Rezart Beka
Për myslimanët Kurani është shpallja përfundimtare dhe e përsosur e Zotit, ai zë një vend qendror në adhurimin dhe jetën e përditshme të tyre. Sipas besimit mysliman, Kurani është Fjala e përhershme e Zotit që i është diktuar Profetit Muhamed nga engjëlli Xhebrail, prandaj çdo aspekt i tij, qoftë nga ana e arranzhimit të tekstit, nga ajo kuptimore, gjuhësore, sintaksore, është po ashtu i shenjtë. Në botën moderne ky konceptim ka filluar të mos kuptohet më ashtu si më parë, sepse që nga koha e Iluminizmit, shenjtëria e një teksti kërkohet më shumë në përmbajtjen e tij sesa në formën e paraqitjes. Kjo e fundit i atribuohet ndërmjetësit njerëzor, me gjithë kufizimet, gabimet dhe defektet që karakterizojnë qenien njerëzore.
Mirëpo, në kuptimin tradicional mysliman Kurani e shpalos shenjtërinë, jo vetëm në aspektin kuptimor e përmbajtësor, por edhe në atë vizual (estetik, kaligrafik) dhe auditiv (melodik, ritmik). E vërteta hyjnore nuk ka vetëm formë konceptuale, por edhe kaligrafike dhe melodike. Kurani është në tërësi i shenjtë dhe e shpërfaq hyjnoren në çdo aspekt të tij. Për rrjedhojë ai mund ta përçojë plotësisht shenjtërinë e tij vetëm duke e marrë dhe përjetuar në tërësi. Kjo është edhe një prej arsyeve përse myslimanët këmbëngulin ta recitojnë Kuranin në gjuhën origjinale gjatë adhurimeve rituale.
Për shkak të ndikimit të konceptimit modern rreth një teksti të shkruar, që shenjtëron vetëm përmbajtjen, por jo paraqitjen tekstuale apo recitimin e tij, vetëm shpirtin dhe jo gërmën, edhe vetë myslimanët ndonjëherë tregohen të pavëmendshëm kundrejt rëndësisë që ka aspektit vizual (kaligrafik) dhe auditiv (melodia, harmonia, ritmi) në përçimin dhe përjetimin e shenjtërisë së tekstit kuranor.
Si një rikujtim dhe ripërtëritje e këtij vizoni unifikues kuranor do të përmendim dy shembuj përjetimi të shenjtërisë përmes këtyre dy aspekteve, shpesh të lëna pas dore.
Rrëfimi i mëposhtëm përshkruan në mënyrë të gjallë përjetimin “kaligrafik” të shenjtërisë së Kuranit nga në grua analfabete nga India:
“Më pas, ajo shtrinte sixhadenë e faljes, një stof persian shumë i bukur e i butë, të drejtuar kah nga Lindja. Tani ajo po shkonte në drejtim të këndit të dhomës ku, mbështjellë në mëndafsh të gjelbër, qëndronte Kurani. Ajo e nxirrte Kuranin s’andejmi dhe e mbante pranë zemrës. Sytë i mbusheshin me lot. Po mbante në dorë një libër të cilin e donte dhe e respektonte aq shumë, e prapëseprapë nuk qe e aftë ta lexonte. Ndërmendej, pastaj, duke qarë si fëmijë, për çastin kur Zëri i thoshte pareshtur Profetit në shpellën e Hirës: “Lexo, Lexo në emër të Zotit”. Dhe Profeti përgjigjej i pashpresë: “Nuk di të lexoj”.
Më pas ajo kthehej tek sixhadeja duke e ngritur Kuranin mbi kokë, e sikur thoshte: O Libër! Ti je mbi të kuptuarin tim. Koka ime nuk është gjë tjetër, veç një vend mbi të cilin të prehesh.
Mbasi ulej, pa e zënë tërë sixhadenë, por vetëm një pjesë të saj, – pasi zënia e të tërës ishte akt arrogance për të – ajo e hapte librin, duke ditur vetëm se cila anë ishte ana e sipërme, dhe vazhdonte aty ku e kishte lënë një ditë më parë.
Për një kohë të gjatë ajo i lejonte sytë të preheshin mbi dy faqet e hapura përpara saj. Shkronjat në bojë të gjelbër nga e djathta në të majtë, rresht pas rreshti, secila formë joshëse në mënyrë të mistershme, çdo pikë nën apo mbi shkronjë si mishërim i të gjithë shkrimit, çdo grumbull shkronjash si një grup dervishësh që ngrenë kryet nëdhikër, çdo hendek mes dy trajtash enigmatike si kërcim nga kjo botë në tjetrën e çdo fund si ardhja e Ditës së Ringjalljes.
Kësisoj ajo shihte mijëra imazhe gjatë procesionit të atij shkrimi, duke u shpërngulur nga vegimi në vegim.
Pasi kish kaluar shumë kohë thjesht duke e soditur librin e hapur, me një dritë të çuditshme që i shndriste në fytyrë, ajo e ngrinte dorën e djathtë dhe me gisht niste e prekte germat në çdo rresht, pastaj një tjetër rresht, gjer në fund të faqes. Çka përçohej mes librit dhe asaj prekjeje, e çfarë dijeje shkëmbehej, pa kurrfarë ndërmjetësimi të ndonjë mendimi të ndërgjegjshëm, drejtpërdrejt në shpirtin e saj, këtë vetëm Kurani dhe kjo recituese e çuditshme mund ta dinin. E gjithë bota do të ngrinte në vend para këtij recitali pa fjalë, pa kuptim, pa dije. Me atë prekje vendosej njëfarë uniteti mes saj dhe Kuranit. Në atë çast ajo kish kaluar në një gjendje identiteti të plotë me fjalën e Zotit. Paaftësia e saj për ta lexuar shkrimin ishte aftësia e saj për të dëgjuar edhe një herë: Lexo! Lexo, në emër të Zotit tënd!”[1]
Në një farë mënyrë, duket se paraqitja vizuale/kaligrafike e gërmave dhe tekstit kuranor e shpërfaq realitetin në një mënyrë që e tejkalon/transcendon arsyen dhe kuptimin racional.
Në Algjeri, një tjetër grua (Isabelle Eberhardt) tregon përjetimin e shenjtërisë, nga ana e saj, të tekstit kuranor në formën e tij dëgjimore dhe mënyrën se si ajo brenda në xhami bëhet receptuese e zërit hyjnor të të Pakufishmit.
Ja se si e përshkruan ajo këtë përvojë:
“Vendi ishte i freskët dhe i errët teksa hyja brenda dhe një grusht kandilësh me vaj ishin të vetmit burime drite.
Një ndjesi e Islamit të lashtë, të paqmë e të mistershëm.
Ndenja një kohë të gjatë pranë mihrabit. Diku larg prapa nesh erdh’ e u ngrit një zë i lartë, i qartë dhe i gjallë, një zë si në ëndërr, që ia la radhën zërit të imamit ca më të moshuar, i cili qëndronte ulur në mihrab, ku këndoi Fatihanë me zërin e tij të dredhur.
Duke ndenjur pranë njëri-tjetrit, që të gjithë ne u falëm duke dëgjuar shkëmbimet e gjalla, e gjithaq solemne ndërmjet atyre dy zërave. Ai përpara nesh tingëllonte i vjetër dhe i ngjirur, mirëpo dalëngadalë erdhi duke u ngritur, gjer sa u bë i fortë e i fuqishëm, ndërkohë që zëri tjetër me sa dukej vinte diku nga skutat e errta të xhamisë, ndërsa këndonte triumfalisht me intervale të rregullta besimin e tij të palëkundur, rrezatues, tek Allahu dhe Profeti i Tij… Unë u ndjeva thuajse në ekstazë, kraharori më shtrëngohej dhe zemra fluturonte drejt viseve hyjnore prej të cilave dukej se vinte zëri i dytë, me një ton hareje melankolike, kryekëput i bindur dhe i paqmë.
Oh, të përulesh mbi sixhadetë e ndonjë xhamie të heshtur, larg prej zhurmës së pamend të jetës së qytetit, dhe, me sytë mbyllur, me shikimin e shpirtit të drejtuar kah qiejt, duke dëgjuar përgjithmonë këngën e Islamit![2]“
Këta dy shembuj të shkurtër duhet të shërbejnë si një përkujtim për ne që të ripërtërijmë kuptimin zanafillor të konceptimit të shenjtërisë së tekstit kuranor, e cila nuk gjallon vetëm brenda paradigmave racionale dhe kuptimore të tekstit, por në mënyrë po aq të fuqishme, shpërfaqet edhe në paraqitjen grafike të tij dhe në përjetimin dëgjimor të melodisë së Fjalës së përhershme të Zotit.
Reference
[1]Hasan Askari, ‘Alone to Alone: from awareness to vision’ (Leeds: Seven Mirrors, 1991), f. 113.
[2]The Diaries of Isabelle Eberhardt, ed. Elizabeth Kershaw (Chichester: Summersdale, 2002), f. 55-6.
Last modified: 21/04/2022