Ahmed Didat
Përsa i përket mrekullive të Jezusit (p.q.m.t.), Kurani i Shenjtë nuk përshkruan hollësi rreth Bartimorit ose Llazarit, apo rreth ndonjë mrekullie tjetër, përveç asaj kur ai mbrojti nënën e tij që kur ishte foshnje në krahët e saj. Megjithatë, myslimanët nuk ngurrojnë të pranojnë dhe të besojnë mrekullitë e tij më mahnitëse – madje edhe atë të kthimit në jetë të të vdekurit. Por kjo nuk e bën Jezusin “Zot” ose “bir të Zotit”, siç pretendojnë të krishterët.Mrekullitë nuk janë të mjaftueshme as për të vërtetuar profetësinë, apo faktin nëse një njeri gënjen apo thotë të vërtetën. Vetë Jezusi thotë:

“Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa do t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.” (Mateu 24:24)

Nëse profetët dhe krishtërit e rremë janë në gjendje të bëjnë mrekulli, atëherë këto shenja ose mrekulli nuk përbëjnë provë të mjaftueshme për vërtetësinë e një profeti.

Sipas Jezusit, Gjon Pagëzori ishte më i madhi ndër profetët e Izraelit. Më i madh se Moisiu, Davidi, Solomoni, Isaia dhe të gjithë të tjerët, përfshirë edhe vetë Jezusin:

“Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas, nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori…” (Mateu 11:11)

(1) Pa përjashtuar edhe veten: sepse ai kishte lindur prej një gruaje me emrin Maria.

(2) Gjon Pagëzori, më i madhi i TË GJITHËVE, nuk bëri, megjithatë, as edhe një mrekulli të vetme! Mrekullitë nuk janë kritere për të gjykuar të vërtetën dhe të rremen.

Mirëpo, si një fëmijë i prapë e tekanjoz, i krishteri këmbëngul se Jezusi është Zot, sepse ai ktheu në jetë të vdekurin. A mund të jetë, vallë, Zot, kushdo që risjell në jetë të vdekur? Kjo pyetje ia ngatërron atij fillin e mendimit, sepse ai është mësuar ta pengojë vetveten nga të menduarit për mrekullitë që Bibla ua përshkruan të tjerëve dhe që hedhin hije mbi Jezusin për nga madhështia e tyre. Për shembull, sipas standardit të tij të pasaktë:

(a)  Moisiu është më i madh se Jezusi, sepse ai i dha jetë një shkopi të vdekur dhe e shndërroi atë nga pjesë të botës bimore në pjesë të asaj shtazore duke e kthyer në gjarpër. (Eksodi 7: 10)

(b)  Eliseu është më i madh se Jezusi, sepse shumë kohë pas vdekjes së tij, kockat e tij të kalbura kthyen në jetë një njeri të vdekur vetëm duke rënë në kontakt me kufomën e tij. (2 Mbretërve 13: 21)

Mos vallë dëshironi t’ju përgatis ndonjë katalog mrekullish? Por sëmundja vazhdon: “Në këto raste, ishte Perëndia që bënte mrekulli nëpërmjet profetëve të Tij, kurse Jezusi i bëri mrekullitë me fuqinë e vet”. Nga e mori Jezusi (p.q.m.t.) gjithë fuqinë e tij? Le të pyesim Jezusin dhe ai do të na tregojë:

Fuqia s’është e tij

“…Mua më është DHËNË çdo pushtet në qiell dhe në tokë.” (Mateu 28:18)

“…unë i dëboj djajtë ME NDIHMËN E FRYMËS SË PERËNDISË, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.” (Mateu 12:28)

“Unë s’mund të bëj asgjë nga VETJA IME…” (Gjoni 5:30)

“…unë i dëboj demonët me GISHTIN E PERËNDISË…” (Luka 11:20)

Pushtet i dhënë

“Pushteti” siç thotë ai, nuk është i tij; “mua më është dhënë”. I dhënë nga kush? Sigurisht, nga Zoti! Çdo vepër, çdo fjalë ai ia njeh Zotit.

Llazari

Meqenëse rikthimi në jetë i Llazarit shihet shpesh si mrekullia më e fuqishme që ka kryer Jezusi në Bibël, ne do ta marrim në shqyrtim këtë ngjarje siç përshkruhet në Ungjillin e Gjonit. Është e çuditshme se asnjëri nga  shkruesit e ungjijve të tjerë nuk e përmend Llazarin. Sidoqoftë, historia është se Llazari ishte shumë i sëmurë. Motrat e tij, Maria dhe Marta, të shqetësuara nga gjendja e tij, i dërgojnë lajm Jezusit që të vinte e ta shëronte nga sëmundja, por ai shkoi tepër vonë; katër ditë pasi Llazari kishte vdekur.

Ai psherëtiu

Maria vuri kujën e iu ankua plot vaje Jezusit, duke thënë se po të kishte ardhur në kohë, ndoshta vëllai i saj nuk do të kishte vdekur; nëse ai kishte mundur të shëronte sëmundjet e njerëzve të tjerë, përse nuk do ta kishte shëruar edhe vëllanë e saj që ishte, për më tepër, një mik fort i dashur i tij? Jezusi i tha: “A nuk thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?” (Gjoni 11:40) Kushti ishte që ata të besonin. A nuk u kishte thënë ai se besimi mund të lëvizë malet? Ai kërkoi që ta çojnë tek varri. Gjatë rrugës, ai “psherëtiu në frymë” (Gjoni 11:33). Nuk po murmuriste, por po zbrazte ç’kishte në zemër e po i lutej Zotit. Ndërsa ngashërehej hidhur, njerëzit që e rrethonin nuk ishin në gjendje t’i dëgjonin qartë fjalët e tij. Pas fjalëve, “ai psherëtiu”. Kur ishin në të mbërritur tek varri, Jezusi “psherëtiu” përsëri, ndoshta edhe më me zjarr. Zoti e dëgjoi psherëtimën e tij (lutjen e tij) dhe Jezusi mori garancinë se do t’i përmbushej kërkesa. Tani, Jezusi mund të ishte i qetë dhe të urdhëronte ta hiqnin gurin që zinte hyrjen e varrit, në mënyrë që Llazari i vdekur të kthehej nga të vdekurit. Pa këtë garanci prej Zotit, Jezusi (p.q.m.t.) vetëm sa do të kishte vënë veten në rolin e budallait.

Shmangia e keqkuptimeve

Marta solli ndër mend kutërbimin e kufomës, sepse vëllai i saj kishte vdekur prej katër ditësh, por Jezusi e dinte ç’bënte dhe guri u hoq. Atëherë, ai ngriti sytë nga qielli dhe tha:

“O Atë të falenderoj që më ke dëgjuar.

Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar.” (Gjoni 11:41-42)

Çfarë është e gjithë kjo? Shfaqje teatrale? Përse gjithë kjo dramë? Sepse ai e dinte që këta njerëz mendjelehtë e të dhënë pas bestytnive do ta keqkuptonin burimin e mrekullisë. Ata mund ta merrnin atë për “Zot”. Vetëm Zoti mund të rikthejë në jetë të vdekurit. Për të qenë dyfish i sigurtë se njerëzit nuk do ta keqkuptojnë, ai foli me zë të lartë dhe “psherëtima” e tij u shndërrua në të qara drejtuar Zotit për ndihmë. Lutja, për ata që e dëgjonin, nuk ishte koherente,  por Ati në qiell e kishte pranuar lutjen  e tij; “O Atë, të falenderoj që më ke dëgjuar”.

Jezusi, madje, shtoi: “ti gjithnjë më dëgjon”; me fjalë të tjera, çdo mrekulli e bërë prej tij ishte një përgjigje nga Zoti i Gjithëfuqishëm për lutjet e tij. Çifutët e asaj kohe e kuptuan mirë pozitën e tij, ndaj dhe “lavdëruan Perëndinë”, sikurse na tregon Mateu në një rast, kur ata “…lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.” (Mateu 9:8)

Në të vërtetë, Jezusi tregon arsyet se pse foli me zë të lartë. Ai thotë: “që të besojnë se ti më ke dërguar”. Jezusi ishte, pra, një i Dërguar i Zotit, apo Resulullah, siç e kemi cilësuar në faqet e para të këtij libri.

Fatkeqësisht, përpjekja e Jezusit për të shmangur çdo keqkuptim mbi atë se kush i kreu mrekullitë dhe se ai ishte vetëm një i dërguar i Zotit, dështoi. Të krishterët nuk e pranojnë as kundërshtimin e hapur të vetë Jezusit, as dëshminë e Pjetrit, i cili është “Guri”, mbi të cilin Jezusi do të ndërtonte, siç besohet, Kishën e tij. Pjetri dëshmon me vërtetësi:

“Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij, siç edhe vet e dini…” (Veprat e Apostujve 2:22)

Situata, jo e pashpresë

I njëjti mesazh është përsëritur nga Zoti i Madhëruar në Kuranin e Shenjtë, në vargun 49 të surës 3, ku Allahu na bën të qartë se çdo shenjë apo mrekulli që Jezusi bënte, ndodhte “bi-idhni’l-Lah”, pra, “ME LEJEN E ALLAHUT”. Jezusi vetë thotë kështu, Pjetri thotë kështu dhe Zoti thotë, gjithashtu, kështu; por kundërshtuesët kryeneçë nuk duan të dëgjojnë: paragjykimi dhe bestytnia nuk vdesin lehtë. Detyra jonë është, thjesht, të përcjellim qartë Mesazhin. Ç’të mbetet, ia lemë Zotit. Çështja, në fund të fundit, nuk është krejt e pashpresë, sepse Allahu, në Librin e Tij të Shenjtë, na tregon:

“E disa prej tyre* janë besimtarë, por shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.” (Kurani i Shenjtë 3:110)

Disa prej tyre: do të thotë se çifutët dhe të krishterët ndahen në dy lloje njerëzish; një pjesë e tyre, të cilëve u drejtohet edhe ky libër, janë përshkruar si njerëz me besim. Pjesa tjetër janë larg rrugës së Zotit. Ne duhet të gjejmë rrugë dhe mjete për të hyrë në zemrat e tyre.

Hapni Kuranin e Shenjtë dhe nxitini miqtë tuaj të krishterë të njihen e të lexojnë vargjet e diskutuara në këtë libër! Pastaj, do të mund të arrijmë vërtet në përfundimin:

I tillë ishte Jezusi, biri i Marisë; shprehje e së vërtetës, të cilën ata më kot e venë në dyshim.

Nuk i takon Zotit të lindë fëmijë. Lëvduar qoftë Ai! Kur dëshiron diçka, vetëm thotë: “Bëhu” e ajo menjëherë bëhet.

Në të vërtetë, Perëndia është Zoti im dhe juaji, ndaj adhurojeni Atë! Kjo është rruga e drejtë. (Kurani i Shenjtë 19:34-36)

Përktheu: Edvin Cami

 

Last modified: 03/01/2021
Close