Muhamed Hashim Kemal
Fragment i shkëputur nga libri i Muhamed Hashim Kemalit me titull: “The Dignity of Man: An Islamic Perspective, Islamic Texts Society, Cambridge 2002
Kurani konfirmon se krijimi i njeriut ka qenë një akt i veçantë krijimi. Ai dallon nga krijimi i Zotit në pjesë të tjera të qiejve dhe të Tokës, meqenëse ato janë krijuar falë urdhrit dhe vullnetit të Zotit, ndërsa krijimi i njeriut ishte një shprehje e dashurisë hyjnore. Kjo shfaqet, siç pohon edhe Kurani, në përfshirjen e drejtpërdrejt të Zotit në krijimin e njeriut. Njeriu është përshkruar si vepër e bërë nga Zoti me duart e Tij, të cilën Ai e kishte krijuar në formën dhe imazhin më të përsosur, e më pas i kishte fryrë brenda tij, ruh (shpirt) nga Ruhu (Shpirti) i Tij. Dashuria e Zotit për njeriun shfaqet, gjithashtu, edhe në urdhrin që Ai i dha engjëjve dhe Iblisit, për t’i rënë në sexhde Ademit. Sexhdja është akti suprem i përulësisë dhe devocionit, një veprim që zakonisht Zoti e kërkon të kryhet vetëm ndaj Tij. Përfshirja e drejtpërdrejt e Zotit në krijimin e njeriut, nënkupton gjithashtu afërsinë e ngushtë të marrëdhënies Zot-njeri, e cila nuk u mjaftua vetëm në aktin e krijimit të parë por vazhdoi të shprehet dhe të shpaloset si një realitet përmes eksperiencës fetare të besimtarëve.
Meqenëse feja është matriksi i marrëdhënies Zot-njeri, në Islam, ajo bazohet në dashurinë hyjnore, mëshirën dhe mirësinë e Tij. Ritualet fetare, falja dhe lutja, kur kryhen me sinqeritet, janë shprehje të devocionit njerëzor dhe të dashurisë për Zotin. Ato janë obligime që, siç është shprehur dhe Zoti, duhet përmbushur nga robi i Tij pa asnjë ndërmjetës. Kjo dëshmohet nga fakti se në Islam nuk ekziston asnjë lloj institucioni kishtar apo klerikal që të ndërmjetësoj ndërmjet Zotit dhe njeriut, dhe askush, në Islam, nuk ushtron ndërmjetësim shpirtëror të çfarëdolloji. Myslimani lidhet drejtpërdrejt me Zotin, në çdo kohë dhe në çdo vend. Zoti e ka shpallur interes të pandërprerë përfshirjen me dhe në çështjet njerëzore, kur deklaron në Kuran: “Ngado që të ktheheni aty është fytyra e Zotit” (Kuran 2:115). Në një vend tjetër, duke iu drejtuar profetit (a.s.), Allahu (xh.sh.) thotë: “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua“. (Kuran 2:186).
Meqenëse njeriu është krijuar sipas imazhit të Zotit, ai është i pajisur me dhuntitë përkatëse për ta përsosur vetveten dhe për të përmbushur potencialet e tij të mëdha. Kjo tregohet në atë që në Kuran është paraqitur si një prej favoreve më të mëdha që Zoti i ka dhënë njerëzimit. Surja kuranore Rrahman (i Gjithëmëshirshmi) fillon me këto fjalë:
“Rrahmani – (Mëshiruesi – Zoti ynë)! Ai ia mësoi Kur’anin; E krijoi njeriun dhe i mësoi atij të folurit”. (Kuran 55:1-4).
Me fjalë të tjera, shpallja e Kuranit, është një shfaqje e dashurisë dhe mirësisë së Zotit, po ashtu edhe pajisja e njeriut me aftësinë e fjalës. Zoti i Lartmadhëruar ka komunikuar me njeriun përmes Kuranit, më pas, falë mëshirës së Tij, ia ka bërë të mundur njeriut komunikimin përmes fjalës. Kurani, në këtë mënyrë, e përcakton veten si përcjellës i mesazhit të dashurisë dhe bamirësisë së Zotit, i cili shfaqet në dhuntitë e të folurit që Ai i ka dhënë njerëzimit.
Kjo karakteristikë e Kuranit, d.m.th., shfaqja e dashurisë së Zotit ndaj njerëzve, ka gjetur shpalosje më të qartë në mendimin sufit si edhe në kuptimin literalist të Islamit. Sido që të jetë, ka prova të drejtpërdrejta në Kuran të dashurisë së Zotit (hubb Allah) për ata që besojnë në Të dhe nuk i bëjnë të barabartë atij. Zoti kërkon devocion të sinqertë prej njerëzve, i cili gjen shprehje përmes adhurimit të Tij. Rrjedhimisht njeriu nxitet kështu: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shprëblim). Më falënderoni e mos Më mohoni. O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet All-llahu është me durimtarët“. (Kuran 2:152-53).
Ajeti kuranor që i paraprinë këtyre që sapo përmendëm, gjithashtu, bën fjalë për adhurimin dhe devocionin ndaj Zotit, e më pastaj për qetësimin që Zoti i jep njerëzve: “Në mënyrë që të plotësoj favorin Tim ndaj jush e të jeni të udhëzuar” (Kuran 2: 150).
Kurani, gjithashtu, përmban referenca të drejtpërdrejta për dashurinë e besimtarëve ndaj Zotit në kundërshtim me ato të cilët i shoqërojnë atij të barabartë. Vëreni pasazhin kuranor të mëposhtëm:
“Zoti juaj është Një, All-llahu, nuk ka zot pos Atij, mëshiruesit, mëshirëplotit […]E nga njerëzit ka prej tyre që në vend të All-llahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) All-llahun, po dashuria e atyre që besuan All-llahun është shumë më e fortë” (Kuran 2:163-165).
Dashuria e Zotit është më e madhe për ata që ndjekin mesazhin e Tij, të dërguarin e Tij (a.s.) dhe udhëzimin e tij. Profeti (a.s.) i deklaronte kështu shokëve të tij: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja” (Kuran 3:31).
Falja rrjedh prej dashurisë dhe Zoti ka premtuar se Ai “falë çdo mëkat përveç shirkut” (Kuran 4:48). Shirku është një shkelje në të cilën dashuria e njeriut për Zotin nuk ekziston, d.m.th., kur ai konsideron të tjerë hyjni të denja për adhurim.
Sinqeriteti, për hir dhe dashuri të Zotit, në dhënien e bamirësisë përmbi dhe përtej konformitetit me ritualet theksohet në Kuran ku lexojmë: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut […] dhe e shpenzon pasurinë nga dashuria për të” (Kuran 2:177). Kurani, në shumë vende, ka shpalosur mënyrën dhe mjetet përmes së cilave njeriu mund të fitojë dashurinë e Zotit. Të gjitha këto kanë për qëllim të shërbejnë si nxitje për përsosjen e moralit. Dashuria e Zotit, padyshim, përfitohet përmes sjelljes së virtytshme. Por sinqeriteti dhe devocioni e shtojnë vlerën e kësaj sjelljeje. Dashuria dhe devotshmëria janë shtyllat e marrëdhënies Zot-njeri. Besimi nuk është një formalitet as konformitet ndaj ritualeve, pavarësisht gjuhës bindëse të juristëve të cilët pothuajse gjithnjë ia kanë dalë mbanë të kufizojnë apelin emocional të Kuranit përmes shumësisë së normave ligjore. Argumentimi se dashuria dhe devocioni nuk janë thjesht çështje konformiteti ndaj rregullave është e qartë në gjuhën emocionale të thirrjeve kuranore. Një lexim i kuranit, në këtë mënyrë, nuk lë asnjë dyshim se Islami është besim dhe devocion në radhë të parë, dhe rregulla ligjore dhe rituale në radhë të dytë. Vëreni p.sh. këtë ajet kuranor: ” S’ka dyshim se Allahu i do të devotshmit” (Kuran 9:4 dhe 9:7) dhe “me të vërtetë Allllahu i do bamirësit‘ (Kuran 2:195); dhe “Allahu i do ato që i mbështeten Atij” (3:159).
Kurani vazhdimësisht liston premtimet për dashuri të Zotit ndaj atyre që dashurojnë qëniet e tjera, që qëndrojnë të durueshëm përballë vështirësive (el-Sabirin), që janë te ndershëm me të tjerët (el-Mukstin), që pendohen dhe kërkojnë falje (el-Tevabin), që janë të pastër dhe e duan pastërtin (el-Mutataharin), (Kuran 3:146; 5:42; 2: 222) e kështu me rradhë. Durimi përballë vështirësive mund të jetë për shumë arsye por më meritorë janë: “…ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre…” (Kuran 13:22). Shprehja vexhh Allah (lit. fytyra e Zotit), e cila nënkupton afërsi dhe dashuri, gjendet në shumë vende në Kuran, veçanërisht si referencë ndaj atyre që i japin bujarisht të varfërve “për hir të Zotit” (Kuran 30:38 dhe 39) dhe “jo për ndonjë qëllim […] por vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit të vet, më të lartit“. (Kuran 92:19-20)
Në një stil të pazakontë, Zoti në një tjetër ajet kuranor i drejtohet profetit të tij të dashur Musa në këto terma: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time, që të rritesh nën Syrin tim” (Kuran 20:39)
Megjithë kushtet që janë të nevojshme për të fituar dashurinë e Zotit, gjithsesi mëshira dhe dashuria e pakufishme hyjnore shtrihet edhe tek ata të cilët kanë rënë në gabim apo mëkat, siç konfirmohet edhe në Kuran: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirploti“. (Kuran 39:53)
Dëshpërimi dhe hidhërimi janë e kundërta e dashurisë, ashtu siç i dëshpëruari është i bindur për mungesën e dashurisë. Kjo është ajo që Kurani e përcjell në mënyrë empatike kur deklaron: “…E kush mund ta humb shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur“!? (Kuran 15:56). Pohimi i mëposhtëm nuk është asgjë tjetër vetëmse një deklaratë e hapur e dashurisë së Zotit: “Mëshira Ime ka përfshirë gjithçka dhe shtrihet përtej gjithçkaje” (Kuran 7:156)
Fokusi, gjithsesi, është mbi qënien njerëzore. Për këtë arsye në një hadith lexojmë: “Ai që nuk shfaq dashuri ndaj njerëzve, Zoti nuk do ta mëshirojë atë“.1
Interesante është, gjithashtu, të vërejmë se prej nëntëdhjetenëntë emrave të Zotit (el-esma el-husna), dy prej emrave më të preferuar prej Zotit janë Rrahman dhe Rrahim- Mëshirues dhe Mëshirplotë. Për arsye se vetëm këto janë zgjedhur nga Zoti për të qenë fillimi i çdo kapitulli kuranor. Ibn Abidin-i ka vërejtur se ndërsa termi Rrahim është i veçantë vetëm për besimtarët, termi Rrahman përfshin çdokënd, besimtarë apo jo besimtarë qofshin.2 Prej emrave më të bukur të Zotit gjejmë gjithashtu edhe emrin El-Habib (Dashuruesi), el-Latif (më bujari) dhe el-Vedud (më i dhembshuri).
Dashuria e Zotit për njerëzit, mëshira e Tij dhe përdëllimi janë për të gjithë njerëzimin pa specifikim, madje edhe për ata që nuk i përkasin asnjë feje. Për arsye se dashuria e Zotit, ngjashëm si atributet e tjera të tij, është absolute. Nëse dashuria e Zotit ishte shkaku i krijimit të njeriut, atëherë, ngjashëm si pajisja nga ana e Tij e njeriut me dinjitet, ashtu edhe dashuria e Tij është e paspecifikuar dhe gjithpërfshirëse3. Kështu që mëshira e Zotit, e cila është e pakufishme dhe nuk shtrihet vetëm në disa individë apo grupe, por në të gjithë njerëzimin dhe më tej. Ajo nuk është e kushtëzuar dhe as preliminar i mirënjohjes dhe miratimit. Sepse, Zoti i lartësuar lëvdon, siç e pamë më parë, ato të cilët shfaqin bujari ndaj të varfërve për hir të tij, pa pritur reciprocitet dhe mirënjohje4. Nëse Zoti çmon tek robërit e Tij bujarinë e pakushtëzuar, a do të zgjidhte Ai për veten e Tij ndonjë rrugë tjetër? Kjo pikë është shprehje e një aspekti të cilësive të Zotit, që ka lidhje me perfeksionin e cilësive të tij në çdo aspekt. Kur dashuria kushtëzohet ajo humbet pastërtinë dhe perfeksionin e saj. “Dashuria e Zotit është e provuar dhe ka për qëllim të gjithë njerëzit pavarësisht nga feja e tyre. Sepse dashuria është shkaku i krijimit, që përbën arsyen përse askush nuk mund të përjashtohet nga ajo. E njëjtë është çështja edhe për dinjitetin që Zoti i ka dhënë pasardhësve të Ademit”5.
Ajo që kemi thënë deri tani, gjithsesi, nuk ka për qëllim të mohojë shpërblimin e madh që duhet presin individët si pasojë e punës së mirë që mund të kenë kryer. Kur pohohet, në shumë ajete kuranore, se Zoti i do ato të cilët ngulmojnë në vepra të mira, të pastra dhe të ngjashme, këto janë tregues të dallimeve në grada dhe në shpërblime. Ngjashëm, deklarata universale kuranore për dinjitetin e njeriut nuk komprometohet nga deklarimi tjetër i Tij se: “…Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i druhet më shumë Atij…” (Kuran 49:13)
Ky pohim i gjallë kuranor për dashurinë dhe mëshirën e Zotit ndaj njeriut vendos bazat edhe për marrëdhëniet e njerëzve ndërmjet njeri-tjetrit. Dashuria e Zotit ndaj njeriut duhet ndjekur si model edhe për marrëdhëniet ndër-njerëzore. Një prej komentuesve e ka theksuar këtë kur thotë: “Meqenëse Zoti ka vendosur për Veten e tij të respektoj dinjitetin njerëzor, ky i fundit është, padyshim, i detyruar të ndjekë të njëjtën rrugë ndaj të ngjashmëve të tij, të ruaj integritetin e tij dhe të shmang shkeljet“6. Deklarata kuranore se “me të vërtetë besimtarët janë vëllezër” (Kuran 49:10) është trupëzuar në një deklaratë pothuajse identike nga profeti (a.s.), i cili ka thënë: “Besimtari është vëllai i besimtarit“.7 Në një tjetër hadith profeti (a.s.) deklaron, “Askush prej jush nuk është besimtarë i vërtetë nëse nuk dëshiron për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete“.8
Dashuria, dinjiteti dhe mëshira, në këtë mënyrë, përbëjnë elementet bazë për marrëdhëniet që besimtarët duhet të mbajnë ndaj njeri-tjetrit.
Do ta përfundoj këtë diskutim me një ajet kuranor i cili deklaron, në një mënyre krejtësisht empatike dhe në terma gjithëpërfshirës, se “Vërtet Allahu është i butë dhe mëshirshëm me njerëzit” (Kuran 22:65)
[*] Hashim Kemali është profesor i ligjit në ‘Universitetin ndërkombëtar islamik të Malajzisë’, ku ai jep mësim që prej vitit 1985. Ndër veprat e tij të njohura mund të përmendim: “Principles of Islamic Jurisprudence” (Cambridge: Islamic Texts Society, 1991); ‘Freedom of Expression in Islam’, Islamic Texts Society, 1995 etj.
Përktheu: Rezart Beka
Referenca
[1] El-Tabrizi, ‘Mishkat’, vol. III, hadithi nr. 4678
[2] Muhammad Amin ibn Abidin, ‘Hashijah Radd el-Muhtar ala Durr al-Mukhtar, 2nd. Edn, Cairo, Mustafa al-Babi al-Halabi, 1386/1996, I, 6; Jusri, Hukuk el-Insan, fq. 35
[3] Jusri, Hukuk el-Insan, fq. 33
[4] Ato që i japin të tjerëve dhe thonë: ‘Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, duam shpërblim e as falënderim!” (Kuran 76:9). Shih gjithashtu, 92:20.
[5] Jusri, ‘Hukuk el-Insan’, fq. 33
[6] ibid., fq. 31-32
[7] El-Tabrizi, Mishkat, vol. III, hadith nr. 4958
[8] Muhji el-Din Nevevi, Rijad es-salihin, ed. Muhammas Nasir el-Din el-Albani, 2nd edn, Beirut, Dar el-Mekteb el-Islami, 1404/ 1984, fq. 113, hadith nr. 118.
Tags: Movie Last modified: 14/01/2013