Muhamed Abdul-Rauf

Fragment i shkëputur nga “Trialogue of the Abrahamic Faiths”, edited by Ismail Raji el-Faruqi, El Sadawi Publication, Virginia U.S.A 1991

 Tre nivelet të diskutimit

Së pari, duke qenë feja më e re dhe në vetkuptimin e saj e përcaktuar për të qenë për gjithë njerëzimin, Islami e sheh të nevojshme vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet tij dhe feve të tjera, e përmes tyre me gjithë njerëzimin. Së dyti, duke qenë një riafirmim dhe rikristalizim i traditës fetare semite, Islami ka vendosur marrëdhënie me të gjitha fetë semite, d.m.th. me pararendësit e tij brenda kësaj tradite. Së treti, Islami ka vendosur marrëdhënie, në një mënyrë të veçantë, me Krishterimin dhe Judaizmin, kjo sepse në vetkuptimin e tij ai e sheh veten në një afërsi të madhe me to. Rrjedhimisht, Islami e ka lidhur veten me judaizmin dhe krishterimin në të tre nivelet: si njerëz, si trashëgimtarë të traditës fetare semite dhe si judenj dhe të krishterë. Kjo marrëdhënie, duke pasur parasysh atë që thamë më parë, është pjesë e natyrës dhe thelbit të Islamit. Nuk ka Islam pa të, siç do të shohim në vijim.

 A. Niveli njerëzor ose universal

Islami pohon ekzistencën e kahershme të religjionit natyror, një religious naturalis i mirëfilltë, i cili është dhurata që Zoti i ka bërë njerëzimit. Ai është quajtur din el fitrah, ose ndryshe feja e natyrshme, e krijimit. Të gjithë njerëzit janë të pajisur me të pa përjashtim: ajo gjendet me ta që në lindje. Është pjesë përbërëse e personalitetit të tyre, e thelbit të qenies së tyre. Zoti e ka quajtur këtë “feja e Tij” dhe i ka urdhëruar të gjithë njerëzit ta nderojnë dhe të jenë pjesë e saj. “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzitS’ka ndryshim të krijimit të Allahut” (Kuran 30:30). Islami e ka identifikuar këtë Ur-Religion si një dhuratë e arsyes, të kuptuarit dhe dhuntive kritike njerëzore. “…vetëm të diturit arrijnë ti arsyetojnë dhe ti kuptojnë ato (argumentet).” (Kuran 29:43). Islami i sheh këto shqisa njerëzore si rrugë të dijes (Kuran 90:8-10; 2:269); të përbërësve kryesor të saj siç është gjuha dhe shkrimi (Kuran 96:1-5; 68:1). Të gjitha këto janë “perfeksione” të krijuara nga Zoti, dhurata të Tij, në mënyrë që njeriu ta bëjë veten të lumtur përmes përdorimit të tyre. Zoti ka urdhëruar që përdorimi i gjithë këtyre dhuntive dhe perfeksioneve të bëhet me përgjegjësi; d.m.th. ato duhet të dërgojnë për tek feja e Zotit, ndjekja e së cilës përbën vetë lumturinë. “Vërtetë, dëgjimi, shikimi, dhe të kuptuarit [të gjitha dhunti të njohjes] duhet të jenë të përgjegjshme” (Kuran 17:36).

Përmbajtja e fesë së natyrshme është universalisht e domosdoshme për tu përmbushur. Të gjithë njerëzit duhet ta përmbushin atë, duke qenë se ato janë pajisur që në lindje me gjithçka që nevojitet për këtë detyrë. Për këtë arsye ajo përbën raison d’etre-në e tyre. Përbërësi i saj i parë është njohja se Zoti është me të vërtetë Zot; se askush tjetër nuk është i tillë. Pjesa tjetër e përmbajtjes së saj vërtitet rreth raportit të krijesave kundrejt Krijuesit, që nuk mund të jetë tjetër vetëm se një marrëdhënie adhurimi dhe shërbimi. “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë” (Kuran 51:56). Është ndjekja modelit të Tij, i njohshëm nga arsyeja, me të cilën ai i ka pajisur të gjithë njerëzit. Kështu që asnjë njeri nuk mund të gjej justifikim për kufrin (mohimin) ndaj Tij. Asnjë njeri nuk mund të justifikohet për shirkun ose idhujtarinë e tij. Pranimi dhe njohja e Zotit si Zot është një çështje që i përket çdokujt, prerogativë e çdokujt, mundësi e çdokujt dhe detyrë supreme e çdokujt. Islami nuk ka vend për ato teori apo religjione të cilat bëjnë diskriminim, që në lindje, ndërmjet qenieve njerëzore, duke i konsideruar, për nga natyra, disa të aftë dhe disa të paaftë për ta njohur Zotin. Me doktrina të tilla, këto teori apo religjione, i shfajësojnë ato të cilët i konsiderojnë të paaftë për përmbushjen e detyrës supreme të njohjes dhe adhurimit të Zotit të vetëm. Në këtë mënyrë ato i zhvatin njerëzit nga të qenit njerëz. Në fakt, çdo tolerancë e treguar në këtë pikë nënkupton mohimin e normativitetit të unitetit hyjnor, e që këtej të bëhesh pjesëmarrës në dështimin e këtij synimi. Për nga përkufizimi, ai (normativiteti i unitetit hyjnor) nuk pranon asnjë përjashtim. Ndonëse ai nuk detyron askënd për të ndjekur parimet e tij, gjithsesi, ai është kategorikisht kundër dhe domosdoshmërish dënues, ndaj atyre që e shkelin atë, lejojnë apo tolerojnë dhunimin e tij. Ai është domosdoshmërish prozelitizues dhe misionar për nga natyra. Islami e ka identifikuar atë me fenë e natyrshme (Kuran 2:19). Zoti e ka quajtur atë “feja” dhe e ka shpallur atë si të Tijën (Kuran 2:132). Për këtë arsye Islami e paraqet çështjen e tij si një kërkesë e natyrës njerëzore, një kërkesë e domosdoshme e arsyes, një e vërtetë kritike (Kuran 22:78).

Universalizmi i religio naturalis, gjen mbështetje të mëtejshme edhe në kuptimin islam të historisë. Islami pohon se Zoti nuk e ka lënë asnjëherë njerëzimin të mbështetet vetëm tek forcat e veta në lidhje me çështjen e njohjes së tij si Zot dhe Krijues. Në mëshirën e Tij, Ai ka dërguar profetë për ti përcjellë njerëzimit mesazhin e Tij hyjnor.”… e nuk pati asnjë nga popujt që nuk pati të dërguar”… Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” (Kuran 35:24; 16:36; 25:51); “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” (21:25). Kështuqë, të gjitha justifikimet janë të refuzuara. Pavarësisht se në ç’mënyrë njerëzit mund të kenë mohuar humanitetin e tyre duke refuzuar të perceptojnë të vërtetën hyjnore, të transcendencës dhe unitetit të Tij, ato janë informuar në mënyrë të mjaftueshme nga një profet të dërguar nga Zoti për ti mësuar atë të vërtetë në gjuhën e tyre (Kuran 14:4).

Në këtë mënyrë, Islami i njeh të gjithë hebrenjtë dhe të krishterët si krijesa të Zotit, të cilëve Zoti i ka bekuar me dhuntinë e arsyes dhe të kuptuarit, e mjaftueshme për të njohur Atë në transcendencën dhe unitetin e Tij. Pajisur me këto dhunti, ato duhet të kenë njohur Zotin si Zot, një, transcendent dhe përfundimtarë. Për më tepër Islami njeh se të gjithë krishterët dhe hebrenjtë kanë marrë prej Zotit mesazhe profetike të së njëjtës natyrë si ato të Islamit, kështu që nëse p.sh., per impossibile, ata kanë humbur dhuntitë natyrore dhe të domosdoshme për njerëzit, ajo i është dhënë, si një dhuratë nga Zoti, përmes profecisë. Si të tillë, hebrenjtë dhe të krishterët janë njerëz të fesë së vërtetë, din el-fitra. Asnjë mysliman nuk mund ta mohojë këtë fakt të natyrës pa kundërshtuar, në këtë mënyrë, Kuranin dhe refuzuar Islamin. Njohja e kësaj të vërtetë është pjesë e fesë së tij. Si pasojë, fetarisht duke folur, myslimanët pranojnë se të krishterët dhe hebrenjtë janë dyfish të pajisur me fenë e Zotit, një përmes dhuntive natyrore dhe domosdoshmërish universale dhe tjetra nga bujaria e Zotit shfaqur përmes profetëve.

B. Niveli i traditës Semite

Ndryshe nga niveli i parë në të cilin Islami i shihte hebrenjtë dhe të krishterët si de juro zotërues të fesë së vërtetë, përmes lindjes së tyre si qenie njerëzore dhe si marrës së profecisë universale, ky nivel i sheh ato si zotërues së fesë së vërtetë përmes trashëgimisë që ato i kanë bërë traditës fetare semite. Nëse flasim fetarisht, hebrenjtë dhe të krishterët janë të një tradite të mirëfilltë fetare, ndoshta më e madhja duke pasur parasysh numrin e profetëve. Historia i njeh ato si të tillë. Është e vërtetë që të jesh trashëgimtar i një trashëgimie është më shumë një çështje rastësie se një çështje domosdoshmërie. Trashëgimia historike mund të refuzohet apo braktiset dhe mund të përftohet një tjetër identitet. Të jesh pjesë e një trashëgimie të caktuar është një zgjedhje personale. Por fakti se hebrenjtë dhe të krishterë kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj trashëgimie dhe e kanë njohur atë si të tyren është i pamohueshëm. Prandaj Islami i ka njohur si pjesëmarrës në religjionin e Zotit. Është e vërtetë, ato duhet fillimisht ta pranojnë trashëgimin dhe ta njohin si trashëgimia e fesë së Zotit, por ato që e bëjnë këtë, Islami i nderon si zotëruesit e fesë së vërtetë.

Tradita semitike e fesë, pohon Islami, ka filluar me Nuhun (Noe). “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun”, pohohet në Kuran (42:13). “Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe fëmijët e Imranit…Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët para tij… Adin, Themudin dhe shumë të tjerë që vetëm Zoti i njeh të cilët erdhën pas tyre dhe rreth të cilëve ne nuk të kemi treguar, atyre (njerëzve) ne u kemi sjellë profetët Tanë… që të mos ketë asnjë dyshim në Zot, Krijuesin e qiejve dhe të tokës… ne i ke përfshirë ato të gjithë në mëshirën tonë…ne i kemi rehabilituar dhe udhëzuar ato në rrugën e drejtë. (Kuran 3:33; 4:163; 21:85; 6:86). Historia e lashtë dhe arkeologjia i kanë shtuar përveç atyre që Kurani ka përmendur edhe emrat e Sargonit, Ishtarit, Hamurabit dhe të tjerëve të cilët kanë përhapur mesazhin e marrë nga qielli dhe i kanë bërë thirrje të gjithë njerëzve që ta ndjekin atë në besim tek Zoti.

Feja e pasardhësve të Nuhut përbëhet nga principe të cilat janë afirmuar në mënyrë të përsëritur nga të gjitha revelatat Semite. I pari ka të bëjë me transcendencën e Zotit, afirmuar në ndarjen ontologjike nga pjesa tjetër e krijimit. E dyta është relevanca e Zotit për krijimin, gjë që përbën raison d’être-në e tij, qëllimin dhe përmbushjen, normën përmes së cilës duhet të zhvillohet krejt jeta njerëzore. E treta është se kjo relevancë hyjnore është e njohshme për njeriun, qoftë përmes hyjnizimit (d.m.th. duke lexuar në të shenjat e natyrës), shkencës (d.m.th. ta zbulosh atë në modelin e paimitueshëm të ligjeve natyrore), apo profecisë, vullneti i drejtpërdrejt i Zotit shprehur përmes fjalëve, të gatshme për tu rrokur nga mendja njerëzore.  E katërta është se qenia njerëzore është e aftë të përmbush urdhëresat hyjnore, si pasojë e dijes, aftësisë për të vepruar dhe nënshtrimit të natyrës njeriut, aftësi këto të dhuruara nga Zoti.  E pesta dhe e fundit është se qenia njerëzore është e përgjegjshme dhe, në këtë mënyrë, e nënshtruar ndaj gjykimit; ndaj shpërblimit në rast pajtimi me urdhëresat dhe ndëshkimi në rast devijimi prej tyre. Këto pesë principe janë thelbi dhe themeli i religjiozitetit semitik, që nga Nuhu deri tek Muhamedi. Te gjithë ata që i përkasin traditës semitike i njohin këto principe pavarësisht nga fakti nëse i zbatojnë apo jo ato në jetën e tyre të përditshme. Përmes kësaj, hebrenjtë dhe të krishterët e vendosin pohimin e tyre se i përkasin fesë së Zotit. Njohja e këtij fakti është pjesë përbërëse e besimit islam.

C. Niveli i veçantë i Judaizmit dhe Krishterimit

Njohjet e lartpërmendura, të padyshueshme dhe të pandryshueshme për myslimanët për arsye se vijnë në formë proklamimi në Kuran, përforcohen përmes një përligjjeje të tretë: lloji direkt. Dy nivelet e para preknin këtë përligjje duke shpalosur fillimisht principet e duke deklaruar më pas se hebrenjtë dhe të krishterët ishin konkretizim i tyre. Niveli i tretë përballet me hebrenjtë dhe të krishterët në vetë të qenurit thelbësor të tyre dhe i sheh ato si të justifikuara në sytë e Zotit. “Ata që besojnë, hebrenjtë, të krishterët dhe sabi’inët-kushdo prej tyre që beson Allahun dhe jetën tjetër, dhe bën vepra të mira, do të shpërblehen nga Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo të pikëllohen! (Kuran 2:62; 5:72); Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një. Ne të gjithë i nënshtrohemi Atij. (Kuran 29:46); Thoni (o myslimanë): Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve, në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre dhe vetëm Allahut i përulemi. (2:136).

Kjo përbën më shumë se sa një përligje për Judaizmin dhe Krishterimin. Ajo përbën ngjashmëri dhe njëzëshmëri të Judaizmit dhe Krishterimit me Islamin. Përbën vetidentifikim me ta. Natyrisht justifikim më të madh se ky nuk mund të gjendet. Islami e sheh Zotin e Judaizmit dhe Krishterimit si Zotin e tij, profetët e tyre ti të tijët, revelatat dhe shkrimet e tyre si revelatat dhe shkrimet e tij. Islami i sheh këto dy religjione dhe veten e tij si të lidhur përmes vëllazërisë fetare. Asgjë më tepër se kaq nuk mund të kërkohet apo dëshirohet. Njësoj si nivelet e tjera të përligjes, edhe ky nivel e ka mbështetjen në Kuran, që sipas të gjithë myslimanëve e ka origjinën nga Zoti, verbatim.

Ky unitet, madje identitet, i tre religjioneve bën që myslimani ti shohë hebrenjtë dhe të krishterët si vëllezër të tyre në fe. Natyrisht ekzistojnë edhe mospajtime ndërmjet tyre, por nën kupolën e besimit në Zot dhe të qenurit pjesëtarë të fesë së Tij, të gjitha mospërputhjet shihen si probleme brenda familjes. Në fakt, nuk gjendet qoftë edhe një kriticizëm i vetëm, që myslimanët kanë drejtuar ndaj Judaizmit dhe Krishterimit apo ndaj ndjekësve të këtyre feve që hebrenjtë dhe të krishterët të mos e kenë bërë nga ana e tyre ndaj traditës të cilës ato i përkasin. Dëshira fetare që Islami pret në lidhje Judaizmin dhe Krishterimin është e njëjtë me atë që kanë pasur një mori hebrenjsh dhe të krishterësh gjatë shekujve. Islami i ka kritikuar hebrenjtë për dështimin e tyre në ndjekjen e torahut (teurat) (Kuran 5:71), vetëkënaqësinë morale (5:20), për legalizimin dhe autoritarizmin e ekzagjeruar të rabinëve (9:31; 3:50), për shtrembërimin e teksteve të revelatës (4:45; 5:14). Këto janë cene që asnjë historian i ndershëm nuk mund ti mohoj. Mbi të gjitha, Islami asnjëherë nuk e ka dënuar popullin hebre in toto, duke qenë se tekstet kritike qëndrojnë krahë për krahë me ato të cilat përligjin hebrenjtë, duke i konsideruar si myslimanët ashtu edhe të krishterët si zotërues të autoritetit hyjnor. Në mënyrë që të davarisë çdo hutim, Kurani në mënyrë të qartë bën dallim ndërmjet të drejtëve dhe të padrejtëve. (3:113-114)

Përsa i përket Krishterimit dhe të krishterëve, Islami i kritikon ato për hyjnizimin e Jezusit (9:30), si edhe për doktrinën e trinitetit (4:171-172), apo për murgërinë (57:27) dhe për ekzagjerim në çështjet e fesë (4: 171). Por ai në po të njëjtën mënyrë i ka lavdëruar të krishterët për përunjësinë dhe altruizmin e tyre, drojën ndaj Perëndisë dhe i ka deklaruar ata më të afërt me myslimanët falë dijes, devotshmërisë dhe se nuk janë kryeneç (5:82). E vërtetë, Islami i refuzon pohimet e krishtera se tekstet e shkrimeve të shenjta janë raportime plotësisht të sakta të mesazhit që Jezusi ka përçuar. Në këtë, si dhe në kriticizme të tjera, Islami nuk është i vetëm. Një mori shkollarësh biblik dhe teologësh kanë thënë të njëjtën gjë në lidhje me këtë çështje. Madje edhe ndërmjet “etërve apostolik”, e sigurisht në “etërit nicejanë, anti dhe post nicejanë, e shumë të tjerë më pas gjejmë të pohuar pak a shumë ekzaktësisht atë që ka deklaron edhe Islami.

Tani që kam shpalosur mënyrën se si i sheh Islami, Krishterimin dhe Judazimin si dhe ithtarët e tyre, unë dëshiroj ta mbyll këtë shqyrtim duke shpjeguar se çfarë ne myslimanët kërkojmë prej hebrenjve dhe të krishterëve. Më parë i dëgjuam ligjëruesit e shquar të cilët na treguan se çfarë kishin thënë disa prej hebrenjve dhe të krishterëve në lidhje me Islamin dhe myslimanët. Ishte pak zhgënjyese. Një prirje fetare kundrejt myslimanëve që përbëjnë pothuajse një të katërtën e qenies njerëzore nuk mund të varet nga opinioni i një shkollari apo teologu, autoriteti i të cilit për nga natyra është i kufizuar. Ne e përshëndesim dhe e falënderojmë Vatikanin për bërjen e një hapi përpara dhe nxitjes së një qëndrimi zyrtar të krishterimit ndaj Islamit dhe myslimanëve, në konçillin e dytë të Vatikanit. Ndonëse ai nuk ia arriti krejtësisht qëllimit për të përligjur Islamin, gjithsesi, ndryshimi i qëndrimit është një hap i madh përpara. Asgjë e tillë nuk ka ardhur ende nga ndonjë grup autoritativ protestant siç është p.sh. Këshilli botëror i kishave (World Council of Churches), Këshilli kombëtar i kishave (National Council of Churches) nëpër botë, nga ortodoksia greke, ruse, apo nga çdo Sanhedrin po këshill rabinik. Thirrja e Zotit ndaj të krishterëve dhe hebrenjve qëndron, si a propos dhe e domosdoshmëri, sot njësoj si në ditën e parë kur është bërë: “Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do ti shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se njeri-tjetrin nuk do ta mbajmë për zot në vend të Allahut” (3:64). Është e nevojshme për dialogun që Islami të njihet fetarisht nga Judazimi dhe Krishterimi si një formë legjitime religjioni. Përsa kohë ky pohim nuk është bërë, myslimanët do të jenë gjithnjë më lart dhe kolegët hebrenj dhe të krishterë përsa i përket vullnetit të mirë dhe kooperimit.

Përktheu: Rezart Beka

Last modified: 01/10/2014
Close