Në sa vijon, unë trajtoj trishtimin në islamin klasik. Duke qenë se ka pak kërkime mbi temën e emocioneve në Islam, shënimet e mia këtu janë thjesht eksploruese.[1] Këtu, kur vjen puna tek trishtimi, unë bëj përpjekje për të sugjeruar dy tendenca: njëra tendencë që i bën jehonë stoicizmit mbi emocionet, dhe tjetra neo-platonizmi. Pa dyshim, hulumtime të mëtejshme do të zbulojnë tendenca të tjera, përfshirë edhe atë që i bën jehonë aristotelianizmit. Vlen gjithashtu të përmendet se qëndrimet fetare karshi emocioneve kanë një relevancë të madhe për periudhën e sotme. Ka nga ata që i shohin emocionet si të barazvlefshëm me epshet (sheheuat), duke e bërë të rëndësishme ndrydhjen e tyre në mënyrë që njeriu të bëhet i kënaqshëm për Zotin, ndërkohë të tjerë i shohin ato si një mjet nëpërmjet të cilit një popull krijon lidhje të forta, si fjala vjen, shprehjet kolektive të trishtimit në lidhje me një tragjedi kombëtare si një shenjë e devotshmërisë së përbashkët.
Qëllimi ynë këtu nuk është që të përkufizojmë emocionet, por është e rëndësishme që të lëmë të kuptohet se emocionet janë një lloj i dijes. Ata na tregojnë shumëçka në lidhje me vetë ne. Ato gjithashtu na tregojnë shumëçka për të tjerët. Në varësi të motivit, emocionet mund të kenë pasoja pozitive ose negative. Zemërimi, fjala vjen, na ndihmon që të arrijmë qëllime afatgjata nëse drejtohet kundër prirjeve tona afat-shkurtra për dembelizëm. Por ai gjithashtu mund të jetë shkatërrimtar kur ne e drejtojmë atë kundër të tjerëve si një mënyrë për të justifikuar ekzistencën tonë, sikurse veproi Kaini me Abelin.
Pikëllimi nuk qëndron më vete, por shoqërohet nga një mori konceptesh: hidhërimi, dhimbja, depresioni, frika, ankthi, lotët, etj… Sikurse me emocionet e tjera, pikëllimi nuk është diçka që ne e kemi nën kontroll. Ai nuk është një veprim i vullnetshëm. Mund të jetë një funksion i frymës, por ka impakt trupor, sidomos në tiparet e fytyrës. Dhe megjithatë, të jesh i trishtuar nuk ka thjesht të bëjë me të qenit emocional. Njëlloj si me emocionet e tjera, edhe kjo i jep formë sjelljes dhe vendimeve tona. Mund të na çojë në dëshpërim ose të na zgjojë nga një gjendje e plogështisë. Të jesh i trishtuar nuk do të thotë se ke besim të dobët. Dhe as nuk është gëzimi domosdoshmërisht një shenjë e besimit të fortë. Marrëdhënia ndërmjet emocioneve dhe qëllimeve të fesë është e ndërlikuar. Çfarë vendi zënë emocionet në jetën e besimtarëve dhe në jetën e bashkësisë së besimtarëve? Libri i Psalmeve është njëra nga pikënisjet për këtë diskutim. Ai i drejton emocionet tona krshi Perëndisë, duke i bërë ato një lloj lutjeje. Duke shprehur emocionet tona ndaj Perëndisë, ne jemi në gjendje të ecim përpara drejt një gjendjeje më të mirë. Kjo duke qartë më së miri në Librin e Vajtimeve. Narratori ia fillon duke shprehur pikëllim për humbjen e Jeruzalemit, duke e përmendur qytetin për t’iu përgjëruar perëndisë në trazimin emocional dhe që të “derdhni zemrën tuaj si ujë përpara Perëndisë’ (Vajtimet 2:19). Kjo lëvizjeje katarsisi i jep hov përkujtimit mëshirave të Perëndisë, dhe, në këtë mënyrë, shpresave të ripërtërira. Perëndia afrohet dhe e udhëzon popullin e tij që të mos kenë frikë (Vajtimet 3:57).[2] Kështu, shprehja emocionale, trishtimi, është jetik për ripërtëritjen e besëlidhjes me Perëndinë.
Ka shumëçka për t’u marrë në konsideratë kur vjen puna tek emocionet dhe qëllimet e fesë. Qëllimi ynë këtu është mjaft modest: dy tendenca në islamin klasik që i bëjnë jehonë të menduarit mbi emocionet në filozofinë antike.
Tendenca e parë ilustrohet më së miri në veprën e dijetarit të shekullit të katërmbëdhjetë Ibn Kajim el-Xheuzije (vd. 1350).[3] Trishtimi parashtrohet në terma negativë. Shfaqja e tij nuk është diçka që mund ta kemi nën kontroll. Pavarësisht nga kjo, ne nuk duhet të biem në trishtim duke qenë se trishtimi nuk ka asnjë rol që të na udhëheqë në udhën e devotshmërisë. Shkolla e dytë ilustrohet me shembullin e veprës së dijetarit të shekullit të njëmbëdhjetë Ebu Kasim el-Kushejriu (vd. 1072).[4] Këtu, trishtimi është një shenjë dalluese e virtytit të përshpirtshmërisë. Trishtimi është vetë gjendja e elitës shpirtërore së kësaj bote. Ata duhet të jenë të trishtuar thjesht si pasojë e faktit që gjenden në këtë botë.
Më duhet të theksoj këtu se këto tendenca nuk janë të padepërtueshme nga njëra tjetra. Ka mbivendosje. Dhe unë nuk kam qenë në gjendje që të identifikojë një tendencë të tretë të llojit aristotelian, ku trishtimi shihet se ka një rol në udhën tonë drejt virtytit. Ka shkëndija të një tendence të tillë, por vetëm shkëndija. Nevojitet punë këkrimore e mëtejshme për ta identifikuar atë.[5]
Faktikisht, ka një numër veprash në të cilat trishtimi trajtohet si një kapitull i veçantë apo madje edhe tema kryesore e një traktati të tërë. Termi është huzn, por ka dhe terma ndihmës: hamm (ankth) dhe ghamm (hidhërim). Çfarë i ofrojnë këto emocione, nëse janë të tilla, jetës së besimit të besimtarit?
Ebu Jusuf el-Kindi (vd. 873), i njohur si filozofi i arabëve, ka shkruar një traktat në të cilin ai ka ofruar teknika për të larguar trishtimin. Traktati përshfaq shenjat dhe ngjyrat dalluese të Islamit, por në botëkuptim ai është gjerësisht filozofik. Këtë nuk e them për të nënkuptuar një ndarje ndërmjet mendimit fetar dhe atij filozofik. Ndikimi filozofik është i pamohueshëm, e megjithatë ideja themelore ka jehonë në Islam edhe sot e kësaj dite, pra, se emocionet, si trazira në shpirt, pengojnë rrugën e dijes dhe qëndrojnë në themel të gjendjes së devotshmërisë që njeriu duhet të kultivojë përpara Zotit. Ata të cilët janë injorantë në lidhje me natyrën e vërtetë të gjërave, gjegjësisht, se të gjitha gjërat shuhen, bëhen të atashuar me gjërat dhe, kësisoj, trishtohen kur ato shuhen. Personi i lumtur, i cili e di natyrën e vërtetë të gjerave, nuk është i atashuar me to dhe, kësodore, ai nuk ndjen trishtim. Krahas kësaj, ai është në gjendje të ruajë gjendjen e përnderimit që një besimtar duhet të ketë në jetë, sidomos në lutje.
Në Islamin e hershëm gjenden raportime që nuk janë drejtpërdrejt të influencuara nga mendimi filozofik. Thënë ndryshe, aty vërehet një trashëgimi e relektimit mbi emocionet që lind nga përvojat e myslimanëve. Një bashkëkohës i el-Kindit, një dijetar fetar i shekullit të nëntë që quhet Ibn ebu el-Dun’ja (vd. 894), ka shkruar një traktat mbi ankthin dhe trishtimin. Kjo vepër është përmbledhje e thënieve të njerëzve të devotshëm mbi trishtimin pa shpjegime të sakta, duke e bërë kështu të vështirë se cilën rrymë përfaqëson ajo, nëse përfaqëson një të tillë. E megjithatë, ajo ofron një tablo të qartë në vlerën që i jepej trishtimit në shekujt e parë të Islamit. Çfarë raportimesh ka përzgjedhur Ibn ebu el-Dun’ja për të përfshirë në të dhe përse?
Libri fillon me një hadith që e përshkruan Profetin si “vazhdimisht i trishtuar, gjithnjë i kredhur në mendime, asnjëherë në prehje, kryesisht i heshtur, dhe asnjëherë nuk fliste kur nuk ekzistonte nevoja për ta bërë një gjë të tillë.” A ishte kjo thjesht gjendje e shpirtit të tij profetik? Apo mos vallë nënkupton kjo një preokupim të parreshtur për progresin e besimit? Një tjetër hadith në përmbledhjen në fjalë ofron një perspektivë të qartë. Ky hadith thotë se kur mëkatet e robit bëhen të shumta dhe ai nuk ka asgjë me të cilën t’i shlyejë ato, Zoti e sprovon atë me trishtim në mënyrë që me të të mbulojë gjynahet e tij. Zoti, pra, kërkon ta ndihmojë mëkatarin në pendesën e tij duke i shkaktuar atij pikëllim si një lloj akti pendestarie. Ka gjithashtu raportime mbi trishtimin e Jakupit/Jakobit, i cili përshkruhet se ka qarë çdo ditë që kur Jusufi/Jozefi u largua prej tij, një periudhë prej 80 vjetësh, duke pasur si pasojë humbjen e shikimit. Deri këtu, trishtimi kuptohet në mënyrë pozitive. Dhe vërtet, vihet në dukje se Jakupi/Jakobi ishte njëri nga njerëzit më të nderuar nga Zoti në epokën e tij, dhe megjithatë ai u trishtua gjatë për humbjen e Jusufit. A do të thotë kjo vallë se pikëllimi është i pandashëm nga jeta fetare? Një raportim lë të nënkuptohet se është kështu: një zemër pa trishtim është një rrënojë, si një shtëpi ba banorë. A do të thotë kjo se besimi nuk është i plotë pa trishtim?
Raportime të tjera janë më të kujdesshme në raport me trishtimin. Malik ibn dinari (vd. 748, nga gjenerata e dytë e myslimanëve, pra, tabiin, nga pasuesit e Sahabëve të Profetit Muhamed) transmetohet se ka thënë që trishtimi për këtë botë për hir të kësaj bote e heq ëmbëlsinë e botës tjetër nga zemra. Thënë ndryshe, mos u pikëlloni për gjërat e kësaj bote që të mos humbisni devotshmërinë tuaj për botën tjetër. (Megjithatë, në një tjetër transmetim ai thotë se trishtimi e ka bërë atë të pjekur. Kjo duket se pasqyron historinë e pendesës së tij, që rezultoi nga trishtimi për humbjen e të bijës së tij të vogël mbas një jete të karakterizuar nga shturja). Fudejl ibn Ijadi (vd. 803, një asket i mirënjohur nga Horasani i cili u pendua për jetën e tij të mëparshme si bandit e kaçak) raportohet se ka thënë që gëzimi për hir të kësaj bote e largon ëmbëlsinë e adhurimit; dhe të qenit në ankth për këtë botë e largon tërësisht adhurimin. Thënë ndryshe, adhurimi yt nuk ka asnjë vlerë nëse ti je gjithnjë i shqetësuar me punët e kësaj bote.
Në një tjetër transmetim, thuhet se evokimi që merr një përgjigje nga Zoti është ai që nxitet nga trishtimi. Kjo e bën evokimin një lloj lutjeje, kyç për mëshirën e Zotit (jo ndryshe nga ajo që ne pamë më sipër në lidhje me Librin e Vajtimeve). Në mënyrë të ngjashme, thuhet se nëse dikush niset për të falur namazin me bashkësinë, por mbërrinë shumë vonë dhe trishtohet për faktin se ka mbërritur me vonesë, Zoti i jep atij një shpërblim të dyfishtë, njërin për trishtimin e tij dhe një tjetër që ai do ta kishte marrë për namazin në bashkësi. Nuk është trishtimi në vetvete që rezulton në shpërblim hyjnor, por trishtimi për të dështuarit në kryerjen e detyrave fetare siç duhet (në këtë rast, të qenit në kohë për namazin me xhemat).
Në një transmetim tjetër, thuhet se ai që nuk ka qenë i trishtuar duhet të frikësohet se ai nuk është nga njerëzit e xhenetit, duke qenë se një ajet nga Kurani (K. 35:34), në të cilin banorët e parajsës e lëvdojnë Zotin se i ka larguar trishtimin e tyre, nënkupton se ata e njihnin trishtimin. A ka për nënkuptim kjo në një kuptim human, se ai i cili nuk ka qenë i trishtuar ka një zemër mizore? Njëri nga dijetarët kolosë të Islamit të hershëm, Ibn Abasi, citohet të ketë thënë se trishtimi që largohet nga ata që hyjnë në parajë nuk është trishtim në një kuptim njerëzor. Më saktë, bëhet fjalë për fundin e trishtimit që një besimtar ka në lidhje me mundësinë e hyrjes në ferr. Ai trishtim (frikë) tani merr fund. Të tjerë e shohin atë si trishtim në lidhje me vdekjen. Edhe ajo frikë gjithashtu është pas atyre që përmenden në ajetin e sipërcituar kuranor. Vlen të përmendet se në gjejmë një miriadë transmetimesh që e përshkruajnë Hasan el-Basrin (një figurë e ndritur shpirtërore e shekullit të tetë) në terma të trishtimit. Thënë përmbledhtazi, një besimtar ka ankth dhe është i trishtuar pa reshtur në këtë botë derisa ai të takohet me Zotin. Një transmetim e përshkruan të qenit në këtë botë si një lloj zie (hidad). Kjo nënkupton se ka një humbje. Me fjalë të tjera, jeta këtu do të thotë që të jesh i privuar nga prania e drejtpërdrejtë e Zotit atje.
Ka një mori raportimesh mbi trishtimin në Islamin klasik. A është kjo një ndihmë për jetën e virtytshme në Islam apo një pengesë për të? A është kjo një pengesë për jetën për Zotin dhe, kësisoj, diçka që duhet të kapërcehet, apo mund të shërbejë ajo si një nxitje për jetën në Zot? Me fjalë të tjera, a mund ta mendojmë trishtimin në Islam në terma të vijimësisë me antikitetin klasik dhe skolasticizmin mesjetar me pikëpamjet e tyre të ndryshme mbi marrëdhënien e emocioneve me jetën e virtytshme? Apo mos vallë ne duhet të vihemi në kërkim të një perspektive unike islame mbi çështjen e emocioneve?
Ka një sërë çështjesh që duhet marrë në konsideratë përpara se ne të shtjellojmë idenë e vijimësisë. Çfarë janë emocionet? A janë ato e njëjta gjë si pasionet? A janë ato e njëja gjë si afeksionet? Terma të tillë lipset përkufizuar më parë nëse ne do të mendojmë në lidhje me emocionet në mbarë kulturat. Ka jehona të vijimësisë ndërmjet Islamit dhe antikitetit klasik sa i përket emocioneve, por ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj kontureve teologjike unike që emocionet mund të marrin në Islam. Një gjë të tillë e gjen në Krishterim, dhe kështu, si prelud të refleksionit tonë mbi trishtimin në Islam, do të ishte me vlerë që të harxhonim pak kohë për të shqyrtuar pikëpamjet e krishtera mbi trishtimin, disa që janë në vijimësi me antikitetin dhe të tjera që janë unike të krishtera.
Evagriusi, murg dhe dijetar i shekullit të katërt, e përkufizoi trishtimin si një prej mëkateve vrastare. Ai e shihte atë si të bazuar në një shëmbëlltyrë të rreme të gjërave që ne kemi humbur, fjala vjen, një e kaluar e lumtur që ne sot e idealizojmë dhe ndihemi të trishtuar për të për shkak se ne atë e kemi humbur nduarsh. Por të gjitha gjërat kalojnë. Të ndihesh i trishtuar për humbjen e të shkuarës është, pra, një dëshirë e kequdhëzuar. Ne duhet të dëshirojmë të vetmen gjë që nuk humbet: jetën me Perëndinë. Martirët e kishës e dinin këtë. Ata e kuptuan se vdekja fizike nuk është humbje dhe ajo nuk ka përse të shkaktojë keqardhje. Njeriu duhet të ndihet i trishtuar që ka dështuar të arrijë shpërblimin e vërtetë. A glorifikojmë ne jetën me Perëndinë, e cila, si realiteti i vërtetë, largon tutje të gjithë trishtimin, apo glorifikojmë ne një të shkuar, e cila është njëlloj sikur të mos glorifikonin asgjë, duke qenë se e shkuara nuk ekziston më dhe rrjedhimisht mund të thuhet se ajo është asgjë? Një trishtim i tillë nuk është vetëm se një iluzion i dëmshëm.
Por ideja e trishtimin si një mëkat vrastar, diçka që pengon një jetë të plotë me Perëndinë, nuk mund të jetë gjithë rrëfimi. Tekefundit, Krishti shprehu trishtimin e tij të thellë në Kopshtin e Gethsemanit. Si autorët patristë, ashtu edhe ata skolastikë, e patën të vështirë që të kuptonin se si Krishti mund të ndihej i trishtuar.[6] Ata e konsideruan trishtimin e tij në terma të idealeve të stoicizmit, dhe ata kishin pritshmëri që Krishti të vepronte në përputhje me këto ideale. Njeriu duhet të jetë mjaftueshëm i shkëputur nga preokupimet e kësaj bote dhe të përballet me sprovën me gjakftohtësi dhe me kontroll mbi emocionet e tij, jo me një shpirt të trazuar nga trishtimi, duke qenë se kjo e fundit do të nënkuptonte se njeriu nuk ka kontroll mbi frymën e tij.
Rrjedhimisht, një pjesë e këtyre autorëve ndjenin nevojën për ta përkufizuar trishtimin e Krishtit si të vullnetshëm, dhe jo si të pavullnetshëm. Ka arsye që të shtrëngojnë të jesh i trishtuar, argumentonin ata, dhe, kështu, trishtimi i Krishtit në Gethsemane përkufizohej si krejtësisht racional. Dhe vërtet, ishte racionaliteti i trishtimit të Krishtit ai që i ofroi Thomas More-it një model gjatë ditëve përpara ekzekutimit të tij në vitin 1535. More donte të konfirmonte në shpirtin e tij se zgjedhja e tij për vdekjen nuk nxitej nga emocione që nuk ishin në kontrollin e mendjes së tij. Dhe vërtet, mbi bazën e kuptimit që ai kishte për trishtimin e Krishtit, ishte racionale që ai të ishte i trishtuar mbi humbjen e jetës që e priste atë. Thomas More u ndikua nga Agustini në shqetësimin e tij se ai mund të ishte entuziast për vdekjen, gjë e cila do ta skualifikonte atë si një martirizim të vërtetë. Nëse nuk do të kishte trishtim, motivi i tij do të kishte qenë i diskutueshëm, duke qenë se mungesa e trishtimit përballë humbjes së jetës sugjeron një trazim në shpirt dhe një mungesë të arsyes.
Sigurisht, studiuesit biblikë sot kanë një këndvështrim mjaft të ndryshëm. Ne tani shohim sse narratorët e jetës së Jezuit vinin në dukje intensitetin e trishtimit të tij në mënyrë që të nënvizonin realitetin e sakrificës së tij. Vdekja në fjalë nuk ishte vdekje e zakonshme. Ai nuk ishte momenti i mbramë i një njeriu të mençur që ruan qëndrimin e tij përballë vdekjes njëlloj si Sokrati. Vdekja e Jezuit ishte një sakrificë hyjnore. Trupi i tij ishte Tempulli në të cilin do të ndodhte sakrifica që pajtonte njerëzimin me Perëndinë. Agonia e Jezuit në Gethsemane ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen në realitetin e sakrificës që ai po kryente si prift i lartë dhe që ndjekësit e tij mbas tij do të kryenin duke i ofruar Perëndisë jetët e tyre. Në disa aspekte, trishtimi i lidhur me vuajtjen e krishterë bart njëfarë marrëdhënieje me vuajtjen që vjen me kryerjen e xhihadit, domethënë, me përpjekjen në udhën e Zotit. Ata që bëjnë përpjekje në udhën e Zotit në këtë botë pësojnë vuajtje pa dallim. Në Krishterim ekziston ideja se një vuajtje e tillë, nëse është vuajtje për hir të të tjerëve, ka vlerë shpaguese nëse i ofrohet Perëndisë, sikurse veproi Krishti, pra, si një flijim i tërë i vetes përpara Perëndisë në besim të plotë të mëshirës dhe dhembshurisë së tij hyjnore.[7]
Le t’i kthehemi tani trishtimit në Islam. Sikurse e kemi vënë në dukje më sipër, një numër dijetarësh klasikë kanë shkruajtur vepra për të ose e kanë pasur kapituj mbi të në vepra më të mëdha. Në këto vepra të larmishme, vërehen dy rryma: njëra që e sheh trishtimin si një sprovë nga Zoti që duhet përballuar; dhe tjetra që e sheh atë si shenjë dalluese e virtytit shpirtëror, dhe, kësisoj, siçka që e udhëzon besimtarin në shërbim të jetës së virtytshme. Kështu, mund të flitet për qëndrime negative dhe pozitive ndaj trishtimit në islamin klasik. Ka gjithashtu dhe pika përputhjeje në këtë spektër. Të gjithë pajtohen se njeriu duhet të jetë i trishtuar për ekzistencën e të keqes. Të gjithë bien dakord se njeriu duhet të jetë i trishtuar për gjynahet e kryera ose për dështimin në kryerjen e detyrimeve fetare. Ka gjithashtu edhe një pajtim të gjerë se njeriu duhet të jetë i trishtuar në lidhje me jetën tjetër, pra, në lidhje me mundësinë e një fundi të mbrapshtë në amshim; dhe se njeriu nuk duhet të jetë i trishtuar në lidhje me këtë jetë, pra, në lidhje me humbjen e gjërave të ksaj bote, të cilat, ashtu si në rastin e Evgariusit, nuk janë të denja për trishtimin tonë duke qenë se tekembraja ato nuk janë asgjë.
Megjithatë, kur vjen puna te llojet e pranueshëm të trishtimit, një pyetje që ndan dy rrymat është kjo sa vijon: A ka vlerë fetare në vetë trishtimin? Apo vlera qëndron në arsyen pas trishtimit? Fjala vjen, një njeri duhet të jetë i trishtuar nëse ai nuk ka se çfarë burimesh t’i japë kauzës së Islamit, por ajo që është e lëvdueshme nuk është trishtimi, por forca e besimit që do ta bënte njeriun që të trishtohej për faktin se nuk ka burime për t’i dhënë si kontribut në avancimin e saj. Apo mos vallë trishtimi ka një rol jetik në rrugën drejt lumturisë njerëzore? Ebu Othman el-Hiri, mësuesi i Ebu Abdurrahman el-Sulemiut, një mjeshtër shpirtëror i shekullit të njëmbëdhjetë nga Nishapuri, thoshte se trishtimi është gjithnjë një virtyt, përfshirë edhe trishtimin në raport me gjërat e kësaj bote. Të jesh i trishtuar nuk do të thotë se i përket radhëve të elitës shpirtërore, por ajo vepron për të qartësuar qëllimin. Kjo të sjellë në kujtesë mendimin e Akuinit mbi trishtimin.
Çfarë është trishtimi në Islam? Përkufizohet në mënyra të ndryshme, por një përkufizim i përbashkët flet për të si një lloj dhimbjeje e brendshme që rezulton nga humbja e diçkaje e dëshiruar apo shfaqja e diçkaje trazuese. A ka një qëllim fetar trishtimi edhe nëse nuk është saktësisht një detyrë fetare? A i ofron të qenit i trishtuar udhëzim besimtarëve? Apo mos është diçka që e pengon rritjen shpirtërore të besimtarit?
Ibn Kajim el-Xheuzije argumenton mbi bazën e Kuranit, i cili shpeshherë flet për trishtimin në termat e një urdhëri negativ: “Mos ki frikë, dhe mos u trishto.” Kjo konfirmohet nga një hadith që e përshkruan Profetin teksa i kërkon Zotit që ta mbrojë nga trishtimi (ndër të tjera). Dhe megjithatë, ajeti i mësipërm kuranor thotë se njerëzit e parajsës e lëvdojnë Zotin që ka larguar trishtimin e tyre të thellë. Kjo nënkupton se trishtimi është pjesë e konditës njerëzore. Edhe njerëzit e parajsës përjetojnë njëfarë trishtimi. Trishtimi duhet të ketë njëfarë sensi, nëse edhe njerëzit e parajsës nuk kanë qenë në gjendje që ta shmangnin atë gjatë jetës.
Këtu, në rrymën e parë, të përfaqësuar nga Ibn Kajim el-Xheuzije, pikëllimi në rastin më të mirë është i përfshirë në një konceptim shkëmbimi të fesë. Trishtimi nuk ka qëllim në vetvete, por është e pamundur që t’i shpëtosh momenteve të trishtimit. Kështu, nëse ty të pllakos trishtimi dhe ti e përballon atë me durim (dhe, mbi të gjitha, nuk e lë atë që të ndikojë në aftësinë tënde për të kryer obligimet e tua fetare), ti ke për t’u shpërblyer, ose duke u rritur në rangun e besimtarëve ose duke t’u reduktuar veprat e këqija. Kjo nuk është aspak stoicizëm. Dhe trishtimi, këtu, nuk është aspak diçka që e nxit një njeri të veprojë për një qëllim. Dhe vërtet, ai mund të jetë një mjet i shejtanit që t’i pengojë njerëzit nga të vperuarit për një qëllim. Por kjo nuk do të thotë se njeriu mund të kultivojë një gjendje shpirtërore të atillë që ai nuk ka për të përjetuar kurrë trishtim. Dhe ka lloje të lëvdueshme të trishtimit. Sërish, ajo që është e lëvdueshme nuk është trishtimi në vetvete, por motivi që shtrihet pas tij. Fjala vjen, është e lëvdueshme që të trishtohesh për mëkatet e tua, por të jesh i trishtuar nuk ka asnjë vlerë fetare në vetvete. Këtu, duket se Ibn Kajim el-Xheuzije po i përgjigjet atyre që e kanë bërë trishtimin një vlerë fetare, duke i shndërruar ata që janë vazhdimisht të trishtuar në një shtresë të virtuozëve shpirtërorë që janë mbi të tjerët. Me fjalë të tjera, sipas Ibn Kajimit, qëndrimi i dikujt ndaj trishtimit ka implikime për shtrirjen dhe natyrën e Islamit. Njëlloj si mësuesi i tij, Ibn Tejmija, ai orvatet që ta mprehë edhe më tutje vijën ndarëse ndërmjet asaj që është fetarisht e lëvdueshme dhe asaj që nuk është fetarisht e lëvdueshme. Ai, njëlloj si ata që e ndjekin atë sot, dëshiron të rrëzojë konceptin e Islamit si fe e trishtimit, gjë e cila nënkupton pasivitet e plogështi.
Thelbi i kësaj është që trishtimi nuk duhet të barazohet me devotshmërinë. Njeriu duhet të jetë i trishtuar në situata të caktuara, si, fjala vjen, në mangësitë e tij në devotshmërinë fetare, por kjo e bën pikëllimin në vetvete një akt adhurimi. Megjithatë, është e pamundur që t’i shpëtosh momenteve të trishtimit kur zemra përjeton dhimbje. Trishtimi në këtë kuptim është si çdo shqetësim tjetër. Ai duhet përballuar me forcë duke qenë se ka potencialin që të dobësojë zemrën dhe të bëjë më të dobët vendosmërinë e njeriut. Ai madje e vë trupin në trysni dhe bën fytyrën të marrë pamje të lodhur. Dhe sipas Kuranit (58:10), ai është një mjet nëpërmjet të cilit shejtani vendos një sëmundje në zemrat e besimtarëve për t’i frenuar ata që të veprojnë me një qëllim të caktuar. Njeriu duhet ta përballojë pikëllimin me durim dhe forcë, dhe nëse vepron kështu, ai ka për t’u shpërblyer. Njeriu shpërblehet për përballimin e sprovave (belatë) si edhe për kryerjen e gjërave për të cilat është urdhëruar. Jeta ka çastet e saj të trishtimit, por njeriu duhet të jetë i kujdesshëm që të mos bjerë në pikëllim, duke qenë se pikëllimi i dobëson zemrën dhe e gërryen vendosmërinë e tij. Tekefundit, nuk ka asnjë arsye për të qenë këmbëngulës në trishtim, pasi trishtimi është e kundërta e lumturisë.
Deri më tani kemi parë se trishtimi është një sprovë. Ai është i pavullnetshëm. Njeriu shpërblehet kur e kapërcen sprovën me qëndrestari. Ne gjithashtu mund të themi se trishtimi ka potencialin që ta çojë njeriun në udhë të gabuar. Një këndvështrim i tillë negativ i pikëllimit sugjeron diçka të ngjashme me stoicizmin. (Këtu duhet vënë në dukje konvergjenca interesante midis filozofit al-Kindi dhe realitetit teologjik Ibn Kajim el-Xheuzije). Sikurse në stoicizëm njeriu duhet të kuptojë se gjërat e jashtme janë të destinuara që të kalojnë dhe, rrjeshimisht, nuk duhet të jenë shkak për trishtim, kështu edhe në Islam besimtari duhet të kuptojë se të gjitha gjërat kalojnë dhe humbjet në këtë botë nuk janë asgjë në krahasim me realitetin e botës tjetër. Sigurisht që nuk është e njëjta gjë. Islami, sipas kësaj rryme, nuk bën thirrje që njeriu të kultivojë një gjendje të shpirtit të paprekur nga emocionet si trishtimi. Më saktë, kur emocionet shfaqen, njeriu duhet t’i përballojë ato me durim. Dhe megjithatë ekziston ideja e përbashkët e të kontrolluarit të trishtimit, në mos të flakjes tutje të tij. Kjo është një pikëpamje negative për trishtimin. A nuk ka kuptim që trishtimi është një gjendje pozitive në shpirtin e njeriut në një kuptim fetar? Se trishtimi, edhe pse jo një akt adhurimi, mund të në afrojë me Zotin ose të na ndihmojë që të rritemi në virtyt? Thënë përmbledhtazi, a është trishtimi një burim udhëzimi për besimtarin?
Për të adoptuar një qasje paksa të ndryshme, le të sjellim në kujtesë se për Edmund Spenser, autori i The Faerie Queen, trishtimi ishte një virtyt, duke qenë se, si pasioni i heshtur, ai vepron duke luftuar emocione si zemërimi, letargjia, dëshpërimi, dhe pështjellimi. Nuk është e njëjta gjë si melankolia, e cila për Spenser-in nuk është e vlerësueshme meqenëse ajo e përkufizon trishtimin si një dukuri mjekësore, dhe, kësisoj, materiale, dhe jo shpirtërore. Për të, trishtimi qartëson qëllimin. Kjo i bën jehon Ebu Othman el-Hirit i cili e shihte trishtimin si një vrityt në të gjitha trajtat e tij.
Trishtimi në këtë kuptim mund të shihet neo-platonik, një pjesë e domosdoshme e udhëtimit të shpirtit në rikthimin e tij për te Zoti. Trishtimi është pjesë e procesit të largimit nga bota madje edhe kur njeriu qëndron fizikisht në të. Dhe kështu, trishtimi tregon se njeriu është në rrugën e duhur dhe po shkon drejt qëllimit të tij. Këtu, në njëfarë mënyrë, trishtimi është shpirtërisht frytdhënës. Ne pamë diçka nga kjo në rrymën e parë. Atje, trishtimi kontribuon tërthorazi në punën e shpëtimit. Nuk është vetë trishtimi që kontribuon në punën e shpëtimit, por mundësia që ai ofron për të treguar durim dhe forcë – dhe në këtë mënyrë, angazhim të mbarsur me qëllim. Nga ana tjetër, kjo është një mënyrë në të cilën Zoti vepron për të shtuar meritat e njeriut, sikurse sugjerohet në hadithin, të cilin Ibn Kajim el-Xheuzije e pranon, ku thuhet se kur një njeri pllakoset nga trishtimi, Zoti e përdor atë për të mbuluar veprat e këqija të njeriut. Këtu, në rrymën e dytë, situata nuk është krejtësisht e ndryshme. Trishtimi përfshihet në çështjen e qëllimshmërisë fetare. Por nuk është njëlloj si në rastin e rrymës së parë. Në rrymën e dytë, është vetë trishtimi – dhe jo reagimi i njeriut ndaj tij – që është shenja dalluese e qëllimshmërisë shpirtërore. Këtu, njeriu mund të ngushëllohet nga fakti që ndihet i trishtuar për shkak se kjo është një shenjë që ai është në rrugën e duhur. Trishtimi në vetvete është një shenjë se njeriu ka qëllim të qartë nga pikëpamja shpirtërore. Pikërisht në këtë kuptim lipset të lexohen raportimet që nënkuptojnë se trishtimi është qëllim shpirtëror në vetvete, si, fjala vjen, raportimi se profeti ishte vazhdimisht i trishtuar; raportimi se Zoti e do një zemër të trishtuar; dhe raportimet e shumta mbi Hasan el-Basrin.
Kjo ide e trishtimit si shenjë dalluese e devotshmërisë ndaj Zotit duket se ka peshë të madhe në shtjellimin e shkurtër që Kushejshiu i bën trishtimit në traktatin e tij mbi konvencionet e Sufizmit. Në kontrast me Ibn Kajimin, i cili e bën të qartë se trishtimi nuk është një mekam (stacion shpirtëror), Kushejriu thotë se trishtimi është një gjendje e shpirtit (hal) që e pengon zemrën nga përhumbja në luginat e harresës. Kësodore, trishtimi është një nga karakteristikat e njerëzve të udhës (ehl el-suluk), pra, elitës shpirtërore të bashkësisë. Mësuesi i tij, Ebu Ali ek-Dakaku, citohet të ketë thënë se ata që janë në një gjendje trishtimi udhëtojnë më tutje përgjatë një muaji në rrugën e Zotit se sa ç’udhëtojnë për vite me radhë ata që nuk janë në gjendje trishtimi. Përcillet një transmetim nga Teurati (Torah) ku thuhet se kur Zoti e do një rob, ai vendos një vajtues në zemrën e tij, dhe kur ai e urren një rob, ai vendos një fyell në të. Me fjalë të tjera, vajtuesi është shenja dalluese e atij që është në procesin e largimit nga bota, kurse fyelli është shenja dalluese e atij që është i lidhur me botën. Ibn Hafifi (mistitk nga Shirazi, vd. 982) përmendet se ka thënë që trishtimi vepron për të mbajtur njeriun nga të qenit i prekur prej këngës së hareshme (sërish, si fyelli, një shenjë e atashimit me botën). Sufjan ibn Ujejne (vd. 815) përmendet se ka thënë që nëse një person në këtë ymet (bashkësinë e besimtarëve) derdhë lotë nga trishtimi, Zoti do ta falë të gjithë bashkësinë për shkak të lotëve të tij. Kjo thënie është një referencë ndaj konceptit të evlijasë (shenjtorit) apotropaik (që e zmbraps të keqen) lotët e të cilit tregojnë rangun e tij të ngritur shpirtëror dhe favorin që ai gëzon te Zoti, dhe, kësodore, aftësinë e tij për të zmbrapsur ndëshkimin që bashkësia meriton nga Zoti.
Davud el-Taiu (vd. Rreth 777-782) përmendet se ka shtruar pyetjen se si njeriu mund të gjejë ngushëllim nga trishtimi kur brengat përsëriten në çdo moment. Kjo nënkupton një ndjeshmëri shpirtërore që e lë njeriun pandërprerazi të trishtuar. Sari el-Sakati (vd. 867) përmendet se ka kërkuar që të marrë mbi vete trishtimin e të gjithë njerëzimit. Kjo nuk duhet parë si shprehje e një vullneti për të shlyer mëkatet e botës, por si një dëshirë për të patur një rritje të trishtimit të tij, duke treguar në këtë mënyrë intensitetin e mosdënjimit të tij për botën. Trishtimi që është i denjë për lëvdata këtu nuk është trishtimi për gjërat e kësaj bote, por trishtimi si rezultat e aspiratave të njeriut për botën tjetër (ndonëse, sërish, el-Hiri thotë se trishtimi është virtyt në të gjitha aspektet, duke e shtuar besimin e besimtarit për sa kohë që trishtimi nuk është rezultat i mosbindjes).
Njëri prej mejshtrave shpirtërorë përmendet se i ka thënë këto fjalë një miku të tij që po nisej për udhë: “Nëse sheh një person të kapluar nga trishtimi, jepi atij selam nga mua.” Është sikur ai sheh një afinitet shpirtëror te një person i tillë. Transmetohet se Hasan el-Basrin nuk e kanë parë kurrë pa e menduar atë si vazhdimisht të brengosur. Sërish, ideja është se trishtimi është evidencë e një gjendjeje të ngritur shpirtërore. Kur vdiq Fudejl ibn Ijadi, thuhet se trishtimi u largua nga kjo botë bashkë me të. Përmendet një pararendës i devotshëm se ka thënë që pjesa më e madhe e asaj që besimtari gjen në librin që regjistron veprat e tij të mira është i lidhur me ankthin dhe me pikëllimin. Kjo e bën të qartë se trishtimi në vetvete prodhon një shpërblim hyjnor. Çfarë do të thotë kjo? A bie kjo ndesh me pikëpamjen e Ibn Kajimit se trishtimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë fetare? Në kapitullin mbi frikën në të njëjtin traktat, Kushejriu vëren se shenja dalluese e drojës (nga Zoti) është pikëllimi i parreshtur. Droja nga Zoti është një detyrë fetare në Islam, duke e bërë pikëllimin, në bazë të këtij përkufizimi, një detyrë fetare. Dhe megjithatë, ka diçka që duhet ta nënvizojmë: Kapitulli mbi pikëllimin në traktatin e Kushejriut nuk të lë përshtypjen se pikëllimi është thjesht një detyrë fetare. Ka një thellësi shpirtërore që funksionon më tepër si një shenjë dalluese e dëshirës së një njeriu për t’u ngritur në një rang përtej kësaj bote se sa si një shenjë dalluese e drojës së devotshme. Raportimi i fundit nënkupton këtë argument: Thënia bëhet se gjithçka ka lëmoshën e vet. Me fjalë të tjera, në çdo gjë ka diçka nga e cila duhet hequr dorë, dhe lëmosha e kërkuar nga intelekti është trishtimi i parreshtur. Shkurtimisht, nëse ti ke tru, ti duhet të jesh i trishtuar në lidhje me faktin se je në këtë botë kalimtare.
Në Mi Vida: A Story of Faith, Hope, and Love, José N. Harris (lindur 1962) thotë,“Lotët e derdhur për një person tjetër nuk janë shenjë dobësie. Ato janë shenjë e një zemre të kulluar.” Ne kemi parë dy rryma në Islamin klasik sa i përket çështjes së trishtimit, njëra që priret në drejtimin e idealeve të stoicizmit, dhe tjetra që anon nga idealet neo-platonizmit. Megjithatë, unë sugjeroj se të dyja ato rryma orvaten që ta kuptojnë trishtimin në terma të pastërtisë së zemrës. Për rrymën e parë, trishtimi është një sprovë për të përcaktuar nëse zemrat e dikujt është krejtësisht e ngazhuar ndaj Zotit dhe, kësisoj, e gatshme për të përballuar trishtimin me durim dhe forcë, si dhe që të mos bjerë pre e tij, dhe kështu të mos ngecë në grackën e shejtanit. Për rrymën e dytë, trishtimi është në vetvete një shenjë e dëlirësisë së zemrës së një njeriu, e shkëputjes nga bota, dhe, kësisoj, e qëllimshmërisë shpirtërore. Ka shumëçka për të thonë në lidhje me trishtimin në Islam. Një pyetje për të cilën unë do të doja që të gjeja një përgjigje është ajo e një rryme të tretë në Islam që anon në drejtimin e aristotelianizmit.
Një rrymë e tillë do të fliste për trishtimin jo si diçka që duhet përballuar me durim dhe madje edhe të flaket tutje (pikëpamja e Ibn Kajimi kjo) dhe as si shenjë dalluese një gjendje të ngritur shpirtërore e vetes (pikëpamja e Kushejriut). Më saktë, trishtimi në këtë kuptim të tretë do të vepronte për ta na drejtuar ne kah qëllimi ynë final pa kërkuar prej nesh që ta shohim këtë botë as si diçka që duhet tejkaluar (për sprovat që ajo na shkakton) dhe as si diçka që duhet braktisur (për gjendjen e saj të kontingjencës). Në vend të kësaj, trishtimi do të ishte diçka që lëviz njerëzit, pavarësisht gjendjes shpirtërore, drejt Zotit, duke e marrë të mirëqenë se ky emocion është i drejtuar siç duhet. Domethënë, teksa njeriut i rriten virtytet duke u gëzuar ai në të mirën, kështu rritet ai duke lëvizur drejt pikëllimit kur përballet me të ligën, derisa gjëra të tilla (gëzimi me të mirën dhe pikëllimi me të ligën) bëhen një zakon i shpirtit. Këtu, pikëllimi është një lëvizje e herëpashershme por pozitive brenda frymës dhe jo prirje e mbrapshtë dhe gjendje e përhershme. Çfarë pamje do të kishte kjo në Islam? Trishtimi këtu do të ishte një mënyrë se si Zoti na udhëzon, jo një sprovë apo një gjendje shpirtërore, por si diçka që duhet pikasur për kuptimin që ai ofron sa i përket jetës së virtytshme, duke vepruar kështu si një hap në udhën drejt mirësisë, dhe, kësodore, drejt fytyrës së Zotit.
Përktheu: Arjol Guni
Shënime
[1] Ka një grusht studimesh të dobishme. Krahas artikullit të përmendut më sipër nga Jones, shih edhe Zouhair Ghazzal, “From Anger on Behalf of God to ‘Forbearance’ in Islamic Medieval Literature,” në Barbara H. Rosenvvein (ed.), Anger’s Past; The Social Uses of an Emotion in the Middle Ages (Ithaca: Cornell University Press 1998), fq. 203-230; Peter Adamson, “Arabic Ethics and the Limits of Consolation,” në Hans Baltussen (ed.), Greek and Roman Consolations (Svvansea: The Classical Press of VVales 2013), fq. 177-196.
[2] Me fjalë të tjera, Perëndia vuan dhe qan për popullin e tij. Për një shembull modern të këtij motivi biblik, shih Nehemia Polen, “Divine VVeeping: Rabbi Kalonymos Shapiro’s Theology of Catastrophe in the VVarsaë Ghetto,” Modern Judaism 7 (1987), 253-269.
[3] Në kapitullin mbi trishtimin në Vendqëndrimet e Shtegtarëve (Medarixh el-Salikin).
[4] Në kapitullin mbi trishtimin në manualin e tij mbi sufizmin, Risale el-Kushejrije.
[5] Ju lutem, konsultoni tekstin e Lale Behzadi në librin prej nga është marrë ky kapitull actual.
[6] Shih Kevin Madigan, “Ancient and High-Medieval Interpretation of Jesus in Gethsemane: Some Reflections on Tradition and Continuity in Christian Thought,” The Harvard Theological Revievv 88 (1995), 157-173.
[7] Sigurisht, trishtimi ose ankesa e shprehur në fjalët e fundit të Jezuit në Kryq, apo të paktën sipas Mteut 27:46, lipset të lexohen në dritë të versetit të parë të Psalmet 22: “Perëndia im, Perëndi im, përse më ke braktisur?” Ideja është që punëdrejtët përjetojnë ngadhënjim hyjnor sidomos në vuajtje dhe madje edhe përballë vdekjes.
Tags: dobia fetare e trishtimit, neoplatonizmi, pikellimi, stoicizmi, trishtimi, zemerimi Last modified: 23/01/2025