Abdur-Rahman Ibn Yusuf

Në vitin 80 hixhri lindi një personalitet i madh, i cili u angazhua në studimin e shkencave fetare me dijetarët e mëdhenj të kohës së tij. Ai vijoi ta përpunonte dhe ta kodifikonte këtë dije, veçanërisht në fushën e jurisprudencës (fikhut), në dobi të ymetit të Muhamedit (a.s.). Ky personalitet ishte Ebu Hanife Numan ibn Thabit nga Kufa. Inteligjenca, urtësia, maturia, besimi, përkushtimi, bujaria dhe sjellja e mirë që ai kishte e bënë atë unikal në kohën e tij. Ai arriti një status shumë të lartë në fusha të ndryshme të dijes së shenjtë (ilmit) dhe atij iu dha titulli Imam ul-Adham, ose “Imami më i madh”.

Ky personalitet i madh është i njohur në të gjithë botën për shërbimet e tij të vyera për Islamin. Shkolla e tij e fikhut përdoret dhe ndiqet nga shumica dërrmuese e ndjekësve të Traditës Pejgamberike dhe shumicës së bashkësisë myslimane (ehli sune uel-xhema). Ebu Hanifja pranohet me konsensusin e dijetarëve të këtij ymeti, si interpretues i besueshëm i teksteve të shenjta.

Fatkeqësisht, disa janë ndjerë të lirë ta kundërshtojnë Imamin dhe të shpifin për të. Ata përpiqen ta ulin statusin e tij dhe të tregojnë se është i mangët në fushën e hadithit.

Ai që i studion objektivisht faqet e historisë, do të mahnitet nga dija e tij për fushat e ndryshme të studimeve islame, veçanërisht nga mprehtësia e tij lidhur me hadithin, njohuritë rreth të cilit janë të domosdoshme për çdo jurist, jo më për dikë që konsiderohet Imam ul-Adham.

Në këtë tekst do të përqendrohemi kryesisht tek disa aspekte të jetës së tij: tek pozicioni i tij si pjesëtar i breznisë së ndjekësve (tabi’i), si njeriu më i ditur i kohës së tij, dhe si transmetues dhe muhadith. Në lidhje me këtë do të prezantohen vetëm thëniet e dijetarëve të hadithit, të juristëve të shquar, të komentatorëve të Kuranit dhe të ekspertëve të tjerë fetarë.

IMAM EBU HANIFE: NDJEKËS (TABI’I)

Sipas shumicës së dijetarëve të hadithit, tabi’i ose “ndjekës”, është cilido që ka takuar një sahab të të Dërguarit të Allahut a.s., ose thjesht e ka parë atë në gjendje besimi (imani). Nuk është e nevojshme të ketë qëndruar me të, apo të ketë transmetuar diçka prej tij. Hafiz ibn Haxher el-Eskalani ka deklaruar se ky përkufizim është më i preferuari. Al-lama, Iraki, Ibn el-Salah, Neveviu dhe Hakimi janë dakord për këtë përkufizim.

Sipas këtij mendimi të pranuar gjerësisht, Imam Ebu Hanife konsiderohet si tabi’i, dhe kjo është konfirmuar nga shumë biografë dhe historianë. Ky pozicion është unik për të, kur krahasohet me imamët e tjerë të mëdhenj, përderisa nuk mund të thuhet e njëjta gjë në lidhje me Imam Shafiiun, Malikun dhe Ahmeb ibn Hanbelin.

Al-lama Dhehebiu shkruan në “Tedhkirat el-Huffaz” se Ebu Hanife lindi në vitin 80 hixhri. Ai e ka parë Enes ibn Malikun më shumë se një herë (sa herë që Enesi vizitonte Kufan). Hafiz Abd el-Ghani el-Makdisiu ka deklaruar: “Ebu Hanife ka parë Enesin”.

Ibn Haxher el-Makkiu shkruan: “Është e vërtetë se Ebu e Hanife ka parë Enes ibn Malikun kur ishte i ri (el-Khayrat el-hisan)”.

Hatib el-Bagdadi konfirmon në “Tarikh el-Bagdad”: “Ebu Hanife ka parë Enes ibn Malikun”.

Hamza el-Sahami deklaron: “Kam dëgjuar Darakutnin të thotë: “Ebu Hanife ka takuar vetëm Enes ibn Malikun prej shokëve të Profetit a.s.” (Tebjid el-sahifa).

Pra, shumë dijetarë kanë konfirmuar se Imam Ebu Hanife ishte pa dyshim tabi’i.

IMAM EBU HANIFE KA TRANSMETUAR NGA SAHABËT

Imam Abdul Kadir el-Misri thotë: “Sahabët prej të cilëve Ebu Hanife ka transmetuar hadithe janë: Abdullah ibn Unejs, Abdullah ibn Xhaza el-Zabidi, Enes ibn Maliku, Xhabir ibn Abdilah, Makil ibn Jaseh, Uathila ibn el-Aska dhe Aisha bint Exhred”.

Abdullah ibn Xhafer el-Razi tregon se Ebu Jusufi ka thënë: “Kam dëgjuar Ebu Hanifen të na thotë: “Haxhin e kam kryer me babanë në vitin 93 hixhri kur isha 16 vjeç. Atje pashë një mësues, rreth të cilit ishin ulur shumë njerëz, dhe unë e pyeta babanë se kush ishte ai. Më tregoi se ai ishte një sahab i të Dërguarit të Allahut a.s. i njohur si Abdullah ibn el-Harith ibn Xhaza. Unë e pyeta babanë se përse ishin mbledhur gjithë ata njerëz rreth tij, dhe ai më tha se ai tregonte hadithe që i kishte dëgjuar nga Profeti (a.s.). Kështu që i kërkova babait të na afronte pranë tij që ta dëgjoja. Ai më afroi pranë grumbullit të njerëzve. Dëgjova se ai tha se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush merr dije të plotë për fenë, Allahu i mjafton atij në gjykimet e tij dhe do ta furnizojë atë nga ku ai nuk e pret.” (ky është hadithi i shprehur në kuptim). Dijetari i madh maliki, Ebu Umer ibn Abdul Berr, ka treguar gjithashtu të njëjtën ndodhi. Al-lama Khuarizmi thotë: “Prej meritave, virtyteve që nuk i kishte askush pas tij është fakti se Ebu Hanife ka transmetuar (drejtpërdrejt) nga shokët e nderuar të të Dërguarit (a.s.). Dijetarët kanë rënë dakord për këtë fakt, megjithëse është vënë në diskutim numri i saktë i shokëve të nderuar (sahabëve.(

Ato që u thanë më sipër e bëjnë të qartë se Imam Ebu Hanife, jo vetëm që takoi disa prej sahabëve, por edhe ka transmetuar prej tyre.

IMAM EBU HANIFE: NJERIU MË I DITUR I KOHËS SË TIJ

Hafiz el-Samani shkruan: “Imam Ebu Hanife ishte shumë i dhënë pas marrjes së dijes dhe bëri shumë përpjekje, derisa arriti atë që të tjerët nuk mundën. Njëherë ai i bëri një vizitë Mensurit (kalifit abasid) dhe me të gjeti Isa ibn Musafin. Isai i tha Mansurit: “Ky është dijetari i botës sot”.

Makki ibn Ibrahim kujtoi Imam Ebu Hanifen dhe tha: “Ai ishte dijetari më i madh i kohës së tij”.

Makki ibn Ibrahim ishte shehu (mësuesi) i Imam Buhariut, nëpërmjet të cilit Imam Buhariu ka transmetuar pjesën më të madhe të haditheve të tij, zinxhiri i të cilave arrin deri tek i Dërguari i Allahut (a.s.), nëpërmjet vetëm tre transmetuesve. Abdullah ibn el-Mubarek tregon: “Hyra në Kufe dhe i pyeta dijetarët se kush ishte njeriu më i ditur në qytet. Ata më thanë për Ebu Hanifen. Pastaj i pyeta se kush ishte adhuruesi më i përkushtuar për marrjen e dijes së shenjtë. Ata sërish më thanë se ishte Ebu Hanife. Për çdo karakteristikë të mirë që i pyesja, ata më përgjigjeshin: “Ne nuk njohim njeri tjetër që t’i atribuohet kjo karakteristikë, përveç Ebu Hanifes.”

Muhamed ibn el-Bishr tha: “Shkoja për vizitë tek Ebu Hanife dhe Sufjan el-Theuri. Kur shkoja tek Sufjani, ai më pyeste se nga vija. Kur i tregoja se vija nga Ebu Hanife, ai më thoshte: “Ke ardhur nga juristi më i madh në botë.””

Ebu Uehb Muhamed ibn Muzahin ka thënë: “Kam dëgjuar Ibn el-Mubarekun të thotë: “Juristi më i madh është Ebu Hanife. Nuk kam njohur si ai në fushën e jurisprudencës.”

Imam Shafiiu tregon se e pyetën Imam Malikun nëse e kishte takuar Ebu Hanifen. Ai u përgjigj: “Po, kam takuar një njeri që, nëse thotë se mund ta kthejë këtë shtyllë në ar, është i aftë të japë fakte për të.”

Vetë Imam Shafiiu ka thënë: “Njerëzit varen nga Ebu Hanife për fushën e jurisprudencës.”

Al-lama Sharani shkruan: “Imam Shafiiu vizitoi varrin e Ebu Hanifes gjatë kohës së akshamit. Ai fali namazin pa thënë kunutin (dua e veçantë), dhe tha: “Si mund ta thoja kunutin në praninë e këtij imami, në një kohë kur mendimi i tij ishte të mos e lexosh atë?”. Mendimi i Ebu Hanifes ishte të thuhej kunuti për 40 ditë gjatë akshamit, vetëm në kohë fatkeqësish.

Kur Shuba mori vesh lajmin për vdekjen e Imam Ebu Hanifes, ai tha: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.” Pastaj tha: “Është shuar drita e dijes së shenjtë në Kufa. Ata nuk do të takojnë më njeri tjetër si ai”.

IMAM EBU HANIFE: NJOHËS I MIRË I HADITHIT

Dijetari i madh i hadithit, Abdullah ibn el-Mubarek, ka thënë: “Nëse Allahu nuk do të ma kishte mundësuar të përfitoja nga Ebu Hanife dhe Sufjan el-Theuri, do të kisha qenë si çdo person tjetër i zakonshëm.”

Tregohet se Ibn Maini ka thënë: “Nuk vë njeri mbi Vakin. Ai i jepte vendimet ligjore sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe i memorizonte të gjitha hadithet prej tij. Ai kishte dëgjuar shumë hadithe nga Ebu Hanife.”

Deklaratat e mësipërme tregojnë se Imam Ebu Hanife ishte transmetues i shumë haditheve dhe jo i pak haditheve siç pretendon një pjesë sot. Muhamed ibn Sama thotë: “Imami ka përmendur më shumë se 70 mijë hadithe në librat e tij, dhe ka zgjedhur atharet prej 40 mijë haditheve.”

Dijetari i madh i hadithit Zafat Uthmani, pasi citon këtë deklaratë, shkruan se vërtetësia e saj tregohet nga ato që kanë treguar studentët e Imamit prej tij. Për shembull, Imam Muhamedi transmetoi prej tij në gjashtë librat e tij të njohur si “Dhahirel-riuaje” dhe librat e tjerë të njohur si “el-Nauadir”; Ebu Jusuf në “Amali” dhe “Kitabel-kharaj”; Abdullah ibn el-Mubarek në librat e tij dhe Vaki dhe nxënës të tjerë në librat e tyre.

Këto rregulla janë aq të shumtë, saqë nuk mund të numërohen dhe kufijtë e tyre nuk mund të arrihen. Nëse përmblidhen këto rregulla që janë ose haptazi ose në mënyrë të nënkuptuar në përputhje me transmetimet marfu ose meukuf, ato do të arrinin patjetër këtë numër të madh (pra 40 mijë). Tek ky numër nuk merren parasysh rregullat që Imami i nxori nëpërmjet konkluzionit të tij (ixhtihadit).

Al-lama Zafar Uthmani deklaron më tej se gjithë këto rregulla janë në fakt hadithe që Imami i ka transmetuar në formën e rregullave ligjore, dhe jo si transmetime zyrtare. Është pothuajse e pamundur që ixhtihadi i tij të përputhet kaq shumë me një numër kaq të madh hadithesh, nëse thuhet se ai nuk kishte dije për to.

Al-lama thotë gjithashtu se Imam Ebu Hanife i transmetoi shumë hadithe formalisht nëpërmjet zinxhirit të tij personal. Ato janë ato hadithe që njohësit e mirë të hadithit i kanë përpiluar në “Masanid-in” e tij dhe ato që nxënësit e tij i kanë transmetuar prej tij, si Imam Muhamedi në “Kitab el-Athar”, “Muvata”, “Huxhaxh” dhe vepra të tjera; Ebu Jusuf, Ibn el-Mubarak, Hasan ibn Zijad në veprat e tyre; Vaki ibn el-Xharrah në “Musnad”; Ibn Ebi Shejba dhe Abdurrezak në “Mussanaf”; Hakimi në “Mustedrek” dhe vepra të tjera; Ibn Hibban në “Sahih”, “Thikat” e vepra të tjera; Bejhekiu në “Sunan” dhe vepra të tjera; Taberaniu në “Muxhem”; Darukutni në veprat e tij; dhe dijetarë të tjerë të hadithit në koleksionet e tyre. Nëse do t’i përpilonim të gjitha këto transmetime, ato do të përbënin një volum të madh hadithesh.

IMAM EBU HANIFE: AUTORITET DHE KRITIK I HADITHIT

Al-lama Dhehebi shkruan në hyrjen e “Tedhkirat el-huffaz”: “Ky është një konspekt i atyre personaliteteve që kam gjykuar se janë të besueshëm dhe mbajtës të dijes profetike, dhe i atyre me të cilët mund të këshillohesh, për të vendosur për vërtetësinë apo dobësinë (e transmetimeve) dhe besueshmërinë apo jo (të transmetuesve).”

Mes tyre Al-lama Dhehebi përfshin Imam Ebu Hanifen, dhe e bën të qartë se ai ishte mbajtës i dijes profetike, zotëronte transmetime të shumta dhe konsiderohej kompetent në fushën e hadithit.

Suvejd ibn Sad tregon se Sufjan ibn Ujejne ka thënë: “Njeriu i parë që më ka nxitur të tregoj hadithe ka qenë Ebu Hanife. Kur mbërrita në Kufa, ai tha se ky njeri zotëron numrin më të madh të transmetimeve nga Amr ibn Dinari. Sapo njerëzit e dëgjuan këtë, filluan të mblidheshin rreth meje dhe unë fillova t’u tregoj”.

Sipas një transmetimi tjetër Sufjan ibn Ujejna ka thënë: “Njeriu i parë që më bëri dijetar hadithi, ishte Ebu Hanife””.

Imam Ebu Jusuf ka thënë: “Nuk kam parë njeri me mprehtësi më të madhe për interpretimin e haditheve se Ebu Hanife”.

Kjo thënie e Ebu Jusufit mund të kuptohet më tej nga thënia e mëposhtme e Mulla Ali Elkarit: “Imam Ebu Hanife ishte njëherë me Amashin i cili e pyeti për diçka. Imam Ebu Hanife iu përgjigj: “Ky është mendimi im për këtë çështje”. Pas kësaj Amashi e pyeti se si e kishte formuar këtë mendim. Imam Ebu Hanife iu përgjigj: “Ti na transmetove nga Ebu Salih i cili ka transmetuar nga Ebu Hurejra; ti na transmetove nga Ebu Uaili i cili ka transmetuar nga Abdullai; dhe transmetove nga Ebu Iljasi i cili ka transmetuar nga Ebu Mesud el-Ensari se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë kështu. Ti transmetove gjithashtu nga Ebu Mijlazi i cili e transmetoi atë nga Hudhejfe, ky nga Ebu el-Zubejr, ky nga Xhabir dhe Jezid el-Rakashi dhe ata nga Enesi”.

Amashi tha: “Mjaft! Mjaft! Ti e përsërite për një çast, atë që mua m’u deshën 100 ditë. Nuk e dija se praktika jote bazohej tek këto hadithe”. Pastaj tha: “O juristë! Ju jeni mjekë dhe ne jemi vetëm farmacistë dhe ti (duke iu drejtuar Ebu Hanifes) i ke të dyja”.

Imam Ebu Jusuf ka thënë gjithashtu: “Sa herë që e kam kundërshtuar Ebu Hanifen për ndonjë çështje, mendoja sërish për atë dhe zbuloja që mendimi i tij ishte më superior se i imi dhe më dobiprurës, përsa i përket botës tjetër. Ndonjëherë kapesha fort pas një hadithi të veçantë, por ai vërtetonte se kishte më shumë dije se unë në lidhje me vërtetësinë e tij. Në disa raste ai e mbronte fort një mendim të caktuar dhe unë shkoja takoja dijetarët e Kufas, nëse mund të gjeja hadithe të tjera për ta mbështetur mendimin e tij. Ndonjëherë kthehesha me dy ose tre hadithe dhe ai më thoshte për ta “ky nuk është i fortë” ose “ky nuk është ma’ruf”. Unë i thosha: “Si e thua këtë kur ato mbështesin mendimin tënd?”. Ai përgjigjej: “Unë kam njohuri për dijen e Kufas”.

Jahja el-Himmani thotë: “Kam dëgjuar Ebu Hanifen të thotë: “Nuk kam parë gënjeshtar më të madh sesa Xhabir el-Xhufi apo ndokënd më superior se Ataia!””.

Ebu Said el-Sanani e pyeti Ebu Hanifen se si mendonte për transmetimin nga Sufjan el-Theuri. Ai u përgjigj: “Shkruaji hadithet e tij, sepse ai është i besueshëm, përveç transmetimeve nga Ebu Is’haq, ky nga Harithi; dhe shmang transmetimet e Xhabir el-Xhufit”.

Tregohet gjithashtu se Imam Ebu Hanife ka thënë në lidhje me Zejd ibn Ajashin se “ai është i paditur”. Për më tepër, Imami i Madh nuk ishte vetëm në dijeni të emrit të Amr ibn Dinarit por edhe për pozicionin e tij. Ibn Mahdi ka thënë: “Nuk kam takuar njeri tjetër që të ketë më shumë dije për Sunetin se Ebu Hanife. Ne mësuam për pozicionin e Amr ibn Dinarit nëpërmjet tij”.

Këto fjalë të thëna nga Imam Ebu Hanife në lidhje me statusin e transmetuesve të ndryshëm e bëjnë të qartë se ato mund të jetë thënë nga një ekspert që ka shqyrtuar me kujdes dhe ka vlerësuar transmetuesit dhe hadithet.

Historiani dhe sociologu i madh Ibn Halduni ka shkruar një raport përfundimtar për statusin e juristëve në fushën e Hadithit. Aty ai thotë: “Disa njerëz që kanë natyrë negative, thonë me urrejtje se ka juristë që dinë shumë pak hadithe dhe argumentojnë se kjo është arsyeja përse janë transmetuar kaq pak hadithe nga ata. Kjo është e pamundur, veçanërisht në rastin e imamëve të mëdhenj, sepse ligji islam mund të përftohet vetëm nga Kurani dhe Suneti. Nëse dikush do të kishte dije sipërfaqësore në këtë fushë, do të ishte e nevojshme që të merrej me mësimin e saj, sepse vetëm atëherë do të mund ta mësonte fenë (rregullat e saj) nga burimi i saktë, domethënë nga Profeti Muhamed (a.s.) i cili ishte zgjedhur ta përhapte atë”.

Pra, kjo vërteton se është e pamundur që dikush të cilin shumica e ymetit e ka pranuar si jurist kompetent, të ketë dije sipërfaqësore për hadithet. Besimi dhe siguria që kanë treguar njerëzit e sunetit për shkollën e Imam Ebu Hanifes përgjatë historisë myslimane dhe vlerësimi i lartë për mendimet e tij në lidhje pranimin apo refuzimin e haditheve dhe të transmetuesve të tyre, tregojnë rëndësinë e tij në fushën e hadithit.

Përfundim

Nga ajo që u tha më sipër dalin në pah disa pika. Ne kemi mësuar se nuk ka mundësi të jesh jurist dhe të mos kesh dije të saktë për Sunetin, apo Traditën Pejgamberike. Imam Ebu Hanife kishte shumë njohuri për hadithin dhe është emërtuar si njeri kompetent në këtë fushë. Al-lama Dhehebiu e ka radhitur atë mes njohësve të mirë të hadithit në librin e tij “Tedhkirat el-huffaz” dhe shumë i janë referuar atij si dijetari më i madh i kohës së tij.

Shumë juristë i transmetonin hadithet e tyre në formën e “rregullave fetare”, që do të thotë se kishin pak “transmetime zyrtare”. Megjithatë, kjo nuk mund të përdoret si arsye për kritika, përderisa detyra e juristëve është të përpunojnë hadithet dhe të nxjerrin rregulla prej tyre, ashtu si u mësua nga biseda e imamit me dijetarin e madh të hadithit, Amashin. Prandaj, nuk është korrekte të kritikosh një jurist të madh, duke thënë se nuk ka dijeni për hadithet, veçanërisht për dikë që është i nivelit të Ebu Hanifes.

Hatib el-Bagdadi tregon nëpërmjet zinxhirit të tij se Ibn Karama ka thënë: “Njëherë ishim në shoqërinë e Vaki ibn el-Xherrah kur dikush bëri një vërejtje se Ebu Hanife ka gabuar. Vaki tha: “Si mund të gabonte Ebu Hanife, kur prej shokëve të tij ishin Ebu Jusufi, Zufari, dhe Muhamedi, të cilët kishin forcën e tyre të analogjisë dhe ixhtihadit; kur ishin njerëz të tillë si Jahja ibn Zekerija ibn Abi Zaida, Hafs ibn Gijath dhe Hiban e Mandali, djemtë e Aliut, të cilët i kishin mësuar përmendësh dhe i kishin kuptuar mirë hadithet; Kasim ibn Man me njohuritë e tij për gjuhën arabe dhe Davud ibn Nudejr al-Tai dhe Fudejl ibn Ijad me maturinë dhe devotshmërinë e tyre. Si mund të gabojë një njeri që ka shokë të tillë rreth tij? Edhe nëse do të gabonte, shokët e tij do t’i tregonin të vërtetën”.

Për më tepër, Imam Tahaui ka treguar se Asad ibn el-Furat ka thënë: “Shokët e Ebu Hanifes, të cilët kanë përpiluar dhe regjistruar veprat (e shkollës së tij) ishin dyzet. Më kryesorët ishin Ebu Jusuf, Zufar, Davud al-Tai, Esad ibn Amr, Jusuf ibn Khalid el-Samti dhe Jahja ibn Abi Zakerija ibn Abi Zaida”.

Për ata që janë cituar më lart, dijetari i madh i hadithit, Zafar Ahmed Uthmani, komenton: “Kushdo që ka si nxënës kryesorë njohës të mëdhenj të hadithit, të cilët dijetarët e hadithit i respektojnë për memorizimin e tyre të haditheve dhe dijen e madhe, atëherë si është e mundur që ai njeri të ketë transmetuar vetëm pak hadithe?

Lusim Allahun të na mbrojë nga injoranca dhe mashtrimi të cilat ndryshojnë dhe errësojnë të vërtetën, dhe të na e shfaqë atë në formën e saj të saktë dhe të na japë mundësinë ta ndjekim atë. Amin!

Tags: , , , , Last modified: 24/12/2020
Close