Benjamin Keldani Fragment i shkëputur nga libri i Benjamin Keldanit, “Muhamedi në Bibël”, (Botime Erasmus, 2004)“PARAKLETI” NUK ËSHTËFRYMA E SHENJTË Në këtë artikull mund të diskutojmë tani për “Parakletin” e famshëm të Ungjillit të Katërt. Jezu Krishti, sikurse Gjon Pagëzori, lajmëroi ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, ftoi njerëzit në pendesë dhe i pagëzoi ata për shlyerjen e mëkateve të tyre. Ai e përmbushi me nder misionin e tij dhe e përcolli me besnikëri mesazhin e Perëndisë tek populli i Izraelit. Ai vetë nuk ishte themeluesi i Mbretërisë së Perëndisë, por vetëm lajmëtari i saj dhe kjo është arsyeja, për të cilën ai nuk shkroi asgjë dhe nuk autorizoi askënd që të shkruante Ungjillin e Shenjtë që e kishte të skalitur në mendjen e tij. Ai shpalli për ndjekësit e tij Ungjillin që donte të thoshte “lajm i mirë” në lidhje me “Mbretërinë e Perëndisë” dhe “Pereiklitos”-in, por këtë nuk e bëri me shkrim, por në biseda gojore dhe në ligjërata të hapura. Këto ligjërata të hapura dhe shembëlltyra u përcollën më tej nga ata që i kishin dëgjuar ato për tek ata që nuk i kishin dëgjuar. Shumë kohë më vonë, thëniet dhe mësimet e Mësuesit u përmblodhën edhe në shkrime. Jezusi nuk ishte më Rabbi, por Logos – Fjalë Hyjnore; nuk ishte më Pararendës i Parakletit, por Zoti dhe Eprori i tij. Fjalët e tij të pastra e të vërteta u tjetërsuan e u përzien me mite dhe legjenda. Për njëfarë kohe, ai u prit nga çasti në çast që të zbresë nga retë me ushtritë e engjëjve. Mirëpo apostujt ndërruan jetë të gjithë dhe ardhja e Jezu Krishtit u shty. Personi dhe doktrina e tij nxitën lindjen dhe rritjen e një numri të madh spekulimesh fetare e filozofike. Sektet ndoqën njëri-tjetrin. Ungjijtë dhe Letrat nën emra e tituj të ndryshëm u shfaqën në shumë qendra dhe një numër i madh studiuesish e apologjetësh të krishterë luftuan e kritikuan teoritë e njëri-tjetrit. Nëse do të kishte qenë shkruar ndonjë Ungjill gjatë kohës së Jezusit, apo qoftë edhe një libër i autorizuar nga “Shkolla” e Apostujve, mësimet e Profetit të Nazaretit do të kishin ruajtur pastërtinë dhe tërësinë e tyre deri në shfaqjen e Periklitit – Ahmedit. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Çdo shkrues bëri të vetën një pikëpamje të ndryshme për Mësuesin e fesë së vet dhe e përshkroi atë në librin e tij – që e quajti Ungjill apo Letër – sipas përfytyrimit të vet. Fluturimi i lartë i mendimit në lidhje me Fjalën, profecia për Periklitin, bisedat e pashpjegueshme të Jezusit mbi mishin dhe gjakun e vet dhe një radhë mrekullish, ngjarjesh e thëniesh të regjistruara në Ungjillin e Katërt ishin të panjohura për Sinoptikët dhe, si pasojë, mbetën të panjohura edhe për shumicën e të krishterëve që nuk i kishin parë këto tekste për dy shekuj. Edhe Ungjilli i Katërt, si çdo libër tjetër i Dhjatës së Re, u shkrua në greqisht dhe jo në aramaisht, e cila ishte gjuha amtare e Jezusit dhe e dishepujve të tij. Për pasojë, na duhet përsëri të përballemi me të njëjtat vështirësi që patëm kur diskutuam për “Eudokia”-n e Shën Lukës[1] dhe pikërisht: çfarë fjale apo emri përdori Jezusi në gjuhën e tij të nënës për të shprehur atë që në Ungjillin e Katërt është përkthyer “Parakleti” dhe që është kthyer në “ngushëllues” në të gjithë versionet e Ungjillit? Përpara se të diskutojmë etimologjinë dhe kuptimin e vërtetë të kësaj forme joklasike apo, më saktë, të shtrembëruar të Parakletit, është e nevojshme të bëjmë një vëzhgim të shkurtër mbi një tipar të veçantë të Ungjillit të Shën Gjonit. Autorësia dhe autenticiteti i këtij Ungjilli janë çështje, të cilat lidhen me Kriticizmin e Lartë Biblik, por është e pamundur të besohet se Apostulli mund ta ketë shkruar këtë libër ashtu siç e kemi në duar ne, në formën dhe përmbajtjen e sotme. Autori, qoftë ky Johannan-i (Gjoni), Zebedeu apo dikush tjetër me këtë emër, duket të jetë i familjarizuar me doktrinën e dijetarit dhe filozofit të njohur çifut, Filonit, në lidhje me Logosin (Fjalën). Dihet mirë se pushtimi i Palestinës dhe themelimi i Aleksandrisë nga Aleksandri i Madh hapi, për herë të parë, një epokë të re për kulturën dhe qytetërimin. Pikërisht atëherë dishepujt e Moisiut u takuan me ata të Epikurit dhe ndodhi ndikimi i fuqishëm i doktrinës shpirtërore të Biblës në materializmin e paganizmit grek. Arti dhe filozofia greke filloi të admirohet dhe të studiohet nga dijetarët çifutë të ligjit si në Palestinë, ashtu edhe në Egjipt, ku ata kishin një bashkësi shumë të madhe. Hyrja e mendimit grek dhe e belle-lettres në shkollat judaike alarmoi priftërinjtë dhe njerëzit e mësuar të tyre. Në të vërtetë, hebraishtja po lihej kaq shumë pas dore, saqë Shkrimet në sinagogat e Aleksandrisë lexoheshin në versionin e Septuagintës. Ky pushtim nga një dituri e huaj i nxiti, megjithatë, çifutët që ta studiojnë më mirë ligjin e tyre dhe ta mbrojnë atë kundër këtij shpirti të ri ogurzi. Ata u përpoqën të gjejnë një mënyrë të re për interpretimin e Biblës që të kenë mundësinë e një qasjeje dhe pajtimi të të vërtetave biblike me mendimin helenik, pasi u vu re se mënyra e tyre e vjetër e interpretimit të fjalëpërfjalshëm të ligjit nuk funksiononte dhe ishte tepër e dobët për t’i qëndruar arsyetimit të hollë të Platonit dhe Aristotelit. Në të njëjtën kohë, veprimtaritë e fuqishme të çifutëve dhe përkushtimi i tyre i thellë në fenë e vet nxitën shpesh smirën dhe urrejtjen e grekëve. Po në kohën e sundimit të Aleksandrit të Madh, një prift egjiptas, Manetho, kishte shkruar shpifje e sharje kundër Judaizmit. Edhe nën sundimin e Tiberiusit, oratori i madh Apioni kishte ringjallur dhe helmatisur edhe më tepër fyerjet e Manethos. Kështu, kjo letërsi helmoi edhe njerëzit që, kohë më vonë, përndoqën egërsisht besimtarët në Perëndinë Një dhe të Vetëm. Mënyra e re për interpretimin e Shkrimeve u zbulua dhe u vu në zbatim. Bëhej fjalë për një Interpretim Alegorik të çdo ligji, udhëzimi moral, të çdo rrëfimi e, madje, edhe të emrave të personazheve të mëdhenj, të cilët u tha se mbartnin në vetvete ide të fshehta që, nëpërmjet këtij interpretimi, duhej të dilnin në dritë. Ky Interpretim Alegorik përvetësoi shpejt vendin e vetë Biblës dhe u shndërrua në një ambalazh që mbështillte brenda vetes një sistem filozofik fetar. Njeriu më i fuqishëm që personifikonte këtë shkencë ishte Filoni, që lindi në një familje të pasur judaike në Aleksandri, në vitin 25 p.e.s.. Duke qenë i njohur më së miri me filozofinë e Platonit, ai shkroi punimet e tij alegorike në një stil të pastër e harmonik grek. Ai besonte se doktrinat e Zbulesës mund të përputheshin me diturinë dhe urtësinë më të lartë njerëzore. Ato që e vunë më së shumti në punë mendjen e tij ishin çështjet e marrdhënies së Zotit, të Shpirit të pastër, me qeniet tokësore. Sipas teorisë së “Ideve” të Platonit, ai shpiku një radhë idesh të ndërmjetme, që i quajti “burimet e Hyjnisë”, të cilat ai i shndërroi në kënde që bashkojnë Perëndinë dhe botën. Lënda themelore e këtyre ideve, Logosi (Fjala), përbënte urtësinë më të lartë të krijuar në botë dhe shprehjen më të epërme të veprimit Providencial. Shkolla e Aleksandrisë u ndoq nga triumfi i Judaizmit mbi Paganizmin, “por”, sikurse vëren me të drejtë Rabini i Madh Paul Haguenauer në librin e tij interesant “Manuel de Littérature Juive” (f. 24), “mais d’elle surgirent plus tard, des systèmes nuisibles á l’hébraïsme”[2], sisteme vërtet të dëmshme jo vetëm për Judaizmin, por edhe për Krishterimin. Origjina e doktrinës së Logosit duhet gjurmuar në teologjinë e Filonit dhe Apostulli Gjon – apo autori i Ungjillit të Katërt, kushdo qoftë ai – vetëm sa e dogmatizoi teorinë e “ideve” që kishte buruar së pari nga truri i artë i Platonit. Sikurse u vërejt në artikullin e parë të kësaj serie, Fjala Hyjnore do të thotë Fjala e Perëndisë dhe jo Fjala Perëndi. Fjala është cilësi e një qenieje të arsyeshme, i përket çdo folësi, por nuk është vetë qenia e arsyeshme apo folësi. Fjala Hyjnore nuk është e përjetshme, ka një origjinë, një fillim; ajo nuk ka ekzistuar përpara fillimit, përveçse potencialisht. Fjala nuk është thelbi. Substancializimi i një cilësie çfarëdo përbën një gabim serioz. Nëse lejohet të thuhet “Perëndia Fjalë”, përse është e ndaluar të thuhet Perëndia Mëshirë, Perëndia Dashuri, Perëndia Hakmarrje, Perëndia Jetë, Perëndia Fuqi e kështu me radhë? Unë mund ta kuptoj fare mirë dhe ta pranoj cilësimin e Jezusit si “Shpirti Hyjnor” (“Rūhu’ll-Llah”), të Moisiut si “Fjala Hyjnore” (“Kelamu’ll-Llah”), të Muhamedit si “Apostulli Hyjnor” (Resūlu’ll-Llah”), përkatësisht në kuptimet Shpirti i Perëndisë, Fjala e Perëndisë dhe Apostulli i Perëndisë, por nuk mundem kurrësesi të kuptoj, as të pranoj se Shpirti, Fjala apo Apostulli është një Person Hyjnor me natyrë të dyfishtë, hyjnore e njerëzore. Tani do të vijojmë me nxjerrjen në shesh dhe përgënjeshtrimin e gabimit të krishterë mbi Parakletin. Në këtë artikull do të përpiqem të provoj se Parakleti nuk është Fryma e Shenjtë, sikurse besojnë të krishterët, dhe nuk ka aspak kuptimin “ngushellues” apo “ndërmjetës”, ndërsa në artikullin që pason, në dashtë Perëndia, do të bëj të qartë se nuk kemi të bëjmë me fjalën “Paraklet”, por “Periklit”, që do të thotë saktësisht “Ahmed” në kuptimin “më i Shquari, i Lëvudari dhe i Famshmi”.
1. SHPIRTI I SHENJTË ËSHTË PËRSHKRUAR NË DHJATËN E RE NDRYSHE NGA NJË PERSONALITET
Një shqyrtim i kujdesshëm i pasazheve që vijojnë nga Dhjata e Re do të bindin lexuesit se Shpirti i Shenjtë jo vetëm që nuk është personi i tretë i Trinisë, por nuk është as edhe një person i veçantë. Ndërsa “Parakleti” i parashikuar nga Jezu Krishti është një person i veçantë. Ky dallim themelor përbën një argument vendimtar kundër hipotezës së të qenit të tyre një person i vetëm dhe i njëjtë. (a) Tek Luka XI. 13, Shpirti i Shenjtë është thënë të jetë “dhuratë” nga Perëndia. Dallimi mes “dhuratave” që dhurohen nga prindërit dhe Shpirtit të Shenjtë që u dhurohet besimtarëve nga Perëndia përjashton tërësisht idenë e një personaliteti të Shpirtit. A mundemi të pohojmë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe pozitive se Jezu Krishti, kur bëri dallimin e mësipërm, donte t’u mësonte dëgjuesve të tij se “Perëndia Atë” dhuron “Perëndinë Shpirt i Shenjtë” për “bijtë” e tij tokësorë? A aludoi ai ndonjëherë se personi i tretë i Trinisë është dhuratë nga personi i parë i Trinisë? A mundemi të pranojmë në mënyrë të ndërgjegjshme se Apostujt e besonin këtë “dhuratë” të jetë Perëndia i Plotfuqishëm i dhuruar nga Perëndia i Plotfuqishëm për të vdekshmit? Vetëm të shkuarit nëpër mend e një besimi të tillë e bën një mysliman të drithërohet. (b) Tek Kor. II. 12, ky Shpirt i Shenjtë përshkruhet në gjininë asnjanëse si “Frymë nga Perëndia”. Shën Pali thotë qartë se Shpirti që është në njeriun e bën atë të njohë gjërat që i përkasin atij, ndërsa Shpirti i Zotit e bën njeriun që të njohë gjërat hyjnore (1 Kor. 11). Si rrjedhim, Shpirti i Shenjtë nuk është Perëndi, por një objekt apo mjet hyjnor, nëpërmjet të cilit Perëndia mëson, ndriçon dhefrymëzon ata që dëshiron. Është, thjesht, një veprim i Zotit mbi zemrën dhe mendjen njerëzore. Mësuesi, ndriçuesi dhe frymëzuesi nuk është drejtpërdrejt Shpirti, por është Perëndia vetë. Unë vërejta se Filoni ishte një nxënës i filozofisë së Platonit. Ai nuk e ka parë kurrë Platonin, por vetëm ka mësuar nga filozofia e Platonit dhe është bërë filozof dhe platonist. Në të njëjtën mënyrë, Apostulli Pjetër dhe Imam Aliu, kanë marrë Shpirtin e Shenjtë të Perëndisë dhe janë frymëzuar me njohjen e Perëndisë; ata janë bërë hyjnorë. Ashtu sikurse filozofia e Platonit nuk është Platoni dhe platonisti Filon nuk është krijuesi i asaj urtësie të veçantë, edhe Pjetri dhe Aliunuk ishin Perëndi. Ata ishin të shenjtë, sepse ishin të ndriçuar nga Shpirti i Perëndisë. Shën Pali e shpreh qartë, në pasazhin e sipërcituar, se zemra njerëzore nuk mund të ndajë të vërtetat në lidhje me Perëndinë, por vetëm Shpirti, frymëzimi dhe orientimi i Zotit mund ta bëjë këtë. (c) Përsëri tek 1 Kor. VI. 19 lexojmë se shërbëtorët e drejtë të Perëndisë quhen “tempulli i Frymës së Shenjtë” që ata kanë marrë “nga Perëndia”. Edhe këtu Shpirti i Shenjtë nuk tregohet si person apo engjëll, por si virtyti, fjala, fuqia apo feja e Perëndisë. Si shpirti, ashtu edhe zemra e një besimtari janë krahasuar me një tempull kushtuar adhurimit të të Përjetshmit. (d) Në Letrën e Romakëve (viii. 9) i njëjti shpirt që “jeton” brenda besimtarëve quhet ndryshe “Shpirti i Perëndisë” dhe “Shpirti i Krishtit”. Në këtë pasazh, “Shpirti” ka thjesht kuptimin e besimit dhe të fesë së vërtetë të Perëndisë që Jezusi shpalli. Natyrisht, që ky shpirt s’mund të ketë kuptimin e të qenit ideali i krishterë i Frymës së Shenjtë, pra një tjetër i tretë ndër të tre. Ne, mysilmanët, dëshirojmë dhe synojmë gjithmonë t’i rregullojmë jetët tona e të drejtojmë vetveten në përputhje me shpirtin e Muhamedit, në kuptimin që ne jemi të vendosur për të qenë besnikë në fenë e Perëndisë sikurse qe Profeti i Fundit, sepse Shpirti i shenjtë tek Muhamedi, tek Jezusi dhe tek çdo Profet tjetër nuk ishte tjetër, veç Shpirtit të Allahut – lëvduar qoftë Emri i Tij i Shenjtë! Shpirti quhet “i shenjtë” për ta dalluar atë nga shpirti i lig e i ndotur i Djallit dhe i shërbëtorëve të tij të rënë. Ky shpirt nuk është një person hyjnor, por një rreze hyjnore që ndriçon dhe shenjtëron njerëzit e Perëndisë. (e) Formula ungjillore, “Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë”, edhe nëse do të ishte autentike dhe do të ishte urdhëruar vërtet nga Krishti, mund të pranohej si formulë e ligjshme besimi përpara ngritjes formale të Islamit, që është Mbretëria e Perëndisë në tokë. Perëndia i Gjithëfuqishëm, në cilësinë e Tij të Krijuesit, është Ati i të gjitha qenieve, sendeve dhe inteligjencave, por jo Ati i një biri të veçantë. Orientalistët e dinë se fjala semite “abb” apo “abba”, që përkthehet “atë”, ka kuptimin “lindës, frutdhënës” (“ibba”=frut). Ky kuptim i fjalës është krejt i kuptueshëm. Bibla vazhdimisht e përdor emërtimin “Atë”. Perëndia, diku në Bibël, thotë: “Izraeli është biri im i parëlindur”; dhe diku tjetër, në librin e Jobit, Ai quhet “ati i shiut”. Për shkak të keqpërdorimit të këtij emërtimi të Krijuesit nga Krishterimi, Kurani përmbahet nga përdorimi i tij. Nga pikëpamja e pastër unitariane myslimane, dogma e krishterë në lidhje me lindjen e përjetshme apo gjenerimin e Birit është blasfemi. Pavarësisht nëse formula e krishterë e pagëzimit është autentike apo e rreme, unë besoj se në të ka një të vërtetë të fshehur, pasi duhet pranuar se Ungjillorët kurrë nuk e autorizuan përdorimin e saj në ndonjë ritual, lutje apo kredo tjetër, veç asaj të Pagëzimit. Kjo pikë është tejet e rëndësishme. Shën Gjoni ka parashikuar Pagëzimin me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarrin nga Profeti Muhamed, sikurse e pamë në artikujt e mëparshëm. Duke qenë se Pagëzuesi i menjëhershëm është Vetë Zoti dhe ndërmjetësi Biri i Njeriut apo Bar Nashai vegimit të Danielit, ishte plotësisht e drejtë dhe e ligjshme të përmendeshin ata dy emra si shkaku i parë dhe i dytë; dhe emri i Shpirtit të Shenjtë, gjithashtu, si causa materialis i Sibghatu’ll-Llahut. Cilësimi hyjnor “Atë”, përpara keqpërdorimit të tij nga Kisha, përdorej në lutje në mënyrë të drejtë. Në të vërtetë, Sibghatu’ll-Llah-u është një rilindje, një lindje në Mbretërinë e Perëndisë, që është Islami. Pagëzuesi që shkakton këtë rilindje është drejtpërdrejt Allahu. Të lindësh në fenë e Islamit, të pajisesh me besim në Perëndinë e Vërtetë, është nderi dhe dhurata më e madhe e “Atit Qiellor” – nëse na lejohet të përdorim shprehjen ungjillore. Në këtë drejtim, Perëndia është pafundësisht më bamirës se çdo atë tokësor. Për sa i përket emrit të dytë në formulë, “Birit”, a ka ndonjë që e ka të vështirë të dijë se kush apo çfarë është ky “bir”? Bir i kujt? Nëse i janë drejtuar Perëndisë me emrin “Atë”, atëherë është normale të shprehet kureshtje dhe padurim për të mësuar se cili nga “bijtë” e Tij të panumërt është pasur parasysh në formulën e pagëzimit. Jezusi na mëson të lutemi: “Ati ynë që rri në qiell…” Nëse ne, të gjithë, jemi bijtë e Tij në kuptimin e krijesave të Tij, atëherë përmendja e formulës bëhet disi e pakuptimtë dhe, madje, qesharake. Ne e dimë se “Biri i Njeriut” – ose “Bar Nasha” – është përmendur tetëdhjetë e tre herë në bisedat e Jezusit. Kurani nuk e quan kurrë Jezusin “biri i njeriut”, por gjithmonë thotë “biri i Marisë”. Ai nuk mund ta quante vetveten “biri i njeriut”, sepse ai ishte vetëm “biri i gruas”[3]. Nuk mund t’i ikim të vërtetës. Mund ta quani atë “biri i Perëndisë, siç bëni në marrëzinë tuaj, por nuk mund ta bëni atë “bir të njeriut”, përveç rastit nëse besoni që ai të jetë fara e Jozefit apo e dikujt tjetër dhe, për pasojë, ta njollosni atë me akuzën e paligjshmërisë. Unë nuk e di me saktësi se si, përmes intuitës, frymëzimit apo ëndrrës, kam krijuar bindjen se emri i dytë në formulë është një shtrembërim i paramenduar i “Birit të Njeriut”, pra, i Bar Nasha-s së Danielit (VII) dhe, si rrjedhim, i “Periklitos”-it (Parakletit) Ahmed të Ungjillit të Shën Gjonit. Për sa i përket Shpirtit të Shenjtë në formulë, ai nuk është një person apo shpirt individual, por një veprim, një forcë, një energji e Perëndisë, me të cilin njeriu lind apo konvertohet në fenë dhe njohurinë e Perëndisë Një dhe të Vetëm.
2. ÇFARË THONË ETËRIT E HERSHËM TË NASARA-S (KRISHTERIMIT) PËR SHPIRTIN E SHENJTË?
(a) Hermasi (Similitude v. 5, 6) kupton, me Shpirtin e Shenjtë, elementin hyjnor në Krishtin, pra Birin e krijuar para të gjitha gjërave. Pa hyrë në diskutime të pafrutshme e të pakuptimta, nëse Hermasi e ngatërron Shpirtin e Shenjtë me Fjalën, apo nëse ai është një element i ndarë që i përket Krishtit, pranohet se ai është krijuar përpara të gjitha gjërave, që do të thotë, në fillim – dhe se Shpirti në besimin e Hermasit nuk është person. (b) Justini – i quajtur “Martiri” (100? – 167? e.s.) – dhe Teofili (120? – 180? e.s.), me Shpirtin e Shenjtë kuptojnë nganjëherë një formë të veçantë të shfaqjes së Fjalës dhe nganjëherë një cilësi hyjnore, por kurrë një person hyjnor. Duhet kujtuar se këta dy etër e shkrues grekë të shekullit të dytë e.s. nuk kishin njohuri dhe besim të përcaktuar mbi Shpirtin e Shenjtë të trinitarianëve të shekullit të katërt e në vijim. (c) Atenagora (110 – 180 e.s.) thotë se Shpirti i Shenjtë e ka zanafillën prej Perëndisë, buron prej Tij dhe kthehet tek Ai, sikurse rrezet e diellit (Deprecatio pro Christianis, IX, X). Ireneu (130? – 202? e.s.) thotë se Shpirti i Shenjtë dhe Biri janë dy shërbëtorë të Perëndisë dhe se engjëjt u janë nënshtruar atyre. Dallimi i madh mes besimit dhe konceptit të këtyre dy etërve të hershëm për Shpirtin e Shenjtë është tepër i dukshëm për të kërkuar komente të mëtejshme. Është për t’u habitur që të dy shërbëtorët e Perëndisë, sipas deklarimit të një autoriteti të tillë si Ireneu, dy shekuj më vonë, do të duhej të ngriheshin në nderin e Perëndisë dhe të shpalleshin dy persona hyjnorë në shoqëri me Perëndinë Një dhe të Vetëm që i kishte krijuar. (d) Ndër apologjetët e krishterë më të shquar e më të mësuar të të gjithë etërve paraniceanë ishte Origjeni (185 – 254 e.s.). Autori i veprës “Hexepla” i njeh personalitet Shpirtit të Shenjtë, por e sheh atë si një krijesë të Birit. Krijimi i Shpirtit të Shenjtë nga Biri nuk mund të jetë as edhe në fillimin kur Fjala – apo Biri – u krijua nga Perëndia. Doktrina lidhur me Shpirtin e Shenjtë nuk ishte mjaft e zhvilluar në vitin 325 e.s. dhe, për këtë arsye, nuk u përkufizua në Konçilin e Nicesë. Vetëm në vitin 386 e.s. u shpall që Shpirti i Shenjtë të ishte Personi i Tretë i Trinisë, i njëlëndshëm dhe i barazvlefshëm me Atin dhe Birin. 3. “Paraklet” nuk do të thotë “ngushëllues” dhe as “avokat”. Në të vërtetë, ajo nuk është aspak një fjalë klasike. Drejtshkrimi grek i fjalës është Parklitos, që në letërsinë klerikale i është dhënë kuptimi “i thirrur për ndihmë, avokat, ndërmjetës” (“Dict. Grec.-Français”, Nga Alexandre). Nuk është nevoja të jesh njohës i shkëlqyer i greqishtes për të ditur se fjala greke “ngushëllues” nuk është “Paraklitos”, por “Parakalon”. Unë nuk e kam versionin grek të Septuagintës, por më kujtohet fare mirë se fjala hebraike për “ngushëllues” (“mnăhem”) në Vajtimet e Jeremias (I. 2, 9, 16, 17, 21 etj.) është përkthyer Parakaloon, nga folja Parakaloo, që do të thotë “thërras, ftoj, nxis, ngushëlloj, lutem”. Duhet vërejtur se nuk ka zanore alfa të gjatë pas bashkëtingëllores kappa në fjalën “Parakalon” që nuk ekziston tek “Paraklitos”-i. Në shprehjen në fjalë (“Ai që na ngushëllon nga të gjitha dhimbjet tona”) është përdorur “parakalon” dhe jo “paraklitos” (“nxis apo ftoj në punë”). Këtu mund të citohen edhe plot shembuj të tjerë. Ekziston edhe një tjetër fjalë greke që ka kuptimin “ngushëllues” dhe që është “Parigoritis”, e cila formohet nga folja përkatëse “ngushëlloj”. Për sa i përket kuptimit tjetër, “ndërmjetës apo avokat”, që është dhënë në fjalën klerikale “Paraklet”, unë përsëri këmbëngul se “Parakalon” dhe jo “Paraklitos” mund të përcjellë kuptimin e saj të ngjashëm. Fjalët e sakta greke për “avokat” është Sunegorus dhe për “ndërmjetës”, meditéa. Në artikullin që pason do të sjell formën e vërtetë greke, nga e cila është shtrembëruar fjala Paraklitos. En passant, dëshiroj të përmirësoj një gabim, në të cilin ka rënë edhe shkencëtari frëng Ernest Renan. Nëse më kujtohet mirë, Monsieur Renan, në veprën e tij të famshme “La vie de Jesus”, e interpreton “Parakletin” e Shën Gjonit (XIV. 16-26; XV. 7; 1 Gjonit II. 1) si “avokat”. Ai citon formën siro-kaldease “Peraklit” si në kundërshtim me “Ktighra”, “akuzues”, nga Kategorus. Fjala siriane për “ndërmjetës” është “mis’aaja”, por në termat juridike “Snighra” (nga greqishtja, Sunegros) përdoret për “avokat”. Shumë sirianë, që nuk janë të familjarizuar me gjuhën greke, mendojnë se “Paraklita” është vërtet një formë aramaike apo siriake e “Parakletit” në versionin “Pshittha” dhe që përbëhet nga “Parak”, “të shpëtosh nga, të çlirosh nga”, si dhe “lita”, “i mallkuari”. Mendimi se Krishti është “Shpëtimtari nga mallkimi i ligjit” dhe, si rrjedhim, edhe ai vetë duhet të jetë “Paraklita” (1 Gjoni II. 1), mund të ketë shtyrë disa që të mendojnë se fjala greke është, në origjinë, një fjalë aramaike, njëlloj sikurse togfjalëshi grek “Maran atha” në aramaisht është “Mārān Āthī”, d.m.th. “Zoti ynë po vjen” (1 Gjoni XVI. 22), e cila duket të jetë një shprehje mes besimtarëve në lidhje me ardhjen e Profetit të Fundit. Kjo “Mārān Āthī”, gjithashtu, veçanërisht në formulën e pagëzimit, përmban pika shumë të rëndësishme që nuk mund të lihen mënjanë. Ato që të dyja meritojnë një studim e vlerësim të veçantë, pasi që të dyja mishërojnë në vetvete shenja dhe tregues aspak mbështetës për Krishterimin. Unë mendoj se kam dhënë prova të mjaftueshme që “Paraklitos”, nga pikëpamja gjuhësore dhe etimologjike, nuk ka kuptimin “avokat” apo “ngushëllues”. Diku tjetër e kam përshkruar këtë si “barbare”, por tani e tërheq këtë shprehje për ta zëvendësuar me fjalën “shtrembërim”. Padituria sjell shumë gabime. Për shekuj, latinët dhe europianët e paditur kanë shkruar emrin Muhammed në formën “Mahomet” (Muhamet), ndërsa emrin Mushi e kanë shndërruar në “Moses” (Moisi). Për këtë arsye, a ka pse të na duket ndonjë çudi e madhe që ndonjë murg a skrib i krishterë ta ketë shkruar emrin e vërtetë në formën e shtrembëruar “Paraklitos”? I pari ka kuptimin “më i Shquari, I Denji për lavdi”, por forma e shtrembëruar nuk ka asnjë kuptim, veç turpit të atyre që për tetëmbëdhjetë shekuj kanë menduar se ajo do të thotë “avokat” apo “ngushëllues”.
VIII
“PERIKLITOS” DO TË THOTË “AHMED”
“E kur Jezusi, biri i Marisë, tha: “O bij të Izraelit! Në të vërtetë, unë jam apostulli i Perëndisë, dërguar tek ju për të konfirmuar ligjin që ishte dërguar para meje dhe për të sjellë lajmin e mirë për një apostull që do të vijë pas meje, emri i të cilit do të jetë Ahmed.”…” (Kurani LXI.) “Dhe unë do t’ia kërkoj Atit e Ai do t’ju japë një Periklitos tjetër, që do të qëndrojë gjithmonë me ju.” (Gjoni XIV. 16 etj.)
Ekziston njëfarë inkoherence në fjalët që i janë atribuar Jezusit nga Ungjilli i Katërt. Duket sikur plot Periklitos kishin ardhur e shkuar dhe se një “tjetër Periklitos” do të jepej vetëm me kërkesën e Jezusit. Këto fjalë lenë, gjithashtu, përshtyjen se Apostujt ishin të mësuar, tashmë, me emrin që në tekstin grek është bërë Periklitos. Mbiemri “një tjetër” që, në greqisht, është i vendosur përpara një emri të huaj, për herë të parë, ngjan shumë i çuditshëm dhe plotësisht i tepërt. Nuk ka dyshim se teksti është trazuar e shtrembëruar. Ai pretendon se Ati do të dërgojë një Periklit me kërkesën e Jezusit. Përndryshe, Perikliti nuk do të vinte kurrë! Fjala “kërkoj” ngjan, gjithashtu, sipërfaqësore dhe shpreh padrejtësisht njëfarë mendjemadhësie nga ana e Profetit të Nazaretit.[4] Nëse duam të gjejmë kuptimin e vërtetë të këtyre fjalëve, duhet të përmirësojmë tekstin dhe ta plotësojmë atë me fjalët e vjedhura apo të ndryshuara, në këtë formë: “Unë do të shkoj tek Ati dhe ai do të dërgojë tek ju një tjetër apostull, emri i të cilit do të jetë Periklitos dhe që do të qëndrojë gjithmonë me ju.” Tani, me fjalët e shtuara dhe të shkruara me shkronja italike, është kthyer modestia e vjedhur e Jezusit dhe është identifikuar natyra e Periklitit. Ne kemi parë, tashmë, se Perikliti nuk është Shpirti i Shenjtë, një person hyjnor, Gabrieli apo ndonjë engjëll tjetër. Tani na mbetet të provojmë se Perikliti nuk mund të jetë një ngushëllues e as një avokat mes Perëndisë dhe njeriut. 1. Perikliti nuk është “Ngushëllues”, as “Ndërmjetës”. Ne kemi treguar qartë pamundësinë materiale të zbulimit të kuptimit të fundit të “ngushëllimit” apo të “ndërhyrjes”. Krishti nuk përdor “Parakalon”. Veç kësaj, edhe nga një pikëpamje fetare dhe morale, ideja e ngushëllimit dhe ndërhyrjes është e papranueshme. (a) Besimi se vdekja e Jezusit në kryq shëlboi besimtarët nga mallkimi i mëkatit origjinal dhe se shpirti, mëshira dhe prania në Eukaristi do të ishin përgjithmonë me ta, nuk u la atyre ndonjë nevojë për ngushëllim dhe as për ardhjen e ndonjë ngushëlluesi. Nga ana tjetër, nëse do të kishin nevojë për një ngushëllues të tillë, atëherë të gjitha hamendjet dhe pretendimet e të krishterëve për flijimin e Kalvarit bijen poshtë. Në të vërtetë, gjuha e Ungjijve dhe ajo e Letrave tregon në mënyrë të hapur e të qartë se ardhja e dytë e Jezusit mbi re ishte e pashmangshme (Mateu xvi. 28; Marku IX. 1; Luka IX. 27; 1 Gjoni II. 18; 2 Tim. II. 1; 2 Sel. II. 3 etj.) (b) Ngushëllimi nuk mundet kurrësesi të zëvendësojë humbjen. Duke ngushëlluar një njeri që ka humbur shikimin, pasurinë, birin etj. nuk mundesh t’ia zëvendësosh atij këto humbje. Premtimi i një ngushëlluesi që do të dërgohej nga Perëndia pasi Jezusi të kishte ikur, do të tregonte rrënimin e plotë të çdo shprese në triumfin e Mbretërisë së Perëndisë. Premtimi i një ngushëlluesi tregon zi e vaje dhe do të sillte tek Apostujt zhgënjim e, madje, dëshpërim. Ata nuk kishin nevojë për një ngushëllues në brengën e hidhërimin e tyre, por për një që do t’u jepte fund shqetësimeve dhe përndjekjeve të tyre. (c) Ideja e një “ndërmjetësi” mes Perëndisë dhe njeriut është edhe më e pambështetur se ajo e një “ngushëlluesi”. Nuk ka asnjë ndërmjetës absolut mes Krijuesit dhe krijesës. Njëshmëria e Allahut është ndërmjetësi ynë i vetëm. Krishti, që këshilloi dëgjuesit e tij t’i luten Perëndisë fshehtas – sepse vetëm me këtë kusht “Ati” i tyre qiellor do t’i dëgjonte lutjet e tyre dhe do t’u siguronte atyre mëshirë e ndihmë – nuk mund t’u premtonte atyre një ndërmjetës. Si ta pajtojmë këtë kundërthënie? (d) Të gjithë besimtarët, në lutjet e tyre, ndërmjetësojnë tek Perëndia për njëri-tjetrin. Profetët dhe engjëjt bëjnë, gjithashtu, të njëjtën gjë. Është detyra jonë të kërkojmë mëshirën, faljen dhe ndihmën e Perëndisë për veten tonë, sikurse edhe për të tjerët, por Perëndia nuk është i detyruar të pranojë ndërhyrjen e askujt nëse këtë nuk e dëshiron. Nëse Allahu do ta kishte pranuar ndërmjetësimin e Shërbëtorit të Tij të Shenjtë, Muhamedit, të gjithë njerëzit do të ishin kthyer ne fenë e Islamit. Unë do t’i isha jashtëzakonisht mirënjohës njeriut, nëpërmjet ndërmjetësimit të të cilit do të fitoja falje e përkrahje, por do të tmerrohesha përballë gjykatësit apo despotit që do të më dërgonte në duart e ekzekutuesve të mi. Sa të arsyeshëm janë të krishterët, kur besojnë se Jezusi, në krahun e djathtë të Atit, ndërhyn për ta dhe, në të njëjtën kohë, besojnë në një tjetër ndërmjetës, më të ulët se ai, që qëndron në fronin e të Gjithëfuqishmit! Kurani i Shenjtë e ndalon rreptësisht besimin në një “shafi’” apo ndërmjetës. Natyrisht, ne nuk e dimë me siguri, por është plotësisht e konceptueshme që disa engjëj, shpirtrat e Profetëve dhe ata të shenjtorëve të lejohen nga Perëndia për t’u siguruar ndihmë e udhëzim atyre që janë vendosur nën kujdesin e tyre. Mendimi se një avokat shfaqet përpara gjyqit të Perëndisë, duke mbrojtur çështjen gjyqësore të klientëve të tij, mund të jetë shumë i admirueshëm, por ai është, gjithashtu, i gabuar, sepse Perëndia nuk është një gjykatës njerëzor që i nënshtrohet pasionit, paditurisë dhe gjithçkaje të ngjashme. Myslimanët, besimtarët, kanë nevojë vetëm për arsimim dhe përgatitje fetare. Perëndia i njeh veprimet dhe zemrat e njerëzve pafundësisht më mirë se engjët e Profetët. Për pasojë, nuk ka nevojë për ndërmjetës mes Hyjnisë dhe krijesave. (e) Besimi në ndërmjetësit vjen nga besimi në flijime, në dhurata për Perëndinë e në priftëri, si dhe në një ngrehinë të tërë bestytnish. Ky besim e çon njeriun në adhurimin e varreve dhe të figurave të shenjtorëve dhe të dëshmorëve të fesë, ndihmon në rritjen e ndikimit e të sundimti të priftit e të murgut dhe i mban njerëzit në padituri ndaj çështjeve hyjnore. Kjo bën që një re e dendur ndërmjetësish të vdekur të mbulojnë atmosferën shpirtërore mes Perëndisë dhe shpirtit njerëzor. Më tej, ky besim nxit njerëz që, për lavdinë e supozuar të Perëndisë dhe për ndryshimin e besimit të njerëzve që i përkasin një tjetër feje, të shpenzojnë shuma të mëdha parash, të ngrenë misione të pasura e ndërtesa madhështore, por në zemrat e veta këta misionarë janë agjentë politikë të qeverive përkatëse. Shkaku i vërtetë i fatkeqësive që u kanë rënë armenëve, grekëve dhe kaldeo-asirëve në Turqi e Iran duhen kërkuar në mësimet djallëzore e revolucionare të dhëna nga misionet e huaja në Lindje. Në të vërtetë, besimi në ndërmjetësit ka qenë gjithmonë burim abuzimi, fanatizmi, përndjekjeje, paditurie dhe i shumë të këqijave të tjera. Pasi dhamë prova, sipas të cilave “Parakleti” i Ungjillit të Shën Gjonit nuk do të thotë e nuk mund të nënkuptojë ndonjë “ngushëllues” a “avokat”, as ndonjë gjë tjetër, dhe se ajo është një formë e shtrembëruar e fjalës “Periklitos”, do të vijojmë me diskutimin e kuptimit të vërtetë të fjalës. 2. “Periklitos”, etimologjikisht dhe fjalë për fjalë, do të thotë “më i shquari, më i famshmi, më i denji për lavdi”. Për këtë, mbështetem në autoritetin e “Dictionnaire Grec-Français” të Alexandre: “Periqlytos – Qu’on peut etendre de tous les côtés; qu’il est facile a entendre. Très célèbre”[5] etj.. “Periqleitos – Très célèbre; illustre, glorieux,”[6] nga “Kleos – gloire, renominée, célébrité.”[7] Ky emër i përbërë është formuar nga parashtesa “peri” dhe nga fjala “kleotis”, e prejardhur nga “lëvdoj, lavdëroj”. Emri, të cilin unë e shkruaj me shkronja latine në formën “Perikleitos” apo “Periklitos”, do të thotë saktësisht atë që AHMED do të thotë në arabisht; dhe pikërisht, më i shquari, më i lëvduari, më i famshmi. E vetmja vështirësi për t’u zgjidhur dhe për t’u kapërcyer është të zbulohet emri origjinal semit, i përdorur nga Jezu Krishti, qoftë në hebraisht, qoftë në aramaisht. (a) Versioni siriak “Pshittha”, ndërsa shkruan “Parakleita”, nuk e jep kuptimin e saj as në ndonjë fjalorth. Kurse Vulgata përkthen “ngushëllues”. Nëse nuk gaboj, versioni në aramaisht duhet të ketë qenë “Mhamda” apo “Hamida” që përkon me fjalët arabe “Muhammed” apo “Ahmed” dhe me atë greke “Periklite”. Interpretimi i fjalës greke në kuptimin e ngushëllimit nuk do të thotë se emri “Periklit” në vetvete ka kutimin “ngushëllues”, por kuptimin e besimit dhe shpresës në premtimin që ai do të vijë për “të ngushëlluar” të krishterët e hershëm. Kjo pritje se Jezusi do të kthehet e do të zbresë përsëri në lavdi përpara se shumë nga dëgjuesit e tij të kishin “provuar vdekjen”, i kishte zhgënjyer ata dhe i kishte përqendruar shpresat e tyre në ardhjen e Periklitit. (b) Zbulesa kuranore, sipas së cilës Jezusi, biri i Marisë, shpalli tek bijtë e Izraelit se ai sillte “lajmin e mirë për një apostull që do të vijë pas meje, emri i të cilit do të jetë Ahmed”, është një nga provat më të fuqishme që Muhamedi ishte vërtet një Profet dhe se Kurani përbën vërtetë një zbulesë hyjnore. Ai nuk mund ta ketë ditur kurrë se “Periklit” do të thotë Ahmed, përveçse nëpërmjet frymëzimit dhe zbulesës hyjnore. Autoriteti i Kuranit është vendimtar dhe përfundimtar, sepse kuptimi i fjalëpërfjalshëm i emrit grek përkon saktësisht dhe në mënyrë të padiskutueshme me “Ahmed” dhe “Muhammed”. Në të vërtetë, Engjëlli Gabriel apo Shpirti i Shenjtë duket të ketë vënë në dukje edhe dallimin mes shkallëve pohore e sipërore, pasi e para do të thotë “Muhammed”, ndërsa e dyta “Ahmed”. Është e mrekullueshme që ky emër i veçantë, që nuk i ishte dhënë kurrë më parë ndonjë njeriu tjetër, u ruajt mrekullisht për më të Shquarin e më të Lëvduarin Apostull të Allahut! Ne kurrë nuk kemi njohur më parë ndonjë grek që të jetë quajtur “Perikleitos” (apo “Periklitos”), as ndonjë arab që të jetë quajtur “Ahmed”. Është e vërtetë se në Athinë ka jetuar i famshmi Perikli (Perikleis), emri i të cilit ka kuptimin “i shquar” dhe sinonimet e tjerë të tij, por ky emër nuk është përdorur në shkallën e tij sipërore. (c) Është e qartë nga përshkrimi i Ungjillit të Katërt se Perikliti është një person i caktuar, një shpirt i shenjtë i krijuar që do të vinte dhe të jetonte në një trup njerëzor për të kryer e përmbushur punën e mrekullueshme të ngarkuar nga Perëndia, të cilën askush tjetër, përfshirë Moisiun, Jezusin dhe asnjë Profet tjetër, nuk e kishin përfunduar kurrë. Ne, natyrisht, nuk e mohojmë që dishepujt e Jezusit kanë marrë Shpirtin e Perëndisë, që të kthyerit e vërtetë në fenë e Jezusit u shenjtëruan me Shpirtin e Shenjtë dhe që ka pasur të krishterë unitarianë të panumërt që kanë ndjekur një jetë të shenjtë e të drejtë. Në ditën e Pentakostës – që do të thotë, dhjetë ditë pas Ngjitjes së Jezu Krishtit në qiell – Shpirti i Perëndisë zbriti në formën e flakëve të zjarrit mbi dishepujt dhe besimtarët e tjerë që arrinin në njëqind e njëzet vetë (Veprat II.); dhe ky numër njerëzish, që ksihin marrë Shpirtin e Shenjtë në formën e njëqind e njëzet flakëve të zjarrit, u rrit me tre mijë vetë që u pagëzuan, por nuk u vizituan nga flaka e Shpirtit. Sigurisht që një Shpirt i caktuar nuk mund të ndahet në shumëfishin e individëve. Nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, përveç rastit nëse përshkruhet si personalitet, ne mund të kuptojmë fuqinë, hirin, dhuratën, veprimin dhe frymëzimin e Perëndisë. Jezusi kishte premtuar se kjo dhuratë e fuqi qiellore do të shenjtëronte, ndriçonte, forconte dhe mësonte tufën e tij; por ky Shpirt ishte krejt i ndryshëm nga Perikliti që kreu i vetëm, që Jezusi dhe Apostujt pas tij nuk u autorizuan dhe nuk iu dha fuqia që ta kryenin, sikurse do të shohim më vonë. (d) të krishterët e hershëm të shekujve të parë dhe të dytë mbështeteshin më tepër në traditë se në shkrime lidhur me fenë. Papia dhe të tjerë i përkasin kësaj kategorie. Edhe gjatë jetës së Apostujve plot sekte, pseudokrishtër, antikrishtër dhe mësues të rremë e copëtuan Kishën (1 Gjoni II. 18-26; 2 Sel. II. 1-12; 2 Pjetri II. III. 1; Gjoni 7-13; 1 Tim. IV. 1-3; 2 Tim. III. 1-13 etj.). “Besimtarët” u ndanë dhe u nxitën të mbështeten tek Tradita dhe, pikërisht, mësimet gojore të Apostujve. Këto sekte të ashtuquajtura “heretike”, si gnostikët, apolinarianët, docetistët e të tjerë duket se nuk u besonin përrallave, legjendave, pikëpamjeve të tepruara për flijimin dhe shëlbimin e Jezu Krishtit siç tregohet në shumë shkrime përrallore të treguara nga Luka (I. 1-4). Një nga hereziarkët njëfarë sekti, emrin e të cilit nuk e kam më në mendje, mori përsipër emrin “Perikleitos”, duke pretenduar të ishte Profeti i cilësuar si “më i denji për lavdi”, i parathënë nga Jezusi. Ai arriti të ketë edhe shumë ndjekës.[8] Nëse do të kishte një Ungjill autentik, të autorizuar nga Jezu Krishti apo nga të gjithë Apostujt, nuk do të mund të kishin lindur kaq shumë sekte që kundërshtonin përmbajtjen e librave të përfshirë në Dhjatën e Re apo jashtë saj. Ne mund të nxjerrim lehtë përfundimin nga veprimi i pseudo-Periklitit se të krishterët e hershëm e vlerësonin “Shpirtin e së Vërtetës” që u ishte premtuar, si një njeri dhe Profet i fundit i Perëndisë. 3. Nuk ekziston as dyshimi më i vogël se me cilësimin “Periklit” duhet kuptuar Muhamedi ose Ahmedi. Të dy emrat, njëri në greqisht e tjertri në arabisht, kanë të njëjitn kuptim, njëlloj si “Pneuma” dhe “Rūh” nuk duan të thonë tjetër gjë veçse “Shpirt” në të dyja gjuhët. Ne kemi parë se përkthimi i fjalës me “ngushëllues” apo “avokat” është tërësisht i pambështetur dhe i gabuar. Forma e përbërë e Parakalon-it është e prejardhur nga folja e përbërë parashtesë-Para-kalo, ndërsa “Periklit” është e prejardhur nga “Peri-kluo”. Ndryshimi është më i qartë se gjithçka. Le të marrim, tani, në shqyrtim, shenjat e Periklit-it, të cilat mund të gjenden vetëm tek Ahmedi – Muhamedi. (a) Vetëm Muhamedi bëri të ditur gjithë të vërtetën për Zotin, për Njëshmërinë dhe fenë e Tij, si dhe korrigjoi të gjitha shpifjet dhe mashtrimet që ishin shkruar e që besoheshin për Të dhe për shumë shërbëtorë të Tij të shenjtë. Jezusi, siç na bëhet e ditur, ka thënë për Periklit-in se ai është “Shpirti i së Vërtetës”, se ai “do të dëshmojë” për natyrën e Jezusit dhe për misionin e tij (Gjoni XIV. 17; XV. 26). Në bisedat dhe ligjëratat e tij, Jezusi flet për paraekzistencën e shpirtit të vet (Gjoni VIII. 58; XVII. 5 etj.). Në Ungjillin e Barnabës, Jezusi citohet të ketë folur shpesh për lavdinë dhe shkëlqimin e shpirtit të Muhamedit, të cilin ai e kishte parë. Nuk ka dyshim se Shpirti i Apostullit të Fundit u krijua shumë kohë përpara Adamit. Për këtë arsye, Jezusi, duke bërë fjalë për të, në mënyrë të natyrshme, e shpall dhe e përshkruan atë si “Shpirti i së Vërtetës”. Ishte ky Shpirt i së Vërtetës që i qortoi të krishterët për ndarjen e Njëshmërisë së Perëndisë në një trini personash, për ngritjen e Jezusit në pozitën e Perëndisë e Birit të Perëndisë, si dhe për shpikjen nga ana e tyre të të gjitha llojeve të bestytnive dhe risive të padëgjuara. Ishte ky Shpirt i së Vërtetës që nxorri në dritën e diellit mashtrimet si të çifutëve, ashtu edhe të të krishterëve që kishin shtrembëruar e tjetërsuar Shkrimet e tyre. Ishte ky Shpirt i së Vërtetës që i dënoi shpifjet e çifutëve ndaj dëlirësisë së Virgjëreshës së Bekuar për lindjen e birit të saj, Jezusit. Ishte ky Shpirt i së Vërtetës që dha prova për parëlindjen e Ismaelit, për pafajësinë e Lotit, Solomonit dhe të shumë Profetëve të tjerë të mëparshëm dhe e pastroi emrin e tyre nga njollosja dhe turpërimi i hedhur mbi ta prej falsifikuesve çifutë. Ishte po ky Shpirt i së Vërtetës që dëshmoi për Jezusin e vërtetë, për Jezusin njeri, Profet e shërbëtor të Perëndisë dhe që ua ka bërë të pamundur myslimanëve që të bëhen idhujtarë, magjistarë dhe besues në më shumë se një Perëndi, Allahun, Një e të Vetëm. (b) Mes shenjave kryesore të Periklit-it, “Shpirtit të së Vërtetës”, është se kur ai të vijë në personin e “Birit të Njeriut” – Ahmedit – “ai do të bindë botën për mëkat” (Gjoni XVI. 8, 9). Asnjë shërbëtor tjetër i Allahut, qofshin mbretër si Davidi e Solomoni, qofshin Profetë si Abrahami e Moisiu, këtë bindje për mëkatin nuk e çuan deri në fund me vendosmëri, zell e guxim, siç bëri Muhamedi. Çdo thyerje e ligjit është një mëkat, por idhujtaria është nëna dhe burimi i mëkatit. Ne mëkatojmë kundër Perëndisë kur ushqejmë dashuri për një send më shumë se për Të, ndërsa adhurimi i një tjetër objekti a qenieje, veç Zotit, është idhujtari dhe mohim i plotë i Mirësisë. Të gjithë njerëzit e Zotit i bindën njerëzit pranë tyre për mëkatet, por jo “botën”, siç bëri Muhamedi. Ai jo vetëm që e çrrënjosi idhujtarinë nga gadishulli arab në kohën e vet, por dërgoi, gjithashtu, lajmëtarë tek Kozro Pervizi e Herakliu, sundimtarët e dy perandorive më të mëdha të kohës, Persisë e Romës, si dhe tek mbreti i Etiopisë, guvernatori i Egjiptit dhe tek mbretër e emirë të tjerë, për t’i ftuar ata të gjithë që të përqafojnë fenë e Islamit dhe të braktisin idhujtarinë nga besimet e rreme. Muhamedi e nisi këtë bindje me përcjelljen e fjalës së Perëndisë ashtu siç e merrte, në formën e recitalit të vargjeve të Kuranit. Më pas, me predikime e mëisme, si dhe me vënien në zbatim të fesë së vërtetë. Kur Fuqia e Errësirës, idhujtaria, iu kundërvu atij me armë, ai zhveshi shpatën dhe e ndëshkoi ushtrinë jobesimtare. Kjo ndodhi në përmbushje të vendimit të Perëndisë (Danieli VII.). Muhamedi u pajis nga Perëndia me fuqi e pushtet për të vendosur Mbretërinë e Perëndisë dhe për t’u bërë princ i parë e Kryekomandant nën “Mbretin e Mbretërve dhe Zotin e Zotërve”. (c) Tipari tjetër i veçantë i Periklit-it (Ahmedit) është se ai do të bindë botën për drejtësinë (cit. po aty). Interpretimi, “për drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati” (Gjoni XVI. 10), i vendosur në gojën e Jezusit, është i errët dhe i paqartë. Kthimi i Jezusit tek Zoti i tij është dhënë si një nga arsyet për bindjen e botës nga Paraklit-i. Përse kështu? Dhe kush ia bëri të ditur botës këtë? Çifutët besonin se ata e kryqëzuan dhe e vranë Jezusin dhe nuk pranuan të besojnë se ai u ngjit në qiell. Ishte Muhamedi ai, që e kundërshtoi prerë dhe qartë mosbesimin e tyre: “…Pa dyshim që nuk e vranë; por Allahu e ngriti atë lart, tek Vetja…” (Kurani IV. 157-158). Edhe besimi i krishterë për kryqëzimin dhe vekjen e tij në Kryq, si dhe përfytyrimi i tyre për Jezusin si Perëndi a bir i Perëndisë u kundërshtua hapur. Kurani atyre iu drejtua kështu: “…E megjithatë, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu qe bërë që t’u përngjante atyre…”Shumë besimtarë në Jezusin, në fillimet e hershme të Krishterimit, mohonin që Krishti të kishte vuajtur në Kryq dhe thoshin se një tjetër mes ndjekësve të tij, ndoshta Judë Iskarioti apo dikush tjetër i ngjashëm me të, u kap dhe u kryqëzua në vend të Jezusit.Korintasit, basilideasit, korpokratasit dhe shumë sekte të tjerë mbronin këtë pikëpamje. Unë e kam diskutuar në tërësi çështjen e Kryqëzimit në veprën time, të titulluar “Inxhīl ve Salīb” (“Ungjilli dhe Kryqi”), nga e cila vetëm një vëllim u botua në turqisht fare pak kohë para Luftës së Madhe. Kësaj çështjeje do t’i kushtoj një artikull të veçantë. Kështu, drejtësia që bëri Jezusi për Ahmedin qëndroi në deklarimin në mënyrë autoritare se “Rūhu’ll-Llah”-u, Shpirti i Perëndisë, nuk u vra e nuk u kryqëzua dhe se ai ishte një qenie njerëzore, por edhe një lajmëtar i dashur e i shenjtë i Perëndisë. Kjo ishte ajo që Jezusi donte të thoshte me “drejtësi” në lidhje me personin, misionin e vet si dhe me ngritjen e tij në qiell. Pikërisht kjo u përmbush nga Apostulli i Allahut. (d) Shenja më e rëndësishme e Periklit-it është se ai do të bindë botën në lidhje me gjykimin, “sepse princi i kësaj bote është gjykuar” (Gjoni XVI. 11). Mbreti apo princi i kësaj bote është Satani (Gjoni XII. 31, XIV. 30), sepse bota i është nënshtruar atij. Më duhet të tërheq vëmendjen e lexuesve të mi tek kapitulli i shtatë i Librit të Danielit, shkruar në aramaisht apo në dialektin babilonas. Aty tregohet se si “Fronet” (“Kursavan”) e “Gjykimi” (“Dīna”) janë vendosur dhe “Librat” (“Sifrin”) janë hapur. Edhe në arabisht, fjala “dīnu”, sikurse fjala në aramaisht “dīna”, ka kuptimin e gjykimit, por, në përgjithësi, përdoret në kuptimin “fe”. Fakti se Kurani përdor “Dīna”-n e Danielit si një shprehje gjykimi dhe feje, është tejet domethënës. Sipas mendimit tim modest, kjo është një shenjë dhe provë e drejtpërdrejtë e së vërtetës së zbuluar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë apo Gabrieli për Danielin, Jezusin dhe Muhamedin. Muhamedi nuk mund ta falsifikonte apo stiste këtë edhe sikur të ishte një filozof i mësuar si Aristoteli. Gjykimi i përshkruar me gjithë këtë madhështi e lavdi u vendos që Gjykatësi më i Lartë, Perëndia i Përjetshëm, të gjykojë Djallin, në formën e të tmerrshmes Bishë të Katërt. Pikërisht atëherë u shfaq dikush “si një bir njeriu” (“kbar inish”) apo “bar nasha”, që iu paraqit të Gjithëfuqishmit , u ngarkua me fuqi, nder e mbretëri të përhershme dhe u caktua që të vrasë Bishën e të vendosë Mbretërinë e Popullit të Shenjtorëve të Shumë të Lartit. Jezu Krishti nuk ishte ngarkuar me detyrën e vrasjes së Bishës. Ai u qëndroi larg çështjeve politike, pagoi taksa për Çezarin dhe u largua kur deshën ta kurorëzojnë si mbret. Ai u shpreh qartë se Kreu i kësaj bote po vjen, pasi Periklit-i do të çrrënjoste kultin e fëlliqur të idhujtarisë. E gjithë kjo u krye nga Muhamedi në pak vite. Islami është Mbretëria dhe Gjykimi, apo feja. Ai përmban Librin e Ligjit, të Shenjtin El-Kur’án, njeh Perëndinë si Gjykatësin dhe Mbretin më të Lartë dhe Muhamedin si heroin fitimtar të bekimit e lavdisë së pafund. (e) Shenja e fundit, por jo më e parëndësishme e Periklit-it është se “ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë të gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do të vijnë” (Gjoni XVI. 13). Nuk ka as edhe një “jotë”, as edhe një fjalë a koment të vetëm të Muhamedit apo të ndjekësve të tij të përkushtuar në tekstin e Kuranit të lavdishëm. E gjithë përmbajtja e tij është Fjala e shpallur e Allahut. Muhamedi e tha Fjalën e Perëndisë siç e dëgjoi t’i lexohet nga Engjëlli Gabriel. Më pas, ajo u hodh në shkrim nga shkruesit e tij besnikë. Fjalët, thëniet dhe mësimet e Profetit, megjithëse njihen si të shenjta e udhëzuese, nuk janë Fjala e Perëndisë dhe quhenAhādith aop Tradita. A nuk është ai, pra, Periklit-i i vërtetë edhe në këtë përshkrim? A mund të na tregoni një tjetër njeri, përveç Ahmedit, që të zotërojë në vetvete të gjitha këto cilësi materiale, morale e praktike, si dhe çdo shenjë dalluese të Periklit-it? Jo, Nuk mundeni. Mendoj se mbi Paraklit-in fola mjaft dhe do të përfundoj me një varg të shenjtë nga Kurani: “Unë nuk ndjek asgjë, veç asaj që më është shpallur; dhe as nuk jam tjetër, veçse një paralajmërues i hapur.” (XLVI) Përktheu: Edvin Cami
[1] Shih: “Islamic Review”, janar, 1930. [2] “por prej saj lindën, më vonë, sisteme të dëmshme për hebraizmin” (shën. i përkth.). [3] Duke pasur parasysh fjalën origjinale në gjuhët semite, të përkthyer në shqip me togfjalëshin “biri i njeriut”, autori dëshiron të tërheqë vëmendjen tek gjinia thuajse ekskluzive mashkullore e emrit “njeri” në këto gjuhë. Sipas autorit, kjo e përjashton Jezusin nga emërtimi “Biri i njeriut”, pasi ai nuk ka pasur asnjë prind mashkullor (shën. i përkth.). [4] Ndryshe nga përkthimi i sjellë nga autori, që citon në anglisht “I will ask” (“do t’ia kërkoj”), versionet e njohura biblike në shqip përdorin shprehjen disi më të zbutur, “do t’i lutem” (shën. i përkth.). [5] Që mund të shtrihet në të gjitha anët; që është e lehtë të shtrihet. Shumë i shquar (shën. i përkth.). [6] Shumë i shquar, i famshëm, i lavdishëm (shën. i përkth.). [7] Lavdi, zulmë, famë (shën. i përkth.). [8] Autori duket se e ka fjalën për priftin frigjian nga Ardabau, të quajtur Montano, që, aty nga vitet 160-170 e.s., u shfaq me pretendimin e të qenit Perikleitos-i i pritur. Ai u pasua nga një numër i madh ndjekësish besnikë, të quajtur montanistë, të cilët mendonin se pretendimi i tij kishte mbështetje të fuqishme në Shkrimet e Krishtera. Montanizmi u luftua ashpër nga Kisha, ndërsa shumë autoritete klerikale të Krishterimit mendojnë se fjala “Fryma e Shenjtë”, që gjendet tek Gjoni 14:26 (“…por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do të dërgojë në emrin tim…”), përbën një shtesë tekstuale sqaruese, të bërë pikërisht në këtë kohë nga ndonjë shkrues, me qëllim që të shmangej rreziku i shfaqjes në të ardhmen i ndonjë “Perikleitos”-i tjetër (krahaso: M.-É. Boismard – A. Lamouille, “Synopse des quatre Évangiles – L’Évangile de Jean”, Cerf, Paris, 1988, Vëll. III, f. 360). Kjo mbështetet në faktin se jo të gjithë dorëshkrimet e Ungjillit sipas Gjonit i përmbajnë fjalët “Fryma e Shenjtë”. I tillë është rasti i një dorëshkrimi që i përket shekujve IV-V, zbuluar në vitin 1812 nga prof. A. S. Levis (shën. i përkth). |
Modifikuar: 16/10/2014
[…] Benjamin Keldani Fragment i shkëputur nga libri i Benjamin Keldanit, “Muhamedi në Bibël”, (Botime Erasmus, 2004)“PARAKLETI” NUK ËSHTËFRYMA E SHENJTË Në këtë artikull mund të diskutojmë tani për “Parakletin” e famshëm të Ungjillit të Katërt. Jezu Krishti, sikurse Gjon Pagëzori, lajmëroi ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, ftoi njerëzit në pendesë dhe i pagëzoi ata për shlyerjen e mëkateve të tyre. Ai e përmbushi me nder misionin e tij dhe e përcolli me besnikëri mesazhin e Perëndisë tek populli i Izraelit. Ai vetë nuk ishte themeluesi i Mbretërisë së Perëndisë, por vetëm lajmëtari i saj dhe kjo është arsyeja, për të cilën ai nuk shkroi asgjë dhe nuk autorizoi askënd që të shkruante Ungjillin e Shenjtë që e kishte të skalitur në mendjen e tij. Ai shpalli për ndjekësit e tij Ungjillin që donte të thoshte “lajm i mirë” në lidhje me “Mbretërinë e Perëndisë” dhe “Pereiklitos”-in, por këtë nuk e bëri me shkrim, por në biseda gojore dhe në ligjërata të hapura. Këto ligjërata të hapura dhe shembëlltyra u përcollën më tej nga ata që i kishin dëgjuar ato për tek ata që nuk i kishin dëgjuar. Shumë kohë më vonë, thëniet dhe mësimet e Mësuesit u përmblodhën edhe në shkrime. Jezusi nuk ishte më Rabbi, por Logos – Fjalë Hyjnore; nuk ishte më Pararendës i Parakletit, por Zoti dhe Eprori i tij. Fjalët e tij të pastra e të vërteta u tjetërsuan e u përzien me mite dhe legjenda. Për njëfarë kohe, ai u prit nga çasti në çast që të zbresë nga retë me ushtritë e engjëjve. Mirëpo apostujt ndërruan jetë të gjithë dhe ardhja e Jezu Krishtit u shty. Personi dhe doktrina e tij nxitën lindjen dhe rritjen e një numri të madh spekulimesh fetare e filozofike. Sektet ndoqën njëri-tjetrin. Ungjijtë dhe Letrat nën emra e tituj të ndryshëm u shfaqën në shumë qendra dhe një numër i madh studiuesish e apologjetësh të krishterë luftuan e kritikuan teoritë e njëri-tjetrit. Nëse do të kishte qenë shkruar ndonjë Ungjill gjatë kohës së Jezusit, apo qoftë edhe një libër i autorizuar nga “Shkolla” e Apostujve, mësimet e Profetit të Nazaretit do të kishin ruajtur pastërtinë dhe tërësinë e tyre deri në shfaqjen e Periklitit – Ahmedit. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Çdo shkrues bëri të vetën një pikëpamje të ndryshme për Mësuesin e fesë së vet dhe e përshkroi atë në librin e tij – që e quajti Ungjill apo Letër – sipas përfytyrimit të vet. Fluturimi i lartë i mendimit në lidhje me Fjalën, profecia për Periklitin, bisedat e pashpjegueshme të Jezusit mbi mishin dhe gjakun e vet dhe një radhë mrekullish, ngjarjesh e thëniesh të regjistruara në Ungjillin e Katërt ishin të panjohura për Sinoptikët dhe, si pasojë, mbetën të panjohura edhe për shumicën e të krishterëve që nuk i kishin parë këto tekste për dy shekuj. […]