Safjurrahman el-Mubarekfuri

Pjesë e shkëputur nga libri i autorit Safjurrahman el-Mubarekfuri me titull: “Nektari i Vulosur i Xhenetit”, Mitrovic 1996

Shumica e arabëve një kohë të gjatë kanë pasuar fenë e Ismailit a.s., i cili i thërriste në fenë e babës së vet Ibra­himit a.s. Ata besonin Zotin Një të Vetmin dhe rrëfenin fenë e Tij. Kjo ka zgjatë një kohë, gjersa nuk fillojnë t’i harrojnë poro­sitë dhe ndalesat e Zotit. Me gjithë zhytjen gjithnjë e më të madhe në idhujtari, përherë ka ekzistuar Zoti – All-llahu xh.sh. – Suprem. të Cilit i drejtoheshin në momentet e vështira. Disa rituale të haxhxhit i kanë mbajtur, derisa erdhi në pushtet Amër b. Lihjai, kryepar i fisit Huza’ah. Ai ishte rritur në mjedisin fetar, i cili i respektonte kufijtë e Zotit. Shquhej me sinqeritet dhe devotshmëri, andaj populli e donte dhe e konsideronte si njeri të madh. Një herë ky udhëton për në Sham që t’i vizitonte viset ku ishin dërguar më së shumti Pejgamberë dhe ku kishin zbritur më së shumti Shpalljet e Zotit. Atje sheh se banorët i adhuronin idhujt, e kjo i pëlqeu dhe besoi se ata kishin të drejtë. Nga Shami kthehet duke bartur me vete një idhull që quhej Hubel dhe e vendos atë në Ka’be. Pastaj u bën thirrje banorëve të Mekës në politeizëm. Ata i përgjigjën kësaj thirrjeje pasi që e çmonin Lihjanin, duke konsideruar se ajo në çka i thërriste ky ishte gjë e mirë. Brenda një kohe të shkurtër të gjithë banorët e Hixhazit fillojnë t’i pasojnë banorët e Mekës, sepse ata ishin pronarë të Ka’bes dhe banorë të Haremit.[1]

Ndër idhujt më të vjetër në Ka’be është konsideruar edhe “Menati”, të cilin e kishin sjellur nga bregu i Detit të Kuq, prej njëfarë vendi afër Kudejdit. Pastaj ishte i njohur “Lati”, të cilin e kishin sjellur nga Taifi, dhe “Uzzaja”, të cilin e kishin blerë në Vadi Nahël. Këta tre idhuj kanë qenë më të mëdhenjtë.

Shirku – politeizmi nga dita në ditë merrte hov më të madh, ndërsa numri i idhujve rritej gjithnjë e më tepër. Të tillë ka pasur në çdo vend të Hixhazit. Përmendet se Amër b. Lihjai ka pasur lidhje me xhinnët, e njëri prej tyre e kishte lajmëruar se idhujt nga periudha e popullit të Nuhit a.s., që quheshin Vedd, Suvaa, Jeguth, Jeuk dhe Nasëra, janë të fshehur (të gropuar) në Xhidde, andaj duhet të gjenden dhe të sjellen në Ka’be. Ai i gjeti këto idhuj në vendin e quajtur Tiham në bregun e Detit të Kuq, në veri të Hixhazit, dhe i solli në Ka’be. Kur erdhi koha e haxhxhit, ai ua tregojë haxhilerëve dhe përsëri i vendosi në Ka’be.

Nga kjo kohë çdo fis e kishte zotin e vet idhull, bile edhe çdo shtëpi veç e veç. Haremi i Ka’bes mbushet me idhuj. Është evidente se në kohën e çlirimit të Mekës, Resulull-llahu a.s. ka hasur në 360. idhuj në Ka’be, të cilët i ka rrëzuar dhe i ka thyer, e pastaj ka urdhëruar që të gjitha mbeturinat të nxjerren nga Haremi dhe të digjen.[2]

Asokohe politeizmi dhe idhujtaria ishin bërë manifestim i vërtetë i tërë popullatës arabe paraislamike, ndërkaq ishin të bindur se gjithnjë janë duke pasuar fenë e Ibrahimit a.s.

Arabët e kohës paraislamike “El-Xhahilijjun” – injorantë në besim kanë pasur zakone dhe besim të veçant ceremonial në vetë përmbajtjen e lutjeve – pranë figurës – idhull, që ishin trillime, kryesisht të Amër b. Lihjait.

Atë që ai bënte, shumica e konsideronin si risi të bukur, me çka hijeshohej feja e Ibrahimit a.s., të cilën tanimë e kishin shëmtuar tërë­sisht.

Ja disa ceremoni gjatë adhurimit të idhujve:

1. Rrinin në këmbë afër idhullit, të cilin e adhuronin dhe i luteshin, prej tij kërkonin mbrojtje, ndihmë, luteshin për dëshira, besonin në shef’atin e tij – angazhimin te Zoti për mëkatet e bëra etj.

2. Rreth idhullit bënin pelegrinim, tavaf (ecnin rreth e përqark tyre), bënin sexhde para tij dhe ishin të përulur dhe të penduar.

3. Para idhullit thernin kurban, me ndihmën e të cilit orvateshin t’i afrohen shenjtërisë së tij. Para tyre çdo ditë i thernin edhe kafshët shtëpia­ke. Këtë lloj therjeje All-llahu xh.sh. ua ka ndaluar myslima­nëve, si dhe ngrënien e mishit nga kafsha e therur në këtë mënyrë. All-llahu xh.sh. thotë:

“…dhe u është e ndaluar ajo që është flijuar për hir të idoleve…” (5,3) si dhe: “Mos e hani atë, që kur është therë nuk është përmendur emri i All-llahut; ajo, me të vërtetë është mëkat i madh.” (6,121).

4. Një nga mënyrat e të afruarit hyjnisë ka qenë edhe ofrimi i ush­qimit dhe pijes idhujve. Gjithashtu ndanin nga një pjesë nga të lash­tat dhe kafshët dhe i sillnin para idhujve. E nga e tërë kjo, gjëja më intere­sante është se gjithnjë e ndanin një pjesë për All-llahun, Zotin Suprem.

E kanë pasur zakon që disa gjëra nuk kanë dashur t’i atribuonin idhujve, për të cilat e dinin se i takojnë vetëm All-llahut, por, gjitha­shtu, nuk e bartnin te All-llahu xh.sh. atë që konsideronin që i takon vetëm idhullit në situatën përkatëse.

All-llahu i Lartësuar thotë:

“…dhe thonë sipas hamendjes së tyre: “Kjo është për All-llahun, e kjo është e idhujve tanë”. Mirëpo, ajo pjesë që është për idhujt e tyre, nuk arrinë (nuk jipet) te Zoti, kurse ajo që ata e kanë caktuar për All-llahun – ajo arrinë (jipet) te idhujt e tyre. Sa gjykim të shëmtuar bëjnë ata.” (6, 136).

5. Njëra nga mënyrat për t’iu afruar idhujve ka qenë flijimi i kaf­shëve shtëpiake dhe fruteve, siç e cekëm më lartë. All-llahu xh.sh. thotë:

“Ata thonë: “Këto kafshë shtëpiake dhe këto të lashta janë të nda­luara, nuk mund t’i hajë askush, përveç kujt ia lejojmë ne”; e sipas hamendjes së tyre edhe disa kafshë shtëpiake janë të ndaluara për ngarkim dhe disa kafshë që kur i therin nuk e përmendin emrin e All-llahut, duke e përgënjeshtruar Atë. Ai do t’i ndëshkojë ata për gënjeshtrat e trilluara.” (6,138).

6. Në ritualet për t’iu afruar idhullit bënte pjesë edhe adhurimi i kafshëve të caktuara: “behiret, saibet, vesilet dhe hamet”. Ibni Is’haku thotë: “El-behiret, vajza e es-saibes quhej deveja e liruar, përkatësisht, ajo e cila kishte lindur dhjetë deve femër, në mesin e të cilave nuk kish­te deve mashkull. Këtyre llojeve të deveve nuk i hipnin, nuk e qethnin, nuk punonte punë të rënda dhe qumështin e saj nuk e pinte askush, përveç mysafirit. Nëse ajo përsëri lindëte femër, viçit ia prejshin veshin dhe ndaj saj silleshin sikurse ndaj nënës së saj. Pra kjo e fundit (deveja e njëmbëdhjetë) quhej behiret – vajza e saibes (e devesë së liruar)

El-vesilet; deveja e cila kishte lindur pesë herë nga dy viça femër, në mesin e të cilave nuk ka asnjë viç mashkull. Ajo quhej vesilet. Viçat që lindshin pas këtyre, ishin të lejuara vetëm për mashkujt, përveç nëse lindte viçi i ngordhur, e këtë e hajshin të gjithë, mashkujt dhe femrat.

El-hami është el-fahël, fahël është dromedar – mashkulli i devesë me të cilin ajo ka lindur dhjetë deve femra, në mesin e të cilave nuk kishte asnjë deve mashkull. Kurrizi i tij kishte vlerë të madhe (ishte i mbrojtur), askush nuk i hipte, nuk punonte kurrfarë punësh, nuk i qe­thej qimja dhe ruhej vetëm për shtim (damazllëk)

Në lidhje me këtë Kur’ani thotë:

“All-llahu nuk e përligji behi­rën, as saibën, as vesilën, as hamin, por ata të cilët nuk besoj­në trillojnë gënjeshtra për All-llahun, e shumica prej tyre nuk kanë mend. (5,103).

All-llahu xh.sh. po ashtu thotë:

“Dhe ata thanë: “Ajo që gjen­det në barkun e këtyre kafshëve shtëpiake u përket vetëm mashkujve tonë, kurse për gratë tona janë të ndaluara. E, nëse lindin ato të ngordhura, ata të gjithë (burra e gra) janë pjesë­marrës në të.” All-llahu do t’i ndëshkojë ata për gënjeshtra, se Ai, me të vërtetë është i Plotdijshëm dhe i Gjithdijshëm.” (6,139).

Mirëpo, ekzistojnë edhe shpjegime tjera të këtyre llojeve të kaf­shëve.[3]

Se’id b. El-Musejjibi konsideron se këto lloje kafshësh janë të dedikuara vetëm për idolet e tyre,[4] ndërsa në hadithin autentik, i cili është “merfu’un” – i pandërprerë, i transmetuar nga Resulull-llahu a.s. qëndron: “Amër b. Lihjai ka qenë i pari i cili i ka mbrojtur dhe i ka liruar këto lloje kafshësh dhe i ka futur në rituale adhurimi.”[5]

Të gjitha punët paraprake, arabët i bënin për t’i kënaqur zotat, duke besuar se zotat do t’i afrojnë te All-llahu, dhe se do të ndërmjetë­sojnë dhe do të angazhohen për ata tek All-llahu.

Në lidhje me këtë Kur’ani thotë:

“E, ata që marrin mbrojtës, pos All-llahut thonë: “Ne i lutemi atyre vetëm që të na afrojnë te All-llahu.” (39,3). “Ata adhurojnë – përveç All-llahut – atë që as nuk u bënë dëm, as nuk u sjellë dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tonë te All-llahu.” (10,18).

Arabët e bënin ndarjen e shumë gjërave me ndihmën e shigjetëzave pa pupla, të cilat shërbenin për bixhoz dhe për lojë. Ekzistonin tri lloje shigjetëzash: shigjetëza në të cilat shkruante “Po” dhe shigjetëza në të cilat shkruante “Jo”, që i përdornin për të marr vendime lidhur me punën, udhëtimet, martesën etj. Nëse dilte shigjetëza me “Po”, atëherë këtë punë e bënin, ndërsa me “Jo”, nuk e bënin at vit, por përsëri i hidhnin vitin e ardhshëm, e kështu me radhë. Ekzistonin shigjetëza në të cilat ka pasur ujë ose gjak, pastaj të tilla në të cilat shkruante: “është nga ju” dhe “nuk është i juaji” dhe “të dyjat”. Kështu p.sh. nëse dysho­nin në origjinën e fëmijës, e vendosnin atë para “Hubelit”, i merrnin me veti njëqind kurbanë, të cilët ia dorëzonin shortarit (fallgjiut). Ky i hidhte shigjetëzat dhe nëse dilte “është nga ju”, do të thoshte se fëmija është i juaji dhe ka të drejtë trashëgimi, e nëse dilte “nuk është i juaji”, nuk ka pasur të drejtë në trashëgim, e nëse dilte “të dyjat”, fëmija mbe­tej në këtë familje, trajtohej sikurse i tyre, por pa të drejtë në trashëgim dhe pa baba të vërtetë.

E ngjashme me shigjetëzat ka qenë gurëgaca, si dhe lojërat e rre­zikshme të cilat kanë lidhje me bast. Me bast ndanin mishin e kurba­nit të flijuar për idhuj dhe të therur me shortin e shigjetëzave. Arabët beso­nin në fjalët e “Kahinëve”, “arrafëve” dhe “munexhxhimëve”.

“Kahin” është ai i cili parashikonte ardhmërinë. Ai e shpallte ve­tën si njohës i fshehtësive. Mes tyre kishte edhe të atillë që konsi­dero­nin se ishin pasues të xhinnëve dhe se xhinnët u sjellin lajme.

“Arraf” është ai i cili e konsideronte vetën si njohës të ngjarjeve me shkaqe dhe pasoja të cilat i theksonte në situatat përkatëse. Ai e qëllonte p.sh. se kush është vjedhësi, ku ka ndodhur vjedhja, çka është vjedhur dhe përgjithësisht i qëllonte ngjarjet e përditshme.

“Munexhxhim” është ai i cili zbulonte kismetin dhe ngjarjet nëpër­mjet horoskopit dhe yjeve. Ky ishte astrolog. Të besuarit në fjalët e tija në realitet paraqiste adhurimin e yjeve.

Arabët besonin në parashenja (isharet i keq) apo në pesimizëm. Ata në këtë besim shkonin aq larg sa që kalimin e macës përtej rrugës, ose fluturimin e zogut përmbi kokë, e konsideronin fatkeqësi. I afroheshin zogut apo kaprollit për ta trembur, dhe nëse ikte në anën e djathtë, vazh­donin punën e filluar dhe e konsideronin hair, e nëse ikte në anën e majtë, ata e ndërprenin punën e filluar duke parë në këtë parashenjë “të keqe”. Këtyre zakoneve shortare mund t’u shtohen edhe disa të tjera, si p.sh.: bartja e shputës së lepurit rreth qafe, pastaj drojtja prej disa ditëve apo muajve, prej disa kafshëve, shtëpive, grave, besimi në armikun ose kryeparët. Gjithashtu besonin se trupi i të vrarit nuk do të qetësohet derisa të mos paguhet gjaku, dhe se shpirti i tij do të rrijë pezull duke thënë: “Ma ktheni trupin tim, ma ktheni trupin tim”, ose “më jepni ujë, më jepni ujë”, e kur kryhej hakmarrja ose kur paguhej gjaku, shpirti hynte përsëri në trup dhe trupi qetësohej.[6]

Ja, kështu pra kanë besuar arabët paraislamik, edhe pse kanë pasur diçka nga besimi i Ibrahimit a.s., të cilin nuk e kanë braktisur krejtë­sisht, si p.sh. lavdërimin e Ka’bes ose tavafin rreth Ka’bes, kryerjen e haxhxhit, umres, qëndrimin në Arafat, Muzdelife dhe therjen e kurba­neve. Por gjithashtu në të gjitha këto kanë futur bid’ate – risi.

Kurejshitët thonin: “Ne jemi bijtë e Ibrahimit dhe trashëgimtarë të Ka’bes, ne jemi pronarë të saj dhe banorë të Mekës. Askush prej arabë­ve nuk gëzon të drejta dhe pozita të tilla.” vetën e quanin “elhimes”, e ky ishte emri i përbashkët i të gjithë pjesëtarëve të fisit Kurejsh, Kinan dhe Xhedil. “Ne nuk guxojmë ta braktisim Haremin dhe t’i zhveshim ihramet.” Ata nuk qëndronin në Arafat e as që bënin ifaden nga Arafati, por këtë e bënin nga Muzdelifeja. (Ifade është kthimi i përbashkët gru­por nga Arafati.)

Në lidhje me këtë All-llahu xh.sh. thotë:

“Mandej kthehuni nga Arafati, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej All-llahut.” (2,199)

Ata po ashtu thonin: “Ne himesët, nuk guxojmë të marrim ushqim dhe ta fërgojmë në tlyen, gjersa jemi në ihrame. Ne nuk hyjmë në çadra nga këmenda (lesh dhie ose deveje) e kur kemi nevojë të pushojmë, pushojmë vetëm nëpër shtëpia përderisa jemi në ihrame.”[7] Gjithashtu thonin: ” Kush ka ardhur në Tempull, e me vete ka marrë ushqim nuk duhet ta hajë atë ushqim gjatë kohës së haxhxhit dhe umres.”[8]

Atyre që banonin jashtë haremit u urdhëronin që tavafin e parë rreth Ka’bes ta bënin në petkat e ndonjë himesi, e nëse nuk gjejshin petka përkatëse, mashkujt e bënin tavafin lakuriq. Femrat këtë e bënin krejtësisht të zhveshura, me përjashtim të një këmishe të prerë. Në lidhje me veshje All-llahu xh.sh. thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur kurdo që të faleni!” (7,31)

Nëse ndonjë mashkull apo femër kishte nderin ta bënte tavafin në teshat e veta në të cilat kishte ardhur, atëherë pasi e kryente tavafin i gjuante ato dhe nuk i përdorte më, as ai e as dikush tjetër. E kishin zakon që të mos hyjshin në shtëpi nga dera kryesore përderisa ishin në ihrame, por në pjesën e mbrapme të shtëpisë e bënin një të çelur nëpër cilën hynin dhe dilnin.

Këtë absurditet e konsideronin si bamirësi. Kur’ani këtë e ka ndaluar, andaj All-llahu xh.sh. thotë:

“…Nuk shprehet mirësia me të hyrit në shtëpi nga pjesa e mbrapme, por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpia kah dyert e tyre dhe droni All-llahut.” (2,189).

Të gjitha këto bindje fetare të arabëve paraislamik kanë qenë shirk i kulluar ose politeizëm. Po kështu janë edhe besimet në idhuj, fall, në trille etj. Madje edhe hebrenjtë, të krishterët, mexhusijët – adhuruesit e zjarrit, seb’ejët dhe të tjerët, gjenin rrugë të volitshme të hynin në Arabi me bindje dhe adete të veta fetare. Hebrenjtë të paktën i kanë pasur dy periudha, kur patën sukses të depërtojnë në trevat e Arabisë.

1. Shpërngulja e tyre gjatë fushatave luftarake të Asirisë dhe Babi­lonisë në Palestinë. Fushata pushtuese ushtarake u nis si shkas i presio­nit ndaj hebrenjve, për shkak të rrënimit të qyteteve dhe tempujve të tyre nga vetë mbreti Buhatanaseri në vitin 589. para erës së re.

Shumica e hebrenjve të robëruar dërgohen në Babiloni, dhe prej aty ndajnë tokën e braktisur prej Palestinës gjer në Hixhaz që të vendo­seshin në veri të Arabisë.[9]

2. Pas pushtimit të Palestinës nga ana e Bizantit, nën udhëheqjen e komandantit romak Betatsit, në vitin 70. të erës së re. Bizantinët u bëjnë presion hebrenjve dhe pasi rrënojnë tempujt e tyre, shumë fise hebreje shpërngulen në Hixhaz. Ata zënë vend në Jethrib (Medinë), Haj­ber dhe Tejma dhe ndërtojnë vendbanime, fshatra dhe kështjella. Kështu depërton feja hebraike në Arabi, nëpërmjet muhaxhirëve ose refugjatëve hebrenj. Hebrenjtë bëhen edhe faktor politik, për të cilët flitej para ardhjes së Islamit, e sidomos gjatë shekullit të parë të Islamit. Kur fillon të përhapet Islami, në Arabi jetonin fiset e njohura hebreje. Hajber, Nadir, Kurejdha, Mustalak, Kajnuka, kurse shkrimtari i njohur Es-Semhudi në veprën e vet “Vefaul-Vefa” në faqen 116 përmend mbi njëzet fise hebreje.[10]

Feja hebraike ka arritur në Jemen përmes Es’ad Ebi Kurebit, i cili si luftëtar shkon në Jethrib ku edhe e pranon besimin hebraik. Ai merr me vete dy rabinë nga fisi Benu Kurejdha në Jemen.

Feja hebraike përhapej shpejt në Jemen, kështu që me ardhjen e djalit të Es’adit, Jusufit, në pushtet, Dhu-Nuvasi i vërsulet të krishte­rëve të Nexhranit dhe u bënë thirrje t’a pranojnë hebraizmin. Pasi këta kundërshtojnë, ai i hedh në hendeqet e hapura dhe i djegë. Në zjarr janë djegur pa dallim mashkuj, femra, pleq e të rinj.

Thuhet se numri i viktimave ka qenë rreth 20 dhe 40 mijë vetë. Kjo ka ndodhur në tetor të vitit 523 të erës së re,[11] kurse Kur’ani përmend një pjesë të kësaj ngjarjeje në kaptinën “El-Buruxh”.

Përhapja e krishterimit në Arabi depërton krahas pushtimit të toka­ve arabe nga Bizantinët dhe Abisinasit.

Okupimi i parë i Jemenit nga ana e Abisinisë u bë në vitin 340. para erës së re dhe zgjati deri në vitin 378.[12] Në këtë periudhë në Jemen fillon predikimi i Ungjillit në të gjitha krahinat.

Atëbotë në Nexhran vjen një besimtar i madh i quajtur Fimijan dhe i thërret Nexhranët në fenë krishtere. Si besimtar i devotshëm që ishte, populli i beson dhe pranon krishterimin menjëherë pas udhëheqësit të vet Malbuit.[13]

Kur Abisinasit hynë në Jemen, shkelën atë që kishte bërë Dhu-Nu­vasi, kurse Ebrehe merr pushtetin. Ai fillon ta zgjeronte krishterimin shumë shpejt dhe me përmasa të gjëra aq sa deshti që në Jemen t’a ndër­tonte Ka’ben, kështu që rolin dhe rëndësinë e Mekës ta ketë Jemeni. Ebrehe niset ta rrënojë Ka’ben në Mekë por merr ndëshkimin e merituar të All-llahut xh.sh. në këtë dhe në atë botë.

Krishterimin e pranojnë fiset arabe Gassasin, Taglib, Tajj dhe disa të tjerë që kufizoheshin me Bizantin, këtë e pranojnë edhe disa sundim­tarë të Hirasë.

Besimin farisej apo idhujtarinë në zjarr ose në arabishte mexhusijë, kryesisht e pranojnë arabët që jetonin në viset kufitare kahPersia. Ithtarë të këtij besimi ka pasur edhe në Irak dhe Bahrejn, sidomos në Ahsa dhe Hixhër, qytete të Bahrejnit si dhe në bregun e gjirit Arabik. Këtë besim e kanë ndjekur edhe Jemenasit gjatë dominimit persian.

Mbi sebeizmin na flasin shumë gërmime arkeologjike në Irak.

Ky ka qenë besimi i popullit të Ibrahim Kaldejsit. Kaldejsët kanë qenë popull semit që i kanë besuar astrologëve dhe astrologjisë. Këtë lloj besimi në të kaluarën e kishin përvetësuar banorët e Shamit dhe të Jemenit. Por pas vërshimit të krishterimit dhe hebraizmit ky besim filloi t’i humbë ithtarët e vetë. Megjithatë edhe më tutje ekzistojnë besimtarë të këtillë të përzier me fariseizëm, sidomos në Irak dhe në brigjet e gjirit Arabik.[14]

Gjendja fetare

Islami i gjenë të tëra këto religjione dhe këto besime tek arabët, por të cilat ishin duke u dobësuar dhe duke stagnuar.

Idhujtarët, të cilët deklaronin se janë duke ndjekur fenë e Ibrahimit a.s. ishin larg urdhrave dhe ndalesave të sheriatit të Ibrahimit dhe larg ahlakut-moralitetit të Ibrahimit a.s. Ishin zhytur thellë në lajthitje dhe mëkate, prandaj me kohë ata përvetësuan idhujtarinë, politeizmin, me të gjitha zakonet shoqëruese të tij. E tërë kjo ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen shoqërore, politike dhe fetare të këtij populli.

Hebraizmi shndërrohet në dyfytyrësi dhe në diktaturë. Prijësit heb­renj u bënë zota të kombit të tyre. Ata i gjykonin njerëzit dhe komando­nin me fatin e tyre. Para tyre njerëzit jepnin llogari për gabimet e veta private, madje edhe për fjalën e shqiptuar në përshpëritje. I tërë preoku­pimi i tyre ishte pushteti dhe pasuria. Besimi i vërtetë dobësohej, kurse zgjerohej ateizmi, herezia dhe indiferenca ndaj mësimit, që All-llahu xh.sh. nxitë dhe urdhëron secilin ta nderojë këtë, pra mësimin dhe diturinë.

 

Krishterimi ishte besim i cili kishte filluar të shtrëngonte mendjen. Kjo ishte miksturë (përzierje) e çuditshme e Zotit dhe njeriut. Andaj nuk ka lënë gjurmë të thella dhe të vërteta tek arabët për shkak të doktrinarizmit të ndryshëm dhe reflektimit të tij në mënyrën e jetës së tyre që e jetonin e të cilën nuk mund ta braktisin.

Gjendja e besimeve të tjera tek arabët ka qenë sikurse gjendja e politeistëve – mushrikve. Zemrat e tyre kanë qenë të ngjashme, sikurse edhe zakonet e tyre, bindjet fetare dhe pikëpamjet e tyre mbi botën.

 

 

[1] Muhtesar Siretu-r-Resul nga sheh Muhammed b. Abdul-Vehhabi f. 12.

[2] “Muhtesar Siretu-r-Resul nga sheh Muhammed b. Abdul-Vehhabi, f. 13, 50,  51,  52,  54.

[3] Ibni Hisham: I/89, 90.

[4] Sahihu-l-Buhari: I/499.

[5] Sahihu-l-Buhari: I/499.

[6] Sahihu-l-Muslim, me komentuesin Nevevije-Kitabu-l-imami: I/59.

[7] Ibni Hisham: I/199, Sahihu-l-Buhari: I/226.

[8] Ibni Hishami: I/202.

[9] Kalbu-xhezireti-l-Arebi: f. 151.

[10] Kalbu-xhezireti-l-Arebi, f. 151

[11] Tefhimu-l-Kur’ani: VI/297, 298; Ibni Hisham: I/20, 21, 22, 27, 31, 35, 36.

[12] Tefhimu-l-Kur’ani: VI/297.

[13] Ibni Hisham: I/31-34.

[14] Tarihu erdi-l-Kur’ani: II/193-208.

Tags: , , , , Last modified: 16/10/2014
Close