C.T. McIntyre
Fragment i shkëputur nga “Encyclopedia of Religion, second edition, (Thomson Gale 2005), vol. VI, f. 4052-4057
Të krishterët e kuptojnë historinë nga perspektiva e jetës së Jezuit të Nazaretit (rreth 4 p.l.K.-30 l.K), të cilin ata e quajnë Krishti. Të krishterët besojnë se në Jezu Krisht, Zoti u trupëzua në historinë njerëzore dhe në këtë mënyrë i ofroi kyçin karakterit, vlefshmërisë dhe rëndësisë së historisë. Ngjarjet e spikatura në jetën e Jezuit në Palestinën e lashtë romake, siç të krishterët i kuptojnë ato – veçanërisht lindja e tij, shërbesa e tij, vdekja e tij me anë të kryqëzimit, dhe ringjallja e tij në jetë – formojnë bazën e fesë së krishterë. Në të njëjtën kohë, jeta e Jezu Krishtit ofron orientimin themelor për të kuptuarit e të gjithë historisë dhe të proçesit historik, të së kaluarës, të së tashmes dhe të ardhmes. Të qënit i krishterë nënkupton pashmangshmërisht të lidhurit me një të kuptuar të historisë, dhe përgjatë epokave larmia e këndvështrimeve të krishtera ka qenë e konsiderueshme.
Këndvështrimet e krishtera të historisë kanë të përbashkët se ato rrotullohen rreth të gjithë popujve si edhe krijimit jonjerëzor. Për të krishterët, historia zuri fill me krijimin e botës dhe do të kulmojë me rikthimin e Jezu Krishtit në botë. Të krishterët i japin një rol të veçantë në histori çifutëve para kohës së Jezuit, ndjekësve të tij të menjëhershëm gjatë jetës së tij, sidomos atyre të quajtur dymbëdhjetë apostujt, si dhe kishës dhe mbretërisë së Perëndisë për pjesën tjetër të historisë pas Jezuit. Për të krishterët, kursi i përkohshëm i pareshtur i ekzistencës tokësore vijon sipas cikleve të adhurimit si edhe në cikle faljeje dhe ripërtëritjeje ndërsa të krishterët, nën providencën e Perëndisë, rreken të kryejnë vullnetin e Perëndisë dhe të mposhtin të ligën me mirësi.
Këndvështrimet e krishtera mbi historinë dallojnë nga alternativat e ofruara prej orientimeve të ndryshme themelore, qofshin këto sekulariste, islame, kapitaliste, hinduse, budiste, të New Age-it apo diçka tjetër. Me sekularizimin e mendimit dhe të shoqërisë në kulturat evropiane dhe amerikano veriore gjatë pjesës më të madhe të shekullit të njëzetë, këndvështrimet e krishtera treguan një prirje për t’u tkurrur në një theksim të historisë së kishës. Por së bashku me ngulmimin e feve në marrëdhëniet pluraliste me njëra tjetrin në mbarë botën, shumë të krishterë kanë riafirmuar vlefshmërinë e përqasjeve të krishtera në të kuptuarit e të gjithë historisë dhe lidhur me të angazhuarit në studimin e ndonjë teme të caktuar historike.
ELEMENTET E KËNDVËSHTRIMEVE TË KRISHTERA MBI HISTORINË. Njerëzit e parë që u mblodhën përreth Jezuit zbuluan atë çka ata besonin se kishte rëndësi për fenë e krishterë. Këtë ata nuk e bënë nëpërmjet porosive në rite apo ligj, jo nëpërmjet ligjërimit fetar apo argumentit logjik, por nëpërmjet të rrëfyerit të historisë së Jezuit. Fillimisht ndjekësit e Jezuit i tregonin njëri tjetrit lidhur me atë që i ndodhi atij. Pali u shkroi letra bashkësive të ndryshme të krishtera që përkujtonin aspekte të jetës së tij. Shkrimet më të hershme historike të krishtera janë rrëfimet e njohura si Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve që u shfaqën prej kujtimeve që njerëzit i kaluan njëri tjetrit pas vdekjes së Jezuit dhe të cilat i konsoliduan ato. Të krishterët që prej asaj kohe i kanë parë Ungjijtë si burimi i njohurisë së tyre rreth Jezuit dhe i mesazhit të tij rreth ardhjes së mbretërisë së Perëndisë. Historia filloi të shihej si mposhtja e përsëritur e mbretërisë së errësirës nga mbretëria e dritës e Perëndisë. Me fjalët e Lutjesorit të Hyut, ‘Ati ynë që je në qiell, i shenjtëruar qoftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, le të bëhet vullneti yt në qiell ashtu siç edhe në tokë.’
Eksperienca e kryqëzimit dhe e ringjalljes së Jezuit e transformoi fund e krye të kuptuarit që të krishterët e parë kishin mbi historinë. Ata krijuan këndvështrimet më të hershme të krishtera rreth historisë duke ripunuar këndvështrimet që trashëguan nga burimet çifute. Ata e shihnin Jezuin si ai ardhjen e të cilit profetët e lashtë hebrej e kishin premtuar shpeshherë. Gjoni e quajti Jezuin Mesia, Krishti, të vajosrin nga Perëndia për të qenë shpëtimtari i Izraelit. Pikërisht përdorimi i këtij titulli përbënte një të kuptuar të rolit të Jezuit në historinë e botës. Mateu dhe Luka përmbanin gjenealogji të sendërtuara për të treguar se Jezui ishte pasardhësi i drejtpërdrejtë i dy emrave të mëdhenj në historinë çifute, Abrahamit dhe Davidit, dhe sipas Lukës, pasardhësi i drejtpërdrejtë linear i Adamit, i konsideruar si qenia e parë njerëzore e krijuar nga Perëndia.
Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve treguan gjithashtu se Jezui projektoi një horizont të ri për të ardhmen. Pas lënies së ndjekësve për njëfarë kohe, ai do të kthehej sërish për të qenë mes tyre. Ata kuptuan aludime për fundin e kohës, eskatonin, në njëfarë kohe në të ardhmen e afërt apo të largët, dhe ata parashikuan një ringjallje finale të të vdekurve.
Pali në Letra Romakëve, krijoi një kuptim të historisë që shpjegonte si vazhdimësinë e Jezuit me Izraelin dhe Adamin ashtu dhe risinë rrënjësore që Jezui përuroi për ndjekësit e tij në të ardhmen. Pali e shihte Jezuin edhe si pasardhës të Adamit edhe si Adami i Ri. Historia, për të krishterët, ndahet pra në dy epoka. Para Krishtit ishte krijimi, besëlidhja e vjetër, vetvetja e vjetër, rruga e ligjit, ndërkohë që pas Krishtit do të ishte krijimi i ri, besëlidhja e re, vetvetja e re, rruga e hirit. Pali mendoi se shkrimet e shenjta hebreje, të cilat të krishterët i njohin si Dhjata e Vjetër, përmbante shumë parashikime rreth Krishtit. Fëmijët e Abrahamit dhe Davidit do të plotësoheshin nëpërmjet një Izraeli të ri të quajtur eklezia (Kisha), e përbërë nga fëmijët e Abrahamit nëpërmjet birësimit.
Është e rëndësishme të kuptohet se të krishterët e hershëm i formuan këndvështrimet e tyre të historisë si pjesë të të jetuarit brenda një bashkësie të re të eklezias, më vonë e quajtur kisha. Këndvështrimet e tyre mbi historinë u shfaqën ndërsa ata u angazhuan në adhurim, lexuan shkrimet e tyre të shenjta, mbajtën predikimet e tyre, prodhuan artin e tyre, udhëzuan të rinjtë e tyre dhe shqiptuan pranimet e tyre të besimit në Jezu Krisht. Përgjatë shekujve, ndodhi kryesisht nëpërmjet mjeteve të prekshme dhe pranë shtëpisë që të krishterët mësuan, pohuan, elaboruan, rishqyrtuan, dhe shpalosën këndvështrimet e tyre të historinë në larminë e gjerë të formave të njohura në historinë e Krishterimit. Shkrimet mbi historinë nga mendimtarët e mëdhenj – të tillë si Pali, Eusebius (vdekur rreth 339), Agustini (vd. 430), Toma Akuini (vd. 1274), Luteri (vd. 1546), Kalvini (vd. 1564), dhe Bossuet (vd. 1704) — vareshin prej, dhe u shfaqën nga brenda, përvojës së bashkësisë adhuruese. Kredot e mëdha të kishës – që nga pranimi i thjeshtë i Pjetrit (‘Ti je Krishti, biri i Perëndisë së gjallë’) deri në Kredon e rëndësishme nikease (325), në Kredon e shquar dhe të famshme të Apostujve (shekulli i tetë), dhe në kredot e shumta të erës së Reformimit – ishin afirmime të besimit të kishës që përmbanin të recituarit e historisë së Jezuit dhe një version i krishterë i historisë botërore.
Ajo që zhvillohet është një i kuptuar i historisë universale që përshkruan kursin e epokave si një sekuencë krijimi, rrëzimi, shpagimi dhe kulminimi. Historia zë fill me krijimin e botës, Adamit dhe Evës nga Perëndia dhe vazhdon me një rënie në mëkat dhe në vuajtje. Perëndia mandej ofron mundësinë e restaurimit, së pari nëpërmjet linjës së Abrahamit dhe Izraelit, mandej nëpërmjet Jezu Krishtit dhe kishës. përfundimisht vjen dita e fundit, eskatoni, kur të gjitha gjërat kulmojnë me rikthimin e Jezu Krishtit, ndjekur nga Gjyqi i Fundit, shfaqja e qiejve të rinj dhe e tokës së re, ringjallja e të vdekurve, dhe përvoja e jetës së përjetshme. Ky është një vizion gjithëpërfshirës që përmbledh të kaluarën, hap të ardhmen, dhe shpjegon kuptimin e të tashmes.
E parë në këtë mënyrë, historia e botës ka një zanafillë dhe do të ketë një fund. Historia është e vazhdueshme. Autorët e krishterë, si autori i Hebrejve dhe Agustini, përdorin figurat e një udhëtimi dhe një pelegrinazhi, dhe të tjerë duke ndjekur Ungjijtë përdorin imazhin e mënyrës për të rrokur prirjen e vazhdueshme të gjërave. Ata orvaten të rrokin kuptimin e rrjedhës së historisë nëpërmjet të identifikuarit të epokave nëpër të cilat bota kalon. Për shembull, dy epokat e Palit, e vjetra dhe e reja, mund të shihen gjithashtu si një, si epoka e tashme, e rrethuar nga përjetësia para krijimit dhe përjetësia pas fundit të kohës. Gjenealogjitë te Mateu dhe Lukapërllogaritën katër ose pesë epoka. Letra e Barnabasë (fillimi i shekullit të dytë) i shndërron këto në gjashtë epoka nëpërmjet analogjisë me gjashtë ditët e krijimit. Dhe meqenëse një ditë në sytë e Zotit është si një mijë vjet (2 Pt. 3:8), kjo lë të kuptohet se Zoti do të sjellë fundin e botës pas gjashtë mijë vjetësh. Agustini e përvetësoi skemën e gjashtë-epokave dhe në faqet e fundit të veprës së tij monumentale Qyteti i Perëndisë vërejti se bota ishte asokohe në epokën e gjashtë dhe të fundit. Autorë të mëvonshëm, sidomos gjatë Reformimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i ndanë gjashtë mijë vjetët në katër monarki –Babilonia, Persia, Greqia dhe Roma – duke u bazuar mbi Librin e Danielit të Dhjatës së Vjetër. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë skema e trefishtë e të lashtës, mesjetares dhe modernes hyri në modë, duke u shfaqur fillimisht në marrëdhënie me historinë e krishterë. Edhe asokohe, shumë autorë të krishterë mendonin se nëse historia e botës kishte analogji me jetën njerëzore, atëherë ata po jetonin në epokën e plakur të botës. Historia po zhvendosej drejt kulminimit nëpërmjet një rënieje të mëshirshme.
Me gjithë këtë theks mbi tendencat dhe periudhat e vazhdueshme, shumë njerëz kanë pohuar se këndvështrimet e krishtera të historisë janë, me përkufizim, lineare dhe për këtë arsye dallojnë nga këndvështrimet që e përshkruajnë historinë si ciklike. Ata i dalluan këndvështrimet e krishtera si lineare në raport me këndvështrimet hinduse dhe budiste që janë ciklike. Megjithëkëtë, këndvështrimet e krishtera gjithashtu janë ciklike, po ashtu siç këndvështrimet hinduse dhe budiste janë gjithashtu lineare, dhe këndvështrimet e krishtera ofrojnë mënyra të shumta të të kuptuarit të ritmeve të përsëritura të historisë. Shembulli më i hershëm ishte e ngrëna e përbashkët e filluar nga Jezu Krishti në darkën e tij të fundit, e quajtur më vonë Eukaristia apo Darka e Hyut, e cila u bë një mënyrë për të krishterët që kur të mblidheshin së bashku të përkujtonin (anamnesis) jetën dhe vdekjen e Jezuit. Prezantimi i të dielës si dita e adhurimit simbolizoi ringjalljen e Jezuit dhe i dha të krishterëve një ritëm të përsëritur për jetën e bashkësive të tyre. Pali theksoi ritmin e krijimit dhe rikrijimit, dhe të krishterët përgjatë epokave kanë kërkuar të jetësojnë mesazhin e tij duke u përpjekur vazhdimisht për mposhtjen e të ligës me mirësi si dhe me ripërtëritjen e të gjitha gjërave. Në petka të tjera ata i njohin këtë ritëm të përsëritur si veçoria e pendesës, faljes dhe restaurimit nëpërmjet të cilit Perëndia në mënyrë të përsëritur u tregon mëshirë mëkatarëve dhe sjell gjëra të reja prej kohës së moçme. Vetë simboli i ringjalljes është një afirmim i rishfaqjes së bekimit dhe shërimit në vend të këmbënguljes së vdekjes dhe ligësisë. Duke ndjekur shembullin e Jezuit dhe Palit, Agustini e përfytyroi historinë botërore si një konflikt i përsëritur shpirtëror ndërmjet qytetit të Perëndisë dhe qytetit të këso bote. Në këtë mënyrë dhe të tjera si kjo, këndvështrimet e krishtera rreth historisë parashtrojnë realitetin e përsëritjes brenda dramës së rrjedhës së vazhdueshme të ngjarjeve që nga zanafilla deri në eskaton.
Këndvështrimet e krishtera të historisë kanë gjithashtu një anë personale. Ato u lejojnë të krishterëve që të orientojnë jetën e tyre brenda vazhdës së përgjithshme të historisë. Përgjatë viteve, të krishterët si kishë kanë modeluar rituale që, sipas traditave të tyre ekleziastike, ata i quajnë sakramente, ordinanca apo shërbesa të posaçme. Këto shënojnë si kursin linear të jetës në botë ashtu dhe eksperiencën ciklike të jetës në botë: pagëzimi sjell hyrjen e çdo personi, qoftë në foshnjëri qoftë si adult, në kishë; konfirmimi apo pranimi në anëtarësinë e kishës shënon hyrjen në moshën fetare; martesa rrënjos shoqërizimin në udhëtim dhe marrëdhënien e sjelljes në jetë; Eukaristia, apo Darka e Hyut, përkujton vdekjen e Jezu Krishtit; pendesa ose lutjet për falje regjistrojnë ciklin e mëkatit dhe restaurimit; dhe vajimi i shenjtë, ritet e fundit, apo ceremonia mortore plotësojnë pelegrinazhin tokësor.
Të krishterët gradualisht i shprehin këndvështrimet e tyre të historisë në formën e një kalendari që në mënyrë liturgjike përkujton ngjarjet e jetës së Jezu Krishtit sipas një cikli vjetor. Vendosja e parë në kalendar u bë e njohur si Pashka dhe ajo kremton ringjalljen e Jezuit, ndonëse të krishterët nuk kanë rënë dakord mbi faktin se kur të shënohet Pashka dhe kjo ka prodhuar paraqitje të ndryshme në kalendar. Të krishterët e kanë përkujtuar lindjen e Jezuit si Kërshëndellat së paku që prej fillimit të shekullit të katërt. Ardhja e Kërshëndellave zuri të shënonte fillimin e vitit të ri të krishterë. Të krishterët më vonë shtuan ngjarjet e Epifanisë, Javës së Shenjtë, Rrëshajave dhe Ngjitjes në Qiell. Të krishterët shënojnë gjithashtu sekuencën e vazhdueshme të viteve me referencë ndaj lindjes së Jezuit, duke i numëruar vitet që nga ‘Mishërimi i Hyut tonë’ (AD, anno Domini, viti i Hyut). Kjo skemë, e cila formalizoi një zakon popullor të krishterë, u shpik nga Dionis Eksigusi (fillimi i shekullit të gjashtë) si pjesë e përllogaritjes së tij të datës liturgjike të Pashkës. Shumë më vonë dhe shumë më ngadalë, të krishterët filluan t’i numëronin vitet para mishërimit, duke i quajtur ato ‘Para Krishtit’ (BC). Duke përdorur këto simbole të rëndësishme, ata pretendojnë se i gjithë kursi i historisë qendërzohet mbi Jezu Krishtin dhe se cikli vjetor i përvojës së krishterë përmbledh jetën e Jezuit.
Një traditë e ngurtësuar e shkrimit historik reflekton theksin që të krishterët vendosin mbi të regjistruarit e rrjedhës së ngjarjeve, duke krijuar një kujtesë të përbashkët, dhe duke ua përçuar historinë e shkruar breznive të ardhshme. Kjo filloi me Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve. Në fillim të shekullit të tretë, Jul Afrikani krijoi një Kronologji pesë vëllimshme me qëllimin e dyfishtë e të përcaktuarit se antikiteti i Moisiut ishte më i madh se ai i grekëve dhe atë të të gjurmuarit të vijimësisë së Krishterimit me Jezu Krishtin. Euzebio i Çezareas (fillimi i shekullit të katërt) fiksoi një traditë jetëgjatë të historiografisë së krishterë me veprat Kronologjia dhe Historia Kishtare. Vepra autoritare e Agustinit Qyteti i Zotit formuloi atë që u bë leximi më me ndikim i krishterë i historisë botërore. Në vazhdën e modeleve të shpjegimit të zbuluara në Dhjatën e Vjetër, ai tregoi se si aktivitetet e Perëndisë, të njerëzve, të engjëjve, dhe të djajve kombinoheshin duke prodhuar historinë njerëzore, si një përpjekje ndërmjet qytetit të Perëndisë dhe qytetit të kësaj bote. Studenti i Agustinit, Paulus Orosius, e përpunoi imtësisht këtë. Nga këto burime morën hov një numër i pafund i kronikave mesjetare, i analeve, dhe i historive. Ndërmjet shekullit të shtatë dhe atij të pesëmbëdhjetë autorët prodhuan historira të formësuara nga këndvështrime të krishtera: historira të kishës, të popujve të Kristendomit, të sundimtarëve dhe qeverive, të qyteteve, të Kryqëzatave, të shenjtorëve,të manastireve, dhe të mbarë botës që ata njihnin. Protestantët, anglikanët dhe katolikët që nga Reformimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë e më tutje shkruajtën përmbledhje historike që vijuan të prodhonin tradita të historiografisë së krishterë dhe që shërbyen për të gjallëruar polemikat e tyre kundrejt njëri tjetrit.
Ajo që përshkon këndvështrimet e krishtera të historisë është kuptimi se aktorë të shumtë gjenerojnë histori. Bibla ofroi modelet e nevojshme dhe Eusebi dha shembullin se si të përkthehet vizioni biblik në një lexim të kursit post-biblik të ngjarjeve. Historianët e krishterë në periudha të tjera, nga të cilët Merle d’Aubigne (1794-1872) ishte një rast tronditës, si dhe pastorë dhe predikues të shumtë në predikimet e tyre çdo të djelë deri më sot ilustrojnë me shembuj këndvështrimin se historia është një arenë e gjallë për shumë aktorë. Zoti është parësor, dhe, ndonëse streha e Zotit është e tashmja e pakohë e përjetësisë, Perëndia vepron drejtpërdrejtë në histori. Kundër Perëndisë veprojnë Satanai si Ai i Ligu si edhe djaj dhe shpirtra të ligj të ndryshëm veprat e të cilëve kanë efekt në kursin e historisë. Të bashkuar me këta janë qeniet njerëzore të konsideruara si përgjegjëse për atë që ndodh në vazhdën e kohërave. Pranë gjithë kësaj janë krijesat jo-njerëzore – kafshët, pemët, era dhe shiu – që gjithashtu ndikojnë atë që ndodh në histori. Si të shpjegohen marrëdhëniet dhe pasojat relative të këtyre aktorëve të mëdhenj në histori – Zoti, I Ligu, njerëzit dhe natyra – ka qenë një çështje e mospajtimit të përjetshëm ndërmjet të krishterëve. Të krishterët krijuan doktrinat e paracaktimit hyjnor dhe vullnetit të lirë të njerëzve në përpjekje për të shpjeguar diçka prej kësaj. Dhjata e Vjetër ofron modelin për të kuptuarit e punës së Perëndisë në histori, ndërkohë që Dhjata e Re bën të njëjtën gjë për punën e të Ligut. Pikërisht siç Perëndia qeverisi Izraelin duke i udhëhequr izraelitët jashtë Egjiptit, duke i shpënë ata në Tokën e Premtuar, duke e vendosur Davidin në fronin e Izraelit, dhe duke krijuar pështjellim te armiqtë e Izraelit, po kështu Perëndia qeveris kishën përgjatë kohërave. Dhe pikërisht siç Perëndia sundoi gjithashtu mbi Asirinë, Egjiptin dhe Babiloninë, po kështu Perëndia sundon mbi të gjitha gjërat në botë përgjatë gjithë historisë sipas vullnetit të Perëndisë. Të krishterët këtë e quajnë qeverisje të mençur nga Perëndia, ‘providenca Hyjnore’.
Në një mënyrë të ngjashme, duke ndjekur Lutjen e Hyut, të krishterët i mveshin veprimit të Perëndisë gjithçka që nga ushqimi i tyre i përditshëm e deri në ngritjen dhe rënien e mbretërive. Megjithatë gjatë gjithë kohës ata e dinë, sipas roleve të tyre në jetë, se ata janë përgjegjës për të përkujdesurit e fushave të tyre si fermerë apo të qeverisurit e shtetit si sundimtarë. Akti qendror i Perëndisë në histori ka qenë mishërimi në Jezu Krisht, dhe Jezu Krishti vazhdon të sundojë si Hyu i historisë. Të krishterët filluan të flisnin shumë herët në historinë e kishës për planin e përjetshëm të Perëndisë për shpëtimin dhe planin e Perëndisë për botën. Kur veprimet njerëzore përmbushin vullnetin e Perëndisë, Perëndia jep bekime; kur ata nuk e bëjnë këtë, Perëndia dërgon gjykimin. Perspektiva e Gjyqit të Fundit erdhi para njerëzve nëpërmjet artit, veçanërisht gjatë periudhës mesjetare dhe asaj të hershme moderne. Providenca e Perëndisë u ka dhënë të krishterëve siguri dhe komoditet në histori, ndërkohë që Gjyqi i Fundit u ka dhënë atyre shpeshherë shkak për t’i zënë drithmat.
LLOJET E KËNDVËSHTRIMEVE. Që nga koha e apostujve e deri më sot, këndvështrimet e krishtera të historisë janë shumuar në të paktën katër lloje mbizotëruese. Të gjitha llojet kanë të përbashkët elementet e cekur përmbledhtazi tashmë – orientimi nga jeta e Jezu Krishtit, mbështjellja e historisë universale dhe personale, një rrëfim i çështjeve në vijim dhe të përsëritura të historisë, dhe kështu me radhë. Ato ndryshojnë, megjithatë, në mënyrën se si i interpretojnë këto elemente dhe në prioritetet dhe thekset që ato u atribuojnë atyre. Të gjitha i drejtohen Jezu Krishtit, Biblës, dhe eksperiencës së historisë së Krishterimit për përligjje.
Katër llojet e këndvështrimeve janë ai milenaris (mijëvjeçarit), eklezistik (kishtar), reformues/ripërtëritës, dhe mistik. Lloji milenaristi të kuptuarit të historisë u shfaq mjaft shpejt në mesin e të krishterëve të hershëm dhe është rishfaqur periodikisht përgjatë historisë së krishterë deri në kohën e sotme. Milenaristët, apo ‘kiliastët’, theksojnë të ardhmen e historisë dhe të eskatologjisë. Ata janë thellësisht të ndërgjegjshëm për mundimet e botës së tashme. E shohin rikthimin e Jezu Krishtit si mjet i shpëtimit, dhe presin që ndryshimi i shpëtimit të jetë i beftë dhe tërësor. Emri i tyre vjen nga sundimi i profetizuar një mijë vjeçar i Krishtit në fundin e historisë, dita e shtatë eskatologjike pas gjashtë ditëve të historisë botërore. Burimet e tyre të shkrimeve të shenjta janë Libri i Danielit, kapitulli 24 i Ungjillit të Mateut, dhe Libri i Zbulesës. Mijëvjeçaristët më të hershëm (shih Letra e Parë Thesalonikasve)prisnin që rikthimi i Jezuit të ndodhte gjatë jetës së tyre. Lëvizjet mijëvjeçariste përgjatë viteve kanë përfshirë profetët e fundit aty nga viti 1000, disa elementë të Kryqëzatave, Hoakimin e Fiores (vdekur 1202), Burrat e Monarkisë së Pestë (shekulli i shtatëmbëdhjetë), dhe ndjekësit e Xhon Darbit (1800-1882). Në shekullin e njëzetë dhe të njëzetenjëtë pjesa më e madhe e fundamentalistëve dhe e evangjelistëve kanë qenë mijëvjeçaristë. Ata e kanë quajtur veten ‘paramijëvjeçaristë’ për shkak se ata theksojnë rikthimin e Jezuit para shfaqjes së mbretërimit mijëvjeçar të dëlirësisë, dhe ‘dispensionalistë’ për shkak se ata theksojnë mënyrat e larmishme sipas të cilave Perëndia ka ndryshuar mënyrën e të punuarit me botën përgjatë epokave.
Lloji ekleziastik i të kuptuarit të historisë filloi ndërsa të krishterët e hershëm krijuan format institucionale të bashkësisë së kishës dhe ka vazhduar deri në të tashmen me anë të traditave dominante kishtare. Theksi e ekleziastikëve është mbi vijimësinë e historisë e shprehur kjo nëpërmjet një lidhjeje specifike të pandërprerë me Jezuin dhe apostujt (p.sh., vargu apostullor). Ata vënë përballë njëra tjetrës kishën dhe botën, ndërkohë që megjithatë luftojnë për, dhe shpeshherë duke e arritur atë, njëfarë aleance me sundimtarët politikë dhe njëfarë depërtimi në kulturën e përgjithshme me zakonet ekleziaste të krishtera. Besojnë se shpëtimi vjen pikë së pari me anë të punës së Perëndisë nëpërmjet kishës, veçanërisht në sakramentet dhe në predikim. Vlerësojnë ndërtimin e institucioneve, mirëmbajtjen, dhe stabilitetin, si dhe kërkojnë të kontrollojnë ndryshimin. Burimet e tyre biblike janë letrat e Palit, sidomos ajo drejtuar Romakëve. Këndvështrimi ekleziastik doli krye me shfaqjen e peshkopëve dhe organizatës ekleziastike siç tregohet me hollësi nga Eusebius. Papati, këshillat e kishës dhe Jezuitët janë disa prej atyre që përjetësuan këtë këndvështrim. Në shekullin e njëzetë dhe atë të njëzetenjëtë, katolikët romakë, anglikanët, ortodoksët dhe luteranët standardë, janë shembull i këtij lloji.
Lloji reformues/ripërtëritës i të kuptuarit të historisë ka ecur krah për krah me llojin ekleziastik përgjatë gjithë historisë së Krishterimit. Theksi i këtij lloji të tretë ka qenë mbi ripërtëritjen dhe përsëritjen, tok së bashku, ose me një rikthim në njëfarë të kaluare normative ose në një rinovim drejt një të ardhmeje më të mirë. Ithtarët e tij merren me kapërcimin e rrënimit shpirtëror ose moral dhe shpeshherë marrin një qëndrim kundër strukturave dominante. Ata e shohin punën shpëtimtare të Perëndisë veçanërisht në reformën institucionale apo ringjalljen personale shpirtërore. Presin që nevoja për ndryshim të jetë periodike, apo ashtu siç e ka shprehur motoja e një rryme brenda Reformimit Protestant, ata kanë për qëllim të jenë ‘gjithnjë reformues’. Reformatorët janë konvertuar pa vështirësi në llojin ekleziastik (në një formë konservatore) sapo reformat e tyre janë ngritur me themel. E gjejnë frymëzimin e tyre të shkrimeve të shenjta nga motivi i Palit i krijimit të ri te letra drejtuar Romakëve dhe Kolosianëve. Disa prej lëvizjeve të shumta që e kanë parë historinë në këtë mënyrë kanë qenë benediktinët e hershëm, françeskanët e hershëm, murgjërit Kluni, kalvinistët dhe luteranët e hershëm, metodistët e hershëm, dhe në kohët e fundit, ripërtëritësit evangjelik dhe Kuperianët reformatorë. Lëvizja Pentekostale e shekullit të njëzetë ka qenë një ripërtëritëse kryesore që thekson vërshimin e Shpirtit të Shenjtë dhe restaurimin e shpirtit të papërlyer të Krishtit. Teologët e çlirimit në Amerikën Latine janë një tjetër shembull i këtij lloji.
Lloji mistik i të kuptuarit të historisë u shfaq gjithashtu në kohë të hershme dhe është rishfaqur periodikisht përgjatë gjithë historisë së krishterë. Mistikët rreken të kapërcejnë kursin e historisë së kësaj bote, duke e lënë pezull veten, deri në një farë mase, mbi procesin e të kaluarës – të tashmes – të ardhmes. Ata kanë pasur prirjen të dënojnë dhe të zvogëlojnë rëndësinë e historisë së botës si dhe të kërkojnë shpëtimin me anë të bashkimit me një tjetër mbretëri. Ata kanë pasur si shpresë të tyren të kapërcejnë ndryshimin, e megjithatë nëpërmjet gjithë kësaj, ata kanë pasur gjithashtu si qëllim në mënyrë të ndërgjegjshme të ushtrojnë një ndikim mbi punët e botës. Vizioni i Gjonit te Zbulesa i frymëzoi ata nga ana biblike. Shembuj të shquar të llojit mistik janë shenjtorët shtyllë (stilitët) të Sirisë, rendet medituese, tradita neoplatonike, Majster Ekhart (vd. 1327?), Tereza e Vilas (vd. 1582), Jakob Boehme (vd. 1624), dhe Kuakerat e hershëm. Shumë të krishterë në shekullin e njëzetë dhe atë të njëzetenjëtë kanë mirëpritur ndikimin e mistikëve budistë dhe hindusë mbi praktikën e krishterë të meditimit dhe të lutjes.
RËNIA DHE PËRTËRITJA E PERSPEKTIVAVE TË KRISHTERA. Aty nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, si pjesë e fazave të hershme të sekularizimit të mendimit dhe shoqërisë evropiane, të shumtë ishin ata që filluan të vinin në pikëpyetje këndvështrimet e krishtera. Në veçanti, industrializimi kapitalist, fuqitë e reja të shkencës dhe teknologjisë, dhe mendimi i filozofëve të ndryshëm si Dejvid Hjum, Volteri dhe Zhan-Zhak Ruso u ndërthurën duke ndjellur një besim të ri në njerëzim dhe në fuqitë njerëzore të kontrollit, kreativitetit dhe arsyes. Kjo i dha mbështetje bindjeve të reja që kjo botë (saeculum) ishte finale dhe se historia ishte një progres drejt përmirësimit njerëzor.
Pasoja praktike e tendencës sekularizuese mbi këndvështrimet e krishtera të historisë ka qenë nënvizimi i dy grupeve të dallimeve. Së pari, të krishterët u fokusuan më ngushtësisht mbi historinë e kishës dhe patën prirjen ta konsideronin historinë e pjesës tjetër të jetës si një shqetësim sekular i trajtuar siç duhet nga studiuesit që veprojnë si historianë sekularë dhe jo si historianë të krishterë. Kjo kontribuoi në krijimi e llojeve të specializuara të historisë, siç janë historitë e politikës, artit, dhe çështjeve ekonomike, dhe e trajtonin historinë e kishës thjesht si një tjetër specializim. E dyta, të krishterët filluan të formulonin një teologji të historisë – në dallim nga një filozofi e historisë. Në duart e filozofëve si Volteri, J. G. Herder, G. W. F. Hegel, dhe një mori mendimtarët të kohëve më të fundit si ata të shkollës analitike britanike, reflektimi mbi historinë botërore mund të shfaqet se është një ushtrim mjaft i largët nga ajo që teologët bënë kur ata menduan në lidhje me burimet biblike, Jezu Krishtin dhe eksperiencën e krishterë.
Kësisoj, një dallim ndërmjet historisë së shenjtë dhe asaj profane u bë më i theksuar. Historianët dhe teologët e kishës filluan ta shihnin veten, dhe të shiheshin nga të tjerët, si sociologjikisht të mënjanuar nga historianë të tjerë dhe studiues të tjerë të fesë. Ata zakonisht e gjenin veten të punësuar në seminare, shkolla teologjie, dhe kolegje të krishtera, ose të ndarë nga universitetet ose në fakultete të tjera brenda universiteteve. Ata shoqëroheshin me njëri tjetrin në institucione profesionale të specializuara të ndara organizativisht nga shoqëritë e përgjithshme studimore. Nga perspektiva e kulturës së përgjithshme, njerëzit zakonisht filluan ta shihnin kishën si thjesht njëri nga institucionet e shumta, me rezultatin se domethënia e këndvështrimeve të krishtera rreth historisë ndaj jetës si një tërësi nuk mund të merrej më si e mirëqenë. Liturgjia dhe të predikuarit vazhduan në ritmin e tyre ciklik si mjetet parësore për transmetimin e këndvështrimeve të krishtera rreth historisë, por me një ndarje të brendshme të historisë së krishterë nga historia e jetës në tërësi, e quajtur kjo tashmë histori sekulare. Historianët, përfshirë ata që dhe vetë ishin të krishterë, zbuluan se ata mund të shpjegonin me lehtësi kursin e përkohshëm të historisë vetëm në termat e veprimeve njerëzore në sferën e mjedisit natyror, pa referencë ndaj veprës së Perëndisë dhe atij të Ligut. Këtë ata e bënë mjaft ndarazi nga besimi i tyre ende operues në veprimtarinë e Perëndisë në histori dhe nga çdo vizion i krishterë i historisë universale. Teoritë dhe zbulimet e gjeologjisë, biologjisë, astronomisë dhe ‘parahistorisë’ janë një rast bindës se historia e botës ka ndodhur ndoshta tashmë në miliona vite pavarësisht nga përllogaritjet e mëparshme të respektuara të krijimit të botës të bazuar në Zanafillë. Vështirësia, në mos pamundësia, e parashikimit të vërtetë përtej të ardhmes më të afërt i bëri vizionet e krishtera të së ardhmes eskaton të dukeshin të papesha ndaj kursit të historisë, në mos thjesht të gabuara.
Megjithëkëtë, në shekullin e njëzetë dhe të njëzetenjëtë shumë historianë, filozofë, teologë, shkrimtarë dhe studiues biblikë kanë udhëhequr një ripërtëritje të spikatur të këndvështrimeve të krishtera rreth historisë. Ata kanë ardhur nga një larmi e gjerë e traditave të krishtera, përfshirë katolikët romanë, anglikanët, metodistët, të reformuarit, ortodoksinë rusë, baptistët dhe të tjerë. Emra të shquar që nga vitet 1930 janë Reinhold Niebuhr, Herbert Butterfield, Arnold Toynbee, T. S. Eliot, C. S. Lewis, Christopher Dawson, dhe Georges Florovsky. Pas Luftës së Dytë Botërore, ripërtëritja u bë pjesë e lëvizjeve ripërtëritëse të përgjithshme ekumenike dhe të kishës që lidheshin me Këshillin Botëror të Kishave (pas vitit 1948), Këshillin e Vatikanit të Dytë (1962-1965), dhe rishfaqjen e evangjelizmit dhe Pentekostalizmit. Disa tendenca në lidhje me këndvështrimet e krishtera rreth historisë janë bërë të rëndësishme që nga vitet 1970, edhe ndërsa katër llojet e mëdha të këndvështrimeve vazhduan. Së pari, të krishterët theksuan nevojën për të integruar këndvështrimet e krishtera rreth historisë me vetëdijen e tyre të saposhfaqur rreth diversitetit të Krishterimit anembanë botës, dhe me vlerësimin e tyre të ripërtëritur të karakterit vërtet universal të historisë. Së dyti, shumë historianë që kanë qenë të krishterë, eksploruan se si kuptimet e krishtera në lidhje me qeniet njerëzore dhe ekzistencën tokësore mund të nënkuptojnë përqasje ndaj studimit historik të të gjitha fakteve të historisë, përfshirë, krahas kishave, historinë e politikës, marrëdhëniet gjinore, klasat shoqërore, çështjet ekonomike, artin, teknologjinë, familjet, mjedisin, klimën, dhe kështu me radhë. Së treti, ndeshja e vazhdueshme me fetë e tjera të botës, veçanërisht me Hinduizmin, Budizmin, Islamin, Judaizmin dhe fetë kryesore, ka bërë që i krishteri të rivlerësojë kuptimin e pretendimeve se Krishterimi është një fe e historisë. Së katërti, eksperienca e feve sekulare të humanizmit, kapitalizmit dhe marksizmit ka stimuluar rishikimet e këndvështrimeve të krishtera rreth historisë si një mënyrë e të ndihmuarit për të kapërcyer shtypjen ekonomike, sociale dhe politike dhe për të promovuar mirëqënien e mbarë bashkësisë njerëzore. Së pesti, shpërbërja e mënyrave dominante të historisë shkencore të karakterizuara nga angazhimi ndaj fakteve dhe thekseve mbi elitat hegjemone i ka rivalizuar trajtesat mbi metodat historike dhe epistemologjinë, trajtesa ndaj të cilave historianët e ripërtërirë nga këndvështrimet e krishtera rreth historisë japin kontribute të spikatura.
BIBLIOGRAPHY
Nuk ka asnjë libër të përgjithshëm që të mbulojë të gjitha elementet e këndvështrimeve të krishtera të historisë ashtu siç ato janë grumbulluar në këtë artikull. Historiography: Ancient, Medieval, and Modern i Ernst Breisach, botimi i 2 (Chicago, 1994) trajton këndvështrimet e krishtera si pjesë e rrëfimit të përgjithshëm. Gjëja që i përafrohet më tepër një analize të historisë së këndvështrimeve të krishtera rreth historisë, megjithëse në një rend kohor përsëprapthi, është Meaning in History (Chicago, 1949) e Karl Levvith. Christ and Time (London, 1951) e Oscar Cullmann dhe The Primitive Christian Calendar (Cambridge, U.K., 1952) e Philip Carrington janë paraqitje klasike rreth këndvështrimeve të historisë që gjenden në Dhjatën e Re dhe në Krishterimin e hershëm. Pararendësit çifutë të këndvështrimeve të krishtera mbi historinë prezantohen në In Search of History: Historiography in the Ancient World and the Origins of Biblical History (Nevv Haven, Conn., 1983) të John Van Seters. The Shape of the Liturgy, botimi 2 (Nevv York, 1982), i Gregory Dix, shpjegon se si liturgjia manifeston shenjtërimin e kohës. Mënyra se si kredot recitojnë historinë është evidente në The Creeds of Christendom, bot. 6, 3 vëll. (Reprint edition, Grand Rapids, Mich., 1983) të Philip Schaff. Reaping the VVhirlvvind (Nevv York, 1976) e Langdon Gilkey trajton Providencën, dhe The Christian Hope (London, 1984) e Brian Hebblethvvaite i bën një analizë historisë së eskatologjisë. Nga librat e shumtë mbi Agustinin, Saeculum: History and Society in the Theology of St. Augustine, botim i rishikuar (Cambridge, U.K., 1988) Robert A. Markus është një pikë e mirë referimi.
Përktheu: Arjol Guni
Tags: Historia, Prespektiva e krishtere mbi historine, teorite e krishtera mbi historine Last modified: 07/01/2021