Tim Winter (Abdyl Hakim Murad)
Urtësitë e analizuara në tekst:
1. Nëse vuan nga plogështia, bëj një listë
2. Në luftën kundër monokulturës shenja kryesore është hixhabi dhe akti kryesor është lutja (namazi)
3. Vetëm përmes traditës ne jemi një umet semper reformanda
4. Të jesh heretik ndaj monokulturës kërkon njëherazi kurajo dhe stil, por ne duhet të kemi hapësirë edhe për ata që nuk kanë as kurajo dhe as stil
5. Një heretik nuk e deklaron veten asnjëherë si të tillë, por deklaron se e transcendon ortodoksinë
1. Nëse vuan nga plogështia, bëj një listë
T.J. Winter (Abdul Hakim Murad)*
Kalimi i të Djelës pasdite në divan duke parë programe argëtuese në televizor mund të jetë thjesht përtaci ose dembelizëm, e cila mund të pasohet nga një veprim energjik adhurimi apo shërbimi ndaj të tjerëve. Kjo nuk është plogështi[1], e cila është një sëmundje e thellë e rrënjosur në një neveri të përsëritur dhe të ngulitur ndaj të vepruarit në përputhje me Sunetin. ‘Punoni!’ urdhëron Liber Asian “se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. (Kuran 9:105).
Në kopështin e Xhenetit, Ademi dhe Havaja nuk patën punë. Ata vepruan sipas fitrës, në harmoni me shenjat e krijimit. Në këtë botë tonën, ekziston domosdoshmëria për të punuar. Njeriu i verbër shpirtërisht punon për egon e tij, për pasuri ose për pëfitime dynjaje. Besimtari “punon drejtësisht” (21:51), domëthënë në përputhje me Sheriatin dhe njetin e sinqertë.
Një person përtac nuk është domosdoshmërisht edhe i plogësht. Nieti i tij dhe veprimi i tij i mundshëm e tregojnë një gjë të tillë. Ngjashëm, një person i plogësht mund të mos jetë përtac. Në mënyrë që të shmangë Krijuesin e tij ai mund të gjejë njëmijë detyra për të kryer. Këto mund të marrin formën e biznesit apo kënaqësisë. Ai mund të punojë dymbëdhjetë orë në ditë dhe të neglizhoj namazet. Presioni i punës e mpin ndjenjën e tij të detyrimit shpirtëror: Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar (pasurinë, familjen, pushtetin)” (Kuran 102:1). Ai mund edhe të marrë pushime për tu ngjitur me këmbë në Tibet, duke vënë në rrezik madje edhe jetën e tij, në mënyrë që të arrijë të njëjtin efekt qetësues të mpirjes. Në kohët tona, njerëzit më aktivë janë të plogështit. Në fakt, koha jonë është një kohë e plogështisë. Njeriu i plogësht është një maniak supresiv.
Por “Shejtani u premton atyre vetëm gënjeshtra” (Kuran 4:120). Njerëzit e plogësht lëvizin në mënyrë energjike nga një veprim në tjetrin, por në thellësi ata janë të amullt/të ndenjur. Besimtari mund të jetë i qetë në pamje të jashtme, indiferent ndaj shtimit të përfitimeve në këtë dynja, por zemra e tij është është një burim i përmendjes së Zotit.
Selefizmi i gënjeshtërt dhe fanatizma të tjerë fetarë mund gjithashtu që ta urrejnë formalisht përtacinë, ndërkohë që bien në krahët e ëmbëla të plogështisë. Ruaju energjisë së ‘aktivistit’ zemra e të cilit është e trazuar dhe kënaqësia më e madhe e të cilit, qoftë kjo e ndrydhur apo jo, është të gjej gabime tek të tjerët. Energjia e tij fetare rrjedh nga tmerri i tij për tu përballur me detyrën e tij të vërtetë, e cila është përkujtimi i përunjur dhe vetëkritik i Zotit të tij. Për atë Islami është kibla, njësoj si biznesi, makinat apo statusi janë për atë qe rend pas dynjasë.
Për të shpëtuar prej vesit ne duhet të dimë se për ku duhet të arratisemi. I arratisuri potencial prej Colditz-it[2] duhet të bëjë një listë me hapat që duhet të ndërmarr nëse dëshiron të shmang gardianët dhe grackat e mundshme. Lista për Arratisjen e Madhe përfshin udhëzimet e dhëna nga një sheh, të cilat janë trupëzim i udhëzimeve të vetë Profetit të Bekuar, i cili i udhëhoqi njerëzit e tij nga ëndërrimi me sy hapur drejt njohjes së vetes.
* Profesor i Teologjise Islame, Universiteti Cambridge.
[1] Këtu plogështia i referohet prirjes për të mos vepruar ose për të mos punuar, apatizmit shpirtëror dhe pasivitetit. Në anglisht autori përmend fjalën “sloth” (plogështi) e cila është një term që vjen nga teologjia e krishterë, duke qenë se në krishterim “plogështia” është një nga shtatë mëkatet vdekjeprurëse. Ajo i referohet përtacisë shpirtërore dhe plogështisë në të përmbushurit e vullnetit hyjnor dhe në të kryerit e veprimeve që sjellin shpëtimin (shën. i përk.).
[2] Golditz është një kështjellë e kohës së Renesancës e cila ndodhet në qytetin Golditz afër Leipzigut. Gjatë luftës së dytë botërore kështjella u shndërrua në një burg të sigurisë së lartë për robërit e luftës. Ajo konsiderohej nga gjermanët si një burg i pathyeshëm, por megjithëkëtë shumë robër lufte mundën të arratisëshin prej tij. Njeri prej tyre ishte kapiteni Patrick R. Reid i cili u arratis nga Colditz në vitin 1942 dhe i cili pas arratisjes shkroi dy libra në të cilat përshkruan kushtet e burgut dhe përpjekjet e ndryshme për tu arratisur prej tij. (shën. perkth.)
2. Në luftën kundër monokulturës shenja kryesore është hixhabi dhe akti kryesor është lutja (namazi)
Octavio Paz: “Ideali i një civilizimi të vetëm për gjithkënd, i cili gjendet në mënyrë implicite në kultin e progresit dhe teknikës, na varfëron dhe gjymton. Çdo pikëpamje për botën, që shuhet, çdo kulturë që zhduket, pakëson një mundësi për jetë.”
Larmia kulturore imiton diversitetin gjenetik, i cili nga ana e tij garanton stabilitetin gjenetik. Alternativa (ndaj monokultures? / zgjidhja) është të jesh i natyrshëm. Prej këtej vjen edhe mendjemprehtësia e Ahmet Davutoğlu-së se “krizat e civilizimeve të mëparshme janë tejkaluar përmes injektimit të vlerave të reja nga civilizimet e tjera…në ditët tona, nuk kemi më një alternativë të tillë, sepse, në kontrast me civilizimet historike, kulturat autentike nuk mund të bashkekzistojnë dhe të mbijetojnë nën karakterin hegjemonik të civilizimit modern perëndimor.”
Myslimanët duhet të jenë shuhada ala el-nas, ‘dëshmitarë për njerëzimin’ (2:143). Si pasojë ata duhet të dëshmojnë larminë e cila, si nga ana kuranore, ashtu edhe nga ana historike, është një aksiomë për humanitetin tonë. Disa myslimanë të merakosur presin krahët e shqiponjës së ligjit të Zotit, derisa e bëjnë atë të duket si pulat e rritura nga monokultura nëpër kafazë me dritë artificiale. Të tjerë e përdorin Islamin si një megafon, përmes të cilit të deklarojnë mendimin e tyre të vetëm: se feja është e vërtetë, ngaqë është e ndryshme. Megjithëkëtë, Suneti urdhëron kremtimin e ma’dabat Allah: banketit të shenjave të Zotit. Nëse një kulturë nuk mund të arrijë të zbulojë erëza të reja, ajo të do të rrisë të rinj të zbrazët dhe letargjikë, si edhe një art introspeksioni të shplarë, cili shikon përbrenda dhe nuk gjen tjetër vetëm se një dëshirë për ndryshim, por jo një drejtim të vendosur në të cilin duhet të kanalizohet ndryshimi.
Nuk është vokacion i Islamit që të përputhet me epokën. Në vend të kësaj, ai e përkujton Perëndimin për besimin e paraardhësve të tij: “Mos u konformoni me këtë botë”. Monokultura shumëfishon materien dhe nuk mund të shquajë shpirtin; dhe Islami, disidenti i madh global, është i thirrur që të shërojë pasojat. Hixhabi tregon thirrjen e lartë të një humaniteti gjinor, lutja tregon se si duhet t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje. Kurse monokultura nuk ka as kibël (drejtim) dhe as namaz (lutje rituale). Ajo, jo vetëm që shfuqizon kulturat e tjera, por gradualisht shfuqizon edhe vetë kulturën.
[*] Abdal Hakim Murad, “Commentary on the Eleventh Contentions”, Quilliam Press, 2012, f. 171
3. Vetëm përmes traditës ne jemi një umet semper reformanda
Slogani ‘Ecclesia semper reformanda est’ (‘Kisha është vazhdueshmërisht në reformim) buron nga ‘Kisha e reformuar hollandeze’, por në ‘reformimin e ri’ të nisur gjatë ‘Koncilit të dytë të Vatikanit’, gjatë viteve 60 të shekullit të kaluar, kjo shprehje u bë popullore edhe ndërmjet katolikëve.
Reforma në Islam nuk ka të bëjë me rimodelimin sepse dihet me konseuns (ixhma) se modeli është i plotë në Sunet, përkundrazi reforma në Islam ka të bëjë me Islah-un, vendosjen e gjërave në vendin e tyre. Dijetarët reformojnë vetëm sepse të tjerët deformojnë. Përkatësia në Islamin Sunit është pranimi i kanoneve të këtij procesi reformues, duke filluar me ixhma-në (konsensusin) dhe kijas-in (analogjinë) si dhe me lëvizjen konsensuale të umetit në katër shkollat juridike. Vetëm në praktikat e tyre mund të gjenden në mënyrë të suksesshme mjetet e ixhtihadit, si njëkohësisht elastike dhe të vërteta. Në periferitë e etshme jashtë Katër Shkollave ka një tendencë për të gjetur ose një liberalizëm bien-pensant, i cili supozon se revelata ekziston për të konfirmuar modernitetin ose një hermeneutikë të xhindosur e panikut dhe përbuzjes. Si liberalizmi ashtu edhe literalizmi pretendojnë se i qëndrojnë besnik rrugës së selefëve: i pari në frymë, i dyti në tekst. Sidoqoftë, selefitë nuk kanë pasur asnjë nocion qoftë të liberalizmit apo të literalizmit shkrimor, i cili në ditët tona e bën Sheriatin të duket absurd. Rruga e tyre ishte rruga e traditës, e kalimit dhe dorëzimit [tek të tjerët] të asaj që ata kishin marrë, duke pranuar dallimet ndërmjet sahabëve dhe duke refuzuar rreptësisht vizionin totalitar të një fikh-u të unifikuar, të një “Fikhu Suneh”.
‘Literalizmi është literalisht një lloj tahrifi’ (9/90)
Nga frytet e tyre i kemi njohur ata: periferitë e ethshme nuk kanë dhënë asnjë përfitim të prekshëm, ndonëse terrorizmi tekfirist, produkti më i njohur i “Reformizmit islamik”, e ka dobësuar në mënyrë domethënëse umetin, duke i çelur portën ndërhyrjeve të huaja dhe grindjeve sektare. Sikurse në Evropë, Reformimi jonë është vicioz (jotolerant, joshpirtëror, antisemit, dhe në fund shekullarizues).
Ka ardhur koha të përdorim atë që e zotërojmë ndërkaq. Dhjetë shekuj konsensusi sunit, i ruajtur në një teologji ligjore të mençur dhe të gjallëruar nga një misticizëm i inkorporuar, përfaqëson venën më të pasur të urtësisë sonë. I lexuar nga reformatorë të vetëdijshëm për epokën [ku jetojmë] dhe për dobësitë njerëzore, ky është gjithçka na nevojitet.
[*] Abdal Hakim Murad, “Commentary on the Eleventh Contentions”, Quilliam Press, 2012, f. 58.
4. Te jesh heretik ndaj monokulturës kërkon njëherazi kurajo dhe stil, por ne duhet të kemi hapësirë edhe për ata që nuk kanë as kurajo dhe as stil.
Sfida e myslimanit modern qëndron në kombinimin e një disidence të vendosur ndaj kulturës globale dhe një ndjenje shërbimi dhe përunjësie. Triumfalizmi është po aq dëmtues për shpirtin sa edhe kompleksi i inferioritetit. Aty ku besnikëria është karshi Zotit dhe dashuria është për atë që pritet të jetë aspirata e njerëzimit atëherë besimtari mund të ndërthurë keqardhjen për viktimat e tkurrura (e mërrolura, e rudhura) të monokulturës me mirënjohjen për udhëzimin e Zotit.
Një pjesë e kësaj mirënjohjeje dhe përunjësie merr formën e një vetëdijeje urtësiplotë se jo çdokush ka forcën për të qenë i ndryshëm. Natyra njerëzore është komformiste dhe monokultura demonizon gjithnjë e më shumë dallueshmërinë e myslimanëve. Myslimanë të trembur, të ankthshëm për të kënaqur (të tjerët), gjenden kudo. Ata janë të padobishëm për bashkësinë e tyre ose, tekefundit, edhe për mikëpritësit e tyre, sepse ata nuk mund të shërbejnë si shërues, por vetëm si një kor i frikësuar panegjiristësh. Allahu po na sprovon përmes tyre; dhe e vetmja përgjigje e suksesshme ndaj kësaj sprove është të tregohemi falës dhe të përpiqemi të gjejmë pomadë për plagët e shkaktuara nga nga ky melting-pot, meqenëse ky fenomen, vit pas viti, rritet në mënyrë më dramatike gjithnjë e më shumë.
Perktheu: Rezart Beka
[*] Abdal Hakim Murad, “Commentary on the Eleventh Contentions”, The Quilliam Press, f. 68
5. Një heretik nuk e deklaron veten asnjëherë si të tillë, por deklaron se e transcendon ortodoksinë.
Surja Fatiha mbyllet me lutjen e rëndësishme për të qenë të udhëzuar në Rrugën e Drejtë, “jo në rrugën e atyre që kanë tërhequr hidhërimin Tënd e as të atyre që kanë humbur vetvetet”. Sipas komentarëve klasikë, një kuptim i kësaj është se Rruga e Drejtë është e mesmja e artë, e balancuar ndërmjet dy ekstremeve. Ekstremizmi është një herezi, por herezia, për nga përkufizimi, është gjithashtu një ekstremizëm.
“Ata që kanë tërhequr mbi Ty hidhërimin Tënd”: bashkësia izraelite e cila mbeti në sipërfaqe”. Atë “që kanë humbur vetvetet”: bashkësia e krishterë e cila e injoroi sipërfaqen. Ekuilibri, ose drejtqëndrimi (istikame) është të lejuarit që e brendshmja dhe e jashtmja të kenë lulëzimin maksimal, duke i mbajtur ato në përpjestim të drejtë. Marrëdhënia midis së jashtmes (dhahir) dhe së brendshmes (batin) nuk është një zero-sum game[1]. Në vend të kësaj, sa më shumë ta plotësojmë dimensionin e jashtëm (dhahir), aq më shumë e brendshmja do të vijë në jetë, dhe e kundërta. Fikh-u është më intensiv dhe më i plotë në jetën e evlijaut.
“Ortodoksia”, saktësisht, është një koncept i krishterë, jo mysliman. Orthos, do të thotë “drejt” dhe doxa do të thotë “mësim”. Pa Kishë nuk ka magjister, me përjashtim të konsensusit rastësor të ulema-ve. Në vend të “mësimit të drejtë” ne kemi “rrugën e drejtë”. Një rrjedhojë e kësaj është se kjo është largësia më e shkurtër ndërmjet dy pikave: “Feja është lehtësim” (Hadith). Një tjetër rrjedhojë është se drejtqëndrimi nuk pengohet nga gjerësia. Ndërsa, “rruga e vështirë” e herezisë, e cila është rruga për të cilën mund të pretendohet se i bie më shkurt, zakonisht është e ngushtë dhe mund të propozojë idenë e një “mësimi të drejtë”. Ky mund të jetë mësimi i pagabueshëm dhe i vetëm i imamit Ismailit, ose mohimi kategorik i ikhtilaf-it nga ana e një havarixhi apo selefiu të gënjeshtërt.
I përballur me rrymën kryesore të ‘Rrugës së Drejtë’ dhe me argumentet se ai ka dalë nga rruga, heretiku do të vetëjustifikohet në një nga dy mënyrat e mëposhtme. Së pari, ai mund të pohojë se rryma kryesore është heretike dhe se vetëm Imami i Vërtetë, ose “kusuri i njerëzve të mirë”, “mbizotërojnë me të vërtetën” (dhahirine ala el-hak). Kjo është më e zakonshme në rastin e devijimeve “ekzoterike” (dhahirite). Ose, ai mund të deklarojë se ortodoksia e gozhdon në arkivolin e fjalëve misterin dhe rrjedhën Absolute. Mësimi i ëmbël ezoterik (batini), nëato raste kur zbulohet, paraqitet si një kuintesencë e hollë e Islamit, që vetëm të inicuarit (ata që kanë marrë dorë) mund ta dinë. Ky heretik është gjithnjë një elitist dhe do t’i kishte reduktuar edhe sahabët vetë në pietistë.
Transcendencë do të thotë të ngrihesh mbi një objekt: ashtu siç Zoti transcendon qeniet njerëzore. Ky është kuptimi i drejtë dhe kuptimplotë i termit. Por, ‘ortodoksia’ nuk është një send brenda një kategorie, e cila mund të transcendohet (kapërcehet) në mënyrë kuptimplotë. Një pohim rreth së vërtetës është ose i vërtetë ose i gënjeshtërt. Ai nuk mund të “transcendohet” pa e kthyer atë në diçka të ndryshme nga ajo çfarë është në të vërtetë.
Te’uli është pushtimi dhe zaptimi i shkrimit të shenjtë nga entuziazmi i një besimtari. Por, gjërat duhet të jenë krejt të ndryshme nga kjo.
Përktheu: Rezart Beka
[*] Abdal Hakim Murad, “Commentary on the Eleventh Contentions”, Quilliam Press, 2012, f. 93-94.
[1]Zero-sum-game: lojë ku shuma e përfitimeve dhe humbjeve për palët pjesëmarrëse është zero; lojë ku nuk fiton askush
Tags: herezi, hixhabi, monokulture, namaz, ortodoksi, plogeshtia, semper reformanda, shamia, TIm Winter, Urtesi Last modified: 16/05/2015