Alvin Plantinga
Natyralizmi është këndvështrimi se nuk ka një person të tillë si Zoti apo asgjë të ngjashme me Zotin. I marrë kështu, ai është më i fortë se ateizmi; është e mundur që të jesh një ateist pa u ngritur në lartësitë (apo pa u zhytur në thellësitë) e natyralizmit. Një pasues i Hegelit mund të jetë ateist, por, për shkak të besimit të tij në Absoluten, dështon që të kualifikohet si natyralist. Diçka e ngjashme mund të thuhet për dikë që beson në intelektin (Nous) e stoikëve, apo Idenë e të Mirës të Platonit, apo në Lëvizësin e Parë të Aristotelit. Ky përkufizim i natyralizmit është disi i vagullt: saktësisht sa duhet t’i ngjajë një entitet Zotit për të qenë i tillë që po ta përkrahësh atë të skualifikon nga natyralizmi? Ndoshta, përkufizimi do të jetë i dobishëm, pavarësisht nga gjithçka; shembuj të qartë të natyralistëve do të ishin Bertrand Russell (“Adhurimi i një njeriu të lirë” [(“A Free Man’s Worship”]), Daniel Dennet (Darwin’s Dangerous [Idea, Ideja e Rrezikshme e Darvinit]), Richard Dawkins (The Blind Watchmaker, [Orëpunuesi i Verbër]), i ndjeri Stephen Jay Gould, David Armstrong, dhe shumë të tjerë që ndonjëherë thuhet[1] se përkrahin “botëvështrimin shkencor”.
Nga mënyra se si qendron, natyralizmi në dukje nuk është një fe. Megjithatë, ai kryen njërin nga funksionet qendrore të një feje: i pajis ithtarët e tij me një botëvështrim. Ai na tregon se si është në themel bota, çfarë është më e thellë dhe më e rëndësishme në dynja, cili është vendi ynë në botë, si jemi të ndërlidhur me krijesat e tjera, çfarë mund të presim pas vdekjes (nëse mund të presim diçka), dhe kështu me radhë. Një fe, tipikisht, e bën këtë dhe shumë më tepër se kaq; ajo gjithashtu përmban adhurimin dhe ritualet. Këto të fundit zakonisht (por jo gjithnjë) mungojnë në rastin e natyralizmit; për rrjedhojë, ne mund të themi se natyralizmi kryen funksionin konjitiv ose doksatik (doxatic) të një feje. Për rrjedhojë, për qëllimet e këtushme ne mund ta promovojmë natyralizmin në statusin e një feje honorifike, ose në çdo rast në atë të një kuazi-feje. Dhe tani duhet të shtrojmë pyetjen e samëposhtme: A ka një konflikt ndërmjet natyralizmit, i kuptuar si i tillë, dhe shkencës? Në qoftë se po, atëherë vërtet ka një konflikt shkencë-fe – megjithatë, jo ndërmjet shkencës dhe besimit të krishterë (apo judaik, apo islam), por ndërmjet shkencës dhe natyralizmit.
Përse duhet të mendojmë se mund të ketë një konflikt të tillë? Vendi ku duhet hedhur vështrimi këtu është marrëdhënia ndërmjet natyralizmit dhe teorisë evolucionare aktuale. Por përse duhet të mendojmë se mund të ketë konflikt këtu, në veçanti duke qenë se kaq shumë njerëz në dukje besojnë se evolucioni është një shtyllë kryesore mbështetëse në karabinanë e tempullit të natyralizmit?[2] Vëreni, së pari, se shumica prej nesh supozojnë se shqisat/dhuntitë tona njohëse, proceset tona që prodhojnë besim, janë për pjesën më të madhe të besueshme. E vërtetë, ato mund të mos jenë të qëndrueshme në limitet e sipërme të fuqive tona, si në disa prej sferave më spekulative të fizikës; dhe funksioni i duhur i dhuntive tona njohëse mund të shtrembërohet nga zilia, urrejtja, epshi, dashuria amnore, lakmia, e kështu me radhë. Por përgjatë një game të gjerë të operimit të tyre, ne mendojmë se qëllimi i dhuntive konjitive është që të na furnizojë me besime të vërteta, dhe se kur ato funksionojnë siç duhet, ato bëjnë pikërisht këtë.
Por, a nuk ka këtu një problem për natyralistin? Sidoqoftë, për natyralistin i cili mendon se ne dhe kapacitetet tona konjitive kanë mbërritur në skenë pas disa miliarda vitesh të evolucionit (nëpërmjet përzgjedhjes natyrore dhe proceseve të verbëra që punojnë mbi njëfarë burimi të tillë të variacionit gjenetik, si mutacioni gjenetik i rastësishëm)? Problemi fillon në njohjen, nga ky këndvështrim, se qëllimi ose funksioni përfundimtar i dhuntive tona konjitive, në qoftë se ato kanë një të tillë, është jo të prodhojnë besime të vërteta, por të promovojë përshtatshmërinë (fitness) riprodhuese.[3] Ajo për të cilat mendjet tona ekzistojnë (sidoqoftë) nuk është prodhimi i besimeve të vërteta, por prodhimi i sjelljes adaptive. Fakti që specia jonë ka mbijetuar dhe evoluar garanton në më të shumtën se sjellja jonë është adaptuese; ajo nuk garanton apo madje as nuk sugjeron se proceset tona që prodhojnë besim janë të besueshme, apo se besimet tona janë për pjesën më të madhe të vërteta. Është kështu për shkak se sjellja jonë mund të jetë adaptive, por besimet tona mund të jenë kryesisht të rreme. Vetë Darvini me sa duket e ka patur shqetësim këtë çështje: “Tek unë,” thotë Darvini,
“lind dyshimi i llahtarshëm nëse bindjet e mendjes së njeriut, të cilat janë zhvilluar nga mendja e kafshëve më të ulëta, janë me ndonjë vlerë apo të besueshme në tërësi. A do të besonte dikush në bindjet e mendjes së një majmuni, në qoftë se në një mendje të tillë ka bindje?[4]”
Ndoshta ne mund ta parashtrojmë dyshimin e Darvinit sikundër vijon. Le të jetë R pohimi se dhuntitë tona konjitive janë të besueshme, N pohimi se natyralizmi është i vërtetë dhe E pohimi se ne dhe dhuntitë tona konjitive kanë ardhur në jetë nëpërmjet proceseve drejt të cilave teoria evolucionare bashkëkohore na tregon: cili është probabliteti i kushtëzuar i R mbi N&E? Pra, çfarë është P (probababiliteti) (R/N&E)? Darvini druan se ai mund të jetë i ulët.
Shumëçka mund të thuhet në lidhje me dyshimin e Darvinit. Përzgjedhja natyrore shpërblen sjelljen adaptive dhe penalizon sjelljen keqadaptive, por s’do t’ia dijë aspak se çfarë besoni ju. Si peshon kjo, saktësisht, mbi besueshmërinë e dhuntive tona njohëse? Në mënyrë që të shmangim hutimet apo shovinizmin e specieve, supozoni sikur ne të mendojmë, fillimisht, jo në lidhje me vetet tona dhe paraardhësit tanë, por në lidhje me një popullsi hipotetike të krijesave që janë shumë të ngjashme me ne në një planet të ngjashëm me Tokën. Supozoni se këto krijesa kanë dhunti konjitive; ato kanë besime, ndryshojnë besimet, dalin në konkluzione, dhe kështu me radhë; dhe supozoni se këto krijesa janë shfaqur nëpërmjet proceseve përzgjedhëse të përkrahura nga mendimi evolucionar bashkëkohor. Dhe supozoni se natyralizmi është i vërtetë në botën e tyre të mundur. Cili është probabliteti se dhuntitë e tyre konjitive janë të besueshme? Cila është P (R/N&E), e specifikuar, jo për ne, por për ata?
Ne mund ta marrim si të mirëqenë se sjellja e tyre është për pjesën më të madhe adaptive; por çfarë ndodh me besimet e tyre; a ka të ngjarë që ato të jenë për pjesën më të madhe të vërteta? Në mënyrë që të vlerësojmë P(R/N&E), për ato krijesa, ne duhet të hedhim vështrimin në marrëdhënien ndërmjet besimeve të tyre dhe sjelljes së tyre. Sjellja e tyre, supozojmë ne, është adaptive; por çfarë na tregon kjo në lidhje me të vërtetën e besimeve të tyre apo besueshmërinë e dhuntive të tyre konjitive? Ne do të shqyrtojmë probabilitetin e R mbi N&E dhe secilën prej dy mundësive (C dhe -C), mundësi që janë reciprokisht përjashtuese dhe bashkërisht shteruese. Duke pasur parasysh P(R/N&E&C) dhe P(R/N&E&-C), ne mund të përcaktojmë P(R/N&E). (Sigurisht, ne nuk do të jemi në gjendje që të përcaktojmë numra realë specifikë, por vetëm vlerësime të vagullta si “e lartë”, apo “e ulët”, apo “në zonën e afërt të 5”.)
Cilat janë këto dy mundësi C dhe –C? Së pari, çfarë lloj gjëje do të jetë një besim nga perspektiva e natyralizmit? Këtu unë do të asimiloj materializmin (në lidhje me qeniet njerëzore) me natyralizmin: qeniet njerëzore janë objekte materiale dhe as nuk janë dhe as nuk përmbajnë shpirtra apo vete jomateriale. (Të gjithë ose pothuajse të gjithë natyralistët janë materialistë, kështu që do të ketë pak humbje të përgjithësisë, në qoftë se gjithsesi do të ketë.) Dhe nga ky këndvështrim, domethënë, natyralizmi i sendërtuar në mënyrë të tillë që të përfshijë materializmin, një besim në dukje duhet të jetë diçka si një ngjarje ose strukturë afatgjatë në sistemin nervor – ndoshta një grup i strukturuar i neuroneve i lidhur dhe i ndërlidhur në një mënyrë të caktuar. Kjo strukturë nervore do të ketë cilësi neurofiziologjike (cilësitë NP); cilësi këto që specifikojnë numrin e neuroneve të përfshira, mënyrën në të cilën këto neurone janë të lidhur me njëri tjetrin dhe me struktura të tjera (muskuj, organe shqisore, ngjarje të tjera nervore, etj…), norma mesatare dhe intensiteti i ndezjes nervore në pjesë të ndryshme të kësaj ngjarjeje, dhe mënyrat në të cilat norma e ndezjes ndryshon me kalimin e kohës dhe në kundërpërgjigje ndaj inputit nga zona të tjera. Është e lehtë që të shihet se si këto cilësi të një ngjarjeje nervore duhet të kenë ndikim shkakësor mbi sjelljen e organizmit. Besimet, me gjasë, do të jenë të lidhura në mënyrë nervore me muskujt; ne mund të shohim se si impulset elektrike që vijnë nga besimi mund të negociojnë kanalet e zakonshme nervore dhe përfundimisht të shkaktojnë kontraktim muskulor.
Kështu, një besim do të jetë një strukturë nervore ose një ngjarje me një aradhë të cilësive NP. Por në qoftë se ky besim është vërtet një besim, atëherë ai gjithashtu do të ketë një tjetër tip të cilësisë: ai do të ketë përmbajtje; ai do të jetë besimi se p, për disa ndonjë pohim p – ndoshta pohimi se natyralizmi është në kulm këto kohë. Dhe sot çështja është kjo: a shkakton një besim – një strukture nervore – një sjellje në zinxhirin, dhe a hyn në zinxhirin shkakësor që çon drejt sjelljes, nëpërmjet përmbajtjes së tij? C është mundësia që përmbajtja e një besimi vërtet hyn në zinxhirin shkakësor që çon drejt sjelljes; –C është mundësia që kjo nuk ndodh.
Le t’ia fillojmë me –C (që ne mund ta quajmë epifenomenalizmi semantik): Çfarë është P(R/N&E&-C)? Sigurisht, është përmbajtja e një besimi që përcakton vërtetësinë ose jovërtetësinë e tij; një besim është i vërtetë vetëm në qoftë se pohimi që përbën përmbajtjen e tij është i vërtetë. Por duke pasur parasysh –C, përmbajtja e një besimi do të ishte i padukshëm për evolucionin. Duke qenë se përzgjedhja natyrore është e interesuar vetëm në sjelljen adaptive, jo në besimin e vërtetë, ajo do të ishte e paaftë që të modifikonte proceset që prodhojnë besimin në drejtimin e besueshmërisë më të madhe duke penalizuar besimin e rremë dhe duke shpërblyer besimin e vërtetë. Në përputhje me sa thamë deri tani, fakti që këto krijesa kanë mbijetuar dhe kanë evoluar, se pajisja e tyre konjitive ishte mjaftueshëm e mirë për t’i mundësuar paraardhësve të tyre që të mbijetojnë dhe të riprodhohen – ky fakt nuk do të na tregonte asgjë në lidhje me vërtetësinë e besimeve të tyre apo besueshmeërinë e dhuntive të tyre konjitive. Kjo do të tregonte diçka në lidhje me cilësitë neurofiziologjike të një besimi të dhënë; kjo do të na tregonte se, në sajë të këtyre cilësive, ky besim ka luajtur një rol në prodhimin e sjelljes adaptuese. Por kjo nuk do të na tregonte asgjë në lidhje me vërtetësinë e përmbajtjes së atij besimi; përmbajtja e tij mund të jetë e vërtetë, por me të njëjtin probabilitet mund të jetë i rremë. Besueshmëria kërkon një përmasë mjaft të lartë të besimeve të vërteta – për të qenë sa më të saktë, tre nga katër. Në këtë skenar (pra, N&E&-C), probabiliteti se tretë të katërtat e besimeve të këtyre krijesave janë të vërteta është i ulët. Këmbyerazi, ne mund të mendojmë se ku probabilitet është i panjohshëm – në mënyrë të atillë saqë ne thjesht nuk mund të themi, me përjashtim të limiteve mjaft të gjera, se çfarë është ai. Ky gjithashtu duket një konkluzion i arsyeshëm. P(R/N&E&-C), për rrjedhojë, është ose i ulët ose i panjohshëm.
Duke iu kthyer C-së, mundësisë tjetër, mundësisë që një përmbajtje e një besimi vërtet hyn në zinxhirin shkakësor që çon drejt sjelljes. Sikundër do të argumentoj më poshtë, është e vështirë që të shihet, në skenarin materialist, se si një besim mund të ketë ndikim shkakësor mbi sjelljen apo veprimin në sajë të përmbajtjes së tij. Megjithatë, le të supozojmë se C-ja është e vërtetë. Ky është pozicioni i bonsensit: besimi shërben si një shkak (i pjesshëm) dhe kësisoj si një shpjegim i sjelljes – dhe kjo shprehimisht qëndron për përmbajtjen e besimit. Unë dua një birrë dhe besoj se ka një në frigoriger; përmbajtja e këtij besimi, mendojmë ne rëndomtazi, shpjegon pjesërisht lëvizjet e atij objekti të madh kaba që është trupi im teksa ai e ngre veten nga kolltuku, lëviz drejt frigoriferit, e hap atë, dhe nxjerr birrën. Sa është P(R/N&E&C)? Jo aq e lartë sa mund të mendojë dikush.
A mund të argumentojmë se besimet janë të lidhura me sjelljen në mënyrë të tillë që besimi i rremë do të prodhonte sjellje keqadaptive, një sjellje që do të prirej të reduktonte mundësinë e mbijetesësë dhe riprodhimit të besimtarit? Jo. Së pari, besimi i rremë kurrsesi nuk garanton veprim keqadaptiv. Për shembull, besimi fetar është pothuajse universal në mbarë botën; madje edhe në gjirin e natyralistëve, mendohet gjerësisht se është adaptiv; e megjithatë natyralistët mendojnë se këto besime janë kryesisht të rreme. Mjaft qartësisht, besimi i rremë mund të prodhojë sjellje adaptive. Ndoshta një fis primitiv mendon se gjithçka është vërtet e gjallë, apo se është një magjistricë; dhe ndoshta të gjitha ose pothuajse të gjitha besimet e tyre janë të formës kjo magjistricë është F ose ajo magjistricë është G; për shembull, kjo magjistricë është e mirë për t’u ngrënë, ose ajo magjistricë ka gjasa që të më hajë mua në qoftë se unë i jap asaj një mundësi. Në qoftë se ata i mveshin cilësitë e duhura “magjstricave” të duhura, besimet e tyre mund të jenë adaptive ndërkohë që janë megjithatë të rreme (duke supozuar se në fakt magjistricat nuk ekzistojnë).
Çështja jonë ka të bëjë në të vërtetë me përmasën e besimeve të vërteta në gjirin e besimeve adaptive – domethënë, besimet e përfshira në shkaktimin e sjelljes adaptive. Cila pjesë e besimeve adaptive janë të vërteta? Për çdo besim vërtet adaptiv duket se mund të mendojmë me lehtësi për një besim të rremë që shpie drejt të njëjtës sjellje adaptive. Fakti se sjellja ime (apo ajo e paraardhësve të mi) ka qenë adaptive, për rrjedhojë, është në rastin më të mirë një arsye e dorës së tretë për të menduar se besimet e mia janë kryesisht të vërteta dhe se dhuntitë e mia konjitivie janë të besueshme – dhe kjo është e vërtetë madje edhe duke pasur parasysh këndvështrimin praktik të marrëdhënies së besimit me sjelljen. Kështu që ne nuk mund të argumentojmë në mënyrë të arsyeshme nga fakti se sjellja jonë (apo ajo e paraardhësve tanë) ka qenë adaptive, në përfundimin se besimet tona janë kryesisht të vërteta dhe dhuntitë tona konjitive të besueshme. Për rrjedhojë, është e vështirë që të shihet se P(R/N&E&C) është mjaft e lartë. Për t’i bërë një konçesion sa më të madh kundërshtarëve, megjithatë, le të themi se ky probabilitet është ose i panjohshëm ose në zonën e afërt të 9.
Tani, njehsimi i probabiliteteve (teorema mbi probabilitetin total) na tregon se
P(R/N & E) =[P(R/N & E &C) x P(C/N & E)]+[P(R/N & E & –C) x P(-C/N & E)],
pra, probabiliteti i R mbi N&E është mesatarja e pondeuar (weighted) e probabiliteteve të R mbi N&E&C dhe N&E&-C – e ponderuar nga probabilitetet e C dhe –C mbi N&E.
Ne kemi vënë tashmë në dukje se termi i majtë i të parit të të dy produkteve në anën e djathtë të barazimit është ose mjaft e lartë ose e panjohshme; i dyti është ose i ulët ose i panjohshëm. Ajo që mbetet është që të vlerësohen ponderimet, termat e djathtë të të dy produkteve. Kështu që, cili është probabiliteti i –C, duke pasur parasysh N&E, cili është probabiliteti i epifenomenalizmit semantik mbi N&E? Robert Cummings sugjeron se epifenomenalizmi semantik është në fakt këndvështrimi i perceptuar sa i përket marrëdhënies ndërmjet besimit dhe sjelljes.[5] Është kështu sepse është jashtëzakonisht e vështirë që të figurizohet një mënyrë, duke pasur parasysh materializmin, në të cilën përmbajtja e një besimi mund të bëhet shkakësisht e përfshirë në sjellje. Sipas materializmit, një besim është një strukturë nervore e ndonjë lloji – një strukturë që disi zotëron përmbajtje. Por si mund të përfshihet përmbajtja e tij në zinxhirin shkakërsor që shpie drejt sjelljes? Sikur një strukturë e tillë të kishte patur një përmbajtje të ndryshme, mendon dikush, kontributi i saj shkakësor ndaj sjelljes do të ishte i njëjtë. Supozoni sikur besimi im natyralizmi është në kulm këto kohë – struktura neurale që në fakt e shpërfaq atë përmbajtje – të kishte patur të njëtat cilësi neurofiziologjike por një përmbajtje krejtësisht të ndryshme: ndoshta askush nuk beson te natyralizmi sot. A do të kishte bërë ndonjë diferencë ndaj rolit në tij në shkaktimin e sjelljes sot? Është e vështirë që të shihet se si: do të kishin qenë të njëjtat impulse elektrike që udhëtojnë në të njëjtat shtigje nervore, duke lëshuar të njëjtat kontraktime muskulare. Për rrjedhojë, është tej mase e vështirë që të shihet se si epifenomenalizmi semantik mund të shmanget, duke pasur parasysh N&E. (Ka patur disa përpjekje të guximshme, por gjërat nuk duken shpresëdhënëse.) Kështu që, duket sikur P (–C/N&E) do të duhet të vlerësohet si relativisht i lartë; le të themi (për qartësi) .7, në cilin rast P(C/N&E) do të jetë .3. Sigurisht, ne lehtësisht mund ta kemi gabim; ne nuk kemi një mënyrë të sigurt për ta bërë dallimin; kështu që, ndoshta pozicioni kontervator këtu është se ky probabilitet është tejet i panjohshëm: dikush thjesht nuk mund të dallojë se çfarë është. Duke pasur parasysh dijen aktuale, për rrjedhojë, P (–C/N&E) është ose e lartë ose e panjohshme. Dhe në qoftë se P (–C/N&E) është i panjohshëm, atëherë e njëjta qëndron, mjaft natyrshëm, edhe për P(C/N&E). Çfarë do të thotë kjo për shumë e këtyre dy produkteve, pra, P(R/N&E)?
Kemi disa mundësi. Supozoni sikur ne mendojmë fillimisht për lëndën nga kndvështrimi i dikujt të cilit asnjëra prej probabiliteteve të përfshira nuk i duket e panjohshme. Më pas P(C/N&E) do të jetë në zonën e afërt të .3, P (–C/N&E) në zonën e afërt të .7, dhe P(R/N&E&–C) ndoshta në zonën e afërt të .2. Kjo lë P(R/N&E&C), mundësia që R është e vërtetë duke pasur parasysh natyralizmin e zakonshëm së bashku me këndvështrimin praktik sa i përket marrëdhënies ndërmjet besimit dhe sjelljes. Duke pasur parasysh se ky probabilitet nuk është i panjohshëm, le të themi se ai është në zonën e afërt të .9. Sipas këtyre vlerësimeve, P(R/N&E) do të jetë zonën e afërt të .41.[6] Supozoni, në krahun tjetër, se ne mendojmë që probabilitetet e përfshira janë të panjohshme: atëherë ne do të duhet të themi të njëjtën gjë për P (R/N&E). Për rrjedhojë, P(R/N&E), është ose i ulët – më pak se .5, sidoqoftë – ose i panjohshëm.
Në secilin rast, sidoqoftë, a nuk ka natyralisti – ose, sidoqoftë, ai që sheh se P(R/N&E) është e ulët ose e panjohshme – një mposhtës për R, dhe për propozimin se vetë dhuntitë e tij konjitive janë të besueshme? Unë kështu mendoj. Vëreni disa analogji me rastet e qarta. Unë dëgjoj në lidhje me një substancë të caktuar XXX, një substancë gëlltitja e së cilës ka gjerësisht famën se shkatërron besueshmërinë e dhuntive përgjegjëse për formimin e besimeve/bindjeve të dikujt; pavarësisht nga kjo, mua më duket e vështirë që të vlerësoj probabilitetin që gëlltitja e XXX vërtet shkatërron besueshmërinë konjitive, dhe të konsiderojë se probabiliteti është ose i lartë ose i panjohshëm. Tani supozoni se unë filloj e mendoj që ju keni gëlltitur XXX. Më pas, unë kam një anulues për gjithçka që unë besoj thjesht mbi faktin që e thoni ju; unë nuk kam për të besuar (ose nuk do të besoj) asgjë që ju më thoni në qoftë se unë nuk kam fakte të pavarura për atë. Dhe në qoftë se unë filloj të besoj se unë vetë gjithashtu kam gëlltitur X – ndoshta në një festë me teprime përtej kufinjve – atëherë unë do të kem një anulues për R në rastin tim. Supozoni, në ekuivalentin modern ndaj rastit të djallit të lig të Dekartit, se unë filloj të mendoj që unë jam një tru në një vaskë, dhe se probabiliteti që dhuntitë e mia konjitive të jenë të besueshme, duke qenë se jam një tru në një vaskë, është i ulët ose i panjohshëm; atëherë unë kam sërish një anulues për R sa i përket vetes sime.
Ndoshta duket më e vështirë që të shihet se një njeri ka një anulues për R në rastin kur probabiliteti relevant është i panjohshëm se sa në rastin ku është i ulët. Supozoni se ju bleni një termometër; më pas mësoni se zotëruesi i fabrikës ku ai është prodhuar është një person i cili synon të bëjë ç’të mundet për t’i vënë minat teknologjisë bashkëkohore, dhe për këtë qëllim bën të paktën disa instrumente që janë të pabesueshme. Ju s’mund të thoni se cili është probabiliteti i besueshmërisë i këtij termometri, duke qenë se është bërë në atë fabrikë; ai probabilitet është i panjohshëm për ju. Por a do t’i besonit këtij termometri? Është jashtë dritares suaj, dhe aty thotë 30 gradë Fahrenhajt (-1 gradë Celsius); në qoftë se nuk keni asnjë burim tjetër informacioni për temperaturën jashtë, a do të besonit se është 30 gradë Fahrenhajt (-1 gradë Celsius)?
Një tjetër analogji: ju niseni për një udhëtim të eksplorimit hapsinor dhe zbarkoni në një planet që sillet rreth një dielli të largët, një planet që me sa duket ka një atmosferë të favorshme. Ju hapni kapanxhën, dilni jasht, dhe menjëherë zbuloni atë që duket se është një instrument që ngjan shumë si një radio tokësore; ju prekni numrat, dhe mbas disa këlthimash fillon të lëshojë vargje tingujsh që, mjaft çuditërisht, iu japin trajtë fjalive në anglisht. Këto fjali shprehin pohime vetëm për tema për të cilat ju nuk keni asnjë dije: si është moti në Pekin në këto çaste, a kishte ngrënë Çezari vezë me bukë të thekur mëngjesin kur ai kaloi Rubikonin, dhe a ishte mëngjarash njeriu i parë që kaloi ngushticën e Beringut. I shtangur, ose më saktë i tronditur, nga zbulimi juaj, ju fillimisht krijoni opinionin se ky instrument thotë të vërtetën, se pohimet e shprehura (në anglisht) nga ato fjali janë të vërteta. Por më pas ti sjell në kujtesë se nuk ke asnjë ide se kush apo çfarë e ndërtoi instrumentin, për çfarë shërben ai, apo nëse ka ndonjë qëllim në tërësi. Ju kuptoni se probabiliteti që ai të jetë i besueshëm, duke pasur parasysh atë që ju dini rreth tij, është i panjohshëm. Më pas, ju gjeni një anulues për besimin tuaj fillestar se kjo gjë në fakt thotë të vërtetën. Në të njëjtën mënyrë, pra, fakti se P(R/N&E) është i ulët ose i panjohshëm ju jep ju një anulues për R.
Por këtu ngre krye një kundërshtim. Në përpjekjen për të vlerësuar P(R/N&E), unë sugjerova se epifenomenalizmi semantik ishte i mundur, duke pasur parasysh materializmin, për shkak se një strukturë nervore do të shkaktonte të njëjtën sjellje në qoftë se ajo do të kishte patur përmbajtje të ndryshme por të njëjtat cilësi NP. Por, thotë kundërshtuesi, nuk mund të kishte patur të njëjtat cilësi NP por përmbajtje të ndryshme; të pasurit e një përmbajtje të caktuar thjesht është të pasurit e një grupi të caktuar të cilësive NP. Ky është një kundërshtim i arsyetuar. Duke pasur parasysh materializmin, ka një mënyrë se si të vështrohet marrëdhënia ndërmjet përmbajtjes (si dhe cilësive të tjera mendore) dhe cilësive NP sipas të cilave kundërshtuesi ka qartësisht të drejtë. Ne, për rrjedhojë, duhet të shohim paksa më thellësisht në brendësi të kësaj marrëdhënieje. Këtu ka në themel dy pozicione: reduksionizmi ose materializmi reduktiv në njërin krah, dhe materializmi joreduktiv në krahun tjetër. Merrni në konsideratë cilësinë e të pasurit si përmbajtje pohimin natyralizmi është në shkulm këto kohë, dhe quajeni këtë cilësia C. Sipas materializmit reduktiv, C thjesht është një kombinim i caktuar i cilësive NP.[7] Mund të jetë një shkëputje e këtyre cilësive; me më tepër të ngjarë një konstruksion i ndërlikuar Bulean mbi cilësitë NP, ndoshta diçka e tillë
[P1& P7& P28…) v (P3& P17&…) v ( P8& P83& P107…) v…
(ku Pi-të janë cilësitë NP)
Tani merrni çdo besim B që ju pëlqen: cili është probabiliteti që B është i vërtetë, duke pasur parasysh N&E dhe materializmin reduktiv? Ajo që ne dimë është se B ka një përmbajtje të caktuar; se të pasurit e asaj përmbajtjeje thjesht është të pasurit e një kombinimi të caktuar të cilësive NP; dhe (ne mund të supozojmë) se të pasurit e atij kombinimi të cilësive NP është adaptiv (në rrethanat në të cilat organizmi e gjen veten). Cili është, atëherë, probabiliteti që përmbajtja B është e vërtetë? Sigurisht, nuk ka rëndësi në qoftë se është e vërtetë; në qoftë se është e vërtetë, cilësitë NP që përbjën atë përmbajtje do të jenë adaptive, por në qoftë se është e rreme, ato cilësi do të jenë njëlloj adaptive, duke qenë se në secilin rast bëjnë të njëjtin kontribut shkakësor ndaj sjelljes. Ai kombinim i cilësive NP është cilësia e të pasurit të një përmbajtje të caktuar; është cilësia e të qenurit të asociuara me një pohim të caktuar p në mënyrë të atillë që p-ja është përmbajtja e besimit. Të pasurit e këtij kombinimi të cilësive NP është adaptive; prandaj, të pasurit e këtij besimi është adaptiv; por ai kombinim i cilësive NP do të jetë njëlloj adaptiv pavarësisht nëse p është e vërtetë apo e rreme. Në këtë rast (reduksionizmi) përmbajtja vërtet hyn në zinxhirin shkakësor duke çuar drejt sjelljes, për shkak se cilësitë NP e bëjnë një gjë të tillë, dhe të pasurit e një përmbajtjeje të caktuar thjesht do të thotë të shpërfaqësh një grup të caktuar të cilësive NP. Por ato cilësi do të jenë adaptive, pavarësisht nëse përmbajtja, të pasurit e së cilës ato përbëjnë, është e vërtetë. Përmbajtja hyn, sigurisht, por jo, mund të themi ne, si përmbajtje. Më mirë, përmbajtja hyn në zinxhirin shkakësor që çon drejt sjelljes, por jo në mënyrë të tillë që e vërteta apo e pavërteta e saj ndikon mbi karakterin adaptiv të besimit.
Por, mund të kundërshtojë dikush, duke qenë se besimi është adaptiv, a nuk ka një probabilitet më të madh që ai të jetë i vërtetë se sa të jetë i gënjeshtërt? Përse kështu? Për shkak se, vijon kundërshtuesi, të qenurit adaptiv i besimit nënkupton se të pasurit e këtij besimi, në këto rrethana apo të ngjashme me këto, ka ndihmuar stërgjyshërit e krijesës që të mbijetojnë dhe të riprodhohen; pasja e këtij besimi ka kontribuar në përshtatshmërinë riprodhuese. Dhe a nuk do të ishte shpjegimi më i mirë për këtë kontribut se besimi ka përfaqësuar me përpikmëri rrethanat e tyre, me fjalë të tjera ishte i vërtetë? Kështu që, me gjasë, besimi është adaptiv për këtë krijesë në rrethanat e saj për shkak se është i vërtetë.[8]
Ky kundërshtim, sado që mund të tingëllojë tërheqës, është i gabuar. Shpjegimi i duhur për të qenurit adaptiv të këtij shpjegimi është se pasja e cilësive NP që përbën përmbajtjen e besimit shkakton sjellje adaptive, jo se besimi është i vërtetë. Dhe sigurisht pasja e atyre cilësive NP mund të shkaktojë sjellje adaptive pavarësisht nëse përmbajtja që ato përbëjnë është apo jo e vërtetë. Në një nivel të caktuar të kompleksistetit të cilësive NP, struktura nervore që shpërfaq ato cilësi gjithashtu përfton një përmbajtje të caktuar C. Kjo është sepse pasja e atij kompleksi të veçantë të cilësive NP thjesht është ajo që është të kesh C. Pasja e atyre cilësive NP, me gjasë, është adaptive; por fakti nëse përmbajtja që lind në këtë mënyrë është e vërtetë apo e rreme nuk bën asnjë diferencë ndaj kësaj adaptueshmërie. Ajo që shpjegon adaptueshmërinë është thjesht se pasja e këtyre cilësive NP, kjo përmbajtje, shkakton sjellje adaptive.[9]
Pra, konsideroni sërish një besim B me përmbajtjen e tij C; cili është, pra, duke pasur parasysh se pasja e atij besimi është adaptiv, probabiliteti që C të jetë e vërtetë, është një pohim i vërtetë? Duke qenë se vërtetësia e përmbajtjes nuk bën një diferencë ndaj adaptivitetit të besimit, besimi mund të jetë i vërtetë, por mund të jetë njëlloj i rremë. Ne do të na duhej të vlerësonim probabilitetin se ai është i vërtetë njëlloj si për .5. Por, atëherë, në qoftë se krijesa ka 1000 besime të pavarura, probabiliteti që, le të themi, tre të katërtat e tyre janë të vërteta (dhe kjo do të ishte një kërkesë minimale për besueshmëri) do të jetë mjaft i ulët – më pak se 10 në fuqi të -58.[10] Kështu pra, mbi natyralizmin dhe reduksionizmin, probabiliteti i R duket se është tejet i ulët.
Kjo është mënyra se si shkojnë punët duke pasur parasysh materializmin reduktiv; sipas materializmit joreduktiv, mundësia tjetër, një cilësi mendore nuk është një cilësi NP ose ndonjë konstruksion Bulean mbi cilësitë NP, por një lloj i ri i cilësisë që ilustrohet me shembull konkret kur një strukturë nervore arrin një shkallë të caktuar të kompleksitetit – pra, kur ajo shpërfaq një set të caktuar mjaftueshëm kompleks të cilësive të NP. (Ne mund ta quajmë atë një cilësi “emergjente”.) Sërish, merrni çdo besim të veçantë B: cili është probabiliteti, mbi N&E& materializmin joreduktiv, që B të jetë e vërtetë? Ajo që ne dimë është se B ka një përmbajtje, se kjo përmbajtje lind kur struktura ka një set të caktuar kompleks të cilësive NP, dhe se pasja e atij seti të cilësive NP është adaptiv. Por sërish, nuk ka rëndësi për adaptivitetin fakti në qoftë se përmbajtja e bashkëlidhur me ato cilësi NP është e vërtetë apo e rreme; kështu edhe një herë tjetër, probabiliteti që përmbajtja është e vërtetë do të duhet të vlerësohet si për .5; prandaj, probabiliteti që këto krijesa kanë dhunti konjitive të besueshme është i ulët. Për rrjedhojë, ai probabilitet, sidoqoftë, është i ulët, kështu që P(R/N&E) është gjithashtu i ulët – ose, sikundër ne mund të shtojmë, në qoftë se ne duam, i panjohshëm.
Tani, për argumentin që një njeri nuk mund të pranojë në mënyrë racionale N&E. P(R/N&E), për ato krijesa hipotetike, është i ulët ose i panjohshëm. Por ato krijesa nuk janë të ndryshme në mënyrë relevante nga ne; kështu që, sigurisht, e njëjta gjë është e vërtetë edhe për ne: P(R/N&E) e specifikuar ndaj nesh është gjithashtu e ulët ose e panjohshme. Ne kemi parë për më tepër se një njeri që pranon N&E (dhe sheh se P(R/N&E) është ose e ulët ose e panjohshme) ka një anulues për R. Por një njeri që ka një anulues për R, ka një anulues për çdo besim që ai apo ajo e merr se është një produkt i dhuntive të tij apo të saj konjitive – që është sigurisht të gjitha besimet e tij apo të saj. Ai apo ajo, për rrjedhjojë, ka një anulues për vetë N&E; pra, ai që pranon N&E ka një anulues për N&E, një arsye për të dyshuar ose refuzuar ose për të qenë agnostik sa i përket atij. Në qoftë se ai apo ajo nuk kanë asnjë evidencë të pavarur, atëherë kursi racional do të ishte që të refuzohej besimi në N&E. Në qoftë se ai apo ajo nuk ka asnjë evidencë të pavarur, N&E është vetë anulues dhe, për këtë arsye, iracional.
Por, sigurisht, anuluesit, nga ana tjetër, mund të anulohen edhe ata vetë; pra, a nuk mund të gjejë ai apo ajo një anulues për këtë anulues – një anulues të anuluesit? Ndoshte duke bërë pak shkencë, për shembull, duke përcaktuar nëpërmjet mjeteve shkencore se dhuntitë e saj janë vërtet të besueshme? A nuk mund të shkojë ai apo ajo në laboratorin e besueshmërisë konjitive të MIT (Institutit Teknologjik të Masaçusets) për një kontroll? Qartësisht, kjo nuk ka për ta ndihmuar. Pa dyshim, ai kurs do të presupozonte se dhuntitë e tij apo të saj janë të besueshme; ai apo ajo do të mbështetej mbi përpikmërinë e dhuntive të saj në të besuarit se ka një gjë të tillë që quhet MIT, se ai apo ajo në fakt është konsultuar me shkencëtarët e Institutit, se ata i kanë dhënë asaj apo atij një kartelë të pastër të shëndetit konjitiv, dhe kështu me radhë. Thomas Reid (Essays on the Intellectual Powers of Man)[11]e parashtron në këtë mënyrë:
“Në qoftë se ndershmëria e një njeriu do të vihej në diskutim, do të ishte qesharake që t’i referoheshim fjalës së vetë njeriut, pavarësisht nëse ai është i ndershëm apo jo. I njëjti absurditet ndeshet kur ka një përpjekje për të vërtetuar, me cillindo lloj të arsyetimit, të mundshëm apo demonstrativ, se arsyeja jonë është pa të meta, duke qenë se vetë pika në diskutim këtu është në qoftë se mund t’i besohet arsyetimit.”
A ka ndonjë mënyrë të arsyeshme në tërësi sipas së cilës ai apo ajo mund të argumentojë për R? Është e vështirë që të kuptohet se si. Çdo argument që ai apo ajo mund të prodhojë do të ketë premisa; këto premisa, pretendon ai apo ajo, i japin një arsye të mirë për të besuar R. Por, sigurisht, ai apo ajo ka të njëjtin anulues për secilën prej atyre premisave që ajo ka për R; dhe ajo ka të njëjtin anulues për besimin se në qoftë se premisat e atij argumenti janë të vërteta, atëherë i tillë është edhe konkluzioni. Pra, krijohet ideja sikur ky anulues nuk mund të mposhtet. Evolucioni natyralist u jep përkrahësve të tij një arsye për të dyshuar se besimet tona janë kryesisht të vërteta; ndoshta, ato janë kryesisht të gabuara. Por më pas nuk ka për të ndihmuar që të argumentohet se ato nuk mund të jenë përgjithësisht të gabuara; sepse vetë arsyeja e të mos besuar në dhuntitë tona konjitive në përgjithësi, do të jetë një arsye për të mos besuar në dhuntitë që prodhojnë besimin në mirësinë e argumentit.
Ky anulues, për rrjedhojë, nuk mund të anulohet. Prandaj entuziasti i N&E ka një anulues të pamposhtur për N&E. Për rrjedhojë, N&E nuk mund të pranohet racionalisht – sidoqoftë, nga dikush që është i informuar rreth këtij argumenti dhe sheh lidhjet ndërmjet N&E dhe R.
Por në qoftë se N&E nuk mund të pranohet racionalisht, ka vërtet një konflikt ndërmjet natyralizmit dhe evolucionit: një njeri nuk mund t’i pranojë ato të dyja racionalisht. Por, evolucioni shtë një doktrinë shkencore jashtëzakonisht e rëndësishme, njëra nga shtyllat kryesore të shkencës bashkëkohore. Prandaj ka një konflikt ndërmjet natyralizmit dhe shkencës. Konkluzioni duket se është që ka një konflikt fe/shkencë, pa diskutim, por nuk është ndërmjet besimit të krishterë dhe shkencës: konflikti është ndërmjet natyralizmit dhe shkencës.[12]
Përktheu: Arjol Guni
Referenca
[1] Gabimisht, sipas gjykimit tim. Nuk ka një ndërlidhshmëri të brendshme ndërmjet shkencës dhe natyralizmit; dhe vërtet, sikundër kam për të argumentuar unë, natyralizmi bie ndesh me shkencën.
[2] Kështu thotë Richard Dawkins: “Ndonëse ateizmit mund të ketë qenë logjikisht i qëndrueshëm përpara Darvinit, Darvini bëri të mundur të qenurit ateist intelektualisht i plotësuar.” The Blind Watchmaker (New York: Norton, 1986), fq. 6–
[3] Sikundër thotë psikologu evolucionar Donald Sloan Wilson, “mendja e përshtatur mirë është përfundimisht një organ i mbijetesës dhe riprodhimit.” Darwin’s Cathedral (Chicago: University of Chicago Press, 2002), fq. 228.
[4] Letër për VVilliam Graham Dovvn, 3 korrik 1881. Në The Life and Letters of Charles Darwin: Including an Autobiographical Chapter, ed. Francis Darvvin (London: John Murray, 1887), vol. 1, fq. 315–16. Madje edhe Fales ka sugjeruar se Darvini ka ndërmend këtu jo besimin në përgjithësi, por bindjet fetare dhe filozofike dhe besimet teorike. Në qoftë se ai ka të drejtë, dyshimi i Darvinit nuk do të shtrihej në besimet e përditshme me pasojën, p.sh., se buka është ushqyese por balta jo, por për besimet fetare dhe filozofike – si natyralizmi.
[5] Meaning and Mental Representation (Cambridge, MA: MIT Press, 1989), fq. 130.
[6] Sigurisht, këto shifra janë vlerësimet më të thjeshta të përafërta; të tjerë mund të t’i bëjnë vlerësimet disi ndryshe; por ato mund të ndryshohen në mënyrë domethënëse pa ndryshuar në mënyrë domethënëse rezultatin final. Për shembull, ndoshta ju mendoni se P(R/N&C) është më e lartë, ndoshta edhe 1; më pas (duke ruajtur funksionet e tjera) P(R/N) do të jetë në zonën e afërt të .44. Ose ndoshta ju refuzoni mendimin se P(-C/N) është më e mundur se sa P(C/N), duke i menduar ato gati të barabarta. Më pas, (sërish duke ruajtur funksionet e tjera) P(R/N) do të jetë në zonën e afërt të .55.
[7] Ose (për të akomoduar mendimin se kuptimi “s’është në kokë”) një kombinim i cilësive NP me cilësitë mjedisore. Unë do ta marrë si të mirëqenë por nuk do ta përmend këtë kualifikim në sa vijon.
[8] Këtu i detyrohem Tom Crisp.
[9] Në këtë drejtim, merrni në konsideratë besimet e ëndrrave. Merrni një besim të caktuar ëndrre me përmbajtjen e tij C: të pasurit e cilësive NO që përbëjnë cilësinë e të pasurit të C është me gjasë adaptive; por kjo nuk bën asnjë diferencë sa i përket faktit nëse ajo përmbajtje është e vërtetë apo jo.
[10] Sikundër është përllogaritur nga Paul Zwier. Ky është probabiliteti që e gjithë bateria e fakulteteve konjitive është e besueshme; probabiliteti se një fakultet i dhënë është i besueshëm ka për të qenë më i madh, por sërish i vogël; në qoftë se autputi i tij është, le të themi, 100 besime, probabiliteti që tre të katërtat e tyre janë të vërteta nuk ka për të qenë më shumë se .000001.
[11] Thomas Reid, Essays on the Intellectual Powers of Man, ed. Derek R. Brookes (Philadelphia: Penn Press, 2002).
[12] Për këshilla të mençura dhe të mira, u jam mirënjohës Thad Botham, E. J. Coffman, Robin Collins, Tom Crisp, Chris Green, Jeff Green, Dan McKaughan, Brian Pitts, Luke Potter, dhe Del Ratzsch.
Last modified: 17/08/2021