Ibn Kajim el-Xheuzijeh
Realiteti i këtij stacioni shpirtëror është përsomëria (ihsan) në të bërit mirë njerëzve, në të përmbajturit e vetes nga të bezdisurit dhe të shaktuarit dëm të tjerëve, dhe në të pasurit durim përballë bezdisjes që njerëzit shkaktojnë. Ai realitet është të praktikuarit e përsomërisë morale (husn al-huluk) me ata, dhe, përnjëmend, i referohet manifestimit të përsomërisë në sjellje dhe në praktikë.
Dallimi ndërmjet muruve-s (burrërisë) dhe futuve-s (fisnikërisë)
Dallimi ndërmjet futuve dhe muruve është se muruve më e gjerë se sa futuve (fisnikëria, sjellja kalorësiake). Pra, sjellja kalorësiake është një lloj i muruves. Fisnikëia (futuve) është ajo që lidhet specifikisht me njeriun dhe i zbukuron e i stolis njerëzit ose i zgjeron dorën e ndihmës të tjerëve, si dhe çon në braktisjen e asaj që ndot dhe njollos atë që është specifike për personin apo për marrëdhëniet e tij me të tjerët.
Futuve (fisnikëria) konsiston në praktikën e sjelljeve fisnike me të gjithë krijimin.
Ajo përmban tre shkallë: shkalla e brendësimit të virtyteve dhe përsosmërisë në moral, shkallën e fisnikërisë dhe shkallën e kalorësisë. Niveli i përsosmërisë është theksuar më parë (në librin prej nga është marrë fragmenti, sh.p.). Futuve është një gradë e nderuar së cilës Sheriati nuk i është referuar specifikisht duke përdorur termin “futuve”, por më saktë, e ka shprehur atë duke përdorur termin “përsosmëri e karakterit” (mekarim el-akhlak), sikurse e gjejmë në hadithin e Jusuf ibn Muhamed ibn el-Munkadirit, përcjellur me autoritetin e të atit të tij, përcjellur me autoritetin e Xhabirit – Zoti qoftë i kënaqur prej tij – përcjellur me autoritetin e Profetit – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – “Me të vërtetë, Zoti më ka dërguar për të plotësuar përsosmërinë e karakterit dhe veprat e mira.”
Etimologjia e fjalës “el-futuveh” vjen nga fjala “el-feta”, që do të thotë djalosh. Zoti ka thënë në lidhje me Djemtë e Shpellës:
Ishin të rinj (fitjeh) që besonin Zotin dhe Ne ua përforcuam drejtimin (Kahf, 13). Në lidhje me popullin e Ibrahimit (a.s.) në Kuran lexojmë “Thanë: “Dëgjuam një të ri t’i përmendte. Thirret Ibrahim.” (Ibrahin, 60). Ndërsa në lidhje me shokët e burgut të Profetit Jusuf lexojmë “Hynë me të në burg dy të rinj (fetejan).” (Jusuf, 36) “U tha djelmoshëve: “Vëruani monedhat e tyre në
Bagazh…” (Jusuf, 62).
Emri “feta” (djalosh) nuk përçon (në thelbin e saj) as lëvdim dhe as qortim, ngjashëm me termin djalë apo i ri. Kjo është arsyeja përse emrin “futuve” nuk e gjejmë në Kuran, Sunet, apo në gjuhën e pararendësve të devotshëm. Më saktë, ai është përdorur nga breznitë e mëvonshme për t’iu referuar përsosmërisë së virtyteve.
Në përdorimin e breznive të mëvonshme, kuptimi themeltar i termit Futuve është se shërbëtori, apo robi i Zotit, është gjithnjë në shërbim të të tjerëve.
Ndër autoritetet më të hershme për të cilët unë di se kanë folur në lidhje me futuvën ka qenë Xhafer bin Muhamedi, më pas Fudejl ibn Ijadi, Imam Ahmedi, dhe Sehl ibn Abdullahi, Xhunejdi, dhe mjeshtrat e udhës shpirtërore. Përmendet se Xhafer ibn Muhamedin e pyetën në lidhje me futuvën. Ai iu përgjigj atij që i bëri pyetjen: “Çfarë mendimi ke ti për të?” Personi që bëri bëri pyetjen iu përgjigj: “Nëse më është dhënë mua, unë do të shprehja mirënjohjen time për Allahun, dhe nëse Zoti ma ka mohuar që të më jepet diçka, unë do të tregohesha i duruar.” Ai i tha: “Edhe qentë tanë kështu sillen!” Më pas, personi që bëri pyetjen tha: “O nipi i të Dërguarit të Zotit, çfarë është futuva në këndvështrimin tënd?” Ai i tha: “Nëse ne na jepet, ne tregojmë parapëlqim ndaj të tjerëve, dhe nëse na mohohet, atëherë ne jemi falenderues.”
Fudejl ibn Ijadi ka thënë: “Futuva është tolerimi i hapave të gabuar të miqve të tu.”
Imam Ahmedi, Zoti qoftë i kënaqur prej tij – sipas transmetimit të të birit të tij – kur e pyetën se çfarë është futuve, ka thënë: “Të braktisësh atë që e dëshiron me forcë, për shkak të asaj së cilës ti i druhesh.”
Unë nuk di që ndonjëri prej katër imamëve, përveç Imam Ahmedit, të kenë folur në lidhje me futuven.
Xhunejdin e pyetën në lidhje me futuven dhe ai tha: “Ajo është të mos përzësh të skamurit dhe të mos kesh neveri nga pasunarët.”
Harith el-Muhasibiu ka thënë: “Futuve do të thotë të sillesh me drejtësi dhe të mos presësh që të tjerët të të trajtojnë me drejtësi.”
Omer ibn Othman el-Mekiu ka thënë: “Futuve është përsosmëri në virtyt.”
Muhamed ibn Ali el-Tirmidhiu ka thënë: “Futuve do të thotë të jesh armik i vetes për hir të Zotit.”
Dhe po ashtu është thënë: “Futuve është të mos e shohësh veten si superior ndaj të tjerëve.”
Dakaku ka thënë: “Askush përveç të Dërguarit të Zotit nuk e ka arritur këtë përsosmëri të karakterit, sepse në Ditën e Ringjalljes çdokush ka për të thënë “Vetja ime, vetja ime”, ndërkohë që i Dërguari ka për të thënë: “Ymeti im, ymeti im.”
Dhe është thënë: “Futuve do të thotë të thyesh idhullin që gjendet ndërmjet teje dhe Zotit të Plotfuqishëm, pra, nefsin tënd (veten tënde).” Zoti na ka përcjellur në lidhje me mikun e Tij, Ibrahimin, paqja qoftë mbi të: “Më pas, ai i bëri ato copa.” Pra, ai i theu idhujt për kënaqësinë, apo rizanë, e Zotit. Si rrjedhojë, el-Feta (përsoni që ushtron futuven), është ai që thyen një idhull (pra, nefsin, egon e tij) për hir të Zotit.”
Dhe është thënë se kur vjen puna te mbrojtja e të drejtave të tua, futuve do të thotë të mos jesh armik me askënd, por kur vjen puna për të ruajtur të drejtat e Zotit, futuve do të thotë të jesh armik me këdo, madje edhe nëse bëhet fjalë për një mik të dashur tëndin.
Tirmidhiu ka thënë: “Futuve do të thotë të sillesh njëlloj si me pjesëtarët e bashkësisë tënde ashtu dhe me të huajt.”
Dhe disa prej tyre kanë thënë: “Futuve do të thotë të mos bësh dallime pavarësisht nëse i ofron ushqim një shenjti (evlijau) apo një jobesimtari (qafiri).”
Xhunejdi, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Futuve do të thotë të kapesh fort pas Sunetit (të Profetit)”
Dhe po ashtu, është thënë: “Futuve do të thotë të jesh besnik dhe të ruash (kufijtë që ka vënë Zoti.)”
Dhe është thënë: “Futuve është një virtyt që ti e ushtron pa i dhënë vetes ndonjë meritë.”
Dhe është thënë: “… që ti nuk e fsheh prej atyre që kërkojnë ndihmën tënde.”
Është thënë: “Futuve nuk do të thotë të largohesh nëse ai që të kërkon një nder (al-afi) të afrohet ty.” Është thënë: “Futuve do të thotë të shpërfaqësh bekimet e tua dhe të mbash fshehur sprovat e tua. Të shpërfaqësh mirënjohje për bekimet dhe t’i mbash vështirësitë të fshehta.” Dhe është thënë: “Nuk do të thotë të grumbullosh pasuri apo të bësh justifikime (se përse nuk iu jep të tjerëve).”
Dhe është thënë: “Një burrë u martua me një grua, dhe kur ata u takuan për herë të parë, ai pa se ajo ishte prekur nga sëmundja e lisë. Në fillim, ai tha se shikimi i qe dobësuar, më pas ai tha se ishte bërë i verbër. Mbas njëzet vjetësh, bashkëshortja ndërroi jetë pa e kuptuar se bashkëshorti i saj e shihte si mos më mirë. Kur dikush e pyeti atë burrë në lidhje me këtë punë, ai tha: “Nuk më pëlqeu fakti që aftësia ime për të parë problemin që ajo kishte mund të bënte që ajo të binte në trishtim. Atij i thanë: “Ti kë shkuar përtej të gjithë atyre që ushtrojnë futuven!”
Dhe është thënë: Futuve është të mos përfitosh nga miku yt.
Një njeri mikpriti në shtëpinë e tij një grup njerëzish të cilët ushtronin futuva, dhe kur ata mbaruan së ngrëni, një shërbëtore erdhi dhe filloi t’i hidhte ujë duarve (për t’i larë). Njërin prej tyre e kaploi trazimi dhe tha: “Nuk është prej futuvës që një grua të hedhë ujë në duart e burrave” Njëri prej tyre tha: “Unë kam vite që vij në këtë shtëpi, dhe asnjëherë nuk e kam vënë re nëse në duar na hedhë ujë një burrë apo një grua.”
Një grup fetajan (praktikuesish të futuves) erdhi për vizitë te një feta (praktikues i futuves), kështu që ky i fundit i tha (shërbëtorit të tij):
“Oh bir! Bjerna për të ngrënë!” Por ai nuk solli asgjë. Mikpritësi e përsëriti kërkesën për herë të dytë dhe të tretë, por sërish ushqimi nuk u shtrua. Mysafirët hodhën vështrimin nga njëri-tjetri dhe thanë: “Nuk është prej futuvës që një njeri të ketë si shërbëtor dikë që nuk i bindet kur vjen puna tek shtrimi i sofrës.” Mikpritësi e pyeti shërbëtorin: “Përse u vonove për të na prurë ushqimin?” Djaloshi tha: “Në ushqim kishin rënë milingona, kështu që nuk është prej edukatës [edebit] që atyre që ushtrojnë futuvën t’iu shërbehet ushqim me milingona brenda, dhe nuk është prej futuvës që të flaken tutje milingonat dhe të nxirren prej ushqimit. Si rrjedhojë, unë prita derisa milingonat u larguan vetë.” Mysafirët thanë: “Njerëz si ty, o djalosh, duhet t’i shërbejnë atyre që ushtrojnë futuve.”
Një shembull i sjelljes kalorsiake që vlen të përmendet është sa vijon. Përcillet se një haxhi kaloi natën në Medinë dhe humbi një qeskë me një mijë dinarë brenda. Haxhiu u zgjua i shqetësuar dhe doli të kërkonte ndihmë. Në rrugë ndeshi Xhafer ibn Muhamedin dhe i tha: “Mos ma more ti qeskën?” Xhaferi i tha: “Çfarë kishte në qeskë?” Ai ia ktheu: “Një mijë dinarë” Më pas, Xhaferi e mori atë në shtëpinë e tij dhe peshoi një mijë dinarë në sy të tij e ia dha. Më vonë, ai njeri e gjeti qeskën e tij dhe shkoi te Xhaferi për t’i kërkuar falje e për t’i kthyer paratë. Por megjithatë, Xhaferi nuk i pranoi paratë, dhe tha: “Kur një gjë ka ikur nga dora ime, unë nuk e marrë atë mbrapsht asnjëherë!” Më pas, haxhiu pyeti njerëzit aty përreth: “Kush është ky burrë?” Ata i thanë: “Xhaferi, i biri i Muhamedit, Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me Muhamedin, të atin e tij.”
Autori i Menazil (pra, Haraui) – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – ka thënë:
“Thelbi i futuvës është që ti të mos i mveshësh vetes ndonjë meritë apo të drejtë.”
(Ibn Kajimi) thotë: “Zemra e futuves dhe e një personi është e njëjta gjë: gjegjësisht, të jesh kaq i preokupuar me të parit e mangësive dhe papërsosmërive të tua aq sa ti të mos vësh re virtytet e tua, dhe po ashtu të jesh kaq i preokupuar me të parit e të drejtave që njerëzit kanë ndaj teje aq sa ti të mos arrish të perceptosh të drejtat që ti ke ndaj tyre. Në këtë drejtim, njerëzit kanë gradë të ndryshme, ku më të nderuarit e të cilëve janë njerëzit e kësaj grade (d.m.th. futuves), dhe më të ulëtit janë e kundërta e tyre. (Më të lartët në rang) janë ata të cilët nuk kanë sy për virytet e veta por shohin vetëm të metat e veta, dhe nuk shohin të drejtat e tyre por të drejtat që të tjerët kanë ndaj tyre.”
Në mes janë ata të cilët shohin si atë që është e mangët te vetja e tyre ashtu dhe atë që është e përsosur, si dhe vërejnë të drejtat e njerëzve ndaj tyre dhe të drejtat e veta ndaj të tjerëve.
Grada e parë e futuves
Ai (Haraui) ka thënë: “Futuva ka tri gradë: E para është të heqësh dorë nga armiqësia, të mos vësh re të metat (e të tjerëve), dhe të harrosh bezdinë që të tjerët të shkaktojnë ty.”
Ibn Kajim thote: Kjo gradë është në kategorinë e të hequrit dorë dhe të të harruarit. Ajo nënkupton që të mos hysh në debate me ndokënd dhe të mos e bësh veten kundërshtar me ndokënd përveç vetes tënde, sepse vetja (nefsi, egoja) është armiku yt i vetëm.
Kjo gradë ka gjithashtu tre shkallë:
1) Që nuk duhet të hysh në polemika verbale,
2) dhe as nuk duhet të kesh për qëllim që të jesh kundërshtues në zemër, dhe se
3) kjo nuk duhet të të shkojë asnjëherë në mendje si diçka e vetes tënde.
Sa i përket të drejtës të Zotit të tij: Futuve është që të hysh në polemika për hir të Zotit, njëlloj si në të kërkuarit e gjykimit nga Zoti, pasi Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka pas thënë në duanë e hyrjes: “Me ndihmën tënde unë hyj në polemikë me kundërhstarët e mi dhe Ty të bëj gjykatësin tim.”
Kjo është shkalla e futuves e dijetarëve të cilët i thërrasin njerëzit për te Zoti. Ndërkohë që sa i përket të mos vënit re të gabimeve apo shkarjeve (të të tjerëve), kjo do të thotë se nëse një person dëshmon një shkarje apo gabim te dikush, ai e ka për detyrë, sipas ligjit fetar, që ta marrë atë në konsideratë. Megjithatë, personi në fjalë pretendon se nuk e ka vërejtur atë si për të mos ekspozuar personin që kryen gabimin, dhe kjo për të mos e vënë atë në vështirësi dhe për ta lehtësuar atë nga barra e dhënies së justifikimeve.
Futuve e të mos vënit re (të një gabimi) cilësohet se është më e lartë se sa ajo e të fshehurit plotësisht të saj kur e dëshmon.
Ebu Ali el-Dakaku – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë: “Një grua erdhi dhe e pyeti Hatimin në lidhje me një çështje, dhe gjatë bashkëbisedimit asaj padashje i shpëtuan gazra, dhe atë të mjerën e mbuloi sikleti nga turpi. Në këtë çast, Hatimi tha: “Ngrije zërin.” Në këtë mënyrë, ai e bëri atë të mendonte se ishte i shurdhët. Gruaja në fjalë u lehtësua nga kjo gjë dhe tha: “Nuk e dëgjoi!” Kështu, atij i vunë nofkën “Hatimi i Shurdhët”. Ky akt i të mos vënit re cilësohet gjysma e futuves.
Sa i përket “të harruarit të bezdisë,” ajo konsiston në të harruarit e dëmit që të është shkaktuar ty nga dikush, dhe kjo në mënyrë që ti të dëlirësosh zemrën tënde dhe të mos mbash asnjë mëri ndaj tjetrit.
Unë them: Ka një tjetër formë të të harruarit, që cilësohet edhe ajo si një akt i futuves gjithashtu. Ajo është të harrosh aktet e mirësisë që ti ke treguar karshi të tjerëve deri aty sa të krijohet ideja sikur kjo mirësi nuk ka ardhur asnjëherë prej teje. Ky lloj i të harruarit është më fisnik se i pari. Është thënë: “Ai që ushtron futuven, i harron nderet që ka bërë, por Zoti i bën ato të dukshme. Me të vërtetë, bukuria, kur ti e fsheh atë, bëhet e qartë.”
Grade e dytë e futuves
Ai (Haraui) ka thënë: “Grada e dytë është t’iu afrohesh atyre që e distancojnë veten prej teje, të nderosh ata të cilët të shkaktojnë bezdi, dhe t’iu kërkosh ndjesë madje edhe atyre të cilët të kanë bërë padrejtësi. E gjitha kjo prej tolerancës, por pa mbajtur mëri; dhe prej dashurisë, jo thjesht prej durimit.”
Ibn Kajim thote: Kjo gradë është më e lartë dhe më e vështirë se ajo përpara saj. Është kështu për shkak se grada e parë përfshin të mos vënit re dhe të shmangurit e konfrontimit, ndërkohë që kjo gradë përmban të treguarit e mirësisë ndaj atyre që të kanë bërë padrejtësi duke i trajtuar ata në një mënyrë që është e kundërt me mënyrën që ata janë sjellë ndaj teje. Në këtë rast, ka dy rrugë përpara teje dhe përpara atyre: rruga jote është të jesh bamirës, dhe rruga e tyre është që të bëjnë padrejtësi ndaj teje.” Në një frymë të ngjashmë, një poet ka thënë:
“Kur ne sëmuremi, ne vijmë te ty për vizitë,
dhe kur ti kryen një gabim, ne vijmë tek ti dhe të kërkojmë ndjesë.”
Kushdo që dëshiron të kuptojë këtë gradë siç duhet, le të shqyrtojë marrëdhënien e Profetit me njerëzit. Ka për të gjetur pikërisht këtë gradë. Përsosmëria e kësaj grade ka qenë ekskluzive vetëm për atë, dhe më pas për trashëgimtarët e kësaj grade në përputhje me hisen e tyre në atë që ai ka lënë pas si trashëgimi të tij. Unë nuk kam parë kurrë dikë që i ka mishëruar më mirë këto cilësi se sa Shejhu i Islamit, Ibn Tejmije – Zoti e fisnikëroftë shpirtine tij. Një pjesë e bashkëshoqëruesve të tij të spikatur kanë thënë: “Unë do të dëshiroja të isha si ai kur vjen puna tek trajtimi i armiqëve dhe kundërshtarëve.”
Dhe unë kurrë nuk e kam atë që të lëshojë një mallkim të vetëm ndaj tyre, por më saktë ai lutej për ata. Një ditë vajta tek ai me lajmin e mirë të vdekjes së kundërshtarit të tij më të madh, një njeri ky që kishte ushqyer armiqësi të egër ndaj tij dhe i kishe shkatuar atij dëm. Ai më pa vrenjtur, shprehur mosmiratimin e tij dhe u tërhoq. Më pas, u çua në këmbë dhe u nis për të shkuar në shtëpinë e familjes së të ndjerit për t’i shprehur ngushëllimet e tij. Kur shkoi atje, iu tha atyre: “Unë jam këtu për t’ju ndihmuar në vend të tij, dhe sa herë që ju duhet ndihmë për çfarëdolloj gjëje, unë kam për t’ju gjendur.” Ai shqiptoi fjalë të tjera të ngjashme dhe ata u ndjenë mirë nga fjalët e tij, u lutën për të, dhe e lëvduan këtë sjellje të tij. Gjykoj se kaq mjafton për të kuptuar se si ai ka mishëruar futuven në tërësinë e saj.
Sa i përket fjalëve “t’i kërkosh ndjesë atyre që të shkaktojnë dëm,” kjo në pamje të parë është e paimagjinueshme për mendjen. Duke qenë se ti nuk ke kryer asgjë të keqe që të detyron të kërkosh ndjesë, dhe se ti nuk ke asnjë përgjegjësi, atëherë përse duhet t’i kërkosh ndjesë për këtë?!
Ja si duhet kuptuar kjo: thelbi këtu është fakti që ti e ul veten në nivelin e atij që kryen diçka të gabuar dhe jo të viktimës, dhe ai që kryen diçka të gabuar duhet të kërkojë ndjesë.
Ai (i Lartësuari) i cili të bën ty të përjetosh një situatë të tillë të ka shkaktujar dëm si pasojë e mëkatit tënd, sikurse thotë i Plotfuqishmi: “Nëse ty të godet një fatkeqësi, dije se kjo është ajo që ka fituar dora jote e djathtë.”
Nëse ti e kupton se si e ke nisur kryerjen (e dëmit), atëherë shpagimi i Zotit bie mbi ty nëpërmjet duarve të kryerësit të aktit (të padrejtësisë ndaj teje, sh.p.). Në këtë mënyrë, ti do të kuptosh se në realitet ti je ai që duhet të kërkosh ndjesë. Ajo që e bën të gjithë këtë të lehtë për ty është që të reflektosh mbi ato dhjetë stacione pararendëse në këtë libër. Ti duhet t’i respektosh ato, pasi ato përmbajnë thesare të dijes dhe të ndershmërisë.
Në lidhje me thënien e tij, “prej tolerancës, por pa mbajtur mëri; dhe prej dashuri, e jo thjesht prej durimit”, kjo do të thotë se ti duhet të lejosh që sjellja jote të burojë nga toleranca, nga zemërmirësia, dhe nga zemërgjerësia, dhe jo nga mbajtja e mërisë, trysnia ndaj vetes, dhe thjesht durimi. Përndryshe, kjo do të ishte tregues se tipare të tilla pozitive nuk janë të qenësishme në karakterin tënd. Është kështu për shkak se ato tregojnë se janë një rrjedhojë e pretendimit të sforcuar që ka të ngjarë që të zhduket, dhe eventualisht do të shfaqet morali yt i vërtet dhe ti do të ngelesh i poshtëruar. Qëllimi përfundimtar nuk është asgjë tjetër përveç se korrigjimi i vetes, shpirtit, dhe zemrës tënde.
Ajo që shejhu ka thënë mund të arrihet vetëm mbasi është kaluar ura e durimit dhe e mbajtjes së mërisë. Vetëm më pas, mbasi zotëron këtë stacion, ti mund të kalosh në këtë shkallë, me ndihmën e Zotit.
Grada e tretë e futuves
Ai (Haraui) ka thënë: “Shkalla e tretë është se ti nuk bëhesh i atashuar me argumentet (delil) në shtegtimin tënd, dhe nuk e njollos reagimin tënd me pritshmërinë për shpërblim, dhe se në vizionin tënd të brendshëm (shuhud) ti nuk resht së vëzhguari në rrafshin e formave (rusum).”
Këto janë tri çështjet e përfshira në këtë shkallë:
Sa i përket asaj se ai nuk është i atashuar në shtegtimin e tij me argumente racionale, Haraui e ka sqaruar kuptimin që ai ka pasur për qëllim këtu në fund të kapitullit kur thotë: “Në këtë disiplinë të veçantë, cilido që kërkon dritën e të vërtetës në rrafshin e inferencës (istidlal) nuk e ka të lejuar që të pretendojë futuven në tërësi. Kjo është një çështje e thellë që kërkon qartësim dhe vlerësim.”
Kuptimi që ai ka për qëllim këtu është se shtegtari shpirtëror e bën këtë duke u bazuar mbi sigurinë absolute në besim, dhe duke ndjekur udhën e kuptimit shpirtëror dhe vizionit të brendshëm. Për rrjedhojë, mbështetja e shtegtarit mbi argumente (delil) është në vetvete provë se ai ende nuk e ka nuhatur aromën e sigurisë (jekin). Arsyeja për këtë është se dija për atë (pra, për shtegtarin shpirtëror) është domosdoshmëri (daruri), jo inferenciale (istidlali). Ky është në të vërtetë kuptimi i saktë. Kjo është arsyeja përse të Dërguarit nuk u kanë bërë kurrë thirje kombeve që thjesht të përcaktojnë ekzistencën e Formëdhënësit, Lavdia i qoftë Atij, por më saktë ata iu kanë bërë thirrje atyre që të adhurojnë dhe të kthehen në monoteizëm, duke iu drejtuar atyre në një mënyrë që nuk lë asnjë fije dyshimi në lidhje me të pranuarit e ekzistencës së Zotit të Plotfuqishëm, dhe as nuk kanë pasur ata nevojë për prova në lidhje me Atë. Kjo është arsyeja përse: “Të dërguarit e tyre thanë: “A mund të ketë dyshim në lidhje me Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës?”” (K. 14:10).
Si mund të cilësohet e saktë inferenca atëherë kur ajo e cila po bëhet përpjekje që të faktohet është më e dukshme se sa vetë argumenti? Disa madje kanë pyetur: “Si mund të kërkoj unë prova për atë i cili është prova e gjithçkaje?” Për rrjedhojë, lidhja e kërkuesit me delilet dhe vartësia e tij prej tyre është në vetvete fakt për mungesën e sigurisë nga ana e tij. Përkundrazi, kërkuesi i qëndron besnik argumenteve që e çojnë atë drejt rezultatit të dëshiruar vetëm mbasi ai e ka njohur Atë. Për shkak se shtegtari, mbasi e ka njohur Zotin, ka nevojë për argumente (delile) që çojnë për tek Ai, dhe e udhëzojnë atë në rrugën për të arritur tek Ai. Argument për këtë është se vetë Profeti është mbështetur mbi argumente dhe i ka qëndruar besnik atyre dhe nuk ka ndërmarrë një hap pa (përcaktuar) argumentin.
Më tutje, njerëzit (pra, Sufitë) shpeshherë aludojnë për shpalosjen dhe dëshmimin e të vërtetës. Kjo kurrsesi nuk mund të kërkohet që të përcaktohet me anë të argumenteve racionale, dhe nuk mund të thuhet: “Cili është argumenti se kjo ndodh?” Më saktë, këto stacione arrihen nëpërmjet kalimit të etapave të shtegtimit një e nga një, duke u ngjitur nga njëra shkallë te tjetra derisa të arrihet vendmbërritja e dëshiruar. Mbërritja në destinacion arrihet nëpërmjet shtegtimit shpirtëror drejt Zotit, jo thjesht nëpërmjet inferencës. Në kundërdallim, ai që mbështet mbi inferencën arrin vetëm në dije, ndërkohë që objektivi i njerëzve (pra, Sufive) është përtej dijes. Përftimi i dijes është një etapë e vyer në gjirin e etapave – sikurse kemi për ta përmendur, me lejen e Zotit (më tutje gjatë librit prej nga është marrë fragmenti, sh.p.). Kjo është arsyeja se përse njerëzit e inferencës quhen “njerëzit e diskursit” (as’hab el-kal), ndërkohë që ata që mbështeten mbi shpalosjen quhen “njerëzit e stacioneve shpirtërore” (Ehl el-Hal). Njerëzit (pra, Sufitë), në përgjithësi, veprojnë duke u bazuar mbi shpalosjen që ndodh nëpërmjet dritës së vizioneve shpirtërore, jo mbi dijen që përftohet nëpërmjet inferencës (istidlal) apo argumentit të përrëzueshëm (burhan).
Kjo është një pikë e mbarsur me gabime dhe pështjellim, për shkak se në këtë stacion argumenti (delil) është një parakusht, dhe po ashtu edhe dija. Udhërrëfyesi është portë ku duhet hyrë në mënyrë që të arrihet qëllimi fundor i dëshiruar. Kjo nuk mund të arrihet vetëm se nëpërmjet kësaj porte, sikurse ka thënë i Plotfuqishmi: “Dhe hyni nëpër shtëpia nga dyert e tyre” [Bekare: 189]
Krahas kësaj, ekziston një frikë për personin i cili nuk qëndron në krah të udhërrëfyesit, e cila është një çështje nga më të rëndat, pra, mundësia që ai të shkëputet krejtësisht nga qëllimi fundor (gjegjësisht Allahu) dhe mbërrin thjesht në imagjinatë dhe në gjëra të pamundura. Për shkak se cilido që largohet nga udhërrëfyesi, ai humbet krejtësisht rrugën. Nëse thuhet: “Atashimi i kërkuesit me udhërrëfyesin në shtegtim e cënon vendosmërinë dhe zemrën e tij, sepse udhërrëfyesi (delili) ndan, ndërkohë që ato janë të bashkuara.” Kërkuesi ka për qëllim të bashkohet me Zotin, për rrjedhojë përse do të pësonte ai krisje nëpërmjet udhërrëfyesit (delil)?!
Thuhet se kjo është fatkeqësia për hir të së cilës disa shtegtarë i kanë kthyer shpinën dijes dhe e kanë bërë atë të ndaluar. E shihnin si të mangët udhën shpirtërore. Kjo ka ndodhur në kohën e dijetarëve të hershëm gnostikë të cilët e refuzonin atë me forcë dhe e distanconin veten prej saj dhe përkrahësve të saj. Ata rekomandonin udhën e dijes dhe bënin me dije se udha e tyre është e lidhur me dijen dhe se cilido që nuk i qëndron besnik dijes nuk ka për të pasur sukses në këtë udhë. Xhunejdi, në veçanti, ishte njëri prej atyre që e tepronin më shumë se të tjerët në rekomandimin e dijes, dhe i nxiste miqtë e tij që ta ndiqnin atë.
Ndarja e shkaktuar nga ndjekja e delil-it është më e mirë se bashkimi i shkaktuar nga iluzioni dhe imagjinata, sepse natyra e vërtetë e bashkimit nuk mund të njihet vetëm se nëpërmjet delil-it dhe dijes. Këto të fundit janë thelbësore për kërkuesin e sinqertë, dhe nuk mund të flaken tutje.
Dhe me të vërtetë, pasja argumentit, drita e kuptimit dhe e shpalosjes i lejon kërkesit që të mos ketë nevojë për shumë prej argumenteve me të cilat teologët dhe njerëzit e diskursit (as’hab el-kal) e ngarkojnë veten. Kërkuesi nuk i kushton vëmendje atyre falë përqendrimit të tij mbi atë që është më e rëndësishme se ato, që është qëllimi i mbramë.
Një shembull i kësaj është se teologu kalon gjithë kohën e tij duke u përpjekur që të përcaktojë zanafillën e botës dhe të vërtetojë ekzistencën e Krijuesit, ndërkohë që këto çështje janë zgjidhur me kohë e me vakt nga shtegtari i sinqertë që ka siguri. Ai që përpiqet ta arrijë këtë nëpërmjet istidlal-it është personi të cilin e kanë kapluar dyshimet, pyetjet, dhe idetë e pafundme, por e gjitha kjo për shtegtarin është siguri dhe shpalosje. Prandaj, nëse shtegtari kushtëzohet në udhëtimin e tij nga gjendja e këtij teologu, kjo do të thotë se rrugëtimi i shtegtarit do të sosë, dhe ai vetë do të reshtë së qeni në futuve.
Kjo është një e vërtetë që asnjë gnostik nuk e refuzon. Ti ke për të parë se teologu zhytet në diskutime në lidhje me kohën dhe hapësirën, esencat dhe aksidencat, dhe kozmologjinë. Aspirata e tij është e kufizuar në këto çështje, dhe ai nuk e kapërcen atë me qëllimin për të arritur nëpërmjet tyre në ekzistencën e Krijuesit dhe në adhurimin e Tij. Në krahun tjetër, shtegtari i sinqertë shkon përtej preokupimeve të tilla dhe arrin përqendrimin e plotë mbi Krijuesin, dhe në adhurimin e Tij në përputhje me emrat dhe cilësitë e Tij. Ai nuk i drejtohet të tjerëve, dhe zemrat e tij nuk është e preokupuar me asgjë tjetër përveç Tij.
Vëmendja e teologut është e hapërdarë dhe e preokupuar me të njohurit e natyrës së vërtetë të kohës dhe hapësirë, ndërkohë që gnostiku nuk dëshiron të humbasë asnjë grimë kohe me gjëra të tjera përveçse me shtegtimin shpirtëror drejt Zotit të kohës dhe hapësirës.
Përmbledhtazi, pra, personi i cili zotëron këtë gradë nuk atashohet në shtegtimin e tij me argumentin racional, dhe shtegtimi i tij nuk do të ishte i mundur nëse nuk do të ndiqte udhërrëfyesin. Të dyja dimensionet janë prezente në rastin e tij, pasi ai nuk ka nevojë për evidenca për të përcaktuar ekzistencën e Zotit dhe nuk e flak tutje për asnjë çast të vetëm udhërrëfyesin që e çon atë drejt Zotit. Shtegtimi i të sinqertit është i bazuar mbi kuptimin, sigurinë, dhe shpalosjen, jo mbi hulumtimin dhe inferencën.
Sa i përket thënies së tij: “mos e njollos pranimin tënd (të futuvës) me dëshirën për shpërblim.”
Kjo do të thotë se pranimi që ti i bën ftuesit për tek e vërteta duhet të jetë i sinqertë, i mbushur me dashuri dhe dëshirë, duke kërkuar të Dashurin Vetë, pa u njollosur nga dëshira për kënaqësi të kësaj bote dhe për shpërblime. Sepse kur ti mbërrin tek i Dashuri, ti arrin çdo shpërblim, çdo pasuri, dhe çdo hise që ke kismet (kism). Sikurse përmendet në hadithin kudsi: “O bir i Ademit, më kërko Mua dhe ti ke për të më gjetur, sepse kur ti ke për të më gjetur Mua, ti ke për të gjetur gjithçka. Dhe nëse ti më humb Mua, ti ke për të humbur gjithçka. Dhe Unë jam më i shtrenjtë për ty se gjithçka tjetër.”
Kushdo që i kthen shpinën të kërkuarit të diçkaaje tjetër përveç Zotit, dhe nuk e përzien përpjekjen e tij me të kërkuarit e shpërblimit, por më saktë vendosmëria dhe vullneti i tij janë pastërtisht për hir të Tij, ai me të vërtetë fiton çdo shpërblim, pasuri dhe rizk. Sepse ndonëse ai nuk i ka bërë ato qëllim të kërkimit të tij, këto gjëra i jepen atij në dorë. Në të njëjtën kohë, shtegtari përfton lavdërime, shpërblehet dhe bëhet më i afërt me Zotin. Nëse këto të mira të kësaj bote do të ishin qëillimi i tij i mbramë, ai nuk do të kishte qenë i lëvduar, i shpërblyer dhe i afërt me Zotin për shkak të preokupimit të tij me të dëshiruarit e tyre dhe jo me të dëshiruarit dhe të dashurit të Zotit të Plotfuqishëm për veten e tij.
Zemra e një personi të tillë është plot me dëshirë për të mirat e kësaj bote dhe ajo që fiton në fund është pikërisht një pjesë e vogël e tyre. Sa i përket gnostikut, zemra e tij nuk është e lidhur me këto të mira të kësaj bote, e megjithatë ai i ka arritur të gjitha ato. Asketizmi i vërtetë karshi tyre nuk do të thotë që të shkëputesh prej tyre, por më saktë përbën thelbin se si ato mund të arrihen. Përkundrazi, heqja dorë prej Zotit (zuhd fi Allah) të bën që ta humbasësh Atë dhe të gjitha të mirat e kësaj bote. Nëse ti ke katër shërbëtorë, dhe i pari të dëshiron ty, por nuk kërkon asgjë prej teje; më saktë, dëshira e tij është e fokusuar vetëm mbi ty dhe mbi kënaqësinë tënde. I dyti dëshiron diçka prej teje, por nuk e vret fort mendjen për ty. Në fakt, dëshira e tij është thjesht e vetëm e fokusuar në marrjen e diçkaje prej teje. I treti të do ty dhe do diçka prej teje. I katërti nuk të do ty dhe as nuk do ndonjë gjë prej teje. Më saktë, zemra e tij është e lidhur me shërbëtorë të tjerë të tu, dhe ai do që t’i kënaqë ata dhe arrijë diçka prej atyre. Shërbëtori i parë është më i dashuri dhe më i parapëlqyeri prej teje, dhe më afërti në status me ty, dhe është ai i cili spikat prej bujarisë dhe favoreve të tua që asnjëri prej atyre tre të tjerëve nuk mund t’i ketë. Kështu është edhe pozita jonë në raport me marrëdhënien tonë me Zotin.
Sa i përket thënies së tij, “Ti nuk duhet të ndalesh thjesht në respektimin e formës,” kjo do të thotë se ti nuk duhet ta hedhësh vështrimin askund tjetër përveç Tij gjatë të dëshmuarit tënd, sikurse ne e kemi përmendur në mënyrë të përsëritur. Ti nuk duhet ta lësh vizionin tënd të brendshëm që të preokupohet me të ndalurit vetëm në vrojtimin e formaliteteve të jashtme.
Sipas sufive kjo nuk është diçka e përftuar, për shkak se nëse vizioni i brendshëm është i sinqertë, ai detyrimisht i shuan format në sytë e dëshmuesit. Rrjedhimisht, nuk ka nevojë që prej tij të kërkohet që të ndalet në të vrojtuarit e formave. Të dëshmuarit e vërtetë i fshin format në vetvete, por në stadet fillestare të vizionit të brendshëm nuk mund të bësh dot pa përpjekjen për ta përftuar atë, ndërkohë që në fundin e udhës, ai është i varur nga të përftuarit.
Haraui thotë: “Dije se ai i cili e detyron armikun e tij që të sjellë një ndërmjetës për ta falur atë dhe të cilit nuk i vjen drojë nga pranimi i ndjesës, nuk e ndjen aromën e futuves.”
Gjegjësisht, kur armiku e kupton se ti je në vështirësi ose se ke marrë lëndime prej tij, ai do të ndjejë nevojën për të të kërkuar falje, dhe për të sjellë dikë që të ndërmjetësojë në emër të tij për të hequr nga zemra jote mëritë e tua karshi tij. Si rrjedhojë, futuve e vërtetë konsiston në të mosdetyruarit e tij që të sjellë një ndërmjetës, duke mos shfaqur asnjë mëri karshi armikut tënd dhe asnjë ndryshim në sjelljen tënde karshi tij e cila mund të jetë e ndryshme nga ajo që ti ke shfaqur përpara se ai atë shfaqte armiqësi ndaj teje. Po ashtu, ti nuk duhet ta frenosh mirësinë tënde dhe favorin tënd ndaj tij. Nëse ti nuk ndjen ndrojtje që ai po qëndron përpara teje duke të kërkuar ndjesë, atëherë ti nuk ke asnjë hise në futuve.
Mos u mburr se e praktikon këtë nivel të moralit, sepse ka diçka më të madhe se sa ajo tek ata që praktikojnë futuvën. Dhe mos e percepto atë si tejet të vështirë për t’u praktikuar, sepse kjo veçori gjendet te shumë njerëz të zakonshëm dhe grupe të zakonshme miqsh të cilët nuk kanë qasje në gjendjen e dijes shpirtërore apo në ligjërimin e saj. Dhe ti, o kërkues i dijesh shpërtore, je më i përshtatshëm për të.
Sa i përket fjalëve të Harauit, “Dhe dija për pikat specifike: kushdo që vihet në kërkim të dritës së të vërtetës duke u mbështetur mbi inferencën (istidlal), pretendimi se ka Futuva nuk mund të ketë kurrë vend në rastin e tij.”
Kjo është sikur ai të thotë se nëse ti nuk e detyron armikun tënd të të kërkojë ty ndjesë apo të sjellë një ndërmjetës dhe ti nuk i kërkon atij që të sjellë prova për vlefshmërinë e ndjesës së tij, atëherë si e bën detyrim ti për Mikun dhe të Dashurin tënd që të japë ty prova për Njëshmërinë e Tij dhe dijen shpirtërore, dhe ti të mos udhëtosh drejt Tij derisa Ai të të ofrojë ty prova pëër ekzistencën, Pushtetin dhe Vullnetin e Tij? Sa larg është kjo nga rangu i vërtetë i futuves! A nuk është kjo në kontradiktë të plotë me futuven?
Nëse një njeri të fton ty në shtëpinë e tij, duke të dërguar një lajmëtar dhe ti i thua lajmëtarit: “Unë nuk kam për të adhur me ju derisa ti më jepni prova për ekzistencën e atij që ju ka dërguar, dhe se ju i bindeni atij, dhe se shtëpia e tij është e denjë për t’u vizituar,” atëherë ti je i pavlerë në pretendimin tënd se je i mbarsur me futuve. Kështu pra, çfarë mund të thuhet për Atë që ka ekzistencë, njëshmëri, fuqi, hyjnishmëri dhe të qenit zot shumë më të qartë se sa të gjitha provat që ti kërkon? Nuk ka asnjë argument që mund të deduktohet, dhe njëshmëria e përsosmëria e Zotit është më e qartë se çdo provë. Pranimi i Zotit të Plotfuqishëm nga natyra njerëzore (fitra) si Krijuesi i Botës nuk varet nga ndonjë qëndrim racional dhe as nuk ka nevojë për ndonjë hulumtim dhe inferencë intelektuale. (“A ka ndonjë dyshim për Zotin, Krijuesin e qiejve dhe të tokës?” [Ibrahim: 10]). Ai që është më larg nga futuva është ai i cili lyp prova për këtë. Ka një problem të madh në mendje nëse ka nevojë për argumente në lidhje me dritën e diellit.
Përktheu: Arjol Guni
Tags: burrëria, fisnikëria, Futuve, Islami dhe fisnikëria Last modified: 17/10/2025