Sachiko Murata & William Chittick
Fragment i shkëputur nga libri i autorëve Sachiko Murata & William Chittick me titull: “The Vision of Islam”, I. B. Tauris, New York 2000
Profeti na rrëfen se engjëjt janë krijuar prej drite. Drita (Nuri) është edhe një nga emrat e Zotit, dhe kurani na rrëfen ne se: “Zoti është dritë e qiejve dhe e tokës” (Nur 35). Në mënyrë që të kuptojmë se ç’janë engjëjt, ne duhet të kuptojmë se ç’është drita. Normalisht që drita e engjëjve nuk është si drita fizike që ne njohim, por ne duke studiuar dritën që ne njohim mund të zbulojmë diçka nga drita e engjëjve ashtu siç duke studiuar mëshirën njerëzore ne kuptojmë diçka nga mëshira hyjnore e kështu me radhë.
Zakonisht ne mendojmë se drita është e dukshme, por nuk është kështu. Ne mund të shohim dritë vetëm nëse ajo është e përzier me errësirë. Le të marrim p.sh. diellin. Ne e shohim atë e dritën e tij nga toka, por nëse ne do të afroheshim me diellin vetëm disa milje do ta kishim të pamundur të shihnim diellin e dritën e tij pa humbur shikimin. Drita që ne shohim nuk është dritë e pastër, ajo nuk krahasohet me dritën e pafiltruar të diellit, e lëre më me dritën Hyjnore, e cila ndriçon gjithë kozmosin. Shpesh herë gjejmë në komentarët Islam se drita e Zotit është kaq e fortë sa njerëzit do të verbëroheshin menjëherë, nëse Zoti do ti lejonte njerëzit të shihnin një pjesë të saj.
Zoti është i padukshëm, engjëjt janë të padukshëm, drita është e padukshme. Dikush mund të ketë objeksione ndaj kësaj që thamë e të thotë se ne e shohim dritën të shndrijë kudo, por ne nuk i shohim engjëjt e Zotin.
Autori i librit thotë: “A me të vërtetë është kështu?” Teuhidi na mëson se ajetet e Zotit nuk janë asgjë vetëm se rreze të dritës së tij, dhe krijesat nuk janë asgjë tjetër vetëm se gjurma e jashtme e fuqisë krijuese të Zotit. Zoti është dritë e qiejve dhe e tokës, e qielli e toka nuk janë asgjë tjetër vetëm se rrezatim apo reflektim i kësaj drite.”
Drita është e padukshme, por pa dritë ne nuk mund të shohim asgjë. Pra drita mund të përkufizohet si diçka e padukshme që e bën diçka të dukshme. Kështu edhe Zoti e engjëjt janë të padukshëm por pa ta nuk do të kishte univers, pra dukshmëri. Pra në një kuptim mund të themi se Zoti dhe engjëjt mund të përshkruhen si diçka e padukshme që e bën gjithë universin të dukshëm.
E kundërta e dritës është errësira, dhe errësira është thjesht mungesa e dritës. Me fjalë të tjera drita është diçka errësira nuk është asgjë. Ne i shohim gjërat sepse diçka është përzier me asgjënë. Ne nuk do të ishim në gjendje të shihnim nëse do të kishte vetëm dritë apo vetëm errësirë. Drita dhe errësira duhet të kombinohet së bashku në mënyrë që ne të shohim gjërat.
Zoti është dritë. E kundërta e dritës është errësira, e cila është asgjë. Me fjalë të tjera Zoti nuk ka rival real dhe ekzistent, sepse asgjëja është realisht asgjë. Nëse aty nuk ka asgjë, për çfarë rivalësh po diskutojmë.
Normalisht që ne mund të themi se asgjëja është e kundërta e diçkasë, por kjo asgjëja është vetëm një figuracion i të folurit ose një objekt i hamendësuar me qëllim diskutimi ose shpjegimi.
A janë krijesat dritë apo errësirë?
Nëse ato do të ishin dritë e vetëm dritë e pastër atëherë ato do të ishin Zot, e nëse do të ishin errësirë e vetëm errësirë atëherë ata nuk do të ekzistonin.
Në perspektivën e Teshbihut krijesat janë dritë, por në perspektivën e Tenzihut krijesat janë errësirë. Me fjalë të tjera për sa krijesat janë të ngjashme me Zotin ato janë dritë, për sa ato janë të pakrahasueshme me Atë ato janë errësirë.
Të jetosh në errësirë, në errësirë relative normalisht sepse errësira absolute nuk ekziston, do të thotë të jetosh larg Zotit e në këtë mënyrë të dominohesh nga cilësitë e madhështisë e të mërisë së tij. Të jetosh në dritë do të thotë të jetosh në afërsi me Zotin, e në këtë mënyrë të dominohesh nga atributet e mëshirës e të dashurisë së tij.
Ka një dritë e ka një Zot. Ka shumë errësira, sepse çdo krijesë përfaqëson një errësirë në lidhje me Zotin. Sa më e thellë të jetë errësira aq më e madhe distanca nga Zoti. Errësira absolute nuk ekziston sepse ajo do të ishte e shkëputur nga Zoti në çdo gjë.
Si mundet që diçka të ekzistoj duke mos pasur lidhje në ndonjë farë mënyre me Realin, i cili është burim i çdo realiteti.
Krijesat qëndrojnë në distance nga Zoti në mënyra të ndryshme. Do të thotë se ato jetojnë në errësirë relative. Errësira relative ka shumë mënyra dhe forma, sepse ka një pafundësi mënyrash në të cilat krijesat janë të ndryshme nga Zoti. Asgjë nuk është si Ai, por çdo gjë nuk është si ai sipas mënyrës së vet.
Të jetosh në diferencë do të thotë ta përjetosh Zotin nga perspektiva e Tenzihut, e për këtë arsye të dominohesh nga cilësitë e madhështisë e të mërisë. Qëllimi i dinit Islam është ti dërgoj krijesat që të bëjnë një lëvizje nga Tenzihu në Teshbih, nga distanca në afërsi, nga pakrahasueshmëria në ngjashmëri, nga shumësia në njëshmëri, nga mëria në mëshirë, nga errësirat në dritë.
Kurani shpesh e shpjegon qëllimin e Zotit në krijim në dërgimin e njerëzve drejt njëshmërisë, dhe ai zakonisht përdor termat dritë dhe errësirë për ta bërë të qartë këtë. Kuptimi i thellë i këtyre verseteve bëhet i qartë sapo dikush kap kuptimin e teuhidit. Duhet vënë re se në këto versete drita është përmendur gjithnjë në njëjës, duke qenë se drita është një atribut hyjnorë, ndërsa errësirat janë përmendur gjithnjë në shumës, duke qenë se errësira është një atribut që merr shumë forma.
“Thuaj: “A është i barabartë i verbëri me atë që sheh, ose, a janë të njëjta errësirat me dritën?” (Rrad 16)
“Ai robit të vet i shpall argumente të qarta për t’iu nxjerrë juve prej errësirave në dritë. E, s’ka dyshim se All-llahu është i butë e i mëshirshëm ndaj jush”. (Hadid 9)
“Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo?” (Enam 122)
“Ai ju mëshiron juve e edhe engjëjt e Tij, e për t’ju nxjerrë juve prej errësirave në dritë dhe Ai ndaj besimtarëve është shumë i mëshirues” (Azab 43)
Zoti është dritë. E kundërta e dritës absolute të Zotit është errësira absolute, e cila nuk ekziston, duke qenë se nuk ka asnjë realitet jashtë Zotit që të mund ti japë asaj ekzistencë.
Engjëjt janë të krijuar nga drita. Ato janë të ndryshëm nga Zoti i cili është dritë e pakrijaur. Drita engjëllore mund të ketë të kundërtën e saj, e kjo është errësira e krijuar. Kjo errësirë nuk është errësirë absolute përndryshe ajo nuk do të ekzistonte e për më tepër nuk do të ishte e krijuar. Opozita e dritës së krijuar engjëllore është errësira e krijuar jo engjëllore, d.m.th. diçka që është errësirë krahasuar me dritën engjëllore.
Kurani i referohet si dritës së krijuar ashtu edhe errësirave të krijuara në versetin 1 në suren Enam kur thotë: “Falënderimi i qoftë vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe tokën, që bëri (formuloi) errësirat e dritën…” Vini re se si në këtë verset drita e krijuar është në numrin njëjës. Kjo i referohet faktit se në fund të fundit “Nuk ka dritë tjetër përveç dritës së Zotit”. Gjithë drita është thjesht një rrezatim i dritës hyjnore, kështu e gjithë drita mund të themi se është një. Në të kundërt errësirat janë shumë, sepse ato përfaqësojnë rrugët e pafundmë sesi diçka mund të jetë e ndryshme dhe larg Zotit.
Drita e padukshme dhe e pakrijuar nuk ka opozitë. Ndërsa drita e krijuar është e padukshme por ka të kundërtën e saj, e cila është gjithçka që është e dukshme.
Ju mund të thoni se edhe drita e diellit është e dukshme a mos do thotë kjo se ajo është errësirë. Përgjigja është edhe po edhe jo. Po në krahasim me dritën engjëllore dhe jo në lidhje me gjerat materiale. Duhet të kujtojmë se të folurit në mënyrë absolute i përket vetëm Zotit. Ndërsa kur flasim për krijesat atëherë gjithçka është relative. Engjëjt janë dritë në krahasim me krijesat e tjera, ndërsa errësirë në krahasim me Zotin.
Drita e engjëjve nuk është dritë fizike siç e njohim ne, por ajo ka disa karakteristika të përbashkëta me dritën e engjëjve. Drita është ajo që zhduk errësirën, zhduk hijet e obskuritetet, ndriçon, rrezaton, shfaq dhe shpall. Si drita engjëllore ashtu edhe drita fizike i bëjnë këto. Megjithatë ka dallime të rëndësishme ndërmjet tyre. Drita jonë është jofrymorë e pajetë, ndërsa drita engjëllore është e gjallë. Drita fizike bën dritë ndërsa drita engjëllore ndriçon. Të kthehesh në një llambë është një gjë, por të japësh dije përmes shfaqjes engjëllore siç iu dha profetit kurani përmes engjëllit Xhebrail, është krejtësisht tjetër gjë. Sepse drita është dije, për këtë arsye kurani është dritë e qartë (Nisa 174). Kjo nuk është dije si informacion por dije si vetëdije.
Ne thamë se e kundërta e dritës së krijuar është errësira e krijuar. Nëse drita dhe errësira janë relative siç thamë më parë atëherë çdo gjë mund të jetë dritë dhe errësirë njëkohësisht në varësi të këndvështrimit. Një engjëll është errësirë në krahasim me Zotin por dritë krahasuar me shkëmbinjtë, ndërsa shkëmbinjtë janë errësirë krahasuar me hiçin. Çdo gjë në univers është njëkohësisht dritë dhe errësirë, e kjo është rrjedhojë e tenzihut dhe teshbihut. Nëse ne e konsiderojmë Zotin, i cili është dritë, si pafundësisht i largët e i pakrahasueshëm, atëherë gjithçka tjetër përveç tij është errësirë. Por nëse ne e konsiderojmë Zotin si të ngjashëm në disa aspekte e të afërt, atëherë gjithçka është dritë.
Ekzistojnë shumë shprehje tradicionale për ta bërë të qartë këtë status ambivalent të gjërave.
Profeti Muhamed ka thënë: “Kjo botë është e mallkuar. E mallkuar është gjithçka në të, përveç dhikrit ndaj Zotit” (Tirmidhiu)
Ky hadith na rrëfen se gjithçka tjetër përveç Zotit, gjithçka që ne përjetojmë në jetën tonë nuk ka asnjë vlerë pozitive në vetvete, sepse ajo është errësirë. Për sa kohë gjërat janë errësirë njerëzit nuk duhet ti kushtojnë vëmendje. Megjithatë gjithçka është edhe dritë, d.m.th. ato janë dritë për sa kohë njerëzit njohin se ato janë shenja të Zotit dhe i përdorin ato për të kuptuar teuhidin. Ky hadith shpjegon kuptimin e këtyre verseteve kuranore.
“Ai u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë” (Bekare 221)
“Kjo është rruga e Zotit tënd, është e drejtë, Ne shpjeguam argumentet për njerëz që përkujtojnë” (Enam 126)
Nëse njerëzit nuk i njohin shenjat e Zotit si rrezatim i dritës hyjnore, ato kanë humbur kontaktin me realitetin. Për to kjo botë është errësirë dhe një vend i mallkuar, sepse ajo nuk të rrëfen për Zotin. Në këtë mënyrë bota nuk i lejon njerëzit të kuptojnë teuhidin por i dërgon në shirk.
Le të kthehemi tek engjëjt. Kurani bën disa pohime lidhur me natyrën e tyre, për ti kuptuar ato duhet të meditosh për kuptimin e tyre.
Le të marrim këtë verset psh: “Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tri palë e katër palë krahë, ndërmjetësues (në mes Tij dhe pejgamberëve). Ai shton në krijim atë që do, vërtet, All-llahu ka fuqi për çdo send” (FATIR 1)
Nga ky ajet ne kuptojmë se engjëjt kanë krahë. Por krahët e tyre nuk janë si krahët që ne njohim. Po për çfarë i duhen engjëjve krahët? Normalisht për të fluturuar. Nëse ato janë të dërguarit e Zotit që i sjellin njerëzve mesazhin, e nëse ato duhet të përshkruajnë distanca të largëta atëherë ato kanë nevojë për krahë.
Ky verset ka edhe një tjetër kuptim gjithashtu. Një zog apo një insekt ka nevojë për krahë që të fluturoj sepse ai nuk mund të ngrihet pa ndihmën e tyre për shkak të peshës që posedon e forcës së gravitetit. Nëse ato duan të ulen poshtë ato pushojnë së rrahuri krahët dhe ulet vetvetiu. Por engjëjt janë krijuar prej drite e qëndrojnë në qiell afër Zotit. Për nga natyra ato janë të afërta me Zotin. Ato nuk kanë nevojë për krahë të fluturojnë lart por të zbresin poshtë. Pasi kanë dërguar mesazhin e tyre ato kthehen në vendin e tyre të natyrshëm.
Në ajet rrëfehet se engjëjt dallojnë nga numri i krahëve të tyre. Disa kanë më pak e disa më shumë. Ne mund të përdorim gjuhën e filozofisë Islame e të themi se krahët simbolizojnë dhuntitë e fuqinë e engjëjve. Ekzistojnë shumë lloje engjëjsh, disa kryejnë funksione të thjeshta e disa funksione të ndërlikuara. Në bazë të funksioneve dallon edhe numri i krahëve të tyre, ata të cilët kanë funksione të ndërlikuara e që kërkojnë shumë fuqi kanë edhe numrin më të madh të krahëve Në një hadith thuhet se Xhebraili i cili është një nga engjëjt më të rëndësishëm ka 700 krahë. Kjo duket si një numër i duhur për një nga engjëjt më të rëndësishëm.
Përktheu: Rezart Beka
Last modified: 16/10/2014