Rezart Beka
E gjithë filozofia e Niçes duket sikur përshkon një rrugë të vetme e cila të shpie domosdoshmërish tek koncepti i mbinjeriut. Nëse do të bënim një skicë të kësaj rruge do të shihnim se ajo ka katër terma kyç. I pari është vdekja e Zotit, i dyti është koncepti i pohimit të jetës, i treti është vullneti për pushtet dhe i katërti është mbinjeriu. Këto katër terma janë të lidhur ngushtë më njëri-tjetrin. Së pari i duhet dhënë fund moralit ekzistues i cili është thellësisht religjioz, pra duhet deklaruar vdekja e Zotit, më pas duhet ti krijojmë vetë vlerat tona, duke u bazuar tek prirja natyrore e vullnetit për pushtet, dhe në konceptin e pohimit të jetës që përfaqësohet nga shkrirja e dy lloj karaktereve atij të tipit Dionisian dhe atij të tipit Apollonian dhe së fundmi duhet të ndërtojmë Mbinjeriun.
Hapi i parë në këtë rrugë të gjatë ka të bëjë me zhdukjen e moralit religjioz dhe gjithçka që ka të bëjë me të . Përpara se të diskutojmë rreth faktit se pse duhej hedhur poshtë ky moral, është e rëndësishme të japim një panoramë të shkurtër të mjedisit historik në të cilin Niçja zhvilloi filozofinë e tij. Ekziston një thënie e cila thotë se çdo njëri është peng i kohës në të cilën ai jeton. Ai është i ndikuar pashmangshmërisht nga ambjenti përreth tij. Persona të njëjtë vendosur në periudha historike të ndryshme mund të arrijnë në përfundime krejtësisht të ndryshme në lidhje me një çështje të caktuar. Për këtë arsye është e nevojshme që të kuptojmë shoqërinë e asaj kohe dhe situatat në të cilat po kalonte ajo.
Jeta e Niçes përfshiu gjysmën e dytë të shekullit të XIX . Kjo periudhë karakterizohej nga një zhvillim i shpejtë teknologjik. Në sajë të këtyre arritjeve një frymë optimizmi ndjehej kudo. Kjo kohë u përputh pikërisht me kulmin e magjepsjes nga zhvillimi material. Në këtë periudhë besohej se zhvillimi material, përmisimi i kushteve të jetesës, teknologjia gjithnjë e më e lartë do ti sillnin njeriut lumturinë e shumë ëndërruar. Kjo nuk ishte një ide fantastiko-shkencore, në atë kohë kjo besohej si një e vërtetë e pamohueshme. Zoti kishte rënë nga froni i tij dhe vendin e tij e kishte zënë shkenca. Darvini ishte profeti i ri dhe Darvinizmi ishte doktrina e kësaj “feje të re”. Shpresohej dhe besohej se brenda një shekulli të gjitha fetë do të kishin vdekur dhe ideja e Zotit nuk do te ishte asgjë tjetër veçse një kujtim i largët. Nisur nga kjo situatë, besimi dhe morali religjioz kishin rënë ndjeshëm dhe e ardhmja nuk dukej se premtonte për më mirë lidhur me këtë çështje. Në këtë kohë falë edhe përparimit teknologjik kemi edhe fuqizimin e Gjermanisë e cila i mbushte me shpresa të gjithë popujt gjerman folës. Në këtë situatë magjepsjeje teknologjike dhe premisash për një zhvillim të paimagjinueshëm jetoi dhe Niçja
Duke parë situatën në të cilën ai jetonte Niçja mendonte se besimi tek Zoti i krishterë kishte rënë ndjeshëm aq sa mund të thuhej se Zoti i krishterë kishte vdekur. Vdekja e Zotit nënkuptonte që njerëzimi nuk mbështetej më tek mençuria hyjnore. E mbinatyrshmja u zhduk se nuk kishte më vend për të.
Më shume se kushdo tjetër ishte pikërisht Niçja ai i cili u trondit nga ky realitet.
Ai i frikësohej pasojave që do të rridhnin sapo çdo njëri do të bëhej i vetëdijshëm për vdekjen e Zotit. Ndërgjegjësimi i njerëzve për këtë fakt do të sillte ndoshta pasoja të tmerrshme, si psh barbarizma dhe luftëra që nuk ishin parë ndonjëherë mbi tokë.
Po pse valle ndërgjegjësimi për vdekjen e Zotit rrezikonte të sillte pasoja të padëshiruara?
Kur njerëzit të kuptonin se Zoti nuk ishte më në skenë, atëherë do të mbetej një boshllëk për tu mbushur. Tani që Zoti vdiq njerëzimi duhej të ec i vetëm, ai duhet ta modelojë vetë jetën e tij. Që tani e tutje nuk ka më burim tjetër vlerash përveç vetë njeriut. Po çfarë vlerash do të ekzistonin që tani e tutje? Kush do ishin kriteret mbi të cilat do të zhvillohej jeta njerëzore? Koncepti darvinist mbi evolucionin e pandërprerë të llojeve, kishte shuar çdo dallim ndërmjet kafshës dhe njeriut. Sipas Niçes në qoftë se njerëzve do tu kërkohej të besonin pikërisht këtë, atëherë askush nuk duhej të habitej nëse në arenën e së ardhmes do të kishte luftra që nuk ishin parë ndonjëherë mbi tokë. A nuk ishte ndoshta Hitleri trupëzimi më i qartë i kësaj frike të Niçes?
Atëherë ç’duhej bërë? Sipas tij duhej bërë rivlerësimi i vlerave, në këtë mënyrë ai e paraqet veten si një Zarathustër të ri, që njësoj si profeti i vjetër do të bëhej një mësues i madh i moralit. Pikërisht në këtë moment fillon dhe merr formë e gjithë filozofia e tij. Për të evituar pasojat e frikshme që do të vinin si rrjedhojë e vdekjes së Zotit, ai merr përsipër të zëvendësoj moralin e vjetër, dhe të bëjë rivlerësimin e tij. Ky do të ishte që tani e tutje misioni i tij.
Hapi i parë dhe i domosdoshëm në këtë rrugë të gjatë ishte shpallja në mënyrë publike e faktit që Zoti tashme kishte vdekur. Kjo do të sillte sipas tij çlirimin e njeriut nga prangat e religjiozes dhe e gjithçkaje që ka të bëjë me të. Ky fakt sipas tij hapte një horizont të pafund përballë njeriut. Ai këtë fakt në veprën e tij Mençuria e hareshme (1882) e shpreh me këto fjalë: “Më e rëndësishmja prej ngjarjeve të fundit është që “Zoti vdiq”, që besimi tek Zoti kristian është bërë një besim i pa vlerë…Në fakt ne filozofët dhe “shpirtrat e lirë” ndjehemi si të ndriçuar si prej një agimi të ri nga lajmi se “Zoti vdiq”; zemrat tona janë të mbushura me mirënjohje , mahnitje, parandjenja dhe shpresa. Më në fund horizonti ngjan sërisht i hapët, edhe pse jo i shkëlqyer; më në fund, anijet tona mund të çajnë drejt detit, përballë rreziqeve, gjithçka është sërish e lejuar për atë që gjykon; deti, deti ynë përsëri shtrihet i hapët para nesh; ndoshta kurrë më parë s’ka ekzistuar një “det” i hapët si ky
Por nuk mjafton vetëm të deklarosh me gojë se Zoti paska vdekur, duhet edhe ta vërtetosh pse ky Zot duhet flakur. Niçja këtë gjë e ka bërë më së shumti në veprën e tij Antikrishti. Po pse sipas tij morali fetar duhet flakur? Përse ideja e Zotit është e dëmshme për njeriun? Të gjitha këtyre pyetjeve ai i ka dhënë përgjigje në veprën e sipërpërmendur dhe ne do ti shohim shkurtimisht arsyet se pse ai mendon se duhen bërë ato.
Gjëja e parë që vërente Niçja ishte se midis besimit të krishterë dhe njohjes shkencore ka një mospërputhje të madhe. Sipas tij Zoti i krishterë i frikësohet shkencës. E vërteta shkencore mund të arrihet vetëm nga njerëzit të cilët kanë kultivuar, shpirtin fisnik në veten e tyre, këta njerëz nuk kanë lidhje me moralin e krishterë i cili sipas tij mohon gjithçka të vërtetë që ka në qenien njerëzore. Njohja përbën thelbin e shkencës dhe Zoti i krishterë pikërisht kësaj i druhet. Fryti i ndaluar i parajsës, a nuk ishte sipas biblës pikërisht fryti i njohjes?! A nuk është ndoshta e vërtetë që priftërinjtë kanë tentuar gjithmonë ti ndalojnë njerëzit për të arritur tek njohja e vërtetë duke i bërë ata të besojnë se dija është diçka djallëzore në vetvete. A nuk ishte ndoshta e vërtetë që Jezusi kishte thënë : “Bekuar qofshin ata që nuk dinë se për ta është përgatitur mbretëria e Perëndisë” Sipas Niçes Zoti i frikësohej shkencës se ajo e bënte njeriun të ngjashëm me të, sipas tij sa më shumë njeriu të përparoj në njohje aq më pak ka ai nevojë për Perëndinë. Dhe këtë sipas tij priftërinjtë e dinin shumë mirë për këtë arsye ata kishin bërë çmos që njeriu të mbahej larg njohjes me çdo mjet të mundshëm. Fakti që sipas Niçes njohja shkencore e bënte njeriun të ngjashëm më Perëndinë shprehet qartazi kur në faqen 61 të librit të tij ai thotë:”…Shkenca të bën të ngjashëm me Zotin– për priftërinjtë e zota gjithçka merr fund kur njeriu bëhet shkencor! Tek kapitujt e parë të librit të Zanafillës ai shihte të përmbledhur të gjithë qëndrimin e fesë së krishterë në lidhje me shkencën, ky qëndrim përkrahet normalisht edhe nga priftërinjtë. Ai po në faqen 61 të librit të tij e shpreh këtë fakt me këto fjalë: “Më kuptuat. Fillimi i Biblës përmban të gjithë psikologjinë e priftit. Prifti njeh vetëm një rrezik të madh shkencën- kuptimin e shëndoshë të shkakut dhe pasojës.
Në pikën 48-49 të librit të tij Niçja e paraqet gjerësisht këtë fakt. Përfundimisht sipas tij feja dhe të gjithë ata që e përfaqësonin atë vinte ne kundërshtim me të vërtetën shkencore, e vërtetë kjo e cila sipas tij mund të arrihej vetëm nga njerëz të cilët kishin shpirt me tepricë gjë e cila ishte në antitezë më moralin e të krishterë i cili ishte ishte në kundërshtim të plotë me natyrën njerëzore.
Një tjetër kritike që Niçja ngriti kundër fesë së krishterë dhe moralit që përfaqësonte ajo në librin e tij Antikrishti kishte lidhje me konceptin pohimit te jetës që ai zhvilloi. Niçja mendonte se dekadenca që ai konstatonte në kulturën e tij tregonte një pranim të forcave që punonin për shkatërrimin e jetës dhe jo për ndërtimin e saj.
Në librin “Lindja e tragjedisë” (1872) Niçja zhvilloi diskutimin e tij të famshëm lidhur me modelin Apollonian dhe Dionisian të jetës. Për Niçen, Dionisi ishte simbol i rrjedhës dinamike të jetës, e cila nuk njeh kufij ose pengesa dhe i sfidon të gjitha kufizimet. Nga ana tjetër Apolloni ishte simbol i rregullit, kufizimit dhe formës. Sipas Niçes tragjedia kishte lindur pikërisht si pasojë e pushtimit të modelit dionisian ndaj atij Apollonian. Ai shihte tek lindja e tragjedisë një reagim të elementit apollonian për ti bërë ballë tërbimit të sëmurë të dionisit. Për Niçen bashkimi i elementëve dionisianë me atë apollonian do të përbënin një arritje të lartë të natyrës njerëzore. Mos ti jepje vendin e duhur elementit Dionisian deri edhe ta mohoje atë ishte sipas Niçes një çmenduri e vërtetë. Kjo nënkuptonte mohimin e natyrës njerëzore. Për Niçen shkrirja e modelit dionisian me atë apollonian do ti jepnin kulturës moderne një standard të përshtatshëm dhe funksional sjelljeje në një kohë kur besimi fetar nuk do të ishte më në gjendje të luante funksionin e tij. Kjo shkrirje do ti jepje jete një modeli i cili do ti thoshte po jetës, pra do të punonte për ndërtimin e saj, gjë e cila sipas tij i mungonte modelit ekzistues të asaj kohe.
Ishte pikërisht fakti që besimi fetar e mohonte kategorikisht modelin dionisian ajo që e zhvlerësoi atë në mendjen e Niçes. Për të besimi fetar jo vetëm që e mohonte këtë model, gjë e cila binte në kundërshtim të plotë me natyrën njerëzore, por edhe e konsideronte atë djallëzor. Për Niçen etika e krishterë mohonte në thelb jetën. Duke mohuar elementet dionisianë të cilët janë pjesë përbërëse e jetës sonë, etika e krishterë i thoshte një jo të madhe asaj.
Niçja në librin e tij faqe 21 e shpreh këtë fakt me këto fjalë: “Pra, Zoti i degjeneruar në kundërshtim të jetës, në vend që të jetë një trasformim i lavdishëm i saj dhe një PO e përjetshmë për të. Tek ky Zot shihet deklarata e armiqësisë ndaj jetës , ndaj natyrës ndaj vullnetit për të jetuar!
Ky fakt ishte mëse i mjaftueshëm për ta flakur këtë mënyrë konceptimi dhe për të vendosur në vend të kësaj një model tjetër i cili do të ruante raportet e drejta ndërmjet modelit Apollonian dhe atij Dionisian. Fakti që modeli i krishterë ishte në thelb mohues i jetës, përbënte për Niçen argumentin e mjaftueshëm për ta shpallur këtë model si të rrezikshëm për njerëzimin
Niçja e mohonte konceptin e një sistemi universal dhe absolut të cilit duhet ti bindeshin të gjithë njerëzit, kjo sepse sipas tij nuk ekziston vetëm një natyrë njerëzore sjellja e së cilës mund te rregullohet thjesht duke vendosur disa rregulla. Njerëzit janë të ndryshëm dhe të pranosh sipas tij një moral universal nënkuptonte të mos merrje parasysh dallimet ndërmjet njerëzve. Sipas tij propozimi i një morali universal binte në kundërshtim të plotë me natyrën njerëzore. Në këtë drejtim krishterimi predikonte pikërisht këtë, moralin universal. Kjo, sipas Niçes i mohonte njeriut të gjitha energjitë jetësore . Për të morali i krishterë ishte antinatyrorë dhe për pasojë ai e dobëson dhe e prish njeriun. Një arsye kjo më tepër për ta flakur sa më shpejt këtë besim.
Pyetjes se përse ekzistojnë sisteme të tilla morale anti natyrore, Niçja i përgjigjet duke shpjeguar dy tipe morali. I pari është morali i pronarit, ndërsa i dyti është morali i skllavit.
Tek morali i parë e mira nënkuptonte gjithnjë fisniken, ndërsa e keqja vulgaren. Ky njëri i cili e zotëron këtë moral i përcakton dhe i krijon vetë vlerat e tij. Ai në një farë mënyre është gjykatës i vetes së tij dhe nuk mundohet që të marrë miratim për atë që bën nga ndokush jashtë vetes së tij. Vullneti për pushtet është motori lëvizës që i jep jetë veprimeve të tij. Morali i tij është ai i vetëlartësimit. Niçja tek ky njëri shihte të mëshiruar gjithçka që ishte fisnike, vitale, jetësore, sublime etj.
Përbri këtij morali ekzistonte edhe morali i skllevërve. Sipas këtij morali e mira nënkuptonte gjithçka që shërben për të lehtësuar ekzistencën, keqardhja, durimi, përulja, barazia etj. Morali i skllavit nuk nxitet nga vullneti për pushtet i cili sipas Niçes ishte instikti natyror, me anë të të cilit vepronte njeriu. Gjithçka e keqe, dekadente dhe antinatyrore perfshihej në këtë moral. Sipas Niçes “skllevërit” e urrenin moralin e pronarit dhe u hakmorën ndaj tij . Kjo hakmarrje konsistonte në konsiderimin e të gjitha virtyteve të moralit të pronarit si vese të këqija. Në mënyrë të pabesueshme “mentaliteti i turmës” e mposhti moralin e pronarit, duke arritur të bënte që të gjitha cilësitë fisnike të dukën si vese dhe të gjitha cilësitë e dobëta të duken si virtyte, do të shprehej Niçja në një nga veprat e tij. Të dobëtit thoshte ai kanë qëndrim negativë kundrejt çdo shtytje natyrore , siç ishte psh. vullneti për pushtet. Morali i skllavit për Niçen kishte në thelb Vullnetin për mohimin e jetës, një parim ky që sipas tij ishte një parim shpërbërjeje dhe kalbëzimi.
Sipas tij morali evropian ishte një moral skllevërish i cili mohonte epërsinë e vullnetit për pushtet. Po kush ishte përgjegjës për këtë? Kush ishte ai që e ushqente këtë moral të prishur dhe anti njerëzor? Kush ishin ata që i interesonte kultivimi i këtij morali? Të gjitha këto pyetje për Niçen konvergonin tek krishtërimi, dhe morali i tij. Kishte vetëm një fajtor për triumfin e moralit të skllavit ndaj atij të pronarit si edhe për luftën që i ishte bërë gjithçkaje e cila kishte të bënte me këtë moral gjatë shekujve. Ky fajtor quhej Krishtërim. Kjo gjë shfaqet qartë në pothuajse çdo faqe të librit antikrishti. Për të qenë më konkret do të japim disa citime nga ky libër.
Në faqen 24 të librit të tij Niçja thotë lidhur me qëndrimin e krishterë ndaj morali të pronarit: “E krishterë është urrejtja për vdekje ndaj zotërinjve të tokës, ndaj “fisnikëve” … E krishterë është urrejtja për shpirtin, për krenarinë, guximin, lirinë, për lirshmërinë e shpirtit; e krishterë është urrejtja për shqisat, për gëzimet e shqisave, për gëzimin në përgjithësi.
Në faqen 23 të librit të tij lidhur me qëndrimin e krishterë ndaj moralit të skllavit ai thotë : “Në krishterim janë instiktet e të nënshtruarve dhe të shtypurve që vihen në dukje: janë shtresat më të ulëta ato që kërkojnë tek ai shpëtimin e tyre. Tek ai, hetimi mbi mëkatin, autokritika, inkuizicioni i ndërgjegjes ushtrohen si zënie me punë, si rrugëdalje nga mërzitja; në të efekti ndaj një të fuqishmi, të quajtur “Zot” mbahet gjallë (nëpërmjet lutjes); në të maja më e lartë konsiderohet e paarritshme, dhuratë, “falje. Niçja qartazi i identifikon vlerat e krishtera me moralin e skllavit, aq sa ai ne vend konceptit moral i skllavit përdor fjalën vlerat e krishterë. Kjo gjë duket qartë kur ai në faqen 45 të librit të tij thotë: “ Në njërën anë qëndrojnë vlerat e krishterë në tjetrën vlerat fisnike. Kjo ishte një nga arsyet e forta që sipas tij e bën moralin e krishterë të denjë vetëm për tu flakur tutje si forma më e ligë e dekadencës.
Për Niçen, njeriu koncepte të tilla si keqardhje, barazia, durimi, mëshira ishin vlera që përfaqësonin moralin e skllevërve dhe këto vlera përbënin thelbin e moralit të krishterë.
Në portretin që Niçe i bënte njeriut ideal– Shprehet Roger Scruton në librin e tij “Histori e shkurtër e filozofisë moderne” në faqe 202-nuk ka vend për mëshirë: mëshira nuk është tjetër veçse joshje e sëmurë pas dështimit. Ajo është vrasësi më i madh i vullnetit, dhe formon zinxhirin që i lidh me pranga skllevërit njëri pas tjetrit. Ankesa kryesore e Niçes kundër kristianizmit qe se ai e kishte ngritur këtë ndjenjë të sëmurë në shkallën e kriterit të vetëm të virtytit; kësisoj ai kishte hapur rrugën për ‘moralin’ e skllavit, që i bazuar tek mëshira, duhet medoemos të mohojë mundësitë ekzistuese të lulëzimit të njeriut.
Niçja e shpreh qartazi këtë gjë kur në faqen 8 të librit të tij thotë në lidhje me keqardhjen ose mëshirën: “Krishterimi është quajtur fe edhembshurisë Dhembshuria i kundërvihet ndjenjave stimuluese , atyre që rrisin energjinë e vitalitetit: dhembshuria ka efekt ndrydhës. Atëherë kur tregohesh i dhembshur humb forcë. Më tej në faqe 9 ai e zhvillon më tej këtë koncept duke thënë: “Është rasti ta përsërisim ky instinkt ndrydhës dhe ngjitës pengon ato instinkte që synojnë në ruajtjen e jetës dhe në rritjen e saj si vlerë. Dhembshuria qoftë si shumëfishuese e mjerimit , qoftë si konservatore e çdo të mjeri, është një instrument parësor për shtimin e dekadencës .
Këto ishin në vija të përgjithshme këndvështrimi i Niçes për vlerat e të krishtera. Për ti përmbledhur të gjitha në disa fjalë mund të themi se për Niçen feja e krishterë ishte antishkencore, mohuese e çdo instikti jetësorë, kultivuese e moralit të skllavit, antinatyrore në çdo aspekt të saj dhe mbartësja më e madhe e simptomave të dekadencës njerëzore. Për këto arsye duhej shembur e gjithë ndërtesa tashmë e krisur e moralit të krishterë dhe duheshin rivlerësuar vlerat, gjë që do ti jepte çdo njeriu lirinë dhe hapësirën për të shprehur atë që ishte natyrore tek ai. Një njeri i cili nuk do jetonte më me moralin e skllavit, por një njeri i cili do të shkonte drejt një ekzistence më të lartë. Pra me pak fjalë duhej shkuar drejt “Mbinjeriut”, dhe hapi i parë drejt kësaj ishte zhdukja e gjithçkaje që të kujtonte qoftë edhe për së largu moralin e të krishterë.
Bibliografia
- Frederich Nietzche; Antikrishti; Tiranë, 2000
- Samuel Enoch Stumpf; Filozofia; botime Toena , f 355- 366
- William Raeper dhe Linda Smith; NJë Hyrje tek Idetë, Botim shkollor, f 99-104
- Roger Scruton; Histori e shkurtër e Filozofisë Moderne, Botime Besa;f 202