Muzaffar Iqbal 

 

Virusi i “paraprirjes” filloi të përhapet në mesin e myslimanëve në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Në atë kohë, Islami dhe myslimanët u akuzuan si anti-shkencë, të prapambetur, me mungesë të institucioneve sociale dhe politike të llojit të zhvilluar nga Evropa. Si përgjigje, dhe për të mbrojtur besimin e tyre, myslimanët kërkuan pararendës të zbulimeve, shpikjeve shkencore evropiane – madje edhe të institucioneve, filozofive dhe ideve – në “Epokën e Artë” të tyre. Këto përgjigje të hershme përfshinin pretendime të tilla si nuk ishte Darvini, por al-Bīrūnī (973–ca.1050) ai i cili postuloi i pari evolucionin, nuk ishte Koperniku (1473–1543) por al-Tūsī (v. 1274), ai që i duhet atribuuar heliocentrizmi. Nuk ishte Evropa ajo që u dha grave të drejtën për të pasur pronë, por ishte Islami i pari që i dha të drejta të tilla. Dhe lista vazhdon. Elementi i përbashkët në të gjitha këto pretendime është: “Ne e kemi bërë atë para jush!”

Në mesin e viteve 1980, një variant ekstrem i këtij virusi filloi të përhapet në Lindjen e Mesme dhe nënkontinent Indian. Të infektuarit nga ky variant pohuan se të gjitha zbulimet shkencore, në fakt, përmenden në Kuran. Ata gjetën në Kuran Big Bengun, teorinë e relativitetit, energjinë elektrike, trenat, raketat, madje edhe anijet kozmike. Librat, artikujt dhe broshurat citonin vargje kuranore të cilat “provonin” ekzistencën e zbulimeve moderne shkencore në Kuran në lidhje me oqeanet, malet dhe hapësirën e thellë.

Më pas erdhi interneti dhe virusi u bë global. Aktualisht, ky virus është i dallueshëm në të gjitha pjesët e botës myslimane, si dhe në diasporën myslimane që jeton në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Virusi sulmon njerëzit në të gjitha profesionet, por përhapet shfrenueshëm mes mësuesve të Islamit, të cilët tani mund të shkarkojnë nga interneti materiale të gatshme për klasën që japin mësim ndërkohë që ushqimi i tyre i gatshëm merr një dozë të pashëndetshme mikrovale në një makinë të shpikur nga një inxhinier amerikan. Një material i tillë është i mirëpritur edhe nga prindërit dhe drejtuesit e shkollave, të cilët me krenari mund të ecin drejt me një pankartë në ballë ku shkruhet: “Ne e kemi bërë para tyre!”

Përveç qenieve njerëzore, virusi ka infektuar edhe institucionet, organizatat e komunitetit, shoqatat e bamirësisë, madje edhe xhamitë. Shembulli i mëposhtëm, i marrë nga një kalendar i vitit 2022 që po bën xhiron e mediave sociale, është prodhuar nga një organizatë fetare.

 

.

  • Imazhi i shkëlqyeshëm pranë titullit krijon iluzionin e shpikjeve myslimane që qëndrojnë pas zhvillimit të aeroplanit modern dhe teksti poshtë fotografisë pohon se “personi i parë që bëri një përpjekje të vërtetë për të ndërtuar një makinë fluturuese dhe për të fluturuar ishte Abbas Ibn Firnas, i cili në shekullin e 9-të projektoi një aparat me krahë, afërsisht i ngjashëm me një kostum zogu. Në provën e tij më të famshme pranë Kordobës në Spanjë, Firnas fluturoi lart për disa çaste, përpara se të binte në tokë dhe të thyente pjesërisht kurrizin.
  • Teksti vazhdon duke pohuar se “skicimet e tij do të kenë qenë padyshim një frymëzim për artistin dhe shpikësin e famshëm italian Leonardo da Vinci qindra vjet më vonë”.

 

Analiza Kritike

 

  • Vini re madhësinë e shkronjave të shprehjes “Shpikjet Myslimane” dhe “Bota moderne” që shfaqen ne poster; madhësia e njëjtë e shkronjave tërheq vëmendjen dhe përforcon në mënyrë të pavetëdijshme mesazhin: shpikjet myslimane formësuan botën moderne.
  • Probleme të tjera: Ibn Firnas thuhet se është personi i parë që bëri një përpjekje reale për të ndërtuar një makinë fluturuese dhe për të fluturuar. Posteri shprehet se ky informacion rreth Ibn Firnasit (rreth 809–887) është marrë nga Wikipedia, por artikulli i Wikipedia-s mbi Ibn Firnasin nuk përmend makinë fluturuese!
  • Wikipedia nuk është një burim autentik; ai përmban informacion të rremë së bashku me të dhëna të vërteta dhe duhet të dihet se si të bëhet dallimi midis të dyjave. Sidoqoftë, artikulli i Wikipedia-s nuk përmend Leonardo da Vincin.
  • Për më tepër, nuk ka asnjë lidhje midis një qenieje njerëzore që i ngjit krahë trupit të tij dhe një inxhinieri që projekton një aeroplan.
  • Edhe nëse jepet ndonjë licencë poetike për këtë fluturim të fantazisë, pretendimi se Leonardo da Vinci (1452–1519) “pa dyshim do të ketë qenë” i frymëzuar nga Ibn Firnas, për të cilin ai supozohet se e njihte nëpërmjet ndonjë ndërmjetësi misterioz, i cili ia përcolli Da Vinci-t tekstin e al-Makarit, është thjesht absurd, sepse Leonardo da Vinci (1452–1519) vdiq para se të lindte al-Makari (1577-1632)!

 

  • Vini re gjithashtu se teksti fillon duke përmendur Ibn Firnasin (djalin e Firnasit), por më pas e zëvendëson atë me Firnas (që është babai). Kjo tregon se personi që po bën një pretendim kaq të madh për historinë myslimane nuk është as në gjendje të bëjë dallimin midis babait dhe djalit dhe po kopjon pa menduar tekstin e Wikipedia-s.

 

Arsyeja kryesore e përhapjes së virusit të pararendjes

 

Falsifikime të tilla janë rezultat i drejtpërdrejtë i një vetëvlerësimi të ulët, i cili, nga ana tjetër, është produkt i kolonizimit. Ibn Khaldūn (1332-1406) identifikoi arsyen kryesore për vetëvlerësimin e ulët dhe kompleksin e inferioritetit të kombeve të pushtuara në seksionin e njëzet e tretë (faṣl) të kapitullit të dytë të Mukaddima-së, të cilin ai me mendjemprehtësi e ka titulluar: “Të pushtuarit gjithmonë duan të imitojnë pushtuesin në karakteristikat e tij dalluese, veshjen, profesionin dhe në të gjitha kushtet dhe zakonet e tij të tjera… Arsyeja për këtë”, tha Ibn Khaldūn, është se

 

“i pushtuari është [tashmë] i bindur për epërsinë e atij që e ka pushtuar dhe të cilit ai [tanimë] i është nënshtruar ose sepse e konsideron atë të përsosur ose supozon gabimisht se nënshtrimi i tij nuk është rezultat i disfatës materiale dhe fizike të tij, por për shkak të përsosmërisë së pushtuesit. Pasi ky supozim i gabuar fiksohet në shpirt, ai bëhet një besim i fortë. Një person i tillë më pas tërhiqet nga pushtuesi, përvetëson sjelljet e tij dhe asimilohet në të… Të pushtuarit mund të shihen gjithmonë duke e asimiluar veten tek pushtuesit në përdorimin dhe stilin e veshjes, kafshët e shalimit dhe armëve – në të vërtetë, në gjithçka… Kjo shkon në një masë të tillë që një komb i dominuar nga një komb tjetër fqinj do të shfaqë një sjellje të madhe imituese… ata madje vizatojnë piktura në mure [si ato të pushtuesve] dhe i vendosin në ndërtesat dhe shtëpitë e tyre [ashtu siç bëjnë pushtuesit] …. Një vëzhgues inteligjent konkludon nga kjo se [ky imitim] është një shenjë e dominimit nga të tjerët.”

 

Ndryshe nga moda, shkenca dhe teknologjia nuk mund të imitohen, prandaj i vetmi mjet i mbetur për myslimanët e infektuar është të qetësojnë psikologjikisht ndjenjën e tyre të inferioritetit duke pretenduar se kanë shpikur dhe zbuluar gjithçka që është shpikur dhe zbuluar nga kolonizatorët e tyre evropianë qindra vjet para tyre. Në obsesionin e tyre, myslimanët e infektuar nuk shqetësohen as për të bërë pretendime që minojnë besimin e tyre. Për shembull, ata pretendojnë se Darvini (1809-1882) e mori idenë e tij për evolucionin nga al-Xhāḥiẓ (776-868), el-Bīrūnī (973-rreth 1050), ose Rūmī (1207-1273)! Madje kemi studiues të respektuar që bien në të njëjtin grackë; një studiues i tillë pohoi se Darvini dinte arabisht dhe ai i mori idetë e tij nga myslimanët!

 

Varianti ekstrem i virusit

 

Varianti ekstrem i këtij virusi, u shfaq në mesin e viteve 1970 kur një kirurg francez i punësuar nga mbretëria saudite botoi Bibla, Kurani dhe Shkenca (1976). Me këtë libër, Maurice Bucaille u bë pararendësi i atyre që përpiqen të vërtetojnë vërtetësinë e Kuranit duke u mbështetur në shkencën moderne. Ai luajti me kompleksin e inferioritetit të familjes mbretërore saudite me një pretendim të dyfishtë: “është e pamundur të mos pranosh ekzistencën e gabimeve shkencore në Bibël…dhe Kurani definitivisht nuk përmbante as edhe një propozim të vetëm në kundërshtim me njohuritë më të sakta shkencore”

Nuk kaloi shumë kohë pas botimit të librit të Bucaille që sauditët ftuan Keith Leon Moore (1925-2019), profesor në Departamentin e Anatomisë, Fakulteti i Kirurgjisë, Universiteti i Torontos, në mbledhjen e shtatë vjetore të Takimit Mjekësor Saudit, mbajtur në vitin 1982 në Damman. Ai lexoi një përkthim të Kuranit 23:12-14, “Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër…” dhe më pas nxori plastelinë nga xhepi, i dha formë që t’i ngjante një embrioni në moshën 28-ditore, nguliti dhëmbët e tij në të dhe ia tregoi plastelinën e përtypur, duke pretenduar se ishte një kopje e saktë e embrionit, me shenjat e dhëmbëve që i ngjanin somiteve të embrionit (kolona vertebrale dhe muskulatura).

“Allahu Akbar!” bërtitën sauditët e mbledhur rreth tryezës, ngazëllimi mbushi dhomën, lajmi arriti te mbreti dhe kjo dërgoi në themelimin e “Komisionit për Shenjat Shkencore në Kuran dhe Sunet”. Kjo ndodhi në vitin 1983. Gjenerali Muhammad Zia-ul-Haq (1924–1988), diktatori ushtarak pakistanez i cili ishte shumë afër familjes mbretërore saudite, ofroi të mbante konferencën e parë ndërkombëtare mbi këtë temë në Islamabad. Mbi 200 shkencëtarë dhe studiues myslimanë u mblodhën në Islamabad në vitin 1987 dhe, mes temave të tjera, lexuan punime mbi zbulimin e shpejtësisë së dritës nga vargjet e Kuranit.

Sauditët publikuan studimin e ilustruar të Moore, Human Development as Described in the Quran and Sunnah (Zhvillimi njerëzor siç përshkruhet në Kuran dhe Sunet) dhe kjo lëmi e mrekullive shkencore në Kuran filloi të rritet në mënyrë eksponenciale. Në konferencat e mëvonshme të Komisionit, virus i pararendjes u përdor për të zbuluar teori të shumta gjeologjike, mekanike kuantike, infra të kuqe, valë zanore, gjenetikë, embriologji, lazer, elektricitet dhe shumë zbulime të tjera shkencore në Kuran dhe Sunet.

Megjithatë, pas 11 shtatorit, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e shpalli Abdul Maxhid el-Zindanin, Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit, “këshilltar shpirtëror” të Osama bin Laden – çfarëdo që të thotë kjo – dhe e caktoi atë si “Terrosit global posaçwrisht i pwrcaktuar”. Ai u hoq menjëherë nga posti i tij në Komision, por Komisioni vazhdoi të mbante konferenca vjetore në vende të ndryshme. Shkencëtarët perëndimorë të lidhur me Komisionin filluan të distancoheshin, duke pretenduar se ishin mashtruar.

 

Ku është problemi me virusin e pararendjes?

 

  • Është thjesht e pamoralshme të kërkosh merita për atë që nuk ke bërë, por të kërkosh merita për Islamin ose në emër të Islamit është edhe më keq se pretendimet individuale.
  • Ekzistojnë dy lloje të myslimanëve që bëjnë pretendime të tilla të rreme: ata që i bëjnë ato me “ndershmëri” (d.m.th., duke mos ditur se po bëjnë pretendime të rreme) dhe ata që e dinë se po përjetësojnë gënjeshtra; të parët vuajnë nga injoranca e përbërë (domethënë nuk e dinë se nuk dinë), të dytët janë krejtësisht të pandershëm; të dy janë super përhapës të gënjeshtrës.
  • Pararendësi prodhon përbuzje dhe ul vlerësimin e myslimanëve në sytë e jomyslimanëve. Ata që i tregojnë qiriun diellit nuk mund të presin të fitojnë respekt nga shikuesit.
  • Virusi njollos kontributet aktuale, reale dhe thelbësore të shkencëtarëve myslimanë. Është si përzierja e arit me arin e rremë; kjo ul vlerën e përgjithshme të arit që ishte në dorë përpara kontaminimit. Për shembull, kontributet e myslimanëve në matematikë ishin të konsiderueshme në shumë aspekte, por prodhuesit e falsifikimit nuk kanë asnjë të dhënë për vlerën reale të këtyre kontributeve.
  • Për shkak se shumica e falsifikimit janë të lidhura me shkencën dhe teknologjinë, kjo çon në shkencizëm, që është një besim i tepruar në shkencë dhe aplikim i metodave dhe teknikave shkencore në sjelljen njerëzore, etikën, shoqërinë, kulturën, madje edhe në fe.
  • Shkencizmi dërgon në reduksionizëm: e gjithë njohuria njerëzore është e reduktueshme në metodat e shkencave natyrore. Krijon gjithashtu një hierarki epistemologjike ku “shkenca” vendoset në pikën më të lartë dhe të gjitha disiplinat e tjera janë nën të.

 

Pse duhet të vaksinohen mësuesit/predikuesit myslimanë nga ky virus?

 

Të gjithë myslimanët duhet të vaksinohen kundër virusit të pararendjes, por mësuesit/predikuesit myslimanë duhet ta bëjnë këtë urgjentisht sepse

 

  • Ato ndikojnë te mendjet e reja që i shohin si burim njohurish autentike si dhe modele. Ky është një amanet i shenjtë dhe shkelja e tij dërgon në përhapjen e injorancës, në vend të dijes.
  • Herët a vonë, studentët e rinj që marrin gënjeshtra nga mësuesit e tyre myslimanë, zbulojnë se ajo që u është mësuar nuk është e vërtetë; kjo e dëmton besimin e tyre në shkollat ​​islame, madje e lëkund besimin e tyre. Nëse mësuesit e mi më kanë mësuar gjëra rreme në këtë çështje, imagjinoni se çfarë tjetër mund të jetë e rreme në mësimet e tyre!
  • Mësuesit myslimanë duhet të jenë të parët në të kthyerin e valës kundër këtij infeksioni të përhapur, sepse ata kanë qasje të drejtpërdrejtë me udhëheqësit e ardhshëm të komuniteteve myslimane. Nëse ata janë në gjendje të hapin dritare për njohuritë autentike, ata do të mbjellin farat e një ndryshimi të ardhshëm të detit. Nëse ata përjetësojnë falsitetet e shkarkuara në internet, ata do të jenë fajtorë, emrat e të cilëve askush nuk do të donte t’i kujtonte. Përgjegjësia që ata mbajnë është e shenjtë; nuk duhet cenuar.

 

Çfarë dhe ku është vaksina?

 

Vaksina kundër virusit të pararendjes është përftimi i njohurisë autentike. Njohuria autentike nuk shkarkohet në internet, por përvetësohet. Ky process është i njohur në traditën islame. Në këtë drejtim, nuk ka rrugë të shkurtër.

 

 

Përktheu: Rezart Beka

 

 

 

Tags: , , , , Last modified: 17/09/2023
Close