Tim Winter

Lejomëni të filloj, pra, me një përpjekje për të rrokur në ndoca pak fjalë krizën aktuale në diskursin perëndimor të studimeve gjinore, apo gender studies. Një vend mjaft i mirë për t’ia filluar është libri i Germaine Greer, The Whole Woman, i botuar në vitin 1999, dhe i ndjekur nga një përzierje interesante e zemërimit tronditës dhe lëvdatave nga shtypi. 

Ky është një libër i rëndësishëm, jo më pak për shkak se ai e paraqet veten si një dialog me vëllimin e mëhershëm dhe me më tepër famë të autores të titulluar The Female Eunuch, botuar tridhjetë vjet më parë. Përgjatë gjithë librit, Greer, e cila është njëra prej shkrimtareve feministe më të ndërgjegjshme dhe më të dhembshura, reflekton mbi mënyrat në të cilat konteksti social dhe gjithashtu ai shkencor i diskursit gjinor perëndimor është zhvendosur përgjatë kësaj periudhe. Në vitin 1969, çlirimi dukej i pashmangshëm, ose të paktën bindshëm i arritshëm. Në vitin 1999, me shtetet dhe institucionet kombëtare gjerësisht të konvertuara tashmë në kauzën që dikur dukej tejet radikale, feminizmi dukej se ishte zmbrapsur diku përtej horizontit.  

Prandaj, zemërimi i Greer zbret mbi jo një, por dy rrufepritëse: armiku i vjetër i gjinofobisë mashkullore mbetet ende i dënuar ashpërsisht, por ka gjithashtu një frustrim më të përhapur me atë që Greer tani pranon se është i qenësishëm dhe i vështirë për t’u ndryshuar i vetë species njerëzore. Pjesa më e madhe e feminizmit në vitet 1960 dhe 1970 ishte “feminizëm i barazisë”, i angazhuar për rrënimin e pabarazive gjinore si konstrukte sociale të hapura ndaj ndryshimeve në arsim dhe në gjeneralizimin mediatik; megjithatë, feminizmi në vitet 1990 ishte përherë e më tepër një “feminizëm i diferencës”, i rrënjosur në bindjen gjithnjë e në rritje se natyra është të paktën po aq e rëndësishme sa rritja në formësimin e tipareve të sjelljes të burrave dhe grave. Pjesa më e madhe e politikanëve, edukatorëve dhe baronëve e baroneshave të mediave janë ende të angazhuar me idenë feministe të vjetër; megjithatë, sikundër tregon libri i Greer, feminizmi i ri është në rritje dhe premton të marrë botën me anë të një tjetër ndryshimi rrënjësor social, pasojat e të cilit do të jenë të konsiderueshme për komunitetet myslimane.

Disa faktorë kanë funksionuar në arritjen e këtij transformimi epokal. Ndoshta, më i dukshmi ka qenë kryeneçësia e plotë e motiveve tradicionale, të cilat shumicës së burrave dhe e grave vijojnë t’u duken çuditërisht të kënaqshme. Revolucioni feminist radikal i shkollës së vjetër të Greer nuk ka gjetur një konstituencë domethënëse nga pikëpamja demografike. Pjesa më e madhe e grave nuk kanë rënë dakord që të jenë pjesëtare në këtë motërni (sisterhood).

Për më tepër, bota që ka gjithnjë e më tepër trajtë nga diskursi gjinor sekular egalitarist nuk ka vërtetuar se është toka e premtuar që Greer profetizoi kur ishte e re. Sikundër shkruan ajo sot:

“Kur u shkruajt Female Eunuch, bijat tona nuk e pritnin veten dhe as nuk vuanin urie. Në çdo anë, gratë e mbetura pa fjalë pësojnë mundime, hidhërim dhe dhimbje pa fund, në një sistem botëror që krijon miliarda të humbur për çdo grusht fitimtarësh.” (fq. 3)

Më tutje, ajo sugjeron se çlirimi seksual që shoqëroi revolucionin gjinor në shumë raste ka dëmtuar më tepër gratë se sa burrat. “Seksualiteti që është çliruar,” shkruan ajo, “është seksualitet mashkullor.” Imoraliteti i dëmton gratë më tepër se sa burrat: gratë vijojnë të përjetojnë pasojat shumë të rëndësishme të shtatzanisë, ndërkohë që trupi mashkullor mbetet i paprekur. Kur anija luftarake amerikane USS Acadia u rikthye nga Lufta e Gjirit, një e dhjeta e pjesëtareve femra të ekuipazhit u rikthye në Amerikë për shkak se kishin ngelur shtatzënë në bordin e asaj që filloi të njihej si Varka e Dashurisë. Numri i burrave të rikthyer ishte zero. 

Një tjetër pasojë e revolucionit seksual ka qenë një shtim i tradhëtisë, dhe një rritje pasuese në numrin e divorceve dhe në prindërimin single. Sërish, janë gratë ato që kanë marrë mbi supe pjesën më të madhe të barrës. “Në vitin 1971, njëra në dymbëdhjetë familje britanike kryesohej nga një prind single, në vitin 1986 një në shtatë, dhe aty nga viti 1992 një në pesë” (fq. 202). Një tjetër pasojë ka qenë dhimbja e shkaktuar nga vetmia. “Aty nga viti 2020 një e treta e të gjitha familjeve britanike do të ketë në krye një individ (single), dhe pjesa më e madhe këtyre individëve do të jenë femra’ (fq. 250). Njëra prej legjendave më jetëgjata të revolucionit seksual, gjegjësisht ajo se “të testuarit e ujërave” përpara martesës ndihmon që të përcaktohet nëse ka përputhje në çift, duket se është hedhur poshtë një herë e mirë. “Një pjesë e martesave më të shkurtra janë ato që vijnë pas një periudhe të gjatë bashkëjetese”. (fq. 255)

Një sferë tjetër në të cilën gratë duket se e kanë gjetur veten të degraduara dhe jo të çliruara nga klima e re kulturore është ajo e pornografisë. Ky institucion, të cilit shumica e feministeve iu janë kundërvënë si një dehumanizim dhe një shndërrim në objekt i grave (Otto Preminger e quajti në një rast Marilyn Monroe-n si një “vakum me thithka”), nuk është ndëshkuar me rënie nga revolucioni feminist; ai është fryrë e është bërë një industri prej tridhjetë miliardë paundë në vit, i populluar nga aradhët e putanave pa fytyrë të internetit dhe kukullave koketa. Sikundër vrojton Greer, “mbas tridhjetë vjet feminizëm, ka gjerësisht më tepër pornografi, e përhapur kjo më gjerësisht se asnjëherë më parë.” Pornografia përzihet në industrinë e modës, e cila pretendon se ekziston për kënaqësinë e grave, por që në fakt, sikundër shkruan ajo, kontrollohet nga burra që kërkojnë të bindin gratë që të zhvishen nudo ose të stolisin veten për t’iu shtuar një spektakli publik të krijuar gjerësisht për komoditetin e burrave. (Shumë dizenjatorë mode, për më tepër, janë homoseksualë, me Versace-n si shembullin më të spikatur, dhe këta burra krijojnë një normë mode të djelmoshëve që i detyron gratë të hyjnë në modelet e dietave dhe të ushtrimeve, që përbëjnë, nga ana tjetër, një formë të re shtypjeje.) Celuliti, dikur i admiruar në perëndim dhe në pothuajse të gjitha shoqëritë tradicionale, tanimë është bërë një mëkat. Për t’i shpëtuar atij, duhet “stërvitje”. Demi Moore bën pompa me hekura katër orë në ditë; por madje edhe kjo përvojë e sfilitëse nuk mjaftoi që të shpëtonte martesën e saj.

Greer dhe feministet e tjera e identifikojnë industrinë e modës si kontribuesen kryesore në skllavërimin bashkëkohor të grave. Bashkë-konspiratori i saj është biznesi farmaceutik, i cili, sikundër thotë Greer, krijon qëllimisht një kulturë të obsesionit me të metat fizike: i ashtuquajturi Çrregullim Dismorfik i Trupit i cili po shëndosh mirë e mirë llogaritë e biznesit të doktorëve, psikiatërve, dhe, pa dyshim, të kirurgëve kozmetikë. Sikundër ka thënë

: “Kushton një mal me para që të kesh një pamje kaq të lirë sa unë.” Burimet e botës po gëlltiten në shërbim të këtij obsesioni me pamjen të nxitur artificialisht, i ushqyer nga kultura e zhveshjes. Dhe ndoshta dimensioni më i papërcjellshëm është fenomeni i ri i terapisë së zëvendësimit të hormoneve, i etiketuar si një panacea kundër pleqërisë. Hormoni i përfshirë, estrogjeni, përftohet nga pelat: vetëm në Amerikë 80,000 pela shtatzëna mbahen në ferma stalla, të kyçura në arka, dhe të lidhura me tuba për të mundësuar mbledhjen e urinës së tyre. Mëzat që ato pjellin, zakonisht theren.

Pasojat e trysnive të reja mbi gratë janë tashmë përgjithësisht të njohura, ndonëse zgjidhje serioze për ato nuk janë propozuar. Gratë, na thuhet ne nga shkolla e vjetër e feministëve, sot bëjnë një jetë më të pasur. Megjithatë, pranohet gjithashtu se kjo jetë duket se shpeshherë është edhe më e trishtë. “Që nga viti 1955 ka patur një rritje të pesëfishtë në sëmundjet e depresionit në SHBA. Për arsye që nuk janë aspak të qarta, gratë kanë më tepër të ngjarë që të vuajnë se sa burrat,” (fq. 171) ndërkohë që “17 përqind e grave britanike bëjnë tentativë për të vrarë veten përpara se të arrijnë ditëlindjen e tyre të njëzet e pestë.” Kjo dallgë trishtimi që kaplon gratë moderne, që është krejtësisht jashtë pritshmërive të feministeve të hershme, ka sjellë sërish lumturi në gjirin e baronëve të firmave farmaceutike. Prozaku po u jepet me tepricë grave nga mjekët. (Ky është po i njëjti ilaç antidepresant që u jepet rëndom kafshëve të kopshtit zoologjik për t’i ndihmuar ato që të kapërcejnë ndjenjën e kotësisë dhe të qenit në kurth.)

Greer e përmbyll librin e saj plot mllef me disa shënime mbi pasjen e shpresës. Strategjitë që ajo kishte kërkuar në vitet 1960 janë provuar dhe aplikuar gjerësisht; por rezultatet kanë qenë ambige, dhe ndonjëherë katastrofale. E qartë është se nuk ka patur një çlirim të grave, por ka patur një flakje tutje të njërit model të vartësisë në këmbim të një modeli tjetër. Bashkëshorti është bërë i tepërt; vendin e tij e kanë zënë industria farmaceutike, dhe ushtria përherë e në rritje e psikiatërve dhe psikologëve. Lumturia duket më e largët se kurrë.

Përktheu: Arjol Guni

Tags: , , , , , Last modified: 10/03/2018
Close