Ghada Karmi
Review: In Search of Fatima: A Palestinian Story, by Ghada Karmi. New York: Verso, 2002. 446 pages. $23.00
Konspekti i kryer nga: Rezart Beka
Libri në kërkim të Fatimes është një autiobiografi ku shkrimtarja dhe aktivistja e mirënjohur palestineze, Ghada Karmi rrëfen në mënyrë magjepsëse jetën e saj. Pjesa e parë e kujtimeve i kushtohet viteve të para të jetës së Karmit në Palestinë, para ngjarjeve që çuan në Nakba të vitit 1948. Përmes një përshkrimi të gjallë të jetës së familjes së saj, Karmi portretizon Palestinën e asaj kohe si një vend thelbësisht Arab me peisazhet e saj idilike dhe një organizim shoqëror ku jeta rridhte në ritmin e saj normal. Karmi projekton identitetin tipik palestinez në karakterin e shërbyeses së saj të dashur, Fatima al-Bashar. Me kaftanin e saj tradicional palestinez, sjelljet dhe zakonet tipike të një gruaje fshatare palestineze, Fatima mishëron thelbin e shpirtit Palestinez Arab. Përpjekja për të kërkuar dhe rikuperuar atë identitet, si dhe për të ringjallur shpirtin e tij përshkon rrëfimin e Karmit dhe përbën temën qendrore të tij.
Normaliteti i jetës palestineze para Nakba-s prishet nga aktivitetet luftarake gjithnjë e në rritje të milicisë hebreje në vend, të nxitura nga ideologjia sioniste, plani i tyre për të transformuar Palestinën në një shtet hebre dhe miratimi i heshtur i ushtrisë angleze. Përgjigja arabe ndaj këtyre zhvillimeve paraqitet e karakterizuar nga mosbesimi, naiviteti politik, mungesa e organizimit dhe mosmarrëveshjet e brendshme.
Pas kësaj, Karmi vazhdon rrëfimin e saj me një pjesë të dytë në të cilën ajo shpjegon gjallërisht tmerret e Nakba-s dhe momentet dramatike kur familja e saj, si shumë të tjera, vendosi të largohej nga Jeruzalemi së pari për në Damask dhe pastaj përfundimisht për në Londër. Jeta në Londër karakterizohet nga ndjenja e parë e thellë e zhvendosjes fizike dhe shpirtërore dhe lufta për identitet dhe origjinalitet në dritën e rrethanave të reja. Anëtarët e familjes së Karmit i përgjigjen në mënyra të ndryshme realitetit të ri në të cilin ata janë të detyruar të jetojnë. Prindërit e saj, që në rrëfim mishërojnë gjeneratën e parë të emigrantëve myslimanë në Evropë, përpiqen të mbajnë sa më shumë që të jetë e mundur një distancë dhe të kufizojnë në minimum ndërveprimin e tyre me kulturën dominuese. Ata hezitojnë ta perceptojnë veten si banorë të përhershëm në Angli dhe bëjnë çdo përpjekje për të mbajtur dhe rikrijuar në jetën e tyre private një mjedis arab dhe palestinez.
Përgjigja e fëmijëve të tyre ndaj realitetit të ri është e kundërt me atë të prindërve të tyre. Duke përfaqësuar brezin e dytë të migrantëve myslimanë në Evropë, ata janë të hapur për integrim dhe bashkëveprim me komunitetin pritës dhe zhvillojnë shpejt një prirje për ta perceptuar veten si Britanik në kushte të barabarta me shtetasit e tjerë vendas. Si pasojë, ata marrin pjesë plotësisht në jetën kulturore dhe shoqërore angleze që i vë ata në kundërshtim me stilin e jetës së prindërve të tyre që përbëjnë në këtë mënyrë shenjat e para të një konflikti midis brezave. Në rrëfimin e saj Karmi përshkruan në një mënyrë të nuancuar dhe të ndjeshme dashurinë e saj me kulturën dhe shoqërinë britanike, ndërveprimin e saj natyror me grupe të ndryshme shoqërore dhe fetare britanike dhe bindjen e saj të vendosur se ajo mund të jetë shumë mirë një “vajzë britanike ezmere”. Asimilimi i saj i plotë në shoqërinë britanike finalizohet nga zgjedhja e saj për t’u martuar, kundër çdo zakoni arab dhe mysliman, me një burrë britanik jo-mysliman. Siç e shpreh ajo vetë: “Tranzicioni nga fëmija arab që mbërriti në 1948… tek një vajzë e re me minifund që ndjehej në shtëpi vetëm në angli, tanimë ishte i plotë” (f.349).
Sidoqoftë, ngjarjet politike ndërkombëtare si “Kriza e Suezit” e vitit 1956 dhe “Lufta Gjashtë Ditore” e vitit 1967 e vunë seriozisht në provë ndjenjën e vetë-ngulitur të Karmit e të qenit britanike. Për herë të parë ajo ndihet e veçuar si arabe dhe e perceptuar si “Tjetri” i shoqërisë. Ajo i kupton stereotipet dhe paragjykimet e qenësishme që shoqëria britanike kultivon kundër myslimanëve dhe arabëve dhe naivitetin e bindjes së saj se ajo mund të jetë thjesht një “vajzë britanike ezmere “. Këto dy ngjarje politike ndërkombëtare zgjojnë identitetin e saj “të fjetur” palestinez dhe i bëjnë të mundur asaj që të rilidhet me rrënjët e saj dhe trashëgiminë e familjes. E lodhur në përpjekjen e saj për ta bërë këndvështrimin arab të kuptueshëm për kolegët dhe miqtë e saj jo-arabë dhe e acaruar nga paragjykimi britanik dhe stereotipet kundër arabëve, Karmi vendos të rizbulojë rrënjët e identitetit të saj dhe t’i përkushtohet çështjes palestineze. Ky vendim i kushton asaj martesën, izolimin nga grupi shoqëror dhe humbjen e pozitës së saj respektuese në shoqërinë britanike.
Pas kësaj periudhe Karmi e gjen veten të zhytur plotësisht në çështjen Palestineze. Në këtë periudhë, karakteri i Fatimes rishfaqet nga kujtimet e saj të harruara të fëmijërisë dhe bëhet arketipi ideal i një identiteti të mirëfilltë palestinez të cilin ajo përpiqet ta sjellë në jetë dhe të rimëkëmbet përmes veprimit të saj politik dhe aktivizmit shoqëror. Pasi themeloi në 1972 grupin politik “Palestine Action” ajo largohet nga Anglia për në Lindjen e Mesme në mënyrë që t’i shërbejë më mirë kauzës Palestineze. Megjithatë, së shpejti ajo e gjen veten të huaj në mes të kulturës arabe dhe njerëzve. Ndërsa ndodhet në Lindjen e Mesme, ajo përjeton një ndjenjë tjetër zhvendosjeje dhe tjetërsimi. Përvoja britanike e ka veçuar atë nga banorët e tjerë të lindjes së mesme. Lindja e Mesme të cilën ajo e ka romantizuar dhe sentimentalizuar si rrënjë e identitetit të saj i duket e panjohur, e huaj dhe e largët.
Në pjesën e tretë dhe të fundit të librit, Karmi përshkruan se si pasi ishte e pakënaqur me përvojën e saj në Lindjen e Mesme dhe e zhgënjyer nga aktiviteti politik i OÇP ajo filloi një udhëtim për në Izrael në një përpjekje të fundit për të rimarrë identitetin autentik palestinez të mishëruar në karakterin e Fatimes. Ndërsa ishte në Izrael dhe po kërkonte shtëpinë e prindërve të saj, Karmi përballet me realitetin e hidhur të zëvendësimit të popullit palestinez nga izraelitët. Gradualisht ajo duket se arrin në përfundimin se karakteri i Fatimes që ajo ka ndërtuar si mishërim i identitetit palestinez nuk mund të gjendet askund dhe ndoshta ka qenë vetëm një produkt i imagjinatës së saj romantike. Sidoqoftë, thirrja evokuese e ezanit që vjen nga Haram al-Sherif dhe që përhapet në të gjithë qytetin e Jeruzalemit e bën atë të kuptojë se mbase ka ende shpresë, se fjala e fundit nuk është thënë akoma. Thirrja për lutje është për Karmin “[ai] tingull i pagabueshëm i një populli tjetër [dm.th. i nje brezi tjetër palestinezësh shën. i përk] dhe një pranie tjetër, i përcaktueshëm, i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm. Akoma atje, nuk ka ikur, nuk ka vdekur” (f.451). Ndoshta në fund të fundit, Fatima nuk është vetëm një model i idealizuar, mbase realiteti i saj arketipik ende mund të rikuperohet dhe të vihet në jetë.
Last modified: 10/10/2023