Fernando L.M. (2010).Reconfiguring Freedom: Muslim Piety and the Limits of Secular Law and Public Discourse in France.American Ethnologist 37/1 , pp. 19-35.

 

Konspekt i kryer ngaRezart Beka

Në këtë ese Fernando analizon qasjen e ligjit dhe diskursit publik në Francë kundrejt çështjes së ndalimit të shamisë myslimane në vende publike, si p.sh. shkolla, institucione shtetërore etj. Në analizën e saj autorja përpiqet të zbuloj disa prej parimeve ligjore dhe politike që qendrojnë pas një qasjeje të tillë negative dhe të hedh dritë mbi mospërputhjet e një qasjeje të tillë me mënyrën se si gratë myslimane franceze e kuptojnë praktikën e vendosjes së shamisë.

Në analizën e saj ajo përpiqet ti përgjigjet pyetjeve të mëposhtme:

1) Cilat janë mënyrët me të cilat është kuptuar praktika e vendosjes së shamisë sipas ligjit shekullar dhe diskursit politik publik në Francë, dhe si kjo qasje bie ndesh apo është në tension me kuptimin e praktikës së vendosjes së shamisë nga gratë myslimane franceze?

2) Në ç’mënyrë dikotomitë mbizotëruese të autonomisë personale kundrejt autoritetit fetar ose të lirisë personale kundrejt obligimit fetar, të vendosura nga ligji francez dhe diskursi poitik publik në Francë në lidhje me shaminë, bien në kundërshtim me mënyrën në të cilët gratë e mbuluara myslimane franceze e paraqesin veten si subjekte fetare?

3) Në çfarë mënyrë këto dikotomi e kanë bërë fetarinë e përqafuar nga grate myslimane franceze të pakuptueshme për ligjin shekullar dhe diskursin pubik francez?

4) Në ç’mënyrë harmonizohen këto dikotomi nga gratë myslimane franceze gjatë praktimit të vendosjes së shamisë dhe çfarë na tregon një gjë e tillë për natyrën e ligjit shekullar dhe liberalizmit?

Duke u mbështetur në veprën e rëndësishme të Saba Mahmood “Politics of Piety”, e cila themeloi atë që në antropologji njihet si “kthesa etike” (ethical turn), Fernando ka zgjedhur si fushë studimi të saj gratë e mbuluara dhe të devotshme myslimane pjesëtare të asaj që njihet si ringjallja islame në Francë (Islamic revival). Në këtë mënyrë ajo përpiqet të kuptojë mënyrat në të cilat këto gra myslimane franceze e paraqesin veten si subjekte fetare dhe etike në kornizën e përgjithshme të ligjit shekullar dhe diskursit publik francez. Ajo po ashtu përpiqet të kuptoj se si ky vetëformim etik (ethical self-fashioning) përplaset me parimet që qendrojnë në thelb të diskursit ligjor dhe politik francez në lidhje me shaminë myslimane.

Fernando argumenton se mënyra kryesore me të cilat shamia myslimane është kuptuar në ligjin shekullar dhe diskursin politik dhe publik francez mbështetet mbi kundërshtin ndërmjet autonomisë personale dhe autorietit fetar. Sipas kësaj perspektive të veçantë, shamia është një shenjë e nënshtrimit të gruas dhe zotëron një karakteristikë joemancipuese. Kjo është kështu madje dhe në rastet kur shamia vendoset në mënyrë të vullnetshme, sepse në të vërtetë një praktikë e tillë i është imponuar atyre nga meshkujt e familjeve dhe autoritetet fetare si edhe ajo forcon institucionet patriarkale dhe normat në lidhje me seksualitetin, marrëdhëniet gjinore dhe nënshtrimin ndaj autoritetit fetar, mashkullor dhe normativ.

Duke analizuar në mënyrë të kujdeshme trajektoret autobiografike si edhe perspektivën etike vetëformuese të shumë prej grave të mbuluara myslimane franceze, Fernando argumenton se gratë myslimane në fjalë e refuzojnë një dikotomi të tillë të vendosur nga ligji francez sepse për ta autoriteti fetar nuk është në kundërshtim me autonominë personale apo me dimension e vërtetë të brendshëm të tyre. Përkundrazi, për to autoriteti fetar është një kusht i domosdoshëm për përmbushje dhe realizimin e vërtetë të vetes. Për to, vetë-realizimi konsiston në përmbushjen e vullnetit transcendent, i cili mund të realizohet vetëm përmes nënshtrimit ndaj disa obligimeve fetare. Kështu që, tradita në vend që të jetë një pengese drejt përmbushjes autentike të vetes është në fakt një kusht i domosdoshëm për të. Gratë myslimane franceze e rikonceptojnë marrëdhënien ndërmjet autonomisë personale dhe autoritetit fetar, duke e kuptuar kultivimin dhe realizmin autentik të vetes si të mundësuar vetëm përmes autoritetit fetar dhe social dhe jo si në kundërshtim me të.

Një tjetër dikotomi e pranishme në ligjin shekullar francez, e cila ka ndikuar në ligjin e kaluar në 2004 që ndalonte shaminë në shkollat publike, është ajo midis besimit dhe praktikës ose midis ndërgjegjes së brendshme dhe manifestimit të jashtëm. Sipas ligjit shekullar francez dhe evropian, liria e fesë dhe e ndërgjegjes janë pjesë e besimeve dhe fushës të brendshme njerëzore ose e asaj që ndryshe quhet forum interim dhe si e tillë përbën një të drejtë të patjetërsueshme. Ndërsa manifestimi i besimit dhe ndërgjegjes fetare mund të jetë subjekt i ndalesave dhe kufizimeve ligjore, sepse ajo i përket fushës së jashtme të individit dhe kësisoj ndalimi i disa praktikave fetare nuk lë asnjë gjurmë në ndërgjegjen individuale dhe lirinë e njeriut për të besuar. Kjo është arsyeja përse ndalimi i shamisë në shkollat publike nuk u pa nga legjislatorët francezë si një sulm ndaj lirisë së fesë dhe ndërgjegjes. Kjo sepse, për ta një ndalesë e tillë ligjore nuk kishte asnjë efekt mbi ndërgjegjen e besimtareve dhe ato mund ende ta mbanin veshur shaminë, por në dimensionin e brendshem të qenies së tyre dhe jo në dimensioni e jashtëm.

Fernando argumenton se kjo dikotomi është e rrënjosur në një kuptim të veçantë modern të marrëdhënies ndërmjet besimit dhe praktikës, ku praktika shihet thjesht si një shprehje e besimit dhe jo si një përbërës thelbësor i tij. Kështu që, kufizimi i një praktike fetare nuk përbën sulm ndaj besimit fetar dhe ndërgjegjes individuale. Fernando argumenton gjithashtu se gratë myslimane franceze nuk ndajnë të njëjtën qasje në lidhje me marrëdhënien ndërmjet besimit dhe praktikës. Për to, praktikat fetare janë pjesë përbërëse e besimit dhe e kultivimit të prirjeve fetare. Praktika nuk është një rend dytësor dhe nuk është në marrëdhënie rastësore dhe jothemelore me besimin. Prandaj, një kufizim i praktikave fetare do të thotë kufizim të të drejtës për të besuar dhe të lirisë së fesë. Por, duke qenë se ligji francez funksionin mbi bazën e dikotomisë ndërmjet besimit dhe praktikës, atëherë është e pamundur për gratë myslimane franceze që ta shprehin kuptimin e tyre në lidhje me këtë çështje në një mënyrë që mund të jetë e kuptueshme për ligjin dhe diskursin publik francez.

Sipas ligjit evropian dhe frances, praktika fetare mund të konsiderohet si një e drejtë e patjetërsueshme vetëm në rastin kur praktika në fjalë është një obligim fetar. Obligueshmëria e praktikës në fjalë mund të përcaktohet vetëm nga autoritetet zyrtare fetare ose nga gjykatat. Fernando argumenton se një fakt i tille së bashku me dikotominë ndërmjet zgjedhjes personale dhe obligimit fetare e ka bërë të pamundur për gratë myslimane franceze që të artikulojnë qendrimin e tyre karshi shamisë në një mënyrë të atillë që të jetë i kuptueshëm për diskursin publik dhe i mbrojtshëm përpara ligjit shekullar. Kjo sepse, nëse ato këmbëngulin se praktike e tyre e vendosjes së shamisë është një obligim fetar, atëherë një fakt i tillë do të perceptohet nga publiku francez si një qendrim fundamentalist dhe si një përpjekje për të justifikuar një imponim patriarkal mbi gratë myslimane. Ndërsa, kur gratë myslimane franceze përpiqen ta artikulojnë pozicionin e tyre në terma të zgjedhjes personale dhe lirisë individuale, atëherë qasja e tyre i hap derën mundësisë për të konsideruar shaminë si një shprehje opsionale besimi e cila mund të jetë subjekt i ndalesave apo kufizimeve ligjore. Dikotomia që qendron në thelb të diskursit ligjor dhe publik francez thjesht nuk lë asnjë hapësirë për gratë myslimane për të artikuluar në publik dhe në mënyrë bindëse, kuptimin specifik të tyre në lidhje me shaminë.

Tags: , , , , , , , Last modified: 17/03/2016
Close