? Cili (burrë a grua) nuk do të strukej po t’i kërkohej që të stimulojë akte seksuale, apo nuk do t’i dukej e neveritshme ideja që ta lyenin me gjak menstruacionesh? Strategjitë e poshtërimit seksual e transformuan një cënueshmëri të zakonshme njerëzore në një cënueshmëri tipike për një kulturë të vetme, dhe e eksportuan vendndodhjen e pushtetit të Perëndimit pikërisht mbi kulturën arabe. Ky marifet diskursiv është një përmbysje e errët e ndjeshmërisë kulturore.
Përdorimi i këtyre teknikave të torturës varet nga përdorimi i grave amerikane jo si oficere inteligjence, por si gra të paguara për performancën e akteve specifike seksuale. Sikundër ka argumentuar një shkrim editorial i New York Times, mjaft vajtojshëm: “Pa dyshim, askush nuk mund ta miratojë shndërrimin e një ushtareje amerikan në një pseudo-striptiste, apo që ajo ta lyejë me gjak menstrual të rremë një arab. Këto praktika janë po aq degraduese për gruan sa ç’janë edhe për të burgosurit.” E megjithatë, këto procedura jo vetëm që kishin qenë të miratuara, por ato madje ishin përdorur edhe zyrtarisht. Ndryshe nga abuzimet në Abu Ghraib, seksi i shndërruar në armë në Guantanamo qe një procedurë qeveritare: “Gratë e veshura me uniforma ishin kthyer në punëtore seksi në Guantanamo.”[13]
Çështja që vihet në diskutim në rastin e këtyre taktikave nuk është vetëm trajtimi që i bëhet armiku, por trajtimi që rezervohet ndaj vetes. Kjo strategji i vë flakën – dhe përmbys – gjithëpërfshirjes, barazisë, dhe lirisë së ushtares grua. Ushtarja shënjohet nga seksualiteti i saj dhe katandiset thjesht në seksualitet. Është si demaskuese po aq sa dhe tragjike që një skenë e inskenuar për të pohuar pushtetin e barazisë së grave në Perëndim duhet të flasë në mënyrë kaq kuptimplotë për nënshtrimin e tyre. Dallimet e gjinisë në dukje të kapërcyera nga uniforma u pohuan rishtazi, dhe barazia u zhduk. Liria e supozuar seksuale e grave u dislokua nga ushtria si një armë lufte. Ushtaret gra, që supozoheshin si të barabarta me kolegët e tyre meshkuj, u katandisën në punëtore seksi.
Ka një tjetër set pamjesh nga Abu Ghraibi, që tregohet më rrallë, dhe që hedh dritë mbi nënshtrimin e zakonshëm të grave perëndimore dhe irakene. Në këto fotografi Lynndie England shfaqet me një grua arabe që identifikohet si prostitutë. Fotografitë i paraqesin ato si të barabarta. Ato janë pothuajse me të njëjtën gjatësi dhe me të njëjtën peshë; ato qëndrojnë me krahët përreth njëra tjetrës. Të dyja mbajnë veshur rroba perëndimore. Këto fotografi e vënë në diskutim kundërvënien e Perëndimit dhe Islamit, si dhe kundërvënien amerikan – arab. Identifikimi i gruas arabe si prostitutë, apo (ç’është edhe më kuptimplotë) si “të prostituar nga bashkëshorti i saj” ka të thotë shumëçka kundër pretendimeve për barazi dhe pushtet të inskenuara në fotografitë ku England abuzon me të burgosurit meshkuj. Këto fotografi e inskenojnë England si një prostitutë, apo një viktimë, apo një grua, me një tjetër si ajo. Ato e paraqesin atë njëkohësisht si viktimë dhe transgresore, dhe ato tregojnë për praninë – jashtë hapësirës së fotografisë – të burrave më të fuqishëm se sa ajo, të cilët janë përgjegjës për degradimin e saj. Ato sugjerojnë tragjedinë e pranisë së grave në Guantanamo dhe Abu Ghraib. Në vend se të çlirojnë gratë, qoftë arabe qoftë perëndimore, pushtimi dhe invazioni amerikan e reduktuan statusin e gruas dhe e shtuan rrezikimin e tyre – si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu dhe jashtë.
Përktheu: Arjol Guni
Shënime
[1] Words of Women from the Egyptian Revolution, postuar nga Leila Zahra në youtube.com. Ka disa episode.
[2] Shkurt 16, 2011, www.debbieschlussel.com. Komentet e Schlussel shkaktuan tronditje në gjirin e komemntatorëve si nga e majta ashtu dhe e djathta, por ajo nuk u qortua, aq më pak të penalizohej nga punëdhënësit e saj të rregullt, Fox News, New York Post, dhe Jerusalem Post.
[3] Michelle Malkin, USA Today, gusht 20, 2004. Gjithashtu gjendet në michellemalkin.com.
[4] Ellen Goodman, “The Myth of ‘Security Moms,’ ” Boston Globe, tetor 7, 2004. I detyrohem analizës që Inderpal Grewal I ka bërë figurës mamit të sigurisë në ‘Security Moms’ in the Early Twentieth-Century [sic] United States: The Gender of Security in Neoliberalism,” Women’s Studies Quarterly 34, nos. 1/2 (Pranverë–Verë 2006): 25–39.
[5] Joe Klein, “How Soçer Moms Became Security Moms,” Time, shkurt 10, 2003.
[6] Susan Sontag, “Regarding the Torture of Others,” New York Times, maj 23, 2004.
[7] Ted Olson, “More Christian Organizations Respond to Abu Ghraib Scandal,” Christianity Today, http://www
.christianitytoday.com/ct/2004/mayweb-only/5-10-42.0.html.
Christianity Today i dënoi abuzimet në Abu Ghraib duke i quajtur ato torturë që në fillim, njëlloj sikundër veproi edhe Fr. Richard Neuhaus i First Things, dhe Vatikani.
[8] Sontag, “Regarding the Torture of Others.”
[9] Evan Thomas, “Explaining Lynndie England,” Newsweek maj 15, 2004, http://www.newsweek.com/id/105054.
[10]Janis Karpinski, One Woman’s Army: The Commanding General of Abu Ghraib Tells Her Story (New York: Miramax, 2006).
[11] Seymour M. Hersh, New Yorker, May 24, 2004.
[12] Ibid.
[13] “The Women of Guantánamo,” New York Times, July 21, 2005.
Tags: Amerika, Anne Norton, Ellen Goodman, feminizmi liberal, Gruaja myslimane, imperializmi, Islami, Joe Klein, lufta kundër terrorit, Michelle MMalkin, Ted Olson Last modified: 14/04/2018